Paradoksi i Trumcakut, firmosur nga Migjeni.
Filozofia e fundit e trumcakut me firmën e Migjenit.
Dukumenti autentik i shkruar në fund të jetës nga Migjeni.
Padyshim është një fletë e zverdhur e një fletorje me viza, tipike e kohës në vitet 1938-të ajo ku Migjeni ka shkruar një nga momentet e rebelimit dhe filozofisë së një....trumcaku.
Në qytetin e lashtë dhe tradicional të veriut të Shqipërisë, natyrisht që nuk e përdorin emrin harabel, për zogun jo të bukur që qëndron afër shtëpive dhe pullazet e tyre. Në Shkodër i thonë...trumcak. Por në fletën e verdhë të shkruar nga Migjeni në Sanatoriumin italian, është pikërisht trumcaku që filozofon sëtepërmi, që bën ciu-ciu, por që në momentet e sëmundjes së autorit të madh, kalon sipër vizave në gjëndjen e rënduar të tashmë fundit jetësor të poetit. Në arkivin e Muzeut të Shkodrës, ndoshta kjo fletë është edhe quintesenca jetësore në filozofinë e Migjenit. Ajo filozofi që ka brënda si rebelimin edhe me natyrën, por edhe me pavdeksinë e cila në fund të shkrimit është quajtur....eternitas.
Është 100 vjetori i lindjes së Millosh Gjergj Nikollës, dhe patjetër vepra e tij duhet riparë në shikimin e ri sidomos të qetë të mbas shumë dekadave. Duhet parë dhe vlersuar në supertalentin migjenian, por pa ngarkesa emocionale si të kohës së diktaturës, dhe asaj post-diktaturë.
Prandaj është më mirë që të shikohet ndryshe, edhe ndoshta shpërthimi filozofik i fundit i tij që është pikërisht ai shkrim pa titull, por që unë po e quaj “Paradoksi i Trumcakut”.
“I lodhun, dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndroj mbi degë”...kështu e fillon shkrimin Migjeni. Shikohet qartë paradoksi që në fillim ku “trumcaku është i lodhun ma i pakënaqun, por me fat” dhe patjetër që mund të kuptohet se pse në prill të 1938-tës “trumcaku është i lodhun dhe ma i pakënaqun” por që ka fat. Në çfarë ka fat ky trumcak, si ka fat, në çkuptim ka fat ka trumcak dhe kjo është edhe fillim i i filozofisë te trumcaku. Migjeni këtu shpik, pakënaqësinë me fat.
Migjeni vazhdon: Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoj ma artistikisht. Me përbuzje vërente bylbylin. Tashma e kuptoj mirfilli se duhet të vuejë nga fataliteti i gjanave. Kështu tue mendue ndjen një lehtsi trumcaku. Në thellsin e ndergjegjes së tij, filloj të ndjehet fillozof. ( Kish të drejt! Se kush arrin ndër trutë e vet, të jenë i pakënaqun me fat, ai me të vërtetë filloi me bamë fillozofi – dhe një fillozofi ma të vërtetë se çdo tjetër fillozofi). Trumcaku që ka zili bylbylin, pse nuk është artistikisht si ai, ndoshta pamja, apo kënga e tij në krahësim me bylbylin, apo të dyja bashkë, dhe pikërisht mbas kësaj fillon edhe filozofia. Mos qënia artistikisht në pamje si bylbyli e bën trumcakun të kuptonte fatalitetin e ... gjanave!!
Mirëpo Migjeni nuk do që trumcaku të jetë pa vlerat e tij dhe vazhdon mendimin: Çuditej trumcaku për madhështinë e ndjesive të tija dhe çuditej për fatalitetin e gjanavet. Pse asht trumcak, vetëm pse asht trumcak nuk mund t’a thotë kangën e bylbylit. Çuditje për padrejtsin e natyrës dhe ish gati të bajë diçka; një kryengritje kundra natyrës!..... Por trumcaku fillozof e mundi trumcakun harbut. Me një indiferencë apathike fishklloj dhe flutroj nga dega, nën strehë të pullazit. Pastaj poeti vazhdon....dhe aty ia nisi: ciu ciu, ciu ciu, si një fillozof unik dhe faqezi. Ndoshta ky është momenti që Migjeni rebelohet pse nuk e kuptojnë ose lejojnë, apo edhe pse nuk e lejojnë duke qënë trumcak të këndojë si bylbyl. Mbase bylbyli ka fatin dhe mbase është ai që “e ka mirë me natyrën”...mbase ky është edhe mendimi paradoksal. Patjetër që pranon natyrën e gjanave, por trumcaku që ka në shpirt dhe trup, gati gati rebelohet ndaj natyrës por.....por aty për aty, vendos të bëhet një fillozof e për më tepër “unik dhe faqezi”. Një interpretim i jashtëzakoshëm i paradoksit dhe dyzimit në fund të jetës së shkurtër, e cila tashmë po i mbaronte. Ishte fundi i historisë që kthente “trumcakun” rebel, ne një fillozof, sikundër thotë Migjeni. Por pjesa më e rëndësishme e cila ka një iks të madh me tjetër laps në shkrimin e Migjenit, ku filozofia dhe “eternia” në mendimin e tij do të cilësohej fort, është në fund të shkrimit, asnjëherë i respektuar si duhet, nga bota jashtë mendimit trill të pikërisht Migjenit.
Nuk jam i qartë, në se ka qënë dora e Migjenit që ka vendosur këtë “iks” prishës së deduksionit të poetit (unë nuk e besoj), por ama, idea tashmë është e qartë në mëndjen e trupit të sëmurë.
Paragrafi i fundit te “Trumcaku Filozof” thotë: Ky paradoks i trumcakut, mund të ngjajë (ndodhë) edhe një miljon vjet, kur truri i trumcakut të zhvillohet aq sa asht sot i zhvilluem truri i njeriut. E na njerzit e këtij skajit të dheut për nji miljon vjetë, mund t’arrijmë që mos t’ia kemi zili njerzve që na rrethojnë (si trumcaku që ia kish zili bylbylit). Një miljon vjet – afat i bukur.....Si ju duket? Jo, jo, nuk a shum. Ç’janë një miljon vjet para eternitas. E poshtë këtij paragrafi poeti ka firmosur....Migjeni.
Pikërisht këtë paragraf, nuk kanë dashur ta komentojnë apo marrin në konsideratë as në atë kohë, as në diktaturë në mënyrë të drejtpëdrejtë, apo pa e përdorur si e kanë pasur zakon....dhe as sot, kur normalisht, duhet që dikujt ti jetë pastruar shikimi dhe kristalizuar audio e dëgjimi në përgjithësi.
Nuk kanë dashur që të demostrojnë pikërisht “paradoksin” që në fund të jetës, atëhere kur poeti kishte kuptuar se “pakënaqësia me fat” po i jepte shërbimin e fundit, po i mundonte shpirtin. Nuk arritën të sqarojnë “afatet” prej 1 miljon vjetësh, që i duhen trumcakut të bëhet me “tru sa të njeriut” apo edhe mundësinë e mos pasjes zili më... kur....!! E thëna e zilisë të sotme, në krahësim me humbjen e saj mbas 1 miljon vitesh te njerzit, dhe krahësimi me trumcakun si ziliqar i bylbylit, është edhe momenti që nuk e kanë sqaruar te Migjeni, duke u marrë vazhdimisht me Migjenin revolucionar, i cili ka dashur të prodhojë një trumcak filozof në fund të jetës. Ai nuk habitet edhe me “evolucionin” të cilin e përcakton si zhvillim dhe në fund të fundit e justifikon si vonesë duke i vënë përballë “eternitas” apo përjetësisë, e cila patjetër nuk ka pasur lidhje me trupin e tij...por me diçka tjetër që natyrisht është sot. Gjithsesi “Paradoksi i Trumcakut” mbetet një nga momentet e jashtëzakohshme të poetit,
i cili mbas shumë pak muajsh vdiq në “sanatoriumin” ku ka shkruar edhe pjesën më të çuditëshme filozofike të tijën, më të nguliturën në mënd për të gjithë ato që kur e lexojnë vazhdimisht pyesin....çfarë realisht ka dashur të thotë ky trumcak, bylbyl dhe njeri në paradoksin e jetës që po pritej në fillim të saj.
Nessun commento:
Posta un commento