Gjeneral, Sir Jocelyn Percy, ose memoria perëndimore që na mungon.
Kush ishin njerzit që ndihmuan në vensosjen e autoritetit të ligjit dhe rendit, në vitet 30-të.
Britanikët, si formuesit e gjendarmëve të Mbretit Zog.
dossier
Besi Bekteshi
Nga shumë histori, por edhe respekte të krijuar në momentin “dikur”, është shumë e dukshme raporti i gjendarmëve të Mbretërisë sidomos mbas viteve 1928. Ka një rol të dukshëm dhe të qartë instruktimi dhe strategjia e atëhershme mbi vendosjen e rendit dhe kontrollin e teritorit në një vënd, ku shteti sa po formohej në tërësinë e tij. Ishte kohë fillestare formimi shtetëror, shoqëror, prapambetje tepër e madhe, por rendi dhe siatuata e tij, është vendosur në mënyrë shumë të qartë dhe të shpejtë. Po cila rrugë dhe cilët faktor ishin ato që bënte që si teritori dhe njeriu shqiptar të kontrolloheshin dhe ishin pjesë e trysnisë relative të ligjit, dhe respektit të imponuar, ndaj pikërisht ligjit? Kush ishin idetë dhe njerzit e asaj kohe, të sa po dalë nga rrënoja e perandorisë së madhe, por që kishte lënë mbi 3 dekada plotësisht anarki dhe mungesë rendi dhe autoriteti të ligjit?
Kontrolli i teritorit dhe rendi i imponuar nga ligji, është një diçka e madhe në shoqërinë tonë dhe Shqipërinë e mijëvjeçarit të ri. Ne, kemi dy momente të kontrollit të teritorit, i pari është ai i Mbretërisë së Ahmet Zogut, dhe i dyti...diktatura e Enver Hoxhës. I treti me vështirësi po kryehet sot. Për këtë të dytën, nuk kemi se çfarë të marrim si shëmbull, sepse kur vret që në fillim armiqtë dhe miqtë, nuk është e vështirë të vendosësh ...rendin!! Por ama, për xhandarmarinë - gjendarmët e Zogut, kemi pse të themi dhe të kthehemi pas në vitet 30-të. Po, edhe pse kanë kaluar 80-të vite, kemi pse kthehemi pas.
Pse duhet të kthehemi?
Jo për të mohuar se çfarë është bërë këto 20-të vite, por për të pohuar, se ajo që është bërë në vitet 30-të, është shumë më strategjike, më konkrete, më perendimore, më e pagueshme, në sistematike, më me grada, më me uniforma, më në kontroll të teritorit dhe patjetër pse jo....edhe demokratike se në të gjitha kohët e shtetit shqiptar.
Më duhet të them, se një njeri inteligjent dhe praktik si Ahmet Zogu, rendin, kontrollin mbi teritorin, dhe instruktimin dhe formimin e xhandarmërisë, ja kishte besuar britanikëve, dhe pikërisht Gjeneral Jocelyn Percy-it.
Si ka mundësi që një shtet ku më tepër kishte kusarë, banditë, mungesë kontrolli të përgjithshëm, raport tepër të keq me rendin .... ta bënin zap dhe me ligje në një kohë të shkurtër!??
Si ka mundësi, një vënd ku kishte herë pas herë sulme, kryegritje, të ashtuquajtur revolucione, ta mbanin në kontroll!?
Si ka mundësi, që të çarmatosej një vënd, ku arma ishte një diçka që përhapej shumë më tepër se sa luga dhe piruni!?
Si ka mundësi një vënd analfabet, dhe jashtë konceptit shtet, ta bënin në fund të fundit me rend dhe disiplinë ushtarake, në konceptin e xhandarmërisë!?
Në fakt, po merrnin ( gjendarmët) eksperiencën e njerzve të dalë nga shkolla e shtetit më të madh kolonialist, dhe fuqi të madhe botërore, që kishte si parim deri në ato vite të “mbante në kontroll” teritore dhe sasi impresionante njerzish me shumë pak forca dhe njerëz të betuar dhe të instruktuar, por dhe ...paguar mirë.
Pra kush ishin njerzit që në saj të Ahmet Zogut, vendosën parimet e xhandarmërisë shqiptare?
Ka shumë autorë që e kanë trajtuar këtë temë. Bie fjala gazetari Bernard Newman shkruan se: Gjeneral Majori Jocelyn Percy është bërë legjendë në Shqipëri. Për herë të parë Shqipëria po merr vesh që shërbimi i ligjit, duhet të jetë i drejtë dhe korrekt.
Zogu ka pasur si këshilltar kolonelin W. F. Stirling edhe në kohën kur ka qënë Ministër i Brëndëshëm që nga 1923-shi dhe si ministër, Zogu ishte mahnitur nga puna e Sterlingut, për kontrollin e teritorit dhe rendit në Indi. Këtu ka filluar edhe momenti me britanikët. Stirling ndau Shqipërinë në katër zona, dhe rekrutoi shumë individë të vleftshëm për inspektoriatin e tij të xhandarmërisë. Çdo ndarje zonale e Shqipërisë, kishte dy inspektorë britanikë dhe brënda vitit vëndi ishte shumë më i qetë.
Në fund të vitit 1923,forcat e xhandarmërisë shqiptare, të riorganizuara, të kompletuara dhe të stërvitura me kujdes të vazhdueshëm, konsideroheshin një numër jo i vogël i forcave të armatosura kombëtare.Më saktësisht, në këtë vit numëroheshin 3133 xhandarë “prej të cilëve 146 oficerë,2588 nënoficerë dhe 91 xhandarë kalorës të lëvizshëm”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 152/5, dosja 490 , fleta 11 ).
Në vitin 1926-të Stirling i ka propozuar Zogut, që nuk ishte akoma Mbret, një person të devotshëm dhe “full time” në punën e drejtimit të xhandarmërisë. Ky ishte Sir Jocelyn Percy, një gjeneral shumë të zot dhe eksperiencë brilante, kurse vetë ndenji si këshilltar i Zogut.
Stirling u kthye në Britani në vitin 1931. Ai ka shkruar një autobiografi (Safety Firsty) dhe e botoi në vitin 1953, ku shkruan: Nga të gjithë statistët e lindjes së mesme (britanikët na konsideronin kulturalisht pikërisht kështu) dhe kam takuar pjesën më të madhe të tyre...unë konsideroj Mbretin Zog.... në distancë të madhe, më brilantin, dhe më të qartin. Në fakt, ishte shumë e qartë dhe tendenca për të bërë rend, dhe forcë ushtarake pikërisht për rendin.
Kurse Percy, u emërua nga Zogu, Inspektor i Përgjithshëm dhe Shef i Departamentit të Gjendarmëve të Oborrit Mbretëror. Në një foto të sit-ve britanike, por që ndodhet edhe në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, është pikërisht Gjeneralit Percy, me kolonelë shqiptarë si Shefti Shatku dhe britanikë në Shqipëri si një shëmbull i uniformës, dhe organizmit gjendarm së asaj kohe në Mbretërinë e Zogut. Ai, Percy, ka rekruar pastaj kolonelët Oakley-Hill, Dodgson, Bredin, Cripps etj. Oakley-Hill ka mbetur në shërbim të Zogut deri në vitin 1938-të, kur Duçja dhe italianët kanë bërë presionin e madh Zogut, për të nxjerrë jashtë britanikët. Percy mësoi pak fjalë shqip, por koloneli Oakley-Hill, fliste rrjedhshëm shqipen. Koloneli i besuar i Percy-it dhe Zogut, edhe mbas luftës, mbeti kryetar i “Anglo-Albanian Association”. Kujtimet e tij shqiptare, ai i nxorri si publikim në “An Englishman in Albania Memoirs of a British Officer 1929-1955” nga “Centre for Albanian Studies” në 2002. Nuk e di në se dikush ju është referuar, për të kuptuar në fund të fundit, si perceptohej situata, dhe si është vendosur rendi dhe kontrolli mbi teritorin në Shqipëri, dhe kush kanë qënë raportet në atë kohë!!?
Por akoma më shumë mësohet edhe nga disa shkrime të Ray Marshall për gjeneralin Percy që kishte idetë brilante të krijimit të gjendarmëve shqiptarë. Ai thotë në formë pyetje se “ishte një ushtar i bindur, apo një diktator”, ai që ka bërë një vënd sovran një tokë, që ishte një teritor banditësh dhe gangsterësh”? Dhe përgjigjet: Ai kishte një mbiemër të njohur dhe ishte një prej Percy-sh, por mbrojtësi i tij ishte Mbreti Zog.
Pastaj tregon se ishte i gjatë afro 1.90-të dhe ishte në vitin 1930-të rreth 65-së vjeç, i mësuar me një jetë aventuroze si veteran luftërash afrikane dhe indiane, por dhe në luftën e parë botërore.
Ky person që Zogu e çmoi për ti bërë gjendarmët dhe rendin, është dekoruar për shërbime të mëdha nga Franca si kavalier të “Legion d'Honneur”, Japonia, Rusia, Belgjika dhe vetë Britania, por aventura më e madhe e tij ishte kur Mbreti Zog, e rekomandoi për të sjellë qytetërim dhe shpëtuar nga banditët, udhëheqës çetash, politikanë rivalë dhe fuqi të huaja, ndër të cilat Italia e Musolinit, e cila më në fund pushtoi vëndin.
Percy, arriti të ngrinte një forcë prej më shumë se 3000 njerzish me kurrajo të madhe, duke ju afruar kondita të mira dhe për më tepër, një pagë shumë të mirë për të fituar luftën kundër krimit, dhe anti ligjit. Po në dokumenta unë kam edhe pagat e gjendarmëve dhe nuk mund të krahasohen me mesataren 40.000 lekë të policëve sot dhe rrogën 6000 lekë të policëve të Enverit, sepse po ti kthesh me kursin, një toger merrte mbi 210.000 lekë të reja të sotme!! Nejse, kam frikë se edhe ta aplikosh menjëherë këtë pagë....nuk zgjidh gjë sot.
Ka dhe të thëna të tjera dhe njëra prej tyre është: “Arma e gjindarmërisë filloi të riorganizohej dhe të vëhet në rrugën e vet të vërtetë, si fuqi e sigurimit publik, e disiplinuar dhe në shërbim t’urdhnavet të administratës. Pastrohen radhët e saj prej elementeve kompromentonjës, tue u zavendësue gradualisht me të tjerë, të provuem për aftësi dhe edukatë ushtarake, të kryeme në shkollat e shteteve të Oksidentit.Me bashkëpunim organizues,të nji grupi të vogël oficerësh të huej, gjindarmërija jonë, konkretizoj veprimin e kësaj arme, në tanësinë e viseve të Mbretërisë Shqiptare”.( T. Selenica “Shqipëria më 1937 “ Tiranë më 1938, faqe 266 ) Normalisht që britanikët dhe Percy, kishin vendosur bazat e një force të tillë gjendarmësh që ishte një polici ushtarake e zonja, në kushtet e formimit të shtetit shqiptar.
Por Marshall sërish thotë për Percy-in se ai në saj të mbështetjes së madhe të Mbretit Zog, ka arritur edhe formimin e një të ashtuquajture “Manga Charta” në aspektin social, dhe në këtë kohë ju dha për herë të parë edhe e drejta e grave, por edhe shumë devizave të tjera perendimore në Shqipëri.
Po ashtu është Robert Elsie, tregon shumë e shumë për Shqipërinë e kësaj kohe dhe për Percy-in dhe kolonelin Oakley-Hill. Biles për të dytin, autori thotë se nga Percy ka qënë emëruar në Elbasan, si një nga komandat e gjendarmëve ku mësoi edhe shqipen dhe udhëtoi shumë për të njohur si mentalitetin dhe problematikën.
Të tillë ushtarakë të cilët kanë biseduar dhe takuar shpesh herë Mbretin Zog, kanë kuptuar jo vetëm situatën, por edhe kanë ndërtuar strategjinë e vendosjes së rendit dhe kontrollin mbi teritorin. E kujtimet e autorit janë për takimin e parë me Zogun, dhe shefin e protokollit si oficer i parë i tij Hysen Selmani, dhe njohja e tyre me autoritetin e Zogut, por edhe njohjen nga ai të Shqipërisë. Janë oficerët britanikë që e kanë njohur sovranin si një “optimist të konfirmuar” të qetë dhe xhentil, por që njihte mirë vëndin e tij me “pronësinë e krerëve indipendentë, rrymat transversale të politikës lokale” dhe dijenitë për mënyrat se si duhet të bëhet xhandarmaria një forcë kontrolli rendi, por me shpejtësi.
Gjithsesi gjendarmët e asaj kohe kishin në mesin e tyre njerëz si: Mustafa Aranitasi,Tajar Tetova, Ali Fehmi Kosturi, Meleq Frashëri,Muharrem Bajraktari,Fiqri Dine, Aqif Përmeti, Banush Hamiti, Hysni Dema, Adem Boletini etj etj
Nga vitet 30-38, në Shqipëri, u garantua rendi dhe u ruajt kufiri në mënyrë të qartë. U burgosën mbi 1000 kriminelë dhe brigantë në tre vitet e para të Mbretërisë, por edhe hajdutë dhe vrasës për gjak apo edhe për arsye të tjera, me një shpejtësi dhe durim të jashtëzakonshëm. Asnjë pëllëmbë tokë e Shqipërisë nuk ka qënë vënd pa “zot” ose me zotër jashtë ligjit, sepse gjendarmët të arrinin shumë shpejt dhe nganjëherë nuk të vinin prangat, por lidhnin me spango kriminelët apo të kërkuarit...dhe ato nuk guxonin të këpusnin atë. Kjo nuk është “ një përrallë” por një e vërtetë e madhe, e shërbimit të gjendarmëve të Zogut, dhe drejtimit të tyre nga britanikët. Lidhja e tyre e menjëhershme në të gjithë Shqipërinë, kontrolli mbi teritorin e bëri vëndin më të prapambetur në Europë, të kishte një qetësi të madhe, dhe një pushtet si qëndror dhe lokal të funksionueshëm, për të lejuar pastaj edhe ekonominë dhe arsimin dhe kulturën, të zhvilloheshin dhe popullin të respektonte ligjin.
Ishte një eksperiencë e mirë dhe e qartë perendimore. Nuk është se sot nuk e kemi, por ajo e atëhershmja si memorie, sëpaku mua, më duket se na mungon.
Nessun commento:
Posta un commento