Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 15 agosto 2011

Turizmi dhe kerkesat ne vitin 1935

Si organizohej dhe shikohej turizmi, në vitin 1935?

Fillimi i momentit përkujdesës, mbi turizmin në shtetin monarkik shqiptar.

Njohja, dhe tentativa për të rregulluar boshllëkun qytetërues në turizmin shqiptar të viteve të para në shekullin 20-të.



Besi Bekteshi
Specialist “Arkivi i Muzeut Historik të Shkodrës”.

Në një kohë kur turizmi shqiptar, ka marrë përmasa të mëdha, dhe kur ndjesitë si shoqërore dhe shtetërore mbi këtë resurs të jashtëzakonshëm rriten në mënyrë eksponenciale, nuk dihet shumë qartë, se në çfarë raportesh kemi qënë në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit 20-të.
Turizmi i veçantë, dhe me bazë studiues apo edhe përfaqësues të diplomacive të huaja në vëndin tonë, ka që në fillimin e shekullit të 19-të, por përkujdesja dhe strategjitë mbi turizmin shqiptar, vijnë shumë më vonë dhe kryesisht në fundin e qeverimit të monarkisë së Ahmet Zogut në Shqipëri.
Një dokument tepër interesant në formën e një proçes-verbali në prill të 1935-sës, tregon edhe ngritjen e vërtetë të interesit të qeverisë shqiptare, dhe koshiencën e madhe që ishte mbi prapambtjen në këtë drejtim.  Në Shkodër, e cila konsiderohej një nga “depozitat” e mëdha turistike, dhe qytet e krahinë e rilevuar nga të huajt, vjen në zyrën e Prefektit ing Assim Abdurahman, i cili përfaqësonte “Klubin Turistik Automobilistik Mbretëror” si një agjensi e cila kishte përkujdesjen e qeverisë Mbretërore në Shqipëri, për pikërisht turizmin. Nuk ishte vetëm ky moment, sepse kishte edhe të tjera evenimente përparimtare si qe edhe dalja ne qarkullim e Kartes se Turizmit. Kjo i jepte turistit, si te mbrëndshëm ashtu dhe te jashtem  nje perkrahje dhe informacion shume të dobishem. Ishte e shkruar në frengjisht dhe shqip, pikërisht kjo kartë. U krijua edhe nje statistike për hyrje dhe dalje të turisteve. Bie fjala, per vitin 1936, numri i vizitoreve te huaj ishte 3742 veta, numri i diteve te kaluara ne Mbreteri 10559, diviza si kapital qe ka hyre ne Shqipëri nga këta ka qënë 125708 franga ari. U bënë lidhje me shoqata turistike nderkombetare si: Qëndrën Nderkombetare të Turizmit, Unionin Internacional, dhe Organin Zyrtar të Propogandës për Turizëm, Zyra Internacionale e Shkëmbimit, Aleancave Internacionale e Hoteleve dhe Aleanca Internacionale e Turizmit. U shkëmbyen përfaqesi turistike me Parisin, Vienën, Amsterdamin, Londrën, Athinën, Pireun dhe Dubrovnikun. U lidh një linjë e rregullt Shkodër – Dubrovnik. U lidhën marrëveshje me shoqërite e flotave për vizita me linjë detare në portet shqiptare e anasjelltas. U kryen 3 filma dokumentarë mbi vendin tonë. Filluan botime dhe afishe në gjuhe të huaja, e kjo në pothuaj çdo shesh, për të treguar se vendi  kishte hyrë në rrugën e botës së zhvilluar. Një nga të fundit ishte modeli mbi automobilizmin, e pikërisht në ato vite,  u krijua dhe Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbreteror.
Çfarë del në proçesverbalin e mbajtur në Shkodër në prillin e vitit 1935-së.
E para është se për pikërisht automobilat vërehej se “nuk ishin të pastër”, “nuk ishin të mbushur plot me benzinë deri në destinacion”, nuk kishin goma rezervë”, “nuk kishin orar udhëtimi” , “nuk kishte çmime bilete të rregullt dhe shoferët nuk tregonin respektin e  duhur”. Kështu që jepej udhëzim, që të merreshin masa të rrepta për të riparuar këto mangësi, dhe sidomos për klientelizmin e shoferëve, që bashkëpunonin me hotelxhinjtë për të devijuar destinacion.
Për hotelet,  detyrohesh ndarja në dy kategori, ajo e para, dhe kategoria tjetër jo kaq e këshillueshme për turistët.  Urdhërohej që wc-të të ishin “alla europiane” dhe pastërtia duhej të ishte primare. Pastaj urdhërohej ndërtimi i dusheve, dhe rezervimi i këtyre dusheve dhe wc-ve për turistët. Ishte një kohë kur akoma nuk kishte dalë orietalizmi ekstrem nga shoqëria shqiptare, dhe normalisht edhe hoteleria ishte pas në këtë drejtim.  Po ashtu lista e çmimeve duhej vulosur nga Bashkia e Shkodrës, dhe ky ishte një hap i madh cilësor, dhe sidomos fiskal i madh përpara, në drejtimin e turizmit. Për restorantet kishte shumë kritika, dhe kryesisht për pastërtinë, dhe po ashtu çmimet tashmë u vunë nën kontrollin fiskal, të detyrueshëm për tu demostruar, dhe kishte gjoba kur abuzohej me to.
U vunë rregulla mbi veshjen e personelit të hoteleve dhe restoranteve. U detyrua veshja e bardhë me krevatë të shkurtër, papion, i cili u trashëgua edhe deri në kohën e sotme.  U vendos me anën e urdhërit dhe proçesverbaleve “pastrimi i qytetit në mënyrë të posaçme në kohën e ardhjes së turistave të huaj. Ky moment eshte një pikë tepër e “kujdeshme” të straregjisë së turizmit, por kishte edhe një pikë që detyronte “izolimin e lypsave dhe të papunëve” në momentet e turistave në të gjithë qëndrat e vizitueshme dhe të qytetit.  Kontrolli i pasaportave kërkohej të ishte rigoroz, dhe i zbatueshëm kurdo dhe kudo.  Gjithsesi urdhërohej të përdorej “shumë takt dhe sjellje e mirë” me turistat dhe vizitorët.  Në fakt, një nga pikat e  rëndësishme të rregullores turistike ishte edhe momenti i “mos daljes së xhendarmëve  me pushkë të gjata” për të mos lënë përshtypjen se “vëndi është në gjëndje të jashtëzakonshme”.  Në pikën G, ishte edhe “Mbrojtja e turistave nga mashtruesit” dhe të gjitha masat për të mbrojtur nga ky fenomen. Urdhërohej që të mirëmbaheshin viset turistike, dhe futeshin kështjellat dhe hanet e vjetra, por edhe urat, kishat e xhamitë, në këtë buxhet të nxjerrë nga shteti. Jepej qartë dhe prerë, këshilla për të organizuar turistat në guida në viset turistike të Shqipërisë dhe në rastin konkret të Shkodrës, dhe kur turistët të ishin të shumtë, duheshin ndarë në grupe të vogla. Do të veprohej në rregullimin e rrugëve dhe urave ku turistët kishin më tepër lëvizje, dhe kudo që mbahej ky proçesverbal, kishte urdhër për riparime dhe mirëmbajtje të thellë dhe të plotë. 
Në fakt detyroheshin prefekturat dhe drejtoritë e arsimit të bashkëpunonin, dhe përfaqësuesit e turizmit duhej të lëshonin faturat e rastit. Patjetër edhe reklama ishte pjesë e marrëveshjeve dhe ajo që rekomandohej ishte parulla “Ti presim turistat si miq”.
Në përgjithësi u vu re në atë kohë, një interes më i madh në hapjen turitike dhe ishte kuptuar se turizmi ishte dhe pjesa kryesore e nxjerrjes së të ardhurave në buxhetin e Bashkive, dhe kryesisht të arkës së shtetit shqiptar. Shkodra ishte një nga pjesët kryesore turistike, dhe marrëveshjet midis pushtetit vëndor dhe agjensive po shtetërore, ishin vendosur mbi baza ligjore. Gjithsesi edhe në vitin 1935-36 dukeshin përpjekje të mëdha në krijimin e atmosferës, dhe kushteve më të mira për turizmin, këtë degë të rëndësishme të ekonomisë së vëndit. 

mercoledì 10 agosto 2011

Austriaket dhe censusi i pare i shqiptareve


Ja si austriakët donin të regjistronin popullsinë në vitin 1918-të

Censusi austriakët në kohën e pushtimit.


Nga Besi Bekteshi


Nuk ka asnjë dyshim, se ata pushtues apo sundues ushtarakisht në territorin shqiptar, që kanë dashur vërtetësisht të regjistrojnë popullsinë e Shqipërisë, kanë qenë austriakët dhe sidomos “Korpskomanda” e tyre ushtarake.
Ishin vitet e trazuara 1917-18-të, dhe të huajt në Shqipëri kishin edhe tentativat e përveçme të një administrimi shtetëror, por nuk është ky shkrimi që merret saktësisht me këtë problem. Ishte kohë ushtrish dhe lëvizjesh nga më të mëdhatë dhe shqiptarët ishin në vështirësi. Por po kthehem në të sotmen. Normalisht që ka pasur një periudhë të gjatë kohe, që nga dalja e vendimit të qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë, dhe pastaj edhe lënin e këtij regjistrimi mbas zgjedhjeve edhe si pasojë e lëvizjeve antiregjistrim për kombësinë, por edhe si një kujdes për të mos djegur oportunitete përpara zgjedhjeve. Gjithsesi në Muzeun Historik në Shkodër, është e ruajtur një qarkore urdhëresë e “Korpskomandës”, për të dhënë edhe detajet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1918-të. Në këtë qarkore urdhër, duket sheshit si austriakët e njihnin situatën, dhe po ashtu kërkonin vërtetësisht të regjistronin shqiptarët, dhe mbas këtij qëllimi ishte edhe zgjerimi i pushtetit politik, por edhe administrimi më i mirë, së paku i atyre territoreve që ishin nën atë kontroll ushtarak në atë kohë . Pra ishte një urdhër i “A.O.K. Gstbs nr 1496, i datës 17 korrik të 1917-tës, që kërkonte regjistrimin e popullsisë në rrethet e të gjitha Bezirkskomandat e Ekspositurave. Pra në të gjitha qarqet dhe donte të caktonte të gjitha llagapet apo mbiemrat e shqiptarëve. Numri një si neni fletushkës ishte “Organizmi i numërimit të popullit”. Urdhërohej vendosja e një “Komisari të Besirskut” dhe po ashtu referencat në organizim të nënprefekturave dhe deri në komisarëve të numërimit, për secilën bashki dhe komunë. Përcaktoheshin qartë detyrat e punonjësve të numërimit dhe regjistrimit, dhe rradhojtë e këtij numërimi të madh në Shqipëri. Kishte një urdhër plan numërimi dhe regjistrimi, por edhe “komisija” apo komisioni, që do të udhëtonte në çdo vend, dhe do të shikonte çdo veprim në regjistrimin e madh të popullsisë. Kishte të caktuar të shumtë edhe në qoftëse se “sekretari diftohej i pa zoti në shkrim, në këtë rast duhej të zëvendësohej nga vetë komisari”.
Pastaj fillonin nenet dhe i pari ishte ai që thoshte: Vendime zbatimi, dhe numri një ishte se “Njerëz, ushtarë, austroungarë, apo të ushtrive të beslidhura, si dhe rob lufte, nuk do të shtihen në numërim”.
Do të numëroheshin rradhorët, pra librat e regjistrimit, pastaj krerët e rradhorëve. Pastaj do të fillonte regjistrimi i ndërtesave, dhe këtu futeshin të gjitha përfshi dhe vëndet e kultit dhe gazermat. Regjistrimi vazhdonte me “pjesët e vendit”, pra lagjet apo mëhallat, me emrat përkatëse dhe kufijtë. Por në të gjitha rastet, numrat e shtëpive dhe në qoftëse kishte gabime, duheshin ndrequr. Mbas këtij veprimi, vinte “mbarështrimi i shtëpive” pra njerëzit apo banorët. Jepeshin edhe modalitetet për raste të ndryshme. Do të shënohej edhe “gjendja e mbarështruesit apo zotit të shtëpisë” dhe neni 10-të, kishte edhe pyetjen e të zotit të shtëpisë. Duhej patjetër që komisioni të pyeste për gjendjen dhe komshinjtë apo kushërinjtë, apo banuesit me qira etj., etj. Mbas kësaj vinin “ndëshkimet” në qoftëse “komisija” , apo komisioni, vinte re që ka “diftime të pa drejta”. Neni 12-të kishte përcaktimin e “gjinisë” dhe burrat detyroheshin të dilnin të gjithë përpara komisionit. Kurse për femrat thuhet në qarkore se “do të ishte e dëshirueshme për të ardhur, por nuk mundet të ketë shtrëngim për këtë gjë”. Neni 13-të ishte edhe përcaktimi i moshës, i cili është e caktuar si një proces i vështirë, por që kërkohej të kryhej me një mënyrë të caktuar. Caktohej qartë se duhej ruajtur nga mashtrimet dhe “diftimet e shtrembra”. Neni 14-të, ishte përcaktimi i vendit të lindjes dhe 15-ta shtetësia. Shtetësia ose “tabi-jeti” do të vërtetohej edhe për ato që “nuk kanë të ngulun në nji vënd”. Pra edhe njerëz të ardhur, por që janë ngulur si zota tokash apo si tregtarë prej shumë vitesh. Por edhe në qoftëse gjinden si të ardhur, do të kishte një klauzolë për tu shënuar edhe vëndi nga kanë ardhur. Neni 16-të, ishte “Besimi” dhe thuhej se “për punë besimi do të shënjohen damas, apo veç e veç, katolikët romakë e grekët e bashkuem, e po ashtu orthodhoksët orientalë, orthodhoksët grekë, serbë e bullgarë. “Degës mohamedane të Bektashinjve do ti jepet nji kujdes i veçantë”, thuhet në qarkoren. Normalisht duke qenë se shumica e popullit ishte e besimit islam, kjo nuk diskutohej si një sistem shënimi dhe përcaktimi. Por ajo që sot diskutohet dhe thuhet në problematikën e regjistrimit e që ka bërë polemika të mëdha dhe organizime të larta te ne, është në nenin pasardhës. Pika 17-të ishte “Kombësija e Popullit” dhe thuhej se “si kombësi do të njihet ajo që difton i pyetuni”. Pra ishte me dëshirë, por ama shtohej se ishte e vështirë dhe sepse në shumë raste “ nuk mund të ndajnë kombësinë nga besimi dhe “diftohen në shumë raste turq”, pra organet e numërimit do të vërtetojnë çfarë gjuhe flitet lirshëm në shtëpi. Kurse për vllehtë “vihet re” se shumë herë e thërrasin veten zinzar dhe Arumun.
Qarkorja sqaron se “Gabelit (arixhinjtë) të shënjohen përherë si Gabela ose Arixhinj, dhe në qoftëse gjuha e tyre është shqip. Këtu qarkorja kërkon të ndajë kombësinë e tyre nga ajo e shqiptarëve. Por ama qarkorja thotë edhe se: “Duhet të bëhet ndryshim ndërmjet të gabelëve të ngulur dhe atyre shtegtarë dhe kuptohet se statistika e këtij momenti, kërkon të jetë sa më e qartë. Neni 18-të kërkonte edhe përcaktimin e diturisë së shkrimit dhe kjo duhej bërë me provë. Pika 19-të kërkonte “gjendjen e familjes” dhe sqaronte se mohamedanët kanë të drejtë për më shumë se një grua, dhe jo më shumë se katër. Pastaj vinte edhe pika 20-të që ishte “dega bujqësore” , pra kush punonte tokat e tij, dhe kush me qira apo nuk kishte etj etj. Vazhdonin pikat për zanatet, për zanatin kryesor dhe duheshin të dhëna të imta në këto raste. Kërkohej të dihej kush ishte pa zanat dhe i pa punë dhe shumë e shumë sqarime të tjera mbi gjendjen vetjake dhe sociale. Në fakt, ishte një pyetësor rrënjësor dhe esencial për të pasur dijeni të plota mbi gjendje shoqërore të asaj kohe. Kurse nga pikat e fundit ishte ajo 25-së që detyronte që i gjithë pyetësori të mbushej si në shqip dhe gjermanisht duke ditur se ishte pikërisht gjuha e pushtetit të Austrisë, që po merrte këtë iniciativë kaq të madhe. Më vonë, ishin pikat e cilësimit të regjistrimit dhe verifikimit të pyetësorit i cili mbyllej me pikën 28-të që ishte “Të mbyllunit e numërimit të popullit e të caktuemit të emrave”. Koha e caktuar ishte deri me 31 maj të 1918-tës. Qarkorja kishte edhe një prapashtesë për sqarimet në rast se njerëzit nuk gjendeshin, por dhe kopjen e dytë të numërimit të popullit dhe dhënien e dëshmisë të qartë tashmë në çdo “Bezirk” prej zyrës së përgjithshme të statistikës. Gjithashtu në fund, ishte dhe një format i fletës së regjistrimit, në të cilën detyroheshin qartë edhe kërkesat dhe vendet e plotësimit korrekt.
E gjitha kjo iniciativë për regjistrim, ishte përpjekja e parë serioze e cila nuk është se ka pasur shumë sukses për arsye të kohës së turbullt dhe për arsye se ishte një iniciativë e njëanshme, por duhet sqaruar se pyetësori ishte shumë serioz dhe që merrte parasysh shumë situatën e asaj kohe në trevat shqiptare. Nuk është hera e parë që kërkesa për regjistrim, ka pasur edhe atë kërkesë për të cilën sot ka shumë dilema dhe shumë polemika. Gjithsesi kërkesa edhe atëhere ka qenë dhe saktësisht e vrojtuar si një fenomen problematik edhe për atë kohë, por kërkesa ishte e mirë përcaktuar si e tillë. Sot kemi një moment tjetër, krejt tjetër, por ama regjistrimi i shqiptarëve apo popullit, duhet bërë. Sepse edhe në krye të qarkores ligj thuhej edhe në atë kohë. Numërimi i popullit 1918-të.

mercoledì 27 luglio 2011

"Bogdani" shoqnia kulturore e fillim viteve 20-te ne Shkoder


“Shoqnija Bogdani” dhe ngritja artistike e teatrit shkodran në afishet e kohës

Shfaqet teatrore te “Shoqnisë Bogdani” në vitet 1919-30-të të shekullit të kaluar.

Patriotizmi në teatrin e kohës te “Shoqnija Bogdani”

Njerzit e teatrit shkodran, në aktivitetet e “Shoqnisë Bogdani”
në Shkodër.


Nga Besi Bekteshi
Gazetar, historian Arkivi Muzeut Shkoder

Një nga shoqëritë më me emër në Shkodër, një nga shoqëritë artistike, teatrore, por edhe muzikore me një sukses të madh, ka qënë ajo e quajtur “Shoqnija Bogdani”. Formimim i saj i përket viteve 1919-të dhe në organizimin e saj, ishte pjesa dramatike dhe ajo e farsës, por edhe komedia, e cila vazhdimisht bënte pjesë edhe në saj të humorit të jashtëzakonshëm të organizatorëve të saj. Në “Muzeun e Shkodrës” është një koleksion i mrekullueshëm i afisheve të kohës, ku dalin në mënyrë të qartë, jo vetëm qëllimi i kësaj shoqërie kulturore patriotike kryesisht, por edhe emrat dhe aktorët e teatrit shkodran të viteve 20-30-të në qytetin, ku jeta kulturore, ishte më e zhvilluar dhe më kualitative se në të gjithë trevat shqiptare. Afishet në fakt, janë edhe dëshmia e madhe e paraqitjes së artit dramatik dhe komedisë, por edhe muzikës së kohës, e cila luhej në mes të pjesëve dhe nganjëherë banda e “Shoqnisë Bogdani”, krijonte folklorin e pa përsëritëshëm të Shkodrës, në traditën e saj të madhe dhe të vjetër, sidomos në zonën e lagjeve Gjuhadoll dhe Serreq. Një nga afishet më të rëndësishme e vitit 1913-14, e cila në fakt nuk ka asnjë përcaktim të qartë, por dilte në kohë të përcaktimit të kufijve, i paraprin edhe shoqërive “Rozafat” dhe “Bogdani” të formuara e para në vitin 1918-të dhe e dyta në vitin 1919-të. Në këtë afishe, është stema e Shqipnisë  së madhe, dhe thotë: Shkodra kryegjyteti i Berdylit bujar, in Teutës vigane, i Gencit kreshnik, qëndra e Shqypnis ethnografike....! Pastaj vazhdon se “në shej nderimit” ndaj zotnit e Komisjonit Internacional qi mrriten në këtë qytet, per me caktue kufijt e Atdheut t’onë....tfaqë “NË SALON TË JEZUITËVE” melodramin original kombëtar “Ora e Shqypnis”. Pra jemi në fillimet e institucioneve të kulturës, dhe po ju bëhet nder pikërisht autoriteteve të huaja, që arritën të mbanin Shkodrën dhe të vendosnin kufijtë. Lajmërohej edhe një shfaqe e Bandës së Bashkisë së asaj kohe. Por egziston edhe një afishe e shkurtit të vitit 1920-të e shoqërisë “BOGDANI” e cila shfaqte dramën “Fernand Kortez-in” me katër akte, dhe mbas saj “Lojën e gazit”...komedinë “Shkolla e Katundit” si dhe karriket që ishin me dy rradhë ku rradha e parë kushtonte tre franga dhe e dyta, dy franga. Por në vitin 1924-tër fillon drama shqiptare “Duka në Shkodër, në Cetinë e Vraninë”, ku shoqnija “Bogdani” po fillonte  të trajtonte temën midis malazezve dhe shkodranëve, por edhe njerzve të heroizmit shkodran dhe shqiptar si Oso Kuka. Mirëpo përveç kësaj mënyre prezantimi, “Bogdani” ka vënë në skenë edhe “Gjaksorin e Penduem”, ku luanin Kol Mirashi, Cin Çapeli, Kol Vjerdha, Loro Çefa. Luigj Mjeda, Sandër Bushati, Kol. GJ. Harapi, Pjetër Lleshi, Kol .L. Dema, Luigj Ujka. Por shfaqa ka pasur edhe një “Lojë Gazi” ku luanin po këto aktorë dhe personazhet ishin: Ndokë Puthadori, Paçalini, Abdyl Skrapari, Josif Trapazani...etj etj. Natyrsisht që trajtohet problemi qytetar dhe modeli i jetës, por edhe sërish caktohej drejtimi i jetës drejt një shoqërie të kulturuar.
Që me vitin 1922, fillon të luhet “farsa”  e titulluar “Dy majmuna në një raft”  ku luanin Rr. Zadeja dhe K. Harapi, si edhe Filip Zojsi, por interesant është fakti, se për herë të parë luan edhe aktori i më vonshëm i madh Loro Kovaçi. Te drama “Trimi Mallëngjyes” luan sërish Loro Kovaçi, por shikohet shumë në këtë vite, pjesmarrja e gjithmonëshme e Luigj Mjedës. Në vitin 1922, shfaqet në programin patriotik, drama që merr shkas nga vitet 1907-14 dhe që është titulluar “Flamuri i Shypnis do të Mbretnojë”. Por është interesante se organizatorët falenderonin shkruesin e dramës që ishte vetë prefekti A. Nepravishta. Që nga viti 1921, dhe deri në fund të karierës së kësaj “shoqnie”, është vënë në skenë “Trimnija e OSO KUKËS” e cila sipas organizatorëve “ka ndollë në vjetin 1858” dhe shpjegohet mbas titullit se : Ose të djegunit e tij në “KULLË të VRANINËS”. Drama jepej ose me 27 Nëntor ose me 28-të, dhe kishte një sukses të jashtëzakonshëm. Akoma më sukses, ka pasur për një farë kohe edhe drama “Veturdhnimi i Ali Pashë Tepelenës” që në “posterat” e kohës thuhesh se po jepej sërish “mas dëshirit të popullit” Kjo dramë është dhënë edhe me datën 30 nëntor, mbasi është dhënë rresht në 27 dhe 28 nëntor, e në atë kohë, jeta kulturore ishte përqëndruar në këtë drejtim patriotik. Në vitin 1926 “Bogdani” shfaqë dramën “Pjetër Mika” dhe lojën e gazit me muzikë “Kushtrim, Dreqi në Dyshek”. Mbas “Trimit Ngazëllyes” në vitin 1927-të, luhej edhe loja e gazit me një akt “ Dy Belbacukët”. Një nga sukseset e mëdha patrotike, e cila si edhe të tjerat kishte motiv si “qëllim dashësh dhe qëllim mbërritës”, ishte dhe drama “Mustaf Pasha i Shkodrës” me shpjegimin “ma i mrami Vezir shqyptar mi Shqypni dhe Rumeli prej vjetit 1810-1830”. Një nga modelet më të rëndësishëm të krenarisë kombëtare dhe sidomos shkodrane, ishte pikërisht edhe rikthimi i krenarisë historike, në dramat e shoqnisë “Bogdani” dhe trupës së saj aktoreske në Shkodër, dhe kjo shihej qartë edhe te kjo dramë e vitit 1923. Pastaj me rastin e ardhjes së Ahmet Zogut si President i Parë i Shqyptarëve pikërisht me 27 gusht, shoqnija “Bogdani”, ka shfaqë “OSO KUKA” dhe po në atë vit komedinë “ Dy Gungaçat” ku luajnë Ejll Larja, Luigj Mjeda. Gjon Shllaku, Rrok Zadeja etj etj. Në vitin 1929-tën luhet “Makalushi në Shkodër”  dhe në vitin 30-të komedia “Me Paditë nipin te Daja”. Janë luajtur edhe “I paditun për Gjaksi” dhe komedia “Një Mësues Modern”, ku normalisht ka luajtur pjesën e tij edhe i madhi Kol Shiroka me shumë e shumë kolegë të tjerë. “Shoqnija Bogdani” ka qënë një nga ato organizime teatrore dhe kulturore të Shkodrës, që në fakt, edhe nga mbiemrat kuptohet qartë që është bazë e ardhshme e teatrit në Shkodër, dhe po ashtu në Tiranë. Të tilla shoqëri kulturore, Shkodra ka pasur në ato vite, dhe padyshim që jeta e tillë në qytetin tradicional dhe kulturor, është një nga tiparet kryesore të lartësisë së madhe artistike, jo vetëm në teatër, por muzikë, poezi dhe skenografi.
Vetë afishet e “Shoqnisë Bogdani” tregojnë edhe kujdesin për një model perendimor dhe tepër të kujdeshëm në drejtim të organizmit.

Shkodra, dhe burrat e saj në letra dhe jetë.


Letrat e pa ditura të drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës.
Shkodra, dhe burrat e saj në letra dhe jetë.

Nga Besi Bekteshi
Jemi në periudhën kur po afrohen zgjedhjet vëndore. Në të vërtetë, të ndarë që nga viti 1944, nga idea e pushtetit vëndor, nga idea e Bashkisë, Prefekturës dhe taksave, por edhe marrëdhënieve të këtij pushteti afër qytetarëve, ka që nga viti 1992 e deri tani, që akoma jetojmë  me sistemin “flu” e këtij pushteti kaq të rëndësishëm. Të këtij pushteti që rregullon rrugët, mbledh plehrat, riparon dhe ndërton tortuaret, që krijon mjedise të gjelbërta, që ndriçon dhe që vizon rrugët. Akoma edhe sot, kur ka një deçentralizim më të madh, jetojmë si në ëndërr me “shtetin e madh”, atë shtet, që diktatura e kishte edhe në pushtetin vëndor, dhe që përfaqësohej nga “Komitetet e Partisë” dhe “Komitetin Ekzekutiv”. Por, por në të vërtetë, përpara viteve 44-tër ka pasur një pushtet vëndor, një administratë vëndore, apo më mirë të themi, ka qënë Bashkia, e cila në diktaturë, gjithmonë merrej si një model i “urryer”, që duhej dërmuar, shëmbur e barazuar me gjakpirësin.
Shkodra është një nga qytetet madhështore të funksionit pushtet vëndor që mbas pavarësimit të Shqipërisë, dhe që fillon me “Parlimentaren” dhe vazhdon mbas viteve 1922-23 me emrin “Bashkia  Shkodrë”, me të cilin thirresh aso kohe pikërisht institucioni më i rëndësishëm i Shkodrës.  Normalisht janë disa qindra dokumente të ruajtura me kujdes, për veprimtarinë e saj në ato mijra, që nuk ka qënë e  mundur të ruhen për gati këto 98-të vite, të një ekzistence pa ndërprerje (në pavarësi) edhe kur Shkodra ishte një shesh beteje dhe lufte. Me kryetarin e parë real Musa Juka dhe me të tjerët, Bashkia e Shkodrës, është një shëmbull i jashtëzakonshëm funksioni, dhe pse jo ndershmërie qytetare. Ka shumë dukumente që e tregojnë se ka pasur burra të tillë, por unë kam zgjedhur një të veçantë, i cili edhe pse tepër i thjeshtë, ka në thelb marrëdhënien e xhentëlmenëve në krye të institucionit.
Në një vendim të datës 20 shkurt të vitit 1933, thuhet se “Kryetari i asaj kohe në Bashkinë e Shkodrës z Rustem Ymeri, i lutet këshillit për t’ju dhënë dy muaj parapagim paga  e tij” dhe normalisht letra thotë: mbasi familja e tij ndodhet tepër e smuetë e për me i ba ballë shpenzimeve të mjekimit të saj, ka nevojë për të holla. Këshilli vendos, dhe me firmën e zotërinjve Bushati dhe Çoba  jepet kjo pagesë nga arka e Bashkisë. Normalish janë edhe kambialet çeqe, të cilat e vërtetojnë këtë gjë. Pra, Kryetari i Bashkisë, ka njerëz të familjes sëmurë, dhe kërkon të ketë në dispozicion dy pagat e tij të kryetarit për të shërbyer familjes!! Në vetvete, kjo është prekëse dhe humane, aq sa të lë në një çuditje të jashtëzakonshme për moralin dhe sinqeritetin që si vëndimi dhe kërkesa kanë brënda saj. Është viti i largët 1933, dhe Bashkia e Shkodrës, sa ka filluar të mirëmbajë qytetin, të ndërtojë rrugë dhe trotuare, të kujdeset për lulishte dhe të mbledhë taksa në mënyrë të bindëshme. Po çfarë ndodh mbas disa kohe me Kryetarin Ymeri?
Në një vendim të datës 8 maj të pikërisht vitit 1933 sqarohet se “ ish Kryetari i Bashkisë Rustem Ymeri kthen pagën e marrë në avancë” në shifrën prej 590 franga ar”. Tashmë është titullari i ri i Bashkisë së Shkodrës Zenel Prodani, që ka pranuar kthimin e një page prej 590 franga ar, të cilat i ka kthyer kolegu i tij, i cili me që ka mbaruar mandatin i kthen në arkën e Bashkisë, por në fakt, ja kalon Kryetarit të ri të cilit i takon kjo pagesë. Pra muaji prill i vitit 1933 si pagesë e Kryetarit të Bashkisë, kthehet nga një titullar, për tu marrë nga tjetri.
Buxheti i Bashkisë së Shkodrës ka njohur dhe një moment të tillë human, tepër sinjikativ për veprimin  e një titullari në nevojë që kthen në arkë rrogën e marrë në avancë ose parapagim, për arsye të pamundësisë për përballuar sëmundjet  në familjarët e tij.
Në të vërtetë është viti 1933, kur në buxhetin e Bashkisë i cili është nga më të pasurit si mbledhje taksash në Shqipëri, mblidhen si “taksë doganore 7%” 60.000 franga ar, një rekord kombëtar ky, për “mjete transporti” 13.000 franga ar, për “qera ndertese” 5.000 franga ar, për “peshim e sergji” 18.500 franga ar, për “tabela” 2770 franga ar, për “baxha” 54.900 franga ar, për “leje e miratim ndërtesash” 1.000 franga ar, për “qera lulishte” dhe “qera ndërtese” 1.800 dhe 5.000 franga ar, e deri “për qen luksi dhe gjojet”.....100 franga ar. Është Bashkia, që mbledh taksën më të madhe në Shqipëri për “lulzim” prej 29.000 franga ar   dhe ka mbledhjen e dytë të buxhetit më të madh në Shqipëri me mbi 1700 “dugajave” të saj, dhe bisneseve prodhuese apo zejtare. Ishte koha kur mblidheshin mijra e mijra franga ar si taksa, dhe shkonin në shërbime.
Por është viti kur kanë mbaruar “Rruga e Top-Hanës” dhe kanalizimet në “Rrugën e re të Top-Hanës”. Bashkia e Shkodrës në këtë kohë, mbaroi disa trotuare të “Parrucës” dhe rrugës kryesore që atëhere quhej “Washington”. Rregullimin e lulishteve të kësaj rruge dhe ngritjen e asaj të quajtur “Zog i I”. Mbarimin e rrugëve të “Ajasmës” dhe “Qafës”. Ishte koha kur Bashkia e Shkodrës, shtronte rrugë jo vetëm me “çakull”, por edhe me asfalt.  Ishte koha e largët e vitit 1933, kur ka filluar ndërtimi i “pendës së Kirit” dhe rrugëve të brëndëshme të lagjeve të vjetra të Shkodrës. Ishte koha kur Bashkia mendonte realisht për qytetarët, dhe këto të fundit shikonin se institucioni vepronte. Ishte koha, kur Kryetarët e Bashkisë, nderonin çdo frangë ari, çdo të ardhur, dhe kjo mënyrë veprimi kishte rregullat, e për më tepër burrat e ndershëm, që kthenin menjëherë pagën e cila edhe pse e marrë për hall të madh, ishte detyrim që të kthehej. Bashkia e Shkodrës, është patjetër shëmbulli më i vjetër, më i pa shkëputur i pushtetit vëndor në Shqipëri, por edhe shëmbulli i një administrimi që ka nxjerrë dhe nxjerr burra që sillen si të tillë, pikërisht si burra, kur janë në pushtet.


lunedì 25 luglio 2011

Shirqi dhe kisha e vjeter ku martoheshin princa e mbreter


Kisha e Shirqit, ose monumenti i jashtëzakonshëm në luftë me Bunën.

Kisha madhështore dhe pamja e fundit normale e saj.

Orthodokse apo e krishterë romane, kjo ka qënë edhe “rropatja” e hulumtuesve.

Historia e një kishe legjendare, ku martoheshin mbretët.

Uji i vendosur  të zhdukë, kishën 1400 vjeçare.


Kisha e Shirqit dhe fotot e vjetra te saj. Jo te botuara
Nga Besi Bekteshi

Po të shikosh në distancë prej 20 km nga qyteti i Shkodrës, në krahun e majtë të Bunës, është edhe fshati Shirq, dhe në afërsi të buzës së ujit është kisha e jashtëzakonshme për nga rëndësia historike dhe religjonare, por edhe nga trashëgimia që sot i thonë “Kisha e Shirqit” dhe kur dikur janë kurorëzuar princa shqiptarë dhe malazezë. Normalisht nën rrënojat e saj të sotme ka akoma eshtra fisnikësh, por dikur nga ujrat janë marrë edhe eshtra princash dhe njerzish të rëndësishëm të varrosur në shekuj në këtë teritor. Në fakt është konsideruar malazeze dikur kjo kishë, dhe është bërë një gafë e madhe për të mos u ruajtur, por sot shumë persona e kanë kuptuar se është pjesë e ADN-së shqiptare në histori dhe fisnikëri e religjon kjo kishë kaq e vjetër në tërësinë e saj. Kisha është rrezikuar, dhe akoma rrezikohet nga Buna dhe përmbytjet, por në Muzeun e Shkodrës, ka foto që tregojnë edhe madhësinë e saj reale që sot nuk duket. Muret datojnë që në fillimet e shekullit të VI-të dhe normalisht është përdorur për martesat e princërve në të dy anët e Bunës. Kisha ju është kushtuar shënjtorëve Sergji dhe Baku dhe populli kishën e  njeh me atë të “Shna Prendes” dhe i lutet kështu asaj. Normalisht Shirqi në mesjetë, ka qënë port i Shkodrës si edhe Oboti pak më larg, dhe sëbashku me Bunën ishin edhe ndalesat e anijeve të kësaj zone kaq të zhvilluar mesjetare. Shirqi ka pasur edhe doganën si një pikë adminitrative dhe zhvillimi ekonomik. Kisha e vjetër, ka qënë e stilit romano- gotik, dhe duhet thënë se studiuesi i madh Theodor Ippen, ka përshtatur dhe shpjeguar një mbishkrim të vjetër në gurët e kishës që dilte se kjo mrekulli i vjetër ishte ndërtuar plotësisht në vitin 1290-të nga mbretëresha franke Helena. Ajo ishte  bija e Perandorit Baldovin II, grua e Mbretit të Rashës i quajtur Urosh I dhe regjente e “Mbretërisë së Rashës”, sipër Shkodrës. Ippen-i, nuk pati shumë kohë të shpjegonte qartë se “rindërtimi” ose shprehja e qartë në gurë: “edificavit de novo istam ecclesiam”  që do të thotë “e ndërtoi rishtas këtë kishë” për të kuptuar të gjithë, që Helena si origjinare religjoni katolik, ka rikonstruktuar një ndërtim që vjen nga Justiniani. Mbështetur në tekstin apokrif “Jeta e Justinianit” (Apocrypha Vita Justiniani), autorët e Acta-ve, janë përpjekur të saktësojnë që kisha në fjalë, lidhet me një manastir aty në atë vënd paraekzistuese të urdhrit të Shën Benediktit, themeluar nga vetë perandori Justinian në shek. VI (Acta, I, nr. 76). Simbas mbishkrimit të dytë, që ndodhej mbi arkitraun e portës kryesore, kisha del edhe e ndërtuar nga mbreti Urosh (Milutini), pa përmendjen në këtë rast e s’ëmës Helenë, por me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne. Bllokun e gurit, Ippen-i e gjeti të dëmtuar ne mes të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje, sipas shumë gjasave dhe mendimeve  si viti 1293. Por mbishkrimet, qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte simbas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit, dhe ky mbishkrim i dytë në këtë relacion, rezulton i vitit 1318. Sa kohë ka shkuar, dhe kisha është kaluar nga historia religjonare e ka “lundruar” midis ortodoksisë dhe katolicizmit, duke qënë e qartë se ndërtimi dhe rindërtimi janë vepra të besimit dhe kohës së kishës romane!? Po kështu, e kanë dhënë më 1879 Jireèeku (Rrugët tregtare, 66 shën. 210) dhe më mbas Jastrebovi, i cili edhe e vizitoi kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, 160). Duke qenë se në botimet në fjalë, (në relacionin) nuk përmendet ndonjë thyerje guri, duhet besuar që të jetë i saktë 1318-a. Ka gjasë, që në këtë mbishkrim të jetë fjala për një ndërtim të dytë, (ose të tretë të kishës nga Uroshi për shkak të dëmtimit të saj prej ujërave të Bunës dhe nevojës së tërheqjes në një kishë tjetër, më në brëndësi të tokës. Dëmtimet që kishte pësuar kisha me pushtimin osman gjenden të përshkruara, ndër të tjerë, prej Imzot Marin Bizzi-t në Relacionin e tij të 1611-s. “Ishte me një strukturë të madhërishme, - shkruan ai për të, - në gjendje të merrte brenda 3.000 vetë”. Konsulli frëng në Shkodër Degrand dhe konsulli austro-hungar po aty Ippen, studionin dhe merreshin në kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900). Ippen-i bëri inventarin të asaj kohe, regjistroi, lexoi dhe trans-shkruajti dy mbishkrimet, përshkroi teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Me rëndësi për historinë kishëtare dhe kulturore është vërejtja e tij: “Mbretëresha Helenë mbeti një katolike besnike, ndonëse ajo nëpërmjet martesës kishte ardhur në një familje dhe në një vend, që lëkundej midis besimit katolik dhe atij grek” (ortodoks) - (230). Ippen-i u shqetësua edhe për të ardhmen e rrezikuar të këtij monumenti të rrallë: “Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë” thotë ai. Ujët e lumit, përparon pandalur drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej, tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke, mbi të cilën ngrihet kisha, duke e marrë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëmbasnjëshme. Në këtë rast, zona e Bunës, do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë”. Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të pëshkruar në “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”. Ai regjistroi shumë mbetje, që mund të gjendeshin ende në kohën e tij: një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre (96). Por në vitet “30 me historikun e saj” është marë historiani At Marin Sirdani, në punimin “Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq” (“Hylli i Dritës”, II, 1930). Ky bëri matje të reja të reja të kishës, përshkrim të hollësishëm gjithashtu me të dhëna të reja rreth saj, por ai pati kujdesin të vinte re elementet bizantine në stilin e saj. Çfarë ka më rëndësi, ai ia doli të ndante mirë dy kishat afër ekzistuese njëra me tjetrën aty: Atë të “Shna Prendes” me mbishkrimin përkatës dhe atë të “Shna Bakut” ose, si e thërrisnin vendësit, “Shna Baftit”, me mbishkrimin e saj. Ky ka qënë edhe një arsyetim i jashtëzakonshëm model i shpjegimit historik më modern dhe të besueshëm. Në vitin 1953, gurët me mbishkrime i gjeti në ujët e Bunës Theofan Popa, i nxori nga atje dhe ata u vendosën në Muzeun e Shkodrës. Sa u përket dy mbishkrimeve, Popa ishte i mendimit që rindërtimi i Uroshit (Milutin) mund të jetë bërë eventualisht në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të “Shna Prendes”, përderisa në popull, kisha vijonte të quhej “e Shna Prendes” dhe në këtë mënyrë, gjen shpjegim edhe ekzistimi i dy mbishkrimeve të ndryshme në të njëjtën ndërtesë, gjithmonë sipas Popës. Teza e tij qe pak a shumë ajo që kishte shtjelluar Sirdani më 1930-n. Nga vitet ‘60 e më vonë” u interesua për këtë kishë posaçërisht studiuesi Willy Kamsi, i cili arriti të shpëtonte ndonjë mbetje, por edhe t’i parashtronte arsyetimet e tij në kumtesa, si “Një kishë e stilit romano-gotik në Shqipërinë e Veriut” (1984) dhe “Kisha e Kuvende të Shkodrës me rrethina në Mesjetë”. Guri me mbishkrimin e vitit 1290 ruhet  në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ndërsa ai me mbishkrimin tjetër, të 1318-s, ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës. Nga kisha e famshme, mbetet shumë pak gjë, dhe tashmë është një mur gjysëm në rrëzim e sipër e ka shumë më tepër gurë dhe reperte në ujrat e Bunës. Ka  pastaj skica dhe foto nga Ippen dhe Degrandi, por kanë lënë edhe Cordignano dhe Bettini, dy nga fotot e vjetra janë në muzeun e Shkodrës. Kisha e Shirqit vazhdon të luftojë me ujrat e Bunës dhe po ashtu edhe me historinë e saj në kohën moderne dhe historinë akoma të pa shkruar qartë, të shqiptarëve.


Ciano ne Shkoder foto e kohes

Galeazzo Ciano, gëzohet se ka mësuar shqiptarët të hanë “dy herë në ditë”, dhe hyn në Shkodër me makinë të karamboluar.

Ciano, ose njeriu që qëndronte midis Duçes dhe Mbretit, për “La Grande Albania”.

Besi Bekteshi
Gazetar, historian ne Arkivin e Muzeut Historik Shkoder



Ka disa dhjetra foto të vizitës së Galeazzo Ciano, ose “ministrit dhëndër” të Duçes, në Shkodër. Patjetër që fashizmi i përgatiti një hyrje triumfale Ciano-s, dhe në të vërtetë, ashtu i shkathët dhe shumë më tepër modern, se sa shumë të tjerë eksponentë të fashizmit të ardhur në Shkodër, ka bërë një lloj buje në atë kohë, duke qënë se ishte në idetë e tij një “mbrojtës i një Shqipërie të madhe”.
Shkodra në piacën e saj ishte veshur me ngjyrat e flamurit shqiptar, por edhe atij italian në trikolor. Kishte stema të ngritura në lartësi që tregonin “fashion”, dhe po ashtu edhe Shqiponjën. Një nga parullat tipike të modelit ideologjik të momentit të një entuzismi fashist ishte: “Ciano ci hai liberati” e që përkthehej më poshtë “Ciano na ke lirue”. Normalisht kishte parakalime foklorike dhe banda të ndryshme, dhe shumë ushtarë me përshëndetjet e fashizmit. Ciano ka vizituar disa qëndra, dhe ka biseduar, por më tepër ka dashur të ecë shpejt në Shkodër. Por ajo që ka rënë në sy më tepër, ka qënë makina e tij e karamboluar. Në fakt makina e zbuluar e Cianos, në krahun e djathtë, ka pasur një goditje relativisht të fortë, ka pasur një fener të djathtë të thyer, mbulesën e gomës së djathtë të dëmtuar, maskarinën pjesërisht të dëmtuar, dhe në këtë gjëndje makina e Cianos ka sfiluar në Shkodër. Nuk ka mbetur pa u vërejtur kjo gjë jo e natyrshme, për një ceremonial të tillë të rëndësishëm në qytetin e madh të veriut, duke qënë se Ciano është lartësia më e madhe fashiste dhe si ministër, por edhe si dhëndër i Duçes. Makina e dëmtuar është me timon në krahun e djathtë, dhe në ato kohë u justifikua me pikërisht këtë “difekt”, por ama nga pamjet duket qartë, që ka qënë një goditje nga lart poshtë në të djathtën e makinës. Ciano në atë kohë vinte në momente të një pushtimi dhe me idetë e tij të një Shqipërie të madhe, por që e vinte midis dy zjarrve që ishte vjehri i tij që nuk pyeste për jugosllavinë kaq shumë (në fillim kishte edhe idenë e Shqipërisë së Madhe) dhe Vittore Emanuele III, që kishte gruan nga Mali i Zi. Në ditarin e tij ai thotë: 22 maj 1940 nisem për Durrës. Arrij në Durrës dhe Tiranë, ka një pritje të ngrohtë. Shqiptarët janë të shumtë në një rrugë ndërhyrjeje (e ka fjalën për vazhdim të pushtimeve) dhe duan Kosovën dhe Çamërinë. Është e lehtë për ne që të shtojmë popullaritetin, duke u bërë kampionë të nacionalizmit shqiptar. 23 maj, vazhdon Ciano, vizitoj Shkodrën.......pastaj Rubikun. Aty është një minierë e bakrit shumë premtuese. Veprat publike që kam vizituar këtë mëngjez janë një sodisfaksion. Gjithkund ka një mirseardhje të ngrohtë. Populli shqiptar na është mirënjohës që “ju kemi mësuar atyre të hanë dy herë në ditë”, sepse kjo, rrallë ka ndodhur më përpara. Kjo duket shkruan Ciano “edhe në aspektin e tyre fizik i cili tregon një mirëqënie më të madhe”.  Ciano duket tepër i ngazëllyer dhe i lumtur nga Shqipëria. Por ai për një vit rresht, do të ketë punë me kërkesat e Mbretit të Italisë i cili do që të restaurojë dinastinë e Petroviçëve në Montegro. Ai shkruan në 24 prill të 41 se : Me Acquarone do të sistemojmë një vizitë që mbreti do të bëjë në Shqipëri. Duhet të flitet edhe për restaurimin e dinastisë së Petrovicëve.....duhet të shkojmë me qetësi dhe lehtësi drejt kësaj, sidomos për të mos ju kutuar shqiptarëve “krijimin e një dinastie të tyre”. Pastaj Ciano thotë në 28 prill: Mbreti insiston në restaurimin e dinastisë në Malin e Zi, por kam frikë se kjo mund të krijojë tensione në Shqipëri. Megjithatë nyja më e rëndësishme është çështja e kufirit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. E normalisht sipas ditarit të diplomatit të fashizmit Serafino Mazzolini i cili ishte caktuar edhe si “Komisar i Lartë” dhe që kishte lidhjet me Cetinjën” Ciano mbronte Luogotenenten e tij në Tiranë Jakomonin, i cili kërkonte të mbronte kufijtë e Shqipërisë, por me Ulqinin brënda dhe një pjesë të teritoreve që ishte në Malin e Zi. Kështu thuhet në kujtimet e Mazzolinit të sjella në kohë nga Giani Rosi në “”Ditari i Diplomatit”. Biles aty thuhet se “Mazzolini” po kujdesej të lajmëronte Romën të kishte vëmëndjen për “ipersensibilitetin e Malit të Zi”  e cila vinte nga historia konfliktuale midis dy popujve. Ka pasur edhe letra të tjera dërguar Cianos për pikërisht bashkimin e Ulqinit dhe tokave të tjera Shqipërisë, të cilat kanë pasur irritim dhe pakënaqësi të madhe në Mal të Zi. Në këtë sens thotë Mazzolini, Ciaon tenton një “mediazione” për të marrë garanci të shqiptarëve, për pronat e malazezëve në tokat që do ti kalonin Tiranës. Por kjo gjë sipas tij garantohesh nga “compagine imperiale italiana”.
Gjithsesi me 21 maj të 41, Ciano tregon qartë në ditarin e tij se “Mbreti kërkon ti kthejë Malit të Zi kufirin e 1914-tës, por kjo është e pa mundur, sepse “ne e dimë çfarë mund të ndodhë në Shqipëri” dhe dimë mirë ato që i quajnë padrejtësi nga traktati i Versajës. Ciano ka luajtur gjithmonë me letra të “sigurisë” për Shqipërinë, edhe në saj të vizitave të tij në vëndet ku në Shqipëri shikoheshin minerale dhe burime të jashtëzakonshme. Në foto, Ciano duket edhe në malësi, afër burimeve dhe pikave strategjike dhe normalisht miqësia me Jakomonin që nuk pëlqehej nga Duçe për shkak të falimentit të fushatës me Greqinë, e kishte bërë disi “pro shqiptar”.
Megjithatë fotoja e Marubit, ku Ciano futet në Shkodër me makinën e tij të dëmtuar nga një karambol, është ajo që ka mbetur më tepër në celuloid në qytetin e vizitës së Ministrit të Jashtëm dhe dhëndërrit të Duçes, i pushkatuar nga ky i fundit, në  11 janar të vitit 1944.