Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 25 luglio 2011

Migjeni ne drit-hijen e dates se lindjes

Vështirësitë e datës së lindjes së Migjenit, në dokumentat origjinale të tij.

Dosier-speciale
Besi Bekteshi

Poeti i jashtëzakonshëm i qytetit të madh kulturor të veriut, prozatori modern dhe tepër kontravers si me kohën dhe idetë e saj Millosh Gjergj Nikolla, ka në 30-të shtator të këtij viti 100 vjetorin e lindjes. Duke qënë se arkivi i  Muzeut të Shkodrës ka një dokumentacion të pasur të jetës dhe veprës së Migjenit, dhe duhet thënë, atë më autentikun, është interesante të shikohet se sa vështirësi ka pasur edhe përcaktimi i datës së lindjes së poetit, që akoma edhe sot, është më i guximshmi dhe më i diskutuari në letërsinë shqipe. Unë nuk do të diskutoj mbi një të sotme, që Migjenin e shikon si një moment alternativ kritike dhe polemike, sidomos për origjinën e tij. Unë besoj te e vërteta e tij si i lindur në Shkodër, talentin e trashëguar të qytetit, daljen e tij letrare jashtë kornizave të mbyllura të kohës dhe biles, edhe të kësaj kohe. Por akoma më shumë, besoj se në qoftëse ai do të kishte pasur jetë, diktatura e Hoxhës e cila në fakt kishte leverdi ta glorifikonte, do ta kishte pushkatuar të parin. Pikërisht të parin, një rebel i tillë prozaik dhe po ashtu në poezi, i cili nuk do të kishte pasur shumë jetë profesionale dhe besoj biologjike, me një regjim, i pa asnjë liri mendimi dhe fjale.  Pastaj polemikat që autorë të ndryshëm bëjnë për të, për efektet anësore jashtë letërsisë dhe brënda gjeografisë dhe religjonit, janë të tjera gjëra, të cilat si gjithmonë nuk mund të mbyllen për një njeri të madh, ndoshta si më të madhin në talent që ky vënd ka pasur, por që natyrisht, jetën e pati shumë të shkurtër. Pastaj se është Shkodra që veç Migjenit ka edhe viganë të tjerë si Fishta, Mjeda, Shiroka etj etj, kjo është akoma më mirë, sepse tregon edhe trevën fertile në këtë rast.
Me që i thashë këto, për të cilat do të kthehem dikur më vonë edhe me rekorde të tjera, po mundohem të paraqes dokumente origjinale, edhe për vështirësinë e përcaktimit të datës së lindjes së Milloshit. Ka pasur tepër vështirësi dhe duket po të shikohet edhe sot se vetëm një gjygj e ka zgjidhur disi problemin ligjor, por jo datat e shumta në dokumentet e autorit të madh.  Një nga problemet e mëdha që ka dalë në përcaktim të datës së lindjes së tij, është se normalisht, ai ka lindur në Shkodër, dhe ka qënë një orthodoks e patjetër edhe në regjistrat fetarë, por që pastaj kanë vazhduar edhe në shkollimin e tij e mund të jetë {është bindje} kalendari orthodoks kishtar. Unë këtë gjë e kam të qartë edhe nga Paulin Pero, punonjësi i talentuar dhe rigoroz i arkivit të Muzeut të Shkodrës. Por pavarësisht kësaj, në një pjesë të rëndësishme të dokumentacionit origjinal të fondit Migjeni, ka disa mospërputhje të rëndësishme, që me një dokument, i cili riparon datën e pasaportës së shtetit shqiptar, e cila e deklaron ditën e lindjes së Migjenit si në 30-9-1909. E riparon...por është më herët se pasaporta dhe kjo është shumë e dyshueshme.  Është pikërisht një datë që në ditën e muajin përkon, por përsa i përket vitit, luan me dy vite përpara. Pra në qoftëse do të ishte kjo datë ne nuk do të kishin përpara 100 vjetorin e lindjes së poetit dhe prozatorit të madh, por 102 vjetorin. Normalisht që pothuaj të gjithë kanë rënë dakort me datën e lindjes së tij, por ama dokumenti që e ka të shkruar këtë datë po themi gabim, është Pasaporta e Shtetit Shqiptar, e lëshuar për vetëm në Itali në kohën e sëmundjes së tij në datën 13-12-1937.  Kjo pasaportë, ka një vlejtëshmëri për një vit, dhe është dokumenti i fundit zyrtar që poeti shkodran ka pasur në fundin e jetës së tij. Mirëpo ky dokument, ka qënë bazë në formulimin e dokumentacionit të formuar në momentin e vdekjes së tij në Torino  me datën 26 gusht të vitit 1938.  Këtë nuk e vërteton dhe dokumenti origjinal i “Komunës së Torre Pellice” e cila përcakton vëndin dhe kasetën ku janë edhe eshtrat e poetit Milosh Gj Nikolla, dhe datën e lindjes së tij e vendos 13 tetor 1911 në Shkodër.  Për më tepër dokumenti është i vitit 1955 dhe i datës 6 tetor dhe është dhënë për të sjellë pikërisht eshtrat e Migjenit në vëndin tonë, dhe aty biles thuhet “Cimitero Comunale di Tirana”. Pra edhe në këtë dokument zyrtar të saktë nga Italia është diskordanca në ditën e lindjes së Migjenit, por viti është sëpaku në këtë rast jo i diskutueshëm, kurse data e lindjes dhe muaji me sa duket, kanë diferenca edhe në saj të verifikimit të pasaportës dhe çertifikatës së korrigjuar e cila sqaron se ku qëndron gabimi. Patjetër që njerzit ose për më tepër motra Olga do të kenë paraqitur dokumenta të cilat dalin edhe nga kisha apo religjoni, dhe mund të jetë e mundur dallimi nga kalendari në kalendar, po të kemi parasysh ndryshimin. Është e habitshme se nga Bashkia e Shkodrës, Gëndja Civile, është lëshuar një dokument i plotë-çertifikatë i datës 26-1-37, ku datëlindja e Migjenit theksohet se është 30-9-1911. Patjetër që është diçka e çuditëshme sepse Pasaporta me numër 47 dhe i librit 479 e datës 13-12-37 ka një periudhë 11 muajsh më pas që ka dalë nga e po e njëjta zyrë, dhe me data të ndryshme të lindjes. Pra pasaporta është bërë më vonë gati një vit, dhe çertifikata para pothuaj një viti e nëpunësit Hamdi Fetiu thotë datën 30-9-1911.  Të dy janë dokumente që dalin nga institucionet e Shkodrës dhe për më tepër se Fetiu sqaron se është “Gjygji i Paqit të Këtueshëm, kte datëlindje, e ka korrigjue ne dt 1911”.  E megjithatë, edhe pse çertifikata e tillë ka sqaruar se “datëlindja është korrigjuar” pasaporta është bërë me datëlindjen e regjistrit të vitit 25 maj 1930-të që e deklaron 30-shtator-1909.  Kjo çertifikatë e lëshuar përpara pasaportave dhe që ka për bazë një gjygj të paqit në fakt, është edhe ajo, që tashmë ka vendosur edhe datëlindjen e Migjenit, por....!! Por pasaporta e Migjenit për “Europë”...në atë kohë lëvizja e shtetasve shqiptar ishte e lirë...me numër 353-74 dhe me numër libri 282 e lëshuar me datën 23-7-1935, datëlindjen e vendos në vitin 1909. Një pasaportë e Migjenit e lëshuar në 17-6-1932 me numër 2 dhe libër 73 ekzagjerohet fare dhe e shkruan ditëlindjen 1912-të, dhe kjo pasaportë ishte vetëm për Shqipëri.  Por edhe Letër Njoftimi i tij i vitit 1933 me numër-298 vitin kohën e lindjes e ka 1909-të. Kuptohet se dokumentacioni ka pasur disi rrjedhje po të themi...në një farë mënyre, por me sa duket edhe ditëlindja e Migjenit ka pasur probleme, dhe kjo kuptohet deri sa ka ardhur dita për të bërë gjygj për caktimin e pikërisht datës dhe muajit, por edhe vitit. Ka pasur probleme data e lindjes, dita e lindjes dhe për më tepër edhe viti i lindjes, së një prej autorëve më të jashtëzakonshëm jo vetëm të Shqipërisë, por për kohën edhe jashtë teritorit të saj. Kjo tashmë është më se e qartë.  Ka një dokument shkollor, i cili ka edhe ai një datë, dhe ky dokument është në serbokroatisht që jep gjeneralitetet e Migjenit, që është plotësuar me sa shikohet në 1929-tën. Ai ka edhe një datë lindjeje e cila nuk është qartësisht e shënuar, por duket të jetë 28 tetor 1911, por e theksoj se është një plotësim tepër i dyshueshëm për rregullsinë e tij. Në përgjithësi korrigjimet, dhe modelet e asaj kohe, janë disi të dyshueshme, por është edhe koha kur në përgjithësi shteti ishte një moment në ndreqje, edhe pse ishte tepër i rregullt në seriozitetin e tij.
Dokumenti që është marrë si bazë dhe përjashton edhe ditëlindjen e Migjenit në saj të interpretimit të kalandarit dhe që korrigjon dhe regjistrin e Gjëndjes Civile të autorit të Poemës së Mjerimit dhe shumë e shumë vjershave, apo edhe prozën e shkurtë të jashtëzakonshme, është ai i cili largon datën 30 shtator 1909-të dhe vendos datën 30 shtator 1911. Ky dokument ka vetëm kundërshtinë e pasaportës e cila ka dalë po nga kjo zyrë, por më vonë, dhe në një farë mënyre i komplikon disi gjërat.
Gjithsesi Migjeni ka në dukomente katër kohë lindjeje dy janë të shtetit, një e dalë nga Italia në saj të të dhënave të familjes dhe ndonjë dokumenti po në këtë drejtim dhe një dokumenti shkolle. Por ne jemi në vitin 2011 dhe tashmë është 100 vjetori, e ky normalisht që është momenti për ta kujtuar, të tjerat pak rëndësi kanë...shumë pak.

domenica 24 luglio 2011

Enver Hoxha i vogel, ne nderimin e Topullit dhe Qullit

Historia  e çensuruar e fotove të nderimit të patriotëve Muço Qulli dhe Çerçiz Topulli.
Fotot e paçensuruara kur Enveri dilte jo kaq “madhështor” për nder të patriotëve Muço Qulli dhe Çerçiz Topulli.

Besi Bekteshi


Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës ka disa dhjetra foto të nderimit që Shkodra, personalitetet dhe populli në përgjithësi, ju bëri në ceremoninë e gjetjes së eshtrave të patriotëve Muço Qulli gazetar dhe luftëtar, dhe Çerçiz Topulli, kryengritës i madh i rilindjes sonë kombëtare. Kryesisht aty shikohet populli dhe masiviteti, por edhe zyrtarizmi dhe patriotizmi i lartë i të gjithë përgatitjes dhe nderimit të bërë, në qytetin ku dy patriotët u kapën për tu vrarë nga gjenaral Veshoviq në të gdhirë të 17 gushtit 1915-të në Golem të Shkodrës.  Në këtë arkiv të pasur është edhe një foto e cila nuk është edituar edhe pse është ditur nga propoganda e shtetit të Enverit, i cili mori “autorësinë” e nderimit të këtyre dy patriotëve të lartë të Shqipërisë. Në fakt Enver Hoxha duket në një foto,  në vëndin ku në fushën e mbi Shkodrës shumë afër qytetit,  janë gjetur të varrosur trupat e patriotëve të vrarë. Në këtë foto,  Hoxha ka qëndruar në qëndër për tu dalluar mirë dhe është sëbashku me shumë të tjerë edhe me Thoma Papajani, Nazmi Lumani, Beso Gega, Gjush Sheldija apo Fuat Halimi etj etj. Ai natyrisht më vonë është thënë se ka qënë një përfaqësues i Gjirokastrës dhe ka mbajtur njërën nga fjalët e rastit, por ama nuk ka qënë një person i vijës së parë të nderimit dhe kjo duket nga të gjitha fotot e kohës. Akoma më shumë, nuk duket fare. Ka pastaj edhe njerëz që daljen në ballkon e lidhin me një datë tjetër, duke abstraguar disi, sepse ai nuk është në asnjë prej ceremonive që janë bërë në Shkodër. Por edhe për faktin se manipulimi ka ndodhur nga që janë hequr fytyrat e Zenel Prodanit dhe klerikëve të Shkodrës, por ama polemikat janë bërë më vonë duke përgënjeshtruar qënien e Enverit në datën preçize. Nejse, fotot edhe pse propoganda e diktaturës ka bërë të vetën sot janë dhe normalisht Enveri ka qënë në Shkodër, ka folur dhe ka dyshime në kohë të ndryshme, por ama ajo që shihet qartë është se ai nuk ka qënë në proçesion, dhomën e mortit në Shkodër dhe në delagacionin gjirokastrit në pikërisht këto evenimente. Proçesioni në Shkodër ka qënë gjigand, edhe për kohën dhe përgatitjet kanë qënë madhështore nën regjimin, që Enveri më vonë, e denigroi dhe luftoi. Si prefektura e Shkodrës dhe Bashkia e saj e pasur, kanë pasur një organizim popullor fantastik me proçesione të cilat kanë mbushur rrugët e qytetit të madh. Duken qartë edhe njerzit dhe evenimenti, sepse janë kurorat e shkruara qartë.  Në asnjë foto Enver Hoxha nuk është në rradhën e parë, as të dytë, dhe askund. As në mbajtje të arkivoleve, as në paraqitjen e personaliteteve. Nuk është as në foton zyrtare të dhomës së nderit, në organizimin shtetëror dhe lokal të bërë nga qyteti i Shkodrës, ku dallohen edhe personalitetet e Bashkisë si zoti Prodani dhe të tjerë të prefekturës. Këshillit Bashkiak dhe policisë e ushtrisë, të ardhur dhe figura të mëdha. Një nga më mashtrimet e propogandës së Enver Hoxhës është se fjala e tij, ka qënë edhe ajo kryesorja në ballkonin e Shkodrës në pikërisht Bashkinë e saj kohe. Në të vërtetë aty fjalët kanë qënë nga shumë të tjerë (dyshohet koha e njëjtë) dhe ishin fjalë përshëndetje. Kurse elegji të vërtetë, për dy patriotët ka bërë patër Anton Harapi dhe Ernest Koliqi në një dalje të vetme në popullin e Shkodrës, në një podium të vetëm tjetër dhe afër PTT-së dhe të rregulluar enkas. Ka qënë një fjalë prej një kleriku dhe modeli intelektual shqiptar, patriotësh dhe një fjalë mallëngjyese dhe patriotike gjithbashkuese pa dallim ndër shqiptarë. Fjala e patër Antonit që më vonë është denigruar si figurë në saj të regjencës, ishte një nga aktet sublime të patriotizmës, por që për fat të keq, dasia komuniste e ka çensuruar dhe po ashtu burgosur si një e thënë normale e nderimit të Muços dhe Çerçizit.  Enveri nuk është as në krye të kortezhit, as përpara bandës në ekzekutimin e hymnit, as në momentin e parakalimit në afërsi të arkivoleve, as në kalimin popullor me të ftuarit dhe pjesmarrësit nga Gjirokastra, dhe as në dhomën mortore të ngritur me kujdes nga ceremoniali zyrtar, që në atë kohë ka qënë shumë më i përgatitur se sa në kohët e sotme. Në një foto të çensuruar dhe katranosur më vonë është futur koka e tij në mes të një delegacioni nga qyteti i gurtë jugor i Gjirokastrës. E vetmja foto reale është ajo ku duken gropat e zhvarrimit dhe nuk dihet monmenti, por duket se është fusha e Shtojit dhe afër Golemit. Komunisti i “deklaruar” më vonë, as nuk ndiqet, dhe as përndiqet, por akoma më tepër nuk është ndonjë personalitet, dhe patjetër foton në varret e hapura të patriotëve nuk e ka lejuar të dalë në shtyp, jo sepse nuk kishte “etikë” si foto, por se vërtetohet se ishte një person i thjeshtë midis shumicës që më vonë e vrau të gjithën.
Enver Hoxha në të vërtetë ishte personi që në atë kohë ishte një askush, një djalë relativisht, që nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, dhe as që dukej si person që kishte peshë.

Nga revista "Cirka" e datës 27 shtator 1936, nr 9, faqe 141-142, merret vesh se delegacioni gjirokastrit arriti në Shkodër me 14 shtator 1936 dhe u mbajt mitingu në qëndër të qytetit, pranë PTT, pa e përmëndur bashkinë e qytetit. I pari foli profesor Ernest Koliqi (fjala e tij botohet në gazetën "Demokratia" e datës 10 tetor 1936). Kurse Padër Anton Harapi foli nga shkallët e PTT së vjetër, pa na dhënë datën se kur është organizuar mitingu në fjalë. Por datën e mitingut e jep revista "Përpjekja shqiptare", nr.1, tetor 1936, faqe 49; sipas së cilës me 15 shtator 1936 në Shkodër zbuloheshin dy varret e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit.
Bukur shumë....por ama ka disa mos përputhje me momentet dhe fotot. Në fakt në arkiv ka disa foto të çertifikuara nga Kel Marubi për proçesionet dhe takimet zyrtare dhe aty Enveri as që bëhet fjalë se duket kund. Nuk është në qytet, as në takime njerzish të rëndësishëm dhe kjo është sa sinjikative dhe qartësuese.
Gjithsesi është apo s’është Enveri kjo tashmë nuk ka rëndësi se sa përdhunimi i fotove, dhe qartësia se ai nuk ka qënë personi, që ka qënë pjesmarrës aktiv i aktivitetit të madh në Shkodër në delagacionin në fjalë dhe se të tjerët janë.
Pastaj fjala e tij është një diçka që askush nuk e mbajti mënd. Kurse fjala e Harapit dhe Koliqit janë madhështore.
Patër Anton Harapi ndër të tjera tha:
“Ndaluni! Ku veni burra?!
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”
Kurse profosor Ernest Koliqi tha:
E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem. Shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore.
O ti, Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, që ma t’kuq e batë flamurin tonë me gjakun e pastër t’uj, shpallnja djalëris se përparimi më i drejtë se drejtësia ma e plotë shoqnore mund t’arrihen n’emën të shqypnis…
Askush sot nuk e di fjalën e Enverit, askush nuk e kujton, nuk e di, nuk e përmënd dhe jo se e ka thënë Enveri, por se ndoshta nuk ishte në vëndin e duhur. Gjithsesi edhe hitoria me foto është, ajo është dhe Enveri është i dalë qartë vetëm në gropat e Shtojit prej nga ku u morën trupat e martirizuar të Muços dhe Çerçizit për tu nderuar në qytetin e Shkodrës. Mirëpo pikërisht këtu Enveri mkungon....çuditërisht mungon në shumë e shumë shkrepje të fotografëve të mëdhenj shkodranë. E ka mundësi që ta kanë ditur se do të bëhet krimineli i shqiptarëve dhe e kanë “hequr”....!! Jo nuk e besoj.

sabato 23 luglio 2011

Bandat frymore ne traditen shkodrane

Tradita e shkëlqyer e bandave muzikore në kryeqëndrën e veriut, vazhdon edhe sot.


Besi Bekteshi

Specialist historian, në arkivin e Muzeut Historik Shkodër..

Nuk ka asnjë qytet tjetër jo vetëm në Shqipëri dhe trevat shqiptare, por as në rajonin e ballkanit jug-perendimor që të ketë kultivuar dhe trashëguar në mënyrë kaq të fuqishme dhe qytetare, aftësinë e bandave dhe orkestrave frymore, por dhe orkestrave në përgjithësi. Shkodra, është një nga kryeqëndrat muzikore në trashëgiminë kulturore, e cila rrezaton edhe sot, një madhështi të kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme. Një nga studiuesit dhe muzikologët shkodrane të apasionuar, ka shpjeguar edhe historikun, por ka bërë edhe tendencën për të lartësuar trashëgiminë e ky është Tonin Zadeja që thotë se: Shkodra njihet si një ndër qytetet që ka patur, duke filluar nga dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit 19-të dhe gjysmës së parë të shekullit 20-të një veprimtari të gjërë muzikore dhe artistike. Normalisht që Zadeja ka bërë edhe përshkrimin e saktë historik.  Në fakt, duhet thënë se as komshinjtë veriorë në Malin e Zi dhe ato jugorë që shkojnë përtej Korfuzit në jug dhe Janinës, por edhe në zonën e sotme të Maqedonisë dhe Kosovë, nuk kishte në këtë lartësi, organizime të tilla të shumta dhe profesioniste, si në qytetin e madh verior të trevave shqiptare. Duhet të shkoje në Selanik, apo Zagreb dhe Beograd, që të gjeje edhe simotra në atë nivel, apo edhe më shume se kaq, për të bërë një lloj krahasimi kulturor. Është fjala për vite 1870-të e më pas, dhe kjo është edhe cilësia e Shkodrës, si qytet që si me muzikën, fotografinë, artin, pikturën, letërsinë, ishte një pararoje shqiptare në përgjithësi. Kjo, kur në përgjithësi, treva ishte jashtë kontekstit muzikor dhe artistik. E vërteta është se orkestra e parë frymore ka ardhur në Shkodër, dhe është krijuar nga misionari françeskan at Tom Marcozzi, por dhe fondet e mbledhura në popull kanë bërë të mundur sjelljen në vitin 1877-të që njihet edhe viti i krijimit të bandës së parë “frymore” ose orkestrës frymore, blerjen e veglave apo instrumentat frymore.   Në këtë kohë, është sjellë nga Napoli për të krijuar orkestrën e parë frymore mjeshtri Giovani Canale, dhe fillimet ishin normalisht në ndihmën e klerit katolik, por më vonë shumë organizime ishin të karakterit laik dhe shtetëror. Koncerti i parë është bërë në vitin 1878-të, dhe ka pasur 31 pjesmarrës si shtresa zejtarësh, e interesante ishte sa shpejt u formua edhe ndjesia, por edhe aftësia për tu profesionalizuar në këtë drejtim të ri. Kishte pjesë të karakterit marcial, pra marrshe, por orkestra guxonte dhe luante edhe pjesë ariesh nga opera të njohura. Mbas largimit të mjeshtrit Canale, rreth viteve 1880-të, trashëgimia dhe kultura muzikore i kalon Palok Kurtit, një nga korifejtë e muzikës dhe orkestrimit në Shkodër. Janë marrshet dhe muzika patriotike e këtij të fundit, që kanë shoqëruar edhe ato vite të mbingarkuara, duke zgjuar edhe ndjenjën kombëtare edhe për luftën dhe mbledhjen e popullit në raste interesi kombëtar. Për këtë aktivitet, Kurti është internuar nga qeverisja turke në Azi të vogël. Ai kthehet dhe riaktivizohet në 1900-tën, megjithse “ja mbyllin sërish” dhe sërish formon një orkestër në vitin 1901, me të rinj të shkollës së artizanatit kur dy vite më përpara, ishte ngritur edhe një e tillë nga Kisha Katedrale me ndihmën e imzot Sarreqit me drejtues Frano Ndoja. Kishte një larmi pjesësh të orkstruara, por ama pjesët patriotike ishin ato kryesoret. Kjo orkestër e Ndojës, kaloi në 1917-tën, në varësi të Bashkisë së Shkodrës, e cila tashmë kishte profesionistë të vërtetë në gjirin e saj.
Mbas vdekjes së mjeshtrit Ndoja, aktiviteti ra shumë, por ishin ngritur arkestra të tjera. Megjithatë Bashkia e aktivizoi më mirë rreth viteve 28-30-të orkestrën dhe bandën frymore të saj. Janë aktivizuar mjeshtrit si italiani Antonio Mucci, që i lëshoi vëndin mjeshtrit tjetër shkodran Zef Kurtit, i cili e konsolidoi, duke e çuar deri në vitet 45-së, kur kaloi në varësi të “Shtëpisë së Kulturës”. Gjithsesi në vitin 1921, është krijuar edhe shoqëria “Vllaznia”, dhe disi më përpara rreth viteve 1919-të ajo “Bogdani” që kishin edhe arkestrat e tyre dhe te “Vllaznia” ka qënë edhe mjeshtri tjetër Luigj Prela. Kurse me mjeshtrin Kurti, shoqëria “Bogdani” fiton konkursin e bandave në Shqipëri në vitin 1930-të.  Në vitin 1922, formohet shoqëria “Illiricum” me At Martin Gjoka, dhe këtu është dalluar edhe Prenk Jakova i famshëm disa vite më vonë. Në vitin 1922, ka pasur orkestër frymore edhe garnizoni i Shkodrës dhe normalisht mbas Frano Ndojës, ishin mjeshtrat Pavllo Zhvap dhe Sulë Liçaj, që administruan dhe drejtuan atë. Garnizoni me anën e bandës, bënte parada dhe shoqëronte ushtrinë, por edhe festat e ndryshme. Ka pasur bandë muzikore dhe shkolla “Plotore” e lagjes Parrucë, dhe ajo ishte e paisur me ndihmën e prindërve duke pasur pikërisht Sulë Liçaj si drejtues. Në këtë rast,  veshja karakeristike ishte një moment i madh prezantimi dhe patriotizmi, e akoma më shumë një shenjë e madhe e edukimit të rinisë. Në vitin 1931, u formua edhe “Fanfara” e konviktit “Malet Tona” , ajo e “Gjimnazit” dhe e “Jezuitëve”. Prenk Jakova, formon orkestrën e “Antonianes” e cila kishte kostumet kuq e zi, dhe ku kanë nisur jetën artistike të mëdhenjtë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi dhe Simon Gjoni, si orkestrues të thjeshtë.
Sot trashëgiminë e kësaj kulture e ka mjeshtri Kujtim Alia dhe  qëndrat e shumta kulturore të Bashkisë së Shkodrës. Për tu përmëndur janë fitore të bandës dhe orkestrës frymore si në Itali dhe si gjithmonë në vënd të parë në Shqipëri. Nuk është vetëm banda dhe orkestra frymore, por edhe cilësia e madhe e “Sinfonisë” dhe orkestrës së saj në Shkodër, e ringritur kohët e fundit. Janë këto trashëgimi edhe sistemi më i mirë kësaj kulture të madhe, dhe kjo është edhe arsyeja që sot Shkodra, ka edhe modelin më të mirë të rritjes në këtë kohë, e cila bën të veten, duke treguar se qyteti i madh i veriut nuk ndryshon për sa i përket vazhdimësisë kulturore dhe artistike.

Gjecovi dhe doreshkrimi "Kokrra kanuje"


Dorëshkrimi i Gjeçovit, një nga dëshmitë themelore të “kanunit të Lekës”

Dorëshkrimi i Gjeçovit, kapitujt dhe përshtatja e kanunit të “Lekës t’Gjin Dukës”
Studimi dhe përpunimi i Gjeçovit nga viti 1898-1928.

Nga Besi Bekteshi

Një nga dorëshkrimet më të rëndësishëm të Shtjefën Gjeçovit, është ai i titulluar nga vetë autori si “Kokrra Kanujet”  të Kanunit të Lekë Duka Gjinit. Janë fletë origjinale të shkruara me riparime dhe sqarime të thella, për një nga kanunet e rëndësishme të trevës veriore të Shqipërisë, sikundër është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Është një punë 30-të vjeçare e Gjeçovit,  cila në përkryeshmërinë e saj si të shpjegimit dhe përshtatjes reale, por edhe të frazave të qarta, përbën edhe aspektin gjuhësor dhe organizativ të brëndëshëm në kapituj të këtij kanuni, tepër të pasur në konsideratë nga studiues dhe historianë. Një dorëshkrim i tillë i rëndësishëm i Shtjefën Gjeçovit, gjëndet në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës, dhe është një nga trashëgimitë më të rralla të veprës së këtij njeriu të madh të letrave, etnografit të madh, arkeolog dhe një religjonar patriot i jashtëzakonshëm me origjinë nga Kryeziu i Pukës, i lindur në 1873 në Janjevë të Kosovës. Emri i vërtetë i Gjeçovit është  Mëhill Konstandin Gjeçi Kryeziu. Gjeçovi ka filluar studimet në kolegjin fetar të Trashanit i dërguar nga Françeskanët e Shkodrës aty. Më pas, ka vazhduar studimet në Bosnje. Nuk ka lëvizje patriotike të fillimit të shekullit 20-të, që të mos ketë pjesmarrjen e një patrioti  të tillë. Por një nga punët më madhore të tij, është ajo shumëvjeçarja, e cila ka dalë në dritë katër vjet mbas vdekjes së tij në vitin 1933, pikërisht në Shkodër, qytet ku kishte lidhje të mëdha, për studimet etnografike, në doket dhe zakonet, për martesën, gjëmën, mikëpritjen dhe besën shqiptare.
Dorëshkrimi i tij mbi disa “Kokrra Kanujet” është një nga më sinjikativët  punës së madhe të Gjeçovit, në përmbledhjen dhe trajtimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Me një shkrim të rregullt dhe tepër i kujdeshëm, por edhe shpesh herë i korrigjuar për arsye të hulumtimit, “Kokrra Kanujet” është një nga dorëshkrimet që ka bërë të qartë, një nga kanunet më të plotësuar të historisë së Shqipërisë, dhe trevave shqiptare në tërësinë e tyre.
Unë jam munduar të kaloj disa fletë, të cilat kanë përbërë pikërisht “Kokrra Kanuje”.
Ja çfarë shkruan Gjeçovi në fletën ku shkruhet si kapitull XXIX, dhe pastaj është korigjuar në X4.
“Prija”, dhe natyrisht që është fjala se kush duhet të “Prijë”.
Në origjinal
I-                   A n’buk, a për udhë prija i shkon.
a-      A maa t’moçmit
b-      A maa rodit
c-      A plakut t’katundit
d-     A djalit t’fisit.
Pra është e qartë se kanuni i Lekës, përcakton se në një vaki “buke” apo rruge, ato që duhet të prijnë janë ose më i moçmi, më i fismi-rodi, më plaku ose kryeplaku i katundit, ose djalit të fortë të fisit. Kanuni është i qartë se kush, dhe ka parasysh edhe moshën dhe mëndësinë. Është e qartë se shpesh herë, nuk i plotëson kushtet vetëm një person, kështu që “Kanuni” ka pasur parasysh disa alternativa.
Një nga fletët, dhe pikërisht ajo me numër XXXIX, ka si titull “Preja” dhe thotë poshtë titullit: “Me pretue me ra pree” dhe shprehja është në kllapa.
I-                   Preja kaa edhe maren (erzin)
II-                Preeja për borxh s’merret.
Kanuni është tepër i qartë se “Preja ka erz dhe nder” dhe se nuk mund të marrësh “Prenë” për borxh.
Në kapitullin XXXVI, Gjeçovi ka sqaruar për mbi “Kaparin”.
I-Kapari t’a ban gjaan t’annen, veçse kee për t’laa shka t’jesish përtej.
Pra...thuhet se kapari të bën me gjënë tënde, vetëm se duhet larë çfarë do të nxirret më përtej.
Një nga kryeveprat e “Kanunit” dhe të shpjegimeve është edhe “Fitimi në hua dhënie”. Kanuni merret qartë dhe mirë, me të tilla marrëdhënie, dhe duket sikur edhe sot është e njëjta situatë, veçse në shumë raste e pa zbatuar.
Fleta me numër XXXIV, ka si titullim “Fitime uhanash” dhe në kllapa termi “Fajde”.
I-Fajdet mi 10% Kanueja nuk baan.
Pra është e qartë se Kanuni nuk lejon fajde mbi 10%, dhe kjo është një nga cilësitë e ardhura deri në kohët e sotme, megjithse zbatimi është disi i vështirë.
Në kapitullin për “Krushqit” Gjeçovi shkruan: Krushku i vënnit t’ja lirojë udhën krushkut mik. Një zbatim i kahershëm i Kanunit të Lekës.
Në kapitullin XXXVIII të titulluar “Doke-Bidate” At Gjeçovi ka qartësuar se:
I-Dokeja e ree n’katunn t’vjeter s’qitet. II- Kanueja nuk baan bidaat. III- Ku t’ketë giase, vehet nji pemë e ree.
Pra “nuk mund të fusësh ligj të ri kur katundi është i vjetër”, “nuk mund të nxjerrësh ligj të ri mbi kanunin” dhe vetëm aty ku ka gjasa mund të mbillet një pemë e re. Më qartë se sa kaq!!
Në dorëshkrimin e Gjeçovit janë shumë e shumë terma dhe fjali, të përdorura në një shqipe të çiltër në gegnishte, por është edhe një nga dorëshkrimet e një studimi term, për term, dhe fjalë për fjalë, të Kanunit të “Lekës t’Gjin Dukës”, sikundër shkruan vetë Gjeçovi. Kujdesi në përshtatjen  e së shkruarës shqip, dhe studimi kaq vjeçar në këtë dorëshkrim, përbëjnë një nga kryeveprat e shkruara, të një prej patriotëve dhe gjuhëtarëve të shqiptarizmës. At Shtjefën Gjeçovi me dorëshkrimin e tij “Kokrra Kanuje”, na ka lënë trashëgimi jo vetëm studimin e tij të Kanunit të Lekë Dukagjinit, por edhe shqipen e kulluar të tij dhe patriotëve të kohës. 


Shkodra "Mbreteria e karnevalit" dje dhe....sot!

Kol Shiroka dhe vargu i karnevalit shkodran.

Kol Shiroka dhe poezia karnaveleske shkodrane e viteve 30-të.

Dëshmitë e karnavalit shkodran dhe tradita e bejtes, apo vargut karnevalesk.




Besi Bekteshi.

Nuk ka dyshim që Shkodra është qyteti më i vjetër i trashëgimisë të karnevalit që pa ka ardhur nga tradita Veneciane. Nga kjo trashëgimi e ardhur sipas të dhënave kryesisht gojtare nga tregtarë shkodranë në gjysmënn e shekullit të 19-të, kulmi ka qënë karnevalim i viteve 30-të të shekullit të kaluar. Në atë kohë Shkodra kishte një sistem të mirë “piace” dhe po ashtu liri të karnevalit dhe shfaqeve. Kishte organizatorë të jashtëzakoshëm, artistë dhe fonde të mbledhura për “Karneval”. Por në fakt, një nga sistemet e rëndësishëm të kulturës së karnevalit shkodran, ishte vargu-artistik dhe bejta e karnevalit. Ajo ishte edhe thelbi i karnevalit, por edhe idea përçuese e tij. Pa vargun karnevalesk   praktiktikisht nuk mund të konsiderohej një karneval i plotësuar. Dalja me karroca dhe maska, por edhe me trupa që demostronin idenë e karnevalit, shoqëronin në fund të fundit pikërisht vargun dhe poezinë karnevaliske. Ishte një traditë dhe në krye të kësaj tradite ishin “grupet organizatore” që kishin artistë dhe njerëz zë letrave dhe kulturës, por edhe zejtarë të cilët akoma përbënin një bërthamë arti në atë kohë në qytetin e Shkodrës. Padyshim që më i madhi, më i arrituri dhe më i përmënduri jo vetëm në Shkodër ishte Kol Shiroka. Kole Shiroka u lind me 16 gusht të vitit 1900 në Shkodër. Mbas rrugëve të mergimit Kola vjen përfundimisht në Shkodër. Tani ai profilizohet dhe i “dorëzohet”profesionit te berberit, ndonëse nuk e ka me qejf. Keshtu, hap një dyqan në lagjen Gjuhadol. Shpesh dyqani kthehet ne studio e në klub ahengxhinjsh. Mirëpo në këto dugaja dhe lokale është edhe bazamenti i humorit dhe artit të Shkodrës. Kola nis të pikturoje e së bashku me disa shokë, formon edhe një orkester. Gjithashtu, ai do te jete i pranishëm edhe si instrumentist në Kafe të Madhe, duke i rene xhezit e duke shoqeruar profesorin italian Muc, që i binte pianofortes. Kola, ne orkestren që do të formoje, do të jete bashke me Kole Lufin e Kole Vjerdhen. Tre Kolat... se bashku ishin thjeshtë një rastesi. Pervec kitares, Kola do t’i bjerë edhe violinës, mandolinës, bracit, etj. Më vonë, me disa miq te tij si: Cin Daija, marangoz, Simon Rranxi, kepucar, Luigj Dajci, mekanik, Ndoc Tivari, Loro Kovaci, Shuk Paloka, Kole Krajni, Gjon Kole Daja, Shuk Radoja, etj që formojne shoqerine “Rozafa”, me 1918. Prej këtij organizimi, rrjedhin edhe shumë të tjerë, në mënyrë të veçantë për artin skenik, humorin dhe karnevalet në Shkodër.
Vargu karnevalesk është “institucionalizuar” afër viteve 28-29 të shekullit të kaluar, por afishe dhe botimen të tij ka disa të viteve më vonë, në Muzeun e Shkodrës.
Një nga cilësitë e kritikës karnevaleske në Shkodër është e drejtpërdrejta dhe morali në shoqëri.
Ja se çfarë vargëzohet në 23 shkurt të vitit 1933 nga “Grupi Argtimuer”.

Dhe doktorat janë tërbue
Kah i kanë mbushë xhepat me arë
Hordheku vjen tuj u shtue
E ato kanë ishtiharë

Asht kollaj për me e dijtë
Si bahet nieri zenjin
Merr pesë frang për nji vizitë
Dy dekika, ma nuk rrin.

Mandej të nisë te barnatori
Për pa ba kurrfarë hesapit
Se ndër to sot lot pazari
Porsi mishi në dorë të kasapit.

Kuer del nieri me recetë
Barnetarët me kërkue
Diku pesë, diku pesëmbëdhetë
Kurrnji çmim se gjen caktue.

Patjetër që historia përsëritet, dhe karnevali në Shkodër, tregonte, akuzonte dhe demaskonte veset e një shoqërie, shtrese, por edhe fillimi të një ndjenje shoqërore që kërkonte drejtësi sociale.

Kol Shiroka në vitin 1935 tregon edhe në vargun e  vet, se ka gjashtë vite që merret me këtë poezi karnevali kur thotë: Tash gjasht vjet qi kem fillue, nuk kam pasë tjetër qellim, veç kësaj ditë formën me ndrrue, e me e sjellë në modernizim.
Shiroka ka kapur një nga veset e shoqërisë, e cila sillet tepër sipërfaqësore, qëndron e veshur mirë, por nuk merret me familjen, me fëmijën dhe ankohet e ankohet.....por duke qëndruar në klube. Ngjashmëria me sot është diçka e jashtëzakonshme. Akoma më tepër se në vitin 1934, Kol Shiroka vëren “modernizma e luks”, por brënda janë të zbrazët, kot, dhe pa dyshim artificialë.
Shkodra ishte një pararojë atëhere e modernizmit në jetë, dhe kontradiktës së madhe në shoqërinë akoma jo të mirë konsoliduar, në qytetërim.
Ja si vargëzon Shiroka në karneval dhe krizën e vitit 1934.

Kuer do herë nuk asht kurr vonë
Popllit vrejtjen me ja hekun
Me e nxitë ma fort të punojnë
E ma pak luksin me ndjekun

Me krevata e koleti
Shami të mëndafshtë për nen tabare
Per mbi kpucë kanë veshur geti
E çibukët në gojë si sumare

Le me lila e pompeja
Edhe thojt i kanë lustrue
Krehun flokësh mbas modash te reja
Burrat ftyrën të puderue.

E sa ka dert në kjoftë te shpija
Zjarmi e drita i mungojnë
Për buk ndoshta i kjanë fmija
E për ta as pak smendojnë.

Thonë se kriza na ka mlue
Shoqi shojnë i kjamë me lot
E mejhanet me i kërkue
Për nat të gjitha i gjen plot.

Asht për të ba tepër çudi
Gjith kjo pare kah na doli
Ner kafet ma me randsi
Dit as natë nuk pushon zholi

Me Paris jem barazue
Në qillë ka mërrijtun eleganca
E sna del fmive me i çue
Kryet javet nji herë planca.

Shiroka rebelohet, jo vetëm anës qytetëruese, por dhe mënyrës si qytetërohesh në atë kohë një pjesë e shoqërisë. Një pjesë të madhe të shoqërisë që “dukeshin”, jetonin si në përralla për sy të botës, dhe pastaj në familje apo në qelizën e shoqërisë, ishin deficitarë të mëdhenj. Shiroka kritikonte vesin e qejfit dhe kumarit, në kurriz të familjes, apo edhe ankesën për krizë, dhe pastaj harxhimin e lekëve në lokale, kumar dhe qejfe.
Në vitin 1935, Shiroka dhe grupi i tij që normalisht ishin të organizuar edhe për aktivitete të tjera, kërkon ndihma nga populli. Ai thotë në varg: Po mjerisht kjo krizë e shkretë, nder veprime më ka pengue, e prandej kam da ketë vjet, ndihmë publikut me i kërkue. Kot me i lanë me na kalue, tham se ju nuk e pranoni, pra, ma s’mirit me i kremtue, po ju lutena të na ndihmoni. Si gjithmonë diftou shkodranë, zemër bardhë e në shpirt i gjallë, se njatë ndihmë qi ke me dhanë, ke për të thanë i kjoftë hallall. I sinqertë dhe i drejt për drejtë, Kol Shiroka, ose “Mbreti i Karnevalit”, i kërkon ndihmë njerzve dhe normalisht ajo ndihmë, si gjithmonë në Shkodër është dhënë.

Shiroka në vargun e karnevalit kritikon edhe vesin tjetër të emërimeve të njoftunisë, farefisnisë apo edhe të punësimit të injorantëve. Ai shkruan në vitin 1936: Ne paç pasun ndoj kushri, Ministër o Deputet, ka pas të drejtën e nëpunësisë, pa dijtë me shkrujt emnin e vet. Sinjikative dhe e qartë, por ai po në këtë vit thotë: ....Paraqet popullin shqiptar, i cili ka qenë dikuer, fund e majë veshun në ar. Pastaj shton: E njaj ar qi ka pasë veshë, kah mendoni se ka shkue, njikto hajna ja kanë s’deshë, e ndër banka janë kanë çue......!!
Akuza është për klasën politike në përgjithësi, dhe Shiroka nuk ka asnjë ndalesë, ta këndojë si një varg karnevali.
 Kol Shiroka ka mbetur njeriu i madh i artit dhe vargut, por jo vetëm për “Karnevalin”, por për shumë e shumë bejta e batuta, dhe pse jo,  shfaqe në qytetin e madh dhe tradicional të Shkodrës. Ai është një nga njerzit më të cilësuar të veçorisë artistike që ka Shkodra, dhe patjetër kjo veçori është pikërisht Karnevali dhe sidomos poezia, vargu dhe kritika që e përshkonte atë.




Pjeter Gaci, dhe piano e tij!!


Pjetër Gaci,  “të lutem më lajmëro orën kur do vish të marrësh pianon, sepse nuk dua të jem aty”.

Kompozitori i madh shet pianon, që të blejë biletën, gruas së tij të ndarë nga familja për dekada.

                            Pjetër Gaci, shet gjënë më të shtrënjtë, për njeriun e zëmrës.


Nga  Besi Bekteshi



Nga fondet e shumta familjare të arkivit të Muzeut të Shkodrës një nga më prekësit, nga më lënduesit në konceptin e një jete e cila ka pulsuar midis muzikës dhe sakrificës familjare, është ajo e kompozitorit të madh shkodran Pjetër Gaci. Talenti dhe njohja e madhe e muzikës, por edhe përkushtimi janë një veçori e të qënit kompozitor, por Pjetër Gaci në fakt, nuk e ka nisur shkollën dhe jetën e tij si një i tillë. Pjetër Gaci ka mbaruar në Moskë konservatorin për violinë, sëbashku me shumë studentë shqiptarë të asaj kohe në Bashkimin Sovjetik. Në atë kohë, ai njohu edhe një vajzë ruse shumë të re Tamarën, e cila me kthimin e studentëve, dhe prishjen e marrëdhënieve me shtetin e madh komunist, vazhdoi jetën e saj familjare sëbashku me Pjetrin në Shqipëri. Tamara është një nga gratë ruse e dashuruar me burrin e saj shqiptar, e cila duroi edhe kalvarin e persekutimit të qënies së saj ruse. Kjo edhe pse burri i saj ishte një gjeni i muzikës dhe pse burri i saj, ishte një njeri tepër i dashur për publikun. Në të vërtetë, izolimi në katër dekada me familjen e saj, dhe rropatjet shpesh herë nëpër katakombet e një shteti armik me të tilla bashkime, e kanë bërë këtë grua të devotshme, një ruse të vërtetë besnike të bashkëshortit të saj, por edhe Pjetër Gacin, një burrë i cili nuk harroi, nuk u përkul në dashurinë dhe respektin ndaj asaj vajzës së re, e cila u betua një herë dhe qëndroi deri në fund me njeriun e jetës së saj.
Gjithsesi në të mirë dhe në të keq, në frikën e regjimit dhe arritjet e sukseset në art, jeta e dy bashkëshortëve kaloi me mjetin që të jep postulati “kemi muzikën për të mos vdekur nga....”!!  Gjithsesi vjen momenti që Shqipëria nuk është më vëndi i izoluar dhe patjetër që krijohet mundësia që Tamara të mund të udhëtojë për në Moskën e saj. Ajo aty kishte prindërit, por edhe vëllanë. Sikleti i madh dhe pamundësia e jashtëzakonshme e një kompozitori si Pjetër Gaci, janë vendosur edhe një herë në qëndër të universit të tij jetësor. Tashmë rruga për njeriun e dashur të jetës së tij është e lirë, por mungojnë mjetet financiare për këtë udhëtim. Një gjigand si Pjetër Gaci që nuk ka financa mbas një prodhimi dhe një suksesi të madh....po, kjo ka qënë në ato vite në përgjithësi edhe morali i shoqërisë dhe kështu dolën shumë e shumë gjeni të artit, kulturës, dhe pse jo të sportit dhe profesioneve mbas një regjimi i cili i trajtoi në mënyrë të tillë. Një nga dëshmitë më të bukura në arkivin e Muzeut të Shkodrës për këtë moment është edhe ajo e zotit Qamuran  Kaduku, një profesionist shkodran, i cili tregon se si ka komunikuar kompozitori i madh, kur i ka shitur pianon me qëllimin e vetëm që e shoqja Tamara, të shkonte në Moskë, të shkelte dheun e saj, dhe të shikonte njerzit e saj. Kaduku tregon se: Në vitin 1991, Pjetër Gaci ka nxjerrë në shitje pianon e famshme të tij, atë, me të cilën janë kompozuar kryevepra të muzikës shqiptare. Arsyeja e deklaruar dhe e pranuar plotësisht, ka qënë blerja e biletës së avionit, me të cilën do të udhëtonte për në Moskë e shoqja Tamara Gaci. Mirëpo kjo është vetëm pjesa  e vogël e një tragjedie, që kishte filluar që në vitet kur Shqipëria dhe Rusia u prishën politikisht. Zoti Kaduku në vitin 2010-të, ka dhënë si informacion në muze, pranë arkivit, dhe porosinë e Pjetër Gacit që i ka lënë blerësit. Kjo porosi është e shkurtër dhe e qartë. Ajo thotë: Kur të vish me e marrë pianon, më njofto më parë orën, që të mos gjindem aty......!!  E kështu ka ndodhur, blerësi ka marrë tashmë mallin e tij, kurse Pjetër Gaci ka dalë për të mos qënë prezent në çastin kur pianoja e tij, do të shkonte në tjetër vënd. Në fondin për Pjetër Gacin, ka shumë reperte interesante të tjera, ka letra nga miqtë e tij në kohë të ndryshme, personalitete nga më të mëdhatë si gjatë jetës, dhe në momentin e vdekjes, e cila ndodhi shumë afër momentit të ndarjes nga pianoja. Por një nga më të bukurat është edhe një letër nga një nxënëse e prof Papavramit si violiniste, e quajtur  Isabelle Berquir, e cila që nga Argjentina e siguron se duke luajtur koncertin e prof Gacit në “si minor” ka pasur shumë sukses. E kjo letër ka ardhur në vitin 1992, si për ta gëzuar profesorin e madh të muzikës shqiptare, i cili vdiq vetëm pak vite më vonë.
Gjithsesi Pjetër Gaci ka edhe një koinçidencë tepër sinjikative dhe të trishme. Ai ka lindur në 27 mars të vitit 1931, dhe ka vdekur në pikërisht 27 mars të vitit 1995. Normalisht unë edhe në disa intervista me bashkëshorten e tij, kam evindetuar kalvarin e jetës të njeriut të 300 veprave muzikore, për të cilin sot nuk janë kujtuar kaq shumë në përvjetorin e tij të vdekjes, dhe të lindjes, as në Shkodër dhe as në Tiranë. Jemi në 80-të vjetorin e lindjes, por asgjë nuk është bërë pikërisht në këtë përvjetor.  Pasuria  muzikore e këngës “Për Ty Atdhe” i operave “Toka Jonë” dhe “Përtej Mjegullës”, i këngëve të mrekullueshme “Shqiponjë e Lirë”, “Gryka e Kaçanikut”, “Ky merak”, “Qytetit tim”, “Lahutari” etj etj....është shumë shumë e madhe, dhe normalisht nuk duhet të lejojë harresën e përvjetorit të lindjes, dhe të vdekjes, së autorit të madh shkodran. Sot luhen në botë veprat e autorit të parë të këtij lloji në Shqipëri, si ato për violinë e orkestër,  që janë “Fushave” dhe “Elegji”. Tamara, e shoqa e kompozitorit të madh, ka lënë gati dy copa të një fotografie, të cilat do të jenë bashkë edhe në banesën e fundit. Ajo më demostron edhe “Diskun e Artë” të vetmin ndoshta në Shqipëri të një viti mbas vdekjes i cili është për Pjetër Gacin. Ky disk, nuk është demostruar dhe ndodhet në bibliotekën e çiftit Gaci, dhe Tamara e ruan me një dashuri të madhe. Mijra dhe qindra reperte apo shirita, dhe pjesë origjinale, që ndodhen në fondin e tij, tashmë janë në rrezik, dhe për këtë nuk është hera e parë që Tamara Gaci flet, por akoma nuk është i gjithë interesi në rrugë të mbarë. Kërkohet një ruajtje dhe hedhje e tyre në mënyrë profesionale në hard disk, e këtë e vetme Tamara Gaci, nuk ka mundësi ta kryejë. Një harresë e tillë për një kompozitor kaq të madh nuk është aspak normale, dhe për më tepër Shkodra nuk duhet t’ja lejojë vetes, duke qënë se ka edhe institucione me emrin e gjeniut të muzikës shqiptare. Pjetër Gaci është “Artist i Popullit”, por më tepër se sa kaq, është një fenomen muzikor i artit shkodran dhe shqiptar.

Bekim Fehmiu ne Shkoder 1972

                       Bekim Fehmiu dhe Shkodra në vitin 72.
                                                     
                                                             Nga Besi Bekteshi
                                         Vizita në vëndin ku ka jetuar në vitet 39-41.

Takimi me historinë dhe frymëzimi për “Skënderbeun”.

Bekim Fehmiu ose më qartë aktori i madh i “Odisesë” në rolin e Uliksit në krah të Irene Papas, njohur nga shqiptarët më vonë si një hero kinematografie, ka vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Ishte akoma një kohë “liberalizmi” dhe akoma nuk kishte filluar goditja vdekjeprurëse  artit dhe kulturës në Shqipëri nga Enver Hoxha, e në këtë fazë, është lejuar edhe vizita e një aktori të tillë të madh, në vëndin më të izoluar ndoshta të të gjithë botës. Në një fletë të muzeut të atëhershëm në Shkodër, në datën 30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan me dashuri për Shkodrën: Jam i lumtur që mbas tridhjetë e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytet ku kam kaluar vitet e para të fëminisë s’ime, rrajët kishin qënë të thella dhe të pa shpërngulta.....Bekim Ibrahim Fehmiu....Shkodër me 30-Prill. 1972. Një gjuhë e bukur në një shqipe të veriut dhe sidomos shprehja “ të pa shpërngulta” në atë kohë ishin shumë dëmethënëse për të gjithë ato që kishin mundësi ti lexonin. Një dedikim dhe përshtypje e ndjerë e një kosovari “gjysëm shkodran” me origjinë nga Gjakova, që kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij dhe fillimin e shkollës në qytetin e Shkodrës. I jati tij Ibrahim Fehmiu, i lidhur me patriotët anti serbë, por edhe me një përndjekje të gjatë, ka qënë një mësues si në vitet 20-të, por edhe një qytetar i Shkodrës në vitin 39-të dhe drejtor didaktik i shkollave fillore. Sikundër thotë dhe djali i aktorit të madh që tashmë nuk jeton Uliksi, emrat e fëmijëve të Ibrahimit ishin vënë kështu: Vajza më e madhe u quajt Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës. Afërdita është edhe vajza që ka lindur në Shkodër. Por një pjesë e madhe  e fëmijëve kanë qënë në shkollë në qytetin e madh verior në shkollën “Skanderbeg” të lagjes Rus. Bekimi është larguar nga Shkodra në vitin 41 dhe në këtë mënyrë ai shkruan i qartë dhe mungesën prej 31 vitesh në qytetin ku ka mësuar për herë të parë të lexojë.
Në Shkodër në atë kohë, edhe pse me një kujdes të madh nga ana e autoriteteve si të partisë e cila kontrollonte gjithshka dhe më në prapavijë atyre të sigurimit, e kanë pritur me një gëzim dhe respekt të madh njerzit, sidomos ato të kulturës dhe artit. E gjithë trupa e teatrit “Migjeni” dhe pjesët intelektuale të qytetit, por dhe kulturës në veçanti, kanë mundur të jenë afër tij. Shoqëruesi i përhershëm i Fehmiut ka qënë drejtori i atëhershëm i teatrit Jovan Vojushi që nuk jetom më. Fehmiu i veshur në mënyrë të kohës, por tepër serioz, ka dalë në disa dhjetra foto me të ndjerët Serafin Fanku e Tano Banushi, Vitore Nino e Bep Shiroka, por edhe Bik Pepa e Mërgim Muhja si dhe të tjerë, të cilët nuk janë më. Janë në foto në një gëzim të veçantë shumë artistë të skenës shqiptare, letrarë dhe kompozitorë e këngëtarë të Shkodrës. Janë në foto me Fehmiun, Fadil Kraja, Esat Kola, Ymer Bala dhe Katrina Biga, Bik Ndoja dhe Mark Kaftalli, Paulin Preka dhe i riu Zef Deda në atë kohë, e vogla e asaj kohe Violeta Zefi, por dhe Bruno Shllaku etj etj. Me aktorin e madh janë shumë e shumë artistë, dhe patjetër Fehmiu ka takuar ose më mirë të themi është lejuar të takojë edhe qytetarë të ndryshëm në rrugët e Shkodrës. Ai ka takuar edhe bashkëshorten e Bajram Currit dhe familjen e saj në Shkodër, ka vizituar Muzeun e Shkodrës, dhe ka takuar shumë njerëz të historisë dhe letrave, në mes tyre edhe prof Karahman Ulqinin, por edhe shumë të tjerë, dhe është interesuar në mënyrë të veçantë për historinë. Në një nga sektorët ku ka qënë edhe historia e Gjergj Kastriotit, Fehmiu i emocionuar shumë, ka kujtuar se “duhet një film i madh i luajtur nga një shqiptar për Skënderbun” dhe nga kjo batutë, ka dalë edhe e thëna e asaj kohe, se Bekim Fehmiu, ka kërkuar të luajë Skënderbun. Në fakt, Fehmiu ka treguar se nuk ka një film për Skënderbeun, të luajtur nga një shqiptar, duke ditur se aktori i filmit të realizuar kryesisht nga sovjetikët, ishte një aktor gjeorgjan. Vizita e Fehmiut, ka bërë një bujë të madhe në qytetin e Shkodrës dhe duhet thënë se në atë kohë një aktor i tillë, i përmasave të mëdha, që kishte luajtur një nga filmat më të realizuar për “Odisenë”, është parë edhe me interesin e madh të një “lirie” dhe kontakti me botën. Fehmiu ka vizituar edhe në shtëpinë e dikurshme, dhe është interesuar edhe për të dhëna të tjera mbi familjen dhe sidomos të jatin e tij. Është interesuar për të shkuarën e familjes dhe miqësitë e dikurshme, apo edhe për emra të komshive. Bekim Fehmiu në atë kohë pinte shumë cigare, dhe në një rast i kanë afruar një cigare nga markat e reja të prodhimit të fabrikës së Shkodrës, e batuta e asaj rradhe ka qënë sipas njerzve prezent në takimet me të: Ky po, që është duhan i fortë, dhe i pastër si vetë ky qytet. Një ditë mbas Bekim Fehmiu mori pjesë në tribunë në paradën e “1 Majit” në Tiranë dhe normalisht që tërhoqi vëmëndjen e madhe të njerzve, që vizitën e tij, e shikonin si një premisë të një lëshimi nga diktatura.