Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

sabato 13 luglio 2013

Operacioni me imadh antiregjim i deshtuar ne Shqiperi.



“Valuable”, tre arsyet e dështimit të operacionit, kundër regjimit komunist.

Koment -analizë
Besi Bekteshi

Është quajtur “Valuable” ose më mirë “I çmuari” ose po të doni “ I vlersuari”, operacioni i madh që amerikanët dhe britanikët ndërmorën për të përmbysur regjimin komunist, dhe krijuar mbas vitit 1944-tër në Shqipëri. Për të kuptuar më mirë dhe më qartë se kush janë arsyet e veçanta, por edhe ato thelbësore të një prej operacioneve më të mëdha të organizuar kundër një shteti tjetër si bashkëpunim i CIA-s dhe MI6, duhet në fakt të lexosh dhe qartësohesh dhe nga persona të mirë informuar edhe nganjëherë gati antishqiptarë si Savich, por edhe nga specialistë të vërtetë të zbulimit dhe historisë si majori D.H Berger. Sidomos i dyti në “Analysis of Operations Conducted by the United States Central Intelligence Agency, 1949-1951”, është krejt i qartë se çfarë ndodhi me operacionin e madh “Valuable” Në qoftëse Savich, si prosllav tenton të gjejë arsye të këtij operacioni te dëshira e madhe e SHBA-ve për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”, ai e bën këtë nëpërmjet fakteve të vazhdueshme në kohë, dhe sidomos duke ardhur deri në ditët e sotme të krijimit të Kosovës. Në të vërtetë ai bën paralelen e ndihmës së madhe të dhënë sidomos nga britanikët në  luftën e dytë në Shqipëri, pranë shtabit të Enver Hoxhës dhe komunistave, duke kuptuar qartë dhe bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me pushtuesit. Por emrat e agjentëve dhe të real politikës në ballkan si të britanikëve dhe amerikanëve dalin më së miri. Ato po kërkonin të përmbysnin thotë Savich, atë regjim që kishin vënë në fuqi. Të parët oficerë ndërlidhës të spiunazhit britanik dhe të mirë kopsitur në dijeni dhe eksperiencë ishin David Smiley, Neil “Billy” Mc Lean, pastaj Julian Amery, Alan Hare, Peter Kemp, John Hibberdine dhe Tony Neel, të cilët kishin kuptuar se kush ishin komunistët dhe kush Balli Kombëtar, duke pasur lidhje me të dy krahët. Ishin normalisht të preukupuar dhe për të krahut nacionalist të djathtë, por për ironi të fatit kishin armatosur, mbështetur, në të ashtuqujaturën Special Operations Exective pra SOE, pikërisht Enver Hoxhën dhe komunistët. Ishte e qartë dhe e vlerësuar sidomos nga britanikët, se komunistët ishin parësor si me forca, dijeni, bashkëpunim, organizim dhe patjetër dhe mbështeje në popull. Britanikët ishin operaiv të fortë në Shqipëri dhe pranë shtabit, kurse amerikanët më shumë i merrnin vesh gjërat nga Jugosllavia që ishte si “kujdestare e jona” në atë kohë.
Operacioni “Valuable”, padyshim është konsideruar tentativa paramilitare më ambicioze e ndërmarrë nga CIA, në periudhën e menjëhershme mbas luftës së dytë botërore. Ishte një kohë kur Tito, nuk ishte në dëshirë ta vinte drejtimin politik të Jugosllavisë nga  Stalini apo Moska, dhe kur në Greqi komunistët nuk ishin në gjëndje të kontrollonin qeverisjen. Sipas amerikanëve në këtë kohë, ishte një periudhë strategjike për Shqipërinë. Kishte mbetur pak e izoluar nga perdja e hekurt në mes të Titos dhe Greqisë që po largoheshin nga BS. Britanikët kishin problem me Hoxhën me incidetin e Korfuzit, dhe fyerjen që ju bëri, duke mos pranuar asgjë, dhe duke ditur se jugosllavët kishin duart në të, por mendohej edhe rusët. Pra po dukeshin të pa fuqishëm ndaj një qeverie kukull e Moskës, kur në fakt dihej qartë se Shqipëria, po lundronte në ujra rreth Moskës dhe më shumë afër Jugosllavisë.
Në këtë kohë, inteligjenca britanike kishte shumë kontakte me emigrantë shqiptarë dhe SIS, futi për herë të parë agjentë në Shqipëri, jo për të rrëzuar regjimin, por për të larguar nga posti Enver Hoxhën. Ishte në plan për të ushqyer një luftë civile për pikërisht këtë gjë. Po të realizohej atëhere, britanikët do të mbshtetnin një qeveri antikomuniste dhe monarkike në qëndër të Shqipërisë. Gjithsesi ato kërkuan ndihmë në Jugosllavi, por nuk u dha kurrë, sepse nuk ja kishte kush ngenë, dhe Tito nuk donte asnjë lloj antikomunizmi në Shqipëri. Kurse grekët ishin “bosh”, dhe të lodhur në këtë kohë. Pastaj në sqarim edhe nga Berger ku thotë se “Britania e madhe në saj të mungesave të mëdha në të holla, ju drejtua SHBA-ve për mbështetje financiare” ishte William Hayter si zyrtar i lartë britanik i inteligjencës që ka udhëhequr delagacionin të SIS dhe funksionarë të Foreing Office në Washington pikërisht në mars të 1949. Do të diskutuhej strategjia e ndërhyrjes në Shqipëri. Njeriu kryesor i këtyre punëve ose Wisner, ishte entuziast për bashkëpunimin me britanikët, por edhe zëvëndësi i tij Franklin Lindsay. Në një takim të rëndësishëm gjenerali John Mecgruder i departimentit të mbrojtjes ishte kundër operacioneve sekrete të SHBA-ve në Shqipëri, kurse Robert Joyce i politikës planifikative të personelit, në departimentit e shtetit, ishte krejtësisht dakort. Që në fillim, shikohet se ushtarakisht nuk donin këtë operacion, por politikisht sigurisht që po. Mecgruder mohoi në takim rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe po të jepej mbështetje një rebelim në Shqipëri, do të shkaktonte inate të mëdha si në Jugosllavi dhe Greqi.
Kurse Joice e kundërshtoi duke shpjeguar se: Po të largojmë një satelit të vogël rus në rajon, do të kishte një impakt të madh propogandistik që justifikonte dhe rreziqet. E këtu është edhe hallka kryesore e operacionit të madh dhe të dështuar “Valuable”. Departementi i shteti dhe Joice, sqaruan se Hoxha po bëhej gati ti falte baza navale rusëve dhe Stalinit, ku do të vendoseshin nendetse që do të kishin rëndësi në sugurinë e mesdheut. Departamenti i Shteti, fitoi mbi atë të Mbrojtjes në panel, dhe kështu filloi edhe aprovimi i operacionit më të dështuar dhe me shumë viktima që është bërë ndonjëherë në ballkan, dhe që ka lidhje me Shqipërinë nga dy agjenturat më të fuqishme të botës. Vazhduan pastaj një seri takimesh të dy agjensive për të bërë të zbatueshëm operacionet paramilitare për në Shqipëri. Në fakt po vepronte CIA dhe OPC-ja e dikurshme.
Ishte dhe eksperienca e James Mecarger me punë për situatën në Shqipëri, dhe kualifikimet e tij nuk janë anashkaluar nga Wisner dhe normalisht nga OPC Mecarger u transferua në CIA. Hapi i parë ishte krijim i një qeverie provizore ne ekzil, që do të kishte paqtuar me shefat e  rezistencës brënda Shqipërisë. Dy ishin fraksionet, balli dhe legaliteti, por një dallim e kishin se nacionalistë ballistë kishin qënë më afër pushtuesve si italianë dhe pastaj më pak gjermanë. E të gjitha këto, CIA i dinte dhe mirë fare.
Për këtë punë u krijua edhe Komiteti për Shqipërinë e Lirë, e financuar OPC-ja dhe ne 49-ten, ishte nje mbraparoje per liderat ne ekzil ne Europë. Po ashtu u krijua dhe Komiteti Kombetar Shqiptar, i cili arriti te shkoje ne SHBA-te dhe koloneli Lowe i CIA-s i shoqeroi nje xhiro tregon Berger, në Washington DC, të cilët u takuan me shumë anëtarë të degëve të legjistativit dhe ekzekutivit për të mbledhur mbështeje, dhe bërë një reklamë të mirë për çështjen shqiptare. I priti zëvëndës asistenti i sekretarit të shtetit Llewelyn Thompson, përpara se të shkonin në Nju Jork, në stablizim të vëndqëdrimit të pikërisht komitetit. Një vit ka bërë Mecarger për të siguruar bazat e përgatitjes, dhe për këtë ai i caktua si shefi i rajonit Juglindor i Europës për CIA-n. Kjo zonë kishte brënda gjitha ballkanin dhe Hungarinë, dhe ai i referonte vetëm Lindsay-it, që ishte shefi shefi i divizionit të Europës lindore për CIA-n. Në fakt Mecarger ishte përballë Wisnerit, dhe një grup kolonelësh të ushtrisë si personel i OPC të cilët furnizonin konsulencë teknike për operacionet paramilitare. Pra ishte gjithshka seriozisht dhe me hapa të shpejtë.
Megjithatë në të kundërt me zërat e përhapur, dhe më shumë të publikuar, objektivi në Shqipëri, nuk ishte përmbysja e Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij koministe, por heqja e Enverit nga kreu i shtetit dhe partisë. Një ish oficer i CIA-s Harry Rozitzke, nga ana tjetër i kategorizon operacionet shqiptare si “ndërhyrje pozitive” të parashikuara për të larguar Hoxhën, dhe jo përmbysur. Ai thotë se: operacioni shqiptar ishte i pari dhe i vetmi si tentativë nga ana e Washingtonit për të hequr nga froni një regjim komunist në orbitën sovietike me mjete paramilitare.
Në fakt Berger e quan vlersimin e Mecarger-it si më të përpunuar dhe arritur në dritën e largësisë së limituar të operacioneve të bëra. Një sforco paramilitare e CIA-s në Shqipëri, ishte destinuar ti shërbente si një indikator të nivelit të sforcos që duhesh, për të lëshuar një program më konkret dhe të qartë, por edhe deciziv në fund të fundit.
Pra ishte një provë në se studimi real politik dhe ushtarak, mund të bëhej më vonë një strategji e tillë e madhe dhe konkrete. Në Malta, anglo-amerikanët në kampet e stërvitjes sidomos nga amerikanët, u shfrytëzuan të ashtuquajtirut “pixis” për të stabilizuar takimet me grupet e rezistencës së brëndshme në Shqipëri. Britanikët në fillim furnizuan shumicën e punëve të dorës, dhe nga 1951-shin të gjithë gjërat u bënë nga amerikanët. Kontaktet sidomos të britanikëve, vërtetuan se edhe pse kishte një sasi njerzish me rezistencën, shqiptarët nuk ishin dakort për një grusht shteti. Katastrofë ishte zbarkimi i “pixies” me 8 tetor 1949,  që ishin rreth 26 burra të cilët ranë në zjarrin e sigurimit të shtetit që po i priste dhe po i ndiqte.
Infliltrimet paramilitare në shumicën e rasteve, patën këtë fund gjatë gjithë kohës. OPC-ja ndërroi bazë dhe shkuan në Greqi, por nuk ndryshoi asgjë. Në vitin 1950-të gjenerali Valter Bedell, bëri një organizim të CIA-s dhe futi OPC-në në çadrën e DCI-së. Po shikohej dhe po vlersohej në se ishte apo jo një operacion në shkallë të madhe në Shqipëri, dhe në se ishte realisht e duhur dhe në se duhej mbyllur ky kapitull. Një diçka interesante ishte se nuk dihen shumat e investimeve të CIA-s në Shqipëri. Sipas dhe Macarger dhe Lindsay, nuk ekzistojnë totali i këtyre investimeve në Shqipëri. Nuk janë bërë studime të shpenzimeve dhe nuk kishte detyrim për më tepër, për ti bërë. Macarger ka vazhduar operacionet dhe nuk kanë pasur kurr një mendim për harxhimet, sepse nuk ishte problem. Ky i fundit vendos një shifër për dy vitet e para prej 800.000 dollarësh dhe kur operacionet u drejtuan nga Greqia, u shtuan akoma më shumë. Pra rreth 2 miliard dollarë të asaj kohe, janë një shifër e stërmadhe. Macarger konteston nocionin i kohës se “kauza parësore e falimentit në Shqipëri ishte Kim Philbi si agjent dopilojtar.
Ai shte pjesë SIS dhe CIA, dhe u zbulua nga kjo e fundit në erën sovjetike dhe për aksionet në Shqipëri. Sipas kësaj teze, rusët i dhanë info të duhura Enver Hoxhës dhe kështu puna u krye në humbje të operacionit të madh, por....!?  Shpesh herë, kanë ndodhur që operacionet janë shtyrë dhe kanë pësuar po të njëtin fat dhe Lindsay është dakort me Macarger duke shtuar se “rusët nuk do të kishin marrë kurrë seriozisht këtë operacion për të rrezikuar Philby-n”. Pra nuk do të rrezikon mbulimin e tij për Shqipërinë, që ishte një vënd shumë pak i rëndësishëm!!
Sipas tyre, rrjeti i emigracionit ishte kauza thelbësore i falimentit në Shqipëri. Ato ishin jo shumë të kontrollueshëm, aspak të besueshëm se kur dhe kujt i shërbenin, dhe të penetruar nga sigurimi Hoxhës dhe ai sovjetik. Por kjo nuk është kauza e vetme për këtë faliment të CIA-s dhe shërbimit britanik. Thomas Poqers në biografinë e tij për Richard Helms vendos një  rast të tretë falimentimi. Ai thotë se qëllimi dhe portata, apo targeti i aksionit dhe sidomos të “Voluable” ishte tepër ambicioze. CIA në vitin 1949-të, nuk ishte e gatshme të ndërmerrte një aksion të tillë, dhe ta shikonte të përmbushur...!! E kjo, është diçka realishte  e provuar në vitet e ardhëshme.  Nuk ishte e qartë dhe e studiuar rrëzimi i fuqisë komuniste, afrimit të popullit me të, reagimi i përgjithshëm dhe ndërtimi i një qeverie jo komuniste në Shqipëri. Franklin Lindsay, dha një përmbledhje e studimeve të Hawardit por të njerzve shumë të ditur dhe mirë dokumentuar të tij, që kanë studiuar aksionet dhe operacionet të 20-të vite më pas, dhe si konkluzion ishte se “duhej luftuar me kohën”, për të pasur një operacion të dalë me sukses, që të parashikonte një grusht shteti dhe krijuar kondicionet e duhura që bëjnë të mundur përdorimin e mjeteve evidentë për të rritur në finale objektivin e rëndësishëm. E fundit arsye e dalë nga vetë shërbimet është se rrjeti “pilot” me origjinë sovjetike penetruan, dhe ishte kauza e madhe e funksionimit të keq të aksionit të madh operacional, të lëshuar për të ndryshuar regjimin në Shqipëri. Në qoftëse objektivi ishte ai që vetëm duhej larguar Hoxha, dhe jo më tepër, kjo është shumë e paqartë dhe atëherë i gjithë programi u bë një faliment shumë trishtues. CIA, mësoi nga shumë difekte leksione të mëdha në Shqipëri, dhe e para kualitetin e rekrutimit bie fjala. Kaq shumë u dogjën nga kjo gjë, sa në fund të fundit, rregullat u forcuan shumë dhe u bënë kryesisht për të sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe në mbrojtje të vëndit nga rreziku komunist. Çarjet e tilla në CIA, bënë që të kenë humbje dhe në operacione të tilla në Poloni dhe Ukrainë, por dështimi në Shqipëri ishte unikal. Tanimë kishin vendosur të ndryshonin dhe teknikisht por akoma më shumë strategjikisht.
Megjithatë, shumë u vranë, shumë u pushkatuan, shumë u internuan, dhe shumë u pasuruan nga operacioni i madh i viteve 50-të. Ajo që dihet,është se Hoxha u lidh akoma më shumë me Stalinin, dhe pastaj u prish me Krushovin kur ai po hapej, dhe duke bërë që edhe baza sovjetike të mos ishte më e tyre. Po, por nuk i hyri asnjë ferrë në këmbë nga ish aleatët e tij dhe njëkohësisht amerikanët po nënqeshnin të sigurtë, se kështu bën kur një kundërshtar është kundërshtar i atij kundërshtari të madh që ishte BRSS. Njeriu numër një i CIA-s në operacionet e Shqipërisë është sigurisht Franklin A. Lindsay, i cili ka vdekur në vitin 2011. Ai ishte parashutuar në vitin 1944 në Slloveni, dhe ka bashkëpunuar me partizanët e Titos, për të hedhur në erë hekurudhat në Austri. Më vonë u bë shef i misionit ushtarak amerikan pranë Titos. Dakort, ishin jugosllavët që kishin të dhënat më të madhe për partizanët dhe komunistët shqiptarë. Ai i thotë gjërat në librat e tij, pikërisht kështu siç kundër janë. Ka qënë anëtar i komisionit atomik  për energjinë, kontribues për planin Marrshall në Europë. Kontribues i madh si mik i Wisnerit në OPC si para ardhëse e CIA-s. Pjesëmarrës i fondacionit Ford. Prodhues dhe drejtues në McKinsky & Co si shoqëri teknologjike për kamera spiune të vendosura në satelitë për të parë BS. Një person që ka kontribuar në Ukrainë në këshillin e sigurimit, komitetin konsultativ të sigurisë në senatin amerikan, bashkëpunues në komitetin e politikave dhe ka drejtuar të tilla gjëra në Kennedy School ose Government në Haward, etj etj. Një njeri i tillë të ketë gabuar kaq shumë? Unë nuk besoj, por besoj se punën e tyre e kanë bërë që Shqipëria të mos ishte asnjë herë pjesë reale e BRSS.
Besi Bekteshi historian, Arkivi i Muzeut Shkodër
www.besibekteshi-info.blogspot.com

martedì 21 maggio 2013

100 vite Perlimtare e Shkodres



100 vite nga formimi i Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.

Koment
Besi Bekteshi
Dje është përkujtuar në Shkodër, 100 vjetori i vëndimit të Komisionit të Administrimit dhe Admiraliatit Ndërkombëtar të vitit 1913. Ka qënë një vit i jashtëzakonshëm viti 1913-të, i cili qytetin më të madh shqiptar, pikërisht qytetin e Shkodrës, e ka projektuar si të vetmin qytet me një pushtet vëndor të krijuar nga “Internacionali”. Gazeta SOT, është e vetmja në Shqipëri, e cila ka nderuar edhe këtë fakt madhor të vitit 1913-të, i cili formëzoi me anën e akteve historike dhe juridike, edhe teritorin shqiptar të sulmuar dhe kontestuar nga shumë fuqi fqinje, por dhe të huaja të mëdha. Mirëpo historia e Shkodrës, është një moment i papërsëritshëm në Shqipëri jo vetëm për rrethimin, luftën dhe të vdekurit, por edhe për marrëdhëniet e fuqive europiane për të formëzuar shtetin dhe teritorin shqiptar tashmë i larë me gjak më shumë se kudo në mënyrë të jashtëzakonshme pikërisht në Shkodër.
Me datën 14 maj “Internacionali”, ose pesë  fuqitë e mëdha ndërhynë me forca marinare dhe pastaj tokësore në Shkodër. Në datën 15 maj Admiraliati me sir Burney-n,  shpallën administrimin e tyre. Por me datën 20 maj në orën 12-të, Këshilli i Admiraliatit ose Komisionit Ndërkombëtar, vendosi të krijonte “Perlimtaren e Shkodrës” ose më qartë për sot, Bashkinë e Shkodrës dhe Këshillin Bashkiak të saj. Sir Burney si britanik, Petris si Italian, Njegovan, si austriak, Commodore si francez dhe Klitznig gjerman, vendosin ligjërisht aktin e krijimit të “Perlimtares” në Shkodër.
Shkodra edhe dikur kishte “Beledijen” më të madhe të trevave shqiptare. Kjo “Beledije”, ka qënë një pushtet i kontrolluar dhe zgjedhur nga otomanët, dhe ka funksionuar sidomos mbas viteve 1887-të në mënyrë të rregullt, por funksionet kryesore i kishte padyshim “Valiu i Shkodrës” dhe përfaqësuesit e Perandorisë. Asnjëherë nuk është shkruar shqip, dhe asnjëherë nuk është lejuar flamuri shqiptar. Me datën 20 maj të këtij viti të largët tashmë 100 vite, mori fund “Beledija” dhe përfqësimi tre javor malazez në qytetin prej 34 mijë banorësh të Shkodrës në atë kohë. Flasim për qytetin që kishte 10-të lagje dhe shtrihej në një madhësi të jashtëzakonshme nga Bërdica në Zogaj, nga Bardhanjolli në Zus dhe nga Kuçi në fushën e Shtojit.  Internacionali, organizoi dhe të parat “zgjedhje të këshillit bashkiak” të cilat nisën në 20 maj dhe përfunduan afër muajit gusht, por vendosën gjitashtu që kriteri të ishte 12 anëtarë të Këshillit Bashkiak, gjashtë mysliman, pesë katolik, dhe një ortodoks. Po, dhe kështu u bë. Me datën 1 gusht përfundoi gjithshka dhe me bekimin e sir Burney-t dhe të tjerëve, Perlimtarija e Shkodrës, filloi funksionin e saj. Por çfarë ka tjetër interesante në këtë gjë? Përveç se është marrë vëndimi unanim për formimin e Bashkisë me datën 20 maj, Internacionali, përgatiti që të nesërmen, kornizën ligjore të Bashkisë, sipas modelit perendimor tashmë, dhe kjo u pranua nga qytetaria shkodrane patriote dhe në bashkim me Internacionalin që  çliroi Shkodrën vetëm një javë përpara. Një pjesë e madhe të të dhënave për 20 majin dhe 1 gushtin janë në Arkivin e Vienës, në studimet e Tibor Ballës në Budapest si pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, në relacionet e ndryshme të konsujve në Shkodër dhe shumë e shumë punime të tjera. Kurse dy letrat e firmosura në Gusht janë pjesë e arkivit të shtetit dhe atij të Shkodrës.  Akoma më shumë, perlimtaria e Shkodrës i jep besimin e saj me lejen e Internacionalit, dhe Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit dhe ky akt i firmosur nga Kryetari Muharrem Beg Gjylbegu, është një nga momentet e famshme se si “Internacionali” lejon njohje “de fakto dhe de jure” të qeverisë provizore në Vlorë.  Asnjë bashki në Shqipëri, në trevat shqiptare, nuk kishte firma dhe vendime njohje nga ndërkombëtarët dhe pesë fuqitë e mëdha përveç asaj të Shkodrës, dhe ky është një moment tepër sinjikativ për qytetin e madh verior të Shqipërisë.
Asnjë vënd tjetër në Shqipëri nuk kishte mundësinë të kishte vula dhe firma të njohura ndërkombëtarisht dhe institucion që më vonë të kishte mundësinë të ngrinte po me lejen e ndërkombëtarëve dhe guvernatorit Philips,  flamurin shqiptar. Po për herë të parë me lejen e ndërkombëtarëve kjo gjë! E kjo është pika tjetër e rëndësishme e Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.
Për këtë ditë unë sërish i bëj homazh njerzve që bënë perlimtaren e Shkodrës, dhe që janë: Muharrem Gjylbegu si Kryetar, Shan Deda nënkryetar, Sulço Begu, Hamz Juka, Riza Begu, Adem Boriçi, Elez Sokoli, Mikel Shkreli, Gjergj Mozali, Gjon Ashiku, Hil Topalli, Paolo Vuçiniq.
Këto ishin qytetarët e lartë shkodranë, që arritën edhe me ndihmën e Internacionalit ti bashkoheshin edhe institucionalisht organeve të pushtetit vëndor si në perëndim. Nxorrën vulat në shqip, dhe filluan për herë të parë edhe rregulloret në shqip, dhe po ashtu, edhe urdhërat e parë po në shqip. Për herë të parë bënë zgjedhje në lagje, dhe krijuan edhe besimin në qytetin e Shkodrës si administrim vëndor.  Në tetor, u ulën flamujt e Internacionalit, dhe u ngrit përfundimisht flamuri shqiptar i lirë në Shkodër, dhe me besimin e guvernatoriatit gjë që akoma ishte jo e lejuar në treva shqiptare në këtë mënyrë. Mbas kësaj, Perlimtarja e Shkodrës, në një manifestim të jashtëzakonshëm lartëson flamurin shqiptar me pjesmarrjen e shumë e shumë patriotëve nga gjithë vëndbanimet shqiptare, duke mbledhur mbi 20.000 njerëz.
Ishin ditë të mëdha në Shkodër, sa po kishin dalë nga një luftë me mijra të vdekur pas, dhe po jetonin ditët e “Internacionalit” në Shkodër. Këto ishin edhe ditët e Bashkisë së parë moderne dhe të njohur ndërkombëtarisht, që është Bashkia e Shkodrës.  

mercoledì 15 maggio 2013

100 vjetori i çlirimit të Shkodrës 14 maj 1913



100 vjetori i “Internacionalit” në Shkodër.
Shkodra  në 100 vjetorin e saj të çlirimit nga forcat ndërkombëtare dhe luftës për mbrojtjen e heroike të  qytetit.

Dossier
Besi Bekteshi
Data 14 maj e vitit 2013-të, është edhe dita e 100 vjetorit të ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare ose më qartë “Internacionali” në pontilin e Shkodrës, të cilat çliruan qytetin nga pushtimi malazez, dhe larguan zyrtarisht edhe sundimin pesëshekullor të administratës otomane.  Në luftën ballkanike, qyteti i Shkodrës, ka qënë edhe nyja nevralgjike e cila do të ishte elementi kryesor që ky konflikt nga ballkanik mund të kthehej në botëror. Por historia në të vërtetë, me pikërisht këtë ndërhyrje të forcave të para ndërkombëtare dhe paqeruajtëse në teritorin shqiptar e vonon këtë konflikt botëror më tepër se një vit. Synimet e luftës së parë ballkanike, ishin një raprezalje teritoriale, pa anë ligjore dhe pa asnjë respekt sidomos për teritoret e banuara nga shqiptarët në katër vilajetet e perandorisë tashmë të rrënuar turke. Kërcënimi jo vetëm ishte për teritoret në thellësi të trojeve shqiptare si në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe në Janinë dhe që nga Shkodra deri në Vlorë. Ishin sidomos shtete si Mali i Zi dhe Serbia, por edhe Greqia, që po kërcënonin në mënyrë të qartë daljen në Adriatik. Ky ishte edhe momenti që tashmë fuqitë si Austro-Hungaria dhe Italia, mbas një pakti të kahershëm midis tyre, megjithse me interesa të ndara të bashkoheshin për të “sponsorizuar” edhe teritorin shqiptar te fuqitë e mëdha europiane. Në këtë kohë në 8 tetor në Shkodër, fillon edhe  rrethimi i saj dhe veprimi i parë ishte marrja e Tuzit. Përballë njëra tjetrës, ishin forcat më të mëdha në teritorin e Shqipërisë së atëhershme. Ishin rreth 24.000 forca turke dhe vullnetare shqiptare, kurse malazezët tashmë kishin arritur të mbledhin mbi 26.000 forca  rreth e qark të përqëndruara, e më vonë në ndihmë të tyre vijnë edhe 15.000 forca serbe. Divizioni Zeta dhe kryesisht divizioni serb që kishte pushtuar më vonë Durrësin dhe Shengjinin sëbashku me malazezët, po tentonin seriozisht qytetin më të madh të Shqipëtarëve. Bombardimet dhe sulmet ndaj qytetit të Shkodrës,  kanë qënë të ashpra, por mbrojtja si e forcave të rregullta turke, dhe në transhetë e para të forcave vullnetare shqiptare, i kanë detyruar të tërhiqen dhe të mos arrijnë ndonjë fitore të qënësishme aleatëve serbo-malazezë. Qyteti i Shkodrës në atë kohë numëron rreth 32 .000 banorë dhe deri në marsin e 1913, nga periferitë e Shkodrës, janë futur mbi 28 .000 fshatarë dhe malësorë, duke dyfishuar praktikisht qytetin, i cili pësoi në shkurt,  rrethimin e plotë të tij në saj të futjes në lojë të forcave serbe nga jugu i Shkodrës, me pushtimin e Shëngjinit dhe Lezhës. Fortifikimi i Shkodrës është bërë në saj të një strategjie të jashtëzakonshme të komandatit të qytetit, kolonel Hasan Riza, më vonë pasha. Kurse një qëndresë e madhe ushtarake sidomos në datat 7-9 shkurt është realizuar nga komandanti Esad Pasha, ku brënda një kohe të shkurtë kanë vdekur rreth 3000 luftëtarë nga të dy palët. Kancaleritë perendimore tashmë janë shqetësuar shumë. Por që më përpara në datën 17 dhjetor në Londër, dhe pikërisht në st Palace, filloi edhe Konferenca e Londrës që drejtohej nga sir Eduard Grey, ministri i jashtë britanik. Shtysat më të mësha në këtë kohë ishin nga konti Berchtold, ose ministri i jashtë austriak, dhe patjetër edhe nga qeveria italiane, por gjëndja është shumë e rënduar. Gjithsesi në fund të  dhjetorit,  pothuaj fshehtas autriakët dhe rusët, “ishin marrë disi vesh” për teritore në Shqipëri dhe Kosovë, por që gjithsesi ky plan ishte bërë që në tavolinën e Eduard Grey-it të dilte në fund, për të pranuar më në fund edhe mbetjen e Shkodrës si teritor shqiptar. Ndërkohë që në Shkodër vriteshin njerëz, dhe bëhej lufta më e madhe në rrethim në ballkanin perendimor, ndërkohë që dorëzohet pa asnjë problem Janina, fuqitë e mëdha tashmë të dakortëzuara mbi teritorin shqiptar, arrijnë që me datën 22 mars 1913-të të largojnë nga zgjidhja si problem i Shkodrës, si Turqinë dhe Malin e Zi, por edhe Serbinë. Tashmë, vëndimi ishte marrë, që Shkodra do të ishte teritor shqiptar. Ndërkohë si Austria sidomos me interes Shkodrën,  dhe Italia që kishte interesin e Vlorës dhe përparimin e Greqisë rreth saj, shtynin shumë për intervencion në qoftëse Mali i Zi, nuk hiqte dorë. Në këtë rast, kërcënimi i Austrisë se do të pushtonte pjesë së Serbisë dhe Malin e Zi, bëri dhe diferencën e madhe sidomos në Londër, dhe ndikoi në vendimet e saj të më vonshme. Lufta e ashpër në rrethinat e  Shkodrës, në Tarabosh, në Bardhanjol dhe Bërdicë, por dhe në fushën e Shtojit, kishte faqet e para të gazetave të shumta të kohës. Rezistenca e madhe, dhe lufta e pozicioneve, po bënte lajmin e ditës në kryeqytetet e botës dhe vërtetësisht Shkodra ishte tashmë për disa muaj, fokusi i parë i lajmit në botë. Kërcënimi i Malit të Zi për Shkodrën, edhe mbas vendimit të 22 marsit, por dhe heshtja e Serbisë, ka acaruar situatën, deri në shpërthim të luftës botërore dhe këtu vjen edhe shprehja e famshme e ministrit të Britanisë së Madhe Grey, që thotë se “në qoftëse Austria do të pushtojë Malin e Zi, Rusia do ti shpallë luftë Austro-Hungarisë, pastaj Gjermania do ti shpallë luftë Rusisë, dhe pastaj Franca e më vonë Britania luftë njëra tjetrës dhe kështu bota do të hyjë në luftë. Ishte pra momenti më i rrezikshëm në historinë e popullit shqiptar, sepse po diskutohej zhdukja e përgjithshme e teritorit shqiptar, dhe asaj fitoreje të madhe që ishte shpallja e pavarësisë në Vlorë në datëln e madhe historike 28 nëntor.
Në këtë moment, vjen edhe vendimi i fundit të prillit, sidomos mbas të ashtuqajturit pushtim-dorëzim të Shkodrës, me 23 prill 1913. Një dorëzim i kalasë nga Esad Pasha, largim i tij me trupa ushtarake në Durrës, dhe hyrje e trupave malazeze në Shkodër pa e pushtuar dot me luftë pikërisht qytetin e madh, po bënte si lajm, xhiron e botës. Me 30 prill, merret vendimi i bllokadës navale me tendencë trëmbjen e Malit të Zi. Kurse serbët ishin larguar që me 8 prill nga rrethimi i Shkodrës, duke larguar edhe artilerinë e rëndë  të tyre. Me datën 5 maj, bëhet edhe ultimatumi i fundit Malit të Zi, dhe vjen data 14 maj, e cila sjell në pontilin e Shkodrës 750 forcat  e para marinare të Internacionalit,  të zbarkuara rreth orës 14-00, të cilat sollën edhe nënadmiral sir Burney, si njeriun e fortë të administrimit ushtarak të qytetit.  Ato bënë parakalimin e nderit, dhe u pritën nga konsujt e fuqive të mëdha, qytetarë të nderuar të qytetit, dhe kolonelin Bekir si komandat i qytetit i vëndosur në marëveshje si me turqit dhe malazezët.  Qyteti u dorëzua mbas dite, dhe po në këtë çast, u ngritën pesë flamujt e fuqive të mëdha në kalanë e Shkodrës.  Të nesëmen, filluan të vijnë  edhe 250 forca të tjera marinare të cilat plotësuan edhe numrin e forcave çliruese të Shkodrës.  Mbas tyre erdhën dhe forcat tokësore të cilat numëronin 2500. Ishin forca çliruese, sepse nga historianografia e regjimit komunist,  janë trajtuar si forca pushtuese. Janë trajtuar si të tilla nga kjo historianografi, sepse nuk donin për asnjë çast të pranonin se austriakët, italianët, gjermanët, britanikët dhe francezët, ishin më të mirë se sa malazezët. Po, edhe paqen e  sjellë në Shkodër nga pikërisht këtë fuqi të mëdha miket tona të sotmet, e kanë konsideruar një pushtim, duke shtrëmbëruar dhe falsifikuar historinë. Malazezët u çarmatosën dhe u lejuan rreth 1000 ushtarë të tyre, të marrin armët e rënda dhe të varrosin të rënët, kurse qyteti filloi edhe administrimin vëndor dhe të shuante urinë, por edhe duke bërë depistimin e lagjeve të qytetit. Malazezëve të armatosur ju është dhënë vetëm 2 orë kohë të largohen dhe teritori i Shkodrës nën administrimin e admirialiatit të ishte mbi 10 km rrethor ndaj qytetit më të madh në Shqipëri. Ky ishte edhe momenti edhe i përcaktimit të teritor shqiptar, duke lënë edhe Shkodrën brënda tij. Nga kjo forcë shumëkombëshe paqeruajtëse, është aprovuar dhe praktikuar edhe teritori i parë shqiptar i vitit 1913-të,  duke formuar realisht jo kaq juridikisht edhe pikërisht ato 28 mijë km katror që kemi sot. Mbas sir Burney-t, u vendos me propozim të tij, koloneli Philips si guvernatori i parë i Shkodrës, dhe u formua me vendim të admirialiatit edhe Bashkia e Shkodrës në datën 20 maj, por që që hyri në veprim në datën 1 gusht, duke i dhënë besnikëri edhe qeverisë së Ismail Qemalit.Qyteti më i madh shqiptar, u nda në pesë rajone administrimi dhe kjo shumë e shumë vite më përpara se eksperimentit me Berlinin.  Ky është edhe momenti kur ndërkombëtarët ose Internacionali,  lejon që të njihet praktikisht edhe Shqipëria me Shkodrën brënda, dhe me disa akte juridike si kundër ishte edhe vendimi i Perlimtares së Shkodrës (Bashkisë Moderne)  për njohje të qeverisë së Ismail Beut. Internacionali,  vuri rendin në qytet, lejoi flamurin shqiptar dhe ngriti autoritet vëndore. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, vitin e  kaluar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ka nderuar me “Qytetar Nderi” si admiral Burney-nin dhe Gjeneral Philips, i cili ka qënë guvernator edhe në vitin 1918-të në Shkodër. 
14 maji i viti 1913-të,  është dita më e rëndësishme në historinë e 100 viteve të fundit për Shkodrën, sepse e para, është bërë lufta më e madhe në trojet shqiptare, mbas dy rrethimeve të Shkodrës dhe dy rrethimeve të Krujës, për nga forcat luftuese dhe popullsia e ndërthur midis tyre. Në fakt, kanë qënë rreth 60.000 forca ndërluftuese, mbi 200 topa, prej të cilëve 90-të ishin të kalibrit të madh. Ka pasur mbi 8500 të rënë në luftime dhe një numër jo mirë i precizuar i popullsisë e cila ka vdekur si pasojë e luftës.   E dyta, 14 maji si datë, bëri që me veprimet diplomatike dhe ushtarake, të mbetet teritor shqiptar Shkodra, dhe një pjesë e madhe e vilajetit të Shkodrës, i vetmi që ka mbetur brënda 28.000 km katror. E treta, këtë veprim, e kanë bërë fuqitë Europiane si Austro-Hungaria, Italia, Britania, Gjermania dhe Franca, miket tonat sot të cilat mbas 9-të dekadash, arritën të formonin tashmë me NATO-n dhe SHBA-të, shtetin e ri të Kosovës për të riparuar disi gabimet e të kaluarës.  Në këtë kohë Shkodra ishte vërtetë pika më e rëndësishme e Shqipërisë dhe trevave mbarëshqiptare. Ajo me qëndresën e saj dhe interesin që paraqiste ndaj disa fuqive perendimore, krijoi edhe premisat për përcaktimin e teritorit shqiptar. 14 maji, është edhe dita e eksperimentit të parë të sukseshëm të forcave paqeruajtëse të Europës, e cila vetëm mbas një viti, u fut në luftën e parë botërore.

giovedì 9 maggio 2013

Femra e pare shkencetare, aspak e nderuar si duhet ne shoqerine tone maskiliste dhe te pa emancipuar


Mungesa e respektit ndaj grave të Shqipërisë dhe shkencëtarja e parë shqiptare

Mungesa e respektit ndaj grave të Shqipërisë dhe shkencëtarja e parë shqiptare
Nga Besi BEKTESHI 
Në kohën kur së paku në derën e ndërkombëtarëve bisedohet për pjesëmarrjen e femrës në jetën politike, në kohën kur duan në mënyrë banale të barazojnë rolin e burrave me gratë, në kohën kur alarmi politik i presionon shumë femrat në jetën e tyre të kujdesit familjar, një studioze e re si Daniela Vathi në Itali, bën një shkrim të pasionuar për shkencëtaren e parë shqiptare Sabiha Kasimati. Padyshim një shkrim të mirë dhe të plotë, por dhe të bukur ka bërë edhe Uran Asllani dhe unë duhet ti falenderoj të dy, por duke qenë se nën drejtimin e saj të lëndës së biologjisë në Institutin “Nëna Mbretëreshë” është edukuar edhe nëna ime, dua të bashkoj modelin aspak normal të sotëm për femrën në politikë, me shkencëtaren e parë shqiptare të pushkatuar nga regjimi i stalinistit Enver Hoxha. Fjalët e fundit të Kasimatit përpara sigurimit dhe gjyqeve të tij në kohën e “bombës së ambasadës sovjetike” kanë qenë këto: Kam qenë dhe jam kundër këtij pushteti, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë asnjëherë e mendimit që me akt revolucionar të merrej pushteti e të arrihej në socializëm. Unë jam biologe dhe si e tillë, unë jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë, nuk shkohet as në socializëm, as edhe në demokraci, me dhunën shkohet në shkatërrim. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë nës ndonjë mbledhje kur është marrë vendimi për akt terrorist”. Këto fjalë nuk i ka thënë kaq qartë dhe kaq hapur, pothuaj asnjë burrë i Shqipërisë, përpara kriminelit Enver Hoxha. Asnjë, me kaq forcë dhe kaq vërtetësi.
Kasimati kishte edukim shkencor fantastik në biologjinë e saj. Ajo, në rradhë të parë ishte shkencëtare e studiozja e re Vathi, e vendos atë në rradhë me Montalçinin, Agnesin, Montessorin, Hack, Curien, Meitenerins, por e lidh në mënyrë të shkëlqyer fatin e saj të trishtë shkencor, me Rosalind Franklin, të cilës ju mohua padrejtësisht edhe si grua gjetja e madhe e “dopio elikës se ADN-së” si çmim nobel. Ky fat thotë Vathi, ju rezervua Kasimatit. Për më tepër se ka qenë edhe kolege, shoqe klase e Enver Hoxhës në Liceun e Korçës. Po, dakord, por nuk i është bërë aspak nderi i duhur gruas së parë shkencëtare në Shqipëri dhe studimit të saj të madh “Peshqit e Shqipërisë”, i cili u pronësua nga rusët dhe dy shqiptarë mbas tij. Zoti Asllani, bën të qartë se puna e Kasimatit ka qenë voluminoze mbi dhjetëvjeçare, ka plotësuar mijra skeda, koleksione mostrash, duke parë liqenjtë e Shqipërisë që nga Butrinti dhe deri te Prespa, Lura, deti Adriatik dhe Jonian. Ka bërë mijra foto dhe përshkrime shkencëtarja e madhe, që prodhoi monografinë madhështore voluminoze pikërisht “Peshqit e Shqipërisë”. Klika e Enver Hoxhës, ose njeriut burrë, më mirë thjesht mashkull shqiptar, i pazoti të mbaronte një universitet, të bënte shkollim të lartë, por i zoti për të vrarë, mbasi e sakrifikon kot fare Kasimatin ose shoqen e klasës, e vjedh edhe shkencërisht. Mbasi e masakron në dru nga sigurimi, dhe e hedh në një gropë të përbashkët me burra, të vetmen femër të pushkatuar për ambasadën ruse, u fal rusëve edhe punën e saj voluminoze. Po, rusit Anatolij Poljakov. Këtë gjë, vetëm kriminelë, inatçorë pa limite mund ta bëjnë.
E këtu dua të ndalem. E pra, duhej respektuar një femër e tillë në mënyrë të posaçme. E dyta duhej rivendikuar vepra dhe dhënë merita Kasimatit nga demokracia shqiptare. E treta, duhej vendosur emri jo i vogël si profil, por në institucione shkence. E katërta, duhej lartësuar si emër dhe shtatore në kategorinë e njerëzve të lartë të kombit. E pesta, duhej imituar si ndërgjegje qytetare dhe grua perëndimore, e lirë dhe pa paragjykime, por edhe e fortë dhe me bindje të qarta në të thënën e saj. Ky është edhe momenti për shkrimin tim.
Për të tilla femra, kemi shumë nevojë në këtë vend. Femra që kanë parime, që nuk tërhiqen edhe përpara burrave, si kundër nuk u tërhoq përpara Enverit shkencëtarja Sabiha Kasimati. Një femër e tillë, duhej bërë një legjendë ose mit, edhe pse sot kanë tendencën e çmitizimeve. Dakord, por kemi nevojë për figura që arrihen në ndjekje nga ato që nuk mund të jenë sistem paragoni. Vërtetë, sepse ne kemi Nënë Terezën si shqiptaren më të madhe, por ajo është një model botëror tepër i madh që na rrëzon kapelën kur çojmë kokën për ta parë, kurse Kasimati është gruaja shkencëtare, studioze, e emancipuar dhe moderne, që ka vështirësi për të dalë mbi ujë sot. Ka vështirësi të ngrihet mbi mashkullitetin ideologjik dhe pronor sot për gjithçka në Shqipëri. Nuk është e vërtetë se duhet dalë në parimin e vetëm dhe aspak koherent të “femrës së butë dhe zemër dhimbsur”, kjo duhet nënkuptuar, por është e rëndësishme të dilet me femrën e emancipuar, që bën të lëvizë përpara edhe shoqëria shqiptare, jo e mirë afruar si mentalitet me Europën. E diçka dihet qartë, “sa më afër edukimit europian të jetë gruaja, aq më afër realisht europës jemi ne”. E kundërta është e kuptueshme. Ajo është baza e edukimit të fëmijëve akoma në Shqipëri. Ne kemi nevojë për femrën e lirë dhe të emancipuar si Kasimati. Atë e vrau Enveri, sepse nuk ja duronte dot lirinë ideore dhe shkencore, biles as bukurinë natyrore. Ne, pa e kuptuar vrasim sot shumë e shumë shpirtra femrash të emancipuara, të cilat mbeten pas në dukje, mbas të llastuarave dhe të bukur-veshurave, shpeshherë me të vetme dhunti për të llapazanëruar. Kjo nuk është gjë e mirë. Mbase brezat e sotëm do të kuptojnë se sa rol të madh ka femra e emancipuar dhe rrezatuese e qytetërimi në Shqipëri. Po, dhe unë mendoj se vetëm brezat e mëvonshëm, sidomos ato mbas brezit tim, do të arrijnë të jetojnë me këtë koncept.