Pse garibaldinit Pietro Marrubi, akoma nuk ja kanë plotësuar biografinë?!
Koment
Besi Bekteshi

Po kush ishte në fund të fundit Pietro Marrubi që sipas edhe italianëve dhe studimeve të tyre, ka lindur në Piacienza aty nga 1834-tra. Si e përditshmja e madhe “Espresso” apo edhe “Radio Emiglia Romagnia” dhe agjensia e madhe (Adnkronos/Adnkronos Cultura) e kanë trajtuar këtë histori, por shumë lehtë. Në Shqipëri një autor ka nxjerrë se në fillim Pietro Marubi kaloi në Korfuz dhe pastaj Vlorë dhe aty konsulli italian i tha “shko në Shkodër se aty ka katolikë”!! Por arsyeja dukej se ishte “bashkimi me Garibaldin”. Në fakt italianët Marrubin e lindur në Piacenza në vitin 1834 e “dërgojnë në fillim në Turqi për të kërkuar azil politik”. Pse? Po, sepse gjatë kohës kur qyteti ishte nën sundimin austriak është vrarë një bashkiak i qytetit, dhe një nga të akuzuarit në këtë të ashtuquajtur komplot ishte dhe Pietro Marrubi. I bie të jetë tepër i ri po të bësh llogaritë me moshën. Gegë Marubi thotë se ka ardhur në 1850-tën, dhe duhet që të ishte 16-të vjeç dhe llogaritë nuk dalin mirë, por gjithësesi....!! Gjithsesi them....në fillim sipas biografisë që i bëjnë italianët e Piacensës, në Turqi nuk i kanë dhënë azil, as në Greqi dhe as në Vlorë, e cila ishte shumë afër Italisë dhe Piaçensës e cila merr autonominë dhe pavarësinë duke u bashkuar me Mbretërinë e Savojës vetëm në vitin 1858-të kur Marubi bën foton e parë që në fakt nuk është e saktë.... për Hamz Kazazin. Por po vazhdoj arsyetimin e një 16-të vjeçari që sillet rrotull dhe përfundon në Shkodër, ku është e sigurtë se si fuqia e kishës katolike, por kryesisht Vilajeti i Shkodrës me anën e valiut nuk e luajnë italianin e ri që vetëm 21 vjeç arrin të hap një dyqan, i cili stamponte fotot e dikurshme. Po, dhe në fakt Marrubi merret nën mbrojtje në Shkodër. Si merret nën mbrojtje? Në fakt, e vetmja aristokraci e cila mund të shkëpuste firmë e vulë një valiu, për interesa të saj, ishte ajo shkodrane dhe pa shumë dallime si ajo katolike tashmë e ravijëzuar, e aq më shumë ajo muslimane e fortë si gjithmonë, rebele here here dhe “besnike” që nuk i besohej shumë nga ana e Portës së Lartë. Normalisht që fotot do të ishin për natyrën, burrat e fortë...Kazazi plak.... që në foto duket 40-të vjeç dhe rregullimi i kishave si piktor. Dakort....!!
Kishte dhe një mënyrë tjetër në Shkodër për të pranuar një njeri që akuzohej rëndë në vëndin e vet. Mënyra ishte të jepte “ anëtarësi grupi” pranim familjeje....dhe etnie dhe normalisht kjo vinte dalëngadalë, por kryesorja ishte forca e madhe e aristokracisë shkodrane e cila kishte jo vetëm para, por edhe ndikim të madh jo vetëm në Portën e Lartë, por edhe perëndim. Të gjitha u përdorën për Marrubin garibaldin, dhe në fakt, ai u shkodranizua, sepse mësoi dhe shkodrançen e plotë, dhe sidomos duke lënë pikturën dhe u marrë me aparatin dhe foton, u bë një legjendë qytetse në Shkodër, dhe po u bëre në Shkodër në atë kohë....ishte vërtetë i famshëm. Pietro Marubi i kthyer në Pjetër, u bë vërtetë i famshëm dhe një shkodran i jashtëzakonshëm.
Atelia e Marubit është hapur në vitin 1856-të, dhe padyshim është një nga kryeveprat shqiptare të kulturës, (unë nuk di ndonjë gjë tjetër kulturore që e vlerson bota më shumë se sa kjo) vetë Pjetër Marubi është një nga modelet e njeriut përparimtar të teknikës dhe artit të ri të lindur në Francë vetëm 17-të vite më përpara. Kurse Shkodra ishte qyteti normalisht i perandorisë otomane që jepte besë dhe mbante brënda një piktor, më pas fotografin më të madh të ballkanit. Ishte qyteti midis lindjes dhe perëndimit, midis myslimanizmit dhe katolicimit në një bashkëjetesë të madhe dhe për tu admiruar....edhe sot e kësaj dite. Po, edhe sot e kësaj dite e them jo pa sens kritike....për sot!!
Në këtë mes, ka diçka. Si ka mundësi që as në kohë të socializmit nuk deshën të gjejnë origjinën politike garibaldine të Marrubit, si ka mundësi që Gega nuk donte ta thoshte në biografinë historike të paraardhësve të vet. Si ka mundësi që edhe sot për artin e madh të fotografisë që Shkodra ka kampionin e Ballkanit, nuk është dhënë një fond për të gjetur rrënjët e familjes së Marrubit dhe ato të dalin historikisht qartë. Si ka mundësi që mos “rrëmohet” në biografinë e qytetit të lëvizjes, dhe që ka nxjerrë histori të mëdha për Italinë. Si ka mundësi që të mos vazhdohet dhënia e respektit për italianin e madh, kur dikur ju dha besa dhe qytetaria shkodrane edhe në kërkim? Si ka mundësi?
Ka mundësi.... e para, sepse në shumë raste historia dhe mburrjet tona janë sipërfaqësore dhe e dyta, dikush dikush, nuk do të vërtetën deri në fund.
Gjithsesi Pietro Marrubi, ose shkodani i madh Pjetër Marubi, e meriton jo vetëm një jetshkrim, më të plotë, por edhe një bust apo shtatore të madhe për nderin që i ka bërë jo vetëm Shkodrës, por gjithë Shqipërisë...pse jo Ballkanit. E meriton.