Tradita e shkëlqyer e bandave muzikore në kryeqëndrën e veriut, vazhdon edhe sot.
Besi Bekteshi
Specialist historian, në arkivin e Muzeut Historik Shkodër..
Nuk ka asnjë qytet tjetër jo vetëm në Shqipëri dhe trevat shqiptare, por as në rajonin e ballkanit jug-perendimor që të ketë kultivuar dhe trashëguar në mënyrë kaq të fuqishme dhe qytetare, aftësinë e bandave dhe orkestrave frymore, por dhe orkestrave në përgjithësi. Shkodra, është një nga kryeqëndrat muzikore në trashëgiminë kulturore, e cila rrezaton edhe sot, një madhështi të kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme. Një nga studiuesit dhe muzikologët shkodrane të apasionuar, ka shpjeguar edhe historikun, por ka bërë edhe tendencën për të lartësuar trashëgiminë e ky është Tonin Zadeja që thotë se: Shkodra njihet si një ndër qytetet që ka patur, duke filluar nga dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit 19-të dhe gjysmës së parë të shekullit 20-të një veprimtari të gjërë muzikore dhe artistike. Normalisht që Zadeja ka bërë edhe përshkrimin e saktë historik. Në fakt, duhet thënë se as komshinjtë veriorë në Malin e Zi dhe ato jugorë që shkojnë përtej Korfuzit në jug dhe Janinës, por edhe në zonën e sotme të Maqedonisë dhe Kosovë, nuk kishte në këtë lartësi, organizime të tilla të shumta dhe profesioniste, si në qytetin e madh verior të trevave shqiptare. Duhet të shkoje në Selanik, apo Zagreb dhe Beograd, që të gjeje edhe simotra në atë nivel, apo edhe më pak se kaq, për të bërë një lloj krahasimi kulturor. Është fjala për vite 1870-të e më pas, dhe kjo është edhe cilësia e Shkodrës, si qytet që si me muzikën, fotografinë, artin, pikturën, letërsinë, ishte një pararoje shqiptare në përgjithësi. Kjo, kur në përgjithësi, treva ishte jashtë kontekstit muzikor dhe artistik. E vërteta është se orkestra e parë frymore ka ardhur në Shkodër, dhe është krijuar nga misionari françeskan at Tom Marcozzi, por dhe fondet e mbledhura në popull kanë bërë të mundur sjelljen në vitin 1877-të që njihet edhe viti i krijimit të bandës së parë “frymore” ose orkestrës frymore, blerjen e veglave apo instrumentat frymore. Në këtë kohë, është sjellë nga Napoli për të krijuar orkestrën e parë frymore mjeshtri Giovani Canale, dhe fillimet ishin normalisht në ndihmën e klerit katolik, por më vonë shumë organizime ishin të karakterit laik dhe shtetëror. Koncerti i parë është bërë në vitin 1878-të, dhe ka pasur 31 pjesmarrës si shtresa zejtarësh, e interesante ishte sa shpejt u formua edhe ndjesia, por edhe aftësia për tu profesionalizuar në këtë drejtim të ri. Kishte pjesë të karakterit marcial, pra marrshe, por orkestra guxonte dhe luante edhe pjesë ariesh nga opera të njohura. Mbas largimit të mjeshtrit Canale, rreth viteve 1880-të, trashëgimia dhe kultura muzikore i kalon Palok Kurtit, një nga korifejtë e muzikës dhe orkestrimit në Shkodër. Janë marrshet dhe muzika patriotike e këtij të fundit, që kanë shoqëruar edhe ato vite të mbingarkuara, duke zgjuar edhe ndjenjën kombëtare edhe për luftën dhe mbledhjen e popullit në raste interesi kombëtar. Për këtë aktivitet, Kurti është internuar nga qeverisja turke në Azi të vogël. Ai kthehet dhe riaktivizohet në 1900-tën, megjithse “ja mbyllin sërish” dhe sërish formon një orkestër në vitin 1901, me të rinj të shkollës së artizanatit kur dy vite më përpara, ishte ngritur edhe një e tillë nga Kisha Katedrale me ndihmën e imzot Sarreqit me drejtues Frano Ndoja. Kishte një larmi pjesësh të orkstruara, por ama pjesët patriotike ishin ato kryesoret. Kjo orkestër e Ndojës, kaloi në 1917-tën, në varësi të Bashkisë së Shkodrës, e cila tashmë kishte profesionistë të vërtetë në gjirin e saj.
Mbas vdekjes së mjeshtrit Ndoja, aktiviteti ra shumë, por ishin ngritur arkestra të tjera. Megjithatë Bashkia e aktivizoi më mirë rreth viteve 28-30-të orkestrën dhe bandën frymore të saj. Janë aktivizuar mjeshtrit si italiani Antonio Mucci, që i lëshoi vëndin mjeshtrit tjetër shkodran Zef Kurtit, i cili e konsolidoi, duke e çuar deri në vitet 45-së, kur kaloi në varësi të “Shtëpisë së Kulturës”. Gjithsesi në vitin 1921, është krijuar edhe shoqëria “Vllaznia”, dhe disi më përpara rreth viteve 1919-të ajo “Bogdani” që kishin edhe arkestrat e tyre dhe te “Vllaznia” ka qënë edhe mjeshtri tjetër Luigj Prela. Kurse me mjeshtrin Kurti, shoqëria “Bogdani” fiton konkursin e bandave në Shqipëri në vitin 1930-të. Në vitin 1922, formohet shoqëria “Illiricum” me At Martin Gjoka, dhe këtu është dalluar edhe Prenk Jakova i famshëm disa vite më vonë. Në vitin 1922, ka pasur orkestër frymore edhe garnizoni i Shkodrës dhe normalisht mbas Frano Ndojës, ishin mjeshtrat Pavllo Zhvap dhe Sulë Liçaj, që administruan dhe drejtuan atë. Garnizoni me anën e bandës, bënte parada dhe shoqëronte ushtrinë, por edhe festat e ndryshme. Ka pasur bandë muzikore dhe shkolla “Plotore” e lagjes Parrucë, dhe ajo ishte e paisur me ndihmën e prindërve duke pasur pikërisht Sulë Liçaj si drejtues. Në këtë rast, veshja karakeristike ishte një moment i madh prezantimi dhe patriotizmi, e akoma më shumë një shenjë e madhe e edukimit të rinisë. Në vitin 1931, u formua edhe “Fanfara” e konviktit “Malet Tona” , ajo e “Gjimnazit” dhe e “Jezuitëve”. Prenk Jakova, formon orkestrën e “Antonianes” e cila kishte kostumet kuq e zi, dhe ku kanë nisur jetën artistike të mëdhenjtë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi dhe Simon Gjoni, si orkestrues të thjeshtë.
Sot trashëgiminë e kësaj kulture e ka mjeshtri Kujtim Alia dhe qëndrat e shumta kulturore të Bashkisë së Shkodrës. Për tu përmëndur janë fitore të bandës dhe orkestrës frymore si në Itali dhe si gjithmonë në vënd të parë në Shqipëri. Nuk është vetëm banda dhe orkestra frymore, por edhe cilësia e madhe e “Sinfonisë” dhe orkestrës së saj në Shkodër, e ringritur kohët e fundit. Janë këto trashëgimi që janë edhe sistemi më i mirë kësaj kulture të madhe, dhe kjo është edhe arsyeja që sot Shkodra, ka edhe modelin më të mirë të rritjes në këtë kohë, e cila bën edhe të veten, duke treguar se qyteti i madh i veriut nuk ndryshon për sa i përket vazhdimësisë kulturore dhe artistike.
Nessun commento:
Posta un commento