Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 15 giugno 2012

Himni Kombetar dhe shqiponja ne vitin 1922


Tentativa e zyrtarizmit te Himnit dhe shqiponjës, në qershor të 1922.


Koment Dossier
Besi Bekteshi
Pergjegjesi  i Arkivit te Muzeut Shkoder

Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, normalisht që është e qartë se simbolet tona kombëtare të kenë edhe datat, por edhe historinë e tyre të arritjes deri në 2012-tën. Në fakt ne sot kemi Himnin tonë, flamurin dhe shqiponjën, të cilat kanë arritur deri tani duke kaluar kohë, regjime, dhe tentativa për të zyrtarizuar formën dhe përmbajtjen e tyre. Një prej këtyre tentativave zyrtare, është qershori i vitit tashmë të largët 1922. Në disa qarkore të këtij viti dhe patjetër më shumë në qershor, janë bërë zyrtarisht si nga Kryeministri Ypi dhe Ministri Brëndëshëm Zogu. veprimet për të pasur një himn të ri dhe padyshim edhe një shqiponjë të qartë dhe të saktë. me që në asnjë vulë dhe flamur kjo e fundit nuk ishte njësoj.
Për më tepër, kjo ishte në vazhdën e krijimit të shtetit të vërtetë të përfaqësuar edhe në botë me simbolet e tij. Për himnin në fakt, nuk jepet asnjë shpjegim pse duhet të bëhej një i ri, por dihej se nuk kishte një dokument zyrtar, që të vërtetonte dhe pikërisht zyrtarizonte atë himn ekzistues me tekst të Asdrenit dhe muzikën e huaj. Ishte pikërisht kjo, që kishte luajtur situatën në favor të një himni të ri, krahas disi mos darkotësisë për tekstin në përgjithësi, dhe për këtë hapet një “tender” i ri, ku kërkohet si teksti dhe muzika e re. Vendimi dhe qarkorja e firmosur nga A. Zogu është e datës 20 qershor 1922, dhe aty thuhet se: Këshilli Ministror me propozim të MB-së ka vendosur të bëjë një Himn Kombëtar zyrtar, midis vjershëtorëve dhe muzikantëve. Për këtë, u caktua një shifër prej 4000 franga ar, prej të cilave 1000 për vjershëtorin, dhe 3000 për muzikantin që do të fitonte. Për këtë autorizohej Ministria e Arsimit si zbatim, në vazhdë të këtij tenderi po të shprehemi përafërsisht si në ditët e sotme. Në fakt, historikisht është bërë edhe një himn i cili me disa të dhëna sidomos nga studiuesja Valbona Karakaçi ka pasur edhe dy autorë si Koliqi dhe Flloqi, por çështja ka mbetur kaq, jo më tepër, dhe nuk ka ndonjë dokument si për të dhe për himnin e 1908-tës të vërtetojë zyrtarizmin real të tij. Në fund të fundit, janë vitet mbas 1990-tës që kanë bërë edhe zyrtaren për Himnin  Kombëtar. Po e kanë çuar në lartësinë e ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë
Por po në vitin 1922, është bërë dhe është arritur pothuaj krejtësisht edhe forma shqiponjës dy krenare në vula dhe stemën, por edhe flamurin kombëtar. Ka filluar që në qershor problemi në qeverinë e kohës, por në një dokument që sëbashku me të parin për himnin, ndodhet në Arkivin e Muzeut Shkodër e që mban datën 9 korrik 1922,  me firmë të Xhafer Ypit, drejtuar Ministrisë së Brëndëshme thuhet se: Tue kenë se forma e shkabës së Flamurit Kombëtar dhe ajo e vulave nuk ngjajnë njena tjetrës......Këshilli Ministruer me propozim të legatës Shqiptare të Londonit....!
E në shkresë, sqarohet se janë katër forma shqiponje dhe është përzgjedhur njëra prej tyre e cila është shpërndarë të gjitha prefekturave dhe institucioneve në letër kalk për tu përdorur. Është pikërisht kjo shqiponjë, e cila i afrohet tepër asaj të sotmes, megjithse ka pak, shumë pak, dallime jo kaq esenciale. Po kështu edhe Ministri i Brëndëshëm A. Zogu, jep urdhër Prefekturave për zbatim të menjëhershëm të vulave dhe dokumentave të shtetit me këtë formë shqiponje tashmë të aprovuar nga Shteti Shqiptar. Në arkivin e Shkodrës, ndodhet dy prej letrave kalk të përdorura për të vendosur shqiponjën e rregullt, dhe u prodhuan edhe vulat dhe flamujt e ri me pikërisht këtë formë të shqiponjës së rregullt, dhe të aprovuar si formë zyrtarisht.
Interesantja në këto dy veprime të qeverisë së asaj kohe, është se po mendohej për simbolet edhe pse “Himni Kombëtar” i tekstit të Asdrenit nuk po zyrtarizohej si i tillë nga kjo qeveri megjithse ka vazhduar me dekada edhe pse shteti shqiptar vazhdoi me regjime dhe pushtime, sërish një zyrtarizim nuk u pa në kohë. Po kështu, ka pasur ndryshime dhe veprime edhe me shqiponjën dhe flamurin, por këtu hyn akoma në punë regjimi komunist që vendosi edhe yllin, i cili mori fund në fillim vitet 90-të. Tentativa për simbole zyrtare, edhe pse me peripeci, gjithsesi duhet respektuar edhe në 90-të vite më përpara nga shteti i asaj kohe, sidomos për faktin për të pasur një shtet me simbole të rregullta, dhe me përcaktime ligjore të cilat duhet të bënin shtetin shqiptar të tillë.
Tashmë mbas 90-të vitesh ne jemi mësuar pak as shumë të gjithë, por në fund të fundit si Himni Kombëtar dhe shqiponja kanë pasur edhe ato peripecitë dhe modelin në kohë që historikisht nuk mund të mohohet.

venerdì 25 maggio 2012

Përpjekjet për figurën e nëpunësit përpara 90-te vitesh


Zyrtari “taksaxhi” përpara,  dhe pas  90-të vitesh .



Dossier
Besi Bekteshi

Në jetën e shkurtë të shtetit shqiptar, është padyshim interesante të dihet se si është sjellë nëpunësi, polici, zyrtari dhe sidomos njerzit e shtetit që duhet të mblidhnin taksa. Jemi në fakt përpara 90-të vitesh, e pikërisht në vitin 1922, kur disa qarkore vërtetojnë se nëpunësit silleshin me njerzit në mënyrë abuzive, të jashtëligjëshme dhe përfituese.
Ankesat e mëdha të njerzve mbi mënyrën e sjelljes, dhe të veprimit zyrtar të disa nëpunësve të shtetit,  e kanë shqetësuar shumë qeverinë e asaj kohe.  Reagimi më i ashpër është ai i Ministrit të Brëndëshëm Ahmed Zogu,  i cili me datën 7/51922 shpërndan një qarkore ku thuhet: Nga ankimet që po bëhen, merret vesh se xhandarë, ushtarë, tagrambledhës dhe nëpunës të tjerë janë “tue hangër në kurriz të popullit pa pague gjësendi”. Ai vërteton se nëpunësit e tillë, po sillen shumë keq me popullin.
Pastaj qarkorja vazhdon se “ shteti shqiptar fuqinë e tij e merr për së drejti prej popullit dhe më shumë te pjesa punuese, prandaj çdo veprim që do të damtoj katundarin moralisht dhe materialisht, shifet si një delikt i pamohueshëm”.
Është krejt e qartë se abuzimi sidomos me taksidarët të shoqëruar nga xhandarë, që po silleshin keq me njerzit në përgjithësi, por sidomos në fshat, kishte bërë bujë.  Pastaj jepet porosia-urdhër që Prefektët dhe Nënprefektët, komandaët e gjandërmëve, të veprojnë duke ruajtur sigurinë dhe nderin e njerzve. Të behen hetime, dhe aktet të dërgohen në gjykatë thuhet në qarkore. Por duhet lajmëruar edhe Ministria e Brëndëshme menjëherë sipas po kësaj qarkoreje. Biles ai shton se kur bëhet ankim, nuk ka nevojë të “bëhet shkresë” por të kalohet menjëherë në proçes-verbal, dhe të kalohet në gjykatë. Pra urdhëri hiqte edhe mënyrën e mbetjes së problemit në “kalenda” dhe vonesat burrokratike, për të mbrojtur nëpunësit dhe oficerët e shtetit. Urdhërohen vartësit që të mblidhen kryepleqtë për të pyetur në përballje me ankesat e njerzve, kudo që ndodhin. Gjithashtu në qarkoren e datës 6/4.1922, Kryeministri Xhafer Ypi, e thekson këtë problem dhe thotë: Një pjesë e nëpunësve janë tue u sjellë shumë ligsht  e ashpër me popullin. Kjo shkakton ftohtësinë e gjithsecillit ndaj qeverisë kombëtare. Jepet porosia për sjelljen njerzore ndaj popullit, dhe të ndëshkohen fajtorët, dhe kjo shkresë është përpara shkresës së Ministrit të Brëndëshëm.  Nga kjo kohë e deri në daljen e urdhërit të MB-së, nga A. Zogu janë vërtetuar sërish shkelje të mëdha sidomos të taksidarëve që po thyenin jo vetëm etikën, por po silleshin si “grabitës” dhe shkelës së ligjit në mënyrë të dukshme. Por edhe Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica, me shkresën e datës 31/5/1922 sqaron se janë vendosur edhe Inspektorët e Arsimit të kontrollojnë nëpunësit civilë në përkrahje të xhandarmëve dhe kontroll të tyre “ që të mos bëjnë shpërdorime tue mos marrë nëpër këmbë popullin e katundeve”. Për më tepër shtohet se “janë tue vjedhë, tue hangër rryshfet, tue u sjellë ashpërsisht, me nji fjalë qi punojnë kundra ligjeve dhe njerzisë”! Shihet e qartë gjithashtu se raporti ti dërgohet drejtpërsëdrejti Ministrisë së Brëndëshme.
Pra, ju kërkohet inspektorëve të arsimit të cilët me sa duket ishin njerzit më të shkolluar dhe më të rregullt me ligjin, të bënin dhe kontrollin e nëpunësit civil, sepse ishte parë qartë dhe mirë abuzimi në sjelljen dhe zbatimin e ligjit, përpara njerzve.
Kjo shkresë vjen mbas vëndimit të qeverisë dhe në zbatim të Ministrisë së Brëndëshme  që A. Zogu bën në shkresën e datës 23/5/1922, e që kërkon ndihmën e “Inspektorëve të Arsimit” të cilët mund të kontrollonin edhe oficerët dhe komandantët e gjendarmëve. Ato duhet të kontrolloheshin në se merrnin rryshfet, dhe silleshin ashpër me njerzit.
Problemi kishte shkuar keq, dhe tashmë qeveria po merrte masat për të vënë kontrollin mbi sidomos njerzit me pushtet, dhe biles edhe ato të forcës së armatosur policore ose xhandarëve.
Kjo ishte situata, dhe kjo situatë del nga fletoret dhe qarkoret e shtetit. Me të vërtetë që letrat janë jo shumë të “kopsituara” në shkrimin e tyre burrokratik, si bie fjala sot. Por ato janë shumë të sinqerta, shumë të drejtpërdrejta, dhe nuk ka dyshim që shikohet se parësore është “mbrojtja e shtetit dhe figurës së shtetarit” përballë njerzve.  Nuk ka asnjë mënyrë tjetër në atë kohë të vështirë, kur shteti nuk ishte as ligje të stabilizuara dhe kur trashëgimia ishte tepër “dallkauke” dhe orientale, sidomos në mënyrën për të qënë një “zot” i njerzve kur ke veshje shtetërore dhe të nëpunësisë së shtetit.

A ngjan me sot?
Normalisht nuk duhet të ngjajë, sepse ligjet dhe format sëpaku janë krejt ndryshe. Por mentaliteti është shumë i ngjashëm me atë kohë. Patjetër që transparenca është më e madhe, por edhe metodat janë më të stërholluara. Abuzimi nuk është vërtetësisht një provë force, por forca e abuzimit, ka mbetur pothuaj ajo.
Sidomos në ato sektorë ku vilen taskat, ku bëhet puna e financës dhe rregullit fiskal ligjor. Normalisht që edhe sot pikërisht këtu ka problem.
Qarkoret e vitit 1922, ose të përpara 90-të viteve, janë shumë të sinqerta, shumë të përkujdesura për raportin që duhet të kishte shteti me shtetasit e tij. Po, edhe me raportin që duhet të kishin nëpunësit dhe administrata, por sidomos taksidarët dhe oficerët apo policë – gjendarmët, me njerzit. Këto letra, tregojnë se serioziteti dhe preokupacioni ishin të lartë. Padyshim që 90-të vite janë pak. Janë pak, për ato që ecin shpejt në qytetërim, por janë shumë, për ato që thonë....kemi ecur shpejt në qytetërim.






martedì 1 maggio 2012

Vrasja e Gjeneral Tellinit nga greket ne vitin 1923


Vrasja nga grekët e gjeneral Tellinit, dhe vështirësitë në përcaktimin e  kufirit shqiptar në vitin 1923.
Gjenerali italian Tellini, dëshmor i kufirit shqiptar.



Gjeneral Tellini dhe ushtarakët italianë të vrarë 
nga grekët në 27 gusht të vitit 1923.
Koment-Dossier

Besi Bekteshi
Historian-Arkivi Muzeut Historik Shkoder. 

Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugor grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre edhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte “Komisioni Ndërkombëtar” i ngarkuar nga “Konferenca e Ambasadorëve në Paris” që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, jo vetëm janë 17-të hartat e “delimitacionit tokësor” të kufirit shqiptar të përfunduar në vitin 1925-së nga ky komision, por edhe një vendim i Prefektit të Shkodrës A. Nepravishta në 1 shtator të vitit 1923, me fillimin e shkollës për të përkujtuar Gjeneral Enrico Tellini i vrarë nga grekët me 27 gusht, midis Janinës dhe Kakavijës në mes të 50 gradë dhe 53 gradëve, në kufirin shqiptaro-grek, por në teritorin  e njohur atëhere krejtësisht si grek.
Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte “Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit” dhe ishte i ngarkuar jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët, dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirfilltë dhe profesionist. Tellini i vra sëbashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues, dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Kurfuzit, dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen. Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në teritor ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe në Europë, e para pse ishte prekur një vëndim i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të mëdha, por edhe pse Musolini, po shfrytëzonte rastin për të goditur Greqinë. Ishte një rast i madh për qeverinë e porsa krijuar të tij, për të treguar dhëmbët dhe forcën ndaj pikërisht shtetit grek. Por pavarësisht kësaj, akti ishte një shëmbull burracakësh, dhe me domethënie të madhe për botën e qytetëruar, duke u kuptuar qartë se përcaktimi i kufirit të përbashkët shqiptaro-grek do të kishte shumë probleme.  
Diplomacia filloi edhe një herë avancimin e saj, sepse Greqia nuk i plotësoi të gjitha detyrimet Italisë, dhe këtu fillon edhe një moment i madh i keqësimit të marrëdhënieve Italo-Greke, ku puna shkoi deri te pushtimi për pak kohë nga Italianët të ishullit të Korfuzit dhe dërgimit të disa anijeve të mëdha të luftës si “Cavour, “Giulio Cesare, “Andrea Doria e “Caio Duilio”, për tu tërhequr vetëm me 27 shtator. Problemi shkoi larg deri në Këshillin e Kombeve dhe me nota proteste të shumta, të cilat kanë vendosur edhe incidentin e rëndë midis Italisë dhe Greqisë i cili ishte edhe një nga arsyet e forta të marëdhënieve gjithmonë të ndera dhe të dobëta, midis këtyre vëndeve deri në sulmin që Italia fashiste i bëri shtetit grek në luftën e dytë botërore. Gjithsesi shteti grek nxorri nga arka e tij 50 milion lira (në atë kohë ishte një shifër e madhe) dhe ja kaloi Bankës Kombëtare Zvicerane, dhe vetëm mbas kësaj italianët u tërhoqën nga Korfuzi. Gjithsesi hetimi i vrasjes nga qeveria greke, nuk solli asnjë konkluzion se kush i kishte vrarë italianët e ngarkuar me detyrë ndërkombëtare, duke mbetur çdo gjë në inatet politike dhe kombëtare të qeverive përkatëse.
Por për Shqipërinë mbetej problemi i përcaktimit të kufirit të saj, dhe dashje pa dashje, ky kufi kishte edhe dëshmorët e parë të huaj. Në fund të fundit, oficerët e lartë italianë, ishin me një mandat të lartë për punën e tyre, e cila duhet thënë ishte shumë e lavdërueshme në kushtet e vështirësive të mëdha të kohës, dhe në rrethana politike tepër të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht. Për gjeneral Tellini-n, ka emra rrugësh në Itali, dhe shteti shqiptar atëhere e kujtoi këtë oficer të lartë, për punën dhe fundin e tij tragjik në shërbim të detyrës së ngarkuar.
Puna e këtij komisioni mbaroi në vitin 1925-së, ku për 17-të hartat e kufirit tokësor ishte tashmë një gjeneral tjetër italian si Gazzera, nga Franca kolonel Ordioni, nga Britania, nënkolonel Glouch, dhe hartat e prodhoi “Instituti Gjeografik i Firences”.
Historikisht shteti shqiptar sidomos nën diktaturë, nuk ka pëlqyer ta përmëndë këtë vrasje nga grekët të bërë kundër oficerëve ndërkombëtarë, të cilët po “delimitonin” kufirin shqiptaro-grek. Nuk e ka pëlqyer ta përmëndë, sepse çështja ishte e ngarkuar me qëndrimin e regjimit të Duçes, edhe pse ishte një vrasje tipike greke dhe e bërë me qëllim friksimin dhe shkurajimin e të huajve, por dhe për teoritë e tyre po fashiste dhe vorio-epiriote, që kishin për Shqipërinë e jugut.
Hartat e vitit 1925-së, janë pothuaj ato që kemi sot, dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek.
Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellinit, mbetet edhe ngjarja e cila megjithse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për tu përcaktuar në atë kohë.





giovedì 12 aprile 2012

Shkodra, pazari i saj i madh, si shembull i zhvillimit dhe demtimit ekonomik


Si ishte, dhe pse e prishën “hipermarketin” më të madh shqiptar.
Pse gjithmonë qytetin kanë dashur ta dëmtojnë, duke i prishur pazarin?

Koment-Dossier
Besi Bekteshi
Pazari i Madh i Shkodrës ka qënë qëndra tregtare më e madhe e trevave shqiptare, dhe në të katër vilajetet të cilat kishin shqiptarë brënda. Padyshim është një shfaqe e madhe e fuqisë së Shkodrës në pashallekun shqiptar, dhe deri në vitin 1944-tër dhe është dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme nga sulmues dhe pushtues të ndryshëm. Pazari nuk duhet ngatërruar me Bexhistenin, por sidoqoftë, Pazari i Madh i Shkodrës që shtrihej poshtë kalasë së qytetit të vjetër në breg të liqenit dhe ku del Buna,  nuk kishte banesa ose ndërtime ku banohej, por vetëm ndërtime që i shërbenin tregtisë. Ishte një diçka e stërmadhe si për kohën dhe po të ekzistonte sot e kësaj dite, sepse ishte në një gjatësi prej mbi 1.8 km. Ishte aftësia për lundrim e Shkodrës, dhe marrëdhëniet tregtare të saj me lindjen dhe perëndimin, që bënte të kishte magazina të mëdha, të kishte dogana të mëdha, banka dhe dyqane të pa përsëritshme sot e kësaj dite. Në afërsi të tij, ka ndodhur të qëndrojnë në ankorim apo në liqen të shpëndara por edhe në Bunë dhjetra anije nga të voglat dhe deri te avulloret e mëdha deri në 1000 tonelata. Kishte në atë kohë një “Pazar anijesh në Bunë dhe liqen, në garë me Pazarin e Madhe të Shkodrës”.  Në pazarin e Shkodrës, vlonte tregtia dhe madhësia e tij lejonte të punonin dhe blinin mbi 10.000 persona, por që kishte prezencë në ditët e mërkura dhe të diela më tepër se 30-40 mijë banorë.
Pazari kishte elementë të sigurtë dhe përbëhej nga “sokaqet” dhe po ashtu nga Bexhisteni.Padyshim ishte unikal në Ballkanin perendimor. Bexhisteni ishte ndërtuar në vitet 1807-1808 nga Ibrahim Pasha dhe e vazhdoi edhe Mustaf Pashë Bushatliu. Ai ishte një galeri e vërtetë edhe sot moderne, i rrethuar dhe kishte 40 dyqane, ishte i mbyllur dhe i ruajtur, sepse tregtohej ari dhe objektet antike të mirë vlerësuara të kohës. Por Pazari i Madh,  ishte shumë herë më i madh se Bexhisteni i cili ishte një model i mbyllur në atë që konsiderohej Shkodra e zhvilluar.
Pazari i Madh, ishte pa fjalë një qytet tregtar në afërsi të Shkodrës së vjetër dhe në distancë rreth 2 km me Shkodrën e re e cila kishte dalë deri në Parrucën e sotme dhe akoma më tepër më në lindje. Ishte “hipermarketi” më i madh në atë kohë në Ballkan, i pa konkurueshëm për nga madhësia, pasuria dhe kapaciteti më asnjë Pazar tjetër në fqinjët tanë.
Sokaqet ishin të ndara sipas zanateve, dhe patjetër që këto zanate,  kishin shumë zanatçinj dhe po ashtu edhe çirakë të shumtë që mësonin dhe punonin në mënyrë të përditshme.
Malazezët kur janë tërhequr nga Shkodra e kanë djegur dhe rrënuar në mënyrë të qëllimshme Pazarin e Madh të Shkodrës, dhe kuptohet edhe qëllimi në fjalë, por atë e kanë djegur dhe rrënuar edhe kolonët grekë. Po mbas 1944-tës qeveria e fillimit u hakmor me Pazarin e Madh të Shkodrës që kishte pasur mbi 20-të sokaqe, kur punoheshin edhe armë, dhe prodhoheshin pothuaj gjithshka artizanale e kohës dhe me cilësi të jashtëzakonshme. Ju la kolonëve dhe emigrantëve grekë ky Pazar, dhe në të vërtetë ato e kanë trajtuar keqas duke djegur dyer dhe dritare apo edhe duke rrënuar. Pastaj vetë sekretarët e partisë përpunuan idenë anti Pazar të Shkodrës, sepse normalisht ishte një qëndër tregtie dhe kapitalizmi, e cila nuk mund të qëndronte ashtu e ngritur me ideologjinë e kohës.
Pazari i Madh, ishte forma e fundit e kapitalizmit të fillimit dhe të vazhdimit të Shkodrës së madhe së inisiativës së lirë dhe prodhimit të madhe, por edhe tregtisë e cila e kishte nxjerë më fortën dhe të pasur se shumë qytete të tjerë në Ballkan. Pikërisht Shkodra, e cila prosperonte në saj të tregtisë dhe prodhimit artizanal dhe me fabrikat e para të saj afër pazarit. Komunizmi donte njësoj si malazezët dhe grekët, ta prishte dhe e prishi me dëshirën më të madhe dhe të egër. Përveç se u shkatërrua Pazari i Madh, u ndaluar dhe tregtia dhe lundrimi në Bunë dhe liqen, por edhe me anën e tyre në det. Shkodrës ju prishën marrëdhëniet e saja me botën, dhe zhvillimin. Mbas vitit 44-tër, u dëbuan mjeshtra dhe tregtarë, dhe më vonë u shkatërrua si Pazari dhe Bexhisteni edhe pse ishin vepra unikale jo vetëm në Shqipëri, por një krenari për të gjithë Ballkanin. Dolën nga veprimtaria mbi 3000 persona, dhe po ashtu ju ndalua tregtia një popullsie mbi 200.000 banorë të asaj kohe, që e kishin të lidhur me këtë Pazar jetën e tyre. Ky Pazar, ka shumë foto të vjetra dhe shumë piktura në litografi apo gravura nga autorë të lartë të huaj.
Sokaqet me emrat e vjetër ishin këto: Sokaku i Kryepazarit, Sokaku i Arkaxhijve, Sokaku i Dyfekçijve,  Sokaku i Krypëshitësve dhe opingarëve, Sokaku i Kasaphasë, Sokaku i Terzijve, Sokaku i Magazeve,  Sokaku i Pemnave, Sokaku i Tellallëve, Sokaku i Saraçëve,   Sokaku i Elbnave, Sokaku i Djathnave, Sokaku i Miellnave, Sokaku i Drithërave, Sokaku i Oriznave, Sokaku i Hamzagës, Sokaku i Zaganjorëve, Sokaku i Krajanëve, Sokaku i Këpucarëve, Sokaku i Kujxhijve ose argjendarëve, Sokaku i Sqelës ose i Portit të qytetit. Po, dhe 1500 dugaje ishin të gatshme për të nxjerrë Shkodrën në vënd të parë si për nga numri i popullsisë dhe për nga pasuria dhe tregtia e saj madhështore. 
Normalisht që gjithmonë ato që kanë dashur të “shëmbin” Shkodrën si tradicion dhe kulturë, por edhe ekonomi, nuk kanë bërë asnjë veprim të parë, por kanë prishur pazarin. Kjo ka qënë edhe idea dhe veprimi i pushtueseve fqinj dhe po ashtu edhe komunizmit shqiptar. Në këtë pikë, kanë qënë në unison të jashtëzakonshëm dhe padyshim që efekti është ndjerë menjëherë.
………….

lunedì 9 aprile 2012

Vizioni kulturor qe i sherben Shkodres


Kryeqëndra e veriut, në rrugën e vështirë të kthimit në shkëlqimin kulturor tradicional dhe europian.



Opinion

Besi Bekteshi

Shkodra është veçoria kulturore dhe historike e Shqipërisë. Në çfarë pike është kjo?
Qyteti i madh i veriut, është e vetmja qëndër urbane e madhe në Shqipëri, që nuk ka pothuaj asnjëherë mungese qytetërimi, asnjëherë dalje nga urbanizimi, dhe normalisht është e vetmja qëndër urbane, që ka ekzituar e madhe si në lashtësi, mesjetë të hershme, në mesjetën venedikase, dhe është kryeqëndra vilajetit më të madh shqiptar, i cili ka mbetur brënda teritorit të 28 mijë km katror. Normalisht, është qyteti multikulturor dhe multi religjonar i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku interesat e fqinjëve kanë qënë tepër të mëdha, është kryeqëndra urbane ku në vitin 1913-të, mund të fillonte përpara Sarajevos, lufta e parë botërore. Kanceleritë më të mëdha të botës, janë marrë dhe rimarrë me Shkodrën në kohët më të vështira të Shqipërisë dhe historisë së saj. Qyteti i madh i veriut si pikë referimi, është pjesë e qëndresës kombëtare, i mendimit qytetar politik dhe kulturor, dhe me njerzit më të shquar në rradhën e parë të kolegëve të tyre shqiptarë.
Rilindja e Shkodrës, është edhe rilindja shqiptare e madhe, e fortë, dhe me lëvizje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Shkodra është qyteti ku perëndimi, modelet e tij shkollore, të prodhimit dhe të artit, janë aplikuar për herë të parë në trevat shqiptare, dhe për pikërisht këtë, krenohet i gjithë vëndi dhe pse jo edhe teritoret shqiptare kudo ku janë. Tashmë këtë e dinë të gjithë. Edhe në komunizëm, Shkodra ishte qytet kulturor, sportiv dhe pjesë e inteligjencës në përgjithësi. Me dashje apo pa dashje, edhe pse në trysni të madhe, qyteti i është imponuar edhe regjimit me rebelimin si fizik dhe ideor. Në këtë qytet, janë bërë eksperimenet e mëdha të komunizmit, si për të vrarët dhe pushkatuarit, të internuarit dhe të burgosurit, por edhe të prishjes së kulteve të tij kulturore, të kapitalizmit, të religjonit dhe të artit. Janë deniguar figura të stërmëdha, dhe është masakruar struktura tregtare dhe kapitaliste, e zhvillimit dhe prodhimit. Por Shkodra ka mbijetuar. Ka mbijetuar edhe në vitet e para të demokracisë, si një qytet kokëfortë, i pa përkulur në drejtim të parimeve të tij.
Ku jemi sot?
Sot ka shumë për të kritikuar, por ka shumë edhe për të pranuar. Në marrinë kolektive nën tranzicion të shkatërrimit të vlerave, Shkodra është prekur, por më pak. Janë dëmtuar vlera, sepse ajo ka pasur më tepër se të tjerët, por konservatorizmi në sensin e ruajtjes ka bërë që “botkuptimi jo ruajtës vlerash” edhe të qytetarët, të mos shkojë deri në fund në krimin e tij kulturor. Shkodra sot është është me rrugë të reja, kanalizime të reja, me modele të reja që  janë për mirë, e janë disa nga ana urbane jo për mirë, por ka mundësi të mëdha infrastrukturore të pa jetuara më përpara. Administrata e Lorenc Lukës, ka mundur të nxjerrë buxhete të mëdha, dhe po ashtu ka mundur të marrë investime të mëdha, dhe sot qyteti është me infrastrukturën pa fjalë më të mirën në Shqipëri për frymë të popullsisë, dhe vazhdon ndërtimin e saj. Kjo si do që mund të ketë vërejtje, është një e mirë zhvilluese, dhe qyteti ka dalë përfundimisht nga rrethi i keq i infrastrukturës banale, që i ka qënë imponuar. Ai po shtrihet në afërsi të liqenit dhe të Shkodrës së dikurshme të lavdishme, e cila kishte jo vetëm pazarin më të madh në rajon, por edhe tregtinë më të madhe në saj të lundrimit të saj detar, lumor, dhe liqenor.
Tani ka ardhur dita të fillojë rritjen e saj kulturore, kryeqëndra e veriut të Shqipërisë. Atë krenari të rilindjes së saj qytetare të njerzve të lartë të saj, që fillon nga pashalleku i shkëlqyer, vazhdon nga mesi i shekullit të 19-të dhe shkon deri në vitin 1944. Me largimin e lundrimit në qytet nga komunizmi, Shkodrës i hoqën mundësinë e lidhjes më botën, por edhe të tregtisë së madhe rajonale, por me këtë, i goditën haptas edhe kulturën tradicionale, dhe drejtimin europian të filluar frullshëm dikur.
Megjithatë sot mund ta them haptas se Shkodra ka rritur shtatin e saj infrastrukturor, dhe nuk ka asnjë shans që vrulli të ndalet.
 Çfarë i kërkohet Shkodrës?
I kërkohet ti kthehet kulturës dhe dijes, të rivendosë balancën e saj të peshës së madhe kulturore. Sepse vëndi është “toka” më pjellore në këtë drejtim. Kohët e fundit në Shkodër, kanë ardhur me trumpeta dhe flamuj, të cilët fshihnin flamuj partiakë, njerëz që nuk e njohin, dhe nuk kanë asnjë lloj origjine të fisme për ti bërë vërejtje Shkodrës, për të krijuar “zhvillimin e saj”. Kjo është mënyra më jo diplomatike për të marrë Shkodrën politikisht, por dhe besimin e saj, dhe unë e kam të qartë se shumë shpejt do të marrin përgjigje në mos e kanë marrë, por unë nuk shqetësohen për këtë ndodhi. Shqetësimi është te shkodranët që kanë vendosur të qëndrojnë në Shkodër, dhe atyre që mund të jenë në Tiranë dhe jashtë vëndit.
Qyteti 2500 vjeçar, është si kulturalisht dhe historikisht, por edhe ekoturistikisht, një super gjigand shqiptar. Të gjitha do të rregullohen, por kultura kërkon vëmëndjen e shkodranëve të mirë. Qyteti kërkon një kthim me fytyrë ndaj historisë dhe kulturës, dhe prodhimit të saj në mënyrë të akseleruar ndaj këtij 100 vjetori pavarësie. Unë kam mundësinë të bisedoj me Kryetarin e Bashkisë, dhe vlerësoj shumë vizionin e tij, por dhe drejtues të tjerë të rrethit apo qarkut, kam mundësinë të bisedoj me shkodranë demokratë dhe socialistë, dhe në momentin kulturor, nuk mund, dhe nuk di ti ndaj ato, për nga cilësitë kulturore. Kjo është veçori e Shkodrës, dhe kjo mund të jetë forca e saj lëvizëse e madhe dhe e pa ndalshme.  Absolutisht të gjithë duan zhvillimin, dhe kthimin e saj në lartësitë e mëdha qytetare të dikurshme. E mendimi që duhet të paraprijë është se në këtë lartësi, qytetin mijëravjeçar e kthejnë shkodranët. E kthejnë shkodranët me komedinë dhe dramën e madhe të tyre, por duke rigjetur dhe krijuar autorë të rinj. E kthejnë aktorët e mëdhenj të sotëm dhe të djeshëm, por duke i hapur rrugën, dhe krijuar të rinj, të cilët nuk kanë nevojë “të falen” në ndonjë vënd tjetër për arsye pagese. E kthejnë njerzit vizionarë që e duan qytetin e tyre të gjithin, pa e ndarë atë as me lagje, as me religjon, dhe as ide politike, sikundër e kanë bërë këtë bashkim në 80-të, 100-t dhe 150-të vite më përpara. E kthejnë si të rinjtë dhe të vjetrit, njëra me vizion e sotëm, dhe tjetra me trashëgiminë e lavdishme. E kthejnë shkodranët që këmbëngulin në krenarinë e qytetit të tyre, por pa përdorur vetëm veprat e baballarëve dhe gjyshave, por kryesisht të vetat.
E kthejnë administratorët që nuk tentojnë vetëm katapultimin politik, por kryesisht forcën intelektuale dhe të gojës së lirë dhe të hapur, për të thënë atë që i shërben qytetit pa pasur frikë se mund të kundërshtohen. E kthejnë njerzit që i largohen oportunizmit vrastar dhe servil të trashëguar nga adminstratat e dikurshme si të turqisë, dhe të sekretarëve komunistë përpara disa dekadave. E kthejnë artistët dhe piktorët, këngëtarët, muzikantët, letrarët, historianët dhe pse jo gazetarët, që janë kategoria sot më e dobët, por sidomos administratorët që kompesojnë me vizion drejtimi, lirinë e shprehjes në art dhe kulturë. E lejojnë këtë kthim të lavdishëm politikanët, që nuk shikojnë vetëm dhe në mënyrë konservatore, politikat e ngurta të ditës. Politikanët që nuk ndahen në politika jo moderne, por bashkohen për Shkodrën.
E këto njerëz janë në Shkodër, por ju duhet shkundur pluhuri i imponuar jo shumë vite më përpara. Zhvillimin e Shkodrës nuk e lejojnë deprimentët, që e shajnë atë përditë në kafe të ndryshme, në ndonjë medium, që kanë shkuar në Tiranë dhe fillojnë e bëjnë “Tironsin e vjetër” duke harruar edhe gjuhën e tyre, dhe që lobojnë jashtë saj, për ta varfëruar. Por edhe për këto të fundit...zemra e Shkodrës është e madhe!! Kur vijnë ndonjëherë në qytet e kuptojnë sa pa kuptim janë...në këtë mënyrë.
Kryeqëndra e veriut është pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, dhe nuk mund të konsiderohet lokalizëm, as patriotizëm krahinor, avancimi i saj përballë Tiranës si kryeqëndër e Shqipërisë. Nuk mund të jenë zhvilluese dhe shqiptare, teori të nxjerrjes së Shkodrës në periferi të kulturës në saj, të marrjes së vlerave muzeale, artistike dhe kulturore të saj. Politikat e sotme Europiane të zhvillimit vendor, janë ato të zhvillimit të përgjithshëm dhe kudo, pikërisht aty ku ka art, vepra, dhe jetë kulturore. Politikat centralizuese të kulturës në një qytet “thelbësor dhe të vetëm”, varfërojnë në mënyrë të shpejtë Shqipërinë. Akoma më shumë se sot Shkodra është edhe nyje universitare e madhe në Shqipëri. Po, por stafet akademike, më tepër shikojnë zhvillim te modeli për vete, se sa për Shkodrën. Nuk ka një propozim të tyre për zhvillimin e përgjithshëm, nuk ka një seminar, një konferencë zhvilluese e organizuar me target zhvillimin e Shkodrës.Verejtje e madhe ju duhet bërë edhe shkodranëve mosbesues, dhe të dorëzuar përpara një realiteti të përkohshëm, sepse nuk bëjnë asgjë tjetër, por i nënshtrohen mungesës së zhvillimit të përgjithëshëm. Një artiste të madhe të Shkodrës e pashë përpara dy ditësh me lot në sy, sepse po shikonte se qyteti po rritej dhe infrastruktura po kalonte edhe idenë e saj të zhvillimit....po nxirrte lot gëzimi për qytetin e saj, duke qënë se ishte larg.
Shkodra është në rrugën e mirë të zhvillimit, por tashmë zhvillimi kulturor, është përparësia e saj. Kryeqëndra e veriut, është zvogëluar dhe rritur në shekuj, por diçka e ka mbajtur gjithmonë të madhe....kulturën dhe zhvillimin i saj i madh.
Prandaj ky është edhe kushti i vetëm për ta bërë gjithmonë të madhe atë. Ky është themeli qytetërues i saj. Asgjë tjetër nuk ka peshë më të madhe, përveç kulturës dhe zhvillimit të pa ndërprerë të saj.