Koment-dossier
Besi Bekteshi
Nuk ka shumë ditë që violinisti, kompozitori, dhe
drejtuesi i orkestrës Mark Kaftalli, mbushi 80-të vjeç. Ju festua me një
koncert në teatrin “Migjeni” në Shkodër ky përvjetor, dhe Marku ishte aty
vërtetë më i plakur, por që në sytë e mi ishte vazhdimisht ai Mark Kaftalli
virtuoz, me violinë në dorë, duke drejtuar grupet orkestrale nga më të mirat që
trevat shqiptare kanë prodhuar. I veshur mirë dhe me shije në rini të tij,
gjithmonë ekzigjent dhe kërkues, virtuoz në lojën e tij në violinë ishte
padyshim një shkodran fund e krye i talentuar. Shumë të vjetër në moshë, por dhe
mbi 50-të vjeçarë si unë, e kujtojnë dhe në drejtim të shfaqeve muzikore në
teatrin “Migjeni”, por dhe në dikur “Turizmin e Vjetër” dhe “Kafen e Madhe”, me
muzikën e mrekullueshme të luajtur sëbashku me virtuozë të tjerë shkodranë. Po,
në dy nga skenat e lira popullore që sot nuk janë më në Shkodër, dhe këtë e
them me keqardhje të madhe. Përpara disa ditësh, lexova një shkrim të shkëlqyer
nga Ramazan Çeka si mik i Markut, dhe ish drejtor i shkollës “Prenk Jakova” në
Kosovë, e më erdhi shumë mirë, por gjithashtu shumë keq që nga vëndi i tij nuk
kishte lartësi të tilla kujtimore dhe të kërkimit qoftë dhe historik, për një
nga figurat më të mëdha të kompozimit dhe drejtimit artistik që është autori i 750
veprave si këngë qytetare popullore dhe të kultivuara por dhe lirike, operetave
dhe pjesë më të mëdha muzikore, fitues i shumë çmimeve dhe për mbi të gjithave krijues i perlave të
mëdha ndër të cilat kryevepra “Lule t’bukra sjell pranvera” por dhe në muzikën
e lehtë si “Lumturia nuk dhurohet”. Në vitin 2004-tër si Mark Kaftallin dhe Bik
Ndojën, i kam pasur në intervistë në një emision televiziv dhe kujtimet e atyre
viteve më përpara kur ishin gjithsesi më të rinj, mu kthyen qartas. E di shumë
mirë Markun si qejfli të motorçikletës dhe normalisht të veshjes me pantallona
të hapura si ngjyrë ose kustum po ashtu të hapur. Duke njohur si djalin e tij
Antonin dhe të bijën Verën, të dy artista dhe pedagogë në violinë dhe piano,
duke njohur dhe dhëndrin Zef Çuni,
dijenitë bëhen akoma më të mëdha. Në fakt, si Marku dhe Kola i vëllai në
teatër, janë përfaqësimi dikur i familjes së talentuar në skenat e mëdha. Anton
Kaftalli, sot ka një grup muzikantësh të talentuar dhe që si shoqëri kanë emrin
e Markut, por edhe në intervistë me Antonin përpara disa kohësh, figura e madhe
e babait normalisht ka lënë shenjë në ecurinë në jetë, të fëmijëve të tij të
mirë dhe me trashëgimi të talentit. Kaftalli kalon sëtepërmi kufinjtë e
Shkodrës në krijimtarinë e tij. Miqtë e
quajnë “Paganini shqiptar” dhe unë jam dakort, por ai është trashëgimia më e
lartë muzikore tradicionale qytetare shkodrane. Mark Kaftalli është ai, që ka mbajtur
gjallë dhe zhvilluar më shumë se askush muzikën e mirë kultivuar lirike
shkodrane. Tingujt e kësaj muzike dhe notat janë absolutisht të personifikuara
dhe të qarta si shkodrane. Nuk ka më “improntë” apo shenjë e qartë personale,
se sa muzika e Kaftallit për qytetin e madh kulturor, por dhe lavdinë e tij në
gjysmën e dytë të shekullit 20-të. Akoma nuk e kanë nderuar me atë që meriton
Kaftallin!? Nuk e di se çfarë mund të bënte një njeri më shumë se sa këto që po
përmënd më poshtë por...!?. Pikërisht atë burrin tashmë tetëdhjetë vjeçar, me
shikimin e ngulitur në një pikë në drejtim të skenës së teatrit, ku i biri dhe
orkestra, por dhe këngëtarë dhe instrumentistët po performonin, unë po e
kuptoja. Ishte jeta e tij e gjatë dhe e mbushur me ngjarje dhe vepraë që po i
kalonte në një farë mënyre në pak minuta, por që nuk mund të shprehte aspak të gjithën.
Kur Bujari dhe Enriketa po këndonin “oh sa andra sa kujtime, ka prej teje zemra
ime” unë po shtangesha në bukurinë e jashtëzakonshme të melodisë Kaftalliane,
kurse autori tashmë tetëdhjetëvjeçar shikonte skenën ku për dekada të gjata kishte
luajtur. Mark Kaftalli është drejtues i orkestrës së Estradës Profesioniste për
tre dekada që me krijimin e saj në vitin 1958-të. Është kompozitori i më shumë
se 750-të këngëve të muzikës së lehtë, asaj popullore qytetare dhe këngës për
fëmijë. Mësues violine në shkollën “Prenk Jakova” në fillimet e saj. Kompozitor
i muzikës skenike me “Bubaçat”, “Dritë kudo Dritë”, “Ditë të gëzuara” të treja
opereta. Pastaj ai ka bërë dhe “Çështje familjare” si komedi muzikore dhe po
ashtu dhe “Dasma jonë”. Normalisht ka shkruar dhe veprat opereta për fëmijë si “Rozafa” dhe “Shtatë
Kotelet” të gjithë këto vepra nga viti 1964 deri në vitin 1980-të. Mark
Kaftalli ka qëndruar 32 vite si drejtues i formacionit të “Kafes së Madhe”, por
e përsëris të një humbje kulturore kjo e fundit në Shkodër për turp të madh, të
trashëgimisë nga të gjitha anët po ta shikosh. Ai është që bëri me nota, pjesën
më të madhe të këngëve të ahengut shkodran, por dhe këngët lirike shkodrane. Do
të ishin humbur si riprodhim vetëm “gojë me gojë” të tilla perla dhe Marku i ka
përjetësuar. Ai është pjesmarrës në
festivale të ndryshëm dhe disa herë fitues në festivalin e muzikës së lehtë të Tiranës. Është shkodrane
e gjitha te “Lumturia nuk dhurohet” e kënduar nga Tonin Tërshana. Mark Kaftalli është dekoruar me medaljen
“Naim Frashëri” të klasi të dytë dhe të parë. Nga Bashkia e Shkodrës, është nderuar
në vitin 2005-së me titullin “Mirënjohja e Qytetit” dhe po ashtu në vitin
2012-të me “Diplomën e Pavarësisë”. Padyshim dhe sot, ai vazhdon të punojë dhe
është një person tepër i interesuar për muzikën. Kaftalli në fillimet e tij ka
punuar me Zef Alimëhillin dhe padyshim një nxitje e madhe për të ka qënë
Ansambli i Ushtrisë në Tiranë me mjeshtrin Nikolla Zoraqi, i cili e
perfeksionoi si violinist. Por nga viti 1955 dhe deri në vitin 1969-të, ka qënë
mjeshtri tjetër i madh Prenk Jakova si njeriu i artit të madh shumë pranë
Kaftallit. Ka shkuar me ansamblet kudo në botë, por dy njerzit e këngës
qytetare popullore shkodrane janë edhe individët më pranë tij artistikisht, dhe
këto janë mjeshtrat Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi. Në fakt, disku i fundit i
Kaftallit, është një mrekulli intepretative e mbledhur nga Anton Kaftalli, që
të bën të nderosh me përkulje të madhe si Mark Kaftallin, por dhe Bikun e
Shyqin. Të tre bashkë, bëjnë të pa përsëritshmen në Shkodër, si për nga
talenti, nga miqësia, nga qytetaria, dhe nga virtuoziteti me të cilën kanë
punuar dhe jetuar. Nuk mund të ketë “mosketier më të lartë në muzikën
shqiptare” të cilët të kanë jetuar kaq gjatë pranë njeri tjetrit.
Lëvizjet trupore dhe drejtuese të Markut në violinën e
jashtëzakonshme, por dhe interpretimet e jares madhështore të Bikut, përbëjnë
një duet kaq të madh, sa është shumë e vështirë të përsëritet me po atë forcë
dhe talent si dikur. Po ashtu dhe modeli i këngës popullore qytetare shkodrane
e kënduar nga Shyqi dhe gjithmonë shoqëruar në violinë nga Marku, nuk mund të
cilësohen më si në rritje për nga forca e intepretimit dhe besnikërisë muzikore
të këngës shkodrane. Ato janë një lartësi që nuk mund të arrihet. Kaftalli, ka
pasur shumë bashkëpunëtore dhe unë nuk mund ti përmënd do të gjithë, por janë
vërtetë shumë, dhe krejtësisht të talentuar.
Markun sot e pëshëndesin kudo. Është emblemë e artit të
madh shkodran, është një nga violinistët më të mirë, dhe kompozitorët më të ëmbël
të muzikës qytetare dhe sidomos asaj që unë preferoj ta quaj lirike. Ai është
trashëgimia më e mirë e muzikës dhe këngës qytetare shkodrane. Është
trashëgimia më e mirë e gjysmës së dytë të shekullit njezet, dhe sot mbase me
të birin Anton Kaftalli dhe drejtues të tjerë si Ilir Zogaj e Roland Guli,
qyteti do të vazhdojë në këtë trashëgimi. Mark Kaftalli, është në këtë
tetëdhjetë vjetor, njeriu i madh i muzikës dhe i nderuar nga publiku i gjërë jo
vetëm i qytetit të Shkodrës. Ai është tepër i dashur dhe në Shqipëri, sepse ka
ndërtuar figurën e madhe të muzikës shkodrane, por dhe në Kosovë e kudo, që ka
shqiptarë. Ai është një nga figurat më të mëdha të muzikës së kultivuar
popullore shqiptare. Kur dëgjohet një këngë shkodrane e kultivuar dhe mirë
interpetuar, është vështirë që mbas saj të mos jetë Mark Kaftalli në mos si
kompozitor, si krijues notash dhe orkestrues, por dhe drejtues muzikor në kohët
moderne. Nuk mundesha mos me e mbyll shkrimin me vargje kënge të mjeshtrit
Kaftalli dhe normalisht me një këngë ku si muzika dhe teksti janë të tij. Ajo
titullohet “Bashkë me ty” dhe i kushtohet “dashnisë” por fillon me dedikimin
ndaj këngës kështu: Këng’ o kënga ime. N’tinguj t’ri do t’fluturoj, sot me ty.
Për jetën, dashurinë.....Un do k’ndoj!! Gjithmonë pikërisht ky është dhe
vazhdon të jetë Mark Kaftalli.
Nessun commento:
Posta un commento