Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

mercoledì 15 maggio 2013

100 vjetori i çlirimit të Shkodrës 14 maj 1913



100 vjetori i “Internacionalit” në Shkodër.
Shkodra  në 100 vjetorin e saj të çlirimit nga forcat ndërkombëtare dhe luftës për mbrojtjen e heroike të  qytetit.

Dossier
Besi Bekteshi
Data 14 maj e vitit 2013-të, është edhe dita e 100 vjetorit të ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare ose më qartë “Internacionali” në pontilin e Shkodrës, të cilat çliruan qytetin nga pushtimi malazez, dhe larguan zyrtarisht edhe sundimin pesëshekullor të administratës otomane.  Në luftën ballkanike, qyteti i Shkodrës, ka qënë edhe nyja nevralgjike e cila do të ishte elementi kryesor që ky konflikt nga ballkanik mund të kthehej në botëror. Por historia në të vërtetë, me pikërisht këtë ndërhyrje të forcave të para ndërkombëtare dhe paqeruajtëse në teritorin shqiptar e vonon këtë konflikt botëror më tepër se një vit. Synimet e luftës së parë ballkanike, ishin një raprezalje teritoriale, pa anë ligjore dhe pa asnjë respekt sidomos për teritoret e banuara nga shqiptarët në katër vilajetet e perandorisë tashmë të rrënuar turke. Kërcënimi jo vetëm ishte për teritoret në thellësi të trojeve shqiptare si në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe në Janinë dhe që nga Shkodra deri në Vlorë. Ishin sidomos shtete si Mali i Zi dhe Serbia, por edhe Greqia, që po kërcënonin në mënyrë të qartë daljen në Adriatik. Ky ishte edhe momenti që tashmë fuqitë si Austro-Hungaria dhe Italia, mbas një pakti të kahershëm midis tyre, megjithse me interesa të ndara të bashkoheshin për të “sponsorizuar” edhe teritorin shqiptar te fuqitë e mëdha europiane. Në këtë kohë në 8 tetor në Shkodër, fillon edhe  rrethimi i saj dhe veprimi i parë ishte marrja e Tuzit. Përballë njëra tjetrës, ishin forcat më të mëdha në teritorin e Shqipërisë së atëhershme. Ishin rreth 24.000 forca turke dhe vullnetare shqiptare, kurse malazezët tashmë kishin arritur të mbledhin mbi 26.000 forca  rreth e qark të përqëndruara, e më vonë në ndihmë të tyre vijnë edhe 15.000 forca serbe. Divizioni Zeta dhe kryesisht divizioni serb që kishte pushtuar më vonë Durrësin dhe Shengjinin sëbashku me malazezët, po tentonin seriozisht qytetin më të madh të Shqipëtarëve. Bombardimet dhe sulmet ndaj qytetit të Shkodrës,  kanë qënë të ashpra, por mbrojtja si e forcave të rregullta turke, dhe në transhetë e para të forcave vullnetare shqiptare, i kanë detyruar të tërhiqen dhe të mos arrijnë ndonjë fitore të qënësishme aleatëve serbo-malazezë. Qyteti i Shkodrës në atë kohë numëron rreth 32 .000 banorë dhe deri në marsin e 1913, nga periferitë e Shkodrës, janë futur mbi 28 .000 fshatarë dhe malësorë, duke dyfishuar praktikisht qytetin, i cili pësoi në shkurt,  rrethimin e plotë të tij në saj të futjes në lojë të forcave serbe nga jugu i Shkodrës, me pushtimin e Shëngjinit dhe Lezhës. Fortifikimi i Shkodrës është bërë në saj të një strategjie të jashtëzakonshme të komandatit të qytetit, kolonel Hasan Riza, më vonë pasha. Kurse një qëndresë e madhe ushtarake sidomos në datat 7-9 shkurt është realizuar nga komandanti Esad Pasha, ku brënda një kohe të shkurtë kanë vdekur rreth 3000 luftëtarë nga të dy palët. Kancaleritë perendimore tashmë janë shqetësuar shumë. Por që më përpara në datën 17 dhjetor në Londër, dhe pikërisht në st Palace, filloi edhe Konferenca e Londrës që drejtohej nga sir Eduard Grey, ministri i jashtë britanik. Shtysat më të mësha në këtë kohë ishin nga konti Berchtold, ose ministri i jashtë austriak, dhe patjetër edhe nga qeveria italiane, por gjëndja është shumë e rënduar. Gjithsesi në fund të  dhjetorit,  pothuaj fshehtas autriakët dhe rusët, “ishin marrë disi vesh” për teritore në Shqipëri dhe Kosovë, por që gjithsesi ky plan ishte bërë që në tavolinën e Eduard Grey-it të dilte në fund, për të pranuar më në fund edhe mbetjen e Shkodrës si teritor shqiptar. Ndërkohë që në Shkodër vriteshin njerëz, dhe bëhej lufta më e madhe në rrethim në ballkanin perendimor, ndërkohë që dorëzohet pa asnjë problem Janina, fuqitë e mëdha tashmë të dakortëzuara mbi teritorin shqiptar, arrijnë që me datën 22 mars 1913-të të largojnë nga zgjidhja si problem i Shkodrës, si Turqinë dhe Malin e Zi, por edhe Serbinë. Tashmë, vëndimi ishte marrë, që Shkodra do të ishte teritor shqiptar. Ndërkohë si Austria sidomos me interes Shkodrën,  dhe Italia që kishte interesin e Vlorës dhe përparimin e Greqisë rreth saj, shtynin shumë për intervencion në qoftëse Mali i Zi, nuk hiqte dorë. Në këtë rast, kërcënimi i Austrisë se do të pushtonte pjesë së Serbisë dhe Malin e Zi, bëri dhe diferencën e madhe sidomos në Londër, dhe ndikoi në vendimet e saj të më vonshme. Lufta e ashpër në rrethinat e  Shkodrës, në Tarabosh, në Bardhanjol dhe Bërdicë, por dhe në fushën e Shtojit, kishte faqet e para të gazetave të shumta të kohës. Rezistenca e madhe, dhe lufta e pozicioneve, po bënte lajmin e ditës në kryeqytetet e botës dhe vërtetësisht Shkodra ishte tashmë për disa muaj, fokusi i parë i lajmit në botë. Kërcënimi i Malit të Zi për Shkodrën, edhe mbas vendimit të 22 marsit, por dhe heshtja e Serbisë, ka acaruar situatën, deri në shpërthim të luftës botërore dhe këtu vjen edhe shprehja e famshme e ministrit të Britanisë së Madhe Grey, që thotë se “në qoftëse Austria do të pushtojë Malin e Zi, Rusia do ti shpallë luftë Austro-Hungarisë, pastaj Gjermania do ti shpallë luftë Rusisë, dhe pastaj Franca e më vonë Britania luftë njëra tjetrës dhe kështu bota do të hyjë në luftë. Ishte pra momenti më i rrezikshëm në historinë e popullit shqiptar, sepse po diskutohej zhdukja e përgjithshme e teritorit shqiptar, dhe asaj fitoreje të madhe që ishte shpallja e pavarësisë në Vlorë në datëln e madhe historike 28 nëntor.
Në këtë moment, vjen edhe vendimi i fundit të prillit, sidomos mbas të ashtuqajturit pushtim-dorëzim të Shkodrës, me 23 prill 1913. Një dorëzim i kalasë nga Esad Pasha, largim i tij me trupa ushtarake në Durrës, dhe hyrje e trupave malazeze në Shkodër pa e pushtuar dot me luftë pikërisht qytetin e madh, po bënte si lajm, xhiron e botës. Me 30 prill, merret vendimi i bllokadës navale me tendencë trëmbjen e Malit të Zi. Kurse serbët ishin larguar që me 8 prill nga rrethimi i Shkodrës, duke larguar edhe artilerinë e rëndë  të tyre. Me datën 5 maj, bëhet edhe ultimatumi i fundit Malit të Zi, dhe vjen data 14 maj, e cila sjell në pontilin e Shkodrës 750 forcat  e para marinare të Internacionalit,  të zbarkuara rreth orës 14-00, të cilat sollën edhe nënadmiral sir Burney, si njeriun e fortë të administrimit ushtarak të qytetit.  Ato bënë parakalimin e nderit, dhe u pritën nga konsujt e fuqive të mëdha, qytetarë të nderuar të qytetit, dhe kolonelin Bekir si komandat i qytetit i vëndosur në marëveshje si me turqit dhe malazezët.  Qyteti u dorëzua mbas dite, dhe po në këtë çast, u ngritën pesë flamujt e fuqive të mëdha në kalanë e Shkodrës.  Të nesëmen, filluan të vijnë  edhe 250 forca të tjera marinare të cilat plotësuan edhe numrin e forcave çliruese të Shkodrës.  Mbas tyre erdhën dhe forcat tokësore të cilat numëronin 2500. Ishin forca çliruese, sepse nga historianografia e regjimit komunist,  janë trajtuar si forca pushtuese. Janë trajtuar si të tilla nga kjo historianografi, sepse nuk donin për asnjë çast të pranonin se austriakët, italianët, gjermanët, britanikët dhe francezët, ishin më të mirë se sa malazezët. Po, edhe paqen e  sjellë në Shkodër nga pikërisht këtë fuqi të mëdha miket tona të sotmet, e kanë konsideruar një pushtim, duke shtrëmbëruar dhe falsifikuar historinë. Malazezët u çarmatosën dhe u lejuan rreth 1000 ushtarë të tyre, të marrin armët e rënda dhe të varrosin të rënët, kurse qyteti filloi edhe administrimin vëndor dhe të shuante urinë, por edhe duke bërë depistimin e lagjeve të qytetit. Malazezëve të armatosur ju është dhënë vetëm 2 orë kohë të largohen dhe teritori i Shkodrës nën administrimin e admirialiatit të ishte mbi 10 km rrethor ndaj qytetit më të madh në Shqipëri. Ky ishte edhe momenti edhe i përcaktimit të teritor shqiptar, duke lënë edhe Shkodrën brënda tij. Nga kjo forcë shumëkombëshe paqeruajtëse, është aprovuar dhe praktikuar edhe teritori i parë shqiptar i vitit 1913-të,  duke formuar realisht jo kaq juridikisht edhe pikërisht ato 28 mijë km katror që kemi sot. Mbas sir Burney-t, u vendos me propozim të tij, koloneli Philips si guvernatori i parë i Shkodrës, dhe u formua me vendim të admirialiatit edhe Bashkia e Shkodrës në datën 20 maj, por që që hyri në veprim në datën 1 gusht, duke i dhënë besnikëri edhe qeverisë së Ismail Qemalit.Qyteti më i madh shqiptar, u nda në pesë rajone administrimi dhe kjo shumë e shumë vite më përpara se eksperimentit me Berlinin.  Ky është edhe momenti kur ndërkombëtarët ose Internacionali,  lejon që të njihet praktikisht edhe Shqipëria me Shkodrën brënda, dhe me disa akte juridike si kundër ishte edhe vendimi i Perlimtares së Shkodrës (Bashkisë Moderne)  për njohje të qeverisë së Ismail Beut. Internacionali,  vuri rendin në qytet, lejoi flamurin shqiptar dhe ngriti autoritet vëndore. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, vitin e  kaluar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ka nderuar me “Qytetar Nderi” si admiral Burney-nin dhe Gjeneral Philips, i cili ka qënë guvernator edhe në vitin 1918-të në Shkodër. 
14 maji i viti 1913-të,  është dita më e rëndësishme në historinë e 100 viteve të fundit për Shkodrën, sepse e para, është bërë lufta më e madhe në trojet shqiptare, mbas dy rrethimeve të Shkodrës dhe dy rrethimeve të Krujës, për nga forcat luftuese dhe popullsia e ndërthur midis tyre. Në fakt, kanë qënë rreth 60.000 forca ndërluftuese, mbi 200 topa, prej të cilëve 90-të ishin të kalibrit të madh. Ka pasur mbi 8500 të rënë në luftime dhe një numër jo mirë i precizuar i popullsisë e cila ka vdekur si pasojë e luftës.   E dyta, 14 maji si datë, bëri që me veprimet diplomatike dhe ushtarake, të mbetet teritor shqiptar Shkodra, dhe një pjesë e madhe e vilajetit të Shkodrës, i vetmi që ka mbetur brënda 28.000 km katror. E treta, këtë veprim, e kanë bërë fuqitë Europiane si Austro-Hungaria, Italia, Britania, Gjermania dhe Franca, miket tonat sot të cilat mbas 9-të dekadash, arritën të formonin tashmë me NATO-n dhe SHBA-të, shtetin e ri të Kosovës për të riparuar disi gabimet e të kaluarës.  Në këtë kohë Shkodra ishte vërtetë pika më e rëndësishme e Shqipërisë dhe trevave mbarëshqiptare. Ajo me qëndresën e saj dhe interesin që paraqiste ndaj disa fuqive perendimore, krijoi edhe premisat për përcaktimin e teritorit shqiptar. 14 maji, është edhe dita e eksperimentit të parë të sukseshëm të forcave paqeruajtëse të Europës, e cila vetëm mbas një viti, u fut në luftën e parë botërore.

Nessun commento:

Posta un commento