Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 6 marzo 2012

Arsimi, dhe dokumentet autentike te kohes ne Arkivin e Shkodres

Arsimi, në kujtesë të përpjekjeve kombëtare të vitit 1920.

Dossier-Koment
Besi Bekteshi*

Sot është dita e kujtimit të “Mësonjtores” dhe normalisht ditës së arsimit në Shqipëri. Patjetër që në fokusin e 100 vjetorit, është një detyrim moral, historik, dhe veçanërisht qytetar, të dalin përpjekjet reale të një shtetërimi të vërtetë, në arsimin kombëtar shqiptar. Patjetër është i rëndësishëm viti 1912-të si fillimi i këtij shtetërimi, por është po kaq i rëndësishëm edhe vendosja e raporteve të reja të shtetit shqiptar, mbas vitit 1920-të dhe Kongresit të Lushnjes. Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës ka dhjetra e dhjetra dokumente dhe foto origjinale, jo vetëm të shkollave të viteve të para të shekullit 20-të dhe mbas në arsimin e qytetit të madh kulturor, por edhe të njerzve, shkollave, dhe eventeve arsimore të jashtëzakonshme për kohën. Janë përpjekjet e shumë njerzve të lartë të arsimit, për të bërë shkollën kombëtare. Gjithsesi viti 1920-të është edhe bazamenti i fillimit të Ministrisë së Arsimit, dhe kujdesjes për një arsimin kombëtar dhe perendimor. Jemi në kohën e qeverisë së Sulejman Delvinës, së Ministrit të Brëndëshëm Ahmet Zogolli, të Ministrit të Financave Ndoc Çoba dhe Kryetarit ë Bashkisë së Shkodrës Musa Juka, që me vendimet, urdhërat, dhe dokumentacionet fantastike kombëtare, po përpiqeshin që arsimi të ishte parësor, në ato kohë të vështira për kombin dhe vetqeverisjen e Shqipërisë.
Me datën 27 mars drejtori i Arsimit në Shkodër M. Bekteshi kthen përgjigje Ministrisë së Arsimit e cila që me dt 18/3/1920 e bën arsimimin e shqiptarëve të detyrueshëm, duke shprehur gëzimin e madh dhe solidaritetin e devotshëm. Por ka diçka tjetër të rëndësishme në ato kohë të fillimit të vendosjes së arsimit mbi baza ligjore. Drejtoria e Arsimit në Shkodër, ashtu sikundër edhe në Prefektura të tjera mbi bazën e vendimit të Ministrit të Brëndëshëm A Zogut dhe të Drejtësisë H. Kadri, i mbledhin të “gjithë Nëpunësit e Arsimit të betohen në emër të Qeverisë Kombëtare” dhe patjetër fillimi me betimin, është edhe një diçka madhështore kombëtare, e cila në fakt nuk bëhet sot. Kjo kur shumë vënde e bëjnë, për ti dhënë arsimtarit, gjëndjen e duhur të rëndësisë të posaçme në detyrën fisnike. Me një shkresë të datës 16/3/1920 si Ministri i Brëndëshëm A. Zogu dhe ai i Drejtësisë H. Kadri, me firma origjinale, “kalojnë përfundimisht arsimin kombëtar në qëndër dhe rrethe, nën varësinë direkte të Ministrisë së Arsimit në Tiranë” dhe ky është edhe momenti kur arsimi fillon definitivisht të kontrollohet nga shteti shqiptar.  Po ashtu me një urdhër-vendim të Ministrit të Brëndëshëm, të datës 18/3/1920, “detyrohen Drejtoritë Arsimore, të mos marrin asnjë urdhër pushimi nga puna apo emërimi në punë të mësuesve, nga asnjë dikaster tjetër, përveç atij të Ministrisë së Arsimit”.  Kështu që tashmë askush nuk mund të ndërhynte në përcaktime punësimi dhe largime, dhe në urdhër thuhet prerë “askush të mos përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e arsimit”. Kjo tingëllon aktuale edhe për sot. Në një vendim të Kryebashkiakut Musa Juka të datës 17/3/1920 organizohet arsimi në Shkodër për të përkujtuar ngritjen e flamurit në Shkodër në 1913 dhe thuhet specifikisht se: Ngritjen e flamurit dhe bashkimit të Shkodrës me Shqipërinë. Kombëtariteti dhe organizimi i tillë, ndjehet ethshëm në këto vite. Por akoma më shumë, me një urdhër nga po Musa Juka me dt 22 mars, organizohet miting dhe festë në Shkodër, edhe me anën e arsimit për të bërë si manifestim dhe një telegram falenderimi për Presidentin e SHBA-së “për simpatinë që ka diftue për kombin Shqiptar” dhe është fjala për presidentin Willson. Po, është problemi i madh i trojeve shqiptare, dhe marrjes nën mbrojtje të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në arkiv, çdo gjë është me vula dhe firma origjinale, dhe kjo pjesë është edhe një organizim për arsimin dhe shkollat shtetërore në Shkodër. Janë mbajtur fjalime përpara nxënësve për këtë eveniment të madh ndërkombëtar në mbrojtje të Shqipërisë.  Akoma më shumë në 18 mars të 1920, Ministri i Brëndëshëm A. Zogu, në atë kohë firmoste (Ahmet Zogolli) jepet urdhër specifik që Prefektët dhe Nënprefektët të tregohen me fuqi të plota për detyrimin e prindërve për të çuar fëmijët në shkolla, sepse “ prej shkollave varet shpëtimi dhe përparimi i kombit shqiptar”. Më atdhetari dhe përkushtim se sa kaq në letra dhe veprime, është shumë zor të gjesh edhe sot.
Pastaj në arkiv ka qindra dokumenta që tregojnë organizimin, pagesat dhe shkollat e shumta të krijuara rishtas në Shkodër, por edhe vendosjen e autoritetit shkollor në Shqipëri, dhe sidomos në Shkodër. Normalisht zhvillimi në këto vite të vështira për vëndin në arsim ishte i posaçëm, kishte shumë pak mundësi, por shumë përpjekje të vendosjes së këtij elementi të madh kombëtar nën kujdesin qeveritar, dhe duket edhe në anën financiare të qeverisë që duhet të zgjidhte tepër detyra nën firmën e tjetër shkodrani, si Ndoc Çoba. Sot ne kemi një arsim të zhvilluar, kjo është e vërtetë, por  na mungon ajo që në popull quhet “ta marrësh seriozisht”. Emri i mësuesit ishte tepër i madh atëhere, paga gjithashtu e kujdesur të ishte nga më të mëdhatë, organizimi në raport me të tjerat shumë i madh. Vetëm në rrethin e Shkodrës u hapën mbi 20 shkolla brënda një kohe tre mujore, dhe u emëruan mësues të shumtë me shkolla të mbaruar jashtë. Është absolutisht e vërtetë që arsimi u organizua më së miri në kushtet e  vështira të shtetit të asaj kohe, dhe kjo kohë fillon edhe momentin e një rëndësie të veçantë dhe pa ndërprerje të arsimit në Shqipëri. Kjo kohë duhet vlersuar për cilësinë e të qënit kohë e përkushtuar për arsimin e shqiptarëve, dhe krijimin e shkollës shtetërore në mënyrë të qartë dhe të vendosur. Duhen hapur realisht arkivat e kohëve të fillimit të arsimit, sepse sëbashku me to dalin realisht përpjekjet e mëdha të bëra në kohë. Komunizmi shqiptar, në mënyrë tragjike dhe aspak shqiptare, jo vetëm që nuk ka nxjerrë punën e të gjithëve në kohë, por ka mbajtur të mbyllur veprimet e dokumentuara dhe të plota, të viteve të shtetit të sapo formuar shqiptar. Normalisht që në rastin e 100 vjetorit, do të dalin edhe emrat e shumë e shumë drejtuesve, arsmitarëve, shkollave dhe mënyrave të zhvillimit të mësimit, por patjetër që do të jetë temë e artikujve të tjerë. Ajo që mund të them është se “sot duhet ta marrin seriozisht dhe me pasion si në atë kohë”. Kjo më duket gati e pa mundur, por në fund të fundit shpresa mund të vazhdojë të jetojë, për një arsim kombëtar në vëndin e duhur të vëmëndjes sidomos të shoqërisë, shtetit, dhe lokalëve kudo në Shqipëri.

 Përgjegjësi i Arkivit në Muzeun Historik Shkodër



Nessun commento:

Posta un commento