Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

giovedì 22 dicembre 2011

Migjeni ringjallet ne teatrin Migjeni


Migjeni, ringjallet dhe kryqëzohet, në teatrin “Migjeni”.


Besi Bekteshi

Megjithse me vonesë, por gjithsesi qyteti i lindjes së poetit dhe prozatorit poetik modern edhe në ditët e sotme Millosh Gjergj Nikolla, ka bërë të mundur shfaqen e një drame poetike mbi autorin e madh. Premiera është dhënë dje me një pjesmarrje të madhe të publikut gjithmonë të interesuar shkodran. Ka qënë një angazhim i drejtuesit të teatrit “Migjeni” zotit Edmond Angoni dhe me regji të Bruno Shllakut, që ka bërë të mundur edhe vënien në skenë të një premiere e cila për nga materiali që përmbledh është e bollshme, por për nga trajtimi dhe sjellja tematike në vitin 2011-të nuk është aspak e lehtë.  Aktori dhe regjizori që ka vënë në skenë një shfaqe të tillë e ka quajtur “Të lindet njeriu” dhe normalisht që idea përçuese është vargu si poetik dhe në prozë që ka Migjeni.
Shllaku është munduar të sjellë diçka ndryshe nga herët e tjera në Migjeni, diçka më narracion poetik dhe ideor, dhe besoj se e ka arritur në saj të efekteve, modelit tregimtar, dhe sugjestionues në skenë, të shumë momenteve njerzore që marrin pjesë. Natyrisht që Shllaku tendencën e  ka nga tragjizmi i thelbit të gjërave dhe Migjeni i tij në fakt, është diçka midis tragjikes dhe asaj që të detyron të kuptosh se “nuk është se ka ndryshuar shumë që nga koha e tij”.   Ai e risjell Migjenin, që në fakt interpretohet besnikërisht si figurë dhe plastikë nga tashmë aktori zbulim Ergys Bamçi, duke i shtuar edhe momentin e sotëm të habisë relative për aktualitetin, dhe vuajtjes në një “kryqëzim” që nuk është kaq shumë i djeshëm, se sa pikërisht i sotëm. Loja e aktorëve është kryesisht me treshen tepër deklamative në interpretim si Bruno Shllaku, Rajmonda Marko dhe Paskualina Shllaku dhe them deklamative, sepse drama në fakt, ka pasazhe të poezisë së fortë migjeniane. Mund edhe të ishte një treshe me tepër dramo-sarkastike dhe akuzuese nëpërmjet interpretimit me “të lirë”, por Shllaku me sa duket, nuk ka dashur të zbresë nga tragjizmi dhe të zbusë batutën e dërguar shumë lart dhe me forcë te spektatori. Por, loja është e mbushur me plastikë te të tre aktorët në sinkron interpretativ. Po ti shtosh kësaj tresheje edhe artisten e madhe Tinka Kurti, e cila edhe pse në moshë emocionon, dhe lëshon britma origjinale, të ndjera, dhe të fuqishme dhimbjeje, atëhere mund të thuash se loja në madhësinë e saj është pothuaj perfekte për çfarë drama poetike kërkonte në regjinë e saj. Megjithatë duhet thënë se modernia dhe risia në këtë shfaqe, ishin të rinjtë e shumtë që merrnin pjesë.  Drejtori Angoni, më sqaronte që pa u vënë në skenë premiera se “janë 50-të veta që interpretojnë” dhe normalisht ndërthurja e lëvizjeve në sallën e “Migjenit” të një sasie të tillë “comparsa-sh”, bënte edhe zgjidhjen racionale të Shllakut. Hijet e fillimit, të cilat tregonin problematikën Migjeniane, kryqëzimi ose më mirë gjysëm kryqëzimi i Migjenit i luajtur bindëshëm nga Bamçi i kthyer në dukje në kohë      ( mund të kuptohej edhe kështu),  legjenda e misrit e thirrur edhe sot me dëshpërim të madh, nxënësit e vegjël të mësuesit të dashur, ishin gjetja e madhe e skenës. Në fakt, ishin të rinjtë e dancit “My Generation” që luanin pjesën relative të daljes nga emocioni tragjik i transmetuar i aktorëve të premierës, që bënin pastaj edhe çlirimin emocional të fortë të spektatorëve. Patjetër edhe pse buxhetet mbeten të vogla, skenografia me anën e Hysni Halilit dhe inspektorit të skenës Sabah Baxha ishte funksionale, dhe lëvizjet brënda dhe në mes të platesë, por dhe anfiteatrit, ishin akoma më shumë komunikuese me spektatorin e shumtë në ditën e parë të premierës migjeniane të teatrit “Migjeni”.
Millosh Gjergj Nikolla është “ringjallur” në teatrin “Migjeni”, por edhe është gati kryqëzuar në formë, për tu bërë sërish një model i forcës së mendimit dhe rebelimit qytetar jo vetëm të asaj kohe, por me dendencën e riformatimit shoqëror edhe në këtë kohë.
“Të lindet njeriu”...ndoshta është një gjetje migjeniane e kohës, por më tepër se sa kaq, ajo veza e thyer që nxjerr një vajzë si poster i premierës, ka të bëjë me shoqërinë tonë të djeshme dhe të sotme. Ndoshta ky është edhe mesazhi migjenian i premierës së re mbi pikërisht veprën e jashtëzakonshme të njeriut të madh të poezisë, dhe prozës poetike shqiptare që është Migjeni.

Nessun commento:

Posta un commento