Letrat e pa ditura të drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës.
Shkodra, dhe burrat e saj në letra dhe jetë.
Nga Besi Bekteshi
Jemi në periudhën kur po afrohen zgjedhjet vëndore. Në të vërtetë, të ndarë që nga viti 1944, nga idea e pushtetit vëndor, nga idea e Bashkisë, Prefekturës dhe taksave, por edhe marrëdhënieve të këtij pushteti afër qytetarëve, ka që nga viti 1992 e deri tani, që akoma jetojmë me sistemin “flu” e këtij pushteti kaq të rëndësishëm. Të këtij pushteti që rregullon rrugët, mbledh plehrat, riparon dhe ndërton tortuaret, që krijon mjedise të gjelbërta, që ndriçon dhe që vizon rrugët. Akoma edhe sot, kur ka një deçentralizim më të madh, jetojmë si në ëndërr me “shtetin e madh”, atë shtet, që diktatura e kishte edhe në pushtetin vëndor, dhe që përfaqësohej nga “Komitetet e Partisë” dhe “Komitetin Ekzekutiv”. Por, por në të vërtetë, përpara viteve 44-tër ka pasur një pushtet vëndor, një administratë vëndore, apo më mirë të themi, ka qënë Bashkia, e cila në diktaturë, gjithmonë merrej si një model i “urryer”, që duhej dërmuar, shëmbur e barazuar me gjakpirësin.
Shkodra është një nga qytetet madhështore të funksionit pushtet vëndor që mbas pavarësimit të Shqipërisë, dhe që fillon me “Parlimentaren” dhe vazhdon mbas viteve 1922-23 me emrin “Bashkia Shkodrë”, me të cilin thirresh aso kohe pikërisht institucioni më i rëndësishëm i Shkodrës. Normalisht janë disa qindra dokumente të ruajtura me kujdes, për veprimtarinë e saj në ato mijra, që nuk ka qënë e mundur të ruhen për gati këto 98-të vite, të një ekzistence pa ndërprerje (në pavarësi) edhe kur Shkodra ishte një shesh beteje dhe lufte. Me kryetarin e parë real Musa Juka dhe me të tjerët, Bashkia e Shkodrës, është një shëmbull i jashtëzakonshëm funksioni, dhe pse jo ndershmërie qytetare. Ka shumë dukumente që e tregojnë se ka pasur burra të tillë, por unë kam zgjedhur një të veçantë, i cili edhe pse tepër i thjeshtë, ka në thelb marrëdhënien e xhentëlmenëve në krye të institucionit.
Në një vendim të datës 20 shkurt të vitit 1933, thuhet se “Kryetari i asaj kohe në Bashkinë e Shkodrës z Rustem Ymeri, i lutet këshillit për t’ju dhënë dy muaj parapagim paga e tij” dhe normalisht letra thotë: mbasi familja e tij ndodhet tepër e smuetë e për me i ba ballë shpenzimeve të mjekimit të saj, ka nevojë për të holla. Këshilli vendos, dhe me firmën e zotërinjve Bushati dhe Çoba jepet kjo pagesë nga arka e Bashkisë. Normalish janë edhe kambialet çeqe, të cilat e vërtetojnë këtë gjë. Pra, Kryetari i Bashkisë, ka njerëz të familjes sëmurë, dhe kërkon të ketë në dispozicion dy pagat e tij të kryetarit për të shërbyer familjes!! Në vetvete, kjo është prekëse dhe humane, aq sa të lë në një çuditje të jashtëzakonshme për moralin dhe sinqeritetin që si vëndimi dhe kërkesa kanë brënda saj. Është viti i largët 1933, dhe Bashkia e Shkodrës, sa ka filluar të mirëmbajë qytetin, të ndërtojë rrugë dhe trotuare, të kujdeset për lulishte dhe të mbledhë taksa në mënyrë të bindëshme. Po çfarë ndodh mbas disa kohe me Kryetarin Ymeri?
Në një vendim të datës 8 maj të pikërisht vitit 1933 sqarohet se “ ish Kryetari i Bashkisë Rustem Ymeri kthen pagën e marrë në avancë” në shifrën prej 590 franga ar”. Tashmë është titullari i ri i Bashkisë së Shkodrës Zenel Prodani, që ka pranuar kthimin e një page prej 590 franga ar, të cilat i ka kthyer kolegu i tij, i cili me që ka mbaruar mandatin i kthen në arkën e Bashkisë, por në fakt, ja kalon Kryetarit të ri të cilit i takon kjo pagesë. Pra muaji prill i vitit 1933 si pagesë e Kryetarit të Bashkisë, kthehet nga një titullar, për tu marrë nga tjetri.
Buxheti i Bashkisë së Shkodrës ka njohur dhe një moment të tillë human, tepër sinjikativ për veprimin e një titullari në nevojë që kthen në arkë rrogën e marrë në avancë ose parapagim, për arsye të pamundësisë për përballuar sëmundjet në familjarët e tij.
Në të vërtetë është viti 1933, kur në buxhetin e Bashkisë i cili është nga më të pasurit si mbledhje taksash në Shqipëri, mblidhen si “taksë doganore 7%” 60.000 franga ar, një rekord kombëtar ky, për “mjete transporti” 13.000 franga ar, për “qera ndertese” 5.000 franga ar, për “peshim e sergji” 18.500 franga ar, për “tabela” 2770 franga ar, për “baxha” 54.900 franga ar, për “leje e miratim ndërtesash” 1.000 franga ar, për “qera lulishte” dhe “qera ndërtese” 1.800 dhe 5.000 franga ar, e deri “për qen luksi dhe gjojet”.....100 franga ar. Është Bashkia, që mbledh taksën më të madhe në Shqipëri për “lulzim” prej 29.000 franga ar dhe ka mbledhjen e dytë të buxhetit më të madh në Shqipëri me mbi 1700 “dugajave” të saj, dhe bisneseve prodhuese apo zejtare. Ishte koha kur mblidheshin mijra e mijra franga ar si taksa, dhe shkonin në shërbime.
Por është viti kur kanë mbaruar “Rruga e Top-Hanës” dhe kanalizimet në “Rrugën e re të Top-Hanës”. Bashkia e Shkodrës në këtë kohë, mbaroi disa trotuare të “Parrucës” dhe rrugës kryesore që atëhere quhej “Washington”. Rregullimin e lulishteve të kësaj rruge dhe ngritjen e asaj të quajtur “Zog i I”. Mbarimin e rrugëve të “Ajasmës” dhe “Qafës”. Ishte koha kur Bashkia e Shkodrës, shtronte rrugë jo vetëm me “çakull”, por edhe me asfalt. Ishte koha e largët e vitit 1933, kur ka filluar ndërtimi i “pendës së Kirit” dhe rrugëve të brëndëshme të lagjeve të vjetra të Shkodrës. Ishte koha kur Bashkia mendonte realisht për qytetarët, dhe këto të fundit shikonin se institucioni vepronte. Ishte koha, kur Kryetarët e Bashkisë, nderonin çdo frangë ari, çdo të ardhur, dhe kjo mënyrë veprimi kishte rregullat, e për më tepër burrat e ndershëm, që kthenin menjëherë pagën e cila edhe pse e marrë për hall të madh, ishte detyrim që të kthehej. Bashkia e Shkodrës, është patjetër shëmbulli më i vjetër, më i pa shkëputur i pushtetit vëndor në Shqipëri, por edhe shëmbulli i një administrimi që ka nxjerrë dhe nxjerr burra që sillen si të tillë, pikërisht si burra, kur janë në pushtet.
Nessun commento:
Posta un commento