Enigma e “vizitës” së ushtarakëve britanike dhe gjermanë sëbashku, drejt Postribës dhe Dukagjinit në tetor 1944.
dossier
Besi Bekteshi
Nga dokumentat akoma jo shumë të klasifikuara në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, janë dy telegrame të rëndësishëm dhe shumë enigmatikë edhe për gjendarmët shqiptarë të qarkut në Shkodër. Normalisht që shumë lëvizje të forcave ushtarake të pushtimit gjerman, jo vetëm kanë qënë enigmatike dhe aspak të dituara edhe nga gjendarmaria shqiptare e cila ishte në shërbim të tyre, por ama nuk ishte kaq shumë e zonja të dinte arsyen e lëvizjeve që bënin gjermanët. Në fakt, jemi në fundin e qëndrimit të forcave të ushtrisë gjermane edhe në qarkun e madh të Shkodrës dhe sidomos të Komandës së Zonës Vepruese Auf –Bau si Komandë Gjermane dhe pastaj edhe Komandës Rrethit nr 1 dhe 2. Një telegram shifër, i cili mund të konsiderohet sekret për nga përdorimi dhe protokolli i gjetur tashmë në arkivin e Shkodrës dhe i nënshkruar dhe vulosur nga Qark Komandanti i Gjindarmërisë major Llesh Marashi, është marrë një njoftim tepër i çuditshëm për rastin në fjalë. Kemi të bëjmë me një shoqërim të dy ushtarakëve britanikë, një major dhe një kapiten, nga një skuadër gjermanësh dhe disa civila, që ishin nisur në drejtim të Postribës, por me sa duket me destinacion Shoshin. Telegrami ka nr 240/16 dhe është përpiluar me datën 23 tetor 1944. Majori i shumë “mirë” njohur nga komunistët Llesh Marashi, në fakt, ja ka bërë me dije edhe komandës gjermane dhe sidomos vartësve të tij këtë fakt dhe e përfundon telegramin me ...Për dijeni e veprim, tue marrë masat e rastit dhe na njoftoni përfundimin...!!
Kuptohet qartë, se Komandanti i Qarkut të gjendarmëve të Shkodrës, nuk ishte në dijeni të këtij veprimi gjermano-britanik dhe është e qartë, se i kishin ardhur të dhëna për këtë kalim të çuditshëm midis ushtarakëve britanikë dhe gjemanë në një zonë e cila edhe për vetë situatat operacionale ishte jashtë vëmëndjes ushtarake. Normalisht që Dukagjini dhe rruga e kalimit për në këtë zonë, nuk ishte as kaq shumë e rehatshme si për gjemanët dhe partizanët apo ushtrinë nacional çlirimtare dhe batalionin “Perlat Rexhepi”. Patjetër që kishte lëvizje, por ama nuk kuptohej aspak prezenca e një majori anglez dhe kapiteni po të tillë të veshur ushtarakisht dhe jo në gjëndje arresti nga gjermanët. Absolutisht ne telegrame dhe njoftim, thuhej se “po shoqëroheshin” nga një skuadër gjermanësh...!!
Njoftimet mbi kalimin e tyre vinin edhe nga kapiten Kol Vjerdha, i cili ishte “komandanti i qarkut gjindarmërisë nr 2”. Ai ju dërgon në pothuaj të njëjtën datë me shefin e tij Marashi një urdhër post komandave Qëndër, Bushat, Obot, Pulaj dhe Ajasëm një tekst të tillë: Komanda e Rrethit Dukagjinit njofton se me datën 21 “vazhduesit” një Major e nji kapiten Ingliz sëbashku me disa ushtarë gjermanë e disa civila janë nisë në drejtim për në Postribë. Hetoni për gjetjen e tyne e na njoftoni.......
Pra akoma më shumë ju urdhërohet forcave të gjendarmërisë që të “hetojnë për gjetjen e tyre” dhe kërkohet qartë edhe veprimi e njoftimi. Por të bën shumë përshtypje fakti se urdhëroheshin postkomandat e vëndeve që nuk para kishin lidhje me “udhëtimin britaniko-gjerman”.
Më tepër nuk ka asnjë dokument tjetër rilevant për një ngjarje kaq të çuditëshme në momentin kur trupat e Wermahtit, po përgatiteshin të largoheshin nga Shkodra dhe Shqipëria. Nga disa të dhëna që rrjedhin jo zyrtarisht nga Gjendarmët e Shkodrës ishin tre mundësitë e një ndodhie të tillë kaq të çuditshme midis britanikëve dhe gjermanëve. Versioni i parë jo zyrtar, por i përmëndur me shkrim jo të firmosur dhe të vulosur është që: Në padieninë e gjendarmëve shqiptarë në Shkodër, oficerë britanikë dhe shoqërues gjermanë kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë. por jo nga ana e Hanit të Hotit dhe duke rrezikuar zonën e Postribës “civilët” të rëndësishëm në një marrëveshje të qartë e cila kishte parasysh post largimin e Gjermanëve dhe hyrjen e ushtrisë partizane në Shkodër. As emrat e britanikëve dhe civilëve nuk u morën vesh asnjëherë. Varianti i dytë edhe ky i përmëndur në atë kohë ishte se: Oficerët britanikë ishin realë, kurse ushtarakët gjermanë ishin të rremë dhe normalisht “siguria” ishte sërish të kalonin zona të posaçme edhe me ndikimin Britanik si në formacionet shqiptare të inkuadruara në ushtrinë partizane dhe në ato jo partizane dhe antikomuniste si veprim tipik i forcave aleate në bashkëpunim të dyanëshëm.
Varianti i tretë ishte se: I gjithë grupi ishte një “teatër shetitës” dhe qëllimi ishte kalimi i personave nga qyteti i Shkodrës në malësitë përkatëse, duke pasur dokumente dhe mision të fshehtë por dhe raportet me krerët lokalë të maleve dhe po ashtu kontaktet e reja, të cilat pikërisht ky grup duhej të vendoste në zonën e pak kontrolluar sidomos nga komunistët.
Gjithsesi këto ishin disa variante, por enigma ka mbetur edhe sot e kësaj dite mbi dyshimin që gjendarmët e Shkodrës kishin shumë në atë kohë, dhe urdhërat për ndjekje dhe shoqërim që kanë marrë dhe dhënë, për të kuptuar se çfarë po ndodhte nën hundët e tyre. Nuk po kuptonin në se ishte një lojë britaniko – gjermane, që nuk i fuste në hesap aspak gjendarmët, ishte një maskim që shfrytëzohej nga komunistët, ishte një veprim agjenturor i cili shikonte gjermanët të mpleksur.....apo!!?
Dyshimet kanë qënë të mëdha, edhe pse askush më vonë, nuk ka përjashtuar edhe marrëveshjet e fshehta të agjenturës britanike me ushtrinë gjermane dhe po ashtu edhe agjentë të tyre në këtë ushtri. Por në fakt, gjendarmët e Shkodrës ishin nga ato më të përgatiturit në Shqipëri dhe nuk ju shpëtonin lëvizjet në përgjithësi, por fundi i qëndrimit të ushtrisë gjermane në teritorin e qarkut i kishte vënë në gjëndje të vështirë, e për më tepër nuk po kuptonin se çfarë po luhej pas kurrizit të tyre. As sot nuk është sqaruar kjo lëvizje e cila në tetorin e 44-tës bashkoi “britanikë dhe gjermanë” të cilët “morën malin” të vështruar nga afër nga gjendarmët shqiptarë dhe patjetër nga njerzit që kishin lidhje si me palën komuniste dhe atë antikomuniste në Shkodër.
Nessun commento:
Posta un commento