Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 13 gennaio 2012

Urdher i vitit 1937....Merrni zonjat dhe femijet, ne ndeshjen Vllaznia-Pogradeci

Imponimi i qytetërimit, edhe përmes tifozerisë së futbollit, në vitin 1937.


 Dossier

Besi Bekteshi

Trashëgimia tepër e pakët e kulturës sportive, por dhe mungesa e madhe e shoqërizmit në publik, e sjelljes në përgjithësi, ka qënë  edhe problemi i madh i kohës së monarkisë shqiptare. Në kohën e sotme, në leximin në qetësi të fakteve dhe rrethanave, mund të kuptohet më qartë dhe në mënyrë konkrete, edhe shumë hapat apo veprimet, që në dukje ishin detyrues apo shtrëngues në drejtim të qytetërimit.
Shkodra në vitet 30-të, ishte pa dyshim vëndi më sportiv dhe me shoqëri të shumta të tilla dhe nuk ishte vetëm futbolli. Në Shkodër, kishte shoqëri të shumta dhe grupe çiklizmi, alpinizmi, atlektike, megjithëse në forma rudimentare, por ishin. Pa përmëndur pastaj bandat e shumta dhe shoqëritë kulturore. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Në arkivin e Muzeut të Shkodrës, kam disa dokumenta, të cilët bëjnë fjalë në këto vite për të bërë civilizimin e shoqërisë, arsyet pse duhej bërë disi me imponim, dhe si duhej bërë. Normalisht që në fushat e futbollit mblidheshin tifozë, dhe Shkodra kishte disa, por aty shkonin ekskluzivikisht vetëm burra. Sporti ishte një domen mashkullor, dhe gjinia tjetër, as që bëhej fjalë të ishte prezent. Ka disa relacione të Prefektit dhe Kryetarit të Bashkisë që e trajtojnë këtë teme. Pastaj ka relacione të shumtë, për të krijuar premisa mbi përfshirjen e familjes në shfaqe të mëdha popullore, dhe më e madhja shfaqe në fakt...ishte futbolli. Duhej ecur drejt ngritjes të familjes, respektit për të, çiftit, dhe konceptit liberal të pjesmarrjes së femrës, gruas dhe vajzës, në aktivitetet e shumta që bëheshin, por që ishin siç e thashë më sipër, një diçka....mashkullore. Normalisht, edhe biçikleta edhe pse kishte tendenca të forta përdorimi nga femrat...ishte diçka mashkullore.  Nga autoritetet lokale, por edhe nga Ministria e Arsimit, Ministria e Brëndëshme dhe sidomos në pikpamjet e shtetit shqiptar, duhej shfrytëzuar sporti si mjedis kolektiv, tepër social, për të bërë të mundur çlirimin e shoqërisë nga maskilizmi dhe rundimenti i mos paraqitjes së familjes në publik dhe shfaqe.
Një nga dokumentet që vërteton më së miri, imponim, por edhe qytetërim, është një  “urdhër qarkore” me numër 79/29 i datës 24/5/1937 i Prefektit të Shkodrës, drejtuar Kryesisë së Bashkisë, Prokurorisë së Shtetit, Drejtorisë së Financës, Drejtorisë së Gjimnazit të Shtetit, Drejtorisë së Spitalit të Shtetit, Odës së Tregtisë, Inspektoriatit të Arsimit, Drejtorisë së Doganave. PTT-së. Dukej madhësia e interesit dhe vëmëndjes që ky urdhër kishte, sepse duhej të angazhoheshin të gjitha hallkat e shtetit dhe pushtetit lokal. Prefekti Hurshiti bënte me dije se kishte një urdhër të Ministrisë së Brëndëshme, që të lajmërohen të gjithë nëpunësit e martuar që.... me që luhej ndeshja midis Vllaznisë dhe Pogradecit të merrnin edhe zonjat (nuk thuhej gratë) dhe fëmijët, për të parë ndeshjen në fushë të topit...!! Por, ama kishin vëndin e posaçëm të tyre të siguruar nga sporti, dhe askush nga të urdhëruarit nuk do të paguante lek. Kërkohej edhe lista e nëpunësve të martuar dhe thuhej se po të mos merrej pjesë....do të kishte edhe pasoja. Ky urdhër i shkonte të gjitha drejtorive, dhe burrat e martuar, duhej të merrnin zonjat si detyrim dhe fëmijët po të donin, dhe të shikonin ndeshjen me Pogradecin.  
Nejse....në urdhër, ka dy probleme, dhe i pari është modeli për të ndarë shoqërinë tonë përfundimisht nga deprimenca dhe retroja e kaluar, si dhe trashëgimia normalisht lindore e trashëguar. Problemi tjetër është se bëhej me një farë imponimi, kjo gjë. Por ama ndeshja u pa nga familje të shumta, që dolën si në piknik në fushë të topit. Tendenca që edhe nëpërmjet tifozerisë të zbusnin shoqërinë shqiptare ishte evidente. Normalisht që një imponim ishte një urdhër.....por qëllimi, patjetër ishte një model përparimtar, civil, dhe pse jo kombëtar, duke pasur parasysh zhvillimin dhe ecjen drejt perëndimit. Ishte një kohë kur administrata duhej riformatuar sipas modelit europian, veshur sipas modelit të tillë dhe patjetër edhe një ndeshje futbolli ku ishte e pranishme familja, bënte një diferencë të madhe në drejtim të shoqërizimit dhe qytetares në Shkodër dhe Shqipëri.

Të vjen keq kur shikon sot në fakt, një fushë futbolli dhe “civilizimin” që tregon, por ky është një moment tjetër dhe kohë tjetër, që nuk ka lidhje me kohën në të cilën duhej të imponohej respekti për familjen dhe për sportin.
Në disa dokumenta të tjera, vihet re shumë qartë se mënyrat e prezantimit, të veshjes dhe të komunikimit zyrtar kishin si detyrim të imponoheshin, por qëllimi ishte civilizimi dhe bashkimi me Europën edhe pa bërtitur dhe uluritur si sot ..... integrim....integrim!!  E më e bukura ishte se goditej aty ku kishte më shumë rezistencë, aty ku mund të mendohej se kishte më shumë problem. Ishte në të vërtetë guximi i një mentaliteti i cili i kundërvihej me forcën e arsyes dhe ligjit.....mentalitetit retro të shumicës së shqiptarëve dhe ky guxim në fillim kërkonte kthimin nga realiteti europian të administratës.  Fatkeqësisht një lloj imponimi në qytetërim i monarkisë vazhdoi më vonë me dhunën e diktaturës e cila sëpaku në sport u tregua disi më pak brutale, por që arriti të shoqërizojë disi situatën. Por ama askush nuk urdhëronte “merrni zonjat dhe fëmijët”, por urdhëronte “të gjithë”...... dhe ......fjalia vazhdonte me mësimet e partisë dhe Enverit.

 Besi Bekteshi pergjegjes Arkivi Muzeut Shkoder

Nessun commento:

Posta un commento