Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 22 luglio 2011

Statutet e Shkodres

Lucia Nadin, “skutarina” që i ktheu Shkodrës, statutet e saj.

Besi Bekteshi
Gazetar, historian në “Muzeun Historik Shkodër”

Ka qënë një ceremoni mbresëlënëse ajo e para disa kohëve si dhënia e titullit “Qytetare Nderi” profesoreshës Lucia Nadin e cila sëbashku me profesoret G. Ortalli e O.J. Schmitt, gjuhëtarit G.B. Pellegrini, i ka kthyer Shkodrës dhe Shqipërisë “Statutet e Shkodrës”,  një vepër e lavdisë qytetare dhe Europiane, me një konotacion të sotëm tepër madhështor. Zonja Nadin, ishte në Shkodër dhe ajo u nderua nga Këshilli Bashkiak dhe zoti Bardhyl Lohja, por edhe nga Kryetari i Bashkisë Lorenc Luka. Zoti Lohja si kreu i Këshillit Bashkiak e krahësoi atë me britaniken e famshme tepër shqiptare, zonjën Edit Durham. Unë kisha fat dhe e takova për shumë pak minuta zonjën Nadin, e cila  e emocionuar për nderin nga Shkodra, e konsideroi veten një “skutarina” ose shkodranen nga Venecia, e cila ka vite e vite, që punon në Shqipëri. Në takimin me të, i them se ku e ka gjetur gjithë këtë pasion, dhe a do të vazhdojë, e ajo me shumë çiltërsi me përgjigjet: Pasionin ma ka dhënë afërsia e madhe dhe lidhja që ka Shkodra me Venecian, e sidomos bashkëqytetarët shkodranë prej kohe në këtë qytet, por dhe mikpritja juaj e madhe. Por, vazhdon ajo, “ mbas statuteve të Shkodrës që kanë treguar për një Shkodër që në atë kohë Europiane, unë do të vazhdoj me të tjera kërkime, të cilat vërtetojnë pikërisht këtë gjë të madhe”. E kjo ishte më e mrekullueshmja që munda të kuptoj, nga kjo zonjë kaq e palodhur që edhe pse në moshë, kjo profesoreshë,  ndjehej kaq shkodrane dhe kaq shqiptare njëkohësisht. Ajo me tregoi edhe për librin e saj “Shqiptarët në Venedik” që është akoma më tepër  lidhja e ngushtë, mbas pushtimit të Shkodrës nga Otomanët, dhe fillimit të një mesjete tjetër. Në të vërtetë Nadin, ishte tepër krenare për trashëgimin shkodrane, shqiptare dhe orientimin e jashtëzakonshëm perendimor të Shkodrës, mbi 700 vite më përpara. Atë trashëgimi e cila tregon se qytetërimi shkodran, ishte një bazament i jashtëzakonshëm i në qytetërimin Europian. Nadin, normalisht e lidhi këtë gjë me statutet, dhe me ditët e sotme të një integrimi në Europë, të Shqipërisë që sipas saj, ka rrënjët dhe vokacionin pikërisht aty ku sot tenton të futet dhe integrohet.
Zonja në emocionin e saj, kishte edhe sigurinë e jashtëzakonshme se këto punime dhe të vërteta historike, por edhe në një farë mënyre ligjore, shërbejnë jo thjesht për të afruar, por për të ditur ADN-në e një vëndi, i cili historikisht dhe kulturalisht, është Europë.
Janë 40 fletë “Statutet”, të cilat janë gjetur në Venecie dhe folur për herë të parë nga Leone Fontana në 1907 dhe bëhej fjalë se ishin në Muzeun Civico Correr në Venecia. Por studiuesja Lucia Nadin dhe Oliver Jons Schmitt bënë kërkime të shumta deri sa arritën te “Statutet” të shkruara në gjuhën veneto-veneciane dhe dorëshkrimi ishte kopjuar nga origjinali nga Marino Dulcik. Sipas Schmitt ky është dokument unikal dhe pasqyron të gjithën e “Statuteve të Shkodrës”. Kjo gjë në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIV. Modeli është i qyteteve gjysëm shtete si Venecia, Milano, Ankona etj. Normalisht ka funksion si përpara, por edhe në kohën e Stefan Dushanit, dhe janë shumë të detajuara dhe ligjërisht të ashpra se sa “Zakoniku” i S.Dushanit dhe vërtetohet se janë përpara 1346-tës kur S.Dushani u shpall pikërisht Mbret-Perandor. Statutet kishin shumë më tepër norma ligjore, dhe penale, se sa “Zakoniku”. Mbas viteve 1355-së, Shkodra kalon nën sundimin e Balshajve, sepse Stefan Dushani vdiq, dhe ky sundim i ri u shtri edhe përtej Vlorës dhe Beratit në jug, dhe mbi Malin e Zi të sotëm në veri. Nga kreu i 271, fillon shtimi i ligjeve në kohë të Balshajve deri në vitin 1396-të kur ky kërkoi protektoratin e Venecias-Venedikut. Normalisht Shkodra si qytet dhe sundim, me një gjërësi të madhe gjeografike si një sipërfaqe diçka më tepër se sa sot Shqipëria që nga viti 1396-1479, është nën administrimin dhe sundimin e Repblikës së Venedikut. Qytetarët shkodranë të larguar në vitin 1479,  morën me vete edhe “Statutet”, dhe në vitin 2002 ato u botuan në italisht dhe shqip. Hulumtimi, përgatitja dhe botimi, janë normalisht vepra të studiueses tashmë “Qytetare Nderi” e Shkodrës, zonjës Lucia Nadin. 
Mirëpo është e rëndësishme se çfarë nenesh dhe çfarë kanë pasur në brëndësinë e tyre këto statute. Në fillim është stema e qytetit të Shkodrës dhe janë 268 krerë origjinalë dhe 11 të shtuar më vonë, që vijnë në kohën e Balshajve dhe sundimit venedikas.
Në krerët e parë flitet për qytetarinë, për apustujt e shenjtorët, pastaj vijnë krerët me radhë për ndërtimin e shtëpive, për punët bujqësore, për punët artizanale, për peshëmajtjet, për zgjedhjet e funksionarëve, për marrëdhëniet midis komunës dhe klerit, për pozitën e gruas që gëzon disa privilegje, ndryshe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, për gjykimet (procedura penale) dhe në pjesën e fundit për normat e së drejtës penale.
Gjuha e përdorur në statute, sipas Giovan Batista Pelegrinit është e qartë, veneto-veneciane, por përmban edhe pak shprehje orientale.
Ja vlen të shohim disa nene që janë normalisht të vlejtshëm edhe sot:
Kreu 12: Ndalohet hapje e portës së shtëpisë apo e qilarit si dhe hapja e dritares ballë për ballë me fqinjin, me përjashtim të rasteve kur porta apo dritarja nuk mund të hapet në anë tjetër. Kundravajtësit gjobiten me 12 dinarë, që shkojnë gjysma në favor të Kontit dhe gjysma tjetër në favor të Komunës.
Po të shikosh sot…..afërsia është e jashtëzakonshme.

Kreu 24 (Mbi hedhurinat) Urdhërojmë që askush të mos flakë plehra nga dritarja, ballkoni apo qilari në rrugë publike ose çdo lloj rrugëkalimi tjetër të qytetit tonë. Kundravajtësit do të ndërshkohen me 12 grosh gjobë, gjysma e të cilave do t'i shkojë Kontit odhe gjysma Komunës.
Normalisht është akoma më qartë, se sa sot.

Kreu 42 (Mbi prerjen e drurëve): Nëse provohet me dëshmi të sigurta se dikush ka prerë ose ka djegur qëllimisht ullirin e huaj, fajtori dënohet me 50 perperë Sklavonie, që ndahen përgjysmë mes Kontit dhe atij që e ka pësuar dëmin. Nëse nuk arrihet të provohet, i dëmtuari bën betimin bashkë me gjashtë dëshmitarë.
Ashpërsia e ligjve të dëmtimit apo prishjes së pronës është tepër e madhe.

Kreu 87 (Mbi gratë e përdala): Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapelë në kokë, siç është zakoni ynë, as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë ose të banojë pranë zonjave fisnike..."
Ka lidhje me prostitucionin dhe moralin sot, por ama nuk ka dënim dhunues dhe fizik dhe patjetër që është shumë më modern se në vënde të tjera.

Kreu 92: I ndalohet çdo qytetari t'i drejtohet bashkëqytetarit të tij me fyerjen "ti je tradhtar i Mbretit" ose "i Komunës", si dhe të grishë në dyluftim tjetrin për çfarëdolloj shkaku. Kush vepron ndryshe do t'i dorëzojë kryezotit tonë 500 perperë.
Etika dhe morali qytetar është në krye të herës.

Kreu 97: Gjatë kohës që është në detyrë, gjykatësi duhet t'u ofrojë shërbimet e tij të gjithë atyre që i paraqesin hallin e tyre dhe të gjykojë mbi bazë të statuteve të qytetit, me ndershmëri dhe paanësisht, pa u joshur nga miqësitë. Gjatë vitit të shërbimit si gjykatës, gjykatësi nuk duhet të marrë rolin e avokatit për askënd. Detyra e tij është të dëgjojë të dyja palët, të regjistrojë me anë të sekretarit shpjegimet e secilës palë dhe të japë vendim të drejtë sipas statuteve dhe zakoneve të qytetit.
Nuk ka se ku të shkojë më qartë dhe vlen shumë edhe për sot.

Kreu 101 (Mbi daljen e sekreteve nga Këshilli): I ndalohet çdo anëtari të Këshillit të nxjerrë jashtë çështjet që diskutohen në të. Në rast kundravajtjeje të paguajë tetë perprerë gjobë, dhe të mos pranohet kurrë më në poste të komunës.
Sekreti shtetëror dhe ai kombëtar kanë qënë ashpërsisht të dënueshëm.

Kreu 196 (Mbi testamentin e një femre): Gruaja që ka fëmijë, ka të drejtë të bëjë testament dhe të heqë mënjanë për lutje të shpirtit të saj një të pestën e prikës, nëse këtë prikë nuk ia ka kaluar ndërkohë vajzës së saj. Përndryshe, të caktojë për përshpirtjen e vet pjesën që ka mbetur pasi u ka shpërndarë djemve pjesën që mendon.
Të drejtat e gruas në Statutet e Shkodrës janë unikale dhe tepër të rëndësishme, por edhe moderne edhe për kohën e sotme.
Por ka edhe më në këtë temë:
Në një nen të vetëm bëhet fjalë në statutet e Shkodrës për gjakmarrjen (kreu 266), e cila quhet "pazia" - "marri", edhe aty për të kujtuar që burri paratë për gjakmarrjen nuk duhet t'i marrë në asnjë mënyrë nga prika e së shoqes. Në përgjithësi gruaja shkodrane ka një status, që do t'ia kishin lakmuar edhe pasardhëset e saj të shekullit 20-21 . Pasuria familjare është pronë në mënyrë të barabartë ("Gjithçka që fitojnë burrë e grua së bashku konsiderohet e barabartë, dmth. gjysma i takon burrit dhe gjysma gruas" - kreu 166). Gruaja ka të drejtë të ndajë pjesën e saj nga vjehrri e vjehrra, gruaja ka të drejtë të bëjë testament ("Vajza dhe femra në përgjithësi ka të drejtë të lëshojë testament duke filluar nga mosha 12 vjeç e lart" - kreu 186").
Pra kemi një ndryshim të madh në këtë pikë me “Kanunin” i cili edhe pse një rregullues i jashtëzakonshëm mesjetar është tepër larg “Statuteve” sepse ai thotë: "Grueja asht shakull për me bajtë sa të jetë në derë të burrit" (nye i njizetenandet, sipas Sh. Gjeçovit) ose "Me rrahë burri gruen, nuk bje në faj kah kanuja, e as prindja s'mund t'a kërkojn të rrahmen" (nye i njizetetet); "Grueja qi lshohet, tuj dalë shpijet të burrit, kurrnji send s'ka tager me marrë me vedi posë petkash, qi ka në trup.
Normalisht ka ngjashmëri me Kanunin, por janë larg njëri tjetrit dhe shpjegimi është i qartë sepse Kanuni ka vepruar në kohë mungese shteti dhe kryesisht jo në zona qytetare, kurse Statutet janë standarte ligjore krejtësisht Europiane, të shprehura dhe zbatuara në qytetin më të madh dhe zhvilluar në trevat shqiptare, që quhet Shkodër.
Statutet e  Shkodrës, janë një krenari e madhe kombëtare, sepse tregojnë se kemi qënë në një hap me botën e qytetëruar dhe në një lidhje të tillë që ka bërë të krenohemi sot, por edhe të shikojmë më qartë drejt të ardhmes tonë Europiane.




Nessun commento:

Posta un commento