Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 27 agosto 2013

Migjeni i pa kuptuar, por i keq respektuar në dekada

Migjeni i pa kuptuar, por i keq respektuar në dekada



Koment
Besi Bekteshi

Në datën 26 gusht të vitit 1938 vdiq në Torino Millosh Gjergj Nikolla, ose modeli i jashtëzakonshëm i vargjeve dhe prozës moderne shqiptare. Pa asnjë dyshim, unë jam i mendimit të prerë dhe të qartë, se me aq vite aktivitet letrar, aq jetë, dhe aq mundësi, Migjeni është njeriu më i madh i fillimit të letrave moderne shqiptare. Padyshim të fillimit të tyre.  Por ky është një opinion, dhe nuk është pika e fortë me të cilën mund të vazhdoj pikërisht opinionin. Pika e fortë në të vërtetë, është mundësia ime e madhe për të pasur atë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë autentike dokumentare të Migjenit në arkivin e muzeut të Shkodrës. Normalisht, nuk janë vetëm repertet e tij të jashtëzakonshëm, canta, stilolapsi, portofoli, krëhëri, apo ajo që ka mbetur nga ai, pasaportat, por kryesisht dëftesat, proza e shkruajtur e tij, librat e tij të cilat ka lexuar, letërkëmbime, emërime dhe letrat e shtetit atëhere, për mësuesin dhe shumë e shumë botime për të, por dhe pështypje dhe po ashtu tregime apo kujtime nga bashkëkohësit. Janë shumë dosje ose më mirë 14-të, që përbëjnë dhe arkivin e mirë dhe të pasur, për një model talenti që është e vështirë të përsëritet te ne.
Dakort, por nuk e kam fjalën këtu. Për veprimtarinë e tij, apo dhe me shkrimin e tij, me cilësitë e tij, fotot dhe biografinë e tij, normalisht jam për fat, një nga njerzit më mirë të paisur dhe ditur. Por di dhe tre kohët në të cilat emri i tij ka bërë jetën letrare. Them kështu, sepse vdekja e mori shpejt, duke mos lënë kohë fizike për reflektim të qartë mbi aktivitetin dhe sidomos mbi vijushmërinë e tij poetike, por dhe në prozë. Kam hedhur poshtë me dokomenta modelin e dikurshëm, të “mos dhënies punë dhe persekutimit politik” në kohë të Zogut, edhe pse pranoj se diku lart, nuk e kanë dashur kaq shumë. Por emërimet e tij nga ministrat e kohës, paga, lutjet dhe pranimi i tyre, ndjekja e sëmundjes, lejet dhe pagesa në këtë kohë, mbyllin kapitullin e persekutimit sëpaku me kuptimin e më vonshëm të një regjimi. Vendosja e Migjenit si “të sëmurë nga rruga e Vrakës”, është idiotizëm komunist, sepse në diktaturë kanë qënë mijra mësues të tillë akoma më keq, shumë me keq se Migjeni. Por në fakt, ai është emëruar kryemësues dhe pikë. Në Vrakë, Pukë, dhe padyshim është sjellë dhe në gjimnazin e Shkodrës me pagë të mirë, edhe pse nuk kishte arsimin përkatës por që janë dinin cilësitë e veçanta.  E nga se nga Ministria e Drejtoria Arsimore, kishin respekt për punën e tij, dhe kjo është e shprehur në letra. A ishte Migjeni një kritikues i regjimit? Pa dyshim, dhe më i mirë dituri dhe më i mirë skalituri në talent. Më humani, thotë një mik i imi në muze. Biles ishte më borgjezi. Në fakt unë di librat që lexonte dhe Sinclaer apo London, por dhe Dostojevski dhe për më tepër Niçe, nuk do ta bënin komunist, por në fakt, rinia e atëhershme normalisht që do të kapej dhe mbahej fort mbas talentit të një njeriu të jashtëzakonshëm, në taletin e tij aspak i kompromentuar me të keqen e kohës. Dhe kishin të drejtë....! Ishte për të qënë një idhull, sepse po formohej shoqëria e korruptuar e qëllimeve të pushtetit, dhe jo të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shoqëri realisht moderne. Padyshim që komunistët do të përfitonin nga pikërisht talenti i tij. Nuk shkruante kush më bukur dhe më afër në realitet se sa ai. Më lirë dhe më me modernizëm që shkonte nga gati ateo, në besim për një revolucion gjysëm darvinian dhe gjysëm mistik. Koha sa jetoi, nuk e përdori dhe as e burgosi. Kjo do të ishte po të thuhej “një krim” dhe kështu kanë dashur ta paraqesin shumë autorë të cilët në letrat e tyre e rikrijuan “Migjenin” në gati parakomunistin e parë shqiptar në letra. Një “Majakovsk” më tepër se sa “Majakovski”, por unë lexoj në origjinal prozën e tij. Padyshim që të gjithë e lexojnë, por jo në shkrimin e tij, dhe ka një dallim të madh. E para, sepse shikon gjendjen emocionale të tij, dhe e dyta, redaktimi shpesh herë i ka bërë dëm pjesës emocionale dhe në talent prozës së Migjenit. Lexoj dhe gjërat që ai ka prishur!!  Ai është  keq respektuar në komunizëm, dhe normalisht një shpirt i lirë i tillë, po të kishte pasur jetë, mbase do ti takonte të majtës shqiptare, por jo komunizmit, sepse ky lloj shpirti nuk mund të bashkëjetonte me dhunën e disa djajve, dhe despotëve, të dalë nga “gjiri i popullit”. Ai, ose do të pushkatohej, ose do të burgosej. Nuk kam dyshim, se kur ishte jo dakort, kur kritikonte dhe nxirrte lakuriq një regjim si ai i Zogut, me Enverin do ti kishte pasur punët akoma më keq. Por më duhet të pranoj, se në regjimin e Enverit, duke qënë i vdekur, ai u trajtua si një lapidar i poezisë dhe prozës. Kjo ishte një punë e mirë, pavarësisht se kudo, deri në filma, komunistët deklaronin “Migjeni është i yni”! Botimet për të, filmat, recensat, emrat, shfaqet, studimi, vepra e tij, autorët e kohës së diktaturës, përjashto ndonjë “ të thellë indoktrinuar” kanë bërë një gjë të madhe, për një figurë si ai. Por “keq respekti” ka të bëjë me modelin kundërvënie. Migjeni është keq respektuar, sepse kur kanë dashur të demaskojnë dikë në atë kohë, dikush që është gjallë edhe sot e fillonte me “ ti je një armik se dhe Migjeni jonë i madh ka thënë” etj etj. Dakort, besoj se më kuptoni. Por nuk është faji i Migjenit për këtë tragjedi dje, dhe që mbas viteve 90-të dikush e quan atë sërb, sllav, agjent, komunist, gati gati jo shkodran, etj etj.  Por edhe në këtë rast kemi, një keq respekt në një anë dhe krijim urrejtje absurde e pa kuptimtë deri në vdekje.
Gjithsesi unë i kuptoj të gjithë, por nuk kuptoj lënien disi anash të Migjenit, në kohën e sotme.
Ai është kompleks, por gjithmonë aktual. Nuk guxon kush akoma sot, si ai. As në poezi dhe as në prozë. Në shoqërinë e sotme, nuk kanë guximin “parësor dhe primordial” të tij. Edhe ato që duken të tillë, e kanë kollaj pikërisht sot. As talentin e tij. Për këtë ju vjen disave dhe pak inat.
Unë po e kujtoj në fakt figurën e tij,  dhe mund ta shoqëroj me vargje dhe me paragrafe të shumtë, por këtë e kanë bërë në mijra e mijrav faqe librash dhe botimesh dikur. Unë dua vetëm të tregoj se ai ishte një shkodran me talent të madh. Ku është problemi se është një orthodoks, ku është problemi se është një person që ka bërë një shkollë klerikale, ku është problemi se lexonte autorë amerikanë në serbo-kroatisht, ose gjuhën e sllavëve të jugut?  Lexonte libra në këtë gjuhë, edhe se një pjesë nuk shtypeshin akoma në shqip.
Por lexonte dhe guxonte në shkrimin e tij. Mendimin e hedhur në letër, e kishte më të mirë pothuaj se të gjithë.
Domosdo  që qyteti i tij kishte të mëdhenjë të shumtë dhe Fishta, Koliqi, Shiroka, Mjeda kanë vëndin e tyre, por talenti dhe fryma e lirë e Migjenit, ka padyshim vëndin e madh të lartësisë poetike, por dhe në prozën e shumë dashur të tij.
E bënin të shkretin me shoqëri të madhe komuniste, dhe unë kam shumicën të fotove shoqërore të tij. Nuk e kam parë, dhe nuk e kam në asnjë prej tyre, me korifejtë e komunizmit. Në asnjë foto.
Gjithsesi më mirë që ka ndodhur kështu. Ndryshe, nuk do të vinin në kohë dhe ruheshin edhe artefakte të tij. Ndoshta them!!
Por sot duhet ta lexojnë më shumë. Sot në kohën e androidëve dhe iphone, në kohën e windovs-ave, ai është i domosdoshëm, dhe me kalimet tona demokratike që i ngjajnë disi, apo janë më keq se sa koha e tij. Kanë po të njëjtën tragjedi, dhe të njëjtin moment dobësie njerzore. Po, dhe tashmë ai vlen shumë.
Sot nuk mund të jetë i pa kuptuar si në vitet 30-të, por as i keqrespektuar si në vitet 1944-1990-të.
Ka bindjen se njerëz të qartë me të si bie fjala Zeqo dhe Jorgaqi, sa për të marrë si shëmbull dy persona, e kanë kuptuar mirë dhe qartë atë, ashtu si dhe shumë të tjerë, por normalisht në këto dekada të vdekjes së tij, është e domosdoshme edhe një reflektim tjetër si letrar dhe ideologjikk në sensin e shoqërisë pa ideale sotk dhe me ideale të ndryshme dje. Një reflektim të qartë mbi “Paradoksin e Trumbcakut” për dje, dhe sot.
Nuk e kanë kuptuar, dhe e kanë keq respektuar disa breza Migjenin. Ai brez i tij, për anën revulucionare dhe përparimtare në vitet 30-të, kur ideologjitë fashiste dhe komuniste mbysnin dhe lëkundin botën. Nuk e kuptuan as ato më pas, pse ishte kaq ndryshe dhe me vizion të tillë. E keq respektuan një brez i madh mbas viteve 50-të. E kuptuan, dhe e sistemuan një brez i madh i viteve 70-të, kur ideologjia te ne kishte bërë tashmë dëme të mëdha. E denigruan disi një brez, që arriti të dalë në vitet 90-të, por që kishte papajtushmëri ideologjike dhe pronësie kulturore me regjimin e kaluar, dhe është një brez sot, që po rritet mes këtij dyzimi, mos kuptimi, dhe keq respekti.
Tani është gabim i madh që të mos studiohet Migjeni, si një ndër meteorët e lartë të kulturës dhe sidomos poezisë dhe prozës moderne shqiptare të viteve 30-të. Për humanizmin e tij,  dhe qëndrimin modern dhe borgjez, pikërisht kësaj shtrese akoma jo të qartë shqiptare. Një pastrim i kësaj veprimtarie të madhe kulturore, dhe pse shkurt, duhet dhe normalisht që unë kam aftësinë, që kur vijnë në Muze, njerëz që mirë ditur mbi artin dhe kulturën, të interesuar mbi talentin e Migjenit, të kërkojnë artefaktet dhe të tjera copa historie që ai ka, pikërisht në këtë arkiv, dhe muzeun e Shkodrës.

 

 

Nessun commento:

Posta un commento