Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 5 agosto 2013

Kush jane emrat e mjeksise shkodrane ne shekullin 19-te dhe fillimin e shekullit 20-te



Emrat e mjekësise shkodrane dhe shqiptare në shekullin e 19-të dhe fillimin e shekullit 20-të.

Koment
Besi Bekteshi

Një nga drejtimet më pak të folura dhe të studiuara për kohën e zgjimit kombëtar, për momentin e afërsisë kombëtare për pavarësi, dhe njëkohësisht qytetërim, është mjeksia. Në të vërtetë momenti për të reflektuar edhe pse në vonesë me fqinjët të cilët ishin të gjithë shtete të pavaruara, pothuaj, ose në kërkim të plotë të pavarësisë si Mali i Zi, ka sjellë dhe në Shkodër një hap cilësor të mjeksisë dhe kryesisht farmacisë.  Në një dosje tashmë të plotësuar akoma më qartë këto vite në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, janë fotografitë e barnatoreve të para shkodrane, emrat e mjekëve dhe kryesisht farmacistëve të parë shkodrane dhe njëkohësisht dhe grupi i madh i mjekëve të huaj, por që kanë shërbyer në Shkodër dhe në Shqipëri ndër vite. Janë fotot e origjinarëve mjekë shqiptarë të studiuar jashtë dhe të huaj që kanë shërbyer brënda. Ishte një bashkim i farmacisë me infermierinë dhe shërbmin mjeksor dikur, dhe kjo mënyrë e të bërit “mjeksi” ka qënë gjatë gjysmës së dytë të shekullit 19-të dhe ka vazhuar dhe mbas viteve 1900, kur dolën dhomat e para të kompletuara të infermierisë ku kuroheshin kryesisht traumatologjitë e para. Një nga fotot e rralla, dhe që pasqyron vërtetësisht një farmaci të jashtëzakonshme është pikërisht ajo e dr Pashko Ashikut e cila ishte me namë të madh për nga kapaciteti barnator për kohën jo vetëm në Shkodër dhe rrethet anash saj, por dhe në Mal të Zi dhe Kosovë, ku nuk kishte një të tillë për tu barazuar. Ishte viti 1896 dhe farmacia e madhe me një depo të plotësuar ilaçesh që vinin kryesisht nga perendimi si Italia, Franca e Gjermania, por dhe nga Stambolli. Kjo ishte një depo e madhe dhe dyqan i mrekullueshëm ku  kishte disa farmaciste dhe çirakë, dhe ishte një nga taksapaguesit e mëdhenj në Shkodër. Pastaj është një tjetër foto e rralle që tregon një grup farmacistësh dhe shegertë me kostumet e kohës dhe janë Rrok Xhelala, Ndoc Ashiku, Meli prej Triesteje dhe Pashk Ashiku. Janë vitet 1890-të dhe normalisht fotot janë rregullisht me kostumografi qytetare shkodrane të kohës otomaniste, megjithse shumë prej tyre tashmë kishin vazhduar të visheshin “alla frënga”.  Ishte koha që kishin filluar të shërbenin dhe mjekë farmacistë dhe infermierë të huaj, por që në fakt vinin në saj edhe të asaj pak infrastrukture farmaceutike shkodrane në atë kohë. Ishte një bisnes që kishte filluar dhe nuk kishte në Shkodër, asnjë strukturë shtetërore përveç një infermierie ushtarake turke dhe një farmaci dhe infermieri qytetëse të vogël me shërbim të reduktuar. Por akoma më interesante është një foto akoma jo e mirë përcaktuar si vit i saktë, por shumë domethënëse, e farmacisë dhe infermierisë së Perikli Mozalit e filluar në vitin 1868 kur janë, dr Jozef Zamputi, Perikli Mozali dhe dr Merderios. Janë pra, personazhet e lartë të mjeksisë së asaj kohe, të dalë sëbashku në farmaci dhe normalisht është një nga momentet për të treguar historinë e farmacisë kryesisht, por dhe mjeksisë shkodrane dhe asaj shqiptare. Ka pastaj foto të dr Rauf Sulës dhe dr Simon Tironit, por dhe fotot e Ndoc Ashikut (1875-1942) si dhe dentisti i parë ilustër i Shkodrës, dr Hasan Efendi Kaduku 1869-1949. Ai është themelues i mjeksisë dentare në Shqipëri, dhe një dinastie të tillë në Shkodër. Pastaj është fotoja e dr Francesco Albergeti dhe dr Sadik Sterniqi 1886-1940.  Një nga mjekët e lartë të Shkodrës në foto të Arkivit të Muzeut është Pjetër Prela, si mjek i parë i bashkisë së Shkodrës dhe shtetit shqiptar në Shkodër, që nga 1919-të dhe deri në vitin  1959.  Në dinastinë Ashiku është edhe Lush Ashiku në foto, si një person i mjeksisë tepër i njohur përpara viteve 1900. Në albumin e duhur dhe të saktë në Arkiv, është edhe prof dr Dika Beu, ose Jak Dika si pedagog në fakultetin e mjeksisë të universitetit të Stambollit (patologji) 1843-1903. Po ashtu dhe dr Ihsan Korça 1880-1943, i rënë në luftën e dytë botërore.  Nuk ka dyshim se do të ishte edhe foto e të madhit Frederik Shiroka, i njohur jo vetëm në Shkodër, por edhe në Shqipëri, dhe padyshim një nga mjekët më humanistë të kohës.
Pastaj kalojnë rradhazi dr Sami Berati, dr Bedri Permeti, prof dr Rifat Frashëri, një foto e madhe e Shan Hilës dhe dr Stefan Herçek.  I kaluar në Shkodër dhe në formim të shërbimit të parë mjeksor është dhe dr Genaro Simini 1813-1880, dhe foto e tij është sëbashku me tre foto të Giusepe Zamputti-it nga më interesantet në albumin e Arkivit të Muzeut të Shkodrës. Normalisht që është edhe foto dhe historia e dr Jorgji Karamitrit që është dhe dëshmor i atdheut i rënë në vitin 1943, por është dhe një diplomë (foto) e “Faculte Imperial De Medicine” e dr Ndoc Ashikut e marrë në Stamboll në vitin 1901 e marrë për “maitriese en pharmacie”. Pastaj janë fotot e Seit Pipa-s 1883-1940, dr Basri Qadhimi, dr Fejzullah Libohova, dr Rauf Angoni, dr Abdullah Mehmeti, dr Telemak Margariti. Në kolanën e mjekëve në foto janë dhe dr Ali Loloçi dhe dr Mustafa Halit, por dhe prof dr Ibrahim Lutfi Pasha Berzeshta dhe dr Besim Omer Pasha si dekan i fakultetit të mjeksisë në Stamboll. Ka origjinë shqiptare në foto, dhe një nder të madh shqiptar dhe në mjeksi, në një kohë të zgjimit kombëtar dhe studimeve të larta të origjinarëve shqiptarë.
Janë dhe fotot e dr Rudolf Shmid dhe dr Peter Selemi në kohë të ndryshme, por dhe dr nën kolonel Hysen Efendi. Dr Shmid, ka qënë drejtori i spitalit civil austro-hungarez dhe është një nga drejtuesit që ka vendosur bazat e mjeksisë moderne. Po ashtu është një foto e mrekullueshme e Luigi Cirilo Giovani Pardo dhe poshtë e shënuar qartësisht me emrin “Mehmet Idajet Pardo” që tregon dhe historinë e konvertimit të një italiani në religjonin islam. Po, Pardo, ishte një otomanist në bindje, dhe ka arritur të ketë përveç farmacisë dhe një shtypshkronjë e cila shkruante shqip, dhe në modelin e duhur të bashkuar në kohë.
I gjithë albumi është një enciklopedi e vërtetë njerzore, që ja vlen të demostrohet dhe normalisht të ndiqet dhe aspekti jetësor i personazheve të lartë në të. Është një histori e mjeksisë, e fillimit të pikërisht asaj mjeksie moderne shqiptare dhe në bashkëpunim me të huajt, por gjithsesi shqiptare për nga aktiviteti dhe origjina. Ishte mjeksia e largimit nga xherahët dhe “popullorët” që mjekonin sipas prapambetjes së madhe të kohës.
Albumi është një legjendë e plotë e mjeksisë dhe humanizmit, dhe shumë prej këtyre mjekëve i duhet bërë edhe vëndi në histori. Unë nuk po bëj asgjë tjetër, por po paraqes ato historinë si foto, të cilat në saj të lavdisë absolute fotografike që ka Shkodra dhe arkivat e saj, e kanë ruajtur në kohë, dhe tanimë duhet thënë dekada dhe shekuj.   

Nessun commento:

Posta un commento