Koment
Besi Bekteshi
Në një vizitë të bërë në vëndin ku ka lindur
dhe jetuar për disa kohë patër Gjergj Fishta, normalisht që emocionohesh, dhe
për më tepër mbetesh “vogël” nga pamundësia për të nxjerrë në sipërfaqe, atë që
në fakt jeta dhe shoqëria, akoma e deprimuar dhe retro e jona përjeton. Sa
flasin me ditirambe dhe bëjnë poezi, piktura dhe pastaj dhe skulptura që
fillojnë nga të bukurat dhe vazhdojnë nga delire njerzish “modern-interesantë” (por
që po ti dilnin Fishtës përpara do ti kishte “përlarë”) ka në Shqipëri, kjo nuk
do të thotë se kanë pasur parasysh Fishtën e teritorit të lindjes së tij.
Aspak, që nga djemtë e apartamenteve dhe deri te fshatarët që kujtojnë se do të
bëhen të pasur dikur, po mbrojtën një shtëpi apo gur që thuhet se është
fishtian në origjinë! Megjithatë, kjo është shoqëria jonë lundruese midis
retros rurale dhe “modernëve”, që qëndrojnë shumë herë dejshëm dhe përmëndin
Fishtën. Por në fakt Fishta, e ka një vënd ku ka lindur dhe ku ka jetuar, e unë
e kam kryesisht për vëndin që ka lindur dhe pse regjimi dikur, nuk ka lejuar që
të “monumentizohet” ose të mos repertizohet si monument. Tashmë aty pari ka një rrugë, dhe dikush
është përpjekur të evidentojë apo dhe të deklarojë. Por që aty ka lindur njeriu
më epik, dhe religjonari kombëtar i madh, vjershëtori i jashtëzakonshëm,
patrioti dhe politikani i madh kjo dihet. Çfarë ka? Ka, se nuk është rilevuar
historikisht. Vlersuar në mënyrë të tillë, dhe nuk i është bërë nderi që e
meriton një gjigand i tillë si Fishta. Nuk është kthyer vëndi ku ka lindur në
një monument i mbrojtur nga shteti, dhe sot shteti shqiptar, nuk ka një vënd
pelegrinazhi si muze, apo dhe pavion prezantues në vëndin ku poeti i madh
shqiptar ka lindur. Nuk mund të shkojnë turistët si të huaj dhe të vëndit, të
shikojnë vëndin ku ai ka lindur. Kaq, asgjë më shumë, por që në fakt është
shumë për keq që nuk është një momorial dhe vënd trashëgimie e tillë. Kanë bërë
keq në komunizëm dhe është deniguar figura e madhe e tij, por bëjnë keq sot që harrojnë për të
bërë këtë moment të jashtëzakonshëm, që i takon demokracisë të përmbushë dhe
trashëgimisë ta ketë. Shkurt është një turp, dhe po me mbyll këtu diskursin për
të hapur një tjetër që në fakt riparon dhe këtë më sipër.
Në vitin 1990-të, dolëm me dy seanca të mëdha
rilevimi historik dhe kulturor. Në të vërtetë, momenti monument kulture, dhe
pastaj dhe ai i trashëgimisë që është akoma më i gjërë dhe i madh, ka nisur të
sistemohet vërtetësisht nga vitet 1960-të. Unë sëpaku kam në arkiv, disa qindra
fotografi të këtij aksioni të madh arkeologjik dhe historik në këtë kohë që
zgjati disa vite. Pjesa e dytë, është
mbas viteve 1984-85-së, dhe që mori fund në fillim vitet 1990-92, kur morën
fund dhe kujdesjet e dikurshme, dhe nuk filluan kujdesjet e reja. Por
trashëguam gjithsesi si bazë e mirë dokumentare shumë e shumë fotografi
monumentesh dhe pjese të trashëgimisë kulturore të luajtëshme dhe të pa
luajtëshme. Trashëguam një pjesë të mirë të përshkrimit dhe punës për ruajtje
dhe mirëmbajtje. Trashëguam një punë të madhe të restaurimit, por dhe prishjes
aty ku dhe ajo kohë ka prishur. Po ka prishur, dhe unë mund të vërtetoj se bie fjala bexhisteni dhe pazari i
jashtëzakonshëm, disa kisha dhe disa objekte të tjera, nuk mund të thuhen se
nuk u goditën. Por në përgjithësi, kujdesje ishte i madh dhe rilevimi me shifra
dhe fakte historike gjithashtu. Rreth
133 monumente kulture të trashëgura me një rilevim dhe një model të dhënash në
Shkodër sot, nuk janë më. Mbi 52 shtëpi
si monumente kulture kanë marrë fund, dhe po marr si shëmbull Shkodrën sepse ky
moment është kudo në Shqipëri. Një nga më “lapidaret” prishje e shtëpive
monument kulture është ajo e Luigj Gurakuqit dhe pa dyshim sot po kërcënohet
ashpër dhe Villa Paget ose i famshmi “Sahati Inglizit” në qëndër të Shkodrës.
Po, sa kisha dhe monumente të tilla rrënohen në të gjithë Shqipërinë?! Sa e sa
vënde të tilla janë transformuar, dhe nuk ka as mundësi financiare dhe
riparuese tashmë mbas 24 viteve, që nuk jemi as në socializmin tonë furnizues
me aftësi mirëmbajtëse dhe as në kapitalizëm dhe demokraci administruese, dhe
të kthimit të një trashëgimie, në kulturë turizmi dhe vlersimi të tillë me
cilësi të jashtëzakonshme krijim të ardhurash?!
Ka ide që shtëpi të tilla monumente, që braktisen nga pronarët të merren
nga shteti, apo kapitalizohen nga ai, për tu administruar pa larguar identitet,
por sa e sa monumemte të tilla tashmë kanë humbur?
E tani dal te “databaze” i trashëgimisë që
duhet kryer. Duhet kryer, jo thjesht në qëndër në Tiranë, si në Ministrinë e
Kulturës dhe te Drejtoria e Monumenteve po në Tiranë. Tanimë duhet të jenë “Drejtoritë Rajonala të
Trashëgimisë”, që duhet të bëjnë rilevimin dhe kthimin e të dhënave të shumta
në databaze-n e qartë dhe të madh të trashgimisë. Ka humbur një monument
kulture, por në databaze duhet të hidhet edhe në hartë se “ai ka qënë aty, ka
pasur këtë sipërfaqe, këtë vjetërsi, këtë madhësi, këtë fotografi, sepse ka sa
të duash nga koha, ka këtë historik dhe këtë përfundim. Apo e kam gabim? Kjo është gjëndja e sotme, dhe ky është
trashëgimi i këtij ish monumenti dhe ish momenti trashëgimi. Në databaze të
kësaj natyre, duhet sqaruar dhe kush është moment publik dhe kush privat, dhe
normalisht çështje e madhe dhe e rëndë e pronës, e cila ka shkatërruar shumë e
shumë vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare. Duhen vendosur të dhënat e trashëgimisë tonë
të kulturës materiale, si të luajtshme dhe të paluajtëshme, edhe me hartë se ku
janë dhe si janë! Në fakt, duhet të jetë një aksion i madh kombëtar për të
kuptuar se ku jemi dhe sa keq jemi, sepse që jemi keq, kjo nuk diskutohet. Tashmë
për Shkodrën, vetëm për monumentet e kulturës në krahsim me vitin 1990-të, kemi
vetëm 40% të kësaj trashëgimie në këmbë, dhe me drejtim jo shumë të mirë si
gjëndje dhe kujdesje. Ka faj privati, por ka faj të madh shumë shteti. Privati
është treguar sylesh dhe injorant, por shteti është treguar pikërisht
“bashibozuk” dhe praktiksht jo mik i vlerave të veta të trashëgimisë. Ky databaze, është i domosdoshëm dhe shumë i
nevojshëm që të kuptohet, se “ku jemi me trashëgiminë” në sipërfaqen e
Shqipërisë. Shërben si “kontroll teritori” i trashgimisë kulturore dhe
historike, me të dhëna të qarta dhe të sakta. Por të dhënat do të tregojnë jo vetëm gjëndjen
dhe të tashmen, por dhe të djeshmen, duke u shoqëruar me fotot e
dikurshme. Isha përpara disa kohësh në
Mazrekun legjendë dhe pashë abandonimin e jashtëzakonshëm të një kishe, dhe
momenti urban legjendar i mejsetës së hershme, por që në vitin 1984 ishte
shpallur monument kulture. Është i abandonuar, dhe sëpaku kisha si institucion
të kujdeset për jo vetëm artefaktet e shpëndara dhe në pakujdesje të madhe, por
detyrim sëpaku moral e ka dhe komuna apo
shteti! Janë pjesë historike identitare,
dhe nuk i biem aspak krahut të këtij synimi që na bën më të vjetër dhe europian
se sa ato që duhet të hedhin firmat pranuese për ne në BE! Ka mundësi të mëdha
dhe administrimi sidomos me projekte dhe propozimi eficense dhe normalisht jo
thjesht “hidh para” shpesh herë të paguara nga shteti nuk kanë bërë asgjë. Po,
për turp dhe faqe të zezë të këtyre 24 vite medemek demokraci. Këto të dhëna
duhet të plotësohen dhe ka me sa di unë, shumë interes në lartësitë e politikës e shtetit e sidomos
të Ministrisë së Kulturës, e kjo ti
shton shpresat për më mirë. Tashmë duhen njerzit e duhur dhe të fillojë puna në
të gjithë Shqipërinë dhe sa me shpejt. Po, sa më shpejt, për të ndalur dëmet e
mëdha të kryera kudo.
Autori është
përgjegjës dhe historian në Arkivin e Muzeut Historik Shkodër.
Nessun commento:
Posta un commento