Shkodra
Shkodra Town
lunedì 17 settembre 2012
sabato 8 settembre 2012
NY Times per Shqiperine e vitit 1977
Imagjinata e analizës në NY Times, “se shqiptarët presin ndryshim” në vitin 1977.
Koment-Dossier
Besi Bekteshi
Normalisht që në verën e vitit 1977, në perëndim po kuptohej se parimet e Enver Hoxhës, ato parime staliniste të tijat, po e prishin edhe me Kinën, ose vëndin tashmë “revizionist” që kishte zëvëndësuar vëndin tjetër mik edhe ai revizionist. Në një nga shkrimet shumë të rralla, të testatës më të madhe amerikane New York Times të 28 korrikut 1977-të që bën fjalë për Shqipërinë dhe i shkruar nga “MALCOLM W. BROWNE” tregohet gjëndja katastrofike e vëndit të Enver Hoxhës. Tashmë stalinisti Enver Hoxha, me vëndin e vetëm ateist të shpallur në botë, dhe të një varfërie ekstreme, po prishej ideologjikisht edhe me Kinën e mbas vdekjes së Mao Ce Dunit e cila kishte filluar marrëdhëniet me SHBA-të. Artikulli është i shkruar në fakt nga Beogradi dhe natyrisht politika e asaj kohe në Beograd, ka ndikuar edhe në artikullin e New York Times. Në fillim të artikullit të rrallë, por tashmë të detyruar për Shqipërinë thuhet: Nëse ndarja rezulton serioze, siç vlerësohet nga zyrtarët jugosllavë, Enver Hoxha, udhëheqësi shqiptar, do të përballet me një vendim të rëndë. Për më tepër, Shqipëria do të duhet të hapë më shumë dyert për tregti dhe kontakte të tjera, gjë që gërryen në këtë mënyrë pushtetin e tij absolut, ose vendi do të përballet me varfëri dhe skamje. Pra politika e botës po kuptonte se “ose Shqipëria do të hapej dhe do të shkonte drejt fundit të diktaturës ekstreme që kishte, ose do të mbyllej dhe do të shkonte në pikërisht varfërinë më ekstreme në sëpaku Europën e qytetëruar. Kjo e dyta ndodhi dhe me sa duket shpresa si e politikës jashtë dhe ajo në Beograd për një “hapje”, ishte vetëm një ëndërr. Titulli në fakt i artikullit është “Albania, ideology-bound, may lose its ally” që pak a shumë duhet shqiptuar si “Shqipëria humbet aleatët për besnikëri ideologjike” dhe këtu sillet edhe tema e rëndësishme në përgjithësi. Perendimi, por dhe fqinjët e Shqipërisë e dinin se tashmë shqiptarët po të mos lëviznin drejt hapjes....do të hanin barë. Artikulli pastaj vazhdon për të sqaruar edhe modelin e Enver Hoxhës duke shkruar se: Që në fundin e Luftës së Dytë Botërore, zoti Hoxha, i cili tani është 68 vjeç, kishte marrë modelin e drejtimit të tij sipas Stalinit dhe më pas atë të Maos. Zoti Hoxha, ka refuzuar atë që quhej “revizionizmi” i Nikita Hrushovit në Bashkimin Sovjetik, apo të presidentit Tito në Jugosllavi, dhe tani të udhëheqësve të rinj në Kinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai nënshtroi komunistët rivalë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka spastruar Partinë Komuniste të Shqipërisë, shpesh duke ekzekutuar edhe kundërshtarët e tij. Kjo ishte edhe një dilemë tjetër nga ato jashtë në fakt...!! Ashpërsia e të tilla spastrimeve ishte kuptuar nga shumë analistë të huaj se Zoti Hoxha po përballet me një opozitë serioze. E në fakt, këtu ishin gabim, po gabim fare, sepse asnjëherë Enver Hoxha nuk ka pasur ndonjë opozitë serioze jo vetëm në partinë e tij, por dhe jashtë saj dhe eleminimet edhe të mendimit, ishin akoma më të mëdha në saj të popullsisë së vogël edhe se në Kinë dhe BRSS. Mbanin shpresë atëhere në perëndim se “zgjatja e pozitave të Hoxhës ishte e lidhur me Kinën” dhe ky është edhe gabimi tjetër i analistëve, të cilët nuk arrinin të merrnin me mënd ekstremin genocid kulturor dhe ushqimor, që Hoxha mbas prishjes me Kinën, do ti sajonte popullit të tij. Pastaj fobinë e izolimit të Hoxhës jo vetëm ndaj imperializmit amerikan dhe socialimperialistëve sovjetikë, por edhe fqinjëve e sqaron dhe me Kosovën dhe teritoret shqiptare jashtë trungut prej 28 mije km katror. Në artikull thuhet: Disa prej shkaqeve të izolimit të Shqipërisë, me një popullsi 2.5 milionë banorë, janë të bazuar te frika prej fqinjëve të saj. Rreth 1 milion banorë jetojnë në rajonin e Kosovës në Jugosllavi. Beogradi është i shqetësuar kohë pas kohe se shqiptarët mund të shqyrtojnë mundësinë të krijojë bashkimin mbarëshqiptar duke marrë Kosovën. Në anën tjetër, Tirana zyrtare shqetësohet se Jugosllavia mund të mund të shqyrtojnë mundësinë që të marrë Shqipërinë nën zotërimin e saj vetjak, duke aneksuar të gjithë shtetin shqiptar. Një tjetër irritim i Tiranës është për faktin e të qenit e informuar se shqiptarët në Jugosllavi janë të varfër, përgjithësisht të pa-arsimuar, dhe me një nivel lindjesh dhe vdekshmërie të lartë.
Sipas një zyrtari jugosllav, “të dallueshëm lehtësisht nga kësula e tyre konike dhe veshjet kombëtare plot ngjyra, shqiptarët në Jugosllavi janë trajtuar, siç trajtoheshin dikur zezakët në Shtetet e Bashkuara”. Pra artikulli që nga Beogradi kishte të qartë edhe politikat rajonale dhe të marrëdhënieve me Kosovën në përgjithësi. Në fakt është viti 1977-të dhe konsiderohen kosovarët të varfër dhe të pa arsimuar dhe ndoshta për të dytën mbase edhe ka të drejtë artikulli, por vafëria e shqiptarëve të Shqipërisë tashmë nuk kishte arritur të kuptohej, dhe sot ne dimë mirë se Kosova në ato vite kishte mbi 10-të herë nivel më të lartë, se sa ne, duke pasur edhe prona dhe liri lëvizjeje. Patjetër kjo ishte edhe një pikë habitje, sepse vëndi i Hoxhës ishte i plotësisht izoluar. Mbasi trajtohet ana e ateizmit, vjen problemi te refuzimi i ndihmave nga Hoxha edhe në një kohë kur Kina kishte ndaluar vaporët të vinin me patate dhe grurë në Shqipëri. Në artikull thuhet: Në kongresin e partisë të nëntorit të kaluar, zoti Hoxha ripërsëriti refuzimin e tij të pranojë ndihma nga çdo vend, Perëndimor apo blloku Sovjetik dhe në një adresim për vendet neutrale, ai denoncoi “sistemin vetadministrues të Titos si një armë e doktrinës borgjeze.
Ai thotë se Kushtetuta e vitit 1976 synon të “bllokojë rrugën e revizionizmit” dhe të mbrojë Shqipërinë nga eksperienca negative e disa vendeve në të cilat u braktisën parimet e diktaturës së proletariatit me formulimin magjik të revizionizmit, arma më e rrezikshme e kundër-revolucionit”.
Ndërkaq, rreth 50% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë është me Kinën dhe gjysma e tjetër me vendet të Europës Lindore. Shqipëria nuk ka marrëdhënie tregtare me Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Prapambetja e Shqipërisë shfaqet kudo. Tashmë habija është akoma më e madhe, por pretendimet e analistëve shkojnë drejt jo të pamundurës me një popull të tillë. Artikulli vazhdon me fundin e tij të një analize të përciptë, por që tregon se fati i Shqipërisë i është lënë vetë popullit të saj. Po, sepse Shqipëria për nga dogmatizmi, varfëria dhe izolimi ja kalonte çdo vëndi tjetër lindor dhe vetë Kinës. Pra ishte diçka e pa shpjegueshme qartë dhe mirë nga perendimorët, që nuk lejoheshin të hynin si reporterë në Shqipëri. Në artikull thuhetoxha nuk ka pasur nndonj:Një diplomat Perëndimor që e vizitoi rastësisht Tiranën thotë se “çështja është sesa gjatë shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë këtë jetë me varfëri në këtë regjim spartan dhe me një pastërti të tillë ideologjike. Asnjë nga turistët e paktë Perëndimorë që kanë mbërritur në Tiranë, - me përjashtim të atyre amerikanë, pasi nuk janë lejuar të vijnë në Shqipëri, - përfshirë edhe ne diplomatët, nuk janë lejuar të shikojë apo dëgjojë ndonjë gjë”. “Por, ne mund ta marrim me mend se atje duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të mirëpresin një ndryshim”. E para kishte një gabim të madh diplomati sepse krahasonte regjimin spartan me regjimin e Enver Hoxhës që është si të krahësosh parmëndën e tërhequr nga qetë, dhe atë të tërhequr nga njerzit...në vënd të qeve. E dyta, është fjalia e rëndë e cila i vendos perendimorët në pozita inferiore me regjimin stalinist të Tiranës ku thuhet se “por ne mund të marrim me mënd se atje janë shqiptarët që duan ndryshim”. Akoma më keq është kur thuhet edhe fraza “pastërti ideologjike” që të lë të kuptosh se “Hoxha” është një ideolog marksist leninist....kjo ishte fare pastaj. Një person që po ruante vetëm kolltukun e tij nëpërmjet stalinizmit perceptohet me “pastërti ideologjike...!!?
Normalisht si vëmëndja e artikujt edhe në një testatë kaq të madhe ishin të pakta për Shqipërinë, por ajo që kishte më rëndësi ishte se në momentet gjatë luftës së ftohtë, Shqipëria ishte vetëm një ishull i banuar nga qënie të cilat pothuaj nuk kishin lidhje me teritorin kontinental ku banonin.
venerdì 31 agosto 2012
Antikat dhe qarkorja e vitit 1922
Antikat, dhe modeli i parë i ruajtjes së
vlerave kombëtare përpara 90-të viteve.
Opinion
Besi Bekteshi
Pydyshim që të huajt kanë punuar në mungesë të
një shteti shqiptar edhe për mirë, por edhe për keq në tokën e shqiptarëve.
Zbulimet janë të mëdha deri në vitet 1920-të, dhe për këtë duhen falenderuar si
zbulues gjermanë, italianë dhe austriakë, por edhe francezë, por sidomos gjatë
periudhës së pushtimeve të huaja mbas 1912-tës, i gjithë teritori i vëndit ju
nënshtrua një gërmimi dhe gjetjeje masive të “antikave”, ose më mirë reperteve
arkeologjikë, pikturave, skulpturave, gurëve të varreve të vjetër, nën tokë dhe
mbi tokë. Oficerë të huaj dhe kryesisht italianë dhe austriakë, por edhe të
tjerë përveç ideve për politikat ushtarake dhe luftuese, kanë pasur organizime
të posaçme si të komandave dhe personale, për të gjetur dhe marrë reperte të
jashtëzakonshme në saj të gërmimeve, gjetjeve, pyetjeve dhe sondazheve fshat më
fshat, dhe vënd për vënd. Ekzistojnë disa raporte komandash të cilat bëjnë me
dije këtë “marrje nën kujdes” të artefakteve të shumtë, dhe midis tyre ka edhe
akuza për vjedhje të sigurta të bëra gjatë kësaj kohe. Nejse, ja vlen që të
studiohet më qartë kjo grabitje që është bërë edhe në “emër të ruajtjes së
vlerave” për që ka justifikuar vjedhjen e pasurisë kombëtare shqiptare. Dakort.....në
fakt aspak dakort.... por në vitet e para të mbas 1920-tës, qeverisë krahas
shumë të tjerave i është dashur të përballet me raporte të veçanta për pasurinë
e “Antikave”, të cilat po vazhdonin të vidheshin, të shkonin në muzetë jashtë,
por sidomos koleksioneve personale të
njerzve që kanë rilevuar dhe bredhur për këtë qëllim tokën shqiptare. Ose edhe
atyre që dinin dhe blinin. Shitjet kolesionisëve të pasur ishin të mëdha, dhe
dëmi po shtohej, por ndërgjegja kombëtare tashmë ishte më e ngritur në këtë
drejtim. Nga të dhënat që kishte marrë Ministria e Brëndëshme në maj dhe
qershor të vitit 1922, dilte se kishte akoma njerëz që pasuronin veten në saj
të vjedhjes së antikave. Mungonin shumën të tilla dhe kishte denoncime në shumë
qytete të mëdha, si dhe numri i ankesave ishte i madh. Flitej se nga këto
denoncime, artefaktet që mungonin dhe kishin qënë të identifikuar kalonin
shifrën e madhe 600. Ishte pra, një problem i madh. Zakonisht denoncimet vinin
nga sistemi tashmë i sapo ngritur arsimor, dhe ishin mësuesit në mungesë të
specialistëve dhe arkeologëve, që kishin vënë alarmin për këtë shkatërrim të
vlerave kombëtare. Në këtë kushte, Ministria e Brëndëshme në bashkëpunim të
ngushtë me Ministrinë e Arsimit, nxjerrin një qarkore të shpërndarë
prefekturave dhe degëve të drejtorive arsimore me qëllimin e qartë
identifikimin dhe pastaj mbrojtjen e artefakteve, dhe patjetër synimin e
krijimit të Muzeve në të gjithë vëndin. Në fillim ishte një qarkore urdhër dhe ligj e
Ministrit të Brëndëshëm A. Zogu që urdhëronte zbatimin e qarkores së Ministrit
të Arsimit R. Mitrovica. Qarkorja në fjalë është e datës 22/6/1922 dhe kërkonte
që kjo qarkore e rëndësishme ti “shpallej popullit sa më parë”. Në fakt çfarë
thoshte qarkorja e Ministritt ë Arsimit.....!? E duhet thënë se qarkorja e Mitrovicës ishte e
datës 18/6/1922. Aty thuhej se “antikat kanë dalë në shesh dhe prej tyre del
edhe historia, kanë dalë gjana që nuk i kena ditë”. Në qarkore përmënden se
kush janë antikat dhe se çfarë vlere kanë ato. Aty thuhet qartë se përveç
vlerës e dobisë shkencore, kanë edhe vlerë morale, sepse e nxjerrin shtetin
tonë faqebardhë në sytë e botës së qytetnume.....! Është detyrë e çdo arsimtari të kujdeset për
të ruajtur këto vlera që të mos prishen, vidhen dhe të mos shiten...! Përmëndet edhe fakti se “mjerisht nji shumicë e madhe...kanë vojtun
dam....tue u prishun, ose tue u shitun....tue u qitun jashtë Shqipnisë në kohë
të pushtimeve të hueja”....!
Sot është koha që të pushojë diçka e tillë
thotë qarkorja, pra grabitja, dhe duhet ngritur një Muzeum Kombëtar që mbas
kësaj të demostrohen dhe mos rrënohem më. Për këtë, tani në fillim duhet
kujdesur nga Ministria e Arsimit dhe arsimtarët, dhe prandaj urdhëri është ky:
Çdo mësues katundi duhet të vëzhgojë katundin e vet dhe ato përreth dhe duhet
të lajmërojë inspektorinë e Qarkut. Pastaj numëri dy: Ky urdhër ju jepet edhe
mësuesve të qyteteve. Qarkorja vazhdon edhe me urdhërin që merr inspektoria e
qarkut dhe nga inspektorët e saj duhen larjmëruar bashkitë e komunat që të
marrin në dorëzim antikat ose ti kërkojnë ato.
Urdhëri ishte që çdo bashki duhet të kishte një vënd për të ruajtur
antikat e mbledhura. Në fakt jepej urdhër për vëzhgim të kujdeshëm për antikat
në rastet e gërmimeve në ndërtime dhe themele dhe ndërtime të rrugëve..etj etj.
Nuk mund të kishte njerëz më të
kujdeshëm dhe më profesionale, apo dhe të ndjeshëm se sa arsimtarët që ishin më
të shkolluarit në atë kohë paditurie, dhe mbas lufte në trojet shqiptare.
Gjetja e tillë ishte shumë inteligjente.
Pra shteti më në fund po fillonte edhe pse në
fillimet e tij, kujdesin dhe ligjet mbi “repertet dhe antikat” në
Shqipëri. Nga disa të dhëna u pa qartë
se në disa rrethe të Shqipërisë si Shkodër, Berat dhe Gjirokastër, por edhe në
Durrës dhe Korçë, u gjetën dhe u mblodhën mbi 400 artefakte të ndryshëm që
kishin të bënin kryesisht me varre dhe statuja, apo edhe piktura dhe patjetër
vënde kulti të vjetra. Drejtoritë
Arsimore, u bënë promotoret e zhvillimit të anës muzeale, edhe pse shteti nuk
kishte akoma ligje të posaçme për këtë periudhë të fillimit të shtetit. Puna ishte tepër e vështirë dhe tepër në
injorancë të madhe të popullsisë, por gjithsesi momenti ishte tepër i
rëndësishëm dhe në Tiranë, por edhe Shkodër apo Durrës, u vendosën edhe gjoba
dhe u futën në burg trafikantë artefaktesh apo “Antikash”, që në atë kohë
quheshin vlerat dhe repertet e qartë arkeologjikë dhe historikë në
Shqipëri. Në të vërtetë, ishte shumë e
vështirë edhe për kushtet, por ajo që shihet qartë është se qeveria ishte
koshiente mbi dëmin dhe masat që duheshin marrë, për të mos pasur më një
shkatërrim të madh të vlerave muzeale dhe antike të vëndit. Kanë kaluar 90-të
vite, dhe normalishte jemi në kohë tjetër, por fillimet e anës muzeale dhe
ligjeve zyrtarisht për artefaktet datojnë historikisht në datën 18 qershor të
vitit tashmë të largët 1922.
mercoledì 29 agosto 2012
Respekt per parimet e Rilindjes Kombetare
Kujdes në “liritë ideore sot”, për disa parime
të Rilindjes Kombëtare.
Opinion
Besi Bekteshi
Historian Arkivi Shkoder
Një nga parimet e
rilindjes kombëtare shqiptare është padyshim edhe thënia e Pashko Vasës “Feja e Shqiptarit është
shqiptaria”. Normalisht është parim, sepse ka ndihmuar në atë kontekst, në ato
kohë, dhe në atë zhvillim kombëtar dhe kulturor, të vendosë në plan të parë
kombin. Sot patjetër që mund të ketë shumë kush vërejtje për shprehjen në
fjalë, por rilindasi i madh shkodran, poet dhe shkrimtar, por edhe krijues i
alfabetit, jetoi në atë kohë dhe ngriti parimet rilindase sidomos për atë kohë.
Në disa prej debateve kryesisht mediatike dikush edhe religjonar thotë se ai “
me forcë thotë fenë e tij” dhe se shprehja e Pashko Vasës tashmë është një
rudiment. Po.... mbase ka të drejtë, por një pyetje mund ti bëhet një
religjonari të tillë, apo edhe të tjerëve religjonarë por që mendojnë si ai: Në
qoftëse shkojnë në një vënd tjetër, qytet tjetër, shtet tjetër e kam fjalën, me
çfarë prezantohen në fillim? Ë pra, duke thënë jam mysliman, katolik, ortodoks
apo....çfarë feje janë?! Kam idenë se në
qoftëse nuk kanë turp të thonë “jam shqiptar” patjetër që do të
prezantohen...Jam shqiptar...dhe ato që kanë turp mbase mund ti tregojnë
religjonin në fillim, por shqiptarë që shqiptarë do të mbeten. E në fund të
fundit po ju prezantove me religjon mund edhe të kenë respekt, por asgjë në
fakt nuk kanë marrë vesh. E ky është edhe konteksti i Pashko Vasës. Me parimet
e “Rilindjes Kombëtare” nuk duhet luaj, qoftë ky edhe një religjonar, në
cilindo religjon që është, apo ai e përcakton veten. Ka edhe diçka. Religjonin njerzit
mbase edhe mund ta ndryshojnë, vëndin e lindjes dhe përkatësinë etnike.....JO.
Këtu e ka pasur fjalën edhe Pashko Vasa dhe vlen edhe për sot. Po shtoj edhe diçka tjetër. Sasia e shqiptarëve në botë, është e madhe
vetëm e njehsuar me kombin, etnosin kombëtar dhe normalisht zvogëlohet kur
ndahet pastaj në religjon....! E këtu e ka pasur fjalën dje Pashko Vasa, dhe po
kështu qëndron edhe sot. Pra jam krenar se jam shqiptar, dhe jam krenar se jam
shqiptar mysliman, orthodoks dhe katolik shqiptar. Në fakt ka ndodhur se
komunizmi, doktrina e marrë e enverhoxhizmit shqiptar, e përdori edhe thënien e
Pashko Vasës. Normalisht e përdori për ti shërbyer goditjes së religjoneve në
Shqipëri. Pashko Vasa u intepretua si ateo i plotë i kohës dhe shprehja e tij
si dëshmia e ateizmit të “Rilindjes Kombëtare”, dhe pastaj filloi shkatërrimi i
institucioneve të kultit dhe vrasjes së klerikëve në Shqipëri. Po, u krijua
absurdi më i madh në botë që ishte shteti i parë ateist i shpallur në
planet....! Konteskti i vargut “E mos
shikjoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria” u bë edhe modeli
për të shkatërruar pikërisht kishat dhe xhamiat.....!! E kjo ishte makabria e
modeluar nga perversiteti enverhoxhain në Shqipëria. Identifikimi i rrezikshëm
i shqiptarëve në kohën e rrezikut të humbjes së identitetit shqiptar me religjonin, e kishin vendosur parësore
kombin si bosht identiteti. Pra, atëhere identifikimi me religjon po humbiste
bashkimin në komb të shqiptarëve, dhe pikërisht kjo te poezia madhështore e Pashko
Vasës te O shqypni e mjera shqypni.....!! Një multi linguist si Pashko Vasa dhe
një person që ka ngritur “Komitetin qëndror për mbrojtjen e të drejtave të
popullit shqiptar” në Stamboll dhe autori i Momerandumit Britanik mbi
“Autonominë efektive” të paraqitur nga ambasada britanike në Stamboll...dinte
se si ishte halli në fakt. Ai ishte normalisht njeriu që njihte si lindjen dhe
perendimin, dhe ishte edhe një pasha për më tepër kaolik në aristokracinë
atomane, por edhe krijues me alfabet latin të gjuhës shqiptare. Kujdes të madh
në gjykimin e sotëm në liri të të shprehurit me parimet e “Rilindjes Kombëtare”
e cila padyshim është koha e njerzve absolutisht më të lartë të Shqipërisë, në
të gjitha kohët. Njohja e italishtes, frengjishtes, turqishtes, greqishtes dhe
pastaj si sekretar i konsullatës britanike në Shkodër mësimi i anglishtes dhe
serbishtes, por edhe arabishtes, e bënë një poliglot të madh të historisë dhe
natyrisht njohës shumë i mirë i politikës. Dy shqiptarë të lartë si Pashko Vasa
dhe Ismail Qemali rreth viteve të Lidhjes së Prizrenit kanë punuar si
administratorë në Ederne në vilajetin të madh dhe atëhere ka marrë edhe
titullin Pasha. Vdiq duke qënë guvernaror i madh në Liban por veprat e tij janë
të jashtëzakonshme dhe vlera e tij sidomos për Lidhjen është maksimale. Sëbashku
me të mëdhenjtë e tjerë Hasan Tahsini, Koto Hoxhi, Jani Vreto e Sami Frashëri,
ka bërë alfabetin shqip në fakt, ose bazën e gjuhës moderne shqipe, dhe kjo
gjuhë unifikuese nuk do të ishte krijuar në qoftëse këto njerëz do të kishin
parime të tjera jo bashkuese që mund të influencoheshin nga religjoni.
Kujdes me parimet e
“Rilindjes Kombëtare”, sepse gabojmë qartë dhe shumë shpejt edhe sot po ti
dashakeqësojmë për ti nxjerrë si atavizma kombëtarë. Duhet larguar
“enverhoxhizmi” dhe përdorimim për anti-religjon i shprehjes së rilindasit të
madh, por shqiptarët po të tundohen nga ana tjetër bëjnë sërish gabim. Pse?
Po sepse ka shenja
se përpara se të thuhet jam shqiptar bie fjala si refugjat tani dhe dikur në
Greqi...kryesorja ishte të ishe....orthodoks!! Po, edhe te shqiptarë diku në
...bie fjala Maqedoni...shqiptarë me “rroc e me koc” ju leverdis të
klasifikohen si...mysliman! E kjo nuk
është aspak punë e mirë. Në fakt duke
vepruar kështu, shqiptarët kanë fituar disi identitet tjetër, por kanë humbur
identitet shqiptar. Mbase ka ardhur koha..... dhe kanë humbur dhe gjuhën
pastaj....!! Edhe veshjen, edhe kulturën dhe po ashtu edhe pasaportën dhe
mënyrën e të folurit. E kjo nuk është aspak e mirë. Kujdes me parimet e rilindjes, sepse është
shumë pak një shekull, biles shumë pak edhe dy shekuj në kombformin dhe gjuhë
kombëtare, por edhe shtet dhe komb shqiptar në vazhdim. Është shumë pak, dhe vlejnë edhe për sot shprehje të tilla sa
do që janë keqpërdorur nga komunizmi idiot dhe dogmaxhi shqiptar. Ky komunizëm
donte të zhdukte religjonin në Shqipëri, jo se donte kombin, por se donte të
vendoste një religjon tjetër...atë të Enver Hoxhës që ishte “Stalinizmi shqiptar”. Kurse shprehja e
rilindasit vazhdon të ketë vlerë në kohën kur vazhdojmë të jemi në kombformim.
Ne vazhdojmë edhe sot e kësaj dite të kemi komshi, shtete që kanë brënda kombe
që thonë...një atdhe, një popull, një tokë...dhe me të tilla shprehje i kanë
lejuar vetes vrasjen dhe gjenocidin, kurse shqiptarët janë në fakt etnikisht të
pastër, por multireligjonarë që i bën të jenë sa modern edhe të fortë. Duhet të
mburremi me tolerencën tonë fetare që dikur në komunizëm e shpjegonin me “paganizmin
tonë në origjinë”. Sot nuk duhet të bëjmë po të njëjtin gabim, duke retushuar
parimet e rilindjes, për arsye të forcimit artificial të dijenisë apo qënies
besimtar. Religjoni është një sistem i madh vlerash në Shqipëri, kur është
multi është akoma më qartë dhe më mirë sot i dobishëm, kurse kombi dhe qënia
shqiptar është një. Multi religjoni
është i dobishëm, sepse na afron me shtet e mëdha dhe perandori të mëdha, kurse
kombi na bën krenar për origjinën tonë të fisme që më tepër sot duhet ta mbrojmë.
Na respektojmë ato jashtë se jemi tolerantë në religjon. Bëjnë mirë...por....!
Kurse unë them nuk jemi tolerantë, por jemi shqiptarë që jetojmë, punojmë,
këndojmë, martohemi, festojmë, dhe vdesim si shqiptarë. Po të prishet kjo, pastaj mbase vjen ajo që quhet...tolerancë.
Por ne jemi shqiptarë. Kjo është
madhështore, dhe këtu nuk ka asnjë gabim
në shprehjen e të madhit Pashko Vasa.
venerdì 24 agosto 2012
Perkujtimore per forcat nderkombetare te vitit 1913
Një qëndër që kërkon respekt edhe për të
huajt!
Opinion
Besi Bekteshi
Deri në atë kohë të pritshme, por që me sa
duket do shumë vite për të ardhur, kemi akoma disa raporte me shtatoret e
luftës pa vendosur në vëndin e tyre. Normalisht nuk kam asnjë lloj replike me
ato partizanë dhe pjesmarrës të luftës, që në atë kohë i është thënë nacional-çlirimtare,
por besoj se shumë kush e kupton se vlerësimi i figurave dhe akteve në
historinë tonë ka qënë i njëanshëm.
Një nga momentet akoma të pa respektuar në
historinë e Shqipërisë, është edhe maji i vitit të jashtëzakonshëm 1913. Është më se e vërtetë që burrat shqiptarë
arritën që me 28 nëntor të 1912-tës, të shpallin pavarësinë, por qeveria e
Vlorës ishte në vështirësitë e mëdha në shtet formimin e kërkuar, dhe ëndërruar
nga shqiptarët. Jo vetëm që teritore shqiptare kishin mbetur dhe ishin jashtë kontrollit,
por rrezikohej edhe pjesa e vetme e ish katër vilajeteve të dikurshëm, të
kalonte në sundimin malazez në saj edhe të shtysave sërbe dhe akoma më në
periferi ato ruse. Ishte qyteti më i madh i trojeve shqiptare në vitin 1913-të,
që jo vetëm ishte rrethuar dhe lënduar ashpër nga malazezët, ishte martirizuar
dhe rezistenca është e pashoqe, por po rrezikohej të dilte përfundimisht
Shkodra si teritor shqiptar zyrtarisht dhe forcërisht. Në fakt ishte një situatë absurde edhe në
marrëdhëniet me perandorinë turke, ose sundimin ushtarak dhe disi më pak civil
të Turqisë tashmë në Shkodër. Një administratë që “lejonte.....por dhe mbronte ushtarakisht” nga malazezët. E historianografia jonë është marrë më tepër
me Esad Pashën, Princ Danillo, Hasan Riza Pashën, Krajl Nikollën, me flamujt që
uleshin dhe ngriheshin dhe patjetër kanë dalë në plan të dytë si sakrificat e
popullsisë së martirizuar dhe çlirimit të Shkodrës nga forcat ndërkombëtare.
Biles duke e ngatërruar shumë momentin e vitit 1913 me luftën e parë botërore
edhe ndërhyrjen e pesë fuqive të mëdha, historianografia dikur, por edhe tani e
konsideron.....pushtim! Në fakt Shqipëria po njihej nëpërmjet Shkodrës në
botë. Kancelaritë e Europës dhe kryesisht në
Britaninë e Madhe, Austro-Hungari, Itali, Francë, Gjermani, Rusi, por patjetër
edhe Mali i Zi dhe miqtë e tyre serbë, ishin në trysni, lëvizje, dhe
delagacione. Kurse Shkodra ishte vetëm një qytet nën sulm. Ai tashmë ishte
qyteti ku seriozisht mund të fillonte lufta e parë botërore. Interesat e fuqive
të mëdha ishin të ndryshme dhe patjetër ndërhyrja e malazezëve dhe rrethimi i
Shkodrës ishin në plan të parë politik dhe gjeostrategjik. Nejse, për të mos
bërë sërish histori, duhet thënë se me shumë përpjekje, u mor vendimi për të
ndërhyrë me forca ushtarake në Shkodër. Ishte eksperimenti i parë ndërkombëtar
serioz në vitet e para të shekullit, që kërkonte të shuante luftën e mundëshme
midis fuqive të mëdha. Flota detare bëri
bllokadën në adriatik dhe afër Tivarit, dhe më në fund, me anën e disa anijeve
lumore në Shkodër hynë trupat e para të marinsave britanikë, austriake,
gjermanë, italianë dhe francezë...zbarkuan në pontilin e Shkodrës. Po në këtë gazetë, kam botuar edhe kush ishin
trupat, sa ishin, si erdhën, me çfarë erdhën, kush i komandonte dhe çfarë bënë
menjëherë kur “pushtuan” ose më qartë çliruan Shkodrën në maj të vitit
1913. Në qershor erdhën pastaj edhe
trupat tokësore dhe nga “admiraliati”, komanda i kaloi forcave tokësore të kolonelit
Philps. Dakort, por në fillim administrmin e largimit të malazezve me ultimatum
dhe biles marrjen në dorëzim të qytetit nga një oficer i lartë turk, e ka bërë
sir Cecil Burney, ose admirali britanik që komandonte forcat e marinës që liruan
qytetin e Shkodrës. U ngritën pesë flamujt e fuqive paqeruajtëse në Rozafat, dhe përfundimisht Shkodra
përfundoi jo vetëm së qëni e pushtuar nga malazezët, por edhe nga administrimi
turk. E kjo nuk është respektuar aspak, dhe sot është koha për ta vendosur në
vënd ndërhyrjen paqeruajtëse të forcave të komanduara nga Admirali britanik sir
Cecil Burney. Ky admiral pastaj ka takuar edhe qytetarët shkodranë, politikanë
dhe njerëz të fuqishëm, por njëkohësisht edhe malësorë, dhe prijsa të malësive
të Shkodrës. Në fakt Shkodra u nda në
pesë rajone administrimi, dhe britanikët morën qëndrën dhe ky rast u shfrytëzu më
vonë edhe për Berlinin. Ndërhyrja e paqeruajtëve në 1913-të në Shkodër, mbylli
përkohësisht luftën, por në fakt i ngjan edhe ndërhyrjes së forcave të NATO-s
në Kosovë. Normalisht janë fotot dhe
dokumenta, apo edhe shkrime nga autorë
të lartë që flasin për këtë moment delikat, kur rrezikohej që Shkodra si qyteti
më i madh dhe një popullsi prej 200.000 banorësh me rrethinat e saj...të dilnin
përfundimisht nga trungu i Shqipërisë. Këto forca, dhe shpirti i madh i rezistencës
shkodrane, nuk e lejuan këtë gjë. Për
këtë sir Cecil Burney dhe momenti, e meritojnë një shtatore, një pllakatë të
madhe, ose në qëndër të Shkodrës ku më vonë kanë ardhur trupat ndërkombëtare,
ose në pontilin e Shkodrës, për këtë 100 vjetor të pavarësisë. Po, dhe të
shkruhen edhe emrat e oficerëve të lartë që e çliruan, dhe jo e pushtuan
Shkodrën. E çliruan qytetin më të madh dhe historiko-kulturor të Shqipërisë,
për të mos qënë pjesë e Malit të Zi, në
të cilin sigurisht nuk do të kishte qëndruar gjatë, sepse lufta nuk do të
kishte pushuar kurrë deri në fitore të shkodranëve.
Pastaj
është edhe respekti për guvernatorin e parë internacional të forcave çliruese
të Shkodrës, që është koloneli dhe më vonë Gjernerali Philips,...edhe ky
britanik, dhe njeriu që e ka njohur mirë Shkodrën edhe në vitin 1913 dhe në
1918-të. Ai krijoi xhandërmarinë dhe gjykatat, apo edhe administratën në
Shkodrën e masakruar. Në guvernatoriatin e tij u hapën shkollat dhe u vendos
qetësia. Ai ishte që bënte 7-të orë biseda me shkodranë dhe malësorë, për të
mësuar edhe idetë më të vogla, dhe për të parandaluar kriza dhe mosmarrëveshje.
Ai që në atë kohë një nga hallet e tij të fortë kishte gjakmarrjen, dhe për
këtë është edhe një libër i autores Agnes, që ka jetuar pak kohë në Shkodër. Philips ishte edhe ky, një burrë që stabilizoi
gjëndjen në Shkodër, dhe normalisht është modeli i parë i qeverisjes ndërkombëtare
dhe patjetër në respekt të paqes. Normalisht që lufta botërore do të prishte
edhe këtë qetësi, por guvernatori britanik i Shkodrës në fakt, ka lënë një
përshtypje shumë të mirë në Shkodër dhe sëbashku me miss Durham, admiral Burney
dhe shumë oficerë britanikë të tjerë, kanë siguruar në Shkodër shumë respekt
dhe ky respekt është edhe në dokumenta të ndryshëm. Guvernatoriati i vitit 1913, është administrimi
ndërkombëtar i Shkodrës me qëllim vendosjen e paqes në favor të Shkodrës, ky
moment duhet respektuar sot në qëndër të qytetit ku po bëhet pedonalja e re
përpara Bashkisë së Shkodrës.
Momenti i tretë që akoma nuk është respektuar
në Shkodër është 13 marsi i vitit 1920-të, kur Shkodra i kthehet përfundimisht
Shqipërisë në mënyrë zyrtare. Patjetër
që Shkodra edhe mbas 1913-tës ka qënë në rrezik të madh, dhe ky rrezik ka
mbaruar plotësisht kur nga Asambleja Kombëtare dhe qeveria kombëtare, u vendos
që qyteti dhe rrethinat ti bashkoheshin Shqipërisë dhe pushtetit civil dhe ushtarak
të saj. Firmat dhe vulat, fotot dhe elementët e historisë janë plotësisht të
qarta dhe unë sërish në këtë gazetë kam botuar edhe dukumentat autentikë të
kohës, që e vërtetojnë këtë gjë. Po, kam dokumentat e Ministrit të Brëndëshëm
A.Zogolli dhe të Drejtësisë H.Kadri, që vërtetojnë plotësisht këtë gjë dhe
historia vërteton edhe ushtrinë e asaj kohe prej afro 3000 ushtarëve dhe
vullnetarëve që mbrojtën Shkodrën. Pra
me 13 mars të vitit 1920, Shqipëria bëhet edhe me pjesën e saj të lavdishme dhe
të madhe që është Shkodra, dhe kjo në mënyrë zyrtare dhe politike. Përdryshe
lufta do të vazhdonte, dhe revendikimet vazhduan, por pushkët tashmë ishin gati
dhe shkodranët, malësorët, dhe vullnetarët po ashtu. Edhe kjo datë kërkon një
përmendore në qëndër të qytetit dhe patjetër që vlen për këtë 100 vjetor të
pavarësisë së Shqipërisë.
Sot në qëndër të Shkodrës ka nderim për disa
ngjarje dhe fakte dhe ka nderim për Hasan Riza Pashën që mbrojti Shkodrën, apo
edhe për Gjergj Fishtën si epizmin tonë patriotik letrar, por normalisht që ka
vënd edhe për faktorë të tjerë të vitit të jashtëzakonshëm 1913. Normalisht që
ka vënd edhe për të huajt që bënë atë veprim të madh për Shkodrën.
Iscriviti a:
Post (Atom)
