Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

sabato 17 dicembre 2011

Faktet e ashpra te Regjimentit Kosova, që mori famë të keqe në Shkodër!


Vrasja “pse ndezi dritën” dhe ballafaqimi me gjendarmët e Shkodrës nga regjimenti Kosova.
Regjimenti famëkeq, dhe sjellja brutale në qytetin e Shkodrës në fillim vitin 1944
Faktet e ashpra te Regjimentit Kosova, që mori famë të keqe në Shkodër!

Dossier

Besi Bekteshi


Një nga historitë e cila ka lënë shenjë në kohën e fundit të luftës së dytë botërore në qytetin e Shkodrës, është edhe veprimi i kontigjentit të armatosur të “Regjimentit Kosova” në qytetin e madh të veriut të Shqipërisë. Në të vërtetë, në një dalldisje të kohës midis prokomunistave, pronazistave, dhe shumicës së njerzve që nuk ishin as me njërën palë dhe as me tjetrën, është parë dhe provuar, brutaliteti i këtij regjimenti, i cili në fund të fundit, prishi raportet me qytetarët e Shkodrës. Jo vetëm me qytetarët si myslimanë dhe katolikë, por edhe me gjendarmët e Shkodrës, të cilët ndjeheshin inferior në saj të mbështetjes së madhe që kishin forcat e regjimentit famëkeq Kosova, te ushtria pushtuese gjermane. Nga plaçkitjet dhe raprezaljet shumë herë pa asnjë lajmërim në shtëpitë e qytetërëve, dhe përdorim të forcës ekstreme, nga vrasjet në rrugë, dhe nga egërsia e madhe në qytetin tradicional, ky regjiment ka kryer edhe një veprim tjetër, sepse ka ashpërsuar qytetarët shkodranë akoma më shumë me pushtimin, dhe ka justifikuar edhe komunistët në lëvizjen e tyre. Normalisht edhe sot në Shkodër, nuk flasin për ndonjë raprezalje kaq shumë të madhe të forcave gjermane dhe sidomos kaq të ashpër në drejtim të qytetarëve të Shkodrës, kurse për regjimentin e njohur për bëmat e tij, kanë shumë ngjarje që i kanë detyruar të kenë kujtime tepër të këqia. Normalisht edhe ndonjë veprim në ruajtje të teritorit nga hajdutë dhe plaçkitës i bërë nga forcat e regjimentit në dobi të qetësisë, nuk është më një element për tu përmëndur, kaq shumë është tepruar me brutalizëm ekstrem.
Patjetër që formimi dhe vazhdimi i regjimentit vjen nga i famshmi  organizim ushtarak “Scanderbeg” në bashkim të trupave SS, por nuk është ky qëllimi i shkrimit.
Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, ka disa dokumente autentikë mbi brutalizmin dhe unë kam zgjedhur një prej tyre, i cili ka prekur edhe raportet midis gjendarmërisë në Shkodër dhe normalisht regjimentit Kosova. Ky dokument  tregon vrasje pa asnjë arsye, dhe  brutale, për më tepër në kundërshtim edhe ndaj forcave të gjendarmërisë në atë kohë.
Në arkiv, kam zbuluar disa letra, dokumenta sekretë për kohën, por dhe urdhëra të cilat përbëjnë sqarimet e gjendarmëve të Shkodrës, për veprimin e regjimentit Kosova.
Mirëpo njëri prej tyre ai me nr 114/3 i datës 28/1 1944 është krejtësisht pasqyrë e ballafaqimit të regjimentit me gjendarmët e Shkodrës, që në fund të fundit, ishin rendi në atë kohë në qytet.  
Është komandanti i rrethit të Gjendarmërisë, kapiten Shaban Elezi që lajmëron Prefekturën, Prokurorinë dhe Komandën nga ku varet, për një nga ngjarjet e ndodhura në qytet, me pasojë vrasjen e Mustafa Becit nga pikerisht forcat e regjimentit Kosova.
Kapiten Elezi sqaron se: Me datën 21/1/1944, ora 22 në lagjen Has – Hot të këtij qyteti asht ba nji vrasje me armë lufte. I vrami asht i quajtuni Mustafa Beci, i Brahimit dhe i Hajrijes, vjeç 27, lindun e banues në lagjen Perash Shkodër, me zeje mekanik.
 Rrethanat e ngjarjes janë këto:
Me datën dhe orën e më sipërme, nji fuqi e Regjimentit Kosova kishin ba nji rrethim shtëpies Togerit të Gjindarmarisë Esat Qehaja tue kujtue se atje ishin persona te dyshimët dhe kishin armë automatike. Në këtë rast, ka dalë vet togeri për tu marrë vesht me fuqinë e rrethimit, dhe njikohësisht janë çue prej gjumit dhe personat e familjes, ku atje ka qenë për të fjetë edhe i vrami Mustafa qi asht nip i togerit i cili asht çue për të ndezun dritën e me marr vesh se ç’ka po bahej, por nga ana e fuqis i ka mbrritë nji predhë tue lanë të vdekun në vënd.-
Vrasja e tij ka ndodhë siç duket gabimisht tuej kujtue ushtarakët e fuqis së sipërme se mos i vrami ka ndezë dritën me qëllim të keq kundra tyne.-
Mbas këtij veprimi ushtarakët e fuqis janë largue pa ba ndonji kontroll në shtëpinë në fjalë.-
Me ndigjue krizmën e pushkve kanë shkue në drejtim të shtëpies ushtarakët e Postës Kishës Re, por janë ndalue nga ana e fuqis Regjimentit Kosova me preteks se kishin për të ba disa operacione shërbimi.-
Proçes Verbalet e mbajtuna nga Posta e Kishës Re i janë paraqitë Prokurories së Shtetit.-
Më poshtë vjen firma e kapiten Shaban Elezi.

Përveç brutalitetit dhe vrasjes pa asnjë arsye e bërë në shtëpinë e një togeri të gjendarmëve të Shkodrës, regjimenti Kosova, pengon edhe gjendarmët për të bërë punën e tyre në rastin në fjalë dhe kjo shikohet qartë edhe në aktin e përpiluar nga komandanti i tyre. Biles në atë kohë ka edhe dokumenta të tjera që vërtetojnë se njerzit e regjimentit ju kanë drejtuar armët gjendarmëve, të cilët duhet të shkonin në vënd ngjarje.
Njerzit e famëkeqit regjiment Kosova, jo vetëm atë natë kur kontrolluan një shtëpi të qytetarëve shkodranë dhe me emër të mirë, por në shumë fise dhe mbiemra të Shkodrës me reputacion, kanë bërë kontrolle të cilat kanë përfunduar me fyerje dhe plaçkitje të cilat kanë shënjuar edhe ashpërsimin e qytetarëve të Shkodrës me  brutalë të tillë dhe vrasës pa asnjë mëshirë, dhe pa mbajtur përgjegjësi para askujt. Normalisht që regjimenti në fjalorin e tij të njerzve të “zellshëm” ka pasur “luftën kundra komunistave, sllavëve, të pa feve, dhe antishqiptarëve”, por veprimet treguan se po persekutonin qytetarët e Shkodrës dhe deri gjendarmët, të cilët në brëndësi të tyre kishin njerëz nga familje të njohura në qytet.
Një nga “arsyet” e një sjellje të tillë kaq të ashpër në Shkodër, ka qënë edhe vrasja e dyshimtë, por që nga shumë njerëz i atribuohet Vasil Shantos, të kolonelit Buletini, ose djalit të patriotit të madh kosovar dhe shqiptar. Ishte në fakt, një vrasje krejt e poshtër e bërë në mënyrë po të tillë, në qytetin që nuk i kapëdinte veprime vrastare nga cilado anë të bëheshin.
Veprimet e regjimentit, dhe sidomos nga disa pjestarëve të tij, kanë sjellë si kundraveprim një armiqësi të qytetarëve shkodranë ndaj tyre dhe për më tepër, ju kanë vënë “krahë dhe vela” sidomos komunistëve, të cilët normalisht përpara këtyre vandalizmave do të kishin edhe “arsyen” për të justifikuar veprimet e tyre shumë pak kohë më vonë.
Pastaj në arkiv ka ngjarje të tjera të dokumentuara nga institucionet e kohës me vrasje që normalisht janë konsumuar nga ky regjiment dhe për të cilat normalisht që do të ketë një kohë për botim dhe pa pasur asnjë model tjetër intepretimi, përveç leximit të asaj që shkruhet dhe që tashmë është e vjetër gati shtatë dekada.






Nessun commento:

Posta un commento