Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

sabato 21 settembre 2013

Dalin për publikun, tekstet e shumta të mbledhësit të madh shkodran të folklorit



Kasem Taipi, ose mbledhësi legjendë i folklorit i pa respektuar në kohë!

Dalin për publikun, tekstet e shumta të mbledhësit të madh shkodran të folklorit



Koment

Besi Bekteshi
 Një nga dosjet më të plota dhe me shumë rëndësi në arkivin e Muzeut të Shkodrës, është dosja e mbledhësit më të madh të folklorit në Shqipëri, njeriut autodidakt, por shumë të veçantë që qyteti i Shkodrës ka nxjerrë për të plotësuar edhe kolanën e tij të famshme të prodhuesve dhe mbledhësve të artit popullor Në fakt janë mijra e mijra vargje, mijra emra dhe mijra elementë të historisë, që me anën e punës së jashtëzakonshme të Kasem Taipit, tashmë janë pjesë e trashëgimisë të madhe jo vetëm shkodrane si më i madhja në Shqipëri, për nga prodhimi, por dhe asaj shqiptare. Dosja e tillë në Arkiv është e plotësuar mirë dhe qartë, por aktiviteti i tij është pa dyshim jo kaq i mirë i respektuar si duhet, dhe sa duhet, në konceptin e kontributit të jashtëzakonshëm që ka lënë me biografinë e tij dhe prodhimin e punës së madhe mbledhëse të folklorit. Mund të përmënd se në Shkodër ka një rrugë me emrin e tij, dhe kjo i bën nder Këshillit Bashkiak të qytetit, por kulturalisht dhe moralisht, e gjithë kjo pune gjigande e një njeriu për më tepër patriot, nuk është vënë në vëndin e duhur. Janë shumë e shumë këngë të folklorit shqiptar dhe atij verior e për më tepër shkodran, ulqinak dhe më gjërë, të cilat bazën e tyre origjinale e kanë nga “gjetja dhe impronta” e Kasem Taipit. Një pjesë e madhe e këngëve të cilat kanë shkuar në lartësinë e madhe gjatë viteve të diktaturës dhe kjo duhet përmëndur, kanë diturinë e saktë të Taipit, dhe në shumë raste, është ndryshuar origjinali, por në fakt mjeshtri i madh tashmë e ka lënë të saktë, duke bërë dhe dallimin e rastit. Janë shumë perla vargëzuese dhe muzikore të popullit që origjinën e tekstit të ardhur në kohë e kanë pikërisht te Kasem Taipi. Është një punim i mirë i Selami Tabakut dhe Xhyher Canit, që më herët në vitet 1990-të,  i bën një sqarim të mirë dhe të bukur veprës dhe jetës së tij, dhe padyshim kjo është dhe baza e vetme studimore e mbledhësit të madh dhe më të rëndësishëm të folklorit në Shqipërinë e veriut. Padyshim ai nuk është një krijues, dhe këtu nuk ka pse të bëhet diversion, por është arkivuesi i madh dhe i drejtë i teksteve dhe folklorit, por pa e ndryshuar atë, pa e luajtur nga origjinali, është padyshim më i madhi. Ai ka lindur në vitin 1893 dhe vdiq në vitin 1935-së, por aktiviteti patriotik në frymën e lidhjes së Prizrenit, pavarësisë dhe vazhdimësisë patriotike në vitet 1920-të janë të mëdha. Ka lënë shumë dorëshkrime shqip dhe të këngëve popullore, dhe janë shumë prej tyre në Institutin e Kulturës Popullore të arkivuara dikur, dhe pjesa e plotë e tyre është në formë të kopjeve në arkivin e Shkodrës në Muzeun Historik, pikërisht në dosjen e tij. Botimin e tyre ai e ka filluar si mbledhje në vitin 1915-të, dhe e sqaron këtë në botimin e “Zana Popullore” dhe ai kujdeset aty për gjuhën dhe këngët e popullit. Në fakt, ai është një vazhdues origjinal i të madhit Zef Jubani  që në vitin 1871 ka botuar në Trieste “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare” dhe padyshim  në këtë rrafsh janë dhe Th. Mitko dhe S. Dine. Në fakt ajo që dihet është se Kasem Taipi mblodhi të sakta dhe të plota si drejtshkrim dhe vërtetësi 22.000 vargje, dhe në këtë pikë ai është i pa konkurueshëm. Shetijet e tij në trevat shqiptare janë një legjendë pune e pa lodhur, sepse ndryshe nuk mund të mblidheshin me kaq dashuri dhe pasion të tilla visare dhe pasuri të mëdha folklorike. Edhe në arkiv, ndarja e këngëve është sipas metodës së librave të Kasem Taipit. Pra janë këngët e trimërisë, ose epika shqiptare dhe historia e vërtetë në këngë. Është pikërisht botimi i vitit 1933, apo “Zana Popullore” që ka këtë drejtim. Në fakt, aty janë epikat e mëdha të luftës që kanë ardhur edhe sot si Oso Koka, Mic Sokoli, Zef Jakini dhe Mustaf Brozi, Shtatë Shaljanët etj etj.  Bie fjala ndër sundimtarët më i thekshmi në këngë është Kara Mahmud Pasha, dhe luftrat e tij. Por del mirë dhe qartë dhe Hamz Kazazi, si një luftëtar kundër reformës së tanzimatit. Këngë për Dasho Shkrelin, Mustën dhe Halilin, ka këngë për Ali Pashën e Janinës dhe shumë e shumë këngë të tjera. Po, Kasem Taipi ka mbledhur dhe këngën për Dora D’istrian, dhe motivet që i bëjnë jehonë të madhit Pashko Vasa. Pastaj ndarja e dytë dhe si libër ka dy ndarje nga ana e tij, që janë “këngë dashurie” dhe “valle dhe argetime”, kurse vëllimi i tretë, ka këngët e ahengut dhe përrallat e “Osos së fallxhores” të cilat janë perla të vërteta folklorike akoma pa respektin e duhur në Shkodër dhe Shqipëri.
Problemi është se ky folklor, dhe këto këngë të jashtëzakonshme, tashmë në ditët e sotme të një shfrenimi letrar dhe muzikor, pa bazement letrar dhe artistik, por dhe brëndi të ADN-së tonë kombëtare, i duhet vënë respekti i duhur.
Kasem Taipi është një siguri e madhe letrare dhe artistike, dhe mendoj se është dhe momenti, që këtë siguri duhet ta shfrytëzojmë për të risjellë anën e pastër folklorike dhe letrare në pidestal. Padyshim që një aktivitet, një sesion letrar dhe folklorik për tekstet dhe pastaj pse jo dhe për muzikën, duhet organizuar për ti bërë të mundur dhe pjesës së re të studiuesve dhe pse jo rinisë, për seriozitetin e kësaj vepre dhe këtyre teksteve. Shkodra në fakt, duhet të promovojë kthimin në identitet dhe trashëgiminë kulturore të saj, sepse aty ruhen dhe vlerat e shumta shqiptare, duke qënë se ka “ekzistuar tregu më i madh folklorik dhe letrar në trevat shqiptare”. E vërtete është se Shkodra, ka bërë shumë në këtë drejtim, por është treguar paksa selektive, dhe pikërisht kjo nuk i vlen më qytetit të mrekullueshëm tradicional dhe të pasur me folklor. Një çmim për tekstin popullor dhe gurrën popullore, dhe një organizim i tillë është i detyrueshëm në Shkodër dhe pse jo më gjërë se sa kaq. 
Gjithsesi, tashmë arkivi i Muzeut të Shkodrës, ka në dispozicion për studiuesit dhe publikun, tekstet dhe kjo bëhet për “arkivat e hapura” dhe kohës së sotme të teknologjisë së informacionit ku përmbajtja i tyre do të jetë pak më vonë, dhe një veprim online për të gjithë. Padyshim që Kasam Taipi kërkon dhe një nderim akoma më shumë si vlersim i një brezi të tanishëm për mbledhësin e jashtëzakonshëm shkodran. Një medalje dhe një titull i lartë, është pa asnjë kapërcim në kërkesa, i domosdoshëm.

martedì 10 settembre 2013

Familja Ebreje Arditi dhe tragjedia e vitit 1944

Familja Arditi, dokumentat në dosje, hebrenjtë dhe Shkodra!



Nga Besi BEKTESHI Vetëm një familje me origjinë të qartë dhe të plotë hebreje është burgosur, internuar dhe shfarosur në vitin 1944 në Dakau dhe kjo është familja Arditi. Padyshim që në Shqipëri është një histori e jashtëzakonshme e trajtimit në mënyrë të mirë dhe mbrojtëse të familjeve dhe individëve me origjinë hebreje. Është një histori që na nderon në sy të botës së qytetëruar, dhe na fut në popujt më të qartë në jetën e kulturuar dhe të shpirtit tolerant dhe bashkëpunues për mirë në multikulturalizëm, por në mënyrë të veçantë në konceptin racor të këtij elementi. Duke u kthyer te familja Arditi, më duhet t’u shtoj fakteve për këtë familje edhe të dhënat e marra dhe të dala për herë të parë tashmë në gazetën “SOT”, nga “Komiteti i Veteranëve” i kohës, i cili i konsideron dëshmorë dhe viktima të luftës dhe tregon dhe momentin e tyre fatkeq në vitin 1944. Polemikave mbi këtë familje në fakt, që në fillim mund t’i përgjigjem me të vërtetën se ajo pjesë e origjinarëve hebre që mbeti në Shqipëri, u trajtua mirë nga shteti dhe shoqëria e kohës. Por polemikat e vetme nuk janë ndonjë gjë dhe njërin prej pinjollëve të kësaj familjeje e kam pasur dhe inxhinier elektrik dikur në fillimet e punës time në rini. Ai trajtohej shumë mirë. Polemikat kanë nisur nëse është dorëzuar, spiunuar apo jo kjo familje nga qytetarët? E kjo është një polemikë jo vetëm e kotë, por dhe cinike nëqoftëse kemi parasysh se nuk ka kurrfarë të dhëne mbi armiqësitë që kjo familje mund të kishte pasur në rrugën “Badra”, ku kanë banuar. Jo vetëm kjo, por edhe dashamirësie e jashtëzakonshme në një jetë të kaluar pa probleme.
Në dokumentat e veteranëve, të cilët përcaktonin edhe dëshmorët, heronjtë, të internuarit, të burgosurit, të vrarët, është dosja e posaçme të njerëzve të internuar në Prishtinë dhe Mitrovicë dhe pastaj në Dakao, Berlin dhe Buhenvald, Mathausen etj. Padyshim që ka firmat dhe vulat e Hys Zajës dhe Jup Troshanit, dhe normalisht që unë vetë personalisht di qartë dhe mirë këtë histori internimesh nga gjermanët në vitin 1944, sepse dhe babai im ishte një prej të internuarve të tyre, por i shpëtuar gjallë për fat. Në këtë dosje të posaçme flitet me rradhën e vendosur prej tyre për Dario Zhak Arditi i lindur 1917, i arrestuar në dhjetor 1943 dhe burgosur në Shkodër, por pastaj është çuar në kampin e Prishtinës në maj 1944. Pastaj mbas dhjetë ditësh është dërguar në kampin e shfarosjes në Dakau në Gjermani ku është eleminuar, ose vrarë me gaz. Më pas vijnë po kështu emri e Leon Zhak Arditi i vitit 1943, po ashtu i arrestuar në dhjetor dhe internuar në maj 1944 me po të njëjtin fat. Vjen pastaj Luka Zhak Arditi i datëlindjes 1890-të, me po të njëjtin fat, pastaj Luçie Zhak Arditi e vitit 1910 dhe në fund Ugo Zhak Arditi i vitit 1927, që mbyll tragjedinë e një familje hebreje në Shkodër. Të gjithë kanë vdekur në Dakao ku u vra apo vdiq dhe Zyhdi Muhemet Repishti, i cili u torturua në burgun e Gestapos në Shkodër dhe i ra fati i zi të vdiste dhe ai në Dakao, por mbasi kishte qenë në Mathauzen. I vetmi që shpëtoi nga kjo familje ishte djali i madh Mosi. Ai ishte dhe vazhdoi si një farmacist i nderuar dhe i respektuar. Polemikat mbi zhdukjen e një familjeje shkojnë në drejtimin se “ja pra që është zhdukur një familje” dhe padyshim që familja është zhdukur në këtë mënyrë të sipërtreguar, por…!? Por nuk ka kurrfarë të dhëne se kjo familje nuk u mbrojt apo se u shit në atë kohë. Nuk ka, dhe për më tepër dihet qartë se përpara tyre italianët i kishin të skeduar se kush ishin dhe çfarë bënin apo ku banonin. Për më tepër se me ardhjen e gjermanëve dokumentacioni i kuesturës ra në dorë të tyre. Një nga nuset e familjes dhe sidomos ajo e quajtur Sara, apo pikërisht e shoqja e inxhinierit, duke marrë pjesë në polemika falenderon popullin e Shkodrës për respektin dhe trajtimin ndaj familjes Arditi. Ajo tregon se familja është arrestuar menjëherë në rrugën “Badra” dhe “shpëtoi” vetëm Zhaku i cili ishte në farmacinë e familjes. Ai merr vesh se janë marrë nga gjermanët dhe gestapo dhe vrapon për ti shpëtuar, por arrestohet për vete. Në fakt, Sara tregon se ai kthehet gjallë nga Prishtina, por as që bëhet fjalë se gjen gjallë më gruan dhe fëmijët e deportuar. Janë disa shqiptarë që janë kthyer gjallë dhe në këtë vijë ishte dikur dhe babai im, duke më treguar dhe atë pak që dinte mbi historinë e dhimbshme të farmacistit hebre. Por në fakt, ajo, pra Sara, tregon se kësaj familjeje nga disa familje shkodrane “ju është lutur për ndihmë”, pra për ti fshehur dhe vetëm mos pranimi në ardhjen e gjermanëve, ka sjellë dhe pastaj arrestimin e tyre dhe vrasjen në kampet e përqendrimit. E kjo duket qartë dhe në atë çfarë shprehet edhe në cilësimet komiteti veteranëve. Dario është shpallur dëshmor dhe të tjerët viktima, por unë kam dosjen e kohës së “diktaturës” që deklarojnë “qëndrimin e mirë politik të tyre”.
Gjithashtu janë faktet e qarta të “fshehjes” së qytetarëve të tjerë me origjinë hebreje të cilët ose u fshehën, ose u “kthyen” në myslimanë, për ti shpëtuar rrezikut të raprezaljes së gestapos. Kurse familja Arditi ishte qartësisht e dukshme, si me biznesin dhe me shtëpinë dhe lëvizjet në kohën kur rreziku i deportimit nga gjermanët ishte i madh. Në dokumentacionin e tashmë dalë për publikun, janë pikërisht këto anëtarët të familjes Arditi, por së bashku me to janë dhe Alush Shefqet Dibra i vrarë në Dakau, Ahmet Muho Cungu i çuar në Hamburg dhe çliruar nga amerikanët. Gjergj Shkurtaj, i internuar në Frankfurt dhe liruar nga amerikanët. Luigj Simon Sula i vrarë me gaz në Dakau. Po ashtu dhe Mirash Pal Biba, i vrarë në Gjermani, por pa u caktuar mirë vendi. Ndrec Shtjefen Shtjefni, i kapur dhe internuar në Lingen dhe i liruar nga aleatët. Pashuk Simon Gjeravina, i internuar në Hylz dhe i liruar nga aleatët. Po në Hylze është internuar dhe Pashuk Simon Hila, i kthyer mbas lirimit nga aleatët dhe mbas tij Rrok Ndue Lazri i interuar në Zigen, pastaj Rifat Murat Laçej i internuar në Hamburg VII-A dhe i liruar nga amerikanët. Mbas tyre vjen Selim Beqir Golemi i internuar në Laipzig dhe aty është vrarë i pushkatuar. I fundit është Vehbi Sait Ramadani i internuar në Mathhauzen dhe Ervil në Francë dhe i ardhur gjallë në Shqipëri në 7-3-1945.
I shtova dhe këta persona, të cilët as nuk janë hebrenj dhe nuk janë kursyer nga gjermanët në mënyrë të qartë dhe për të thënë se normalisht që janë deportuar në të njëjtën kohë me familjen Arditi dhe pothuaj kanë bërë të njëjtën rrugë. Historitë e larta të ndihmës, mbrojtjes dhe daljes zot nga shqiptarët të hebrenjve në Shqipëri, nuk mund të sfumohen nga tragjedia e një familje hebreje, e cila kishte fatin e keq të mos merrte masat për tu mbrojtur në kushtet e një raprezaljeje në majin e vitit 1944. Por respekti dhe vazhdueshmëria e fatit të mirë të djalit të madh Mosi, tregojnë dhe momentin e madh të një populli që nuk ishte dakord me asnjë lloj gjenocidi, dhe me asnjë lloj hakmarrje raciale dhe sidomos me habrenjtë. Ka dhe në Shkodër të tjerë me origjinë të tillë, dhe padyshim dhe kjo tregon se momenti ka qenë fatal për familjen Arditi. Gjithsesi, dokumentat vërtetojnë se familja që pasoi dhe mbijetoi, nuk u persekutua, por nuk doli asgjë në fakt që të tregonte dhe “spiunimin” e tyre. Përndryshe diktatura do të kishte përdorur këtë element jo kaq shumë për “çështjen hebre”, se sa për të evidentuar njerëzit kundra tyre. Arrestimet e deportimet e shumë shqiptarëve vërtetë u bënë me disa bashkëpunëtorë për në Prishtinë, por kryesoret ishte dokumentat në Kuestura, me emrat dhe mbiemrat e komunistëve dhe nacionalistëve me drejtim të majtë, por dhe me origjinarë hebre në Shkodër dhe biles dhe Tiranë. Ishin këto dokumenta që sollën dhe tragjedinë e familjes Arditi.


mercoledì 4 settembre 2013

Për herë të parë emrat e drejtuesve dhe nëpunësve të Bashkisë së Shkodrës në 1916-të.



Kur bashkia funksiononte si një model administrimi perendimor në vitin 1916.











Dossier

Besi Bekteshi

Nga dokumentacionet më të jashtëzakonshme të funksionit administrativ dhe të pushtetit vëndor në kushtet e një pushtimi dhe komande ushtarake, është viti 1916, kur austriakët dhe gjenerali Trollman kishin arganizuar në Shkodër. Ishte i vetmi qytet në Shqipërinë e 28 mije km katrorë që kishte kushte rendi, administrimi vëndor, spitali, ndihme sociale, punësimi në shërbime, shkollimi, ndriçimi, zyrash ankimi etj etj. Mu kujtua e gjithë kjo praktikë e dosjeve të vjetra të Bashkisë, ose dosja (D1) e cila ka pastaj dhe elementë të veprimtarisë në këto vite të jashtëzakonshme vërtetë pushtimi, por të një përpjekjeje dhe nga qytetarët shkodranë, për të shkuar drejt perëndimit. Dje në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, ka ndodhur një çudi e madhe “politike”, sepse këshilltarë nga anët e ndryshme politike (disa), hedhin firma kundër një këshilltari për më tepër punëdhënës i madh në Shkodër, dhe pastaj nuk i dalin zot  ballas firmave të vendosura sipas zbulimit të mediave. Për turp, dhe për një “demokraci çalamane në Shkodër” e gjitha kjo. E kur po bisedonim me kolegët, ju paraqita Bashkinë e Shkodrës në vitin 1916-të, me Kryetar Musa Juka dhe Nënkryetar Luigj Gurakuqin, por dhe me anëtarë qytetarë të rëndësishëm të Shkodrës, arritëm në konkluzion, se atëhere ka pasur burra.
Këtu e kam fjalën. Dy fotot e jashtëzakonshme të Arkivit të Muzeut Shkodër, paraqesin vitin e jashtëzakonshëm fushë beteje, dhe me austriakët si pushtues, por dhe vendimin e parisë së qytetit për të bërë punën e administrimit të bashkisë. Një foto është në oborrin e vjetër dhe tjetra në korpskomandën e Trollmanit. Ku është interesantja dhe për sot? E para njerzit e bashkisë dhe këshillit bashkiak në Shkodër. Po ishin Musa Juka, Luigj Gurakuqi,  Ndrekë Vogli, Basri Asllani, Serafin Mazreku, Tahir Dizdari, Januz Buliqi, Zef Meshkalla, Kel Çollaku, Sandër Saraçi, Gjon Çoba, Fahri Rashiti, Pashko Haxhija, Elez Sokoli, Maliq Bekteshi, Pjetër Kakarriqi, Shaqir Gjylbegu, Halil Kraja, Mehmet Bushati, Daniel Gjorgji, Tahir Mandija, Ali Ulqini, Kel Çollaku, Tut Koçobashi, Sait Bilali etj etj. Vetë zgjedhjet dhe organizimi ishin një moment gjysëm demokratik sepse vërtetë ishte pushtim, por përfaqësuesit sipas lagjeve ishin me një përfaqësim demokratik për kohën si zgjedhje lokale. Nuk kishte asnjë arsye religjonare dhe pse në fakt, përfaqësuesit ishin në tre religjonet. Por kleri nuk është pasur si referencë në këtë rast, dhe kjo është e shprehur dhe në komandën austriake të kohës. Një pjesë e madhe, kishin shkollim jashtë dhe shkollim të qartë, kurse të tjerët ishin pjesë e një backgroundi...që austriakët, e kishin të sigurtë. Ishte një pushtim dhe luftë botërore dhe Shqipëria një vënd i shkelur, por Shkodra ishte akoma nën rivendikimin sllav dhe kryesisht serb tashmë. Austriakët ishin pushtues, por dhe garantues që ushtrinë serbe të mos guxonin të afroheshin, ose të guxonin por të përballeshin. Ato kishin një lloj përkrahje në popull dhe disi më pak në “aristokracinë vëndese” por kishin vendosur rend dhe rregull.
Por nga ana tjetër, kush ishte realisht interesante përveç rrogave të tilla si bie fjala Juka merrte 500-të korona dhe Gurakuqi 350-të të tilla?  Interesante ishte sistemi i shërbimeve të Bashkisë. E para qyteti ndriçohej dhe me ndezje vajguri dhe një motorr. Ishte e gjithë qëndra dhe disa rrugë kryesore si zgjatim që ndriçoheshin. Kishte shërbim postar të mirë organizuar, dhe mirë të paguar. Kishte një njësi komunale për pastrim kanalesh dhe rregullim rrugësh. Kishte shërbim sanitar dhe higjenizues që pononte në çdo lagje të qytetit të madh. Tirana ishte afër 8000 banorë në atë kohë, dhe Shkodra rreth 32 mijë banorë. Këto shërbime ishin falas, sepse qyteti nuk kishte shumë taksa përveç doganës që e kontrollonin austriakët dhe tregut por dhe pazarit, kështu që korpskomanda paguante për shërbimet pikërisht bashkinë e cila realizonte me përpikmëri ato. Ka dhe dokumenta pagesash dhe të faturave të tilla. Pastaj shkollimi dhe spitali i parë normal, por dhe shkolla teknike e madhe që ishin një mrekulli e austriakëve dhe padyshim të Bashkisë së Shkodrës. Duke i shtuar edhe rreth 11 shkolla fillore dhe një e arsimit më të lartë në qytet, mund të them se Shkodra ishte kryeqyteti i Shqipërisë në atë kohë. Bashkia e Shkodrës shërbimin funeral e bënte falas, dhe taksa e rrugëve ishte minimale, kurse ndihma sociale ishte për familjet e varfëra dhe gjysmën e nxirrte Bashkia, kurse gjysmën komanda e austriakëve. Janë drejtuar rrugët në 1916-tën, dhe pse ishte luftë, dhe janë disa segmente në Shkodër, që morën formën e duhur dhe u mbollën shumë pemë të bukura që janë edhe sot në gjatësi përveç ekzistuesve. U riparuan dy xhami dhe një kishë, sepse ishin dëmtuar shumë dhe koronat i nxorri me ndihmën e austriakëve Bashkia e Shkodrës. Sasia e të vobektëve ishte e madhe, dhe Bashkia krijoi fondin e punës komunitare për pastrim rrugës dhe gjelbërim, por dhe hapje kanalesh dhe rrugësh të reja. Zakoni i peshkut të vogël që falet u mbajt në formë dhe përmbajtje, dhe u ngritën dy azile pleqsh kryesisht të njerzve që kishin mbetur vetëm nga 1913-ta për ti ushqyer dhe për të pasur një strehë. U rregullua tregu i madh i Shkodrës, dhe ishte vëndi i zbatimit të taksës. Taksambledhësit e Bashkisë kishin uniformat e para dhe mjetin e identifikimit, por dhe mjetet  bllokimit të tregtarëve abuzues dhe Bashkia kishte vendosur për kohën çmime tavan. Çmimet kontrolloheshin në mëngjez, dhe po të gjëndej ndonjë tregtar me shitje mbi tavanin sekuestrohej dhe dënohej me tre ditë burg dhe 20 korona gjobë.  Qarkullimi me armë u ndalua, dhe Bashkia nuk kishte në pushtetin e saj polici, por komanda kishte një xhandërmari me shqiptarë të armatosur, që patrullonin në rrugët e qytetit të madh.  Kush nuk çonte fëmijën në shkollë si Bashkia dhe komanda, e dënonin me punë komunitare dhe propozonin burg për prindin e fëmijës. Flamuri austriak ishte në krye, por në shkollë ishte i ngritur flamuri shqiptar, dhe po ashtu dhe bashkia kishte dy flamuj të ngritur. Po, por flamuri shqiptar ishte kryesori. Mbledhjet e Këshillit Bashkiak për vendime parësore bëheshin të hapura për publikun, kurse për financat të mbyllura, por nesër shpalleshin me tellall dhe fletë palosje, apo postera të mëdhenj në rrugët kryesore. Një mik i imi thotë sot, se shpallja me tellall dhe të shkruar e vendimeve të plota të Këshillit Bashkiak, është më mirë se sot kudo në Shqipëri. Gati gati, kishte më shumë transparencë. Nuk kishte akoma grupim të qartë politik me majtas dhe djathtas, por qëndrimi bashkë i Jukës dhe Gurakuqit, ishte i kuptueshëmn dhe pse më vonë do të ishin problemet ndryshe. Librat dhe gazetat shpesh herë faleshin në publik, sidomos në tubimet shtetërore. Gjuha shqipe dhe gjermanishtja zotëronin, por shqipja e kësaj kohe, është më mirë e shkruara se kurrë ndonjëherë deri atëhere.  Grabitësit e mbi 200 koronave rezikonin jetën, grabitësit  e karvaneve me armë po ashtu. Dëmtuesit e pronës shkonin deri në 15-të vite burg, falsifikatorët po ashtu dhe përveç komandës austriake dhe gjykatës ushtarake, ishte dhe një këshill juridik civil, që merrej me çështje ligjore me të lehta dhe me problematikë pronësie dhe rregulli zyrtar apo dhe qytetar.
Ka rëndësi të thuhet se Bashkia e Shkodrës ishte administrata e vetme vëndore e qartë ngritur, dhe që quhej Perlimntare dhe ishte trashëguese e asaj të vitit 1913.
Qyteti në fakt nuk mbeti asnjëherë pa një të tillë, dhe normalisht ishte diçka që e ndante nga qytet e tjera shqiptare. Nëpunësit e Bashkisë së Shkodrës, tashti janë zbuluar në një shumicë emrash dhe padyshim përbënin hallkën kryesoe të qytetit më të madh shqiptar të asaj kohe. Bashkia e Shkodrës është e para në Shqipëri, që ka emetuar bileta të barabarta me valutën, është e para që ka krijuar xhandarmarinë e vëndorëve, është e para që ka kontrolluar dhe ngritur sistem arsimor të qartë dhe të paguar, është e para që ka krijuar shërbime bashkiake falas, dhe pastaj e para që ka pasur taksa të ngritura në sistem fiskal, është e para Bashki në Shqipëri që ka pasur fonde për të vobektit apo mbrojtjen sociale dhe sistem të tillë, është e para që ka bërë investime të mëdha publike si ndriçimi dhe rrugët me fondet  saj. Normalisht kishte burra dhe kishte njerëz të jashtëzakonshëm në atë kohë, më përpara dhe më pas, por kishte dhe njohuritë e të huajve dhe bashkëpunimin e tyre. Me pushtimin austriak në luftën e para botërore ishte në këtë mënyrë, vazhdoi me governatorin britanik në 1918-të po kështu, dhe nuk u shthur dhe me guvernatorin De Fortue. Bashkia e Shkodrës ishte një institucion i parë vëndor i vazhdueshëm, me flamur shqiptar dhe vula të tilla, dhe pse nën sundim dhe administrim të huaj dhe kishte njerëz tepër të përkushtuar dhe patriotë në drejtim.
Emrat e vitit 1916-të dalin për herë të parë dhe ishin padyshim qytetarë të nderuar të Shkodrës.





Zbulohen për publikun në origjinal, dramat e para shqiptare të Kol Gurakuqit.




  Tashmë origjinalet e autorit shkodran janë pjesë e publikut

                     

 Dossier
Besi Bekteshi

Kush janë dramat dhe pjesët e para  të vendosura në skenë, të aprovuara ligjërisht, të konceptuara si të tilla dhe të dala nga një shoqëri zyrtare në Shqipëri? Në shumë referenca dhe shkrime autorë janë munduar të kalojnë në pasazh një pjesë veprash dhe autorësh. Por  padyshim janë pjesët e të madhit Kol Gurakuqi, ose njeriut i cili edhe në bashkëpunimin e njeriut tjetër të madh të patriotizmit dhe letrave Hil Mosi, ka sjellë në artin shqiptar, si një veçori e madhe kulturore e qytetit të Shkodrës. E kam fjalën te dorëshkrimet në origjinal të Kol Gurakuqit. Pra një autor dhe aktor i viteve 1919-të,  nga dera e nderuar e Gurakuqve në Shkodër, të cilat janë padyshim dhe pjesët autentike që shërbejnë për të kuptuar se kush janë pikërisht pjesët e tilla teatrore të vendosura zyrtarisht dhe ligjërisht të parat në Shqipëri. Tentativa në Shkodër ka pasur prej kohe edhe më përpara, por ishin jashtëzakonisht të dobëta dhe realisht modele religjonare të klerit kaltolik në qytetin më të madh shqiptar të atyre kohëve. Unë po flas për vitin 1919-të, kur ishte sapo formuar shoqëria “Vllaznia” e Logarecit dhe Nivicës dhe praninë e madhe të Mosit, dhe ku pjesa kulturore e saj kishte Kol Gurakuqin si një njeri telent, të dramatizimit dhe luajtjes si aktor në pikërisht aktivitetet e shoqërisë së famshme. Një pjesë e publikut,  ka shumë vështirësi të kuptojë sot, por një nga kryeveprat ishte aktivizimi i fëmrës së parë dhe pikërisht Roza Shoshit, në të parën femër në rolin e femrës në Shqipëri. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, repertet e orgjinalit dërëshkrim të Gurakuqit, janë prej kohësh, por sot janë domen i publikut të gjërë, të cilit i zbulohen me rëndësinë e tyre të jashtëzakonshme. E para për të cilën kam shkruar dhe unë është “Erminia e Vorfën” e konsideruar “Dramë dashurije” nga Kol Gurakuqi, dhe ka tre akte dhe 1 tablo. Padyshim, është në vitin 1919-të, dhe verën e këtij viti është vënë në skenë rregullisht nga trupa e shoqërisë. Kol Gurakuqi, është tërhequr si motiv nga një film, dhe pastaj ka bërë (përshtatur) dramën dhe normalisht rolin e qartë të femrës së parë shqiptare ose Roza Shoshit, dhe kur ndërkohë ishte tërhequr sipas autorit të studimeve Prendushi pikërisht në kushtet e fanatizmit Tusha Brahimi, në rolin e Magdalenës të cillën e luajti vetë Kol Gurakuqi. Ishte tentativa e madhe e “Vllaznisë” së patriotit të madh Mosi, që duhej dhe po kalonte në këtë drejtim. Por tashmë, është për publikun dhe idili me një pamje  titulluar “Shqypnija” e cila është vënë rregullisht dhe ligjërisht në skenë në 3 prill 1919-të. Po kështu, kjo pjesë është në origjinal me shkrimin e Gurakuqit në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, dhe përbëjnë artefaktet e para të pjesëve teatrore që janë themeli i teatrit dhe dramave të para shqiptare të vëna në skenë dhe me spektator, firma dhe vula, bileta, dhe deri leje nga Bashkia e Shkodrës dhe guvernatori i kohës. Kjo është dhe kryesorja e rëndësishme për pjesët e para teatrore në Shqipëri. Ndërsa “ Erminia e Vorfën” është shfaqur në 10 gusht 1919-të, dhe ka pasur polemika të mëdha në qytet. Por padyshim, ka qënë guximi qytetar i madh i asaj kohe.  Pastaj është tragjedia me pesë pamje “Vjollca”, e pashfaqur, është gjithashtu një dorëshkrim origjinal i të parit dramaturg që Shqipëria njeh, si një person që ka shkruar dhe vendosur në skenë rregullisht prodhimet e tija në dramë dhe komedi. Është po ashtu dhe një inskenim si përrallë  dhe padyshim komedi  titulluar“Nastradini”, por deri më sot, nuk ka kurrfarë sigurie se është shfaqur rregullisht një komedi e tillë dhe guximtare në kohën e saj.Padyshim më vonë janë bërë përpjekje të tilla. Interesante është se në Arkivin e Muzeut, është dhe një dorëshkrim origjinal dhe me shkrimin autentik të Gurakuqit që nuk ka fletët e para, dhe nuk mund ti dihet titulli dhe mendohet se ështrë diçka midis Kristo Flloqit dhe Gurakuqit, duke qënë se personazhet janë nga jugu. Mund të jetë edhe se Gurakuqi, ka dashur ta riprodhojë. Gjithsesi, nuk ka për një diçka të tillë, as postera, dhe nuk ka të dhëna se është vendosur në skenën e Shkodrës një diçka e tillë si dy vepra të tjera të Flloqit më pas. Mbas 1919-tës, Shkodra ishte një kryevepër drame dhe komedie, por edhe akteve gjimnastikore të shumta, por që gjithsesi kishin edhe dorën dhe mendjen e Gurakuqit në shumë e shumë vendosje në skenë të veprave të mëdha teatrore. Nuk është në arkiv, por dihet si komedi dhe pjesa e Kol Gurakuqit e titulluar “A thue me do xhanëm”. Gurakuqi mbas viteve 1921, ka shetitur si një “kryesekretar gjykate” dhe ka lëvizur nga Shkodra për në Pogradec, Korçë, Tiranë, Elbasan, sërish në Korçë, sërish në Elbasan,  dhe Tiranë në vitin 1943.  Ai doli në pension në Tiranë mbas çlirimit, dhe vdiq në vitin 1962. Babai i tij Kin Gurakuqi, ishte djalë xhaxhai me Pjetër Gurakuqin, ose babai i Luigj Gurakuqit. Padyshim të rëndësishme janë dhe vëniet në skenë të komedive të Molierit “Kopraci” dhe  po ashtu përshtatja “Mjek me përdhuni”. Ishin aktor të jashtëzakonshëm të kohës si ai dhe vetë Mosi, dhe kujdeseshin për dokorin dhe rekuizitën si dhe efektet e tjera skenike dhe pikërisht për të tilla gjëra, edhe pjesët teatrore ishin të parat në Shqipëri dhe që lartësonin qytetin e Shkodrës. Ishte qyteti që jo vetëm vinte në skenë, por dhe prodhonte drama dhe komedi për herë të parë në Shqipërinë e mbas pushtimit shumëshekullor, dhe këto tentativa ishin ligjore. Ai ka luajtur në “Shërbëtori i dy zotnijve”, e pështatur dhe e përkthyer nga Mosi, dhe shumë pjesë të tjera.
Vitet e para të “Vllaznisë” ishin dhe ato kryesoret në aktivitetin e Gurakuqit, dhe më vonë nga lëvizjet ai u shkëput, por në fakt dorëshkrimet e tij, dhe aktiviteti i shumtë në dy tre vitet e para, ishin dhe gjurma më e lartë e artit dhe dramë apo dhe komedisë shkodrane dhe shqiptare. Ky është dhe modeli që duhet vendosur qartë në rendin e gjërave. Ka pikërisht kjo gjë rëndësi, se “kush ishin të parët” që vendosnin në skenë dhe prodhonin apo shkruanin për të vendosur pikërisht në skenë”.
E fundit e origjinaleve të dramaturgut dhe një nga aktorëve të parë shqiptarë si Kol Gurakuqi, është shkrimi, mënyra e të shkruarit me një gjuhë jashtëzakonisht të pastër dhe kulturuar, me dijeni artistike dhe pastërti liunguistike, që edhe sot është për tu pasur zili. Nxjerrja jo vetëm për publikun dhe për studim i këtyre materialeve thelbësore të dramave dhe pjesëve teatrore të para zyrtare shqiptare, është një moment për të bërë dhe bilançin e vërtetë të ecurisë së këtij arti në Shqipëri. Edhe në këtë rast, si shumë e shumë raste të tjerë të artit, tregtisë dhe kulturës në përgjithësi, dhe teatri apo drama dhe komedia janë një fillim krenar i Shqipërisë në qytetin e Shkodrës. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, janë pikërisht këto dokumenta dhe artefakte të jashtëzakonshëm, që bëjnë diferencën me vëndet e tjera, dhe që mbushin me krenari qytetin e madh të veriut dhe publikun e gjërë.