Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 16 agosto 2013

Shkodra 1939: " Gjoba kthen njeriun në qytetar"

Shteti me dokumenta dhe veprime, “peshonte rëndë” në Shkodrën e 1939!
                                             “Gjoba kthen njeriun në qytetar”

Dossier Arkivi Shkoder
Besi Bekteshi

Nuk ka gjë më të mirë, se sa të krahësosh dhe të studiosh qartë dhe mirë, anën dokumentare të organizmave të shtetit, qoftë ky edhe në kohë të vështira si pushtimi apo dhe lufte.
Një nga Bashkitë më të organizuara dhe një nga strukturat vëndore nga më të mirat edhe në zbatim të ligjit, ka qënë sigurisht Bashkia e Shkodrës.
Në saj të dokumentave të viteve të ndryshëm në Arkiv të Muzeut të Shkodrës, dalin në mënyrë të qartë, dhe ana ligjore dhe pesha reale jo vetëm e pushtetit vëndor, por edhe atij qëndror. Krijimi i idesë mbi zbatimin e ligjit, mbi gjobën, dhe sidomos mbi peshën e madhe të shtetit ishte diçka permanente, megjithse njerzit në përgjithësi, ishin pothuaj ato të sotmit dhe me karakterin gjithmonë anti-ligj, të ngritur deri në art!! Unë jam munduar gjithmonë të heq paralele mbi këtë peshë dhe respekt ndaj shtetit dhe ligjeve të tij. Padyshim koha që jetojmë, është kohë evazorësh që nuk i zë as ligji, dhe as gjoba, por në fakt, në vitin e largët 1939-të dhe sidomos në kohë kur akoma administrata e pushtimit fashist nuk ishte mirë i disponueshme, pushteti vëndor dhe institucionet e tij, që ishin trashëguar nga Mbretëria ishin të qarta mbi rëndësinë për të mos lëshuar asnjë terren mungesës së ligjit. Deri dokumentacioni i këtyre kohëve ishte sërish me vulat e Mbretërisë Shqiptare.
Po çfarë thuhet dhe çfarë del nga disa dokumentave rutinë të pushtetit vëndor të Shkodrës dhe dy kryetarëve të tij si Ndoc Çoba dhe Mark Kakarriqi?
I pari është një urdhër ose “Letër – Rreshtimi i datës 24 – 3- 1939 (akoma nuk kishte filluar invazioni fashist)  me të cilën një qytetar i Shkodrës për mos zbatim detyre, mos pagesë të gjobës, mos bindje ndaj urdhërave, gjobitet, dhe mbasi nuk paguan, dënohet me një muaj burg, dhe ju jepet organeve të rendit zbatimi i letrës së rreshtimit. Dakort? As fjalë, as miqësira, sa lutje, as momente korrupsioni me “hajd se po paguaj nën dorë pak lekë, dhe nuk më hyn ferrë në këmbë”, por zbatim të ligjit, dhe praktikisht personi në fjalë ka bërë burgun e tij, dhe ka punuar në ndërtim si i burgosur, për të shlyer gjobën. Sepse jo vetëm që duhet të bënte burg, por duhet të lante dhe gjobën e pa paguar. Ka shumë raste të tilla në zbatim të ligjit në Bashkinë e Shkodrës.  Kjo gjë nuk bëhet sot, nuk ndodh sot dhe më vjen keq që ta them, është prishur terreni për një diçka të tillë. Këtë terren e ka prishur mentaliteti komunist i urdhërit dhe tarafit partiak, dhe pastaj mentaliteti i “demokracisë së sotme” i mos afrimit me ligjin.
Dokumenti tjetër, është një vendim i Këshillit të përhershëm të Bashkisë së Shkodrës.
Ky dokument është qartësisht një vendim zbatim dënimi me gjobë të rëndë, të shumë tregtarëve, të cilët janë kapur nga kontrolli në thyerje të ligjit. Çfarë ka dokumenti?
Është një raport i policisë së Bashkisë së Shkodrës, mbi aktivitetet që thyejnë ligjin dhe vendimi mbi dënimin, por kryesisht sqarimi se çfarë kanë bërë këto persona që po gjobiten, gjobën respektive, mundësinë brënda tre ditësh për tu ankimuar, dhe zbatimin e gjobës. Në qoftëse mungonte kundërshtimi ligjor, gjoba bëhej e akzekutueshme menjëherë.
Po çfarë kishin bërë qytetarët e Shkodrës, kryesisht tregtarë për tu gjobitur? Disa furrtarë kishin shitur bukën nën peshë, dhe kontrolli i kishte kapur. Sot e bëjnë pothuaj të gjithë, dhe nuk dënohet më duket askush!?  Shumë tregtarë akuzohen, dhe ju është marrë firma, sepse kanë “okupue shumë vënd  para dugaje”. Po, as që i ka pyetur më kush, por tashmë po ju aplikohet gjoba, dhe jo pagesa për vëndin e zënë.  Pra “gjoba”, dhe është bërë lirimi i menjëhershëm i vëndit. Një furrtar, jo vetëm kishte bukën me peshë të vogël, por shiste dhe në rrugë, dhe për këtë dënohet ashpër. Njësoj si sot (se kam fjalën vetëm për Shkodrën e cila mund të jetë mirë) një shumicë, por atëhere në vitin 1939-të gjoba i çonte punët në rregull. Disa tregtarë, pse nuk kanë pasur leje tregtie, kanë marrë dënim të rëndë. Deri dënim për “lojë letra dhe domino pa leje të Bashkisë së Shkodrës”, është dhënë dënimi, dhe tepër i rëndë. Janë gjobitur tregtarë që ka bërë pis, dhe kanë derdhur “qelbsina” në rrugë. Më kuptoni miqtë e mi, se deri ku ka shkuar puna në zbatim të ligjit dhe anës urbane dhe qytetare në vitin 1939-të? Po, dhe ka shkuar puna të dënohet tregtari sepse e ka “zanë bukën me maja të amël”!! Deri ingredientët janë gjetur dhe është zbatuar ligji! Në disa shkrime pastaj të sqarimit të shumë aksioneve të përditshme dhe në vitin 1938-39, thuhet se ky është momenti për të “qënë barabar” me Inglizin dhe Gjermaninë, por dhe botën e kulturuar dhe qytetëruar në përgjithësi.
Kurse shprehja më e qartë e kësaj kohe ishte “gjoba e kthen njeriun në qytetar” dhe vlen për sot e kësaj dite. Zbatimi i dënimit me gjobë i dhëmb shumëkujt, dhe drejton shoqërinë nga kurrizi i përkulur i skllavit, në qytetarin që i përkulet ligjit. Parimi i deklaruar “gjoba kthen njeriun në qytetar” ishte një filozofi e ndjekur qartë megjithë vështirësitë e mëdha të kohës. Por unë sëpaku e kam të qartë mirë se zbatimi i ligjit në vitet e largëta për të cilat po shkruaj, ishte çështje nderi. Gjoba ishte masa e parë “represive”, e cila paralajmëronte furtunën dhe deri burgun pas.  Një shprehje e tillë e dalë nga një kryebashkiak i Shkodrës, për të cilin padyshim do të shkruaj në të ardhmen, po të vazhdonte akoma dhe të ishte një model për tu ndjekur do të bënte shumë punë. Atëhere dhe është akoma më shumë për sot. Në fakt “të gjithë ishin njerëz sipas këtij kryebashkiaku”, por edhe pse në Shkodër dhe në një vënd tepër të kulturuar dhe qytetëruar të kohës, pak ishin qytetarët.
Pikërisht ky ishte momenti i zbatimit të gjobës, sepse me anën e këtij mekanizmi, njeriu i lirë e kuptonte se përballë ligjit nuk është më kaq i lirë, dhe në zbatim të plotë të tij bëhet qytetar. Kjo shprehje e thënë në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, nga Zejnel Prodani, u mbajt dhe u transmetua në vite deri pak më vonë, edhe pse erdhën kohë të vështira dhe sidomos kohë kur ndërruan administratat. E qartë, por gjithsesi ishte një shprehje madhështore që vlen shumë dhe për sot. Njëkohësisht për të mos i rënë në qafë pikërisht qytetarëve me gjoba, ishte në funksion një organizëm kontrolli që kishte në krye gjithmonë Kryetarin e Bashkisë.  Sot nuk e zbatojnë me dëshirë dhe realitet këtë parim. Biles formohen administrata gjobvënëse për xhepat e tyre.Nuk e duan askund në Shqipëri gjobën e drejtë dhe të merituar, dhe pikërisht kjo e bën shtetin pa peshë, pushtetet vëndore pa asnjë gram peshe të vërtetë, dhe të një reflektimi pozitiv ndaj zbatimit të ligjit. E unë jam i sigurtë se jo vetëm kjo kohë si 1938-39-ta, por dhe disa kohë të tjera e kanë pasur këtë drejtim shumë më mirë. Sot më vjen keq, këtë drejtim nuk e ndjekim dot.   Jo, dhe prandaj kemi shumë pak qytetarë.




Nessun commento:

Posta un commento