Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

domenica 27 ottobre 2013

Disqet e gramafonit...TV Rozafa....

Intervistë mbi disqet 78 xhiro te këngëve shkodrane dhe autorëve të tillë në Pinakotekën e Muzeut. Firmat e mëdha të kohës në vittet 1920-1930 si Odeon dhe Columbia kanë disa qindra prodhime me këngë shkodrane.

venerdì 25 ottobre 2013

Trashëgimia british pa respekt në Shkodër.

“Sahati Inglizit”, i vetmi ndërtim british në Shqipëri, jashtë vëmendjes që i takon!



                                                                                 Nga Besi BEKTESHI
 Një nga momentet e përveçme, tepër të rëndësishme për nga trashëgimia kulturore në Shqipëri, është dhe “Villa Paget” ose “Sahati Inglizit” sikundër njihet në Shkodër. Është tepër i përveçëm, sepse është i vetmi ndërtim në pjesë të mëdha british, dhe që për fat të keq, jo vetëm ju shkatërruan gjatë vitit të keq për të që është vitit 1946 dhe për të cilin unë po nxjerr dhe fotot origjinale të rrënimit të “torreve” të vetmet british si një shato perëndimore në Shqipëri, por dhe lënia pas dore sot. Është e vetmja kulturë midis orientit dhe perëndimit british në Shkodër, e ndërtuar në formën e një shatoje nga një njeri që sipas studiuesit Hamdi Bushati është konsideruar lordi Paget. Në fakt me këtë person është marrë dhe zoti Traboini dhe të tjerë, por unë kam sqaruar prej kohësh se djali i tretë i Alfred Paget, si par dhe lord i Britanisë së Madhe, ose majori Paget, nuk ka qenë si person për të përhapur vetëm protestantizmin dhe për të marrë ikona dhe kostumograf, apo dhe nomuzmatikë në Shqipëri, por kryesisht në shërbim të shtetit të tij dhe shqiptaromadhit Herbert, por dhe mik i miss Durham. Ai në fakt, ishte një njohës i mirë i situatës ballkanike (gjuhëve) dhe sidomos shqiptare, dhe një njohës duke qenë në shërbim të Portës së Lartë për shumë kohë si një orientalist i thekur dhe si një major kavalerie i jashtëzakonshëm. Unë kam nxjerrë për herë të parë foton e tij i veshur si qytetar shkodran, dhe i armatosur po kështu, e tani edhe fotot e prishjes së vitit 1946 të torreve të shtëpisë-ville të tij, të ndërtuar në qendër të Shkodrës.
Tashmë në fakt, ose mbas viteve 1990-të, kur Muzeu Historik u largua nga ky monument kulture i cili ju kthye pronarëve, rrezikon shumë, kaq shumën sa që degradoi dhe ndërtimet e kërcënojnë seriozisht zhdukjen e tij. Kanë kaluar shumë, ose shumë mbi një shekull kur filloi ndërtimi i kësaj ndërtese. Vendi sipas Bushatit, ka qenë vend për të gjuajtur rosa. Në disa kujtime të tij dhe guvernatori Philips bën disa krahasime dhe histori me të dikurshmen e vitit 1913. Një pjesë e madhe pas saj, ka qenë pronë e Abdullah Domnorit, por që qeveria turke e shpronësoi dhe e mbajti si një copë dispozicioni, për benefice të ndryshme. Valiu i Shkodrës, një pjesë e dha te një fis nga Mali i Zi, me histori interesante vrasjesh dhe komitësh, dhe një pjesë e shiti sidomos pjesën përpara pikërisht majorit Paget. Në fakt, sipas Bushatit, por dhe sipas historisë, kryesisht të marrëdhënieve midis Shkodrës dhe Malit të Zi, qeveria turke i fali një pjesë të shtëpisë Bozho Kadiqit, sepse vëllai i tij Todor Kadiq, dikur ka vrarë knjaz Danilo Petroviqin në Kotor, si ndodhi e vitit të largët 1860. Bozho la si trashëgimtar sipas Bushatit, Togon dhe vëllezërit, dhe pastaj ky ja shiti shtëpinë Jakup Dervishoviqit.
Me të hyrë pushteti popullor e shtetëzoi atë. Kur e bleu majori Paget shtëpinë e famshme e cila “rrëmbeu edhe zemrën e Enver Hoxhës më vonë me sahatin e bukur”, ndërtoi dhe shatonë british me torret dhe sahatin e bukur. Ai kishte zgjeruar territorin dhe si oborr apo sipërfaqe që kalonte dhe ish MAPO-n e dikurshme në qendër të Shkodrës. Paget ja ka shitur këtë kryevepër british në vitin 1930, një firme tregtare si “Vllazën - Salih Mehmeti” sipas Bushatit për shifrën për 3600 napolona ari. Në të vërtetë ka shumë dyshime kjo shifër, por do të mundohem ta sqaroj në një moment tjetër të historisë së majorit Paget. Pra dy shtëpitë, dhe sipërfaqen si interland të tyre në qendër të Shkodrës, Paget i shiti. Ishin 16 dhoma aristokratike të mëdha, dhe më e madhja ishte ndërtuar me stil oriental, tavane të punuara po kështu që dikur “mahniteshin” të huajt dhe që sot janë, por nuk ekspozohen për këtë qëllim. Kur deshën të hapnin rrugën e gjerë që sot të çon drejt teatrit Migjeni, torret dhe dyert e “shatosë” janë prishur me një gëzim të madh nga komunistët, edhe pse në fakt po prishej e vetmja kulturë british në Shqipëri. U rrëzuan pjesë ku kishin qenë konsullata të Britanisë dhe ku kishin qëndruar guvernatorët e parë të Shkodrës si admirali Burney dhe guvernatori Philips në vitin e famshëm 1913, kur vendoseshin fatet e Shqipërisë dhe territorit të saj që ka sot.
Pikërisht në këtë shtëpi, janë marrë vendimet e mëdha të territoreve shqiptare (në saj të lobingut në Londër, të njerëzve të mirë ditur që kanë banuar pikërisht këtu) si për mirë dhe për keq, por kanë shkuar dhe informacionet e rëndësishme në Europë. Në këtë shtëpi kanë ndenjur njerëzit më të lartë dhe konsujt më të rëndësishëm të Shqipërisë së atëhershme. Por dhe janë bërë dhe takimet më të rëndësishme të grupeve dhe bajraktarëve, liderëve shqiptarë, personave më influentë të shqiptarëve të veriut. Në fakt, këtë pjesë të historisë nuk kanë dashur ta pranojnë në diktaturë, por shtëpinë e shtetëzuar e ruajtën. I morën sahatin me urdhërin e Enver Hoxhës, dhe e çuan në Gjirokastër, por vetëm kaq, kurse sot ajo po përjeton një rrezik të madh për degradim të madh, duke qenë një pasuri e përveçme në Shqipëri. Lejet e ndërtimit i kanë shkuar kaq afër, sa po e sfidojnë seriozisht dhe për një diçka akoma më të madhe më vonë.
Sahati Inglizit ose villa Paget ka pasur dyer të jashtëzakonshme dhe origjinale të punuar nga mjeshtra shqiptarë dhe normalisht si veçori dhe histori, ka qenë një model i pa krahasueshëm në Shqipëri. Ka pasur mure dhe puse, por dhe artefakte të shumta kjo vilë. Sa ka qenë muze, ka lënë pa mend të gjithë ata që e kanë vizituar. Askush nuk mund të mohojë pronën, por gjithashtu askush nuk mund të mohojë historinë dhe trashëgiminë e tillë të fuqishme që paraqet Vila Paget, që është një nga lobuesët e pavarësisë së Shqipërisë (si trashëgimi historike e njerëzve banorë të saj) dhe me relacionet më të mira për Shkodrën, dhe futjen e saj në territorin shqiptar edhe me anën e pronarit të saj major George Paget, që protestantizmin e kishte pothuaj një “mbulesë” në raport me veprimtarinë e tij, si një raportues i rëndësishëm i situatës në rajon. Këshilli Bashkiak i Shkodrës me mirëdashje, ka bërë “Qytetarë Nderi” sir Burneyn dhe gjeneral Philips, si oficerët british që ndihmuan Shkodrën dhe Shqipërinë, kurse në Tiranë majori Paget ka marrë nderimet e tij.
Problemi është pikërisht “trashëgimia kulturore”, dhe statusi që ka pjesa e mbetur e Sahatit të Inglizit, ose banesës së modelit british, të ndërtuar nga një person i fisëm dhe me gjak aristokratik, si i biri i lordit të famshëm së gjeneralit Alfred Paget. Një ndërtim i tillë, nuk mund të shkojë dëm, edhe në bazë të lejimit të deformimit në kohë të modelit shumë të kollajtë të përdorimit të pronës, dhe të mos vëmendjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore të tij.
Në fund të fundit, “Sahati Inglizit” ose villa Paget, janë monument kulture në Shkodër, dhe është e përveçme për nga tipizimi në rajon dhe më gjerë. Sahati Inglizit, është dhe në vend të mirë dhe të bukur, dhe në fakt, fjalët për të më të bukura janë ato të çmimit Oskar, si një britanik i madh që e ka vizituar në vitin 1966, kur ishte Muzeu i Qytetit. Ishte pikërisht Peter Ustinov, i cili përshkruan (ka qenë dhe një agjent i SOE) Sahatin e Inglizit si të vetmen gjë perëndimore, për të cilën habitem” në vizitën e tij të shkurtër në Shkodër dhe Shqipëri. E shembën me një zell të madh në vitin 1946, e varfëruan kur u largua si muze, dhe tani nuk respektohet si një trashëgimi kulturore dhe monument kulture. Biles diku diku, ka qenë dëgjuar dhe një e “thënë” se mund dhe ta largojnë si diçka të tillë, për ti hapur rrugën transformimit rrënjësor dhe në dëm të historisë dhe trashëgimisë në Shkodër. Rezistenca ka qenë dhe ndër pronarët, por deri kur, deri në fakt kur, do të vazhdojë kjo mënyrë e të sajuarit të lejeve dhe të ndërtimeve mbi trashëgimi ose afër, fare afër tyre, për ti përjashtuar apo dëmtuar pak më vonë. Normalisht tani duhet më respekt dhe për Sahatin e Inglizit ose vilën Paget.


lunedì 21 ottobre 2013

Idromeno, guximi rilindas i një shkodrani.

Guximi i rilindasit Idromeno, në kryeveprën “Dy rrugët e jetës”

Guximi i rilindasit Idromeno, në kryeveprën “Dy rrugët e jetës”
Nga Besi BEKTESHI Kryevepra në pikturë e autorit më të shquar shqiptar të rilindjes tonë Kombëtare dhe Kulturore në rradhë të parë, është më e pavlerësuara realisht për kontributin e saj moral dhe etik, të paraqitur në një vepër madhore që është 198 cm me 174 cm sipërfaqe. Një kryevepër sikundër thashë etike, dhe pse shumë kush sidomos në diktaturë, e defininonin religjionare ose më mirë “anti religjionare” me botëkuptimin retro - bolshevik dhe rural të kohës. Është pra “Dy rrugët e jetës” ose “Parajsa dhe Ferri” së bashku me disa porosi të tjera të klerit katolik, që janë bërë rreth vitit 1891, dhe punët janë përfunduar nga viti 1894, por “Dy rrugët” kanë filluar në vitin 1892 dhe kanë përfunduar aty nga vjeshta e vitit 1894, duke u ripunuar disa herë nga autori. Konsulli francez Degrande, flet jo shumë gjatë për këtë kryevepër dhe Idromeno, ose djali nga Parga si origjinë të vjetër arbëreshe, dhe nga Hidro si ishull, kishte marrëdhënie të mira ato kohë edhe si piktor dhe si fotograf, me pjesën diplomatike të konsullatave të shumta në Shkodër.
Nga Parga si origjinë, ai i bie të jetë nga Çamëria, një orthodoks shqiptar, dhe një arberësh si origjinë, i takon nga ishulli Hidro, por si një shkodran i mirë është në lindjen e tij, origjinën e nënës Roza Saraçi, dhe aktiviteti i tij si piktor, fotograf, arkitekt, urbanist, skenograf, muzikant dhe kompozitor, akoma jo kaq mirë i letrarizuar dhe respektuar në historiografinë shqiptare. Ka qenë dhe shfaqësi i pari i filmit në trevat shqiptare, një kolos i tillë shkodran. Po, dhe vazhdon sipas meje i parespektuar si patriot dhe njeri përparimtar, por dhe modern. Ai pa dyshim, është një Leonardo da Vinçi shqiptar në përmasa dhe aktivitet për dallimin e madh që kishte me realitetin. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Unë kam fatin të kem ekspozuar për herë të parë në mënyrë dinjitoze, mbas viteve 1990-të, kryeveprën etike dhe morale “Dy rrugët e Jetës”. Duke qenë përgjegjësi i Pinakotekës apo pavionit “Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane”, kam marrë iniciativën e një demonstrimi dinjitoz i një vepre të tillë, e cila për nga përmasat dhe ngjarjet në të dhe në lidhje me të, është madhështore. Kjo kryevepër dikur u demostrua në mënyrë jo kaq shumë të zgjuar nga regjimi komunist, në ish muzeun famëkeq “Ateist” dhe normalisht, kush kishte sadopak njohuri për artin, e merrte vesh se po bëhej një “autogol”.
Por kryevepra është një moment guximi rilindas dhe qytetar, i të madhit Idromeno dhe ka shumë skena aty që e vërtetojnë këtë. Deri tani, këtë kryevepër e kanë parë me kureshtje të madhe, dhjetra studiues arti, qytetarë, politikanë, ambasadorë, të huaj të shumtë, dhe impresionet e tyre janë të jashtëzakonshme. Por kush është ky guxim në një analizë të shpejtë në skenat e shumta që ka kryevepra? Në fillim duhet parë pak konteksti i kohës. Ishte momenti më i keq i perandorisë Osmane, e Shkodra megjithëse qytet i madh dhe më i kulturuari, ishte tashmë jo mirë i administruar, ishte retro qytetare në përgjithësi, rilindja kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit po bënin punën e tyre, sepse ishte dhe dega e fuqishme e Shkodrës, ishin po ashtu në kulm lëvizjet pro europianiste që po zhvilloheshin shumë dhe përfundimisht mendja e një piktori dhe artisti, shkonte akoma më përpara dhe shprehej haptas në pikërisht art dhe normalisht pikturë. E në fakt, kjo pikturë e madhe, shprehet po kështu, duke u arratisur në imagjinatë dhe duke treguar ashpër realitetin e atëhershëm. Kryevepra ka gjashtë skena masive dhe njëzet skena më me pak njerëz, por që në fakt janë skena të vërteta teatrore, në pikërisht teatrin e jetës kryesisht në Shkodër.
Kush është guximi i vërtetë? E para, natyra është ajo e Shkodrës afër kalasë “Rozafat”. Janë po ato gurë dhe poshtë po ato pemë dhe lëndina, po ajo natyrë. Ferri deri afër djegies së madhe, është një rrugë e “bukur” dhe për këtë shumica e njerëzve drejtohen për aty, dhe jo në portën e purgatorit e cila është e vogël, në krahasim me portën e ferrit që është gjigante dhe tipizuese si diçka turke. Një natyrë e tillë ishte thjesht për kohën një provokacion i qartë. Për këtë i është bërë vërejtje ato kohë nga autoritete që e kanë parë përpara demostrimit, sepse po ju prishte shumë punë me njerëzit e lartë të administratës otomane. Fakti Shkodër, fakti portë turke dhe disa flamuj ashtu kot si të kuq në ferr, bukuri natyrore e rrugës së ferrit etj., etj. Një nga guximet e mëdha të një rilindasi të vërtetë, Idromeno te “Dy Rrugët” ka “rrugën e shkurtë” që lidh purgatorin me ferrin, ose më mirë rrugën për në parajsë me rrugën për në ferr. Këtu ka pasur shumë e shumë vërejtje të mëdha, edhe nga njerëzit që do të vlerësonin etikisht, moralisht dhe religjionarisht veprën. Sidomos nga ana religjionare! Po, është një fshatar pikërisht aty, që ka bërë gjysmën e rrugës për në parajsë, që mashtrohet prej një dreqi-djalli, dhe pret-ecën shkurt, nga parajsa për në ferr, pa kaluar mbrapsht purgatorin! Ishte e jashtëzakonshme për kohën. Kishte një rrugë të shkurtë, që mund të lidhte parajsën me ferrin dhe që e ruanin djajtë! Një guxim i madh Idromenian!
Guximi tjetër i madh dhe me vërejtje të mëdha për kohën, është dhe momenti i engjëjve të tablosë. E dimë se engjëjt nuk kanë gjini, por Idromeno në disa raste, i bën disi femra dhe të veshura të tilla, duke mbajtur shënim dhe normalisht në atë kohë ju krijuan dhe probleme. Në një rast një prelat i rëndësishëm në Shkodër i thotë, “ti mor djalë me ato shpatulla jashtë këtij engjëlli, çfarë kërkon të tregosh” dhe Idromeno sipas një konsulli prezent aty i është përgjigjur se “asgjë përveç bukurisë engjëllore” dhe në fakt të gjithë kanë qeshur disi me zor.
Kritika e realitetit të atëhershëm është si guxim, dhe te skena e gjaksorëve dhe vrasësve, por më e qartësuar guximi është te kritika ndaj vetes dhe njerzve të artit dhe muzikës apo ahengxhinjve. I ka vendosur me fytyra të njohura qytetare përveç të vetes në qendër, po, janë shumë miq të tij, të cilët në skenë po habisin dhe djajtë. Biles, njëri prej tyre i bën thirrje reale dhe të drejtpërdrejtë dhe një miku të tij, që po shkon për në parajsë. Ka qenë e padurueshme për kohën një thirrje e tillë kaq “heretike”, e cila nuk është ndryshuar as në vitin 1894, edhe pse i kanë thënë se “me këtë gjë, vepra nuk mund të paraqitet”. Idromeno, një konsull dhe një konsulleshë i ka çuar rrugës për në ferr, megjithëse nuk i bën të kalojnë portën e ferrit, por nga fytyrat e mirë detajuara, të gjithë kanë kuptuar se kush ishin në fakt. Ishte një përgjigje e Idromenos, për një lloj qëndrimi aspak realist të tyre, ndaj gjendjes së rëndë të lejuar dhe nga disa përfaqësi, por dhe veprimtari të tyre ndaj vendit dhe sidomos trojeve shqiptare. Skena të tjera të guximit etik dhe pa dyshim moral, janë skena e “dembelëve”, “pijanecëve”, “kapadainjve”, “Dy kalorësve” dhe “Mbretit që i lan këmbët një të varfëri”. Por dhe me kafshët, Idromeno është treguar realist dhe moralisht një person guximtar. Padyshim që kuajt dhe dhëntë si grigjë, por dhe qenin, Idromeno i vendos në rrugën e parajsës. Kurse zagarët dhe bagëtinë e klasifikuar të tillë në rrugën e ferrit.
Pse është një vepër etike pikërisht “Dy rrugët”? Në fakt, nuk kanë dashur ta trajtojnë si të tillë, dhe guximi i madh është “përjashtuar etikisht” dikur, dhe përdorur me qëllim të keq nën diktaturë. Por etika në fakt, është si klasifikim nga greqishtja e vjetër si “Ethos” ose karakter, sjellje, kostum, mënyrë veprimi dhe sjellje në lëmin e filozofisë. Në këtë gjë, Idromeno ishte i pari dhe më i madhi ndër rilindasit tonë që ishin artistë ( shumë të pakët) dhe sidomos në pikturë që mungonin fare. Në këtë mes, unë vazhdoj të them se kryevepra “Dy rrugët e Jetës”, është një model etikisht i qartë dhe tepër i mirë saktësuar së paku sot, në një kohë as paragjykimesh dhe sidomos jo presioni direkt. Moralisht kjo vepër tregon veset dhe vetitë morale të mira, të ndara në dy rrugë. Ishte moment i jashtëzakonshëm dhe padyshim rilindas në atë kohë, dhe ku më mirë se në qytetin më të madh urban dhe kulturor që kishin trevat shqiptare dhe për shumë kohë, dhe që ishte pikërisht Shkodra. Kultura normalisht perëndimore si art, dhe realiteti oriental si jetë, e bënë një nga sistemet e jashtëzakonshme të interpretimit të kohës këtë gjeni të artit shkodran si Idromeno. Kol Idromeno, ishte pikërisht maja e lartësisë të madhe kulturore të Shkodrës, nga vitet 1880-të dhe deri në vitin 1939 kur vdiq.

- See more at: http://www.sot.com.al/opinione/guximi-i-rilindasit-idromeno-n%C3%AB-kryevepr%C3%ABn-%E2%80%9Cdy-rrug%C3%ABt-e-jet%C3%ABs%E2%80%9D#sthash.yYGhu4v1.sYf781oi.dpuf

sabato 5 ottobre 2013

Trashëgimia e goditur ndër kohëra.



Nga Ciriako i Ankonës, te grabitja e muzeut të Bushatllinjve dhe deri te matrapazët e sotëm të trashëgimisë!



Koment



Besi Bekteshi

Në shfletimin e revistave dikur, por të lidhura me kujdes në Muzeun Historik të Shkodrës, me shumë fat lexova një shkrim të studiuesit Hasan Ulqini që në vitin 1979.  Ishte një moment i rëndësishëm për sot dhe shkrimi i Ulqinit kishte për titull “ Objekte të Arkeologjisë Shqiptare nëpër Muzeumet e Huaja”. Moralisht dhe objektivisht, isha shumë i interesuar për një fakt të njohur, por jo të vlersuar dhe në qytetin më të madh, por tradicional dhe të pasur me trashëgimi që është Shkodra. Në fakt, zoti Ulqini në parathënie kishte vendosur dy grabitje të rëndësishme që i kanë bërë të huajt vëndit tonë dhe këto dy grabitje njëra është në Vlorë, dhe tjetra në Shkodër. Muzeu  Arkeologjik i Vlorës, i ndërtuar nga misioni francez i mrekullueshëm me Leon Rej për 15-të vite rradhazi, është marrë i gjithi në vitin 1939-të dhe fashistët e konsideruan një thesar të tyrin. Por kryesorja për mua ishte dhe fakti i raprezaljes në vitin 1913-të në kalanë Rozafat të Shkodrës, e pikërisht të muzeut të pasur të Bushatllinjve, në banesën e tyre në oborrin e kapitenerisë së sotme. Një muze i pasur, tepër interesant, i cili në këtë vit duhej kërkuar sëpaku si histori me që ishte rasti i 100 vjetorit të pikërisht betejës së madhe dhe rrethimit që mbajti Shqipërinë jo të shpërndarë me gjithshka dhe në të mirë dhe të keq, formoi këto 28.000 km katror që kemi sot. Malazezët vodhën dhe grabitën muzeun si vjedhja më e madhe e kohës, por dhe e shekullit 20-të në teritore shqiptare, dhe për më tepër, një muze të mirë rregulluar dhe me mbi 1000 artefakte të ruajtura dhe pronë e familjes së madhe shkodrane, si sunduese e qytetit për gati një shekull. Nuk është bërë asnjë lëvizje normale në kohët e sotme, por dhe më përpara në këtë drejtim dhe dihet qartë se diku mburren me artefaktet e Bushatllinjve dhe të kalasë së Shkodrës.
Megjithatë, nga zoti Ulqini është gjithashtu e qartë dhe historia e marrësit të veprave  dhe njeriut të parë si arkeolog të trevave shqiptare në trashëgimi. Është pikërisht historia e Ciriako de Picikoli në shekullin e XV-të, i cili ka bërë dy udhëtime si njeri i letrave dhe padyshim dhe arkeolog që zbulohet nga i madhi Ugolini. Ai konsiderohet Ciriako i Ankonës, sepse prej andej ishte dhe Ugolini thotë se ai zbuloi Butrintin, por problemi është se normalisht ishte dhe njeriu i parë që artefakte të kësaj toke, i mori për në vëndin e tij. Mbase duhet falenderuar se i lartësoi, mbase duhet përmëndur si njeriu i parë që largoi  nga kjo tokë, por mbase historia kështu është, dhe ai është pikërisht njeriu i parë i aventurës me artefakte dhe arkeologji  nga ky vënd. Si Ugolini, dhe pikërisht Ciriako i Ankonës, janë bërë si vjedhës të monumenteve në kohën e socializmit, përgjithësisht historianografia e tillë biografinë e tyre e trajton në dy plane dhe ai kryesori është arkeologjia dhe kërkimi i tillë. Akuzohen por nuk është krejt e vërtetë kjo. Në vitin 1999-të Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, botoi librin e Ugolinit “Butrinti”ku në faqen 108 jepet një reliev me portretin e Ciriak-ut, por në profil. Tashmë arkeologu i parë i monumenteve të Shqipërisë, apo misionari i Papës dhe Gjenovës, si dhe këshilltari i Mehmet pushtuesit, nuk mund  jetë më i panjohur për publikun. Dhe këtu meritën e ka përsëri Luixhi Ugolini, të cilit nuk do ti njohim vetëm meritën e zbulimit të Butrintit, por edhe “zbulimin” e Çiriako de Piçikolit të Ankonës. Po, dhe punës sëmadhe si zbulues i arkeologjisë në këtë vënd.
Gjithsesi në këtë kohë, shumë artefakte kaluan në perëndim, dhe në fakt ato ishin në momente kritike nën sundimin e osmanëve, por dhe pa asnjë kontroll të kësaj natyre në trevat shqiptare. Por ky është momenti i parë arkeologjik i vërtetë me Ciriak-un e Ankonës. Ai i lidhur me Osmanllinjtë, kishte mandatin e Padishahut të lëviste lirshëm dhe sëpaku kjo duhet të lejonte pastaj dhe kërkimet dhe kishte tepër rëndësi puna e tij dhe për të mbajtur lidhjet midis dërguesve të tij nga Italia, dhe Portës së Lartë. Ai ishte një arkeolog, dhe padyshim tregtar dhe zbulues, dhe për këtë sot duhet nderuar.
Por çfarë veprash të mëdha janë jashtë dhe për këto zoti Ulqini që në fillim bën jehonën e viteve të fundit të diktaturës. Ai përmënd “Sarkofagun e Durrësit” që ndohet në muzeun arkeologjik në Stamboll. Ai është zbuluar në vitin 1909-të  dhe i përket shekullit të dytë të kohës së re. E famshmja “Dama Antike” e gjetur në Gur të Zi në Shkodër e cila ndodhet në Luvër dhe është një nga artefaktet më të rëndësishëm tonat jashtë normalisht, të tjetërsura dhe marra nga kjo tokë. Tipizimi i saj, veshja, është një nga trashëgimitë më të qarta tonat në perëndim. Një figurë bronzi që ndodhet në muzeun Britanik. Është zbuluar në Kosovë dhe është çuar nga arkeologu  Artur Evans, i cili ka eksploruar të gjithë veriun shqiptar. Pastaj Stela e Parmenikrit e cila ndodhet në Vienë, në muzeun e historik të artit. Është zbuluar dha marrë në Apoloni. Është jashtë dhe “Kokë gruaje në mermer” edhe kjo në Vienë, dhe është zbuluar dhe marrë në Durrës. Në fund janë “dy relieve gladiatorësh”  që ndodhen në muzeun arkeologjik të Beogradit, dhe kanë qënë të vendosura nga pushtesit turq në portën e madhe të kalasë së Durrësit. U grabitën nga serbët në vitin 1913-të.
Duhet ndarë problemi i dikurshëm me problemin e madh të sotëm. Për kohën e Ciriako-s së Ankonës, nuk kishte një shtet dhe një model qeverisës shqiptar. Nuk kemi të bëjmë me grabitje të vërtetë, dhe është një gjë e mirë zbulimet e tij dhe normalisht dhe artefakte që ai mund të ketë çuar në vëndin e tij, sepse shikohej qartë se osmanllinjtë nuk kishin ndonjë interes të madh për arkeologjinë dhe trashëgiminë e tokave që vinin nën sundim. Por mbas viteve 1912-të, dhe sidomos nga viti 1913-të, ka filluar me forcë “vjedhja dhe marrja me dhunë e artefakte shqiptare”. Vitet 1913-1919 -të janë të mbushura me akte grabitjesh së thesarit kombëtar të trashëgimisë tonë. Ishte kohë e vështirë dhe mbase historianografia socialiste e ka trajtuar në mënyrë bajate dhe jo të nderhme, por një pjesë e artefakteve u vodhën nga oficerë austriakë, por dhe italianë dhe një pjesë u mor nga studiues dhe kërkues të pikërisht kësaj natyre studimore dhe dorëzuan shumë prej tyre (për fat) në muzetët  botës,e  kryesisht Itali, Francë dhe shumë në Austri, por  dhe Londër.  Vazhdimi i grabitjes është dhe gjatë shtatë viteve të para të qeverisjeve mbas 1920-tës. Në atë kohë, mendohet se janë larguar nga ky vënd mbi 12.000 artefakte, dhe shumica e varreve të rëndësishëm të dyshuar dhe të vjetër, u kërkuan për të marrë dhe repertet. Po ashtu kapitele, orendi, pllaka me mbishkrime, dhe shumë e shumë të tjera si qeramikë, monedha dhe medalje të shumta. Mbas vitit 1927-të, janë dënuar për matrapaz, shkatërrues dhe vjedhës varresh dhe vëndesh historike, rreth 100 persona në Shqipëri.
Në kohë të Mbretërisë u ndal vrulli, por italianët bënë punën e tyre kudo si për mirë dhe për keq. Gjithsesi kontrolli sërish ishte i dobët për të kapur vandalët dhe matrapazët.  Mendohet se fill mbas vitit 1945-së, jugosllavët morën në Shkodër jo vetëm mall dhe varfëruan tregtarët, por dhe artefakte, piktura dhe kapitele, por dhe veshje të vjetra, armë dhe stoli, e shumë e shumë të tjera që kalojnë mbi 1000  njësi të tilla kudo që patën akses. Rusët ishin më të kujdeshëm, por dhe ato bënë “ punën e tyre në këtë drejtim” dhe ekspeditat e tyre dhe pse nganjëherë me shqiptarë, në shumë raste kërkimet bëheshin vetëm nga rusët dhe përfitimet po ashtu.
Mbas tyre arkeologjia u vendos në baza ruajtje dhe sidomos vitet 1960-të, janë rilevimi i madh hartografik dhe me fotografi të historinografisë dhe arkeologjisë tonë kombëtare. Në këtë kohë filloi vërtetë dhe krijimi i sit-eve tona, dhe tepër të elaburuara pastaj në kohë dhe filloi dhe prodhimi i arkeologëve dhe njerzve të lartë tonët në këtë drejtim dhe sidomos të trashëgimisë sonë kulturore.
Vitet 1990-të dhe më pas, janë fatkeqësia e madhe e jona në këtë drejtim. Nuk mbeti grykë pusi, pikturë dhe qilim, rafte të vjetër, kapitele të vogla dhe sende të vjetra pa shkuar në fillim në Greqi dhe pastaj dhe Itali. Nuk u trajtua aspak rëndësia e kësaj teme dhe unë nuk kam pse përsëris gjatë ato gjëra, që i kam shkruar disa dhjetra herë.
Problemin po e kthej edhe një herë te Muzeu i Bushatllinjve në kalanë e Shkodrës, si një veçori e madhe muzeale e jona e kohës, duke qënë se nuk kishte me sa di unë një të barabartë si tipizim, jo vetëm në qytetet e mëdha tonat, po as në Mal të Zi, dhe po ashtu në Janinë dhe Shkup. Ka qënë muzeu i armëve dhe historisë së dinastinë së madhe shkodrane, i mirë përgatitur dhe mushur plot me reperte. Ai është tashmë si trashëgimi kulturore në vëndin fqinj, dhe pikërisht me sa dihet dhe thuhet në Cetinjë, dhe vënde të tjetra të vëndit të vogël, pikërisht komshi me ne. Sot vazhdojnë matrapazët e artefakteve dhe reperteve që gjinden në tokën shqiptare. Në fakt, janë për tu dënuar, dhe sot bredhin lirshëm me terrakota dhe stoli apo dhe të tjera artefakte të rëndësishëm dhe është fat i madh kur takojnë ndonjë individ të mirë ditur, por dhe të kujdeshëm për trashëgiminë. Por në të shumtën e rasteve “malli” shkon te trafikanët dhe historia këtu mbyllet në dëm të trashëgimisë tonë. Kësaj katastrofe historike dhe në trashëgimi shumë shpejt i duhet dhënë fund. Tashmë pritshmëria është modeli i ri i mentalitetit në qeverisjen e re.


domenica 29 settembre 2013

Marubi, historia dhe modeli i fototekës.



Marubi, nuk është një Opinion!



Koment
Besi Bekteshi

Padyshim që një nga trashëgimitë e mëdha të modelit perendimor që ka vëndi ynë, ose më mirë trashëgimia më e madhe perendimore dhe e kohëve të progresit teknik dhe artit pamor, është fototeka Marubi.
Padyshim ka një arkiv për Marubin dhe pse është i vogël, por ka në arkivin e Muzeut Historik, dhe nuk bëhet fjalë se janë dhe momentet kur është bërë dhe dorëzimi në vitet 1970-të të fototekës Marubi, shtetit shqiptar, dhe padyshim dhe letërkëmbimi i Enver Hoxhës me të madhin Gegë Marubi.  Unë sëpaku, me tim atë, e kam takuar tre herë mjeshtrin e madh dhe shkruaj me emocion për të.  Normalisht që në vitin 1970-të, Hoxha “me hir apo pa hir” por nrealisht deklaronte në letrën tij drejtuar Gegës dhe të bijës së tij se “kjo kërkon në radhë të parë të bëhet inventari shkencor i të gjithë materialeve”! Pastaj e fton Gegën të qëndrojë në krye të institucionit të lavdishëm të fototekës. Në fakt, në atë kohë mund dhe të ishte shfaqur idiotizmi i rradhës dhe kanibalimi kulturor i diktaturës (mos harojmë se ishin pak mbas revolucionit idiot dhe vrastar kultural proletar të Kinës) dhe të ishte marrë në qafë trashëgimia e fototekës së Gegës, por jo përkundrazi!? E habitshme dhe e jashtëzakonshme.  Po, mund të kishte gjetur dikush “arsyen” te personazhet që nga klerikët e lartë dhe deri te njerzit kundërshtarë të komunizmit si shumicë në fototekën e Gegës, por jo për fat të mirë. Është e qartë që Enveri e donte dhe fotografinë e tij të retushuar, por dhe se disa francezë që ai i besonte e “mësonin për mirë”.  E para që mund të them është se, edhe pse jo e artikuluar nga një person “apropriat” për shkencën dhe fotografinë, por ajo gjë nuk është kryer as sot e kësaj dite. E dyta, sidomos në 23 vite demokraci, përveç të mirës së përgjithshme të një modeli gjysëm në diktaturë dhe gjysëm në demokraci, fototeka si një rëndësi kombëtare, qëndroi në një birucë (po të kemi parasysh vëndin) edhe pse sot është një plan tjetër komodimi shumë më i mirë për të.  Ishte koha atëhere dhe duhet thënë se “megjithse ishte diktaturë një pasuri e tillë u ruajt si shumë pasuri  të tjera qytetare dhe kulturore” dhe mirë apo keq (më vjen keq që ja morën familjes) në fund të fundit, institucionin i Fototekës ishte një krenari kombëtare atëhere dhe është edhe tani. Dakort, por megjithë respektin e brazave që kanë punuar aty, dhe botimeve dhe marrëdhënieve me botën dhe të fillimit të demokracisë, pikërisht ai “inventari shkencor” i kërkuar dhe nga Enveri dhe të gjthë më ps tij, nuk ka marrë fund. Shprehja “inventari shkencor” është sot një retro ideologjike, por sot kemi të bëjmë me “inventarin numerik dhe teknologjik, por dhe full dixhital” që në vitin 2013-të është vonë për të qënë evaziv në numra, data, dhe sidomos përcaktime tematikash të përpunuara në foto të pastruara dhe dala në publik të saktësuara dhe të punuara realisht në përmirësim të plotë. Po, në një anë origjinali i saktë, dhe në anën tjetër “dixhitalizimi i pastruar dhe përpunuar afër realitetit të një fotoje të përkryer”. Kjo mungon akoma.

Po kthehem te “Marubi nuk është një opinion”!
Në fakt drejtorin e Marubit si dhe drejtoreshën dikur, besoj se e kam intervistuar (drejtorin e sotëm) për herë të parë unë, në një televizion lokal të Shkodrës. Padyshim është një djalë i mirë. Te Klan dhe te Opinion i Fevziut, sigurisht që në këtë kohë është marrë aty për të treguar se “ e ka seriozisht me Marubin”. Unë besoj se po, por nga seriozisht në realisht, është një rrugë tepër e gjatë.
Duke filluar nga historia italianit, piaçentinit Pietro Marubi. Më kujtohen disa shkrime të miat për pikërisht këtë temë, dhe bisedat, apo dhe shkrimet e zotit Vrioni një nga personat që njeh, studion mirë histori të tilla, dhe sidomos të një personi që respekton dhe trajton historikisht historinë e fotografisë te ne.  Por historia e Pietro Marubit si një italian, që solli efektivisht “europën teknologjike” në artin e fotografisë, duhet thënë dhe përmëndur pa lehtësinë e sipërfaqsores dhe gjithmonë në sqarim, dhe jo vendosje akoma në më dyshim të historisë. Në shumë raste të një reçense dhe të një editimi historik, e mira është të gjesh dhe përdorësh fakte, apo dhe referenca. Fototeka Marubi, akoma nuk ka një histori të aprovuar dhe të zbuluar të origjinës piaçentine të Pietro Marubit. Të thënat me “unë besoj dhe unë mendoj” i takojnë një publiçisti dhe një opinionisti, dhe jo institucionit të Fototekës Marubi. Unë mendoj, se duhet hulumtuar në Piacenza më tepër. Ishte apo nuk ishte me “100-të garibaldinët” Marubi!? Çfarë roli kishte në atentatin e Kryetarit të Bashkisë, dhe ishte akuzuar dhe ndjekur vetëm nga austriakët?  Dakort, iku nga mundësia  për arrestim, por ku shkoi në fillim, në Stamboll, në Greqi si bie fjala në Korfuz, pastaj në Vlorë për të kërkuar vënd qëndrim, dhe mbrojtje nga autoritetet?  Si është puna me sugjerimin e njeriut që në Vlorë në atë kohë luante rolin e konsullit dhe i thoshte se “në Shkodër ka katolikë” dhe kuptohet do të ishte më mirë. Ishte e vërtetë vetëm kjo, apo në fakt Shkodra kishte mundësi të mëdha dhe të aftësive të tija si piktor dhe arkitekt dhe pastaj si fotograf?  Kush e mori në mbrojtje në Shkodër? Kush e konsideroi dhe e pranoi për të bërë punë në kishën orthodokse të qytetit? A ka ndërhyrë në atë kohë “konsullata italiane dhe si qëndruan austriakët me figurën e tij qoftë dhe më vonë” ? Çfarë qëndrimi mbajti valiu i qytetit të Shkodrës në këtë moment, dhe kush ndërhyri për të paqtuar disi qëndrimin e tij. Në diktaturë, nuk kanë dashur ta luajnë shumë këtë temë të një njeriu që na bën krenar ne shqiptarët për artin e fotografisë. Nuk donin, dhe pse kishin dëshirë të quanin garibaldin dhe garibaldinët një model i mirë politikisht. Kush ishte ajo gruaje shumë më e vjetër se Pietro Marubi, që konsiderohet gruaja e tij, dhe që i është gjetur vetëm një pjesë e vogël e fytyrës? Ishte gruaja e kurorëzuar!? Dhe vetëm kur të jetë vërtetuar atëhere dhe thuhet kjo gjë. Çfarë roli kishte te një 21 vjeçar  garibaldin një 40-të vjeçare e quajtur Marjeta? Dakort Pietro Marubi ishte një talent i jashtëzakonshëm, por në fakt deri në moshën 18-të vjeç si ka mundur të lëvrojë të gjitha e sidomos arkitekturën, pikturën, skulpturën dhe pastaj fotografinë me kaq shumë vërtetim. Më pas unë mendoj, por kjo nuk është një diçka që thuhet “besoj dhe mendoj” por që vërtetoj se kështu është dhe ka fakte. Ku ishin zbatimet e tij në arkitekturë dhe pikturë? Si ishte qëndrimi i tij politik për lëvizjet në Shqipëri?  Në Shkodër e kam fjalën për të rastet, sepse pikërisht këtu është dhe kulmi i aktivitetit të tij të madh.  Mos i ka bërë ndonjë konsulli apo konsulleshe ndonjë pikturë dhe mos ka rregulluar ndonjë ndërtesë të ndonjë prelati të madh dhe njeriu të rëndësishëm të kohës? Në vëndin e tij e konsiderojnë shumë për fotot e martesës në familjen Mbretërore të Malit të Zi dhe normalisht që po dhe për arsye të fotove, a ishte fotograf i oborit aty, dhe tashmë italianët si e trajtonin një ish garibaldin?  A bashkëpunonte me ndonjë revistë apo gazetë italiane (sigurisht që po) dhe si ishin marrëdhëniet ndërkohë? A është përndjekur më nga austriakët në Shkodër, i madhi i fotografisë shqiptare, dhe kush e ka mbrojtur në qoftëse dihet se po? Çfarë teknikash ka ndjekur ndërkohë mjeshtri i madh? Kur akoma ka dyshime të mëdha se “është apo nuk është Hamz Kazazi në foton që konsiderohet e para” si mund të shpallet një më përpara, pa sistemuar historikisht një diçka që prej vitesh është gabim?  Për të bërë histori, duhet të ketë një model të tillë të plotësuar dhe jo refraktar dhe nuk është vetëm problem i fototekës Marubi, por kërkon një angazhim të madh sidomos për vitet në vazhdim, për të bërë dhe historinë e plotë, të qartë dhe vërtetë të njeriut të madh të fotografisë shqiptare. Ju duhet treguar historikisht dhe praktikisht dinastia si shqiptarëve dhe botës realisht dhe qartësisht.
Padyshim se Pjetër, Kel dhe Gegë Marubi, janë njerzit e lartë të dinastisë, duke mos përjashtuar vëllain e Kodhelve të vdekur herët. Po ti shtojmë aktivitetin e Kol Idromenos  si një dishepull i “multi profesionit” si pikërisht mjeshtri Pietro, atëhere as me “unë besoj dhe as mua më duket” duhet shkuar drejt kompletimit të historisë së madhe të dinastisë Marubi. Të secilit në mënyrë të qartë dhe të përbashkët, në një vëllim të mirë kopsitur dhe jo nga modeli i “provincializmit shkodran”, dhe me konceptin e largimit jashtë të të tjerëve nëpër botë dhe Shqipëri, por duke respektuar të gjithë, dhe shpallur vetvetiu një konkurs kombëtar. 
Kurse teknikisht!  Gega është i madhi i punës së qartë profesionale, (ishte profesionalizuar në Francë) kurse babai i tij Keli, një aktivist politik dhe pse jo biografik dhe artistik i fotografisë. Tashmë nuk mund të lejohet që foto dhe grup fotosh, të kenë editime me kohët si datim “nga viti 1980-1900” dhe për më tepër, nuk lejohet më që përafrimi të jetë vetëm krahësimor, dhe jo në fund të fundit, profesional teknik shkencor, në fund të fundit me teknikat e reja. Patjetër duhet fondi i qartë buxhetor, por në kohën e sotme, teknikat janë të mëdha, dhe nuk ka nevojë të bëhen pazare si dikur nga fillimet e viteve 90-të, për publikimet dhe sistemet e përdorimit të pasurisë tonë fotografike nga qoftë dhe francezët.
E fundit për të cilën duhet të them se “nuk është një opinion” është se një mënyrë e mirë dhe e qartë është jo vetëm ajo punë e mirë që është bërë dhe po bëhet në Fototekën Marubi, por dhe krijimi i fundit dhe modern të fotografisë “Marubiane”  dhe fillimi i plotë i restaurimit të fotove të rëndësisë së veçantë. Dakort, mund të jenë dhjetra mijra, por ato duhet të shkëlqejnë dhe të jenë plotësisht të rregulluara dhe të botuara në mënyrë të tillë.  Të dalin pa asnjë gabim kohe dhe mirëmbajtje të tilla foto. Padyshim në fototekën Marubi, dhe me një staf të shtuar shumë të aftë për të bërë pikërisht e profesionalisht këtë gjë.  Këtu duhet të fillojë dhe botimi i qartë dhe i tipologjisë “marubiane” e cila ka sa të duash punë. Albumet e tillë , janë vërtetë një cilësi, kurse puna me albume të mbledhjes së fotove dhe editimit të tyre tashmë ka përfunduar  kohën dhe nuk vlejnë më.
Marubi nuk është një opinion, dhe nuk duhet të jetë. Fototeka Marubi është në Shkodër, i takon Shkodrës, është diçka shkodrane, por duhet të jetë kombëtare kur në fakt fotot dhe postkardat e dinastisë janë dhe  ndërkombëtare. Mentaliteti “opinion” dhe sidomos refraktar provincial, nuk i bën mirë kësaj pasurie të madhe shkodrane në Shqipëri.  Marubi sigurisht nuk është një opinion, por një qartësi e madhe kombëtare shqiptare.


sabato 21 settembre 2013

Dalin për publikun, tekstet e shumta të mbledhësit të madh shkodran të folklorit



Kasem Taipi, ose mbledhësi legjendë i folklorit i pa respektuar në kohë!

Dalin për publikun, tekstet e shumta të mbledhësit të madh shkodran të folklorit



Koment

Besi Bekteshi
 Një nga dosjet më të plota dhe me shumë rëndësi në arkivin e Muzeut të Shkodrës, është dosja e mbledhësit më të madh të folklorit në Shqipëri, njeriut autodidakt, por shumë të veçantë që qyteti i Shkodrës ka nxjerrë për të plotësuar edhe kolanën e tij të famshme të prodhuesve dhe mbledhësve të artit popullor Në fakt janë mijra e mijra vargje, mijra emra dhe mijra elementë të historisë, që me anën e punës së jashtëzakonshme të Kasem Taipit, tashmë janë pjesë e trashëgimisë të madhe jo vetëm shkodrane si më i madhja në Shqipëri, për nga prodhimi, por dhe asaj shqiptare. Dosja e tillë në Arkiv është e plotësuar mirë dhe qartë, por aktiviteti i tij është pa dyshim jo kaq i mirë i respektuar si duhet, dhe sa duhet, në konceptin e kontributit të jashtëzakonshëm që ka lënë me biografinë e tij dhe prodhimin e punës së madhe mbledhëse të folklorit. Mund të përmënd se në Shkodër ka një rrugë me emrin e tij, dhe kjo i bën nder Këshillit Bashkiak të qytetit, por kulturalisht dhe moralisht, e gjithë kjo pune gjigande e një njeriu për më tepër patriot, nuk është vënë në vëndin e duhur. Janë shumë e shumë këngë të folklorit shqiptar dhe atij verior e për më tepër shkodran, ulqinak dhe më gjërë, të cilat bazën e tyre origjinale e kanë nga “gjetja dhe impronta” e Kasem Taipit. Një pjesë e madhe e këngëve të cilat kanë shkuar në lartësinë e madhe gjatë viteve të diktaturës dhe kjo duhet përmëndur, kanë diturinë e saktë të Taipit, dhe në shumë raste, është ndryshuar origjinali, por në fakt mjeshtri i madh tashmë e ka lënë të saktë, duke bërë dhe dallimin e rastit. Janë shumë perla vargëzuese dhe muzikore të popullit që origjinën e tekstit të ardhur në kohë e kanë pikërisht te Kasem Taipi. Është një punim i mirë i Selami Tabakut dhe Xhyher Canit, që më herët në vitet 1990-të,  i bën një sqarim të mirë dhe të bukur veprës dhe jetës së tij, dhe padyshim kjo është dhe baza e vetme studimore e mbledhësit të madh dhe më të rëndësishëm të folklorit në Shqipërinë e veriut. Padyshim ai nuk është një krijues, dhe këtu nuk ka pse të bëhet diversion, por është arkivuesi i madh dhe i drejtë i teksteve dhe folklorit, por pa e ndryshuar atë, pa e luajtur nga origjinali, është padyshim më i madhi. Ai ka lindur në vitin 1893 dhe vdiq në vitin 1935-së, por aktiviteti patriotik në frymën e lidhjes së Prizrenit, pavarësisë dhe vazhdimësisë patriotike në vitet 1920-të janë të mëdha. Ka lënë shumë dorëshkrime shqip dhe të këngëve popullore, dhe janë shumë prej tyre në Institutin e Kulturës Popullore të arkivuara dikur, dhe pjesa e plotë e tyre është në formë të kopjeve në arkivin e Shkodrës në Muzeun Historik, pikërisht në dosjen e tij. Botimin e tyre ai e ka filluar si mbledhje në vitin 1915-të, dhe e sqaron këtë në botimin e “Zana Popullore” dhe ai kujdeset aty për gjuhën dhe këngët e popullit. Në fakt, ai është një vazhdues origjinal i të madhit Zef Jubani  që në vitin 1871 ka botuar në Trieste “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare” dhe padyshim  në këtë rrafsh janë dhe Th. Mitko dhe S. Dine. Në fakt ajo që dihet është se Kasem Taipi mblodhi të sakta dhe të plota si drejtshkrim dhe vërtetësi 22.000 vargje, dhe në këtë pikë ai është i pa konkurueshëm. Shetijet e tij në trevat shqiptare janë një legjendë pune e pa lodhur, sepse ndryshe nuk mund të mblidheshin me kaq dashuri dhe pasion të tilla visare dhe pasuri të mëdha folklorike. Edhe në arkiv, ndarja e këngëve është sipas metodës së librave të Kasem Taipit. Pra janë këngët e trimërisë, ose epika shqiptare dhe historia e vërtetë në këngë. Është pikërisht botimi i vitit 1933, apo “Zana Popullore” që ka këtë drejtim. Në fakt, aty janë epikat e mëdha të luftës që kanë ardhur edhe sot si Oso Koka, Mic Sokoli, Zef Jakini dhe Mustaf Brozi, Shtatë Shaljanët etj etj.  Bie fjala ndër sundimtarët më i thekshmi në këngë është Kara Mahmud Pasha, dhe luftrat e tij. Por del mirë dhe qartë dhe Hamz Kazazi, si një luftëtar kundër reformës së tanzimatit. Këngë për Dasho Shkrelin, Mustën dhe Halilin, ka këngë për Ali Pashën e Janinës dhe shumë e shumë këngë të tjera. Po, Kasem Taipi ka mbledhur dhe këngën për Dora D’istrian, dhe motivet që i bëjnë jehonë të madhit Pashko Vasa. Pastaj ndarja e dytë dhe si libër ka dy ndarje nga ana e tij, që janë “këngë dashurie” dhe “valle dhe argetime”, kurse vëllimi i tretë, ka këngët e ahengut dhe përrallat e “Osos së fallxhores” të cilat janë perla të vërteta folklorike akoma pa respektin e duhur në Shkodër dhe Shqipëri.
Problemi është se ky folklor, dhe këto këngë të jashtëzakonshme, tashmë në ditët e sotme të një shfrenimi letrar dhe muzikor, pa bazement letrar dhe artistik, por dhe brëndi të ADN-së tonë kombëtare, i duhet vënë respekti i duhur.
Kasem Taipi është një siguri e madhe letrare dhe artistike, dhe mendoj se është dhe momenti, që këtë siguri duhet ta shfrytëzojmë për të risjellë anën e pastër folklorike dhe letrare në pidestal. Padyshim që një aktivitet, një sesion letrar dhe folklorik për tekstet dhe pastaj pse jo dhe për muzikën, duhet organizuar për ti bërë të mundur dhe pjesës së re të studiuesve dhe pse jo rinisë, për seriozitetin e kësaj vepre dhe këtyre teksteve. Shkodra në fakt, duhet të promovojë kthimin në identitet dhe trashëgiminë kulturore të saj, sepse aty ruhen dhe vlerat e shumta shqiptare, duke qënë se ka “ekzistuar tregu më i madh folklorik dhe letrar në trevat shqiptare”. E vërtete është se Shkodra, ka bërë shumë në këtë drejtim, por është treguar paksa selektive, dhe pikërisht kjo nuk i vlen më qytetit të mrekullueshëm tradicional dhe të pasur me folklor. Një çmim për tekstin popullor dhe gurrën popullore, dhe një organizim i tillë është i detyrueshëm në Shkodër dhe pse jo më gjërë se sa kaq. 
Gjithsesi, tashmë arkivi i Muzeut të Shkodrës, ka në dispozicion për studiuesit dhe publikun, tekstet dhe kjo bëhet për “arkivat e hapura” dhe kohës së sotme të teknologjisë së informacionit ku përmbajtja i tyre do të jetë pak më vonë, dhe një veprim online për të gjithë. Padyshim që Kasam Taipi kërkon dhe një nderim akoma më shumë si vlersim i një brezi të tanishëm për mbledhësin e jashtëzakonshëm shkodran. Një medalje dhe një titull i lartë, është pa asnjë kapërcim në kërkesa, i domosdoshëm.