Kol Shiroka dhe vargu i karnevalit shkodran.
Kol Shiroka dhe poezia karnaveleske shkodrane e viteve 30-të.
Dëshmitë e karnavalit shkodran dhe tradita e bejtes, apo vargut karnevalesk.
Besi Bekteshi.
Vargu karnevalesk është “institucionalizuar” afër viteve 28-29 të shekullit të kaluar, por afishe dhe botimen të tij ka disa të viteve më vonë, në Muzeun e Shkodrës.
Një nga cilësitë e kritikës karnevaleske në Shkodër është e drejtpërdrejta dhe morali në shoqëri.
Ja se çfarë vargëzohet në 23 shkurt të vitit 1933 nga “Grupi Argtimuer”.
Dhe doktorat janë tërbue
Kah i kanë mbushë xhepat me arë
Hordheku vjen tuj u shtue
E ato kanë ishtiharë
Asht kollaj për me e dijtë
Si bahet nieri zenjin
Merr pesë frang për nji vizitë
Dy dekika, ma nuk rrin.
Mandej të nisë te barnatori
Për pa ba kurrfarë hesapit
Se ndër to sot lot pazari
Porsi mishi në dorë të kasapit.
Kuer del nieri me recetë
Barnetarët me kërkue
Diku pesë, diku pesëmbëdhetë
Kurrnji çmim se gjen caktue.
Patjetër që historia përsëritet, dhe karnevali në Shkodër, tregonte, akuzonte dhe demaskonte veset e një shoqërie, shtrese, por edhe fillimi të një ndjenje shoqërore që kërkonte drejtësi sociale.
Kol Shiroka në vitin 1935 tregon edhe në vargun e vet, se ka gjashtë vite që merret me këtë poezi karnevali kur thotë: Tash gjasht vjet qi kem fillue, nuk kam pasë tjetër qellim, veç kësaj ditë formën me ndrrue, e me e sjellë në modernizim.
Shiroka ka kapur një nga veset e shoqërisë, e cila sillet tepër sipërfaqësore, qëndron e veshur mirë, por nuk merret me familjen, me fëmijën dhe ankohet e ankohet.....por duke qëndruar në klube. Ngjashmëria me sot është diçka e jashtëzakonshme. Akoma më tepër se në vitin 1934, Kol Shiroka vëren “modernizma e luks”, por brënda janë të zbrazët, kot, dhe pa dyshim artificialë.
Shkodra ishte një pararojë atëhere e modernizmit në jetë, dhe kontradiktës së madhe në shoqërinë akoma jo të mirë konsoliduar, në qytetërim.
Ja si vargëzon Shiroka në karneval dhe krizën e vitit 1934.
Kuer do herë nuk asht kurr vonë
Popllit vrejtjen me ja hekun
Me e nxitë ma fort të punojnë
E ma pak luksin me ndjekun
Me krevata e koleti
Shami të mëndafshtë për nen tabare
Per mbi kpucë kanë veshur geti
E çibukët në gojë si sumare
Le me lila e pompeja
Edhe thojt i kanë lustrue
Krehun flokësh mbas modash te reja
Burrat ftyrën të puderue.
E sa ka dert në kjoftë te shpija
Zjarmi e drita i mungojnë
Për buk ndoshta i kjanë fmija
E për ta as pak smendojnë.
Thonë se kriza na ka mlue
Shoqi shojnë i kjamë me lot
E mejhanet me i kërkue
Për nat të gjitha i gjen plot.
Asht për të ba tepër çudi
Gjith kjo pare kah na doli
Ner kafet ma me randsi
Dit as natë nuk pushon zholi
Me Paris jem barazue
Në qillë ka mërrijtun eleganca
E sna del fmive me i çue
Kryet javet nji herë planca.
Shiroka rebelohet, jo vetëm anës qytetëruese, por dhe mënyrës si qytetërohesh në atë kohë një pjesë e shoqërisë. Një pjesë të madhe të shoqërisë që “dukeshin”, jetonin si në përralla për sy të botës, dhe pastaj në familje apo në qelizën e shoqërisë, ishin deficitarë të mëdhenj. Shiroka kritikonte vesin e qejfit dhe kumarit, në kurriz të familjes, apo edhe ankesën për krizë, dhe pastaj harxhimin e lekëve në lokale, kumar dhe qejfe.
Në vitin 1935, Shiroka dhe grupi i tij që normalisht ishin të organizuar edhe për aktivitete të tjera, kërkon ndihma nga populli. Ai thotë në varg: Po mjerisht kjo krizë e shkretë, nder veprime më ka pengue, e prandej kam da ketë vjet, ndihmë publikut me i kërkue. Kot me i lanë me na kalue, tham se ju nuk e pranoni, pra, ma s’mirit me i kremtue, po ju lutena të na ndihmoni. Si gjithmonë diftou shkodranë, zemër bardhë e në shpirt i gjallë, se njatë ndihmë qi ke me dhanë, ke për të thanë i kjoftë hallall. I sinqertë dhe i drejt për drejtë, Kol Shiroka, ose “Mbreti i Karnevalit”, i kërkon ndihmë njerzve dhe normalisht ajo ndihmë, si gjithmonë në Shkodër është dhënë.
Shiroka në vargun e karnevalit kritikon edhe vesin tjetër të emërimeve të njoftunisë, farefisnisë apo edhe të punësimit të injorantëve. Ai shkruan në vitin 1936: Ne paç pasun ndoj kushri, Ministër o Deputet, ka pas të drejtën e nëpunësisë, pa dijtë me shkrujt emnin e vet. Sinjikative dhe e qartë, por ai po në këtë vit thotë: ....Paraqet popullin shqiptar, i cili ka qenë dikuer, fund e majë veshun në ar. Pastaj shton: E njaj ar qi ka pasë veshë, kah mendoni se ka shkue, njikto hajna ja kanë s’deshë, e ndër banka janë kanë çue......!!
Akuza është për klasën politike në përgjithësi, dhe Shiroka nuk ka asnjë ndalesë, ta këndojë si një varg karnevali.
Kol Shiroka ka mbetur njeriu i madh i artit dhe vargut, por jo vetëm për “Karnevalin”, por për shumë e shumë bejta e batuta, dhe pse jo, shfaqe në qytetin e madh dhe tradicional të Shkodrës. Ai është një nga njerzit më të cilësuar të veçorisë artistike që ka Shkodra, dhe patjetër kjo veçori është pikërisht Karnevali dhe sidomos poezia, vargu dhe kritika që e përshkonte atë.
Nessun commento:
Posta un commento