“Shoqnija Bogdani” dhe ngritja artistike e teatrit shkodran në afishet e kohës
Shfaqet teatrore te “Shoqnisë Bogdani” në vitet 1919-30-të të shekullit të kaluar.
Patriotizmi në teatrin e kohës te “Shoqnija Bogdani”
Njerzit e teatrit shkodran, në aktivitetet e “Shoqnisë Bogdani”
në Shkodër.
Nga Besi Bekteshi
Gazetar, historian Arkivi Muzeut Shkoder

Që me vitin 1922, fillon të luhet “farsa” e titulluar “Dy majmuna në një raft” ku luanin Rr. Zadeja dhe K. Harapi, si edhe Filip Zojsi, por interesant është fakti, se për herë të parë luan edhe aktori i më vonshëm i madh Loro Kovaçi. Te drama “Trimi Mallëngjyes” luan sërish Loro Kovaçi, por shikohet shumë në këtë vite, pjesmarrja e gjithmonëshme e Luigj Mjedës. Në vitin 1922, shfaqet në programin patriotik, drama që merr shkas nga vitet 1907-14 dhe që është titulluar “Flamuri i Shypnis do të Mbretnojë”. Por është interesante se organizatorët falenderonin shkruesin e dramës që ishte vetë prefekti A. Nepravishta. Që nga viti 1921, dhe deri në fund të karierës së kësaj “shoqnie”, është vënë në skenë “Trimnija e OSO KUKËS” e cila sipas organizatorëve “ka ndollë në vjetin 1858” dhe shpjegohet mbas titullit se : Ose të djegunit e tij në “KULLË të VRANINËS”. Drama jepej ose me 27 Nëntor ose me 28-të, dhe kishte një sukses të jashtëzakonshëm. Akoma më sukses, ka pasur për një farë kohe edhe drama “Veturdhnimi i Ali Pashë Tepelenës” që në “posterat” e kohës thuhesh se po jepej sërish “mas dëshirit të popullit” Kjo dramë është dhënë edhe me datën 30 nëntor, mbasi është dhënë rresht në 27 dhe 28 nëntor, e në atë kohë, jeta kulturore ishte përqëndruar në këtë drejtim patriotik. Në vitin 1926 “Bogdani” shfaqë dramën “Pjetër Mika” dhe lojën e gazit me muzikë “Kushtrim, Dreqi në Dyshek”. Mbas “Trimit Ngazëllyes” në vitin 1927-të, luhej edhe loja e gazit me një akt “ Dy Belbacukët”. Një nga sukseset e mëdha patrotike, e cila si edhe të tjerat kishte motiv si “qëllim dashësh dhe qëllim mbërritës”, ishte dhe drama “Mustaf Pasha i Shkodrës” me shpjegimin “ma i mrami Vezir shqyptar mi Shqypni dhe Rumeli prej vjetit 1810-1830”. Një nga modelet më të rëndësishëm të krenarisë kombëtare dhe sidomos shkodrane, ishte pikërisht edhe rikthimi i krenarisë historike, në dramat e shoqnisë “Bogdani” dhe trupës së saj aktoreske në Shkodër, dhe kjo shihej qartë edhe te kjo dramë e vitit 1923. Pastaj me rastin e ardhjes së Ahmet Zogut si President i Parë i Shqyptarëve pikërisht me 27 gusht, shoqnija “Bogdani”, ka shfaqë “OSO KUKA” dhe po në atë vit komedinë “ Dy Gungaçat” ku luajnë Ejll Larja, Luigj Mjeda. Gjon Shllaku, Rrok Zadeja etj etj. Në vitin 1929-tën luhet “Makalushi në Shkodër” dhe në vitin 30-të komedia “Me Paditë nipin te Daja”. Janë luajtur edhe “I paditun për Gjaksi” dhe komedia “Një Mësues Modern”, ku normalisht ka luajtur pjesën e tij edhe i madhi Kol Shiroka me shumë e shumë kolegë të tjerë. “Shoqnija Bogdani” ka qënë një nga ato organizime teatrore dhe kulturore të Shkodrës, që në fakt, edhe nga mbiemrat kuptohet qartë që është bazë e ardhshme e teatrit në Shkodër, dhe po ashtu në Tiranë. Të tilla shoqëri kulturore, Shkodra ka pasur në ato vite, dhe padyshim që jeta e tillë në qytetin tradicional dhe kulturor, është një nga tiparet kryesore të lartësisë së madhe artistike, jo vetëm në teatër, por muzikë, poezi dhe skenografi.
Vetë afishet e “Shoqnisë Bogdani” tregojnë edhe kujdesin për një model perendimor dhe tepër të kujdeshëm në drejtim të organizmit.