Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 30 marzo 2012

1922- zyrtaret ne borxhe dhe administrata e tille.

Viti 1922, “kur një zyrtar nuk administron veten, si mund të administrojë shtetin”?


Koment-Dossier

Besi Bekteshi

Tentativat e shtetit të sapo formuar në vitin 1922, ishin që shtetarëve t’ju krijohej dijenia se çfarë do të thotë moralisht dhe ligjërisht, një “zyrtar i shtetit”. Nuk e dinin mirë, biles nuk e dinin aspak qartë, në atë kohë. E para, sepse kishin pasur një trashëgimi tepër korruptive  dhe jo efiçente nga fundi i administratës turke si model. E dyta, nuk kanë pasur shkollim perendimor në atë shumicë, i cili të përbënte pastaj edhe modelin. E treta, vitet e luftës së parë botërore dhe të rreth 10-të viteve përpjekje për adminitratë shqiptare, kanë qënë shumë konfliktuale, jo vetëm më të huajt fqinj, por edhe lëvizje trupash dhe ushtri nga më të ndryshmet.  Patjetër që zyrtarët ishin në një pjesë dërmuese, një shëmbëllim i një kulture retro, aspak perendimore, dhe tepër dallkauke në sjelljet e nëpunësisë së lartë.
Mungonte respekti për zyrën, dhe trajtohej ajo si një vënd pushimi për zyrtarin e lartë, apo një vënd që kishte “gjë në dorë” dhe pastaj dora nuk dinte se ku shkonte. E normalisht shkonte aty ku kërkohet fitimi, apo paraja në përgjithësi.
Të tilla cilësi zyrtare, dalin në qarkore dhe urdhëra, por edhe vendime të qeverisë dhe administratës së lartë të shtetit, e cila mundohej të “riparonte” veset dhe të dilte sa më shpejt nga gjëndja e mjeruar e zyrtarit, që vetëm përfiton dhe e trajton veten si një ardhacak, për të rregulluar vetëm veten....qoftë edhe me borxh!!
Ky ishte problemi, ose një prej problemeve të mëdha të administratës së mesme dhe deri te e larta. Zyrtarë të lartë dhe nëpunës së shtetit, që kishin përgjegjësi, po zhyteshin në borxhe, dhe zakonisht borxhet merreshin me shumicë në individë kryesisht, dhe vetë shteti tashmë rrezikohej nga ndërhyrja e “borxhdhënësve” në vendimet e tij, por dhe vulat e tij. Situata është e qartë, se një shumicë nëpunësish të lartë, jetonin mbi mundësitë e pagesës dhe rrogës së tyre, dhe kjo kuptohej, por ishin të zhytur në borxhe. Imagjinohet lehtë se çfarë ndodhte me zyrën dhe adminitratën, kur një pjesë e madhe e zyrtarëve ishte deri në “grykë” në borxhe!! Kishte ndodhur që edhe te kafexhiu...kishin borxh!!
Në këtë pikë, problemi bëhet akut në qeverinë e kohës, problemi del i qartë, dhe del edhe qarkorja ligj nr 90/III me 9/12/1922 mbi “Mirësjelljen e nëpunësve”. Mbi bazën e saj, ju shpërndahet të gjithë administratës së shtetit një qarkore e datës 24/12/1922 e firmosur nga Kryeministri Ahmet Zogu, e cila sqaronte më së mirë gjithshka, dhe jepte porositë të kthyera në ligj, për “borxhet” e zyrtarëve të shtetit.
Në qarkore thuhet: .....Nëpunës shpërdorojnë nderimin e besimin, qi i vjen prej barrës zyrtare, e tuj dashtë me jetuem me nji mënyrë qi nuk puqet me të ardhunat e tij, lidhet me pare borxh.....
Pra tashmë, ishte vërtetuar se jetohej mbi mundësitë, duke marrë borxh. Qarkorja vërteton se “në çdo rast kjo sjellje nuk i përgjigjet aspak sistemit, që ka me mbajtë nji zyrtar” dhe këtu trajtohet plotësisht dijenia se borxhet dhe jeta mbi mundësitë, është diçka që shkatërron zyrën e shtetit dhe shtetin vetë. Pastaj qarkorja thotë: ....kjo shkakton dame të mëdha nga shumë pikpamje....!! Në vazhdim, thuhet në qarkore se “nëpunësit qi nuk dijnë me u sjellë e me administru vehten, ma tepër nuk mund të dijnë me administru popullin e nuk meritojnë një barrë zyrtare”. E qartë dhe e prerë, në një dokumentacion të vitit 1922 kjo gjë,  kaq e rëndësishme mbi “zyrtarizmin” në Shqipëri. Pastaj urdhëri-qarkore kërkon të “shënjohen zyrtarët që jetojnë ne sistemin e ligsht të borxheve” dhe porositet populli të mos “pritojë në ankimet, kundra atyne zyrtarëve borxhlinj” e normalisht urdhërohet për masa konkrete. Kuptohet se nuk kishte akoma një mundësi të kontrollit finaciar dhe pasurisë, por dëmet ishin tepër të mëdha, në saj të jetës mbi mundësisë ekonomike të siguruara vetëm nga rroga e zyrtarit shqiptar.
Fillimi i korrupsionit ishte normalisht kjo mënyrë, dhe pas saj vinte seriozisht shkatërrimi i figurës së zyrtarit dhe të ndershmërisë së shtetit në përgjithësi.
 Dakort, por sëpaku atëhere bëhej fjalë për borxhe, dhe dalje mbi mundësitë...vetëm për kaq!!
Në anën tjetër, qeveria kishte kuptuar se “arsimtarët pagueshin pak” dhe vetë Kryeministri Zogu në një qarkore të vitit 1923 të datës 9/3/ e pranon “tue qenë se rrogat e mësuesve të katundeve nga ngushtica ekonomike janë caktue të vogla, sa qi nuk mund ti bajnë ballë plotësisht nevojave familjare”....të urdhërohen zyrat kompetente që me dëshirën dhe pëlqimin e popullit, tju sigurohet mësuesve nji vënd banimi falas....!! Ju kërkohet pushteteve vëndore të gjenin dhoma pa pagesë për mësuesit e fshatit, të cilët në atë kohë bënin një punë heroike, por pagat nuk mund të dilnin edhe për të paguar hotel dhe transport.
PO, dhe në qarkore thohet se “kjo është një praktikë e pranueshme edhe në vëndet e qytetëruara”.
Kemi pra dy qarkore si dy anët e një medaljeje për nëpunësit dhe mësuesit e viteve 1922-23. Ishte një shtet i varfër, por që donte të ruante dinjitetin e nëpunësit, ose sëpaku përpiqej të bënte këtë gjë si në qortim të zyrtarëve të lartë për të mos lejuar borxhin, dhe vendosjen e zyrtarit në borxh ekonomik e jetesën mbi aftësitë e rrogës, dhe nga ana tjetër mundohej që arsimtarët me pagë të vogël në fshatra “sëpaku të mos paguanin banesën”.
Ajo që del qartë, është se shteti po mundohej të krijonte administratën dhe zyrtarin. Po mundohej të kapte “ demin për brirësh” dhe jo nga bishti. Të përballej një herë me zyrtarizmin dhe të bënte të funksionte shteti nën rregulla dhe moral, dhe pastaj të fillonte ngritjen materiale të shtetit. Idea ishte e mirë, pavarësisht se sa e  si, apo sa e si, e lanë për tu  realizuar. Por e vërteta është edhe sot. Një zyrtar që jeton edhe sot mbi mundësitë e pagës së tij.....nuk mund të administrojë mirë dhe ndershëm zyrën e tij. Kjo është e pa mundur. Por në shumë raste është e vërtetë edhe pse sot ka shumë lehtësi. Gjithsesi jeta dhe pasuria.....në shumë pak raste e justifikojnë pagën e zyrtarit të lartë të sotëm..... në shumë pak.




Nessun commento:

Posta un commento