Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 9 aprile 2012

Vizioni kulturor qe i sherben Shkodres


Kryeqëndra e veriut, në rrugën e vështirë të kthimit në shkëlqimin kulturor tradicional dhe europian.



Opinion

Besi Bekteshi

Shkodra është veçoria kulturore dhe historike e Shqipërisë. Në çfarë pike është kjo?
Qyteti i madh i veriut, është e vetmja qëndër urbane e madhe në Shqipëri, që nuk ka pothuaj asnjëherë mungese qytetërimi, asnjëherë dalje nga urbanizimi, dhe normalisht është e vetmja qëndër urbane, që ka ekzituar e madhe si në lashtësi, mesjetë të hershme, në mesjetën venedikase, dhe është kryeqëndra vilajetit më të madh shqiptar, i cili ka mbetur brënda teritorit të 28 mijë km katror. Normalisht, është qyteti multikulturor dhe multi religjonar i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku interesat e fqinjëve kanë qënë tepër të mëdha, është kryeqëndra urbane ku në vitin 1913-të, mund të fillonte përpara Sarajevos, lufta e parë botërore. Kanceleritë më të mëdha të botës, janë marrë dhe rimarrë me Shkodrën në kohët më të vështira të Shqipërisë dhe historisë së saj. Qyteti i madh i veriut si pikë referimi, është pjesë e qëndresës kombëtare, i mendimit qytetar politik dhe kulturor, dhe me njerzit më të shquar në rradhën e parë të kolegëve të tyre shqiptarë.
Rilindja e Shkodrës, është edhe rilindja shqiptare e madhe, e fortë, dhe me lëvizje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Shkodra është qyteti ku perëndimi, modelet e tij shkollore, të prodhimit dhe të artit, janë aplikuar për herë të parë në trevat shqiptare, dhe për pikërisht këtë, krenohet i gjithë vëndi dhe pse jo edhe teritoret shqiptare kudo ku janë. Tashmë këtë e dinë të gjithë. Edhe në komunizëm, Shkodra ishte qytet kulturor, sportiv dhe pjesë e inteligjencës në përgjithësi. Me dashje apo pa dashje, edhe pse në trysni të madhe, qyteti i është imponuar edhe regjimit me rebelimin si fizik dhe ideor. Në këtë qytet, janë bërë eksperimenet e mëdha të komunizmit, si për të vrarët dhe pushkatuarit, të internuarit dhe të burgosurit, por edhe të prishjes së kulteve të tij kulturore, të kapitalizmit, të religjonit dhe të artit. Janë deniguar figura të stërmëdha, dhe është masakruar struktura tregtare dhe kapitaliste, e zhvillimit dhe prodhimit. Por Shkodra ka mbijetuar. Ka mbijetuar edhe në vitet e para të demokracisë, si një qytet kokëfortë, i pa përkulur në drejtim të parimeve të tij.
Ku jemi sot?
Sot ka shumë për të kritikuar, por ka shumë edhe për të pranuar. Në marrinë kolektive nën tranzicion të shkatërrimit të vlerave, Shkodra është prekur, por më pak. Janë dëmtuar vlera, sepse ajo ka pasur më tepër se të tjerët, por konservatorizmi në sensin e ruajtjes ka bërë që “botkuptimi jo ruajtës vlerash” edhe të qytetarët, të mos shkojë deri në fund në krimin e tij kulturor. Shkodra sot është është me rrugë të reja, kanalizime të reja, me modele të reja që  janë për mirë, e janë disa nga ana urbane jo për mirë, por ka mundësi të mëdha infrastrukturore të pa jetuara më përpara. Administrata e Lorenc Lukës, ka mundur të nxjerrë buxhete të mëdha, dhe po ashtu ka mundur të marrë investime të mëdha, dhe sot qyteti është me infrastrukturën pa fjalë më të mirën në Shqipëri për frymë të popullsisë, dhe vazhdon ndërtimin e saj. Kjo si do që mund të ketë vërejtje, është një e mirë zhvilluese, dhe qyteti ka dalë përfundimisht nga rrethi i keq i infrastrukturës banale, që i ka qënë imponuar. Ai po shtrihet në afërsi të liqenit dhe të Shkodrës së dikurshme të lavdishme, e cila kishte jo vetëm pazarin më të madh në rajon, por edhe tregtinë më të madhe në saj të lundrimit të saj detar, lumor, dhe liqenor.
Tani ka ardhur dita të fillojë rritjen e saj kulturore, kryeqëndra e veriut të Shqipërisë. Atë krenari të rilindjes së saj qytetare të njerzve të lartë të saj, që fillon nga pashalleku i shkëlqyer, vazhdon nga mesi i shekullit të 19-të dhe shkon deri në vitin 1944. Me largimin e lundrimit në qytet nga komunizmi, Shkodrës i hoqën mundësinë e lidhjes më botën, por edhe të tregtisë së madhe rajonale, por me këtë, i goditën haptas edhe kulturën tradicionale, dhe drejtimin europian të filluar frullshëm dikur.
Megjithatë sot mund ta them haptas se Shkodra ka rritur shtatin e saj infrastrukturor, dhe nuk ka asnjë shans që vrulli të ndalet.
 Çfarë i kërkohet Shkodrës?
I kërkohet ti kthehet kulturës dhe dijes, të rivendosë balancën e saj të peshës së madhe kulturore. Sepse vëndi është “toka” më pjellore në këtë drejtim. Kohët e fundit në Shkodër, kanë ardhur me trumpeta dhe flamuj, të cilët fshihnin flamuj partiakë, njerëz që nuk e njohin, dhe nuk kanë asnjë lloj origjine të fisme për ti bërë vërejtje Shkodrës, për të krijuar “zhvillimin e saj”. Kjo është mënyra më jo diplomatike për të marrë Shkodrën politikisht, por dhe besimin e saj, dhe unë e kam të qartë se shumë shpejt do të marrin përgjigje në mos e kanë marrë, por unë nuk shqetësohen për këtë ndodhi. Shqetësimi është te shkodranët që kanë vendosur të qëndrojnë në Shkodër, dhe atyre që mund të jenë në Tiranë dhe jashtë vëndit.
Qyteti 2500 vjeçar, është si kulturalisht dhe historikisht, por edhe ekoturistikisht, një super gjigand shqiptar. Të gjitha do të rregullohen, por kultura kërkon vëmëndjen e shkodranëve të mirë. Qyteti kërkon një kthim me fytyrë ndaj historisë dhe kulturës, dhe prodhimit të saj në mënyrë të akseleruar ndaj këtij 100 vjetori pavarësie. Unë kam mundësinë të bisedoj me Kryetarin e Bashkisë, dhe vlerësoj shumë vizionin e tij, por dhe drejtues të tjerë të rrethit apo qarkut, kam mundësinë të bisedoj me shkodranë demokratë dhe socialistë, dhe në momentin kulturor, nuk mund, dhe nuk di ti ndaj ato, për nga cilësitë kulturore. Kjo është veçori e Shkodrës, dhe kjo mund të jetë forca e saj lëvizëse e madhe dhe e pa ndalshme.  Absolutisht të gjithë duan zhvillimin, dhe kthimin e saj në lartësitë e mëdha qytetare të dikurshme. E mendimi që duhet të paraprijë është se në këtë lartësi, qytetin mijëravjeçar e kthejnë shkodranët. E kthejnë shkodranët me komedinë dhe dramën e madhe të tyre, por duke rigjetur dhe krijuar autorë të rinj. E kthejnë aktorët e mëdhenj të sotëm dhe të djeshëm, por duke i hapur rrugën, dhe krijuar të rinj, të cilët nuk kanë nevojë “të falen” në ndonjë vënd tjetër për arsye pagese. E kthejnë njerzit vizionarë që e duan qytetin e tyre të gjithin, pa e ndarë atë as me lagje, as me religjon, dhe as ide politike, sikundër e kanë bërë këtë bashkim në 80-të, 100-t dhe 150-të vite më përpara. E kthejnë si të rinjtë dhe të vjetrit, njëra me vizion e sotëm, dhe tjetra me trashëgiminë e lavdishme. E kthejnë shkodranët që këmbëngulin në krenarinë e qytetit të tyre, por pa përdorur vetëm veprat e baballarëve dhe gjyshave, por kryesisht të vetat.
E kthejnë administratorët që nuk tentojnë vetëm katapultimin politik, por kryesisht forcën intelektuale dhe të gojës së lirë dhe të hapur, për të thënë atë që i shërben qytetit pa pasur frikë se mund të kundërshtohen. E kthejnë njerzit që i largohen oportunizmit vrastar dhe servil të trashëguar nga adminstratat e dikurshme si të turqisë, dhe të sekretarëve komunistë përpara disa dekadave. E kthejnë artistët dhe piktorët, këngëtarët, muzikantët, letrarët, historianët dhe pse jo gazetarët, që janë kategoria sot më e dobët, por sidomos administratorët që kompesojnë me vizion drejtimi, lirinë e shprehjes në art dhe kulturë. E lejojnë këtë kthim të lavdishëm politikanët, që nuk shikojnë vetëm dhe në mënyrë konservatore, politikat e ngurta të ditës. Politikanët që nuk ndahen në politika jo moderne, por bashkohen për Shkodrën.
E këto njerëz janë në Shkodër, por ju duhet shkundur pluhuri i imponuar jo shumë vite më përpara. Zhvillimin e Shkodrës nuk e lejojnë deprimentët, që e shajnë atë përditë në kafe të ndryshme, në ndonjë medium, që kanë shkuar në Tiranë dhe fillojnë e bëjnë “Tironsin e vjetër” duke harruar edhe gjuhën e tyre, dhe që lobojnë jashtë saj, për ta varfëruar. Por edhe për këto të fundit...zemra e Shkodrës është e madhe!! Kur vijnë ndonjëherë në qytet e kuptojnë sa pa kuptim janë...në këtë mënyrë.
Kryeqëndra e veriut është pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, dhe nuk mund të konsiderohet lokalizëm, as patriotizëm krahinor, avancimi i saj përballë Tiranës si kryeqëndër e Shqipërisë. Nuk mund të jenë zhvilluese dhe shqiptare, teori të nxjerrjes së Shkodrës në periferi të kulturës në saj, të marrjes së vlerave muzeale, artistike dhe kulturore të saj. Politikat e sotme Europiane të zhvillimit vendor, janë ato të zhvillimit të përgjithshëm dhe kudo, pikërisht aty ku ka art, vepra, dhe jetë kulturore. Politikat centralizuese të kulturës në një qytet “thelbësor dhe të vetëm”, varfërojnë në mënyrë të shpejtë Shqipërinë. Akoma më shumë se sot Shkodra është edhe nyje universitare e madhe në Shqipëri. Po, por stafet akademike, më tepër shikojnë zhvillim te modeli për vete, se sa për Shkodrën. Nuk ka një propozim të tyre për zhvillimin e përgjithshëm, nuk ka një seminar, një konferencë zhvilluese e organizuar me target zhvillimin e Shkodrës.Verejtje e madhe ju duhet bërë edhe shkodranëve mosbesues, dhe të dorëzuar përpara një realiteti të përkohshëm, sepse nuk bëjnë asgjë tjetër, por i nënshtrohen mungesës së zhvillimit të përgjithëshëm. Një artiste të madhe të Shkodrës e pashë përpara dy ditësh me lot në sy, sepse po shikonte se qyteti po rritej dhe infrastruktura po kalonte edhe idenë e saj të zhvillimit....po nxirrte lot gëzimi për qytetin e saj, duke qënë se ishte larg.
Shkodra është në rrugën e mirë të zhvillimit, por tashmë zhvillimi kulturor, është përparësia e saj. Kryeqëndra e veriut, është zvogëluar dhe rritur në shekuj, por diçka e ka mbajtur gjithmonë të madhe....kulturën dhe zhvillimin i saj i madh.
Prandaj ky është edhe kushti i vetëm për ta bërë gjithmonë të madhe atë. Ky është themeli qytetërues i saj. Asgjë tjetër nuk ka peshë më të madhe, përveç kulturës dhe zhvillimit të pa ndërprerë të saj.

 

Nessun commento:

Posta un commento