Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

sabato 28 gennaio 2012

Emisioni EURODITA me arkitektin Zef Cuni dhe gazetarin Besi Bekteshi

Problemetika e qendrimit intelektual ne shoqerine e sotme shkodrane. Media dhe pavaresia e saj. Urbanistika dhe arkitektura. Trashegimia kulturore dhe gazetaria ne profesionin e saj.
Besi Bekteshi dhe Zef Cuni ne emisionin EURODITA ne TV Rozafa
Drejtues emisioni Mirsad Sylja dhe Sead Cena

venerdì 13 gennaio 2012

Urdher i vitit 1937....Merrni zonjat dhe femijet, ne ndeshjen Vllaznia-Pogradeci

Imponimi i qytetërimit, edhe përmes tifozerisë së futbollit, në vitin 1937.


 Dossier

Besi Bekteshi

Trashëgimia tepër e pakët e kulturës sportive, por dhe mungesa e madhe e shoqërizmit në publik, e sjelljes në përgjithësi, ka qënë  edhe problemi i madh i kohës së monarkisë shqiptare. Në kohën e sotme, në leximin në qetësi të fakteve dhe rrethanave, mund të kuptohet më qartë dhe në mënyrë konkrete, edhe shumë hapat apo veprimet, që në dukje ishin detyrues apo shtrëngues në drejtim të qytetërimit.
Shkodra në vitet 30-të, ishte pa dyshim vëndi më sportiv dhe me shoqëri të shumta të tilla dhe nuk ishte vetëm futbolli. Në Shkodër, kishte shoqëri të shumta dhe grupe çiklizmi, alpinizmi, atlektike, megjithëse në forma rudimentare, por ishin. Pa përmëndur pastaj bandat e shumta dhe shoqëritë kulturore. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Në arkivin e Muzeut të Shkodrës, kam disa dokumenta, të cilët bëjnë fjalë në këto vite për të bërë civilizimin e shoqërisë, arsyet pse duhej bërë disi me imponim, dhe si duhej bërë. Normalisht që në fushat e futbollit mblidheshin tifozë, dhe Shkodra kishte disa, por aty shkonin ekskluzivikisht vetëm burra. Sporti ishte një domen mashkullor, dhe gjinia tjetër, as që bëhej fjalë të ishte prezent. Ka disa relacione të Prefektit dhe Kryetarit të Bashkisë që e trajtojnë këtë teme. Pastaj ka relacione të shumtë, për të krijuar premisa mbi përfshirjen e familjes në shfaqe të mëdha popullore, dhe më e madhja shfaqe në fakt...ishte futbolli. Duhej ecur drejt ngritjes të familjes, respektit për të, çiftit, dhe konceptit liberal të pjesmarrjes së femrës, gruas dhe vajzës, në aktivitetet e shumta që bëheshin, por që ishin siç e thashë më sipër, një diçka....mashkullore. Normalisht, edhe biçikleta edhe pse kishte tendenca të forta përdorimi nga femrat...ishte diçka mashkullore.  Nga autoritetet lokale, por edhe nga Ministria e Arsimit, Ministria e Brëndëshme dhe sidomos në pikpamjet e shtetit shqiptar, duhej shfrytëzuar sporti si mjedis kolektiv, tepër social, për të bërë të mundur çlirimin e shoqërisë nga maskilizmi dhe rundimenti i mos paraqitjes së familjes në publik dhe shfaqe.
Një nga dokumentet që vërteton më së miri, imponim, por edhe qytetërim, është një  “urdhër qarkore” me numër 79/29 i datës 24/5/1937 i Prefektit të Shkodrës, drejtuar Kryesisë së Bashkisë, Prokurorisë së Shtetit, Drejtorisë së Financës, Drejtorisë së Gjimnazit të Shtetit, Drejtorisë së Spitalit të Shtetit, Odës së Tregtisë, Inspektoriatit të Arsimit, Drejtorisë së Doganave. PTT-së. Dukej madhësia e interesit dhe vëmëndjes që ky urdhër kishte, sepse duhej të angazhoheshin të gjitha hallkat e shtetit dhe pushtetit lokal. Prefekti Hurshiti bënte me dije se kishte një urdhër të Ministrisë së Brëndëshme, që të lajmërohen të gjithë nëpunësit e martuar që.... me që luhej ndeshja midis Vllaznisë dhe Pogradecit të merrnin edhe zonjat (nuk thuhej gratë) dhe fëmijët, për të parë ndeshjen në fushë të topit...!! Por, ama kishin vëndin e posaçëm të tyre të siguruar nga sporti, dhe askush nga të urdhëruarit nuk do të paguante lek. Kërkohej edhe lista e nëpunësve të martuar dhe thuhej se po të mos merrej pjesë....do të kishte edhe pasoja. Ky urdhër i shkonte të gjitha drejtorive, dhe burrat e martuar, duhej të merrnin zonjat si detyrim dhe fëmijët po të donin, dhe të shikonin ndeshjen me Pogradecin.  
Nejse....në urdhër, ka dy probleme, dhe i pari është modeli për të ndarë shoqërinë tonë përfundimisht nga deprimenca dhe retroja e kaluar, si dhe trashëgimia normalisht lindore e trashëguar. Problemi tjetër është se bëhej me një farë imponimi, kjo gjë. Por ama ndeshja u pa nga familje të shumta, që dolën si në piknik në fushë të topit. Tendenca që edhe nëpërmjet tifozerisë të zbusnin shoqërinë shqiptare ishte evidente. Normalisht që një imponim ishte një urdhër.....por qëllimi, patjetër ishte një model përparimtar, civil, dhe pse jo kombëtar, duke pasur parasysh zhvillimin dhe ecjen drejt perëndimit. Ishte një kohë kur administrata duhej riformatuar sipas modelit europian, veshur sipas modelit të tillë dhe patjetër edhe një ndeshje futbolli ku ishte e pranishme familja, bënte një diferencë të madhe në drejtim të shoqërizimit dhe qytetares në Shkodër dhe Shqipëri.

Të vjen keq kur shikon sot në fakt, një fushë futbolli dhe “civilizimin” që tregon, por ky është një moment tjetër dhe kohë tjetër, që nuk ka lidhje me kohën në të cilën duhej të imponohej respekti për familjen dhe për sportin.
Në disa dokumenta të tjera, vihet re shumë qartë se mënyrat e prezantimit, të veshjes dhe të komunikimit zyrtar kishin si detyrim të imponoheshin, por qëllimi ishte civilizimi dhe bashkimi me Europën edhe pa bërtitur dhe uluritur si sot ..... integrim....integrim!!  E më e bukura ishte se goditej aty ku kishte më shumë rezistencë, aty ku mund të mendohej se kishte më shumë problem. Ishte në të vërtetë guximi i një mentaliteti i cili i kundërvihej me forcën e arsyes dhe ligjit.....mentalitetit retro të shumicës së shqiptarëve dhe ky guxim në fillim kërkonte kthimin nga realiteti europian të administratës.  Fatkeqësisht një lloj imponimi në qytetërim i monarkisë vazhdoi më vonë me dhunën e diktaturës e cila sëpaku në sport u tregua disi më pak brutale, por që arriti të shoqërizojë disi situatën. Por ama askush nuk urdhëronte “merrni zonjat dhe fëmijët”, por urdhëronte “të gjithë”...... dhe ......fjalia vazhdonte me mësimet e partisë dhe Enverit.

 Besi Bekteshi pergjegjes Arkivi Muzeut Shkoder

venerdì 6 gennaio 2012

Britanikët, si formuesit e gjendarmëve të Mbretit Zog.


Gjeneral, Sir Jocelyn Percy, ose memoria perëndimore që na mungon.
Kush ishin njerzit që ndihmuan në vensosjen e autoritetit të ligjit dhe rendit, në vitet 30-të.
Britanikët, si formuesit e gjendarmëve të  Mbretit Zog.


dossier
Besi Bekteshi

Nga shumë histori, por edhe respekte të krijuar në momentin “dikur”, është shumë e dukshme raporti i gjendarmëve të Mbretërisë sidomos mbas viteve 1928. Ka një rol të dukshëm dhe të qartë instruktimi dhe strategjia e atëhershme mbi vendosjen e rendit dhe kontrollin e teritorit në një vënd, ku shteti sa po formohej në tërësinë e tij. Ishte kohë fillestare formimi shtetëror, shoqëror, prapambetje tepër e madhe, por rendi dhe siatuata e tij, është vendosur në mënyrë shumë të qartë dhe të shpejtë. Po cila rrugë dhe cilët faktor ishin ato që bënte që si teritori dhe njeriu shqiptar të kontrolloheshin dhe ishin pjesë e trysnisë relative të ligjit, dhe respektit të imponuar, ndaj pikërisht ligjit? Kush ishin idetë dhe njerzit e asaj kohe, të sa po dalë nga rrënoja e perandorisë së madhe, por që kishte lënë mbi 3 dekada plotësisht anarki dhe mungesë rendi dhe autoriteti të ligjit?
Kontrolli i teritorit dhe rendi i imponuar nga ligji, është një diçka e madhe në shoqërinë tonë dhe Shqipërinë e mijëvjeçarit të ri. Ne, kemi dy momente të kontrollit të teritorit, i pari është ai i Mbretërisë së Ahmet Zogut, dhe i dyti...diktatura e Enver Hoxhës. I treti me vështirësi po kryehet sot. Për këtë të dytën, nuk kemi se çfarë të marrim si shëmbull, sepse kur vret që në fillim armiqtë dhe miqtë, nuk është e vështirë të vendosësh ...rendin!! Por ama, për xhandarmarinë - gjendarmët e Zogut, kemi pse të themi dhe të kthehemi pas në vitet 30-të. Po, edhe pse kanë kaluar 80-të vite, kemi pse kthehemi pas.
Pse duhet të kthehemi?
Jo për të mohuar se çfarë është bërë këto 20-të vite, por për të pohuar, se ajo që është bërë në vitet 30-të, është shumë më strategjike, më konkrete, më perendimore, më e pagueshme, në sistematike, më me grada, më me uniforma, më në kontroll të teritorit dhe patjetër pse jo....edhe demokratike se në të gjitha kohët e shtetit shqiptar.
Më duhet të them, se një njeri inteligjent dhe praktik si Ahmet Zogu, rendin, kontrollin mbi teritorin, dhe instruktimin dhe formimin e xhandarmërisë, ja kishte besuar britanikëve, dhe pikërisht Gjeneral Jocelyn Percy-it.
Si ka mundësi që një shtet ku më tepër kishte kusarë, banditë, mungesë kontrolli të përgjithshëm, raport tepër të keq me rendin .... ta bënin zap dhe me ligje në një kohë të shkurtër!??
Si ka mundësi, një vënd ku kishte herë pas herë sulme, kryegritje, të ashtuquajtur revolucione, ta mbanin në kontroll!?
Si ka mundësi, që të çarmatosej një vënd, ku arma ishte një diçka që përhapej shumë më tepër se sa luga dhe piruni!?
Si ka mundësi një vënd analfabet, dhe jashtë konceptit shtet, ta bënin në fund të fundit me rend dhe disiplinë ushtarake, në konceptin e xhandarmërisë!?
Në fakt, po merrnin ( gjendarmët) eksperiencën e njerzve të dalë nga shkolla e shtetit më të madh kolonialist, dhe fuqi të madhe botërore, që kishte si parim deri në ato vite të “mbante në kontroll” teritore dhe sasi impresionante njerzish me shumë pak forca dhe njerëz të betuar dhe të instruktuar, por dhe ...paguar mirë.
Pra kush ishin njerzit që në saj të Ahmet Zogut, vendosën parimet e xhandarmërisë shqiptare?
Ka shumë autorë që e kanë trajtuar këtë temë. Bie fjala gazetari Bernard Newman shkruan se: Gjeneral Majori Jocelyn Percy është bërë legjendë në Shqipëri. Për herë të parë Shqipëria po merr vesh që shërbimi i ligjit, duhet të jetë i drejtë dhe korrekt.
Zogu ka  pasur si këshilltar kolonelin W. F. Stirling edhe në kohën kur ka qënë Ministër i Brëndëshëm  që nga 1923-shi dhe si ministër, Zogu ishte mahnitur nga puna e Sterlingut, për kontrollin e teritorit dhe rendit në Indi. Këtu ka filluar edhe momenti me britanikët. Stirling ndau Shqipërinë në katër zona, dhe rekrutoi shumë individë të vleftshëm për inspektoriatin e tij të xhandarmërisë. Çdo ndarje zonale e Shqipërisë, kishte dy inspektorë britanikë dhe brënda vitit vëndi ishte shumë më i qetë.
Në fund të vitit 1923,forcat e xhandarmërisë shqiptare, të riorganizuara, të kompletuara dhe të stërvitura me kujdes të vazhdueshëm, konsideroheshin një numër jo i vogël i forcave të armatosura kombëtare.Më saktësisht, në këtë vit numëroheshin 3133 xhandarë “prej të cilëve 146 oficerë,2588 nënoficerë dhe 91 xhandarë kalorës të lëvizshëm”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 152/5, dosja 490 , fleta 11 ).
Në vitin 1926-të Stirling i ka propozuar Zogut,  që nuk ishte akoma Mbret, një person të devotshëm dhe “full time” në punën e drejtimit të xhandarmërisë. Ky ishte Sir Jocelyn Percy, një gjeneral shumë të zot dhe eksperiencë brilante, kurse vetë ndenji si këshilltar i Zogut.
Stirling u kthye në Britani në vitin 1931. Ai ka shkruar një autobiografi (Safety Firsty) dhe e botoi në vitin 1953, ku shkruan: Nga të gjithë statistët e lindjes së mesme (britanikët na konsideronin kulturalisht pikërisht kështu) dhe kam takuar pjesën më të  madhe të tyre...unë konsideroj Mbretin Zog.... në distancë të madhe, më brilantin, dhe më të qartin. Në fakt, ishte shumë e qartë dhe tendenca për të bërë rend, dhe forcë ushtarake pikërisht për rendin.
Kurse Percy, u emërua nga Zogu, Inspektor i Përgjithshëm dhe Shef i Departamentit të Gjendarmëve të Oborrit Mbretëror. Në një foto të sit-ve britanike, por që ndodhet edhe në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, është pikërisht Gjeneralit Percy, me kolonelë shqiptarë si Shefti Shatku dhe britanikë në Shqipëri si një shëmbull i uniformës, dhe organizmit gjendarm së asaj kohe në Mbretërinë e Zogut. Ai, Percy, ka rekruar pastaj kolonelët Oakley-Hill, Dodgson, Bredin, Cripps etj. Oakley-Hill ka mbetur në shërbim të Zogut deri në vitin 1938-të, kur Duçja dhe italianët kanë bërë presionin e madh Zogut, për të nxjerrë jashtë britanikët. Percy mësoi pak fjalë shqip, por koloneli Oakley-Hill, fliste rrjedhshëm shqipen. Koloneli i besuar i Percy-it dhe Zogut, edhe mbas luftës, mbeti kryetar i “Anglo-Albanian Association”. Kujtimet e tij shqiptare, ai i nxorri si publikim në “An Englishman in Albania Memoirs of a British Officer 1929-1955” nga “Centre for Albanian Studies” në 2002. Nuk e di në se dikush ju është referuar, për të kuptuar në fund të fundit, si perceptohej situata, dhe si është vendosur rendi dhe kontrolli mbi teritorin në Shqipëri, dhe kush kanë qënë raportet në atë kohë!!?
Por akoma më shumë mësohet edhe nga disa shkrime të Ray Marshall për gjeneralin Percy që kishte idetë brilante të krijimit të gjendarmëve shqiptarë. Ai thotë në formë pyetje se “ishte një ushtar i bindur, apo një diktator”, ai që ka bërë një vënd sovran një tokë, që ishte një teritor banditësh dhe gangsterësh”?  Dhe përgjigjet: Ai kishte një mbiemër të njohur dhe ishte një prej Percy-sh, por mbrojtësi i tij ishte Mbreti Zog.
Pastaj tregon se ishte i gjatë afro 1.90-të dhe ishte në vitin 1930-të rreth 65-së vjeç, i mësuar me një jetë aventuroze si veteran luftërash afrikane dhe indiane, por dhe në luftën e parë botërore.
Ky person që Zogu e çmoi për ti bërë gjendarmët dhe rendin, është dekoruar për shërbime të mëdha nga Franca si kavalier të “Legion d'Honneur”, Japonia, Rusia, Belgjika dhe vetë Britania, por aventura më e madhe e tij ishte kur Mbreti Zog, e rekomandoi për të sjellë qytetërim dhe shpëtuar nga banditët, udhëheqës çetash, politikanë rivalë dhe fuqi të huaja, ndër të cilat Italia e Musolinit, e cila më në fund pushtoi vëndin.
Percy, arriti të ngrinte një forcë prej më shumë se 3000 njerzish me kurrajo të madhe, duke ju afruar kondita të mira dhe për më tepër, një pagë shumë të mirë për të fituar luftën kundër krimit, dhe anti ligjit. Po në dokumenta unë kam edhe pagat e gjendarmëve dhe nuk mund të krahasohen me mesataren 40.000 lekë të policëve sot dhe rrogën 6000 lekë të policëve të Enverit, sepse po ti kthesh me kursin, një toger merrte mbi 210.000 lekë të reja të sotme!!  Nejse, kam frikë se edhe ta aplikosh menjëherë këtë pagë....nuk zgjidh gjë sot.
Ka dhe të thëna të tjera dhe njëra prej tyre është: “Arma e gjindarmërisë filloi të riorganizohej dhe të vëhet në rrugën  e vet të vërtetë, si fuqi e sigurimit publik, e disiplinuar dhe në shërbim t’urdhnavet të administratës. Pastrohen radhët e saj prej elementeve kompromentonjës, tue u zavendësue gradualisht me të tjerë, të provuem për aftësi dhe edukatë ushtarake, të kryeme në shkollat e shteteve të Oksidentit.Me bashkëpunim organizues,të nji grupi të vogël oficerësh të huej, gjindarmërija jonë, konkretizoj veprimin e kësaj arme, në tanësinë e viseve të Mbretërisë Shqiptare”.( T. Selenica “Shqipëria më 1937 “ Tiranë më 1938, faqe 266 ) Normalisht që britanikët dhe Percy, kishin vendosur bazat e një force të tillë gjendarmësh që ishte një polici ushtarake e zonja, në kushtet e formimit të shtetit shqiptar.
Por Marshall sërish thotë për Percy-in se ai në saj të mbështetjes së madhe të Mbretit Zog, ka arritur edhe formimin e një të ashtuquajture “Manga Charta” në aspektin social, dhe në këtë kohë ju dha për herë të parë edhe e drejta e grave, por edhe shumë devizave të tjera perendimore në Shqipëri.
Po ashtu është Robert Elsie,  tregon shumë e shumë për Shqipërinë e kësaj kohe dhe për Percy-in dhe kolonelin Oakley-Hill. Biles për të dytin, autori thotë se nga Percy ka qënë emëruar në Elbasan, si një nga komandat e gjendarmëve ku mësoi edhe shqipen dhe udhëtoi shumë për të njohur si mentalitetin dhe problematikën.
Të tillë ushtarakë të cilët kanë biseduar dhe takuar shpesh herë Mbretin Zog, kanë kuptuar jo vetëm situatën, por edhe kanë ndërtuar strategjinë e vendosjes së rendit dhe kontrollin mbi teritorin. E kujtimet e autorit janë për takimin e parë me Zogun, dhe shefin e protokollit si oficer i parë i tij Hysen Selmani, dhe njohja e tyre me autoritetin e Zogut, por edhe njohjen nga ai të Shqipërisë. Janë oficerët britanikë që e kanë njohur sovranin si një “optimist të konfirmuar” të qetë dhe xhentil, por që njihte mirë vëndin e tij me “pronësinë e krerëve indipendentë, rrymat transversale të politikës lokale” dhe dijenitë për mënyrat se si duhet të bëhet xhandarmaria një forcë kontrolli rendi, por me shpejtësi.
Gjithsesi gjendarmët e asaj kohe kishin në mesin e tyre njerëz si: Mustafa Aranitasi,Tajar Tetova, Ali Fehmi Kosturi, Meleq Frashëri,Muharrem Bajraktari,Fiqri Dine, Aqif Përmeti, Banush Hamiti, Hysni Dema, Adem Boletini etj etj
Nga vitet 30-38, në Shqipëri, u garantua rendi dhe u ruajt kufiri në mënyrë të qartë. U burgosën mbi 1000 kriminelë dhe brigantë në tre vitet e para të Mbretërisë, por edhe hajdutë dhe vrasës për gjak apo edhe për arsye të tjera, me një shpejtësi dhe durim të jashtëzakonshëm. Asnjë pëllëmbë tokë e Shqipërisë nuk ka qënë vënd pa “zot” ose me zotër jashtë ligjit, sepse gjendarmët të arrinin shumë shpejt dhe nganjëherë nuk të vinin prangat, por lidhnin me spango kriminelët apo të kërkuarit...dhe ato nuk guxonin të këpusnin atë. Kjo nuk është “ një përrallë” por një e vërtetë e madhe, e shërbimit të gjendarmëve të Zogut, dhe drejtimit të tyre nga britanikët.   Lidhja e tyre e menjëhershme në të gjithë Shqipërinë, kontrolli mbi teritorin e bëri vëndin më të prapambetur në Europë, të kishte një qetësi të madhe, dhe një pushtet si qëndror dhe lokal të funksionueshëm, për të lejuar pastaj edhe ekonominë dhe arsimin dhe kulturën, të zhvilloheshin dhe popullin të respektonte ligjin.
Ishte një eksperiencë e mirë dhe e qartë perendimore. Nuk është se sot nuk e kemi, por ajo e atëhershmja si memorie, sëpaku mua, më duket se na mungon.




venerdì 23 dicembre 2011

Dinastia e Bushatlinjve ne pashallekun e Shkodres

Fisnikët shqiptarë ekzistojnë  në Perandorinë Osmane duke na lënë brënda teritorit, Pashallekun e Shkodrës
Mohimi i fisnikërisë shqiptare, bie poshtë nga pashalleku shqiptar i Shkodrës.
Pse mohohet fisnikëria shqiptare nën osmallinjtë?!
Fisnikët shqiptarë të pashallekut të Bushatlinjve.


Koment

Besi Bekteshi

Në një nga emisionet televizivë ku merret përsipër të bëhet histori, të nxirren fakte dhe momente historike shqiptare, po trajtohej edhe Ali Pashë Tepelena dhe pashalleku i tij. Patjetër kanë bërë shumë mirë që riafrojnë tema të tilla, me të cilat merren me historinë, por duan në fund të fundit të krijojnë edhe idenë mbi nobilitetin shqiptar, ose fisnikërinë shqiptare nën Osmanllinjtë. Kuptohet se në saj të shkrimeve të kohës edhe të kryesisht Bajronit dhe Aleksandër Dymasë, por edhe Sabri Godos, Ali Pashë Tepelena,  është letrarisht  dhe si pasojë edhe historikisht një person i njohur. Aq më mirë që vazhdojnë dhe e marrin në analizë vazhdimisht. Mirëpo më bëri përshtypje një e thënë e prof Afrim Karagjozit edhe si President i Byron Society dhe prof i anglishtes në UFO Università (Universitas-Fabrefacta-Optime). Thënia ishte pak a shumë kështu: Sipas mendimit europian nuk ka fisnikëri shqiptare për kohën e pashallëqeve. Po, ai shton edhe atë që Ali Pasha nuk kishte trashëgimi fisnike dhe nuk ka lënë trashëgimi fisnike. Pra me fjalë të përmbledhura që të kishte nobilitet dhe fisnikëri duhen trashëgimtarë dhe si para dhe pasardhës, e të tjera si këto. Normalisht fjala është për periudhën Osmane.  Nuk dua të bie në kurthet e polemikave kote dhe të marrosura të sotme, por mund të them se “nuk është ndonjë gjetje e madhe” kalimi në një nënvlehtësim historik të fisnikëve shqiptarë, duke pasur në sy teritorin e pikërisht atë shqiptar nga jugu……dhe sidomos në veri të Shqipërisë. E kam të qartë se prof Karagjozi njeh shumë mirë Bajronin e kuptoj se në temën mbi Ali Pashën, po merrej si pikë referimi François Charles Hugues Laurent Pouqueville, ose diplomati, shkrimtari, eksploratori, fizikanti dhe historiani, por edhe anëtari i “Institut de France”, por sidomos si konsull i përgjithshëm në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, por normalisht nuk është e mjaftë historikisht të mos konsiderosh një Pashallek shumë më i madh edhe si teritor dhe si vazhdimësi si Pashallaku i Shkodrës. Fisnikëria mbas Balshajve në kohë  para Osmanllinjve, është normalisht ajo e Bushatlinjve e njohur jo vetëm nga Perandoria, por edhe bota perendimore në shkrime dhe marrëdhënie të shumta.
Nuk arrij të kuptoj pse kjo dëshirë për të shuar dhe ulur në fisnikëri shqiptarët, por ndoshta ka diçka lidhje me dëshirën e pa turp të dikurshme të historisë nën komunizëm që edhe faktet historike i ndanin me klasa që bënin për këtë lloj historie, dhe ato që nuk bënin. Nejse, detyrimisht është e qartë se i duhet përgjigjur një pohimi të tillë, që nuk e shikon shqiptarin të fisëm, trashëgimtar të nobilitetit edhe në kohë të një pushtimi që nuk ishte vetëm te ne.
Nga perëndimi njihen si trashëgimtarë dhe vazhdues të një pashalleku të madh dhe të rëndësishëm, këto pashallarë në Shkodër:
    Mehmed Bushati (1757-1774)
    Mustafa Bushati (1774-1778)
    Kara Mahmud Bushati (1778-1796)
    Ibrahim Bushati (1796-1810)
    Mustafa Reshiti (1810-1831)
Normalisht mund tju referohesh shumë e shumë bibliografive, por është më mirë të ndalesh te këto: Bahl, Taru, Syed, M. H. (2003). Encyclopedia of the Muslim world. New Delhi: Anmol Publications
     Castellan, Georges (2002). Histoire de l'Albanie et des Albanais. N.p.: Armelin Editions.
     Elsie, Robert (2005). Albanian literature: a brief history. London: IB Tauris in association with the Centre for Albanian Studies.    
Jelavic, Barbara ([1983] 1999). Balkan history: the eighteenth and nineteenth centuries. Cambridge: Cambridge University Press.     Vickers, Miranda (1999). The Albanians: a modern history. New York: I. B. Tauris.
     Zickel, Raymond; Iwaskiw, Walter R. (1994). Albania: a country study. Washington, DC: GPO for the Library of Congress.

Pra po i qëndrojmë disi botës që “eksagjerohet”, dhe vërteton një dinasti pashallarësh e trashëgueshme deri në një cak të përcaktuar kohor që nuk është një moment i vogël, dhe që na ka bërë të kemi teritorin e vetëm shqiptar të pashallëqeve të mëdha që është ai i Shkodrës, i vetmi brënda 28 mijë km katror.

Por normalisht historia ka tregtuar dhe vërteton se kjo dinasti nuk ka qënë kaq e thjeshtë për të mos i tipizuar si fisnikëri trashëgimtare shqiptare. Nga viti 1757 deri më 1831, sanxhaku i Shkodrës ne Shqiperinë gege u sundua nga një familje e fuqishme shqiptare. Kjo familje, meqë rridhte nga nahija (fshati) Bushat në dalje te Shkodrës, u njoh si familja e Bushatllijve. Ne kohë të Evlija Çelebiut ajo ishte njohur si familja e Beg-oglluve (Begolli), apo e bijve te Jusuf Beut. Kjo familje nxorri 5 pashallare gjatë sundimit të saj 73 vjecar mbi Shkodrën: Mehmet Plakun, Mustafën (Qorrin), Kara Mahmudin, Ibrahimin dhe Mustafën II, të cilët e shtrinë pushtetin Bushatlli në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe pjesë te Venecies dalmate. Secili nga pashallarët Bushatllij të lartëpërmendur përvec Mustafës I, u shquan per trimëri dhe aftësi të larta në administrimin e sanxhakut gegë. Ndër ta, Mehmet Bushati dhe i biri i tij Ibrahim Bushati, arritën të zënë poste shumë të larta ne sistemin osman. Mehmet Bushati që është edhe themelues i pashallëkut, arriti të bëhet Kapudan-i-derja i flotes perëndimore osmane gjate luftës ruso – turke të 1768 – 1774, ndërsa Ibrahim Bushati, arriti që të bëhet Bejlerbej dhe Vali i Rumelisë nga viti 1804 deri në 1806. Citim i O.Jazexhi. Më i shquari është Kara Mahmud Pash-Bushati i cili është rebeluar, është rrethuar, ka sulmuar dhe është vrarë në beteja për zgjerimin e forcimin e  pashallekut shqiptar të Shkodrës. Është Noel Malcolm që në “Kosovo a short hstory” thotë se Kara Mahmud Bushati është një nga figurat më interesante të historisë së Shqipërisë osmane. Fatkeqësisht ka gëzuar shumë pak vëmendje në Perëndim, në krahasim me bashkëkohësin e tij toskë nga Janina.
Si ka mundësi të mos konsiderohen fisnikë trashëgimtarë figura të tilla që jo vetëm kanë vendosur nën “haraç” sulmues dhe pushtues së tokave shqiptare si malazez dhe sllavë dhe trashëgimtarë të cilët kishin ushtri me mbi 30.000 njerëz? Si ka mundësi që nuk konsiderohen fisnikë njerëz që edhe gratë nuk i kishin të huaja, por vetëm shqiptare?
Si ka mundësi të mos konsiderohen fisnikë dhe “nobel” për nga gjaku dhe trashëgimia njerëz që kanë tentuar “Konfederatë ilirike”!?
Si ka mundësi të mos trajtohen si fisnikë, njerëz që kanë pasur mbi gjashtë përfaqësi perendimore dhe stema të “Anzhuinëve”!? Si ka mundësi të mos trajtohen si fisnikë, pashallarë të tillë që kanë përballur ushtri të Portës së Lartë në rrethim dhe fushë beteje, në kundërshtim me superfuqinë më të madhe të kohës? Këto nuk janë fraza gazetareske, por mund ti gjesh në: W. Miller, The Balkans, fq. 410Edvin Jacques: The Albanians, an ethnic history from prehistoric times to the present, McFarland & Company, 1994, fq. 252W. Miller, The Balkans, fq. 410 H. Bushati, Shkodra… (vol II), fq. 464 Ibid, fq. 241 Ibid. fq. 241 N. Nikaj, fq. 123 N. Nikaj, fq. 124 G. Casetllan, Histories des Ballkans, Paris, 1991 (Alb. translation), fq. 224 S. Naci, fq. 234 N. Malcolm, Kosovo a Short History, New York, 1999, fq. 176. S. Shaw, Between… fq. 232. S. Shaw, fq. 267 Paswan-Oghlu, EI, NE, fq. 284   S. Shaw, Between… fq. 221 – 227 M. Maksudoglu, op. cited. fq. 204. SHVSH XVIII, vol II: Letter of Jak Mark Suma, 30 October 1791, fq. 246. Sherif HASAN PASHA, EI, NE, fq. 253. I. Zamputi, Il Settecento, fq. 78, in S.N., fq. 217. A.S.V. cons. di Durazzo, let. di A. S. Marconi, dt. 12/ 9/ 1789, fq. 218. Nuk po vendos kaq shumë bibliografi ( ka shumë e shumë më tepër) për kot, por për të bërë me dije se gjithkund gjen histori të thënë dhe stërthënë mbi trashëgiminë historike të Bushatlinjve dhe pashallekut të tyre, sidomos në Kara Mahmud Pashën.
Trashëgimia e pashallekut në kohët e sotme vazhdon dhe nuk janë vetëm studimet e Hamdi Bushatit, si një nga studiuesit e nderuar të derës së tij dhe Nexhmi Bushatit, si vazhdues i kësaj trashëgimie, por edhe historia e ndaluar gjatë regjimit. Sidomos dyert e mëdha në Shkodër, kanë fisnikëri të lartë për kushtet, dhe nuk janë vetëm myslimane si religjon, por edhe katolike. Janë familje që zgjasin pa ndalim trashëgiminë me mbi pesë breza, dhe shkojnë deri në  mbi 400 vite pa ndalim, duke nxjerrë luftëtarë, mësues, klerikë, diplomatë, tregtarë, ofiqarë të lartë si në perandorinë turke dhe në perëndim, guvernatorë, shkrimtarë dhe publicistë, të pasur, dhe deri dinasti artistike në fotografi dhe muzikë. Si nuk paska fisnikëri sipas mendimit europian?  Po shqiptarët nuk kanë mundur të jenë as kontë as markezë, sepse ishin në “diellin e Osmanllinjve” pra do të ishin pashallarë dhe agallarë, dhe kanë bërë gjithmonë luftë me të....Perandorinë....janë bindur dhe luftuar në kohë..... pa asnjë mëdyshje, për të mbajtur pikërisht atë pjesë të pashallëkut që ka qënë ai i Shkodrës. Po të rëndisja emrat, lista do të ishte tepër, po tepër e gjatë. Vetëm Shkodra ka mbi 100 familje të mëdha që janë pa ndalim fisnikë dhe të lidhur me patriotizmën shqiptare. Ato dihen tashmë. Megjithatë po ndalem sot te Bushatlinjtë. Dinastia ndërtoi rrugë dhe ura të shumta që ndër to  janë “Ura e Vezirit në Kukës”, por edhe “Xhamia e Plumbit” nga Mehmet Plaku, por edhe shumë e shumë të tjera edhe jashtë trojeve të Shqipërisë së sotme dhe 75-së vitet e pesë trashëgimtarëve fillojnë tre dekada përpara Ali Pashait dhe mbarojnë me gati 100 vite në rënie dhe ngritje për të ardhur te Mustaf Pasha, si vezir i fundit i Sanxhakut të Shkodrës. Si nuk paska fisnikëri në këtë mes, po ripyes për të disatën herë?
Unë mund të flas për Bushatlinjtë edhe për Xhemal Bushatin si Ministër në qeverinë e Nolit dhe deputet, por Sulço Begun dhe Maliq Bushatin si Ministër në qeverinë e Krujës, dhe që prej këtej fillon edhe persekutimi familjar nga komunistët. Qazim Bushati është pushkatuar nga komunistët. Janë shumë e shumë Bushatlinj të tjerë si një fis i madh, dhe shpesh herë në një shpërndarje të madhe, por që vërtetojnë trashëgiminë në historinë patriotike. Fisnikëria ka vula dhe Bushatlinjtë kanë pasur, ka prona dhe ato kanë pasur pashallekun më të madh si sipërfaqe se sa Shqipëria sot. Ka përfaqësi të huaja dhe ato kanë pasur shumë, ka ushtri dhe ato kanë pasur vazhdimisht, kanë biblioteka dhe vënde kulti dhe ato kanë pasur shumë, kanë sistem taksash dhe ato kanë pasur, kanë ....përmëndore.....dhe për fat të keq më i shkëlqyeri i tyre Kara Mahmudi i vrarë barbarisht nga malazezët nuk ka një në Shkodër. Por edhe pse nuk e ka (arsyet janë  kudo edhe në shtetin shqiptar dhe te vetë Bushatlinjtë) këtë përmëndore, dera e madhe dhe Bushatlinjtë si pashallarë dhe vezirë, janë fisnikë dhe nuk janë vetëm ato, sëpaku në Shkodër. Është turp që të thuash se nuk ka fisnikëri në Shqipëri. Ose sëpaku është një nënvlehtësim madhor që i bëhet historisë së kombit tënd.





giovedì 22 dicembre 2011

Migjeni ringjallet ne teatrin Migjeni


Migjeni, ringjallet dhe kryqëzohet, në teatrin “Migjeni”.


Besi Bekteshi

Megjithse me vonesë, por gjithsesi qyteti i lindjes së poetit dhe prozatorit poetik modern edhe në ditët e sotme Millosh Gjergj Nikolla, ka bërë të mundur shfaqen e një drame poetike mbi autorin e madh. Premiera është dhënë dje me një pjesmarrje të madhe të publikut gjithmonë të interesuar shkodran. Ka qënë një angazhim i drejtuesit të teatrit “Migjeni” zotit Edmond Angoni dhe me regji të Bruno Shllakut, që ka bërë të mundur edhe vënien në skenë të një premiere e cila për nga materiali që përmbledh është e bollshme, por për nga trajtimi dhe sjellja tematike në vitin 2011-të nuk është aspak e lehtë.  Aktori dhe regjizori që ka vënë në skenë një shfaqe të tillë e ka quajtur “Të lindet njeriu” dhe normalisht që idea përçuese është vargu si poetik dhe në prozë që ka Migjeni.
Shllaku është munduar të sjellë diçka ndryshe nga herët e tjera në Migjeni, diçka më narracion poetik dhe ideor, dhe besoj se e ka arritur në saj të efekteve, modelit tregimtar, dhe sugjestionues në skenë, të shumë momenteve njerzore që marrin pjesë. Natyrisht që Shllaku tendencën e  ka nga tragjizmi i thelbit të gjërave dhe Migjeni i tij në fakt, është diçka midis tragjikes dhe asaj që të detyron të kuptosh se “nuk është se ka ndryshuar shumë që nga koha e tij”.   Ai e risjell Migjenin, që në fakt interpretohet besnikërisht si figurë dhe plastikë nga tashmë aktori zbulim Ergys Bamçi, duke i shtuar edhe momentin e sotëm të habisë relative për aktualitetin, dhe vuajtjes në një “kryqëzim” që nuk është kaq shumë i djeshëm, se sa pikërisht i sotëm. Loja e aktorëve është kryesisht me treshen tepër deklamative në interpretim si Bruno Shllaku, Rajmonda Marko dhe Paskualina Shllaku dhe them deklamative, sepse drama në fakt, ka pasazhe të poezisë së fortë migjeniane. Mund edhe të ishte një treshe me tepër dramo-sarkastike dhe akuzuese nëpërmjet interpretimit me “të lirë”, por Shllaku me sa duket, nuk ka dashur të zbresë nga tragjizmi dhe të zbusë batutën e dërguar shumë lart dhe me forcë te spektatori. Por, loja është e mbushur me plastikë te të tre aktorët në sinkron interpretativ. Po ti shtosh kësaj tresheje edhe artisten e madhe Tinka Kurti, e cila edhe pse në moshë emocionon, dhe lëshon britma origjinale, të ndjera, dhe të fuqishme dhimbjeje, atëhere mund të thuash se loja në madhësinë e saj është pothuaj perfekte për çfarë drama poetike kërkonte në regjinë e saj. Megjithatë duhet thënë se modernia dhe risia në këtë shfaqe, ishin të rinjtë e shumtë që merrnin pjesë.  Drejtori Angoni, më sqaronte që pa u vënë në skenë premiera se “janë 50-të veta që interpretojnë” dhe normalisht ndërthurja e lëvizjeve në sallën e “Migjenit” të një sasie të tillë “comparsa-sh”, bënte edhe zgjidhjen racionale të Shllakut. Hijet e fillimit, të cilat tregonin problematikën Migjeniane, kryqëzimi ose më mirë gjysëm kryqëzimi i Migjenit i luajtur bindëshëm nga Bamçi i kthyer në dukje në kohë      ( mund të kuptohej edhe kështu),  legjenda e misrit e thirrur edhe sot me dëshpërim të madh, nxënësit e vegjël të mësuesit të dashur, ishin gjetja e madhe e skenës. Në fakt, ishin të rinjtë e dancit “My Generation” që luanin pjesën relative të daljes nga emocioni tragjik i transmetuar i aktorëve të premierës, që bënin pastaj edhe çlirimin emocional të fortë të spektatorëve. Patjetër edhe pse buxhetet mbeten të vogla, skenografia me anën e Hysni Halilit dhe inspektorit të skenës Sabah Baxha ishte funksionale, dhe lëvizjet brënda dhe në mes të platesë, por dhe anfiteatrit, ishin akoma më shumë komunikuese me spektatorin e shumtë në ditën e parë të premierës migjeniane të teatrit “Migjeni”.
Millosh Gjergj Nikolla është “ringjallur” në teatrin “Migjeni”, por edhe është gati kryqëzuar në formë, për tu bërë sërish një model i forcës së mendimit dhe rebelimit qytetar jo vetëm të asaj kohe, por me dendencën e riformatimit shoqëror edhe në këtë kohë.
“Të lindet njeriu”...ndoshta është një gjetje migjeniane e kohës, por më tepër se sa kaq, ajo veza e thyer që nxjerr një vajzë si poster i premierës, ka të bëjë me shoqërinë tonë të djeshme dhe të sotme. Ndoshta ky është edhe mesazhi migjenian i premierës së re mbi pikërisht veprën e jashtëzakonshme të njeriut të madh të poezisë, dhe prozës poetike shqiptare që është Migjeni.

mercoledì 21 dicembre 2011

Shtypi ne Shkodren e viteve 20-te

Titujt e shumtë të gazetave para 9-të dekadash, dhe raporti kokëposhtë i sotshëm në kryeqëndrën e veriut.


Dossier – opinion

Besi Bekteshi

Sot, shpesh herë bëjmë diskutime mbi sasinë e madhe të gazetave apo testatave të shtypit kombëtar, dhe normalisht të mësuar me thëniet “shtyp i shumtë dhe numër i madh”, mundohemi të tregojmë “inflacionin” e menduar si të tillë.
Megjithatë është mirë të kthehemi në kohë, të referohemi në titujt e gazetave dhe të botimeve gazetareske, në kohën kur vëndi ishte në rrugën e identititetit kombëtar, dhe të asaj lirie të shtypit që fatkeqësisht (disa) kujtojmë se ka ndodhur në vitet 90-të.
Them fatkeqësisht, sepse pak ose aspak, ka referenca mbi testatat e shtypit në vitet 1913-1939-të.
Kuptohet se sidomos mbas viteve 1912-të dhe pa asnjë dyshim mbas një viti, qëndra e botimit dhe daljes në dritë të gazetave dhe revistave periodike, ka qënë kryeqëndra e veriut të Shqipërisë ose qyteti tradicional dhe kulturor i Shkodrës. Patjetër që do të ishte kjo kryeqëndër që do të botonte tituj, shkrime, botime të shumtë, sepse e para ishte qytet që kalonte gjithmonë edhe pse në luftë mbi 20.000 banorët dhe nga vitet 20-të rreth 25.000  banorë me tendencën e shpejtë në rritje. Kishte fuqi intelektuale si brënda saj dhe jashtë shtetit të sapo formuar, kishte fuqi ekonomike për të botuar dhe blerë, kishte biblioteka pa fund jo vetëm religjonare, por edhe të familjeve të mëdha, kishte konsullata dhe përfaqësi, por dhe marrëdhënie diplomatike sidomos me perëndimin, kishte transport si ujor dhe detar, si edhe rrugor me të gjtiha viset shqiptare dhe me jashtë. Pra ishte qyteti  që gjeneronte shtyp tepër të lirë, gjeneronte opinionistë dhe botues të vendosur, dhe sidomos qyteti ku pjesa e borgjezisë tashme e ndarë përfundimisht nga gjëndja turkoshake e deprimencës kolektive, mundohej ti bashkangjitej perëndimit edhe me pikërisht shtypin e lirë.
Nga viti 1913-të dhe deri në vitin 1939-të në Shkodër janë shtypur rreth 23 tituj gazetash nga më të ndryshmet, por unë në saj edhe të fondit të “dosjes Suma-Çoba” në arkivin e Muzeut të Shkodrës, por risjell titujt e viteve të para mbas Pavarësisë së Shqipërisë.
Kam ndarë shtatë gazeta të shtypura në Shkodër dhe jashtë në fillim dhe që kanë fillimet përpara viteve 1920-të dhe disa vazhdojnë mbas këtyre viteve. Janë gazeta “Taraboshi”, “Ora e Maleve”, “Besa Shqyptare”, “Populli”, “Posta e Shqypniës”, Hylli i Dritës” dhe “Zani i Popullit”.
Më bën pështypje të madhe “Taraboshi” në një numër të saj, në kohën e fillimit të pavarësisë, një gazetë e Terenc Toçit, shkodran e lindur në Cosmo Kalabreze dhe një luftëtar e pavarësisë me anën e botimeve të tij dhe bashkëpunimeve të shumta patriotike. Në një numër ai ka botuar një shkrim nga “fletorja e Belgradit, Radnicke Novine” nr 338 me titull “Kush janë Shqyptarët”? E normalisht aty tregohet deliri serbomadh ndaj popullit shqiptar, por gazeta “Taraboshi” e boton duke ju bërë thirrje atyre që e lexojnë për të pasur të qartë ku është, dhe kush është, rreziku si dhe për tju shtuar “mnia” atyre që lexojnë. Por çfarë thuhet në pjesën “Rreziku!” si editorial: Na sdo lodhena kurr tuej bërtitun.....se për n’daçim me pshtue pa mytë vedin......do tjetojmë vllaznisht e do ti vemë menden nderit, meritimit, fuqisë dhe kopetencës, vjeftësisë e jo besimit të nji njerit, pse t’krishtenë e mysliman. Jemi sëbashku, se kemi nji besim të madh, predikue nga Muhamedi e Krishtit qi asht...njerzia...e themeli i ndjerzës asht ATDHEU.
Pastaj është gazeta “Populli”, ku në një editorial të 5 dhjetorit 1919-të, përshkruhet festimi që i duhet bërë 28 nëntorit dhe kujtimit të patriotëve të shumtë shqiptarë.
“Besa Shqyptare” e botuar edhe në gjermanisht tregon në vitin 1916-të e drejtuar nga D. Ndoc Nikaj, sqaronte si situatën këmbëtare dhe atë ndërkombëtare, gjithmonë në lidhje me shtetin, akoma jo mirë qartësisht të formuar shqiptar. “Ora e Maleve” e viteve 20-24, bën politikë të madhe dhe një aditorial të saj në vitin 1923 pikërisht me 28 nëntor të shkruajtur  nga Luigj Gurakuqi, jepen kujtime dhe mendime me një pasion të jashtëzakonshëm patriotik. Por ka qënë edhe “Zani i Popullit”  i Kol Mjedës ku në një editorial të vitit 1925-së që ka titullin “Mjerimet e Popullit t’ynë” duke qënë një zogist i flakët, mjeshtri i shkrimit, bën fjalë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet, për shqiptarët në këtë kohë. “Hylli i Dritës” po ashtu edhe pse kishte një qasje religjonare,  patriotizmin dhe kthimin në normalitet jetësor dhe etik i një qyteti apo shoqërie e ka pasur tendencën e përgjithëshme dhe të jashtëzakonshme edhe për ditët e sotme.
Gazetat në përgjithësi kanë pasur vështirësi të jenë të përditëshme, por shumica janë dy tre herë në javë dhe sipas kohëve, ritmi i tyre për momentin ka qënë i jashtëzakonshëm.
Pikat e shitjeve të gazetave kanë qënë të shumta në Shkodër dhe shpërndarja në qytet dhe pse jo edhe në Tiranë e jashtë vëndit, po ashtu.
Cilësia e shkrimeve ka qënë edhe për sot tepër e lartë. Megjithatë  guximi mediatik e kulturor ishte sinjikativ, sa edhe sot, shumë e shumë editoriale bëjnë një diferencë të jashtëzakonshme.
 Në fakt, Shkodra ishte qëndër e universit mediatik shqiptar dhe shtypshkronjat gjithashtu. Ajo prodhonte dyfishin e gazetave kombëtare shqiptare.
Ajo që shikohet qartë është se “kanë dashur të ecin me botën”, por duke pasur në fokus shqiptarizmën dhe identitetin kombëtar. Kjo edhe pse të ndarë në krah politik, ka pasur një referencë të madhe dhe patriotike pa fund.
Sot Shkodra për fat të keq nuk është aspak kështu. Është  kthyer kokëposhtë krejtësisht situata. Sot në Shkodër nuk ka qoftë edhe një gazetë të mirëfilltë jo vetëm politike dhe shoqërore të lirë dhe të botueshme rregullisht, por nuk ka as botues dhe editoralistë. Të vjen keq, shumë keq, por është një realitet që të vret dhe të sposton jo përpara 90-të viteve të cilët janë të lavdishëm për qytetin e madh të veriut, por mbi 100 vite, kur pushtimi ishte një diçka krejtësisht retro, patriarkalo-turkoshak, dhe patriotët shkodranë bashkësisht katolikë dhe myslimanë po fillonin grumbullimin e forcave për një shtyp të lirë dhe sovran. Ato ja kanë arritur, dhe nuk më mbetet gjë tjetër të them veçse....Jam krenar për atë kohë të lavdishme të të parëve qytetarë shkodranë, në kulturë, politikë e patjetër edhe shtyp të lirë.