Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 12 marzo 2012

Nepunesi i depolitizuar 92 vite me pare

Pushim nga puna për nëpunësit në miting dhe fushatë, por jemi 92 vite mbrapa!



koment-dossier
Besi Bekteshi

Nga disa të përditshme të djeshme ishte i rëndësishëm lajmi se më në fund në ligjin e ri të “nëpunësit civil” në mes shumë të tjerave, do të vendosej edhe “largimi nga puna” në qoftëse nëpunësi  përfshihet në fushata zgjedhore.  Ose,  merret në vëndin e punës me politikë. Patjetër që është një ligj i mirë, që do të përpunohet si draft këtë vit dhe sipas të përditëshmeve do të hyjë në funksion me 1 janar të vitit 2013-të. Pikërisht në vitin kur priten edhe zgjedhjet politike nga më të rëndësishme që Shqipëria mund të ketë bërë gjatë kohës pluraliste të saj.
Ligji stabilizon “statusin e nëpunësit civil” dhe ana e largimit nga puna, për efektin politik, është në fakt një pjesë shumë e vogël e ligjit. Është pjesë e vogël, por është pjesa më e rëndësishme e ligjit.
Pse?
Po sepse, këtu fillon dhe devijohet demokracia, prishet nëpunësia si rregull dhe disiplinë, futet këmbëkryq politika në zyrat e shtetit, dhe në fund prishet burrokracia dhe kthehet në autokraci zyrtare ku ato që bëjnë militantin urdhërojnë, dhe prishin imazhin e punës së shtetit. Kemi mbi 22 vite që nëpunësit me hir ose me pahir, janë kontigjentet më të mëdha të mitingjeve, janë njerzit e përulur dhe të friksuar të partisë që është në pushtet, janë shërbëtorë të atyre lart në vënd që të jenë shërbëtorë të shtetit dhe atyre poshtë....!!
Sa nëpunësit merren me politikë në fushatë elektorale dhe kthejnë zyrën e shtetit në një moment politik jo për biseda, por për emërime, zëvëndësime, apo edhe largime kur partia ka nevojë, kur ajo zëmërohet apo është ose në humbje, ose në fitore. Në një mënyrë apo tjetër, politizimi i nëpunësit ka sjellë frikën, shtuar servilizmin, mos korrektësinë morale dhe zyrtare, dembelizmin dhe në fund, hendekun me qytetarin.
Mirëpo sot jemi në vitin 2012-të, dhe po e konstatojmë vazhdimisht këtë gjë, por dhe një pyetje mund të shtrohet si mund të ketë qënë bie fjala në vitin e largët 1920-të?
Po them vitin 1920-të, sepse ishte viti kur filloi qeverisja pothuaj normale e një shteti pothuaj normal, e politikës pothuaj normale, por mbas luftrave, pas pushtimeve, pas ndërhyrjeve për ta coptuar Shqipërinë. Sot është kollaj të flasim, por në nëntor të vitit 1920-të, ishte një rrezik imadh për Shqipërinë, si nga jashtë, por edhe nga lëvizjet brënda.
Në një qarkore tepër interesante të vitit 1920-të e datës 16-11-ti, Ministri i Brëndëshëm i asaj kohe Ahmet Zogu, urdhëron dhe kërkon, që nëpunësit të mos ngatërrohen me politike dhe në qoftëse vazhdojnë të merren në zyra me politikë, të largohen nga puna. Teksti është ky: Po shifet se në disa lutje ose kërkesa qi i përkasin politikës, po nënshkruajnë edhe nëpunësit. Nëpunësit nuk kanë të drejtë me u përzi në të tilla sende, por duhet të mbeten të pa anëshëm dhe larg nga të tilla vepra politike e lojna partishë. Jeni të lutun me heq vërejtjen dhe ju bani porositë e duhuna gjithë nëpunësve. Përkundrazi, ato qi kanë me u përzi, kanë me u largu nga nëpunësia qi kanë...!! Qarkorja ju dërgohet të gjitha Prefekturave  dhe drejtorive të ndryshme të shtetit shqiptar, si në qëndër dhe në rrethe. Në arkivin e Muzeut të Shkodrës, është një origjinal i firmosur dhe i vulosur i kësaj qarkoreje.
 Në atë kohë, kishin filluar lëvizjet nga më të ndryshmet dhe kishin rifilluar edhe një herë momentet kur zyrat e shtetit vlonin nga nëpunës që nuk bënin asgjë tjetër veçse të politizonin pikërisht vëndet e punës së tyre. Largime, mbledhje, takime dhe mitingje të shumtë ishin një lajt-motiv burrokratik dhe kishte filluar në stil të gjërë ky avaz duke përjashtuar kështu....punën!!  Fillimi i sulmit të politikës mbi zyrat e shtetit, pushtimi i tyre si mentalitet veprues, qoftë edhe te ato më të voglat, kishte po të njëjtën formë dhe përmbajtje si sot. Asnjë ndryshim dhe asnjë cilësi tjetër, përveç asaj që rroga e shtetit ishte një moment që fitohej duke bërë ... politikë më tepër se sa punën e shtetit. Në këtë moment, del edhe qarkorja e famshme, sepse shtetit shqiptar tepër i ri akoma nuk kishte ligje të mirëfillta. Dakort, por qarkorja që ishte një urdhër në fakt, kishte një modernizëm të jashtëzakonshëm, sepse ishte në një linjë me kodin e zyrtarit në Amerikë apo edhe pak vënde të zhvilluara të Europës. Mbas luftës së parë një ligj, kod të tillë, të nëpunësit e kishin plazmuar pak shtete të mëdha Europiane.

A është intepretuar në atë kohë ky urdhër qarkore? Patjetër, dhe ato që ishin kundështarë e kanë proklamuar se qeveria nuk donte, dhe nuk lejonte kundështarë brënda saj, por në fakt?! Por në fak, shkojmë ku shkojmë, dhe të gjitha qeveritë duhet ta bëjnë një diçka të tillë. Patjetër, sepse ka mundësi më tepër ai që është në qeveri, të bëjë zyra politike në shtet, se sa bie fjala opozita. Prandaj si me qëllim si pa qëllim, urdhëri dhe qerkorja ishte një modernizëm i cili ka 92 vite që tregon se sa realizëm kishte, dhe patjetër dhe dëshirë të mirë për një shtet stabël dhe në punë.....jo për punët e partisë.
Kam njohur dikur një institucion, akoma më tepër muze, të një prej qyteteve më të rëndësishëm në Shqipëri që vepronte në fillimet e mbas viteve 90-të, si një model partiak, tepër i anësuar ndaj një partie politike, dhe që për fat të mirë sot është krejt ndryshe. Në ligjin e ri, është pikërisht edhe ajo “qarkorja” e vitit 1920-të, por ama është 92 vite me vonesë. Po, gati një shekull që është shumë, po shumë vonë. Por më mirë vonë se kurrë thonë, dhe na duhet të kënaqemi me kaq.
Pastaj duhet të vimë te problemi i implementimit të tij, që është diçka tjetër e vështirë.

venerdì 9 marzo 2012

Emision TV ROZAFA 6 mars 2012

Emisioni Eurodita i drejtuar nga Mirsad Sylja dhe Sead Cena ne TV Rozafa. Te marten date 6 mars 2012.
Besi Bekteshi ne sqarimin e Ekspo-Arsimi.

mercoledì 7 marzo 2012

Gazetarja, shqiptaro-madhe amerikane, e pa kujtuar nga shqiptaret


Rose Wilder Lane, gruaja udhëtuese dhe gazetare, që bëri të njohur Shqipërinë në Amerikë dhe botë.


Koment – Dossier
Besi Bekteshi

Pergjegjesi Arkivit Shkoder 

Padyshim që nga gratë më të njohura nga ne dhe që ka bërë shqiptaromadhen në botën është Edith Durham, por gati bashkëkohëse me të, ka qënë një grua tepër e respektuar në Amerikë, gazetare dhe autore librash si Rose Wilder Lane. Kjo gazetare, bukuroshe, dhe udhëtuese e madhe, sidomos në rastin tonë në Shqipëri, ka lindur në 5 dhjetor të vitit 1886 në Dismet në teritorin e Dakotës, sot Dakota e Jugut. Librat e shumtë dhe shkrimet e saj, ndërmjet tyre edhe shkrimet apo librat për Shqipërinë,  janë dhuruar “ Herbert Hoover Presidential Bibliotec” dhe ka botimet e shumte të tyre në botë. Emrin e saj, dhe veprimtarinë në Shqipëri, e kam gjetur dhe në disa shkrime tepër të vogla, jo deri tani të konsultuara në Arkivin e Muzeut të Shkodrës. Çfarë e lidh me Shqipërinë një gazetare, shkrimtare, antropologe dhe kontribuese edhe e “Kryqit të Kuq”? E lidhin shumë veprime dhe sidomos libri i saj “Majat e  Shalës” ku shkruan me një simpati dhe mirësi të madhe për udhëtimet e saj në malësi dhe Shkodër. Por ajo ka shkruar edhe librin “Zenobia” ose udhëtimin e saj me një FORD T nga Parisi në Shqipëri. Ajo ka qënë për shumë kohë gazetarja më e paguar në Amerikë, dhe një antropologe e besuar në perëndim, duke bërë të qartë edhe besimin e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Ditari i saj i shkruajtur në makinë shkrimi në udhëtimin e dytë të Shqipërisë, është i famshëm për nga ngjyrat dhe janë mbledhur në “Kopshtin Shqiptar” duke  pasur një sukses të madh në shumë testata gazetareske të kohës, për nga studimi i thellë i realitetit shqiptar. “File-t” shqiptare të Rose Wilder Lane, janë të stërmadha dhe interesi po ashtu, dhe ka vazhduar deri në vitet 1967, si tregime të asembluara të viteve deri në 1928-29. Botimet për Shqipërinë në saj të Rose Wilder Lane, janë kaq të shumta në atë kohë, sa bëhen pjesë relacionesh politike edhe në saj të marrëdhënieve të plota miqësore dhe politike që kjo gazetare kishte sidomos më ish Presidentin e SHBA, Herbert Hoover. Po pikërisht Presidentin e 31-të të SHBA-së në vitet 1929-33.  Dy janë pikat kulminante të saj në marrëdhëniet me njerzit në Shqipëri. E para, një letër akoma e pa dalë qartë nga nëna e saj, mbi simpatinë e Ahmet Zogut e kthyer gati në një kërkesë për martesë, për gazetaren e famshme. Po, gjatë qëndrimit të dytë në Shqipëri, që i bie të jetë viti 1922, Rose Wilder Lane e famshme si shkrimtare dhe gazetare u njoh nga afër me Zogun që ishte në atë kohë afërsisht 27 vjeçar në postin e Ministrit të Brëndëshëm. Nga shumë shkrime del se “ato kanë rënë në dashuri, ose në një farë mënyre historianë të ndryshëm e trajtojnë si diçka të tillë nga ana e mbretit të ardhshëm të shqiptarëve”. Kyçi i të vërtetës është një letër që Rose Wilder Lane, i ka dërguar nënës së saj ku del se Zogu i ka propozuar për martesë, dhe kjo gjë ka bërë edhe xhiron e botës në atë kohë. Gjithsesi në atë vit, Rose Wilder Lane, largohet nga Shqipëria sepse kishin filluar trazirat. Por një nga ngjarjet e prekshme që e ka bërë Rose Wilder Lane të shënjtë si një grua e bindur në besim për Shqipërinë dhe shqiptarët, është birësimi i Rexh Metës, ose shqiptarit të parë që ka mbaruar Kembrixhin shkëlqyer. Historia është shumë e dhimbshme, sepse prindërit e Rexh Metës largohen nga Vuthajt në vitin 1913-të nga persekutimi malazes. Familja ka shkuar për disa vite në Kosovë dhe në 1919-tën, ka qëndruar në Shkodër. Sipas dëshmive të kohës del se prindërit vdesin dhe mbesin në jetimoren e Shkodrës në kujdestarinë e “Kryqit të Kuq” dy vajzat Gjyka dhe Zoja dhe djali Rexh Meta. Në këtë vënd,  Meta mëson shumë mirë anglishten dhe vetëm 12 vjeç, fillon shoqërimin e ekspeditave anglo-amerikane në veri të Shqipërisë në rolin e përkthyesit. Në këtë kohë, njihet me Rose Wilder Lane  të cilës ja ka shpëtuar jetën duke e ndihmuar të mos bjerë në një nga greminat e maleve të veriut, duke u bërë edhe djali i saj në shpirt. Ajo i siguroi bursën në shkollën amerikane “Harry Fullz” dhe pastaj duke ndërhyrë për bursë te Zogu edhe universitetin e famshëm të cilin Meta e mbaroi shkëlqyeshëm në ekonomi. Në vitin 1938-të Meta kthehet në Shqipëri, dhe vendoset Drejtor i Drejtorisë së Financave. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ai internohet atje dhe në verën e 1943 kthehet sërish në Shqipëri. Por në 1945-sën arrestohet nga komunistët dhe dënohet me vdekje.
Rose Wilder Lane, e merr vesh këtë gjë dhe arrin të ndërhyjë deri te Presidentit të SHBA-së duke arritur që të kthejë dënimin e tij në 27 vite burg. Rexh Meta një nga njerzit më të shkolluar të Shqipërisë, bën dënimin e tij në burgun e Burrelit, dhe gruaja e tij Pertefi, vajza Bora Rose, dhe djali Fitimi kaluan kalvarin e vuajtjeve në regjimin e Hoxhës. Me djalin e tij Fitimin, kam arritur të punoj për disa kohë në Ndërmarrjen Elektrike në Shkodër, dhe kam çmuar shumë euridicionin, dhe inteligjencën e pashoqe. Rexh Meta vdiq në vitin 1885-së në vitin e vdekjes së diktatorit, dhe u varros në Shkodër. Por veprimi i Rose Wilder Lane, ka kaluar kufijtë e botës për dashurinë që shkrimtarja dhe gazetarja amerikane apo gruaja e madhe ka bërë me “djalin e saj shqiptar” të adoptuar. Rose Wilder Lane, ka bërë shumë jetëshkrime të mëdha që e kanë bërë atë shumë të njohur në botë dhe në mes tyre janë ato për Herbert Hoover, Henry Ford, Charli Chaplin dhe Jack London, por ka prodhuar shumë përshkrime të ruajtura dhe jo mirë të studiuara nga ne, të cilat flasin për Shqipërinë dhe të ruajtura në bibliotekën presidenciale Herbert Hoover në West Branch të shtetit Ajova.
Kur në vitin 1928-të thirret të vijë me sa duket në kurorëzimin e Zogut si Mbret, ajo kthehet në Amerikë dhe boton më të famshim libër udhëtimesh të saj që titullohet “Travels With Zenobia: Paris to Albania by Model T Ford”. Nuk mund të ketë përshkrime më të bukura dhe raport më të bukur të realitetit, se sa ky libër i pëlqyer nga publiku amerikan. Në një nga tregimet e saj për udhëtimet në Shalë, ajo tregon se si ka mbetur me dy shoqëruesit e saj në një shpellë, duke e ndarë atë me një kaçak të maleve, dhe tregohen aty me detaje,  biseda dhe modeli i shqiptarit të egër, por patriot. Rose po kthehej në këtë rast nga malet në Shkodër për tu kuruar, sepse kishte marrë të ftohur nga udhëtimet e saj në malësi.
Detajet shqiptare të dala nga pena dhe makina e shkrimit të Rose Wilder Lane, janë referenca deri në politikën e lartë të SHBA-së në njohjen dhe mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar dhe akoma në kryengritje dhe formin, pikërisht në Ballkan. Shpërndarja e tyre shumë e shpejtë në saj të talentit dhe besimit që ajo kishte kudo, bënë që shumë modele politike të “rimodeloheshin” nga shumë zyra të larta sidomos në Washington.
Rose Wilder Lane, vdiq në vitin 1968 kur mendonte të ndërmerrte një udhëtim të ri të saj. Por punët e dokumentojnë pikërisht aktivitetin e saj të madh, që furnizojnë një shikim të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme kërkimi. Po, dhe në jetën e shkrimtarëve të lartë amerikanë, kushtet politike dhe ekonomike në Europë dhe për mbi të gjitha “Shqipëria gjatë viteve 20-të” që janë edhe dokumentat më të qarta dhe të mirë detajuara të saj.
Për një grua të tillë, nuk është bërë ndonjë “fjalë e madhe në Shqipëri” dhe kjo nuk na nderon shumë. Ajo është një “shqiptaro-madhe” dhe natyrisht që nga regjimi komunist nuk ka pasur mundësi të evidentohet, por sot është detyrë, që veprimtaria dhe të dhënat e saj mbi Shqipërinë të rivlersohen dhe të shikohen më në fund qartë dhe mirë. Ne dimë shumë pak, dhe përveç Ndrek Gjinit dhe Astrit Lulushit, nuk njoh ndonjë person tjetër ( web-et amerikane janë plot) që të ketë respektuar me shkrime, pikërisht këtë grua të fortë udhëtimesh të vështira, por edhe një humaniste amerikane. Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, është detyrë që emra të tillë të huaj të marrin dhe vendin e tyre në piedestalin kombëtar shqiptar, për rëndësinë që kanë në krijimin e bindjeve, dhe njohjen e Shqipërisë në botë.




martedì 6 marzo 2012

Ekspo-Arsimi, 6-7 2012 ne Muzeun Historik

Ekspozite me foto origjinale nga 1900-1944 dhe nga viti 1944-1970.
Por edhe dokumentacion autentik, per arsimin ne vitin 1920. Firma dhe dokumente origjinale nga Sulejman Delvina, Kryeminister, Ahmet Zogolli, Minister i Brendeshm dhe prefekt i Shkodres, Musa Juka Kryetar i Bashkise se Shkodres, Ndoc Coba Minister i Financave, etj. Dukumenta origjinale qe tregojne perpjekjet e asaj qeverie per organizimin e arsimit ne Shkoder dhe Shqiperi. Te gjitha te dala per here te pare ne publik.


Materiale nga Arkivi i  Muzeut te Shkodres.
Ekspozita eshte nje bashkepunim i Besi Bekteshi, pergjegjesi i Arkivit, Fatmir Juka, pergjegjesi i Muzeut Shkoder dhe Ndricim Mlika pergjegjesi i Muzeut te Kalase Shkoder.

Arsimi, dhe dokumentet autentike te kohes ne Arkivin e Shkodres

Arsimi, në kujtesë të përpjekjeve kombëtare të vitit 1920.

Dossier-Koment
Besi Bekteshi*

Sot është dita e kujtimit të “Mësonjtores” dhe normalisht ditës së arsimit në Shqipëri. Patjetër që në fokusin e 100 vjetorit, është një detyrim moral, historik, dhe veçanërisht qytetar, të dalin përpjekjet reale të një shtetërimi të vërtetë, në arsimin kombëtar shqiptar. Patjetër është i rëndësishëm viti 1912-të si fillimi i këtij shtetërimi, por është po kaq i rëndësishëm edhe vendosja e raporteve të reja të shtetit shqiptar, mbas vitit 1920-të dhe Kongresit të Lushnjes. Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës ka dhjetra e dhjetra dokumente dhe foto origjinale, jo vetëm të shkollave të viteve të para të shekullit 20-të dhe mbas në arsimin e qytetit të madh kulturor, por edhe të njerzve, shkollave, dhe eventeve arsimore të jashtëzakonshme për kohën. Janë përpjekjet e shumë njerzve të lartë të arsimit, për të bërë shkollën kombëtare. Gjithsesi viti 1920-të është edhe bazamenti i fillimit të Ministrisë së Arsimit, dhe kujdesjes për një arsimin kombëtar dhe perendimor. Jemi në kohën e qeverisë së Sulejman Delvinës, së Ministrit të Brëndëshëm Ahmet Zogolli, të Ministrit të Financave Ndoc Çoba dhe Kryetarit ë Bashkisë së Shkodrës Musa Juka, që me vendimet, urdhërat, dhe dokumentacionet fantastike kombëtare, po përpiqeshin që arsimi të ishte parësor, në ato kohë të vështira për kombin dhe vetqeverisjen e Shqipërisë.
Me datën 27 mars drejtori i Arsimit në Shkodër M. Bekteshi kthen përgjigje Ministrisë së Arsimit e cila që me dt 18/3/1920 e bën arsimimin e shqiptarëve të detyrueshëm, duke shprehur gëzimin e madh dhe solidaritetin e devotshëm. Por ka diçka tjetër të rëndësishme në ato kohë të fillimit të vendosjes së arsimit mbi baza ligjore. Drejtoria e Arsimit në Shkodër, ashtu sikundër edhe në Prefektura të tjera mbi bazën e vendimit të Ministrit të Brëndëshëm A Zogut dhe të Drejtësisë H. Kadri, i mbledhin të “gjithë Nëpunësit e Arsimit të betohen në emër të Qeverisë Kombëtare” dhe patjetër fillimi me betimin, është edhe një diçka madhështore kombëtare, e cila në fakt nuk bëhet sot. Kjo kur shumë vënde e bëjnë, për ti dhënë arsimtarit, gjëndjen e duhur të rëndësisë të posaçme në detyrën fisnike. Me një shkresë të datës 16/3/1920 si Ministri i Brëndëshëm A. Zogu dhe ai i Drejtësisë H. Kadri, me firma origjinale, “kalojnë përfundimisht arsimin kombëtar në qëndër dhe rrethe, nën varësinë direkte të Ministrisë së Arsimit në Tiranë” dhe ky është edhe momenti kur arsimi fillon definitivisht të kontrollohet nga shteti shqiptar.  Po ashtu me një urdhër-vendim të Ministrit të Brëndëshëm, të datës 18/3/1920, “detyrohen Drejtoritë Arsimore, të mos marrin asnjë urdhër pushimi nga puna apo emërimi në punë të mësuesve, nga asnjë dikaster tjetër, përveç atij të Ministrisë së Arsimit”.  Kështu që tashmë askush nuk mund të ndërhynte në përcaktime punësimi dhe largime, dhe në urdhër thuhet prerë “askush të mos përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e arsimit”. Kjo tingëllon aktuale edhe për sot. Në një vendim të Kryebashkiakut Musa Juka të datës 17/3/1920 organizohet arsimi në Shkodër për të përkujtuar ngritjen e flamurit në Shkodër në 1913 dhe thuhet specifikisht se: Ngritjen e flamurit dhe bashkimit të Shkodrës me Shqipërinë. Kombëtariteti dhe organizimi i tillë, ndjehet ethshëm në këto vite. Por akoma më shumë, me një urdhër nga po Musa Juka me dt 22 mars, organizohet miting dhe festë në Shkodër, edhe me anën e arsimit për të bërë si manifestim dhe një telegram falenderimi për Presidentin e SHBA-së “për simpatinë që ka diftue për kombin Shqiptar” dhe është fjala për presidentin Willson. Po, është problemi i madh i trojeve shqiptare, dhe marrjes nën mbrojtje të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në arkiv, çdo gjë është me vula dhe firma origjinale, dhe kjo pjesë është edhe një organizim për arsimin dhe shkollat shtetërore në Shkodër. Janë mbajtur fjalime përpara nxënësve për këtë eveniment të madh ndërkombëtar në mbrojtje të Shqipërisë.  Akoma më shumë në 18 mars të 1920, Ministri i Brëndëshëm A. Zogu, në atë kohë firmoste (Ahmet Zogolli) jepet urdhër specifik që Prefektët dhe Nënprefektët të tregohen me fuqi të plota për detyrimin e prindërve për të çuar fëmijët në shkolla, sepse “ prej shkollave varet shpëtimi dhe përparimi i kombit shqiptar”. Më atdhetari dhe përkushtim se sa kaq në letra dhe veprime, është shumë zor të gjesh edhe sot.
Pastaj në arkiv ka qindra dokumenta që tregojnë organizimin, pagesat dhe shkollat e shumta të krijuara rishtas në Shkodër, por edhe vendosjen e autoritetit shkollor në Shqipëri, dhe sidomos në Shkodër. Normalisht zhvillimi në këto vite të vështira për vëndin në arsim ishte i posaçëm, kishte shumë pak mundësi, por shumë përpjekje të vendosjes së këtij elementi të madh kombëtar nën kujdesin qeveritar, dhe duket edhe në anën financiare të qeverisë që duhet të zgjidhte tepër detyra nën firmën e tjetër shkodrani, si Ndoc Çoba. Sot ne kemi një arsim të zhvilluar, kjo është e vërtetë, por  na mungon ajo që në popull quhet “ta marrësh seriozisht”. Emri i mësuesit ishte tepër i madh atëhere, paga gjithashtu e kujdesur të ishte nga më të mëdhatë, organizimi në raport me të tjerat shumë i madh. Vetëm në rrethin e Shkodrës u hapën mbi 20 shkolla brënda një kohe tre mujore, dhe u emëruan mësues të shumtë me shkolla të mbaruar jashtë. Është absolutisht e vërtetë që arsimi u organizua më së miri në kushtet e  vështira të shtetit të asaj kohe, dhe kjo kohë fillon edhe momentin e një rëndësie të veçantë dhe pa ndërprerje të arsimit në Shqipëri. Kjo kohë duhet vlersuar për cilësinë e të qënit kohë e përkushtuar për arsimin e shqiptarëve, dhe krijimin e shkollës shtetërore në mënyrë të qartë dhe të vendosur. Duhen hapur realisht arkivat e kohëve të fillimit të arsimit, sepse sëbashku me to dalin realisht përpjekjet e mëdha të bëra në kohë. Komunizmi shqiptar, në mënyrë tragjike dhe aspak shqiptare, jo vetëm që nuk ka nxjerrë punën e të gjithëve në kohë, por ka mbajtur të mbyllur veprimet e dokumentuara dhe të plota, të viteve të shtetit të sapo formuar shqiptar. Normalisht që në rastin e 100 vjetorit, do të dalin edhe emrat e shumë e shumë drejtuesve, arsmitarëve, shkollave dhe mënyrave të zhvillimit të mësimit, por patjetër që do të jetë temë e artikujve të tjerë. Ajo që mund të them është se “sot duhet ta marrin seriozisht dhe me pasion si në atë kohë”. Kjo më duket gati e pa mundur, por në fund të fundit shpresa mund të vazhdojë të jetojë, për një arsim kombëtar në vëndin e duhur të vëmëndjes sidomos të shoqërisë, shtetit, dhe lokalëve kudo në Shqipëri.

 Përgjegjësi i Arkivit në Muzeun Historik Shkodër



mercoledì 29 febbraio 2012

Lavdet e te huajve per shqiptaret


Vlerësimi i lartë i kombit shqiptar nga perendimorët, një  motiv krenarie për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Opinon-koment
Besi Bekteshi

Në një foto të vjetër në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, duket Edith Durham në krye të disa luftëtarëve malësorë dhe shkodranë, të cilët janë në pozicione. Normalisht pastaj një dorë e kujdesëshme ka shkruar edhe disa vlerësime të saj për racën dhe kombin tonë. Por unë sot, po ndalem te një nga thëniet lapidare të saj në vitin 1905-së e cila po realizohet sot. Në librin e titullar “The burden of the balkans” shqiptaromadhja thotë: "I assure you they are Bismarcks — veritable Bismarcks. Some day they will demand, and Europe will have to give them what they ask!"- Unë ju siguroj se ato..shqiptarët...janë Bismarks-Bismarkët e vertetë. Një ditë, ato do të kërkojnë, dhe Europa do të duhet t’ju jap atë që kanë nevojë....! Por ajo vazhdon: Ato mbajnë fjalën e dhënë, dhe munden të jenë përgjithnjë të ndershëm...!! Në fakt, nuk është fjala në se janë gjermanët përpara nesh, se kjo është e ditur si pellazgë dhe ilirë që jemi, por se jemi popull perendimor dhe në natyrë për të qënë gjithmonë të tillë. Në të vërtetë  kemi treguar se kemi mbajtur fjalën në lidhje me perëndimin, dhe perëndimi e ka vërtetuar sot këtë gjë duke na dhënë atë ç’ka duhet të na jepnin. Sigurisht një Shqipëri në NATO dhe afër BE-së,  dhe pavarësia e Kosovës e vërtetojnë edhe profecinë emblematike të zonjës britanike dhe shqiptare njëkohësisht. Por David Herbert Croly, i cili ka qënë një lider intelektual, editorialist, filozof politikan dhe bashkëthemelues i revistës “The New Republic” thotë për shqiptarët në volumin nr 5 të vitit 1915-të  kështu: Shqiptarët janë populli më i vjetër i ballkanit, dhe kanë qënë në sundim të maleve të tyre prej kohësh së kujtuara. Ato rrjedhin nga pellazgët e vjetër dhe gjuha e tyre është çelësi, për emrat e zotave, dhe heronjve të Homerit. Asnjë racë tjetër nuk mund të ketë pretendim të vlejtëshëm për teritorin në zotërim të shqiptarëve....!! Më qartë dhe më thellë se sa kaq, nuk mund të vlerësohen raca dhe populli jonë në vitin 1915-të.
                       Në vitin 1919-të “ New York Times” shkruante: Është tashmë mirë e konsoliduar se shqiptarët janë direkt pasardhësit e të parëve arjanë, që ishin të prezantuar në epokën historike nga tributë ilire, maqedonase dhe epiriote. Saktësisht kjo në New York Times - current history: the European war, Volume 17-të, dhe tregon se si në atë kohë kjo testate e rëndësishme e botës bënte një politikë proshqiptare kur vëndi vuante, dhe ishte në formim shtetëror. Asnjë dyshim se testata donte që shqiptarët të vendoseshin në rradhën e popujve elitarë të botës.  Por testata tjetër e madhe “ The Indipendent” në vitin 1913-të, kur Shqipëria sidomos në Shkodër ishte në rrezik të madh shkruante:  Në periudhën antike, Albania-Shqipëria e veriut ishte e njohur si Iliria, kurse jugu si Epiri. Ja një eksperiment i rrallë për tu testuar – formimi i shteti i përbërë nga një popull që ka mbetur primitiv, me një antikitet të pa ndërprerë në zëmër të Europës për 3000-jë vite....! Kjo e botuar në “The Independent”, Volume 75 dhe si original në "University of Michigan". Normalisht që ishte e kuptueshme qartë se çfarë po kërkohej nga perëndimi për të bërë dhe kuptuar .... për shqiptarët. Akoma më shumë “North American Review” ka qënë revista e parë letrare në SHBA, e themeluar në Boston në vitin 1815-të nga gazetari Nathan Hale ku në vitin 1929-të shkruhej: Historianët kanë vërtetuar në përgjithësi se shqiptarët janë grupi racor më i vjetër i ballkanit, një grup banorësh përpara helenëve në gadishull....nga momenti që rrënjët e kësaj gjuhe – shqiptare, gjinden më përpara në antikitet,  mund të vlersohet nga fakti se janë prova që emrat e hyjnive greke dhe disa fjalë në greqisht, kanë ardhur nga gjuha shqip...!! E gjitha kjo në “The North American review”, Volumi 227 dhe autorë Jared Sparks, Edward Everett, James Russell Lowell, Henry Cabot Lodge të edituara nga “University of Northern Iowa”, 1929.  Patjetër që kishte edhe në këtë kohë një ngritje të madhe të vëmëndjes sidomos në SHBA, për shqiptarët dhe racën e tyre të vjetër, por dhe të një gjuhe të rëndësishme. Për të mos e lënë vetëm perëndimin në vlersime mund të theksoj se edhe Aristoteli thotë në antikitet se: Thonë se Ilirët, të quajtur Taulantë, bëjnë verë nga mjalti....dhe shpjegon se si kryhej ky veprim.
Njeriu i albanologjisë dhe fotografive të jashtëzakonshme për Shqipëtarët ose Maksimilian Lambertz shkruan se: Historia e vërtetë e njerzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët do të merrin pjesë...!! Kjo është në “Albanien erzählt: ein Einblick in die albanische Literatur. Übersetzt und herausgegeben. Literatur der Volksdemokratien, 7”  (Berlin: Volk und Welt 1956)
I njohuri Charles Woods thotë në librin e tij “Turqia dhe fqinjët e saj” kështu: Shqiptari është një burrë me devocion deri në vdekje. Kur është marrë në shërbim, ai jo vetëm që është një punëtor i sigurtë, por edhe një mik besnik dhe i sinqertë në të gjitha, por dhe mbrojtës i dobishëm në vështirësitë eventuale që dalin....! 
Në vitin 1888 Edgar. L.Wakeman mbas shumë kërkimeve thotë  këtë për gjuhën e shqiptarëve – Gjuha e shqiptarëve është gjuha e ilirëve antikë, por edhe shumicës së maqedonasve dhe ndoshta e grekëve shumë më tepër se sa kufijtë e sotëm....!! Këtë gjë e ka deklaruar në "The current", Issues 238-252 botuar në Journal, magazine : Chicago, lll. : Edgar L. Wakeman, 1883-1888.
Në “Les pays balkaniques (1915)” gjenerali Gustave Niox me editor Delagrave, Paris, i publikuar për herë të parë në vitin 1883 në “Géographie militaire” shkruan ndër të tjera se...shqiptarët thuhet se janë një nga racat më të bukra dhe kurajoze...!
Kurse Eugene Pittard thotë për kurrajon e shqiptarëve se...kjo është një nga virtutet parësore si për burrat dhe për gratë. Gratë suljote ishin shqiptare të vërteta. Do të mbeten në histori për shëmbullin e tyre dhe askush nuk mund të jetë si ato...!!
Në librin The Balkan Wars, 1912-1913 me autorin Jacob Gould Schurman, ky i fundit shkruan: Edhe pse fuqitë e mëdha ju kanë dhënë një gurvernant, princin gjerman Wilhelm Vid, aty nuk ka një shtet të organizuar. Shqiptarët janë një nga racat më antike të Europës në mos me antikja….por ato nuk kanë pasur kurrë një shtet të tyrin…!
 E sërish Eugene Pittard thekson se...shqiptarët janë pasuesit më autentikë të ilirëve antikë. Ato zënë një hapsirë ku para ardhësit e tyre, kanë ditur të mbrojnë me një heroizëm pa asnjë krahësim. Kujtohen vështirësitë ushtarake që janë detyruar të përballojnë romanët kur donin të pushtonin Ilirinë. Është e njohur që shqiptarët nuk kanë qënë kur të thyer në gadishullin ballkanik nga otomanët. Historia e Skënderbeut nuk është harruar..!!

Ka edhe shumë e shumë të tjerë që kanë ngritur koshiencën kombëtare tonën, i kanë dhënë të drejtë racës dhe gjuhës, apo historisë tonë, dhe kjo është për këtë 100 vjetor të pavarësisë një diçka që duhet etiketuar me një respekt të madh.
Gjithsesi të huajt e ndryshëm kanë dalluar se në historinë tragjike, por edhe fatlume të një populli i cili ka pasur vështirësi të mëdha,  bën pjesë kurrajoja, trimëria dhe trashëgimia e madhe kulturore dhe gjuhësore.
Kjo është edhe ndihma më e madhe që i kanë dhënë individë të tillë të spikatur, pikërisht shqiptarëve në kohën kur vendoseshin fatet e Shqipërisë, të krijimit të shtetit shqiptar. Të tillë të huaj duhet të nderohen absolutisht njësoj si rilindasit tonë, luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë.
Kjo është edhe ajo që mund të bëjmë ne, duke i vendosur edhe një sasi të madhe të njerzve të perëndimit, të historinëve dhe albanaologëve që njohën dhe vlerësusan lart historinë dhe shqiptarin, si racën me antike në Ballkan dhe Europë. Pikërisht asaj Europe të cilës sot, ne duam ti bashkohemi politikisht dhe ekonomikisht.

besibekteshi@gmail.com
Historian, pergjegjesi i Arkivit te Muzeut Shkoder




venerdì 24 febbraio 2012

Curruption & absurd

Robinson Vandeleur, me “Shqipërinë në Rrugën e Lirisë” si atëhere dhe tani!
Një shërbëtor i shtetit si i varfër në origjinë ka bërë një shtëpi të bukur, çmimi i saj mund të vijë në një mënyrë apo një tjetër nga fondet publike, nga tangentet-nën dorë.

Koment
Besi Bekteshi
Shkrimtari britanik Robinson Vandeleur, por edhe një figurë ushtarake si një bir koloneli, me studimet e kryera në Kembrixh, pikërisht në “Emmanuel College” ka qënë shumë aktiv në dikur “Lidhjen e Kombeve”. E kam fjalën përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Ai ka qënë “Organizator rajonal, për Europën Juglindore” dhe një njeri që njihte problematikën e rajonit dhe sidomos Shqipërinë. Mbasi ka kaluar vetë personalisht në Shqipëri, ai ka botuar edhe librin e tij “Rruga e Shqipërisë për liri” ose “drejt lirisë” i botuar në Londër, në vitin 1941. Për 100 vjetorin e shtetit Shqiptar, jo vetëm ja vlen të dëgjojmë “veten tonë” por normalisht  kanë pjesën e tyre edhe të huajt, që kanë shkruar sidomos për të vërtetuar përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre, duke ardhur nga një trashëgimi aspak normale e një perandorie Turke që vitet e fundit kishte lënë vetëm korrupsion, dhe mënyrë banale të trajtimit të zyrtarit dhe shtetit në përgjithësi. Padyshim të fundit në Ballkan të dalë nga një perandori në zgërlaqe dhe korrupsion, do të kishin edhe pasoja të mëdha.  Në një nga pjesët e botuara nga Robert Elsie të cilën e ka titulluar “Korrupsion në absurd”, Vandeleur, mundohet të trajtojë vështirësitë e Ahmet Zogut në krijimin e një administrate ndryshe nga trashëgimia. Por në shkrim, vërtetohen ngjashmëri si “dy pika uji” me të sotmen. Midis viteve të regjimit të Zogut, dhe ato të demokracisë sot, është brënda edhe regjimi diktatorial  i ashtuquajtur komunist, por me shumë brëndi turkoshake të një periferie otomane që i ka shtuar dozën e keqe të administrimti absurd, prandaj është e rëndësishme të shikojmë se si e ka njohur bota pikërisht “daljen në liri të Shqipërisë në kohën e Zogut”.
Duke krahësuar gjysëm demokracinë e Zogut, dhe përjashtuar diktaturën, mund të bëjnë paralele me sot, dhe kjo është e domosdoshme për nesër.
Robinson Vandeleur thotë qartë në shkrimin e tij se “ një vështirësi e Mbretit Zog ishte të gjente njerzit e përshtashëm, të cilët duhet ta ndihmonin të modernizonin vëndin e tij”. Por Robinson Vandeleur saktëson se “këto njerëz nuk duhet të dobësonin peshën e tij të pushtetit dhe autoritetit që ishte e domosdoshme”. Saktësimet e tij politike dhe historike, janë tashmë pothuaj legjendare, kur dihet se janë botuar në vitin 1941. Zogu thotë Vandeleur, kishte gjetur një vënd së fundmi të dalë nga dominimi turk, me të gjithë korrupsionin dhe anomalitë që pikërisht sistemi turk imponononte në atë kohë. Në vitet e shumta të përmbysjes së turqve, dhe ardhjes në fuqi të Zogut, vëndi ka kaluar disa pushtime nga fuqitë e huaja, shumë qeveri lokale ose të paqëna, dhe si përfundim jo legjitimitet. Disa nga njerzit e tij, ishin mësuar të qeverisnin, por sipas standartit turk, që edhe vetë turqit, e kishin abandonuar thotë Robinson Vandeleur. Biles diplomati britanik tregon se një herë në “Asamblenë e Kombeve” po diskutohej problemi i Palestinës, dhe njeriu që diskutoi atje ishte Mehdi Frashëri si delegat i Shqipërisë i cili kishte qeverisur në kohë të despotit Hamid-sulltan dhe tregonte se ky lloj dispotizmi është më afër nesh....!! Pra ky ishte edhe modeli që do të qeverisnin vëndin, dhe ky ishte edhe lloji i njerzve në dispozicion thotë sërish Robinson Vandeleur.  O nga ky lloj, do të përzgjidhej për të qënë ministra dhe prefektë, përfaqësues diplomatikë dhe administratorë, ose duhet të bije nën “administrimin sovjetik” sikundër ishin në modë në lindje. Pra duhej një ndërhyrje e britanikëve për të futur në Shqipëri standartet moderne të Shqipërisë së re.
Vandeleur vazhdon duke thënë se: Në kohën e turqve principi i avokaturës ishte “mos ja mbyll gojën kaut që shin”. Biles në anën adminitrative, Vandeleur thotë se “ishin fshatarët shqiptarë që u bënë musulmanë dhe ja dhuruan talentin në shërbim sulltanit” duke marrë edhe ofiqe nga më të ndryshmet për gjatë kohës. Po kështu edhe feudali Zog, bëri karierë si komandat forcash ushtarake, ministër i brëndëshëm dhe pastaj u ngjit në fuqi. Kështu pothuaj janë ngjitur të gjithë....por rroga ishte e vogël, për të bërë një ekonomi kombëtare...me fjalë të tjera për të lejuar Mbretin të vazhdonte në kohë, pa ndonjë kredi tjetër nga Italia në atë periudhë. E kështu dikujt i vonohej paga dhe se po tju shkonte në rregull...sërish ishte e vogël.
Kjo është çështja tjetër e problemit thelbësor në Shqipëri. Një vënd i varfër si Shqipëria dhe kopracët e sulltan Hamidit të Turqisë, nuk mund të afronin paga bujare nëpunësve të tyre publik, por lejonin efektet anësore për të shkuar përpara...!! Një diçka e trashëguar jashtëzakonisht qartë pikërisht nga ajo kohë. Një nga mënyrat e pasurimit thotë Vandeleur, është që të vegjlit e zyrave të merrnin një “dorë” nga një person që të mundësonin takimin me një funksionar të madh të cilin duhet të takonin...!! Trashëgimi e dukshme edhe sot apo...jo! Përpara se të takohet një prefekt, një gjygjtar, një ministër që ka fuqinë për të zgjidhur punët e bisnesit....ka edhe një “dhuratë” për zyrtarin që e bën të mundur. Në rast të kundër thotë Vandeleur, sekretari apo zyrtari poshtë të deklaron se “ ministri është i zënë” dhe ministri nuk e merr vesh kurrë kush e ka kërkuar normalisht.  E vogël për sot kjo gjë, por funksionante deri vonë...!! Vandeleur jep shëmbullin më lart në rastin e tenderave... bie fjala të blloqeve të çimentove në Durrës. Italia kishte dhënë përpara fondet dhe këtu fillonte edhe sistemi i “kapjes” së ndonjë dhurate për “shpenzim”. Vandeleur pyet...pandershmëri...por njëriu duhet të jetojë, sa për të jetuar kur kupton se 30 stërlina ka një ministër si rrogë. Mundet thotë Vandeleur që muajin tjetër Mbreti të ta largojë dhe nuk ka as pension...me se do të jetohet!? Pastaj kështu prosperon anëtari i qeverisë që ka edhe familje dhe miq e shokë, pensione, punë, kontrata dhe një zot e di  se sa! Duhesh thotë Vandeleur, që të kesh rroba të mira, cigare të shtrenjta, paraqitje, por të ardhur nga skamja dhe shtëpitë pa ndonjë gjë të paraqitesh përpara gazetarëve dhe të jetosh në mënyrë europiane...është e pamundur? Duhet ndërtuar një shtëpi dhe mundësisht në qëndër...bulevard ...me një kopësht dhe mure...vilë moderne..!! Po kështu edhe për zyrtarët e ndonjë province si prefektët. Kuptohet se “diga e panevojshme” që italianët e duan me patjetër, do të ketë një “dorë”....!
Janë dy preokupacione në mëndjen e një ministri thotë Vandeleur...e para “ajo dora” dhe e dyta aleancat e nevojshme. Ishin të mësuar që kur ishte koha e beut..pashait...dhe zyrtarit të dikurshëm. Ishte e vështirë për Zogun të krijonte koshiencën, eleminimin e tentacionit...veçse me koston për të mbushur arkën e shtetit bosh, me borxhet e Italisë për një kohë të gjatë. Për të njëjtin motiv, të gjithë sistemet e tij të mrekullushme për reformën agrare, bankat e agrikulturës, të arsimit dhe të tjera përmirësime, kanë qënë gjithmonë të vështira dhe zgjatën vite e vite, kur mund të bëheshin për pak kohë.  Vazhdonte edhe ngritja e gishtit nga të gjithë kundër të gjithëve për tangentet, dhe sidomos nga ato që nuk kishin mundësi të futeshin në administratë....pse sot çfarë...bëhet mund të pyes unë!? Sepse nuk kishin mundësi të bëheshin të pasur. Kishte shëmbuj të lartë të hyrjes së njerzve në pushtet nga një vafëri e madhe, që ju njihej nga të gjithë, dhe diheshin pasuritë nga babai dhe nëna e ky pastaj.... bëhej i pasur...!! Në britani, një i tillë mund tja kalonte qartë, në saj të trashëgimive apo luajtjeve në bursë, dhe me mënyrat e vëndeve të pasura qoftë edhe me shkrimin e një libri dhe artikujve në gazetë. Pra mund të bëhej i pasur pa ndonjë pandershmëri të madhe.....por këtu!!?
Nuk është kështu në Shqipëri thotë me qartësi Vandeleur. Një shërbëtor i shtetit si i varfër në origjinë ka bërë një shtëpi të bukur, çmimi i saj mund të vijë në një mënyrë apo një tjetër nga fondet publike, nga tangentet-nën dorë, qartëson Vandeleur. Kjo patjetër që nuk është diçka që nuk vepron fuqishëm edhe sot.
Gjithsesi Vandeleur thotë se në mënyrë të veçantë, në vitet e fundit,  kishte një numër në rritje të burrave vërtetë të ndershëm në shërbim të publikut.
Xhandarmaria, arsimi, qëndrim në universitetet perendimore, shkëlqimi thelbësor i personave të lindur në Shqipëri, po prodhonin një gjeneratë të iluminuar. Po të takoje njerëz të tillë dhe Sovrani e ka bërë... mund tju besohej. Por shqiptarët nuk besonin te një funksionar të ndershëm dhe ka ndodhur thotë Vandeleur,  që njëherë në një funeral të një personi të tillë funksionar që vdiq i varfër sikundër kishte fillur punën, një e treta në varrim thoshin....po shkon një tjetër budalla...!! Nuk është ndryshe edhe sot, mund të them unë.
Do të ishte një gabim i rëndi thotë Vandeleur të lejosh impresionin që i “gjithë koleksioni i politikës shqiptare” ishte plot me të korruptuar dhe të pa ndergjegjshëm. Vandeleur e mbyll kapitullin duke thënë se: Ky imazh që del nga ky shkrim, shërben për të pasur në dijeni se “me çfarë duhet të përballesh Mbreti Zog. I ndihmuar nga organizma të ndryshëm, dhe nga kalimi i kohës, ai arriti të bënte përmirësime të dukshme. Në qoftëse detyra e tij nuk u përfundua, kjo i detyrohet italianëve që kanë penguar punën e tij në të gjitha drejtimet, dhe në fund “ja prenë shkurt”.
Normalisht përfundimi i Vandeleur është i drejtë edhe për mua, dhe për shumë e shumë të tjerë në Shqipëri, duke menduar se pushtimi italian ishte një dredhim shumë për keq nga rruga e lirisë së Shqipërisë.
Por gjithsesi është për të menduar dhe pyetur. Si dolën në vitet 90-të?
Ka mundësi të kemi dalë akoma më të varfër, më të uritur, dhe më të pa zotët për të bërë shtet se në vitet 1928-të.
Ndoshta e kam edhe gabim, por nuk më duket se 50-të vitet e Enver Hoxhës, nuk ju kanë shërbyer për të larguar zakonet e dobëta, korrupsionin, dhe pasurimin pa mënd dhe pa kriter..... shqiptarëve.