Një qëndër që kërkon respekt edhe për të
huajt!
Opinion
Besi Bekteshi
Deri sa të vijmë në kohët kur shtatoret tona
të jenë me njerzit kryesisht të artit dhe të sportit, besoj se do të kalojnë
akoma shumë kohë, por deri atëhere....!!?
Deri në atë kohë të pritshme, por që me sa
duket do shumë vite për të ardhur, kemi akoma disa raporte me shtatoret e
luftës pa vendosur në vëndin e tyre. Normalisht nuk kam asnjë lloj replike me
ato partizanë dhe pjesmarrës të luftës, që në atë kohë i është thënë nacional-çlirimtare,
por besoj se shumë kush e kupton se vlerësimi i figurave dhe akteve në
historinë tonë ka qënë i njëanshëm.
Një nga momentet akoma të pa respektuar në
historinë e Shqipërisë, është edhe maji i vitit të jashtëzakonshëm 1913. Është më se e vërtetë që burrat shqiptarë
arritën që me 28 nëntor të 1912-tës, të shpallin pavarësinë, por qeveria e
Vlorës ishte në vështirësitë e mëdha në shtet formimin e kërkuar, dhe ëndërruar
nga shqiptarët. Jo vetëm që teritore shqiptare kishin mbetur dhe ishin jashtë kontrollit,
por rrezikohej edhe pjesa e vetme e ish katër vilajeteve të dikurshëm, të
kalonte në sundimin malazez në saj edhe të shtysave sërbe dhe akoma më në
periferi ato ruse. Ishte qyteti më i madh i trojeve shqiptare në vitin 1913-të,
që jo vetëm ishte rrethuar dhe lënduar ashpër nga malazezët, ishte martirizuar
dhe rezistenca është e pashoqe, por po rrezikohej të dilte përfundimisht
Shkodra si teritor shqiptar zyrtarisht dhe forcërisht. Në fakt ishte një situatë absurde edhe në
marrëdhëniet me perandorinë turke, ose sundimin ushtarak dhe disi më pak civil
të Turqisë tashmë në Shkodër. Një administratë që “lejonte.....por dhe mbronte ushtarakisht” nga malazezët. E historianografia jonë është marrë më tepër
me Esad Pashën, Princ Danillo, Hasan Riza Pashën, Krajl Nikollën, me flamujt që
uleshin dhe ngriheshin dhe patjetër kanë dalë në plan të dytë si sakrificat e
popullsisë së martirizuar dhe çlirimit të Shkodrës nga forcat ndërkombëtare.
Biles duke e ngatërruar shumë momentin e vitit 1913 me luftën e parë botërore
edhe ndërhyrjen e pesë fuqive të mëdha, historianografia dikur, por edhe tani e
konsideron.....pushtim! Në fakt Shqipëria po njihej nëpërmjet Shkodrës në
botë. Kancelaritë e Europës dhe kryesisht në
Britaninë e Madhe, Austro-Hungari, Itali, Francë, Gjermani, Rusi, por patjetër
edhe Mali i Zi dhe miqtë e tyre serbë, ishin në trysni, lëvizje, dhe
delagacione. Kurse Shkodra ishte vetëm një qytet nën sulm. Ai tashmë ishte
qyteti ku seriozisht mund të fillonte lufta e parë botërore. Interesat e fuqive
të mëdha ishin të ndryshme dhe patjetër ndërhyrja e malazezëve dhe rrethimi i
Shkodrës ishin në plan të parë politik dhe gjeostrategjik. Nejse, për të mos
bërë sërish histori, duhet thënë se me shumë përpjekje, u mor vendimi për të
ndërhyrë me forca ushtarake në Shkodër. Ishte eksperimenti i parë ndërkombëtar
serioz në vitet e para të shekullit, që kërkonte të shuante luftën e mundëshme
midis fuqive të mëdha. Flota detare bëri
bllokadën në adriatik dhe afër Tivarit, dhe më në fund, me anën e disa anijeve
lumore në Shkodër hynë trupat e para të marinsave britanikë, austriake,
gjermanë, italianë dhe francezë...zbarkuan në pontilin e Shkodrës. Po në këtë gazetë, kam botuar edhe kush ishin
trupat, sa ishin, si erdhën, me çfarë erdhën, kush i komandonte dhe çfarë bënë
menjëherë kur “pushtuan” ose më qartë çliruan Shkodrën në maj të vitit
1913. Në qershor erdhën pastaj edhe
trupat tokësore dhe nga “admiraliati”, komanda i kaloi forcave tokësore të kolonelit
Philps. Dakort, por në fillim administrmin e largimit të malazezve me ultimatum
dhe biles marrjen në dorëzim të qytetit nga një oficer i lartë turk, e ka bërë
sir Cecil Burney, ose admirali britanik që komandonte forcat e marinës që liruan
qytetin e Shkodrës. U ngritën pesë flamujt e fuqive paqeruajtëse në Rozafat, dhe përfundimisht Shkodra
përfundoi jo vetëm së qëni e pushtuar nga malazezët, por edhe nga administrimi
turk. E kjo nuk është respektuar aspak, dhe sot është koha për ta vendosur në
vënd ndërhyrjen paqeruajtëse të forcave të komanduara nga Admirali britanik sir
Cecil Burney. Ky admiral pastaj ka takuar edhe qytetarët shkodranë, politikanë
dhe njerëz të fuqishëm, por njëkohësisht edhe malësorë, dhe prijsa të malësive
të Shkodrës. Në fakt Shkodra u nda në
pesë rajone administrimi, dhe britanikët morën qëndrën dhe ky rast u shfrytëzu më
vonë edhe për Berlinin. Ndërhyrja e paqeruajtëve në 1913-të në Shkodër, mbylli
përkohësisht luftën, por në fakt i ngjan edhe ndërhyrjes së forcave të NATO-s
në Kosovë. Normalisht janë fotot dhe
dokumenta, apo edhe shkrime nga autorë
të lartë që flasin për këtë moment delikat, kur rrezikohej që Shkodra si qyteti
më i madh dhe një popullsi prej 200.000 banorësh me rrethinat e saj...të dilnin
përfundimisht nga trungu i Shqipërisë. Këto forca, dhe shpirti i madh i rezistencës
shkodrane, nuk e lejuan këtë gjë. Për
këtë sir Cecil Burney dhe momenti, e meritojnë një shtatore, një pllakatë të
madhe, ose në qëndër të Shkodrës ku më vonë kanë ardhur trupat ndërkombëtare,
ose në pontilin e Shkodrës, për këtë 100 vjetor të pavarësisë. Po, dhe të
shkruhen edhe emrat e oficerëve të lartë që e çliruan, dhe jo e pushtuan
Shkodrën. E çliruan qytetin më të madh dhe historiko-kulturor të Shqipërisë,
për të mos qënë pjesë e Malit të Zi, në
të cilin sigurisht nuk do të kishte qëndruar gjatë, sepse lufta nuk do të
kishte pushuar kurrë deri në fitore të shkodranëve.
Pastaj
është edhe respekti për guvernatorin e parë internacional të forcave çliruese
të Shkodrës, që është koloneli dhe më vonë Gjernerali Philips,...edhe ky
britanik, dhe njeriu që e ka njohur mirë Shkodrën edhe në vitin 1913 dhe në
1918-të. Ai krijoi xhandërmarinë dhe gjykatat, apo edhe administratën në
Shkodrën e masakruar. Në guvernatoriatin e tij u hapën shkollat dhe u vendos
qetësia. Ai ishte që bënte 7-të orë biseda me shkodranë dhe malësorë, për të
mësuar edhe idetë më të vogla, dhe për të parandaluar kriza dhe mosmarrëveshje.
Ai që në atë kohë një nga hallet e tij të fortë kishte gjakmarrjen, dhe për
këtë është edhe një libër i autores Agnes, që ka jetuar pak kohë në Shkodër. Philips ishte edhe ky, një burrë që stabilizoi
gjëndjen në Shkodër, dhe normalisht është modeli i parë i qeverisjes ndërkombëtare
dhe patjetër në respekt të paqes. Normalisht që lufta botërore do të prishte
edhe këtë qetësi, por guvernatori britanik i Shkodrës në fakt, ka lënë një
përshtypje shumë të mirë në Shkodër dhe sëbashku me miss Durham, admiral Burney
dhe shumë oficerë britanikë të tjerë, kanë siguruar në Shkodër shumë respekt
dhe ky respekt është edhe në dokumenta të ndryshëm. Guvernatoriati i vitit 1913, është administrimi
ndërkombëtar i Shkodrës me qëllim vendosjen e paqes në favor të Shkodrës, ky
moment duhet respektuar sot në qëndër të qytetit ku po bëhet pedonalja e re
përpara Bashkisë së Shkodrës.
Momenti i tretë që akoma nuk është respektuar
në Shkodër është 13 marsi i vitit 1920-të, kur Shkodra i kthehet përfundimisht
Shqipërisë në mënyrë zyrtare. Patjetër
që Shkodra edhe mbas 1913-tës ka qënë në rrezik të madh, dhe ky rrezik ka
mbaruar plotësisht kur nga Asambleja Kombëtare dhe qeveria kombëtare, u vendos
që qyteti dhe rrethinat ti bashkoheshin Shqipërisë dhe pushtetit civil dhe ushtarak
të saj. Firmat dhe vulat, fotot dhe elementët e historisë janë plotësisht të
qarta dhe unë sërish në këtë gazetë kam botuar edhe dukumentat autentikë të
kohës, që e vërtetojnë këtë gjë. Po, kam dokumentat e Ministrit të Brëndëshëm
A.Zogolli dhe të Drejtësisë H.Kadri, që vërtetojnë plotësisht këtë gjë dhe
historia vërteton edhe ushtrinë e asaj kohe prej afro 3000 ushtarëve dhe
vullnetarëve që mbrojtën Shkodrën. Pra
me 13 mars të vitit 1920, Shqipëria bëhet edhe me pjesën e saj të lavdishme dhe
të madhe që është Shkodra, dhe kjo në mënyrë zyrtare dhe politike. Përdryshe
lufta do të vazhdonte, dhe revendikimet vazhduan, por pushkët tashmë ishin gati
dhe shkodranët, malësorët, dhe vullnetarët po ashtu. Edhe kjo datë kërkon një
përmendore në qëndër të qytetit dhe patjetër që vlen për këtë 100 vjetor të
pavarësisë së Shqipërisë.
Sot në qëndër të Shkodrës ka nderim për disa
ngjarje dhe fakte dhe ka nderim për Hasan Riza Pashën që mbrojti Shkodrën, apo
edhe për Gjergj Fishtën si epizmin tonë patriotik letrar, por normalisht që ka
vënd edhe për faktorë të tjerë të vitit të jashtëzakonshëm 1913. Normalisht që
ka vënd edhe për të huajt që bënë atë veprim të madh për Shkodrën.
Nessun commento:
Posta un commento