Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

giovedì 22 dicembre 2011

Migjeni ringjallet ne teatrin Migjeni


Migjeni, ringjallet dhe kryqëzohet, në teatrin “Migjeni”.


Besi Bekteshi

Megjithse me vonesë, por gjithsesi qyteti i lindjes së poetit dhe prozatorit poetik modern edhe në ditët e sotme Millosh Gjergj Nikolla, ka bërë të mundur shfaqen e një drame poetike mbi autorin e madh. Premiera është dhënë dje me një pjesmarrje të madhe të publikut gjithmonë të interesuar shkodran. Ka qënë një angazhim i drejtuesit të teatrit “Migjeni” zotit Edmond Angoni dhe me regji të Bruno Shllakut, që ka bërë të mundur edhe vënien në skenë të një premiere e cila për nga materiali që përmbledh është e bollshme, por për nga trajtimi dhe sjellja tematike në vitin 2011-të nuk është aspak e lehtë.  Aktori dhe regjizori që ka vënë në skenë një shfaqe të tillë e ka quajtur “Të lindet njeriu” dhe normalisht që idea përçuese është vargu si poetik dhe në prozë që ka Migjeni.
Shllaku është munduar të sjellë diçka ndryshe nga herët e tjera në Migjeni, diçka më narracion poetik dhe ideor, dhe besoj se e ka arritur në saj të efekteve, modelit tregimtar, dhe sugjestionues në skenë, të shumë momenteve njerzore që marrin pjesë. Natyrisht që Shllaku tendencën e  ka nga tragjizmi i thelbit të gjërave dhe Migjeni i tij në fakt, është diçka midis tragjikes dhe asaj që të detyron të kuptosh se “nuk është se ka ndryshuar shumë që nga koha e tij”.   Ai e risjell Migjenin, që në fakt interpretohet besnikërisht si figurë dhe plastikë nga tashmë aktori zbulim Ergys Bamçi, duke i shtuar edhe momentin e sotëm të habisë relative për aktualitetin, dhe vuajtjes në një “kryqëzim” që nuk është kaq shumë i djeshëm, se sa pikërisht i sotëm. Loja e aktorëve është kryesisht me treshen tepër deklamative në interpretim si Bruno Shllaku, Rajmonda Marko dhe Paskualina Shllaku dhe them deklamative, sepse drama në fakt, ka pasazhe të poezisë së fortë migjeniane. Mund edhe të ishte një treshe me tepër dramo-sarkastike dhe akuzuese nëpërmjet interpretimit me “të lirë”, por Shllaku me sa duket, nuk ka dashur të zbresë nga tragjizmi dhe të zbusë batutën e dërguar shumë lart dhe me forcë te spektatori. Por, loja është e mbushur me plastikë te të tre aktorët në sinkron interpretativ. Po ti shtosh kësaj tresheje edhe artisten e madhe Tinka Kurti, e cila edhe pse në moshë emocionon, dhe lëshon britma origjinale, të ndjera, dhe të fuqishme dhimbjeje, atëhere mund të thuash se loja në madhësinë e saj është pothuaj perfekte për çfarë drama poetike kërkonte në regjinë e saj. Megjithatë duhet thënë se modernia dhe risia në këtë shfaqe, ishin të rinjtë e shumtë që merrnin pjesë.  Drejtori Angoni, më sqaronte që pa u vënë në skenë premiera se “janë 50-të veta që interpretojnë” dhe normalisht ndërthurja e lëvizjeve në sallën e “Migjenit” të një sasie të tillë “comparsa-sh”, bënte edhe zgjidhjen racionale të Shllakut. Hijet e fillimit, të cilat tregonin problematikën Migjeniane, kryqëzimi ose më mirë gjysëm kryqëzimi i Migjenit i luajtur bindëshëm nga Bamçi i kthyer në dukje në kohë      ( mund të kuptohej edhe kështu),  legjenda e misrit e thirrur edhe sot me dëshpërim të madh, nxënësit e vegjël të mësuesit të dashur, ishin gjetja e madhe e skenës. Në fakt, ishin të rinjtë e dancit “My Generation” që luanin pjesën relative të daljes nga emocioni tragjik i transmetuar i aktorëve të premierës, që bënin pastaj edhe çlirimin emocional të fortë të spektatorëve. Patjetër edhe pse buxhetet mbeten të vogla, skenografia me anën e Hysni Halilit dhe inspektorit të skenës Sabah Baxha ishte funksionale, dhe lëvizjet brënda dhe në mes të platesë, por dhe anfiteatrit, ishin akoma më shumë komunikuese me spektatorin e shumtë në ditën e parë të premierës migjeniane të teatrit “Migjeni”.
Millosh Gjergj Nikolla është “ringjallur” në teatrin “Migjeni”, por edhe është gati kryqëzuar në formë, për tu bërë sërish një model i forcës së mendimit dhe rebelimit qytetar jo vetëm të asaj kohe, por me dendencën e riformatimit shoqëror edhe në këtë kohë.
“Të lindet njeriu”...ndoshta është një gjetje migjeniane e kohës, por më tepër se sa kaq, ajo veza e thyer që nxjerr një vajzë si poster i premierës, ka të bëjë me shoqërinë tonë të djeshme dhe të sotme. Ndoshta ky është edhe mesazhi migjenian i premierës së re mbi pikërisht veprën e jashtëzakonshme të njeriut të madh të poezisë, dhe prozës poetike shqiptare që është Migjeni.

mercoledì 21 dicembre 2011

Shtypi ne Shkodren e viteve 20-te

Titujt e shumtë të gazetave para 9-të dekadash, dhe raporti kokëposhtë i sotshëm në kryeqëndrën e veriut.


Dossier – opinion

Besi Bekteshi

Sot, shpesh herë bëjmë diskutime mbi sasinë e madhe të gazetave apo testatave të shtypit kombëtar, dhe normalisht të mësuar me thëniet “shtyp i shumtë dhe numër i madh”, mundohemi të tregojmë “inflacionin” e menduar si të tillë.
Megjithatë është mirë të kthehemi në kohë, të referohemi në titujt e gazetave dhe të botimeve gazetareske, në kohën kur vëndi ishte në rrugën e identititetit kombëtar, dhe të asaj lirie të shtypit që fatkeqësisht (disa) kujtojmë se ka ndodhur në vitet 90-të.
Them fatkeqësisht, sepse pak ose aspak, ka referenca mbi testatat e shtypit në vitet 1913-1939-të.
Kuptohet se sidomos mbas viteve 1912-të dhe pa asnjë dyshim mbas një viti, qëndra e botimit dhe daljes në dritë të gazetave dhe revistave periodike, ka qënë kryeqëndra e veriut të Shqipërisë ose qyteti tradicional dhe kulturor i Shkodrës. Patjetër që do të ishte kjo kryeqëndër që do të botonte tituj, shkrime, botime të shumtë, sepse e para ishte qytet që kalonte gjithmonë edhe pse në luftë mbi 20.000 banorët dhe nga vitet 20-të rreth 25.000  banorë me tendencën e shpejtë në rritje. Kishte fuqi intelektuale si brënda saj dhe jashtë shtetit të sapo formuar, kishte fuqi ekonomike për të botuar dhe blerë, kishte biblioteka pa fund jo vetëm religjonare, por edhe të familjeve të mëdha, kishte konsullata dhe përfaqësi, por dhe marrëdhënie diplomatike sidomos me perëndimin, kishte transport si ujor dhe detar, si edhe rrugor me të gjtiha viset shqiptare dhe me jashtë. Pra ishte qyteti  që gjeneronte shtyp tepër të lirë, gjeneronte opinionistë dhe botues të vendosur, dhe sidomos qyteti ku pjesa e borgjezisë tashme e ndarë përfundimisht nga gjëndja turkoshake e deprimencës kolektive, mundohej ti bashkangjitej perëndimit edhe me pikërisht shtypin e lirë.
Nga viti 1913-të dhe deri në vitin 1939-të në Shkodër janë shtypur rreth 23 tituj gazetash nga më të ndryshmet, por unë në saj edhe të fondit të “dosjes Suma-Çoba” në arkivin e Muzeut të Shkodrës, por risjell titujt e viteve të para mbas Pavarësisë së Shqipërisë.
Kam ndarë shtatë gazeta të shtypura në Shkodër dhe jashtë në fillim dhe që kanë fillimet përpara viteve 1920-të dhe disa vazhdojnë mbas këtyre viteve. Janë gazeta “Taraboshi”, “Ora e Maleve”, “Besa Shqyptare”, “Populli”, “Posta e Shqypniës”, Hylli i Dritës” dhe “Zani i Popullit”.
Më bën pështypje të madhe “Taraboshi” në një numër të saj, në kohën e fillimit të pavarësisë, një gazetë e Terenc Toçit, shkodran e lindur në Cosmo Kalabreze dhe një luftëtar e pavarësisë me anën e botimeve të tij dhe bashkëpunimeve të shumta patriotike. Në një numër ai ka botuar një shkrim nga “fletorja e Belgradit, Radnicke Novine” nr 338 me titull “Kush janë Shqyptarët”? E normalisht aty tregohet deliri serbomadh ndaj popullit shqiptar, por gazeta “Taraboshi” e boton duke ju bërë thirrje atyre që e lexojnë për të pasur të qartë ku është, dhe kush është, rreziku si dhe për tju shtuar “mnia” atyre që lexojnë. Por çfarë thuhet në pjesën “Rreziku!” si editorial: Na sdo lodhena kurr tuej bërtitun.....se për n’daçim me pshtue pa mytë vedin......do tjetojmë vllaznisht e do ti vemë menden nderit, meritimit, fuqisë dhe kopetencës, vjeftësisë e jo besimit të nji njerit, pse t’krishtenë e mysliman. Jemi sëbashku, se kemi nji besim të madh, predikue nga Muhamedi e Krishtit qi asht...njerzia...e themeli i ndjerzës asht ATDHEU.
Pastaj është gazeta “Populli”, ku në një editorial të 5 dhjetorit 1919-të, përshkruhet festimi që i duhet bërë 28 nëntorit dhe kujtimit të patriotëve të shumtë shqiptarë.
“Besa Shqyptare” e botuar edhe në gjermanisht tregon në vitin 1916-të e drejtuar nga D. Ndoc Nikaj, sqaronte si situatën këmbëtare dhe atë ndërkombëtare, gjithmonë në lidhje me shtetin, akoma jo mirë qartësisht të formuar shqiptar. “Ora e Maleve” e viteve 20-24, bën politikë të madhe dhe një aditorial të saj në vitin 1923 pikërisht me 28 nëntor të shkruajtur  nga Luigj Gurakuqi, jepen kujtime dhe mendime me një pasion të jashtëzakonshëm patriotik. Por ka qënë edhe “Zani i Popullit”  i Kol Mjedës ku në një editorial të vitit 1925-së që ka titullin “Mjerimet e Popullit t’ynë” duke qënë një zogist i flakët, mjeshtri i shkrimit, bën fjalë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet, për shqiptarët në këtë kohë. “Hylli i Dritës” po ashtu edhe pse kishte një qasje religjonare,  patriotizmin dhe kthimin në normalitet jetësor dhe etik i një qyteti apo shoqërie e ka pasur tendencën e përgjithëshme dhe të jashtëzakonshme edhe për ditët e sotme.
Gazetat në përgjithësi kanë pasur vështirësi të jenë të përditëshme, por shumica janë dy tre herë në javë dhe sipas kohëve, ritmi i tyre për momentin ka qënë i jashtëzakonshëm.
Pikat e shitjeve të gazetave kanë qënë të shumta në Shkodër dhe shpërndarja në qytet dhe pse jo edhe në Tiranë e jashtë vëndit, po ashtu.
Cilësia e shkrimeve ka qënë edhe për sot tepër e lartë. Megjithatë  guximi mediatik e kulturor ishte sinjikativ, sa edhe sot, shumë e shumë editoriale bëjnë një diferencë të jashtëzakonshme.
 Në fakt, Shkodra ishte qëndër e universit mediatik shqiptar dhe shtypshkronjat gjithashtu. Ajo prodhonte dyfishin e gazetave kombëtare shqiptare.
Ajo që shikohet qartë është se “kanë dashur të ecin me botën”, por duke pasur në fokus shqiptarizmën dhe identitetin kombëtar. Kjo edhe pse të ndarë në krah politik, ka pasur një referencë të madhe dhe patriotike pa fund.
Sot Shkodra për fat të keq nuk është aspak kështu. Është  kthyer kokëposhtë krejtësisht situata. Sot në Shkodër nuk ka qoftë edhe një gazetë të mirëfilltë jo vetëm politike dhe shoqërore të lirë dhe të botueshme rregullisht, por nuk ka as botues dhe editoralistë. Të vjen keq, shumë keq, por është një realitet që të vret dhe të sposton jo përpara 90-të viteve të cilët janë të lavdishëm për qytetin e madh të veriut, por mbi 100 vite, kur pushtimi ishte një diçka krejtësisht retro, patriarkalo-turkoshak, dhe patriotët shkodranë bashkësisht katolikë dhe myslimanë po fillonin grumbullimin e forcave për një shtyp të lirë dhe sovran. Ato ja kanë arritur, dhe nuk më mbetet gjë tjetër të them veçse....Jam krenar për atë kohë të lavdishme të të parëve qytetarë shkodranë, në kulturë, politikë e patjetër edhe shtyp të lirë.
  




sabato 17 dicembre 2011

Expo Arkivi - Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane fillim shekulli 20-te

Expozita e krijuar me materialet e Arkivit te Muzeut te Shkodres dhe e quajtur Rilindja Kulturore Qytetare. 
Nga Besi Bekteshi
Promovuar ne hollin e teatrit Migjeni
Permbajtja Vepra teatrore nga fillimi i shekullit 20, postera te kohes, tekstet e karnevalit ne kete periudhe, piktura te momentit, pllaka gramafoni, vepra kulturore, lundrimi ne Shkoder, bandat e qytetit, personazhe te kohes, saksofoni i Palok Kurtit, fizarmonika e Prenk Jakoves etj etj.
Zhvilluar me 28 Nentor 2011

Faktet e ashpra te Regjimentit Kosova, që mori famë të keqe në Shkodër!


Vrasja “pse ndezi dritën” dhe ballafaqimi me gjendarmët e Shkodrës nga regjimenti Kosova.
Regjimenti famëkeq, dhe sjellja brutale në qytetin e Shkodrës në fillim vitin 1944
Faktet e ashpra te Regjimentit Kosova, që mori famë të keqe në Shkodër!

Dossier

Besi Bekteshi


Një nga historitë e cila ka lënë shenjë në kohën e fundit të luftës së dytë botërore në qytetin e Shkodrës, është edhe veprimi i kontigjentit të armatosur të “Regjimentit Kosova” në qytetin e madh të veriut të Shqipërisë. Në të vërtetë, në një dalldisje të kohës midis prokomunistave, pronazistave, dhe shumicës së njerzve që nuk ishin as me njërën palë dhe as me tjetrën, është parë dhe provuar, brutaliteti i këtij regjimenti, i cili në fund të fundit, prishi raportet me qytetarët e Shkodrës. Jo vetëm me qytetarët si myslimanë dhe katolikë, por edhe me gjendarmët e Shkodrës, të cilët ndjeheshin inferior në saj të mbështetjes së madhe që kishin forcat e regjimentit famëkeq Kosova, te ushtria pushtuese gjermane. Nga plaçkitjet dhe raprezaljet shumë herë pa asnjë lajmërim në shtëpitë e qytetërëve, dhe përdorim të forcës ekstreme, nga vrasjet në rrugë, dhe nga egërsia e madhe në qytetin tradicional, ky regjiment ka kryer edhe një veprim tjetër, sepse ka ashpërsuar qytetarët shkodranë akoma më shumë me pushtimin, dhe ka justifikuar edhe komunistët në lëvizjen e tyre. Normalisht edhe sot në Shkodër, nuk flasin për ndonjë raprezalje kaq shumë të madhe të forcave gjermane dhe sidomos kaq të ashpër në drejtim të qytetarëve të Shkodrës, kurse për regjimentin e njohur për bëmat e tij, kanë shumë ngjarje që i kanë detyruar të kenë kujtime tepër të këqia. Normalisht edhe ndonjë veprim në ruajtje të teritorit nga hajdutë dhe plaçkitës i bërë nga forcat e regjimentit në dobi të qetësisë, nuk është më një element për tu përmëndur, kaq shumë është tepruar me brutalizëm ekstrem.
Patjetër që formimi dhe vazhdimi i regjimentit vjen nga i famshmi  organizim ushtarak “Scanderbeg” në bashkim të trupave SS, por nuk është ky qëllimi i shkrimit.
Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, ka disa dokumente autentikë mbi brutalizmin dhe unë kam zgjedhur një prej tyre, i cili ka prekur edhe raportet midis gjendarmërisë në Shkodër dhe normalisht regjimentit Kosova. Ky dokument  tregon vrasje pa asnjë arsye, dhe  brutale, për më tepër në kundërshtim edhe ndaj forcave të gjendarmërisë në atë kohë.
Në arkiv, kam zbuluar disa letra, dokumenta sekretë për kohën, por dhe urdhëra të cilat përbëjnë sqarimet e gjendarmëve të Shkodrës, për veprimin e regjimentit Kosova.
Mirëpo njëri prej tyre ai me nr 114/3 i datës 28/1 1944 është krejtësisht pasqyrë e ballafaqimit të regjimentit me gjendarmët e Shkodrës, që në fund të fundit, ishin rendi në atë kohë në qytet.  
Është komandanti i rrethit të Gjendarmërisë, kapiten Shaban Elezi që lajmëron Prefekturën, Prokurorinë dhe Komandën nga ku varet, për një nga ngjarjet e ndodhura në qytet, me pasojë vrasjen e Mustafa Becit nga pikerisht forcat e regjimentit Kosova.
Kapiten Elezi sqaron se: Me datën 21/1/1944, ora 22 në lagjen Has – Hot të këtij qyteti asht ba nji vrasje me armë lufte. I vrami asht i quajtuni Mustafa Beci, i Brahimit dhe i Hajrijes, vjeç 27, lindun e banues në lagjen Perash Shkodër, me zeje mekanik.
 Rrethanat e ngjarjes janë këto:
Me datën dhe orën e më sipërme, nji fuqi e Regjimentit Kosova kishin ba nji rrethim shtëpies Togerit të Gjindarmarisë Esat Qehaja tue kujtue se atje ishin persona te dyshimët dhe kishin armë automatike. Në këtë rast, ka dalë vet togeri për tu marrë vesht me fuqinë e rrethimit, dhe njikohësisht janë çue prej gjumit dhe personat e familjes, ku atje ka qenë për të fjetë edhe i vrami Mustafa qi asht nip i togerit i cili asht çue për të ndezun dritën e me marr vesh se ç’ka po bahej, por nga ana e fuqis i ka mbrritë nji predhë tue lanë të vdekun në vënd.-
Vrasja e tij ka ndodhë siç duket gabimisht tuej kujtue ushtarakët e fuqis së sipërme se mos i vrami ka ndezë dritën me qëllim të keq kundra tyne.-
Mbas këtij veprimi ushtarakët e fuqis janë largue pa ba ndonji kontroll në shtëpinë në fjalë.-
Me ndigjue krizmën e pushkve kanë shkue në drejtim të shtëpies ushtarakët e Postës Kishës Re, por janë ndalue nga ana e fuqis Regjimentit Kosova me preteks se kishin për të ba disa operacione shërbimi.-
Proçes Verbalet e mbajtuna nga Posta e Kishës Re i janë paraqitë Prokurories së Shtetit.-
Më poshtë vjen firma e kapiten Shaban Elezi.

Përveç brutalitetit dhe vrasjes pa asnjë arsye e bërë në shtëpinë e një togeri të gjendarmëve të Shkodrës, regjimenti Kosova, pengon edhe gjendarmët për të bërë punën e tyre në rastin në fjalë dhe kjo shikohet qartë edhe në aktin e përpiluar nga komandanti i tyre. Biles në atë kohë ka edhe dokumenta të tjera që vërtetojnë se njerzit e regjimentit ju kanë drejtuar armët gjendarmëve, të cilët duhet të shkonin në vënd ngjarje.
Njerzit e famëkeqit regjiment Kosova, jo vetëm atë natë kur kontrolluan një shtëpi të qytetarëve shkodranë dhe me emër të mirë, por në shumë fise dhe mbiemra të Shkodrës me reputacion, kanë bërë kontrolle të cilat kanë përfunduar me fyerje dhe plaçkitje të cilat kanë shënjuar edhe ashpërsimin e qytetarëve të Shkodrës me  brutalë të tillë dhe vrasës pa asnjë mëshirë, dhe pa mbajtur përgjegjësi para askujt. Normalisht që regjimenti në fjalorin e tij të njerzve të “zellshëm” ka pasur “luftën kundra komunistave, sllavëve, të pa feve, dhe antishqiptarëve”, por veprimet treguan se po persekutonin qytetarët e Shkodrës dhe deri gjendarmët, të cilët në brëndësi të tyre kishin njerëz nga familje të njohura në qytet.
Një nga “arsyet” e një sjellje të tillë kaq të ashpër në Shkodër, ka qënë edhe vrasja e dyshimtë, por që nga shumë njerëz i atribuohet Vasil Shantos, të kolonelit Buletini, ose djalit të patriotit të madh kosovar dhe shqiptar. Ishte në fakt, një vrasje krejt e poshtër e bërë në mënyrë po të tillë, në qytetin që nuk i kapëdinte veprime vrastare nga cilado anë të bëheshin.
Veprimet e regjimentit, dhe sidomos nga disa pjestarëve të tij, kanë sjellë si kundraveprim një armiqësi të qytetarëve shkodranë ndaj tyre dhe për më tepër, ju kanë vënë “krahë dhe vela” sidomos komunistëve, të cilët normalisht përpara këtyre vandalizmave do të kishin edhe “arsyen” për të justifikuar veprimet e tyre shumë pak kohë më vonë.
Pastaj në arkiv ka ngjarje të tjera të dokumentuara nga institucionet e kohës me vrasje që normalisht janë konsumuar nga ky regjiment dhe për të cilat normalisht që do të ketë një kohë për botim dhe pa pasur asnjë model tjetër intepretimi, përveç leximit të asaj që shkruhet dhe që tashmë është e vjetër gati shtatë dekada.






mercoledì 14 dicembre 2011

Histori e tetorit 1944

Enigma e “vizitës” së ushtarakëve britanike dhe gjermanë sëbashku, drejt Postribës dhe Dukagjinit në tetor 1944.



dossier
Besi Bekteshi

Nga dokumentat akoma jo shumë të klasifikuara në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, janë dy telegrame të rëndësishëm dhe shumë enigmatikë edhe për gjendarmët shqiptarë të qarkut në Shkodër. Normalisht që shumë lëvizje të forcave ushtarake të pushtimit gjerman, jo vetëm kanë qënë enigmatike dhe aspak të dituara edhe nga gjendarmaria shqiptare e cila ishte në shërbim të tyre, por ama nuk ishte kaq shumë e zonja të dinte arsyen e lëvizjeve që bënin gjermanët. Në fakt, jemi në fundin e qëndrimit të forcave të ushtrisë gjermane edhe në qarkun e madh të Shkodrës dhe sidomos të Komandës së Zonës Vepruese Auf –Bau si Komandë Gjermane dhe pastaj edhe Komandës Rrethit nr 1 dhe 2. Një telegram shifër, i cili mund të konsiderohet sekret për nga përdorimi dhe protokolli i gjetur tashmë në arkivin e Shkodrës dhe i nënshkruar dhe vulosur nga Qark Komandanti i Gjindarmërisë major Llesh Marashi, është marrë një njoftim tepër i çuditshëm për rastin në fjalë. Kemi të bëjmë me një shoqërim të dy ushtarakëve britanikë, një major dhe një kapiten, nga një skuadër gjermanësh dhe disa civila, që ishin nisur në drejtim të Postribës, por me sa duket me destinacion Shoshin. Telegrami ka nr 240/16 dhe është përpiluar me datën 23 tetor 1944. Majori i shumë “mirë” njohur nga komunistët Llesh  Marashi, në fakt, ja ka bërë me dije edhe komandës gjermane  dhe sidomos vartësve të tij këtë fakt dhe e përfundon telegramin me ...Për dijeni e veprim, tue marrë masat e rastit dhe na njoftoni përfundimin...!!
Kuptohet qartë, se Komandanti i Qarkut të gjendarmëve të Shkodrës, nuk ishte në dijeni të këtij veprimi gjermano-britanik dhe është e qartë, se i kishin ardhur të dhëna për këtë kalim të çuditshëm midis ushtarakëve britanikë dhe gjemanë në një zonë e cila edhe për vetë situatat operacionale ishte jashtë vëmëndjes ushtarake. Normalisht që Dukagjini dhe rruga e kalimit për në këtë zonë, nuk ishte as kaq shumë e rehatshme si për gjemanët dhe partizanët apo ushtrinë nacional çlirimtare dhe batalionin “Perlat Rexhepi”. Patjetër që kishte lëvizje, por ama nuk kuptohej aspak prezenca e një majori anglez dhe kapiteni po të tillë të veshur ushtarakisht dhe jo në gjëndje arresti nga gjermanët. Absolutisht ne telegrame dhe njoftim, thuhej se “po shoqëroheshin” nga një skuadër gjermanësh...!!
Njoftimet mbi kalimin e tyre vinin edhe nga kapiten Kol Vjerdha, i cili ishte “komandanti i qarkut gjindarmërisë nr 2”. Ai ju dërgon në pothuaj të njëjtën datë me shefin e tij Marashi një urdhër post komandave Qëndër, Bushat, Obot, Pulaj dhe Ajasëm një tekst të tillë: Komanda e Rrethit Dukagjinit njofton se me datën 21 “vazhduesit” një Major e nji kapiten Ingliz sëbashku me disa ushtarë gjermanë e disa civila janë nisë në drejtim për në Postribë. Hetoni për gjetjen e tyne e na njoftoni.......
Pra akoma më shumë ju urdhërohet forcave të gjendarmërisë që të “hetojnë për gjetjen e tyre” dhe kërkohet qartë edhe veprimi e njoftimi. Por të bën shumë përshtypje fakti se urdhëroheshin postkomandat e vëndeve që nuk para kishin lidhje me “udhëtimin britaniko-gjerman”.

Më tepër nuk ka asnjë dokument tjetër rilevant për një ngjarje kaq të çuditëshme në momentin kur trupat e Wermahtit, po përgatiteshin të largoheshin nga Shkodra dhe Shqipëria. Nga disa të dhëna që rrjedhin jo zyrtarisht nga Gjendarmët e Shkodrës ishin tre mundësitë e një ndodhie të tillë kaq të çuditshme midis britanikëve dhe gjermanëve. Versioni i parë jo zyrtar, por i përmëndur me shkrim jo të firmosur dhe të vulosur është që: Në padieninë e gjendarmëve shqiptarë në Shkodër, oficerë britanikë dhe shoqërues gjermanë kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë. por jo nga ana e Hanit të Hotit dhe duke rrezikuar zonën e Postribës “civilët” të rëndësishëm në një marrëveshje të qartë e cila kishte parasysh post largimin e Gjermanëve  dhe hyrjen e ushtrisë partizane në Shkodër. As emrat e britanikëve dhe civilëve nuk u morën vesh asnjëherë. Varianti i dytë edhe ky i përmëndur në atë kohë ishte se: Oficerët britanikë ishin realë, kurse ushtarakët gjermanë ishin të rremë dhe normalisht “siguria” ishte sërish të kalonin zona të posaçme edhe me ndikimin Britanik si në formacionet shqiptare të inkuadruara në ushtrinë partizane dhe në ato jo partizane dhe antikomuniste si veprim tipik i forcave aleate në bashkëpunim të dyanëshëm.
Varianti i tretë ishte se: I gjithë grupi ishte një “teatër shetitës” dhe qëllimi ishte kalimi i personave nga qyteti i Shkodrës në malësitë përkatëse, duke pasur dokumente dhe mision të fshehtë por dhe raportet me krerët lokalë të maleve dhe po ashtu kontaktet e reja, të cilat pikërisht ky grup duhej të vendoste në zonën e pak kontrolluar sidomos nga komunistët.
Gjithsesi këto ishin disa variante, por enigma ka mbetur edhe sot e kësaj dite mbi dyshimin që gjendarmët e Shkodrës kishin shumë në atë kohë, dhe urdhërat për ndjekje dhe shoqërim që kanë marrë dhe dhënë, për të kuptuar se çfarë po ndodhte nën hundët e tyre. Nuk po kuptonin në se ishte një lojë britaniko – gjermane, që nuk i fuste në hesap aspak gjendarmët, ishte një maskim që shfrytëzohej nga komunistët, ishte një veprim agjenturor i cili shikonte gjermanët të mpleksur.....apo!!?
Dyshimet kanë qënë të mëdha, edhe pse askush më vonë, nuk ka përjashtuar edhe marrëveshjet e fshehta të agjenturës britanike me ushtrinë gjermane dhe po ashtu edhe agjentë të tyre në këtë ushtri. Por në fakt, gjendarmët e Shkodrës ishin nga ato më të përgatiturit në Shqipëri dhe nuk ju shpëtonin lëvizjet në përgjithësi, por fundi i qëndrimit të ushtrisë gjermane në teritorin e qarkut i kishte vënë në gjëndje të vështirë, e për më tepër nuk po kuptonin se çfarë po luhej pas kurrizit të tyre. As sot nuk është sqaruar kjo lëvizje e cila në tetorin e 44-tës bashkoi “britanikë dhe gjermanë” të cilët “morën malin” të vështruar nga afër nga gjendarmët shqiptarë dhe patjetër nga njerzit që kishin lidhje si me palën komuniste dhe atë antikomuniste në Shkodër.





mercoledì 7 dicembre 2011

Histori "british" ne Shkoder

Majori Paget dhe sahati Inglizit, si historia e “Lordit” që loboi për pavarësinë e Shqipërisë.

Dossier

Besi Bekteshi
 
Në fakt nuk ka ndërtesë më e klasifikueshme si e ndryshme se sa ajo e quajtur në Shkodër si “Sahati i Inglizit”. Normalisht që në Shkodër ka ndërtime orientale të lekurëzuara me një qytetare shkodrane, ka ndërtime të ideve të Idromenos që duan të sjellin Venecian, ka edhe ndërtime austriake dhe italiane, por ka si askund, një model britanik të plazmuar në një tradicionale të qytetit të vjetër. Patjetër ky është ndërtimi i bërë nga Major, George Thomas Cavendish Paget (1853-1939) si një nip i Parit Markes të Anglesey, dhe djalë i tretë i Gjeneralit Lord Alfred Paget. Një major kavalerie ose Foreign Service Uniforme, Major, Imperial Yeomanry. Djali i tretë i Lordit Paget që në Shkodër normalisht i thonin “Lord” ka kryer Wellington College dhe ka qënë i prirur për udhëtime dhe aventura, kurse në luftën “Ruso-Turke” 1877-78 ka qënë me forcat Otomane, si pjesë e shtabit të Sulejman Pashës. Ai ka qënë edhe në Bullgari në kohën e kryengritjeve në Radopi, në Afrikë në luftën e Zuluve, por në shpërthimin e luftës Greko-Turke dhe kryengritjeve në Shqipëri, ai ishte dhe u përshtat si jetësë në mënyrë të veçantë në veri të Shqipërisë dhe pikërisht në Shkodër. Në fakt, askush në mënyrë të qartë nga njerzit e shkrimeve për “Sahatin e Inglizit” dhe për “Lordin Paget” nuk është marrë më qartësisht për rolin e tij. Patjetër nga studiues të apasionuar si Hamdi Bushati dhe Paul Tedeskini, është treguar se si është ndërtuar dhe shitur Sahati i Inglizit, si “Lord Paget” ka tentuar të ndërtojë të parën kishë Anglikane në Shqipëri, apo Protestane sikundër e konsiderojnë disi jo në mënyrë precize, kanë treguar gjithashtu si kishte dy stalonë të lartë si kuaj race, kanë treguar në fakt se i është bërë një rezistencë nga katolikët dhe besimtarë të tjerë në përhapjen e fesë, është treguar dhe hipotezuar se mund të ketë qënë edhe “agjent”, por është thënë se në fund e ka shitur shtëpinë rreth 3600 napolona ar. Megjithatë nuk është sqaruar se çfarë roli kishte ky Lord në Shkodër dhe për Shqipërinë. Është treguar edhe historia e orës së kullës së famshme e cila në vitin 1968-të “emigroi” në Gjirokastër, sepse Enver Hoxha e kishte pëlqyer gjatë një vizite, dhe kjo orë nuk u kthye më. Po ka edhe histori me kapadij stallierë dhe për të vetmin protestant në Shkodër që quhej Ndrekë...protestanti.
Studiuesi pasionant Bushati thotë: Lordi Paget, mbasi bleu shtëpinë, planifikoi rindërtimin e një shtëpie në stilin e një shatoje sikurse shihet edhe sot. Simbas hulumtimeve tona, Lordi Paget, nuk qëndronte vazhdimisht në Shkodër. Ai më tepër vinte këtu në stinën e dimnit, ishte i dhanun mbas gjuetijet. Me shumë borgjez shkodranë, mysliman e katolik, kishte të njoftun e miqësi Lordi e përsa qindronte në Shkodër, ushtronte edhe tregtinë e antikiteteve.  Normalisht që shtëpia i administrohej nga mëkambësi konsull, Kol Suma. Jo kaq shumë i zgjatur me biografinë e Paget zoti Bushati, vërteton se ai ka marrë shërbime nga turqit dhe Valiu. Por në fakt nuk vërteton se Paget si dhe të parët e tij, kanë qënë në shërbim ushtarak të Otomanëve. Sidomos vetë majori, i cili edhe në kohën e luftës me grekët ka tentuar të vendosej në shërbim të Portës, por për një vonesë nuk ka mundur të kryej shërbimet e tij. Ishte një ushtarak aventurier që paguhej nga fuqia e atëhershme turke, por njihte shumë mirë Shqipërinë e veriut, Shkodrën në veçanti, zakonet, gjëndjen, politikën, varësitë dhe patjetër kulturën në përgjithësi. Në fakt, për të flet shumë pak si kontekst agjenturor Aubrey Herbert, diplomat, agjent i shërbimeve sekrete në momentin e pavarësisë së Shqipërisë. Këtij personi i është afruar dy herë “Froni i Shqipërisë”  dhe nga viti 1911 e deri në vdekje në vitin 1923, ka qënë anëtar i Parlamentit Britanik si Konservator. Bashkëpunimi i afërt i Paget me diplomatin “agjent” Herbert,  e bën shumë të besueshme edhe punën agjenturore dhe diplomatike të “Lordit të Shkodrës”. Ai ( Herbert) vinte nga një familje e fisme e kontesë së Carnarvon si djalë i Henry Herbert, pasanik i madh terrenesh dhe Lord i Irlandës. Në vitin 1911 kur Lloyd George mori fuqinë, ishte ndër tre të rinjtë konservatorë të rëndësishëm në Britani. Herbert ishte një orientalist i thekur dhe fliste frengjisht, italisht, gjermanisht, turqisht, arabisht (mik i Lawrence të Arabisë) greqisht dhe....shqip. Por këto gjuhë i fliste pothuaj si anglishten e tij. Patjetër një figurë e jashtëzakonshme diplomacisë dhe inteligjencës Britanike. Udhëtimet e tij në Shqipëri kanë qënë të shumta dhe të shpeshta, dhe ka qënë mbështetësi më i madh i pavarësisë së Shqipërisë mbas udhëtimeve të tij i veshur shpesh herë si fshatar dhe i maskuar në vitet 1907, 1911 dhe 1913. Në fakt, e kanë akuzuar shumë për miqësinë e tij me Esad Pashën. Ai ka qënë konsullenti ekselent për Konferencën e Paqes dhe korrespendetët e tij të Shqipërisë janë me dobinë e tyre jo rastësisht Edith Durham dhe ....Major G. T. C Paget.
Ai shkruan në mënyrë të jashtëzakonshme për delagacionin e shqiptarëve dhe Komitetin Shqiptar në Londër. Sidomos për Isa Buletinin, që e ka mbajtur në shtëpinë e tij për ta takuar me Sir Lloyd George. Por këtu ai sqaron qartë dhe rolin e major Paget. Ai shkruan për këtë rast se: “Çështja e copëtimit të Shqipërisë ka qënë e elaboruar shumë nga shtypi”. Një takim publik është thirrur në Connaught Rooms dhe nga një komitet i formuar në të cilin isha zgjedhur si kryetar. Ato që morën pjesë në punën kryesore ishin zoti CF Ryder, Mark Giudice, zoti Paget apo majori Paget që ka jetuar në Shkodër. Unë dhe ai ( Paget) ishin të vetmit që kishin njohuri reale me vëndin, kurse të tjerët ishin të shtyrë nga një dashuri bujare dhe sens të lirisë. Më vonë Miss Durham erdhi te ne, dhe ajo kishte kaluar vite pune në Shqipëri. Emri i saj ishte i njohur si në veri dhe jugë të Shqipërisë. Më vonë është bashkuar me ne edhe kapiteni Even MacRuri. Kemi pasur raporte të ngushta dhe të vazhdueshme me shqiptarët dhe kemi qënë besoj fondamentalë për të pasur avantazhe për vëndin që në të kundërtën do të mungonin, Shqiptarët që erdhën në Britani më duhet të them se kanë prodhuar një impresion tepër të mirë.....”
Herbert në të vërtetë zbulon rolin e qartë të majorit Paget, i cili kishte vite e vite që punonte nën cilësinë e kavalierit, të pasurit, anglikanit, “filoturkut”, njohësit të terrenit dhe aristokracisë të vogël shqiptare. Pastaj normalisht ai ka qënë edhe një nga njerzit e besuar të “Madhërisë së Tij” për të përcaktuar pavarësinë e Shqipëri. Në çdo vënd ku ka shërbyer ky njeri me gjakun blu, ka qënë një informator dhe krijues bindjesh diplomatike dhe politike në interes së Britanisë së Madhe. Roli i tij në bisedimet e vështira të Pavarësisë së Shqipërisë, ka qënë i padiskutueshëm dhe normalisht duke qënë edhe mik i njeriut numër një të shqiptarëve në Londër për sa i përket peshës diplomatike, ka bërë edhe diferencën për njohuritë që kishte. Ai ishte një njohës shumë i mirë i Perandorisë Otomane, fuqisë së saj, dhe interesave në tërheqe, por njihte mirë edhe ambicjet e fqinjëve ballkanikë të Shqipërisë. Megjithatë për datën e famshme 28 nëntor 1912, edhe “lordi” Paget ka vëndin e tij në histori dhe patjetër njohuritë e tij nëpërmjet shefit Herbert, kanë shkuar edhe në tavolinat e mëdha të Lloyd George. Paget ka mbetur jo shumë i trajtuar nga historianografia pikërisht për diskretsionin e tij dhe mbulesën e qënëdishme si “kavalier” si “ushtarak dhe aveturier”, por edhe si njeri që dëshironte të përhapte një religjon tjetër, që në Shkodër nuk e kanë përqafuar në atë kohë. Por në të vërtetë ai ka qënë në Londër dhe afër Aubrey Herbert, si diplomati që kishte peshën më të madhe në vëndin e duhur. Pastaj në se kanë mundur të bëjnë më shumë apo jo....kjo është diçka tjetër, e cila vazhdon të elaburohet nga historianë dhe njohës së fakteve në vitin 1912-të.
Në të vërtetë ky ka qënë edhe roli i qënësishëm  i tij edhe në Shkodër. Pastaj i pëlqente shumë kalërimi  dhe veshja e bukur e etnosit shkodran. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës është edhe një foto unikale e tij, i veshur me teshat e një qytetari të pasur të Shkodrës, dhe patjetër ai ishte me mënyrën e tij një dashamirës si shqiptarëve. Kjo foto e krahësuar me veshjen e tij si oficer i kavalerisë, duken si dy pika uji në realitet. Tashmë trashëgimi e tij është akoma kulla e sahatit të Inglizit në Shkodër, që akoma nuk ka marrë vlerën e duhur si urbanistike dhe historike.

Opera Mrika, kryevepra shkodrane

Opera Mrika, ose guximi madhështor i artistëve shkodranë në dhjetorin e 1958.

Personazhet dhe interpretët e Operas së Parë Shqiptare.


Dossier

Besi Bekteshi

Patjetër që në mes dokumentave të trashëguara në dosjen muzikore në “Arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës” një nga më interesantet është edhe historia e operas së parë shqiptare e Prenk Jakovës me libret të Llazar Siliqit. Tashmë në dhjetor janë mbushur 53 vite nga shfaqa e parë e saj në teatrin Migjeni të Shkodrës. Opera Mrika me bazë veprën “Dritë mbi Shqipni” është vepra e parë operistike e organizuar, arritur dhe shfaqur në fillimet e saj, në mënyrë ekskluzive nga forcat krijuese, talneti dhe guximi i qytetit tradicional, kulturor të Shkodrës. Ishte në atë kohë një vështirësi e madhe të vensosje në skenë, të mblidhje orkestrantë, tenorë, soprano, skenografi, anturazhë, grim, kostumografim balet dhe valle etj. Por gjenialiteti i Jakovës, regjizura e Andrea Skanjetit dhe talenti i më se 62 koristëve dhe 42 orkestrantëve të evidentuar në mënyrë perfekte në afishen e kohës, kanë bërë të mundur realizimin e një vepre të pa menduar ndonjëherë në Shqipëri dhe e realizuar në Shkodër. Në të vërtetë puna nga Jakova ka filluar në vitin 1956 dhe provat me përfundimk të partiturave i bënte pa filluar qartë vepra me këngëtarë “amatorë” të konsideruar dhe mkidis tyre ishin Klodilte Shantoja, Florinda Gjergji, Ndrekë Gjergji dhe Petrit Garuci...midis shumë e shumë të tjerëve. Provat zyrtare kanë filluar në vitin 1958-të dhe duhet thënë se në Tiranë, nuk kishte asnjë pikë besimi që një inisiativë e tillë do të kishte sukses në saj edhe të një mos besimi në “forcat amatore” të Shkodrës. Mirëpo Prenk jakova si gjithmonë një idealist vizionar i pa shërueshëm dhe normalisht me një mbështeje të njerve po të tillë  në Shkodër filloi edhe provat dhe punën e madhe, ose më mirë kolosale për operan e parë shqiptare. Në shkrimin tim dua ti bëj një homazh të detyrueshëm të gjithë atyre që morën pjesë në këtë “vepër të pamundur” jo vetëm për nga madhësia dhe gjinia, por edhe nga interpretimi dhe sidomos një nga ariet më të bukura që është aty dhe që titullohet “Dielli ka perendue”.  Opera “Mrika” u shfaq më vonë edhe në Tiranë nga trupa e sot TOB-it ku në rolet e saj interpretuan këngëtaret e njohura Marije Kraja, Lluk Kaçaj, Avni Mula, Ibrahim Tukiqi, Jorgji Velo dhe me dirigjent Mustafa Krantja. Shfaqja pati sukses të plotë. Megjithatë unë do të paraqes njerzit e jashtëzakonshëm të bënë të mundur shfaqen e madhe operistike dhe dhjetorit 1958-të dhe ekzaktësisht 1 dhjetor e në vazhdim e shfaqur 18-të herë në Shkodër. Ishte dashur shumë nga Jakova që shfaqa të jepej në festat e Nëntorit, por vdekja e aktorit të madhe të teatrit Migjeni Zef Jubani e shtyu me datën 1 dhjetor.
Kush ishin pjesmarrësit e këtij suksesi të jashtëzakonshëm dhe operas së parë shqiptare e organizuar dhe realizuar në Shkodër!
Unë kam fatin të kem edhe listën reale dhe fletët origjinale të pikërisht ftesës së parë të kësaj mrekullie muzikore shqiptare.  Lista është e gjatë. Fillon me autorin dhe dirigjentin Prenk Jakova, regjia Andre Skanjeti, as dirigjent Tonin Harapi, konsulent Kristaq Antoniu, kor maestër Leonard Deda, Zef Leka, Tonin Zadeja dhe Tonin Daija. Pastaj koncert maestër Tonin Harapi dhe Gjon Saraçi. Pedagoge zëri Shpresa Nishani dhe me piktorë Gjon Hila, Çesk Vuksani e Lec Fishta. Normalisht që shfaqa ishte një produkt i Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Shkodër.
Kush janë personazhet, interpretët dhe bashkëpunuesit e operas Mrika?
Mrika është interpretruar nga Klodilde Shantoja dhe Florinda Fishta, Mara e ëma e Mrikës nga Aneta Nikaj Gjini ose daja i Mrikës nga Petrit Garuci, Ndou ose gjyshi i Mrikës nga Filip Krroqi, Gjeta ose i fejuari në djep i Mrikës nga Leo Prela dhe Mark Shllaku. Pastaj Doda nga Abdullah Kalaja, Dava është luajtur nga Klotilde Shantoja, Florinda Fishta dhe Lajde Banushi, Mira nga Roza Banushi, Bardhoshja nga Liza Gajtani, Agimi nga Ndrekë Gjergji, Azizi Mark Shllaku dhe Leo Prela. Pastaj vullnetari nga Hamdi Borshi kurse diversantët nga Omer Osmani, Hasan Smaja, Pjerin Ashiku dhe Zef Beltoja. Inspektor skena ka qënë Ndrek Prela, dritat Teufik Duka dhe Sabah Prizreni, por nuk kanë munguar marangozët Lec Prendi, Kol Lufi, Tom Prela dhe Ndoc Karma. Teknikët  skenës kanë qënë Maliq Sejdini. Osman Gruda, Fehmi Gogori dhe Kolë Ndoca. Rekuizitjere ishte Marije Curani, sufler Leonard Deda dhe makjazhi Kin Jaku. Nga vetë prezantimi del qartë dhe sasia dhe kualiteti i njerzve në operan e parë shqiptare.
Por ajo që bënte përshtypje në opera dhe që tregonte edhe fuqinë e madhe të trashëgimisë artistike dhe muzikore është kori me 62 veta të cilët në fakt nuk ishin profesionistë dhe disa prej tyre ishin dhe solistë, por unë po botoj listën e saktë të emrave të koristëve shkodranë në operan Mrika.
Fillon me Lajde Banushi, Gjenovefa Paloka, Rozina Bushati, Margerita Shllaku, Sonja Gllasovi, Leposava Donzha, Kimete Hoxha, Albina Gjonej, Margerita Deda, Anunciata Buriçi, Roza Xhuxha, Jolanda Oroshi, Leila Alibali, Neziha Buriçi, Gjyzepina Gjinaj, Liza Dushi, Regjina Nika, Luçie Pali,Vasilika Bojaxhiu, Neta Paloka, Franka Guraziu, Vitore Barbullushi, Neta Cepi, Tonine Kolombi, Liza Gajtani, Neta Radovani, Vera Prela, Vitore Paloka, Kermalina Gjergji, Regjina Hajmeli, Veronika Prendi. Pastaj vazhdojnë meshkujt me Nevruz Kalaci, Mikel Hilaj, Zef Beltoja, Jovan Shallvari, Pjerin Ashiku, Paç Kallmeti, Nut Gjyrezi, Qazim Kraja, Xhemal Gramshi, Ndoc Kujxhia, Mark Veli, Tonin Bjanku, Gjon Maka, Syri Kastrati, Ejell Hajmeli, Lodovik Prela, Mustaf Smaja, Angjelin Dodmasej, Nazmi Kraja, Zef Paloka, Xhevad Hajdari, Nikolin Shkrivani, Dhimitër Banushi, Sheuki Mati, Hamdi Borshi, Lec Krroqi, Angjelin Zadeja, Rrok Dushi, Gjon Vata, Nuri Haliti dhe Ismet Halili. 
Kjo listë e gjatë e emrave që kanë qënë dhe që një shumicë tashmë nuk jetojnë më, kanë vazhduar të kenë profesione të artit në përgjithësi, por janë edhe 42 orkestrantë absolutisht të talentuar që kanë bërë të mundur ekzekutimin e veprës kolosale të Prenk Jakovës. Emrat e tyre janë: Ndoc Shllaku violinë e parë, spala, Tonin Daija violinë e parë spala, Mark Kaftalli, po ashtu, Gjovalin Xhanxhafili violinë, Zef Alimhilli violinë, Paulin Shestani violinë, Robert Prendushi violinë e dytë spala, Luigj Lacaj po ashtu, Henrrik Daragjati violinë e dytë, Aleksandër Garxhola po ashtu, dhe mbas tyre Sulejman Gracevi, Zef Simoni, Hyll Drishti, vazhdojnë Angjelin Zojsi vjolë sëbashku me Gjush Darragjati dhe Zef Harapi, pastaj Gjovalin Lazri vjoloncel sëbashku me Kolë Gjinaj dhe Angjelin Shiroka, pastaj Çesk Jakova kontrabas, sëbashku me Gjon Kapidani. Janë me flaut Tish Hilaj flaut i parë dhe Nush Voci flaut i dytë, janë Tonin Laca me oboe i parë dhe Skënder Hoxha me oboe i dytë, Muhamet Grimci klarinet i parë dhe Guljem Përdoda me klarinet i dytë. Gjon Saraçi fagot in parë, Tonin Zadeja fagot i dytë, Ferdinand Bushati korno i parë, Pjetër Kçira korno i dytë, Nush Deda korno i tretë dhe Burhan Boksi korno i katërt. Vazhdojnë Abdullah Haxhija trombë e parë, Gjovalin Baba trombë e dytë, Nush Shllaku trombon i parë, Zef Bushati trombon i dytë, Abdullah Salabegu trombon i tretë. Pastaj Ndoc Gjergji baz-tuba, Ndoc Pistulli pianoforte – harpë, Palok Kurti timpani dhe Gjon Jubani bateri.
Këto janë të gjithë emrat e atyre që dhanë në publikun shkodran dhe shqiptar, operan e parë të realizuar në Shkodër dhe njëkohësisht artistët të cilët kanjë bërë të mundur vazhdimin e traditës së mrekullueshme shkodrane në muzikë dhe kulturën artistike shkodrane. midis tyre ka pasur piktorë të famshëm, regjizorë dhe instruimentistë virtuozë me famë edhe ditët e sotme.

Opera Mrika ka dalë si trashëgimi vlerash nga të mëdhenjtë e qytetarisë shkodrane si Palok Kurti, Lec Kurti,  Kardinal Mikel Koliqi, Pader Martin Gjoka,  Shuk Shllaku,  dhe ka vazhduar kjo traditë të prodhojë të lartë të tjerë të muzikës si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani etj. ‘Mrika’ mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë me në krye të madhin Prenkë Jakova që dhe Shqipëria të kishte operan e saj.

Kujtimi i një plejade të tillë e cila arriti një sukses të madh të kohës, i cili vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një kujtim gati legjendë për realizimin e veprës operistike, është një detyrim moral i ditëve të sotme. Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerzit e saj po ashtu, janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar. Ky përvjetor i Operas Mrika, është një moment reflektimi i madh dhe sidomos frymëzimi për të pasur parasysh se me çfarë guximi artistik dhe sakrifice njerzore, dalin veprat e mëdha. Normalisht që Shkodra ishte, dhe për fat vazhdon të jetë, një dallëndyshe e muzikës, orkestrimit, interpretimi, me shpresën për tu ngritur në atë shkallë guximi dhe pasioni si shumë dekada më parë.