Vështirësitë e datës së lindjes së Migjenit, në dokumentat origjinale të tij.
Dosier-speciale
Besi Bekteshi
Poeti i jashtëzakonshëm i qytetit të madh kulturor të veriut, prozatori modern dhe tepër kontravers si me kohën dhe idetë e saj Millosh Gjergj Nikolla, ka në 30-të shtator të këtij viti 100 vjetorin e lindjes. Duke qënë se arkivi i Muzeut të Shkodrës ka një dokumentacion të pasur të jetës dhe veprës së Migjenit, dhe duhet thënë, atë më autentikun, është interesante të shikohet se sa vështirësi ka pasur edhe përcaktimi i datës së lindjes së poetit, që akoma edhe sot, është më i guximshmi dhe më i diskutuari në letërsinë shqipe. Unë nuk do të diskutoj mbi një të sotme, që Migjenin e shikon si një moment alternativ kritike dhe polemike, sidomos për origjinën e tij. Unë besoj te e vërteta e tij si i lindur në Shkodër, talentin e trashëguar të qytetit, daljen e tij letrare jashtë kornizave të mbyllura të kohës dhe biles, edhe të kësaj kohe. Por akoma më shumë, besoj se në qoftëse ai do të kishte pasur jetë, diktatura e Hoxhës e cila në fakt kishte leverdi ta glorifikonte, do ta kishte pushkatuar të parin. Pikërisht të parin, një rebel i tillë prozaik dhe po ashtu në poezi, i cili nuk do të kishte pasur shumë jetë profesionale dhe besoj biologjike, me një regjim, i pa asnjë liri mendimi dhe fjale. Pastaj polemikat që autorë të ndryshëm bëjnë për të, për efektet anësore jashtë letërsisë dhe brënda gjeografisë dhe religjonit, janë të tjera gjëra, të cilat si gjithmonë nuk mund të mbyllen për një njeri të madh, ndoshta si më të madhin në talent që ky vënd ka pasur, por që natyrisht, jetën e pati shumë të shkurtër. Pastaj se është Shkodra që veç Migjenit ka edhe viganë të tjerë si Fishta, Mjeda, Shiroka etj etj, kjo është akoma më mirë, sepse tregon edhe trevën fertile në këtë rast.
Me që i thashë këto, për të cilat do të kthehem dikur më vonë edhe me rekorde të tjera, po mundohem të paraqes dokumente origjinale, edhe për vështirësinë e përcaktimit të datës së lindjes së Milloshit. Ka pasur tepër vështirësi dhe duket po të shikohet edhe sot se vetëm një gjygj e ka zgjidhur disi problemin ligjor, por jo datat e shumta në dokumentet e autorit të madh. Një nga problemet e mëdha që ka dalë në përcaktim të datës së lindjes së tij, është se normalisht, ai ka lindur në Shkodër, dhe ka qënë një orthodoks e patjetër edhe në regjistrat fetarë, por që pastaj kanë vazhduar edhe në shkollimin e tij e mund të jetë {është bindje} kalendari orthodoks kishtar. Unë këtë gjë e kam të qartë edhe nga Paulin Pero, punonjësi i talentuar dhe rigoroz i arkivit të Muzeut të Shkodrës. Por pavarësisht kësaj, në një pjesë të rëndësishme të dokumentacionit origjinal të fondit Migjeni, ka disa mospërputhje të rëndësishme, që me një dokument, i cili riparon datën e pasaportës së shtetit shqiptar, e cila e deklaron ditën e lindjes së Migjenit si në 30-9-1909. E riparon...por është më herët se pasaporta dhe kjo është shumë e dyshueshme. Është pikërisht një datë që në ditën e muajin përkon, por përsa i përket vitit, luan me dy vite përpara. Pra në qoftëse do të ishte kjo datë ne nuk do të kishin përpara 100 vjetorin e lindjes së poetit dhe prozatorit të madh, por 102 vjetorin. Normalisht që pothuaj të gjithë kanë rënë dakort me datën e lindjes së tij, por ama dokumenti që e ka të shkruar këtë datë po themi gabim, është Pasaporta e Shtetit Shqiptar, e lëshuar për vetëm në Itali në kohën e sëmundjes së tij në datën 13-12-1937. Kjo pasaportë, ka një vlejtëshmëri për një vit, dhe është dokumenti i fundit zyrtar që poeti shkodran ka pasur në fundin e jetës së tij. Mirëpo ky dokument, ka qënë bazë në formulimin e dokumentacionit të formuar në momentin e vdekjes së tij në Torino me datën 26 gusht të vitit 1938. Këtë nuk e vërteton dhe dokumenti origjinal i “Komunës së Torre Pellice” e cila përcakton vëndin dhe kasetën ku janë edhe eshtrat e poetit Milosh Gj Nikolla, dhe datën e lindjes së tij e vendos 13 tetor 1911 në Shkodër. Për më tepër dokumenti është i vitit 1955 dhe i datës 6 tetor dhe është dhënë për të sjellë pikërisht eshtrat e Migjenit në vëndin tonë, dhe aty biles thuhet “Cimitero Comunale di Tirana”. Pra edhe në këtë dokument zyrtar të saktë nga Italia është diskordanca në ditën e lindjes së Migjenit, por viti është sëpaku në këtë rast jo i diskutueshëm, kurse data e lindjes dhe muaji me sa duket, kanë diferenca edhe në saj të verifikimit të pasaportës dhe çertifikatës së korrigjuar e cila sqaron se ku qëndron gabimi. Patjetër që njerzit ose për më tepër motra Olga do të kenë paraqitur dokumenta të cilat dalin edhe nga kisha apo religjoni, dhe mund të jetë e mundur dallimi nga kalendari në kalendar, po të kemi parasysh ndryshimin. Është e habitshme se nga Bashkia e Shkodrës, Gëndja Civile, është lëshuar një dokument i plotë-çertifikatë i datës 26-1-37, ku datëlindja e Migjenit theksohet se është 30-9-1911. Patjetër që është diçka e çuditëshme sepse Pasaporta me numër 47 dhe i librit 479 e datës 13-12-37 ka një periudhë 11 muajsh më pas që ka dalë nga e po e njëjta zyrë, dhe me data të ndryshme të lindjes. Pra pasaporta është bërë më vonë gati një vit, dhe çertifikata para pothuaj një viti e nëpunësit Hamdi Fetiu thotë datën 30-9-1911. Të dy janë dokumente që dalin nga institucionet e Shkodrës dhe për më tepër se Fetiu sqaron se është “Gjygji i Paqit të Këtueshëm, kte datëlindje, e ka korrigjue ne dt 1911”. E megjithatë, edhe pse çertifikata e tillë ka sqaruar se “datëlindja është korrigjuar” pasaporta është bërë me datëlindjen e regjistrit të vitit 25 maj 1930-të që e deklaron 30-shtator-1909. Kjo çertifikatë e lëshuar përpara pasaportave dhe që ka për bazë një gjygj të paqit në fakt, është edhe ajo, që tashmë ka vendosur edhe datëlindjen e Migjenit, por....!! Por pasaporta e Migjenit për “Europë”...në atë kohë lëvizja e shtetasve shqiptar ishte e lirë...me numër 353-74 dhe me numër libri 282 e lëshuar me datën 23-7-1935, datëlindjen e vendos në vitin 1909. Një pasaportë e Migjenit e lëshuar në 17-6-1932 me numër 2 dhe libër 73 ekzagjerohet fare dhe e shkruan ditëlindjen 1912-të, dhe kjo pasaportë ishte vetëm për Shqipëri. Por edhe Letër Njoftimi i tij i vitit 1933 me numër-298 vitin kohën e lindjes e ka 1909-të. Kuptohet se dokumentacioni ka pasur disi rrjedhje po të themi...në një farë mënyre, por me sa duket edhe ditëlindja e Migjenit ka pasur probleme, dhe kjo kuptohet deri sa ka ardhur dita për të bërë gjygj për caktimin e pikërisht datës dhe muajit, por edhe vitit. Ka pasur probleme data e lindjes, dita e lindjes dhe për më tepër edhe viti i lindjes, së një prej autorëve më të jashtëzakonshëm jo vetëm të Shqipërisë, por për kohën edhe jashtë teritorit të saj. Kjo tashmë është më se e qartë. Ka një dokument shkollor, i cili ka edhe ai një datë, dhe ky dokument është në serbokroatisht që jep gjeneralitetet e Migjenit, që është plotësuar me sa shikohet në 1929-tën. Ai ka edhe një datë lindjeje e cila nuk është qartësisht e shënuar, por duket të jetë 28 tetor 1911, por e theksoj se është një plotësim tepër i dyshueshëm për rregullsinë e tij. Në përgjithësi korrigjimet, dhe modelet e asaj kohe, janë disi të dyshueshme, por është edhe koha kur në përgjithësi shteti ishte një moment në ndreqje, edhe pse ishte tepër i rregullt në seriozitetin e tij.
Dokumenti që është marrë si bazë dhe përjashton edhe ditëlindjen e Migjenit në saj të interpretimit të kalandarit dhe që korrigjon dhe regjistrin e Gjëndjes Civile të autorit të Poemës së Mjerimit dhe shumë e shumë vjershave, apo edhe prozën e shkurtë të jashtëzakonshme, është ai i cili largon datën 30 shtator 1909-të dhe vendos datën 30 shtator 1911. Ky dokument ka vetëm kundërshtinë e pasaportës e cila ka dalë po nga kjo zyrë, por më vonë, dhe në një farë mënyre i komplikon disi gjërat.
Gjithsesi Migjeni ka në dukomente katër kohë lindjeje dy janë të shtetit, një e dalë nga Italia në saj të të dhënave të familjes dhe ndonjë dokumenti po në këtë drejtim dhe një dokumenti shkolle. Por ne jemi në vitin 2011 dhe tashmë është 100 vjetori, e ky normalisht që është momenti për ta kujtuar, të tjerat pak rëndësi kanë...shumë pak.
Nessun commento:
Posta un commento