Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

domenica 15 luglio 2012

Albanian Escape historia e amerikaneve 1943

Historia e 13 infermiereve amerikane sebashku me shoqeruesit e tyre te ulur forcerisht diku ne Elbasan ne vitin 1943. Udhetimi 800 km dhe ballafaqimi me veshtiresite e ndjekjes nga gjermanet. Sherbimet sekrete britanike dhe amerikane ne veprim dhe bashkepunimi me forcat partizane dhe diku edhe ato balliste e nacionaliste. Histori e patrajtuar qarte nga historianografia shqiptare.

mercoledì 11 luglio 2012

Agjente dhe aktore ne luften e dyte boterore ne Shqiperi


Dy aktorët agjentë të SOE dhe OSS, gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri.


Dossier-koment
Besi Bekteshi

E fshehur për shumë kohë, e bërë tabu përsa i përket anglo-amerikanëve për tu përmëndur, historia jo vetëm nuk është thënë, por as konsideruar. Vjen një ditë dhe habitesh se si një aktor i famshëm si Anthony Quayle ose sir Anthony Quayle ka qënë një major në shërbim të të famshmes SOE, ose Special Operations Exekutive si forca e spiunazhit dhe zbulimit britanik në Luftën e Dytë Botërore, por.......në Shqipëri. E jo vetëm Quayle, që ka luajtur filmin kolosal “Topat e Navarones”, por edhe Sterling Hayden si një nga trupat më të bukur të Hollivudit, ka qënë një anëtar i OSS-së ose pararendëses së CIA-s amerikane si agjent në Shqipëri, por me pseudonimin John Hamilton. Anthony Quayle ka lindur në 7 shtator të vitit 1913 në Ainsdel Sefton në Britani dhe ka luajtur në shumë filma me luftë dhe spiunazh duke fituar duartrokitjet e kritikës dhe publikut.  Mirëpo për këtë, nuk është për tu habitur shumë sepse ai ka shërbyer si agjent në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore dhe ka pasur gradën major. Me veprimet e tij në retrovijën gjermane dhe marrëdhëniet e rezistencës dhe partizanëve shqiptarë, ai ju ka shërbyer në mënyrë të shkëlqyer aleatëve në sforcot e tyre në luftën kundër gjermanëve.  Filmat e tij më të njohur të linjës së luftës janë “Beteja e Riva del Plata” 1956, “Topat e Navarones” 1961 si ide për në Shqipëri, por regjizura e konsideroi të përshtashme të modelohej ngjarja në Greqi, “Operacioni Crosbow” i vitit 1965, 21 orë në Munih 1976, dhe ne kohë fitoi reputacionin e një prej aktorëve më të kualifikuar të shekullit 20-të.  Ai që i ri ka ndjekur shkollat më të mira dhe formimin në Rojal Akademi për artin dramatik në Londër. Nga 1948-56 ka qënë drejtori i Memorial Shechespeare Teatre dhe ka vazhduar të luajë filma si “Lorencin e  Arabisë” 1962, “Rënia e Perandorisë Romane” në 1964, “Ana  e një mijë ditëve” me një oscar “nomination” në 1969. ka luajtur shumë role në miniseri dhe në vitin 1985-së ka marrë titullin “Sir” dhe është shpallur kavalier i Britanisë së Madhe për pikërisht punën e madhe të bërë. Vdiq nga kanceri në vitin 1989-të ne 20 tetor. Quayle ishte pjesë e nënseksionit të forcave SOE ose Special Operations Exekutive, me qëndër në Kairo që kishte një bazë të avancuar në Bari e dizenjuar si emër “Forca 266” mbas vitit 1943 për të ndjekur operacionet në Shqipëri. Në fakt është Julain Amery në Beograd, që filloi ndërtimin e seksionit D, e pastaj Fanny Hasluck formoi një nukël për në Shqipëri. Aty janë përpunuar për të ditur si zakonet dhe momentin e klimatizimit sidomos në zonat rurale dhe fiseve, por dhe grupeve të ndryshme në Shqipëri. Misionet dhe njerzit e SOE-së kanë pësuar vdekje dhe kanë pasur shumë peripeci në Shqipëri dhe pikërisht në kohën e Quayle që thotë në kujtimet e tij “se ishte jo e përshtashme për të të përgjonte gjermanët”. Kanë vdekur dy misione të mëdha të SOE-së me rrëzimin e dy avioneve Halifaks në Shqipëri. Koleneli Nicols Artur vdiq nga kangrena mbas një eksplozioni dhe një pjesë e së vërtetës është në filmat e Quayle-s.  Hill vdiq në një aksion kundër armikut, Roberts vdiq në ndjekje mbasi ishte kapur nga armiqtë, dhe mbasi arriti të arratisej dhe ky detaj ka dalë në filmat e majorit të SOE-së britanike aktorit Quayle. Brigadieri Devis është kapur nga gjermanët në Shqipëri në janar të vitit 1944, sëbashku me Jim Ceshire, por edhe me kapitenin Traifon, por edhe me ushtarin Smith. Një nga humbjet më të mëdha të ishte vrasja nga një bombardim i gjermanëve i Philip Leik vetëm gjashtë javë mbasi ishte zbarkuar në Shqipëri. Ky është momenti kur ka punuar edhe Anthony Queyle.
Njerzit e SOE-së në Shqipëri kanë pasur privacione të mëdha, dhe jo vetëm që kanë dhënë jetën, por pothuaj kanë qënë vetëm dhe midis grupve rivale të komunistave, ballistave dhe nacionalistave përballë gjermanëve. SOE, nuk arriti kurrë të bindë sipas dokumentave të dala kohët e fundit asnjëherë fraksionet shqiptare për bashkim të plotë, dhe kështu lufta sipas tyre ishte edhe kundër gjermanëve dhe me njëri tjetrin....pothuaj si në Jugosllavi. Mbështetja e SOE ishte dukshëm në anën të komunistëve dhe delagacioni - misioni i tyre,  ishte deri në prishjen e plotë me shtetin e Hoxhës, më i shumtë te forcat komuniste.
Aktori ka shkruar disi në kujtimet e tij dhe vështirësitë e mëdha atje. Ai ka përshkruar tribalizmin si njerzor dhe ushtarak në organizim, dhe u sëmur rëndë nga malarja dhe tifoja.  Ky njeri më vonë i artit, ka mundur ti afrohet edhe Enver Hoxhës dhe shtabit të tij, por edhe të operojë në shumë vënde të ndryshme si një agjent i SOE-së britanike.  Te “Topat e Navarones” ku luan me G.Peck, A. Quin, I.Papas, Queyle ka luajtur pikërisht Queyle.
Normalisht që historia e aktorit amerikan Sterling Hayden është më e vogël dhe aktiviteti i tij në Shqipëri më i pakët, sepse ai operoi më tepër në Jugosllavi. Aktori amerikan Sterling Hayden ka lindur në 26 mars në Nju Xhersi të Amerikës.
Ai ka vdekur në 1986-të pikërisht me 23 mars nga kanceri në prostatë në Kaliforni. Ka qënë i gjatë 196 cm dhe ka marrë titullin “Burri më i bukur i filmave” nga Paramount. Ka kryer shkollën e Uasoki School Dekster dhe ka takuar produktorin Grifit te Paramountit dhe mbasi ndodhi Perl Harbur vendosi të futet në COI dhe pastaj OSS me pseudonimin John Hamilton me të cilin është njohur edhe në Shqipëri, prandaj nuk është bërë lidhja e tij si aktor i madh me emrin Hayden.  Ai ka bërë shumë aksione sekrete në Shqipëri dhe një është edhe ndihma për të shpëtuar inferimieret amerikane në bashkëpunim me britanikët. Ka qënë në bashkëveprim me komunistët shqiptarë dhe sidomos me atë jugosllavë, të cilët e kanë çuar deri te shtabi i Titos. Hayden është bërë një amirator i komunistëve dhe sidomos atyre jugosllavë, aq sa më vonë në Hollivud i dolën edhe fjalë për qënien e tij anëtar i partisë komuniste. Gjithsesi Sterling sqaron shumë mirë se kush ishin komunistët shqiptarë, vështirësitë e mëdha, në aksionet e OSS ose CIA-s në ditët e sotme dhe po ashtu edhe të ndarjes së madhe të forcave nacionaliste dhe komuniste në Shqipëri. Ai ka botuar dy libra të sukseshëm dhe ka luajtur në dhjetra filma të Hollivudit, por normalisht jo me famën e kolegut britanik Queyle, por me famën e një gjigandi të bukur të Hollivudit. 
Gjithsesi deri tani te ne,  nuk i është dhënë fama e duhur si njerëz të agjenturave britanike dhe amerikane me veprim në luftën e dytë botërore në Shqipëri. Njerzve që janë lidhur dhe biseduar deri në shtabet e përgjithshme  ushtrive partizane dhe shqiptarëve në përgjithësi, por dhe njerzve që kanë bërë aksionet e zbulimit dhe sabotimit të ushtrive pushtuese gjermane. Të dy janë dekoruar edhe për shërbimet e tyre të lavdishme gjatë luftës, dhe për artin e tyre të madh. Aq më pak në Shqipëri, që as i kanë përmëndur, dhe as i kanë respektuar sëpaku duke ditur se mbas luftës u bënë aktorë të njohur. Kjo harresë dhe mungesë është në vazhdën e shumë e shumë të tjerave që në një farë mënyrë na lidhin me perëndimin dhe sidomos me anglo-amerikanët.

venerdì 6 luglio 2012

Historia e 13 infermiereve amerikane ne Shqiperi 1943


Historia e pa trajtuar,  në nëntor 1943 e infermiereve amerikane  në Shqipëri.





Koment-dossier
Besi Bekteshi

Në të gjitha historitë që e lidhin edhe luftën e një populli, por edhe të aktivitetit partizan dhe antifashist me britanikët dhe amerikanët, një nga më interesantet dhe më prekëset është ajo e “13 infermiereve amerikane të ulura jo në destinacion, por në teritorin shqiptar të pushtuar nga gjermanët”.  Është një histori që fillon me 8 nëntor 1943, por e 9-të javëve dhe 800 km të bëra nga grupi i amerikaneve, të raskapitjes dhe ndjekjes, të zbulimit britanik dhe bombardimit gjerman, por dhe ndihmës së partizanëve dhe shqiptarëve për ti shpëtuar këtë infermiere. Kjo histori e botuar në 1999-tën nga Agnes Jensen Mangerich, ka një model të jashtëzakoshëm të përshkrimit të fakteve, por që te ne nuk ka bërë ndonjë zhurmë kaq të madhe për të riparë, dhe më mirë të themi vërtetuar, disa fakte që cilat historia e komunizmit dhe diktaturës, nuk ka dashur ti thotë.  Infermiera Agnes sëbashku me 12 koleget, janë detyruar të ulen në Shqipëri si nga pamundësia dhe furtuna dhe ndjekja e avioneve gjermanë. Por tanimë fillon historia e zbarkimit në teritorin e pushtuar nga gjermanët në Shqipëri si të 13 infermiereve dhe shoqëruesëve të tyre, dhe  normalisht është edhe monitorimi dhe shqetësimi i madh i Presidentit Roosevelt, për jetën e këtyre infermiereve tepër në rrezik.  Ato janë mitraluar nga avionët gjermanë në kërkim, të cilët kanë bombarduar posaçërisht për to. Po ashtu edhe tentativat për një “urë ajrore shpëtimi”, e cila është kuptuar nga gjermanët dhe nuk ka mundur të kryhet.  Infermieret kanë qënë në një kohë të ftohët dhe me shumë pak ushqim, dhe në kushtet e jashtëzakonshme të luftës, duke kaluar maleve për të shpëtuar dhe të ndihmuar nga shqiptarët dhe partizanët. Libri i Agnes, që tregon historinë e famshme dhe jo shumë të njohur për shqiptarët dhe që  infermieria Anges e ka shkruar në mënyrë respektuese për shqiptarët, është një histori aventure dhe heroizmi të përbashkët që ka pasur një fund të mirë me largimin nga Shqipëria të infermiereve.  Bujaria e shqiptarëve për të shpëtuar amerikanët nga ndjekja e pushtuesve është një diçka tepër sinjikative në librin e Agnes. Trajtimi i vështirësisë në ndjekje nga gjermanët, një vënd në kaos lufte dhe kulture të pa njohur, e bëjnë këtë libër një model që tregon në fakt edhe Shqipërinë në sytë e të huajve. Nuk është vetëm një pjesë e aventurës dhe heroizmit të gruas amerikane, por edhe të një miqësie me njerzit e vëndit që ndihmojnë vazhdimisht. Kurrajo e amerikaneve është në libër, mbas asaj të shqiptarëve për të ndihmuar dhe po ashtu për ti ballë luftës në përgjithësi. Libri është një teatër lufte shumë pak i trajtuar nga historianografia jo vetëm e jona. Po, i mungon edhe botës një diçka e tillë. Nuk e kanë pasur mëndjen të huajt të një aventurë heroike e tillë, dhe diktatura në Shqipëri nuk e ka përmëndur duke e fshehur nga të gjithë. Tashmë libri është në anglisht i gjithi në rrjete sociale, por vëmëndja e jonë nuk ka qënë aspak në këtë drejtim, për të pasur edhe një aspekt tjetër lidhjeje dhe respekti jo vetëm me SHBA-të,  por edhe me britanikët që me forcat e tyre të inteligjencës u bënë shkak që infermieret të kalonin më në fund në zonën e tyre të sigurtë.
Normalisht që britanikët kishin lidhjet më të forta si me patizanët, ballistët dhe legalistët në Shqipëri. Misionet e tyre ishin në të gjitha pikat e rezistencës shqiptare dhe veprimtaria e tyre ishte fondamentale për shpëtimin e amerikaneve, të cilat po vuanin në malet e Shqipërisë.
Nuk kanë dashur ta bëjnë të ditur këtë histori, nuk i kanë dhënë vlerësim, nuk e kanë bërë të bujshme dhe për një diçka të tillë ka shërbyer edhe “lufta e ftohtë”, por tani kjo histori është një diçka e mrekullueshme të dihet dhe do të ishte skenari më i bukur për një film.
“Ikja nga Shqipëria” e infermiereve është një histori e patreguar, por e mrekullueshme, e cila i ka shoqet e rralla për nga drame dhe pjesmarrja në të. Kjo histori në ditët e sotme i duhet shtuar shumë e shumë historive të cilat përbëjnë të vërtetën e luftës së dytë botërore. Pra, duhet vendosur në vëndin e saj të merituar edhe nga ne. Ja vlen të rishikojmë historinë, por është akoma më e rëndësishme të zbulojmë atë histori që nuk është dhënë fare, nuk është përmëndur respektivisht dhe drejtësisht. Historia e mësipërme është një nga të tillat, dhe e kalon për nga drame dhe rëndësia shumë e shumë ndonjë histori, që “na e kanë treguar përditë” dhe që ndoshta nuk ka ndodhur kurrë.

venerdì 15 giugno 2012

Himni Kombetar dhe shqiponja ne vitin 1922


Tentativa e zyrtarizmit te Himnit dhe shqiponjës, në qershor të 1922.


Koment Dossier
Besi Bekteshi
Pergjegjesi  i Arkivit te Muzeut Shkoder

Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, normalisht që është e qartë se simbolet tona kombëtare të kenë edhe datat, por edhe historinë e tyre të arritjes deri në 2012-tën. Në fakt ne sot kemi Himnin tonë, flamurin dhe shqiponjën, të cilat kanë arritur deri tani duke kaluar kohë, regjime, dhe tentativa për të zyrtarizuar formën dhe përmbajtjen e tyre. Një prej këtyre tentativave zyrtare, është qershori i vitit tashmë të largët 1922. Në disa qarkore të këtij viti dhe patjetër më shumë në qershor, janë bërë zyrtarisht si nga Kryeministri Ypi dhe Ministri Brëndëshëm Zogu. veprimet për të pasur një himn të ri dhe padyshim edhe një shqiponjë të qartë dhe të saktë. me që në asnjë vulë dhe flamur kjo e fundit nuk ishte njësoj.
Për më tepër, kjo ishte në vazhdën e krijimit të shtetit të vërtetë të përfaqësuar edhe në botë me simbolet e tij. Për himnin në fakt, nuk jepet asnjë shpjegim pse duhet të bëhej një i ri, por dihej se nuk kishte një dokument zyrtar, që të vërtetonte dhe pikërisht zyrtarizonte atë himn ekzistues me tekst të Asdrenit dhe muzikën e huaj. Ishte pikërisht kjo, që kishte luajtur situatën në favor të një himni të ri, krahas disi mos darkotësisë për tekstin në përgjithësi, dhe për këtë hapet një “tender” i ri, ku kërkohet si teksti dhe muzika e re. Vendimi dhe qarkorja e firmosur nga A. Zogu është e datës 20 qershor 1922, dhe aty thuhet se: Këshilli Ministror me propozim të MB-së ka vendosur të bëjë një Himn Kombëtar zyrtar, midis vjershëtorëve dhe muzikantëve. Për këtë, u caktua një shifër prej 4000 franga ar, prej të cilave 1000 për vjershëtorin, dhe 3000 për muzikantin që do të fitonte. Për këtë autorizohej Ministria e Arsimit si zbatim, në vazhdë të këtij tenderi po të shprehemi përafërsisht si në ditët e sotme. Në fakt, historikisht është bërë edhe një himn i cili me disa të dhëna sidomos nga studiuesja Valbona Karakaçi ka pasur edhe dy autorë si Koliqi dhe Flloqi, por çështja ka mbetur kaq, jo më tepër, dhe nuk ka ndonjë dokument si për të dhe për himnin e 1908-tës të vërtetojë zyrtarizmin real të tij. Në fund të fundit, janë vitet mbas 1990-tës që kanë bërë edhe zyrtaren për Himnin  Kombëtar. Po e kanë çuar në lartësinë e ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë
Por po në vitin 1922, është bërë dhe është arritur pothuaj krejtësisht edhe forma shqiponjës dy krenare në vula dhe stemën, por edhe flamurin kombëtar. Ka filluar që në qershor problemi në qeverinë e kohës, por në një dokument që sëbashku me të parin për himnin, ndodhet në Arkivin e Muzeut Shkodër e që mban datën 9 korrik 1922,  me firmë të Xhafer Ypit, drejtuar Ministrisë së Brëndëshme thuhet se: Tue kenë se forma e shkabës së Flamurit Kombëtar dhe ajo e vulave nuk ngjajnë njena tjetrës......Këshilli Ministruer me propozim të legatës Shqiptare të Londonit....!
E në shkresë, sqarohet se janë katër forma shqiponje dhe është përzgjedhur njëra prej tyre e cila është shpërndarë të gjitha prefekturave dhe institucioneve në letër kalk për tu përdorur. Është pikërisht kjo shqiponjë, e cila i afrohet tepër asaj të sotmes, megjithse ka pak, shumë pak, dallime jo kaq esenciale. Po kështu edhe Ministri i Brëndëshëm A. Zogu, jep urdhër Prefekturave për zbatim të menjëhershëm të vulave dhe dokumentave të shtetit me këtë formë shqiponje tashmë të aprovuar nga Shteti Shqiptar. Në arkivin e Shkodrës, ndodhet dy prej letrave kalk të përdorura për të vendosur shqiponjën e rregullt, dhe u prodhuan edhe vulat dhe flamujt e ri me pikërisht këtë formë të shqiponjës së rregullt, dhe të aprovuar si formë zyrtarisht.
Interesantja në këto dy veprime të qeverisë së asaj kohe, është se po mendohej për simbolet edhe pse “Himni Kombëtar” i tekstit të Asdrenit nuk po zyrtarizohej si i tillë nga kjo qeveri megjithse ka vazhduar me dekada edhe pse shteti shqiptar vazhdoi me regjime dhe pushtime, sërish një zyrtarizim nuk u pa në kohë. Po kështu, ka pasur ndryshime dhe veprime edhe me shqiponjën dhe flamurin, por këtu hyn akoma në punë regjimi komunist që vendosi edhe yllin, i cili mori fund në fillim vitet 90-të. Tentativa për simbole zyrtare, edhe pse me peripeci, gjithsesi duhet respektuar edhe në 90-të vite më përpara nga shteti i asaj kohe, sidomos për faktin për të pasur një shtet me simbole të rregullta, dhe me përcaktime ligjore të cilat duhet të bënin shtetin shqiptar të tillë.
Tashmë mbas 90-të vitesh ne jemi mësuar pak as shumë të gjithë, por në fund të fundit si Himni Kombëtar dhe shqiponja kanë pasur edhe ato peripecitë dhe modelin në kohë që historikisht nuk mund të mohohet.

venerdì 25 maggio 2012

Përpjekjet për figurën e nëpunësit përpara 90-te vitesh


Zyrtari “taksaxhi” përpara,  dhe pas  90-të vitesh .



Dossier
Besi Bekteshi

Në jetën e shkurtë të shtetit shqiptar, është padyshim interesante të dihet se si është sjellë nëpunësi, polici, zyrtari dhe sidomos njerzit e shtetit që duhet të mblidhnin taksa. Jemi në fakt përpara 90-të vitesh, e pikërisht në vitin 1922, kur disa qarkore vërtetojnë se nëpunësit silleshin me njerzit në mënyrë abuzive, të jashtëligjëshme dhe përfituese.
Ankesat e mëdha të njerzve mbi mënyrën e sjelljes, dhe të veprimit zyrtar të disa nëpunësve të shtetit,  e kanë shqetësuar shumë qeverinë e asaj kohe.  Reagimi më i ashpër është ai i Ministrit të Brëndëshëm Ahmed Zogu,  i cili me datën 7/51922 shpërndan një qarkore ku thuhet: Nga ankimet që po bëhen, merret vesh se xhandarë, ushtarë, tagrambledhës dhe nëpunës të tjerë janë “tue hangër në kurriz të popullit pa pague gjësendi”. Ai vërteton se nëpunësit e tillë, po sillen shumë keq me popullin.
Pastaj qarkorja vazhdon se “ shteti shqiptar fuqinë e tij e merr për së drejti prej popullit dhe më shumë te pjesa punuese, prandaj çdo veprim që do të damtoj katundarin moralisht dhe materialisht, shifet si një delikt i pamohueshëm”.
Është krejt e qartë se abuzimi sidomos me taksidarët të shoqëruar nga xhandarë, që po silleshin keq me njerzit në përgjithësi, por sidomos në fshat, kishte bërë bujë.  Pastaj jepet porosia-urdhër që Prefektët dhe Nënprefektët, komandaët e gjandërmëve, të veprojnë duke ruajtur sigurinë dhe nderin e njerzve. Të behen hetime, dhe aktet të dërgohen në gjykatë thuhet në qarkore. Por duhet lajmëruar edhe Ministria e Brëndëshme menjëherë sipas po kësaj qarkoreje. Biles ai shton se kur bëhet ankim, nuk ka nevojë të “bëhet shkresë” por të kalohet menjëherë në proçes-verbal, dhe të kalohet në gjykatë. Pra urdhëri hiqte edhe mënyrën e mbetjes së problemit në “kalenda” dhe vonesat burrokratike, për të mbrojtur nëpunësit dhe oficerët e shtetit. Urdhërohen vartësit që të mblidhen kryepleqtë për të pyetur në përballje me ankesat e njerzve, kudo që ndodhin. Gjithashtu në qarkoren e datës 6/4.1922, Kryeministri Xhafer Ypi, e thekson këtë problem dhe thotë: Një pjesë e nëpunësve janë tue u sjellë shumë ligsht  e ashpër me popullin. Kjo shkakton ftohtësinë e gjithsecillit ndaj qeverisë kombëtare. Jepet porosia për sjelljen njerzore ndaj popullit, dhe të ndëshkohen fajtorët, dhe kjo shkresë është përpara shkresës së Ministrit të Brëndëshëm.  Nga kjo kohë e deri në daljen e urdhërit të MB-së, nga A. Zogu janë vërtetuar sërish shkelje të mëdha sidomos të taksidarëve që po thyenin jo vetëm etikën, por po silleshin si “grabitës” dhe shkelës së ligjit në mënyrë të dukshme. Por edhe Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica, me shkresën e datës 31/5/1922 sqaron se janë vendosur edhe Inspektorët e Arsimit të kontrollojnë nëpunësit civilë në përkrahje të xhandarmëve dhe kontroll të tyre “ që të mos bëjnë shpërdorime tue mos marrë nëpër këmbë popullin e katundeve”. Për më tepër shtohet se “janë tue vjedhë, tue hangër rryshfet, tue u sjellë ashpërsisht, me nji fjalë qi punojnë kundra ligjeve dhe njerzisë”! Shihet e qartë gjithashtu se raporti ti dërgohet drejtpërsëdrejti Ministrisë së Brëndëshme.
Pra, ju kërkohet inspektorëve të arsimit të cilët me sa duket ishin njerzit më të shkolluar dhe më të rregullt me ligjin, të bënin dhe kontrollin e nëpunësit civil, sepse ishte parë qartë dhe mirë abuzimi në sjelljen dhe zbatimin e ligjit, përpara njerzve.
Kjo shkresë vjen mbas vëndimit të qeverisë dhe në zbatim të Ministrisë së Brëndëshme  që A. Zogu bën në shkresën e datës 23/5/1922, e që kërkon ndihmën e “Inspektorëve të Arsimit” të cilët mund të kontrollonin edhe oficerët dhe komandantët e gjendarmëve. Ato duhet të kontrolloheshin në se merrnin rryshfet, dhe silleshin ashpër me njerzit.
Problemi kishte shkuar keq, dhe tashmë qeveria po merrte masat për të vënë kontrollin mbi sidomos njerzit me pushtet, dhe biles edhe ato të forcës së armatosur policore ose xhandarëve.
Kjo ishte situata, dhe kjo situatë del nga fletoret dhe qarkoret e shtetit. Me të vërtetë që letrat janë jo shumë të “kopsituara” në shkrimin e tyre burrokratik, si bie fjala sot. Por ato janë shumë të sinqerta, shumë të drejtpërdrejta, dhe nuk ka dyshim që shikohet se parësore është “mbrojtja e shtetit dhe figurës së shtetarit” përballë njerzve.  Nuk ka asnjë mënyrë tjetër në atë kohë të vështirë, kur shteti nuk ishte as ligje të stabilizuara dhe kur trashëgimia ishte tepër “dallkauke” dhe orientale, sidomos në mënyrën për të qënë një “zot” i njerzve kur ke veshje shtetërore dhe të nëpunësisë së shtetit.

A ngjan me sot?
Normalisht nuk duhet të ngjajë, sepse ligjet dhe format sëpaku janë krejt ndryshe. Por mentaliteti është shumë i ngjashëm me atë kohë. Patjetër që transparenca është më e madhe, por edhe metodat janë më të stërholluara. Abuzimi nuk është vërtetësisht një provë force, por forca e abuzimit, ka mbetur pothuaj ajo.
Sidomos në ato sektorë ku vilen taskat, ku bëhet puna e financës dhe rregullit fiskal ligjor. Normalisht që edhe sot pikërisht këtu ka problem.
Qarkoret e vitit 1922, ose të përpara 90-të viteve, janë shumë të sinqerta, shumë të përkujdesura për raportin që duhet të kishte shteti me shtetasit e tij. Po, edhe me raportin që duhet të kishin nëpunësit dhe administrata, por sidomos taksidarët dhe oficerët apo policë – gjendarmët, me njerzit. Këto letra, tregojnë se serioziteti dhe preokupacioni ishin të lartë. Padyshim që 90-të vite janë pak. Janë pak, për ato që ecin shpejt në qytetërim, por janë shumë, për ato që thonë....kemi ecur shpejt në qytetërim.






martedì 1 maggio 2012

Vrasja e Gjeneral Tellinit nga greket ne vitin 1923


Vrasja nga grekët e gjeneral Tellinit, dhe vështirësitë në përcaktimin e  kufirit shqiptar në vitin 1923.
Gjenerali italian Tellini, dëshmor i kufirit shqiptar.



Gjeneral Tellini dhe ushtarakët italianë të vrarë 
nga grekët në 27 gusht të vitit 1923.
Koment-Dossier

Besi Bekteshi
Historian-Arkivi Muzeut Historik Shkoder. 

Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugor grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre edhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte “Komisioni Ndërkombëtar” i ngarkuar nga “Konferenca e Ambasadorëve në Paris” që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, jo vetëm janë 17-të hartat e “delimitacionit tokësor” të kufirit shqiptar të përfunduar në vitin 1925-së nga ky komision, por edhe një vendim i Prefektit të Shkodrës A. Nepravishta në 1 shtator të vitit 1923, me fillimin e shkollës për të përkujtuar Gjeneral Enrico Tellini i vrarë nga grekët me 27 gusht, midis Janinës dhe Kakavijës në mes të 50 gradë dhe 53 gradëve, në kufirin shqiptaro-grek, por në teritorin  e njohur atëhere krejtësisht si grek.
Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte “Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit” dhe ishte i ngarkuar jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët, dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirfilltë dhe profesionist. Tellini i vra sëbashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues, dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Kurfuzit, dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen. Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në teritor ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe në Europë, e para pse ishte prekur një vëndim i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të mëdha, por edhe pse Musolini, po shfrytëzonte rastin për të goditur Greqinë. Ishte një rast i madh për qeverinë e porsa krijuar të tij, për të treguar dhëmbët dhe forcën ndaj pikërisht shtetit grek. Por pavarësisht kësaj, akti ishte një shëmbull burracakësh, dhe me domethënie të madhe për botën e qytetëruar, duke u kuptuar qartë se përcaktimi i kufirit të përbashkët shqiptaro-grek do të kishte shumë probleme.  
Diplomacia filloi edhe një herë avancimin e saj, sepse Greqia nuk i plotësoi të gjitha detyrimet Italisë, dhe këtu fillon edhe një moment i madh i keqësimit të marrëdhënieve Italo-Greke, ku puna shkoi deri te pushtimi për pak kohë nga Italianët të ishullit të Korfuzit dhe dërgimit të disa anijeve të mëdha të luftës si “Cavour, “Giulio Cesare, “Andrea Doria e “Caio Duilio”, për tu tërhequr vetëm me 27 shtator. Problemi shkoi larg deri në Këshillin e Kombeve dhe me nota proteste të shumta, të cilat kanë vendosur edhe incidentin e rëndë midis Italisë dhe Greqisë i cili ishte edhe një nga arsyet e forta të marëdhënieve gjithmonë të ndera dhe të dobëta, midis këtyre vëndeve deri në sulmin që Italia fashiste i bëri shtetit grek në luftën e dytë botërore. Gjithsesi shteti grek nxorri nga arka e tij 50 milion lira (në atë kohë ishte një shifër e madhe) dhe ja kaloi Bankës Kombëtare Zvicerane, dhe vetëm mbas kësaj italianët u tërhoqën nga Korfuzi. Gjithsesi hetimi i vrasjes nga qeveria greke, nuk solli asnjë konkluzion se kush i kishte vrarë italianët e ngarkuar me detyrë ndërkombëtare, duke mbetur çdo gjë në inatet politike dhe kombëtare të qeverive përkatëse.
Por për Shqipërinë mbetej problemi i përcaktimit të kufirit të saj, dhe dashje pa dashje, ky kufi kishte edhe dëshmorët e parë të huaj. Në fund të fundit, oficerët e lartë italianë, ishin me një mandat të lartë për punën e tyre, e cila duhet thënë ishte shumë e lavdërueshme në kushtet e vështirësive të mëdha të kohës, dhe në rrethana politike tepër të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht. Për gjeneral Tellini-n, ka emra rrugësh në Itali, dhe shteti shqiptar atëhere e kujtoi këtë oficer të lartë, për punën dhe fundin e tij tragjik në shërbim të detyrës së ngarkuar.
Puna e këtij komisioni mbaroi në vitin 1925-së, ku për 17-të hartat e kufirit tokësor ishte tashmë një gjeneral tjetër italian si Gazzera, nga Franca kolonel Ordioni, nga Britania, nënkolonel Glouch, dhe hartat e prodhoi “Instituti Gjeografik i Firences”.
Historikisht shteti shqiptar sidomos nën diktaturë, nuk ka pëlqyer ta përmëndë këtë vrasje nga grekët të bërë kundër oficerëve ndërkombëtarë, të cilët po “delimitonin” kufirin shqiptaro-grek. Nuk e ka pëlqyer ta përmëndë, sepse çështja ishte e ngarkuar me qëndrimin e regjimit të Duçes, edhe pse ishte një vrasje tipike greke dhe e bërë me qëllim friksimin dhe shkurajimin e të huajve, por dhe për teoritë e tyre po fashiste dhe vorio-epiriote, që kishin për Shqipërinë e jugut.
Hartat e vitit 1925-së, janë pothuaj ato që kemi sot, dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek.
Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellinit, mbetet edhe ngjarja e cila megjithse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për tu përcaktuar në atë kohë.