Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 21 maggio 2013

100 vite Perlimtare e Shkodres



100 vite nga formimi i Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.

Koment
Besi Bekteshi
Dje është përkujtuar në Shkodër, 100 vjetori i vëndimit të Komisionit të Administrimit dhe Admiraliatit Ndërkombëtar të vitit 1913. Ka qënë një vit i jashtëzakonshëm viti 1913-të, i cili qytetin më të madh shqiptar, pikërisht qytetin e Shkodrës, e ka projektuar si të vetmin qytet me një pushtet vëndor të krijuar nga “Internacionali”. Gazeta SOT, është e vetmja në Shqipëri, e cila ka nderuar edhe këtë fakt madhor të vitit 1913-të, i cili formëzoi me anën e akteve historike dhe juridike, edhe teritorin shqiptar të sulmuar dhe kontestuar nga shumë fuqi fqinje, por dhe të huaja të mëdha. Mirëpo historia e Shkodrës, është një moment i papërsëritshëm në Shqipëri jo vetëm për rrethimin, luftën dhe të vdekurit, por edhe për marrëdhëniet e fuqive europiane për të formëzuar shtetin dhe teritorin shqiptar tashmë i larë me gjak më shumë se kudo në mënyrë të jashtëzakonshme pikërisht në Shkodër.
Me datën 14 maj “Internacionali”, ose pesë  fuqitë e mëdha ndërhynë me forca marinare dhe pastaj tokësore në Shkodër. Në datën 15 maj Admiraliati me sir Burney-n,  shpallën administrimin e tyre. Por me datën 20 maj në orën 12-të, Këshilli i Admiraliatit ose Komisionit Ndërkombëtar, vendosi të krijonte “Perlimtaren e Shkodrës” ose më qartë për sot, Bashkinë e Shkodrës dhe Këshillin Bashkiak të saj. Sir Burney si britanik, Petris si Italian, Njegovan, si austriak, Commodore si francez dhe Klitznig gjerman, vendosin ligjërisht aktin e krijimit të “Perlimtares” në Shkodër.
Shkodra edhe dikur kishte “Beledijen” më të madhe të trevave shqiptare. Kjo “Beledije”, ka qënë një pushtet i kontrolluar dhe zgjedhur nga otomanët, dhe ka funksionuar sidomos mbas viteve 1887-të në mënyrë të rregullt, por funksionet kryesore i kishte padyshim “Valiu i Shkodrës” dhe përfaqësuesit e Perandorisë. Asnjëherë nuk është shkruar shqip, dhe asnjëherë nuk është lejuar flamuri shqiptar. Me datën 20 maj të këtij viti të largët tashmë 100 vite, mori fund “Beledija” dhe përfqësimi tre javor malazez në qytetin prej 34 mijë banorësh të Shkodrës në atë kohë. Flasim për qytetin që kishte 10-të lagje dhe shtrihej në një madhësi të jashtëzakonshme nga Bërdica në Zogaj, nga Bardhanjolli në Zus dhe nga Kuçi në fushën e Shtojit.  Internacionali, organizoi dhe të parat “zgjedhje të këshillit bashkiak” të cilat nisën në 20 maj dhe përfunduan afër muajit gusht, por vendosën gjitashtu që kriteri të ishte 12 anëtarë të Këshillit Bashkiak, gjashtë mysliman, pesë katolik, dhe një ortodoks. Po, dhe kështu u bë. Me datën 1 gusht përfundoi gjithshka dhe me bekimin e sir Burney-t dhe të tjerëve, Perlimtarija e Shkodrës, filloi funksionin e saj. Por çfarë ka tjetër interesante në këtë gjë? Përveç se është marrë vëndimi unanim për formimin e Bashkisë me datën 20 maj, Internacionali, përgatiti që të nesërmen, kornizën ligjore të Bashkisë, sipas modelit perendimor tashmë, dhe kjo u pranua nga qytetaria shkodrane patriote dhe në bashkim me Internacionalin që  çliroi Shkodrën vetëm një javë përpara. Një pjesë e madhe të të dhënave për 20 majin dhe 1 gushtin janë në Arkivin e Vienës, në studimet e Tibor Ballës në Budapest si pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, në relacionet e ndryshme të konsujve në Shkodër dhe shumë e shumë punime të tjera. Kurse dy letrat e firmosura në Gusht janë pjesë e arkivit të shtetit dhe atij të Shkodrës.  Akoma më shumë, perlimtaria e Shkodrës i jep besimin e saj me lejen e Internacionalit, dhe Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit dhe ky akt i firmosur nga Kryetari Muharrem Beg Gjylbegu, është një nga momentet e famshme se si “Internacionali” lejon njohje “de fakto dhe de jure” të qeverisë provizore në Vlorë.  Asnjë bashki në Shqipëri, në trevat shqiptare, nuk kishte firma dhe vendime njohje nga ndërkombëtarët dhe pesë fuqitë e mëdha përveç asaj të Shkodrës, dhe ky është një moment tepër sinjikativ për qytetin e madh verior të Shqipërisë.
Asnjë vënd tjetër në Shqipëri nuk kishte mundësinë të kishte vula dhe firma të njohura ndërkombëtarisht dhe institucion që më vonë të kishte mundësinë të ngrinte po me lejen e ndërkombëtarëve dhe guvernatorit Philips,  flamurin shqiptar. Po për herë të parë me lejen e ndërkombëtarëve kjo gjë! E kjo është pika tjetër e rëndësishme e Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.
Për këtë ditë unë sërish i bëj homazh njerzve që bënë perlimtaren e Shkodrës, dhe që janë: Muharrem Gjylbegu si Kryetar, Shan Deda nënkryetar, Sulço Begu, Hamz Juka, Riza Begu, Adem Boriçi, Elez Sokoli, Mikel Shkreli, Gjergj Mozali, Gjon Ashiku, Hil Topalli, Paolo Vuçiniq.
Këto ishin qytetarët e lartë shkodranë, që arritën edhe me ndihmën e Internacionalit ti bashkoheshin edhe institucionalisht organeve të pushtetit vëndor si në perëndim. Nxorrën vulat në shqip, dhe filluan për herë të parë edhe rregulloret në shqip, dhe po ashtu, edhe urdhërat e parë po në shqip. Për herë të parë bënë zgjedhje në lagje, dhe krijuan edhe besimin në qytetin e Shkodrës si administrim vëndor.  Në tetor, u ulën flamujt e Internacionalit, dhe u ngrit përfundimisht flamuri shqiptar i lirë në Shkodër, dhe me besimin e guvernatoriatit gjë që akoma ishte jo e lejuar në treva shqiptare në këtë mënyrë. Mbas kësaj, Perlimtarja e Shkodrës, në një manifestim të jashtëzakonshëm lartëson flamurin shqiptar me pjesmarrjen e shumë e shumë patriotëve nga gjithë vëndbanimet shqiptare, duke mbledhur mbi 20.000 njerëz.
Ishin ditë të mëdha në Shkodër, sa po kishin dalë nga një luftë me mijra të vdekur pas, dhe po jetonin ditët e “Internacionalit” në Shkodër. Këto ishin edhe ditët e Bashkisë së parë moderne dhe të njohur ndërkombëtarisht, që është Bashkia e Shkodrës.  

Nessun commento:

Posta un commento