Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

domenica 27 ottobre 2013

Disqet e gramafonit...TV Rozafa....

Intervistë mbi disqet 78 xhiro te këngëve shkodrane dhe autorëve të tillë në Pinakotekën e Muzeut. Firmat e mëdha të kohës në vittet 1920-1930 si Odeon dhe Columbia kanë disa qindra prodhime me këngë shkodrane.

venerdì 25 ottobre 2013

Trashëgimia british pa respekt në Shkodër.

“Sahati Inglizit”, i vetmi ndërtim british në Shqipëri, jashtë vëmendjes që i takon!



                                                                                 Nga Besi BEKTESHI
 Një nga momentet e përveçme, tepër të rëndësishme për nga trashëgimia kulturore në Shqipëri, është dhe “Villa Paget” ose “Sahati Inglizit” sikundër njihet në Shkodër. Është tepër i përveçëm, sepse është i vetmi ndërtim në pjesë të mëdha british, dhe që për fat të keq, jo vetëm ju shkatërruan gjatë vitit të keq për të që është vitit 1946 dhe për të cilin unë po nxjerr dhe fotot origjinale të rrënimit të “torreve” të vetmet british si një shato perëndimore në Shqipëri, por dhe lënia pas dore sot. Është e vetmja kulturë midis orientit dhe perëndimit british në Shkodër, e ndërtuar në formën e një shatoje nga një njeri që sipas studiuesit Hamdi Bushati është konsideruar lordi Paget. Në fakt me këtë person është marrë dhe zoti Traboini dhe të tjerë, por unë kam sqaruar prej kohësh se djali i tretë i Alfred Paget, si par dhe lord i Britanisë së Madhe, ose majori Paget, nuk ka qenë si person për të përhapur vetëm protestantizmin dhe për të marrë ikona dhe kostumograf, apo dhe nomuzmatikë në Shqipëri, por kryesisht në shërbim të shtetit të tij dhe shqiptaromadhit Herbert, por dhe mik i miss Durham. Ai në fakt, ishte një njohës i mirë i situatës ballkanike (gjuhëve) dhe sidomos shqiptare, dhe një njohës duke qenë në shërbim të Portës së Lartë për shumë kohë si një orientalist i thekur dhe si një major kavalerie i jashtëzakonshëm. Unë kam nxjerrë për herë të parë foton e tij i veshur si qytetar shkodran, dhe i armatosur po kështu, e tani edhe fotot e prishjes së vitit 1946 të torreve të shtëpisë-ville të tij, të ndërtuar në qendër të Shkodrës.
Tashmë në fakt, ose mbas viteve 1990-të, kur Muzeu Historik u largua nga ky monument kulture i cili ju kthye pronarëve, rrezikon shumë, kaq shumën sa që degradoi dhe ndërtimet e kërcënojnë seriozisht zhdukjen e tij. Kanë kaluar shumë, ose shumë mbi një shekull kur filloi ndërtimi i kësaj ndërtese. Vendi sipas Bushatit, ka qenë vend për të gjuajtur rosa. Në disa kujtime të tij dhe guvernatori Philips bën disa krahasime dhe histori me të dikurshmen e vitit 1913. Një pjesë e madhe pas saj, ka qenë pronë e Abdullah Domnorit, por që qeveria turke e shpronësoi dhe e mbajti si një copë dispozicioni, për benefice të ndryshme. Valiu i Shkodrës, një pjesë e dha te një fis nga Mali i Zi, me histori interesante vrasjesh dhe komitësh, dhe një pjesë e shiti sidomos pjesën përpara pikërisht majorit Paget. Në fakt, sipas Bushatit, por dhe sipas historisë, kryesisht të marrëdhënieve midis Shkodrës dhe Malit të Zi, qeveria turke i fali një pjesë të shtëpisë Bozho Kadiqit, sepse vëllai i tij Todor Kadiq, dikur ka vrarë knjaz Danilo Petroviqin në Kotor, si ndodhi e vitit të largët 1860. Bozho la si trashëgimtar sipas Bushatit, Togon dhe vëllezërit, dhe pastaj ky ja shiti shtëpinë Jakup Dervishoviqit.
Me të hyrë pushteti popullor e shtetëzoi atë. Kur e bleu majori Paget shtëpinë e famshme e cila “rrëmbeu edhe zemrën e Enver Hoxhës më vonë me sahatin e bukur”, ndërtoi dhe shatonë british me torret dhe sahatin e bukur. Ai kishte zgjeruar territorin dhe si oborr apo sipërfaqe që kalonte dhe ish MAPO-n e dikurshme në qendër të Shkodrës. Paget ja ka shitur këtë kryevepër british në vitin 1930, një firme tregtare si “Vllazën - Salih Mehmeti” sipas Bushatit për shifrën për 3600 napolona ari. Në të vërtetë ka shumë dyshime kjo shifër, por do të mundohem ta sqaroj në një moment tjetër të historisë së majorit Paget. Pra dy shtëpitë, dhe sipërfaqen si interland të tyre në qendër të Shkodrës, Paget i shiti. Ishin 16 dhoma aristokratike të mëdha, dhe më e madhja ishte ndërtuar me stil oriental, tavane të punuara po kështu që dikur “mahniteshin” të huajt dhe që sot janë, por nuk ekspozohen për këtë qëllim. Kur deshën të hapnin rrugën e gjerë që sot të çon drejt teatrit Migjeni, torret dhe dyert e “shatosë” janë prishur me një gëzim të madh nga komunistët, edhe pse në fakt po prishej e vetmja kulturë british në Shqipëri. U rrëzuan pjesë ku kishin qenë konsullata të Britanisë dhe ku kishin qëndruar guvernatorët e parë të Shkodrës si admirali Burney dhe guvernatori Philips në vitin e famshëm 1913, kur vendoseshin fatet e Shqipërisë dhe territorit të saj që ka sot.
Pikërisht në këtë shtëpi, janë marrë vendimet e mëdha të territoreve shqiptare (në saj të lobingut në Londër, të njerëzve të mirë ditur që kanë banuar pikërisht këtu) si për mirë dhe për keq, por kanë shkuar dhe informacionet e rëndësishme në Europë. Në këtë shtëpi kanë ndenjur njerëzit më të lartë dhe konsujt më të rëndësishëm të Shqipërisë së atëhershme. Por dhe janë bërë dhe takimet më të rëndësishme të grupeve dhe bajraktarëve, liderëve shqiptarë, personave më influentë të shqiptarëve të veriut. Në fakt, këtë pjesë të historisë nuk kanë dashur ta pranojnë në diktaturë, por shtëpinë e shtetëzuar e ruajtën. I morën sahatin me urdhërin e Enver Hoxhës, dhe e çuan në Gjirokastër, por vetëm kaq, kurse sot ajo po përjeton një rrezik të madh për degradim të madh, duke qenë një pasuri e përveçme në Shqipëri. Lejet e ndërtimit i kanë shkuar kaq afër, sa po e sfidojnë seriozisht dhe për një diçka akoma më të madhe më vonë.
Sahati Inglizit ose villa Paget ka pasur dyer të jashtëzakonshme dhe origjinale të punuar nga mjeshtra shqiptarë dhe normalisht si veçori dhe histori, ka qenë një model i pa krahasueshëm në Shqipëri. Ka pasur mure dhe puse, por dhe artefakte të shumta kjo vilë. Sa ka qenë muze, ka lënë pa mend të gjithë ata që e kanë vizituar. Askush nuk mund të mohojë pronën, por gjithashtu askush nuk mund të mohojë historinë dhe trashëgiminë e tillë të fuqishme që paraqet Vila Paget, që është një nga lobuesët e pavarësisë së Shqipërisë (si trashëgimi historike e njerëzve banorë të saj) dhe me relacionet më të mira për Shkodrën, dhe futjen e saj në territorin shqiptar edhe me anën e pronarit të saj major George Paget, që protestantizmin e kishte pothuaj një “mbulesë” në raport me veprimtarinë e tij, si një raportues i rëndësishëm i situatës në rajon. Këshilli Bashkiak i Shkodrës me mirëdashje, ka bërë “Qytetarë Nderi” sir Burneyn dhe gjeneral Philips, si oficerët british që ndihmuan Shkodrën dhe Shqipërinë, kurse në Tiranë majori Paget ka marrë nderimet e tij.
Problemi është pikërisht “trashëgimia kulturore”, dhe statusi që ka pjesa e mbetur e Sahatit të Inglizit, ose banesës së modelit british, të ndërtuar nga një person i fisëm dhe me gjak aristokratik, si i biri i lordit të famshëm së gjeneralit Alfred Paget. Një ndërtim i tillë, nuk mund të shkojë dëm, edhe në bazë të lejimit të deformimit në kohë të modelit shumë të kollajtë të përdorimit të pronës, dhe të mos vëmendjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore të tij.
Në fund të fundit, “Sahati Inglizit” ose villa Paget, janë monument kulture në Shkodër, dhe është e përveçme për nga tipizimi në rajon dhe më gjerë. Sahati Inglizit, është dhe në vend të mirë dhe të bukur, dhe në fakt, fjalët për të më të bukura janë ato të çmimit Oskar, si një britanik i madh që e ka vizituar në vitin 1966, kur ishte Muzeu i Qytetit. Ishte pikërisht Peter Ustinov, i cili përshkruan (ka qenë dhe një agjent i SOE) Sahatin e Inglizit si të vetmen gjë perëndimore, për të cilën habitem” në vizitën e tij të shkurtër në Shkodër dhe Shqipëri. E shembën me një zell të madh në vitin 1946, e varfëruan kur u largua si muze, dhe tani nuk respektohet si një trashëgimi kulturore dhe monument kulture. Biles diku diku, ka qenë dëgjuar dhe një e “thënë” se mund dhe ta largojnë si diçka të tillë, për ti hapur rrugën transformimit rrënjësor dhe në dëm të historisë dhe trashëgimisë në Shkodër. Rezistenca ka qenë dhe ndër pronarët, por deri kur, deri në fakt kur, do të vazhdojë kjo mënyrë e të sajuarit të lejeve dhe të ndërtimeve mbi trashëgimi ose afër, fare afër tyre, për ti përjashtuar apo dëmtuar pak më vonë. Normalisht tani duhet më respekt dhe për Sahatin e Inglizit ose vilën Paget.


lunedì 21 ottobre 2013

Idromeno, guximi rilindas i një shkodrani.

Guximi i rilindasit Idromeno, në kryeveprën “Dy rrugët e jetës”

Guximi i rilindasit Idromeno, në kryeveprën “Dy rrugët e jetës”
Nga Besi BEKTESHI Kryevepra në pikturë e autorit më të shquar shqiptar të rilindjes tonë Kombëtare dhe Kulturore në rradhë të parë, është më e pavlerësuara realisht për kontributin e saj moral dhe etik, të paraqitur në një vepër madhore që është 198 cm me 174 cm sipërfaqe. Një kryevepër sikundër thashë etike, dhe pse shumë kush sidomos në diktaturë, e defininonin religjionare ose më mirë “anti religjionare” me botëkuptimin retro - bolshevik dhe rural të kohës. Është pra “Dy rrugët e jetës” ose “Parajsa dhe Ferri” së bashku me disa porosi të tjera të klerit katolik, që janë bërë rreth vitit 1891, dhe punët janë përfunduar nga viti 1894, por “Dy rrugët” kanë filluar në vitin 1892 dhe kanë përfunduar aty nga vjeshta e vitit 1894, duke u ripunuar disa herë nga autori. Konsulli francez Degrande, flet jo shumë gjatë për këtë kryevepër dhe Idromeno, ose djali nga Parga si origjinë të vjetër arbëreshe, dhe nga Hidro si ishull, kishte marrëdhënie të mira ato kohë edhe si piktor dhe si fotograf, me pjesën diplomatike të konsullatave të shumta në Shkodër.
Nga Parga si origjinë, ai i bie të jetë nga Çamëria, një orthodoks shqiptar, dhe një arberësh si origjinë, i takon nga ishulli Hidro, por si një shkodran i mirë është në lindjen e tij, origjinën e nënës Roza Saraçi, dhe aktiviteti i tij si piktor, fotograf, arkitekt, urbanist, skenograf, muzikant dhe kompozitor, akoma jo kaq mirë i letrarizuar dhe respektuar në historiografinë shqiptare. Ka qenë dhe shfaqësi i pari i filmit në trevat shqiptare, një kolos i tillë shkodran. Po, dhe vazhdon sipas meje i parespektuar si patriot dhe njeri përparimtar, por dhe modern. Ai pa dyshim, është një Leonardo da Vinçi shqiptar në përmasa dhe aktivitet për dallimin e madh që kishte me realitetin. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Unë kam fatin të kem ekspozuar për herë të parë në mënyrë dinjitoze, mbas viteve 1990-të, kryeveprën etike dhe morale “Dy rrugët e Jetës”. Duke qenë përgjegjësi i Pinakotekës apo pavionit “Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane”, kam marrë iniciativën e një demonstrimi dinjitoz i një vepre të tillë, e cila për nga përmasat dhe ngjarjet në të dhe në lidhje me të, është madhështore. Kjo kryevepër dikur u demostrua në mënyrë jo kaq shumë të zgjuar nga regjimi komunist, në ish muzeun famëkeq “Ateist” dhe normalisht, kush kishte sadopak njohuri për artin, e merrte vesh se po bëhej një “autogol”.
Por kryevepra është një moment guximi rilindas dhe qytetar, i të madhit Idromeno dhe ka shumë skena aty që e vërtetojnë këtë. Deri tani, këtë kryevepër e kanë parë me kureshtje të madhe, dhjetra studiues arti, qytetarë, politikanë, ambasadorë, të huaj të shumtë, dhe impresionet e tyre janë të jashtëzakonshme. Por kush është ky guxim në një analizë të shpejtë në skenat e shumta që ka kryevepra? Në fillim duhet parë pak konteksti i kohës. Ishte momenti më i keq i perandorisë Osmane, e Shkodra megjithëse qytet i madh dhe më i kulturuari, ishte tashmë jo mirë i administruar, ishte retro qytetare në përgjithësi, rilindja kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit po bënin punën e tyre, sepse ishte dhe dega e fuqishme e Shkodrës, ishin po ashtu në kulm lëvizjet pro europianiste që po zhvilloheshin shumë dhe përfundimisht mendja e një piktori dhe artisti, shkonte akoma më përpara dhe shprehej haptas në pikërisht art dhe normalisht pikturë. E në fakt, kjo pikturë e madhe, shprehet po kështu, duke u arratisur në imagjinatë dhe duke treguar ashpër realitetin e atëhershëm. Kryevepra ka gjashtë skena masive dhe njëzet skena më me pak njerëz, por që në fakt janë skena të vërteta teatrore, në pikërisht teatrin e jetës kryesisht në Shkodër.
Kush është guximi i vërtetë? E para, natyra është ajo e Shkodrës afër kalasë “Rozafat”. Janë po ato gurë dhe poshtë po ato pemë dhe lëndina, po ajo natyrë. Ferri deri afër djegies së madhe, është një rrugë e “bukur” dhe për këtë shumica e njerëzve drejtohen për aty, dhe jo në portën e purgatorit e cila është e vogël, në krahasim me portën e ferrit që është gjigante dhe tipizuese si diçka turke. Një natyrë e tillë ishte thjesht për kohën një provokacion i qartë. Për këtë i është bërë vërejtje ato kohë nga autoritete që e kanë parë përpara demostrimit, sepse po ju prishte shumë punë me njerëzit e lartë të administratës otomane. Fakti Shkodër, fakti portë turke dhe disa flamuj ashtu kot si të kuq në ferr, bukuri natyrore e rrugës së ferrit etj., etj. Një nga guximet e mëdha të një rilindasi të vërtetë, Idromeno te “Dy Rrugët” ka “rrugën e shkurtë” që lidh purgatorin me ferrin, ose më mirë rrugën për në parajsë me rrugën për në ferr. Këtu ka pasur shumë e shumë vërejtje të mëdha, edhe nga njerëzit që do të vlerësonin etikisht, moralisht dhe religjionarisht veprën. Sidomos nga ana religjionare! Po, është një fshatar pikërisht aty, që ka bërë gjysmën e rrugës për në parajsë, që mashtrohet prej një dreqi-djalli, dhe pret-ecën shkurt, nga parajsa për në ferr, pa kaluar mbrapsht purgatorin! Ishte e jashtëzakonshme për kohën. Kishte një rrugë të shkurtë, që mund të lidhte parajsën me ferrin dhe që e ruanin djajtë! Një guxim i madh Idromenian!
Guximi tjetër i madh dhe me vërejtje të mëdha për kohën, është dhe momenti i engjëjve të tablosë. E dimë se engjëjt nuk kanë gjini, por Idromeno në disa raste, i bën disi femra dhe të veshura të tilla, duke mbajtur shënim dhe normalisht në atë kohë ju krijuan dhe probleme. Në një rast një prelat i rëndësishëm në Shkodër i thotë, “ti mor djalë me ato shpatulla jashtë këtij engjëlli, çfarë kërkon të tregosh” dhe Idromeno sipas një konsulli prezent aty i është përgjigjur se “asgjë përveç bukurisë engjëllore” dhe në fakt të gjithë kanë qeshur disi me zor.
Kritika e realitetit të atëhershëm është si guxim, dhe te skena e gjaksorëve dhe vrasësve, por më e qartësuar guximi është te kritika ndaj vetes dhe njerzve të artit dhe muzikës apo ahengxhinjve. I ka vendosur me fytyra të njohura qytetare përveç të vetes në qendër, po, janë shumë miq të tij, të cilët në skenë po habisin dhe djajtë. Biles, njëri prej tyre i bën thirrje reale dhe të drejtpërdrejtë dhe një miku të tij, që po shkon për në parajsë. Ka qenë e padurueshme për kohën një thirrje e tillë kaq “heretike”, e cila nuk është ndryshuar as në vitin 1894, edhe pse i kanë thënë se “me këtë gjë, vepra nuk mund të paraqitet”. Idromeno, një konsull dhe një konsulleshë i ka çuar rrugës për në ferr, megjithëse nuk i bën të kalojnë portën e ferrit, por nga fytyrat e mirë detajuara, të gjithë kanë kuptuar se kush ishin në fakt. Ishte një përgjigje e Idromenos, për një lloj qëndrimi aspak realist të tyre, ndaj gjendjes së rëndë të lejuar dhe nga disa përfaqësi, por dhe veprimtari të tyre ndaj vendit dhe sidomos trojeve shqiptare. Skena të tjera të guximit etik dhe pa dyshim moral, janë skena e “dembelëve”, “pijanecëve”, “kapadainjve”, “Dy kalorësve” dhe “Mbretit që i lan këmbët një të varfëri”. Por dhe me kafshët, Idromeno është treguar realist dhe moralisht një person guximtar. Padyshim që kuajt dhe dhëntë si grigjë, por dhe qenin, Idromeno i vendos në rrugën e parajsës. Kurse zagarët dhe bagëtinë e klasifikuar të tillë në rrugën e ferrit.
Pse është një vepër etike pikërisht “Dy rrugët”? Në fakt, nuk kanë dashur ta trajtojnë si të tillë, dhe guximi i madh është “përjashtuar etikisht” dikur, dhe përdorur me qëllim të keq nën diktaturë. Por etika në fakt, është si klasifikim nga greqishtja e vjetër si “Ethos” ose karakter, sjellje, kostum, mënyrë veprimi dhe sjellje në lëmin e filozofisë. Në këtë gjë, Idromeno ishte i pari dhe më i madhi ndër rilindasit tonë që ishin artistë ( shumë të pakët) dhe sidomos në pikturë që mungonin fare. Në këtë mes, unë vazhdoj të them se kryevepra “Dy rrugët e Jetës”, është një model etikisht i qartë dhe tepër i mirë saktësuar së paku sot, në një kohë as paragjykimesh dhe sidomos jo presioni direkt. Moralisht kjo vepër tregon veset dhe vetitë morale të mira, të ndara në dy rrugë. Ishte moment i jashtëzakonshëm dhe padyshim rilindas në atë kohë, dhe ku më mirë se në qytetin më të madh urban dhe kulturor që kishin trevat shqiptare dhe për shumë kohë, dhe që ishte pikërisht Shkodra. Kultura normalisht perëndimore si art, dhe realiteti oriental si jetë, e bënë një nga sistemet e jashtëzakonshme të interpretimit të kohës këtë gjeni të artit shkodran si Idromeno. Kol Idromeno, ishte pikërisht maja e lartësisë të madhe kulturore të Shkodrës, nga vitet 1880-të dhe deri në vitin 1939 kur vdiq.

- See more at: http://www.sot.com.al/opinione/guximi-i-rilindasit-idromeno-n%C3%AB-kryevepr%C3%ABn-%E2%80%9Cdy-rrug%C3%ABt-e-jet%C3%ABs%E2%80%9D#sthash.yYGhu4v1.sYf781oi.dpuf

sabato 5 ottobre 2013

Trashëgimia e goditur ndër kohëra.



Nga Ciriako i Ankonës, te grabitja e muzeut të Bushatllinjve dhe deri te matrapazët e sotëm të trashëgimisë!



Koment



Besi Bekteshi

Në shfletimin e revistave dikur, por të lidhura me kujdes në Muzeun Historik të Shkodrës, me shumë fat lexova një shkrim të studiuesit Hasan Ulqini që në vitin 1979.  Ishte një moment i rëndësishëm për sot dhe shkrimi i Ulqinit kishte për titull “ Objekte të Arkeologjisë Shqiptare nëpër Muzeumet e Huaja”. Moralisht dhe objektivisht, isha shumë i interesuar për një fakt të njohur, por jo të vlersuar dhe në qytetin më të madh, por tradicional dhe të pasur me trashëgimi që është Shkodra. Në fakt, zoti Ulqini në parathënie kishte vendosur dy grabitje të rëndësishme që i kanë bërë të huajt vëndit tonë dhe këto dy grabitje njëra është në Vlorë, dhe tjetra në Shkodër. Muzeu  Arkeologjik i Vlorës, i ndërtuar nga misioni francez i mrekullueshëm me Leon Rej për 15-të vite rradhazi, është marrë i gjithi në vitin 1939-të dhe fashistët e konsideruan një thesar të tyrin. Por kryesorja për mua ishte dhe fakti i raprezaljes në vitin 1913-të në kalanë Rozafat të Shkodrës, e pikërisht të muzeut të pasur të Bushatllinjve, në banesën e tyre në oborrin e kapitenerisë së sotme. Një muze i pasur, tepër interesant, i cili në këtë vit duhej kërkuar sëpaku si histori me që ishte rasti i 100 vjetorit të pikërisht betejës së madhe dhe rrethimit që mbajti Shqipërinë jo të shpërndarë me gjithshka dhe në të mirë dhe të keq, formoi këto 28.000 km katror që kemi sot. Malazezët vodhën dhe grabitën muzeun si vjedhja më e madhe e kohës, por dhe e shekullit 20-të në teritore shqiptare, dhe për më tepër, një muze të mirë rregulluar dhe me mbi 1000 artefakte të ruajtura dhe pronë e familjes së madhe shkodrane, si sunduese e qytetit për gati një shekull. Nuk është bërë asnjë lëvizje normale në kohët e sotme, por dhe më përpara në këtë drejtim dhe dihet qartë se diku mburren me artefaktet e Bushatllinjve dhe të kalasë së Shkodrës.
Megjithatë, nga zoti Ulqini është gjithashtu e qartë dhe historia e marrësit të veprave  dhe njeriut të parë si arkeolog të trevave shqiptare në trashëgimi. Është pikërisht historia e Ciriako de Picikoli në shekullin e XV-të, i cili ka bërë dy udhëtime si njeri i letrave dhe padyshim dhe arkeolog që zbulohet nga i madhi Ugolini. Ai konsiderohet Ciriako i Ankonës, sepse prej andej ishte dhe Ugolini thotë se ai zbuloi Butrintin, por problemi është se normalisht ishte dhe njeriu i parë që artefakte të kësaj toke, i mori për në vëndin e tij. Mbase duhet falenderuar se i lartësoi, mbase duhet përmëndur si njeriu i parë që largoi  nga kjo tokë, por mbase historia kështu është, dhe ai është pikërisht njeriu i parë i aventurës me artefakte dhe arkeologji  nga ky vënd. Si Ugolini, dhe pikërisht Ciriako i Ankonës, janë bërë si vjedhës të monumenteve në kohën e socializmit, përgjithësisht historianografia e tillë biografinë e tyre e trajton në dy plane dhe ai kryesori është arkeologjia dhe kërkimi i tillë. Akuzohen por nuk është krejt e vërtetë kjo. Në vitin 1999-të Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, botoi librin e Ugolinit “Butrinti”ku në faqen 108 jepet një reliev me portretin e Ciriak-ut, por në profil. Tashmë arkeologu i parë i monumenteve të Shqipërisë, apo misionari i Papës dhe Gjenovës, si dhe këshilltari i Mehmet pushtuesit, nuk mund  jetë më i panjohur për publikun. Dhe këtu meritën e ka përsëri Luixhi Ugolini, të cilit nuk do ti njohim vetëm meritën e zbulimit të Butrintit, por edhe “zbulimin” e Çiriako de Piçikolit të Ankonës. Po, dhe punës sëmadhe si zbulues i arkeologjisë në këtë vënd.
Gjithsesi në këtë kohë, shumë artefakte kaluan në perëndim, dhe në fakt ato ishin në momente kritike nën sundimin e osmanëve, por dhe pa asnjë kontroll të kësaj natyre në trevat shqiptare. Por ky është momenti i parë arkeologjik i vërtetë me Ciriak-un e Ankonës. Ai i lidhur me Osmanllinjtë, kishte mandatin e Padishahut të lëviste lirshëm dhe sëpaku kjo duhet të lejonte pastaj dhe kërkimet dhe kishte tepër rëndësi puna e tij dhe për të mbajtur lidhjet midis dërguesve të tij nga Italia, dhe Portës së Lartë. Ai ishte një arkeolog, dhe padyshim tregtar dhe zbulues, dhe për këtë sot duhet nderuar.
Por çfarë veprash të mëdha janë jashtë dhe për këto zoti Ulqini që në fillim bën jehonën e viteve të fundit të diktaturës. Ai përmënd “Sarkofagun e Durrësit” që ndohet në muzeun arkeologjik në Stamboll. Ai është zbuluar në vitin 1909-të  dhe i përket shekullit të dytë të kohës së re. E famshmja “Dama Antike” e gjetur në Gur të Zi në Shkodër e cila ndodhet në Luvër dhe është një nga artefaktet më të rëndësishëm tonat jashtë normalisht, të tjetërsura dhe marra nga kjo tokë. Tipizimi i saj, veshja, është një nga trashëgimitë më të qarta tonat në perëndim. Një figurë bronzi që ndodhet në muzeun Britanik. Është zbuluar në Kosovë dhe është çuar nga arkeologu  Artur Evans, i cili ka eksploruar të gjithë veriun shqiptar. Pastaj Stela e Parmenikrit e cila ndodhet në Vienë, në muzeun e historik të artit. Është zbuluar dha marrë në Apoloni. Është jashtë dhe “Kokë gruaje në mermer” edhe kjo në Vienë, dhe është zbuluar dhe marrë në Durrës. Në fund janë “dy relieve gladiatorësh”  që ndodhen në muzeun arkeologjik të Beogradit, dhe kanë qënë të vendosura nga pushtesit turq në portën e madhe të kalasë së Durrësit. U grabitën nga serbët në vitin 1913-të.
Duhet ndarë problemi i dikurshëm me problemin e madh të sotëm. Për kohën e Ciriako-s së Ankonës, nuk kishte një shtet dhe një model qeverisës shqiptar. Nuk kemi të bëjmë me grabitje të vërtetë, dhe është një gjë e mirë zbulimet e tij dhe normalisht dhe artefakte që ai mund të ketë çuar në vëndin e tij, sepse shikohej qartë se osmanllinjtë nuk kishin ndonjë interes të madh për arkeologjinë dhe trashëgiminë e tokave që vinin nën sundim. Por mbas viteve 1912-të, dhe sidomos nga viti 1913-të, ka filluar me forcë “vjedhja dhe marrja me dhunë e artefakte shqiptare”. Vitet 1913-1919 -të janë të mbushura me akte grabitjesh së thesarit kombëtar të trashëgimisë tonë. Ishte kohë e vështirë dhe mbase historianografia socialiste e ka trajtuar në mënyrë bajate dhe jo të nderhme, por një pjesë e artefakteve u vodhën nga oficerë austriakë, por dhe italianë dhe një pjesë u mor nga studiues dhe kërkues të pikërisht kësaj natyre studimore dhe dorëzuan shumë prej tyre (për fat) në muzetët  botës,e  kryesisht Itali, Francë dhe shumë në Austri, por  dhe Londër.  Vazhdimi i grabitjes është dhe gjatë shtatë viteve të para të qeverisjeve mbas 1920-tës. Në atë kohë, mendohet se janë larguar nga ky vënd mbi 12.000 artefakte, dhe shumica e varreve të rëndësishëm të dyshuar dhe të vjetër, u kërkuan për të marrë dhe repertet. Po ashtu kapitele, orendi, pllaka me mbishkrime, dhe shumë e shumë të tjera si qeramikë, monedha dhe medalje të shumta. Mbas vitit 1927-të, janë dënuar për matrapaz, shkatërrues dhe vjedhës varresh dhe vëndesh historike, rreth 100 persona në Shqipëri.
Në kohë të Mbretërisë u ndal vrulli, por italianët bënë punën e tyre kudo si për mirë dhe për keq. Gjithsesi kontrolli sërish ishte i dobët për të kapur vandalët dhe matrapazët.  Mendohet se fill mbas vitit 1945-së, jugosllavët morën në Shkodër jo vetëm mall dhe varfëruan tregtarët, por dhe artefakte, piktura dhe kapitele, por dhe veshje të vjetra, armë dhe stoli, e shumë e shumë të tjera që kalojnë mbi 1000  njësi të tilla kudo që patën akses. Rusët ishin më të kujdeshëm, por dhe ato bënë “ punën e tyre në këtë drejtim” dhe ekspeditat e tyre dhe pse nganjëherë me shqiptarë, në shumë raste kërkimet bëheshin vetëm nga rusët dhe përfitimet po ashtu.
Mbas tyre arkeologjia u vendos në baza ruajtje dhe sidomos vitet 1960-të, janë rilevimi i madh hartografik dhe me fotografi të historinografisë dhe arkeologjisë tonë kombëtare. Në këtë kohë filloi vërtetë dhe krijimi i sit-eve tona, dhe tepër të elaburuara pastaj në kohë dhe filloi dhe prodhimi i arkeologëve dhe njerzve të lartë tonët në këtë drejtim dhe sidomos të trashëgimisë sonë kulturore.
Vitet 1990-të dhe më pas, janë fatkeqësia e madhe e jona në këtë drejtim. Nuk mbeti grykë pusi, pikturë dhe qilim, rafte të vjetër, kapitele të vogla dhe sende të vjetra pa shkuar në fillim në Greqi dhe pastaj dhe Itali. Nuk u trajtua aspak rëndësia e kësaj teme dhe unë nuk kam pse përsëris gjatë ato gjëra, që i kam shkruar disa dhjetra herë.
Problemin po e kthej edhe një herë te Muzeu i Bushatllinjve në kalanë e Shkodrës, si një veçori e madhe muzeale e jona e kohës, duke qënë se nuk kishte me sa di unë një të barabartë si tipizim, jo vetëm në qytetet e mëdha tonat, po as në Mal të Zi, dhe po ashtu në Janinë dhe Shkup. Ka qënë muzeu i armëve dhe historisë së dinastinë së madhe shkodrane, i mirë përgatitur dhe mushur plot me reperte. Ai është tashmë si trashëgimi kulturore në vëndin fqinj, dhe pikërisht me sa dihet dhe thuhet në Cetinjë, dhe vënde të tjetra të vëndit të vogël, pikërisht komshi me ne. Sot vazhdojnë matrapazët e artefakteve dhe reperteve që gjinden në tokën shqiptare. Në fakt, janë për tu dënuar, dhe sot bredhin lirshëm me terrakota dhe stoli apo dhe të tjera artefakte të rëndësishëm dhe është fat i madh kur takojnë ndonjë individ të mirë ditur, por dhe të kujdeshëm për trashëgiminë. Por në të shumtën e rasteve “malli” shkon te trafikanët dhe historia këtu mbyllet në dëm të trashëgimisë tonë. Kësaj katastrofe historike dhe në trashëgimi shumë shpejt i duhet dhënë fund. Tashmë pritshmëria është modeli i ri i mentalitetit në qeverisjen e re.