Austriakët, si vendosën ligjin e zyrtarit, që në vitin 1917-të.
Koment
Besi Bekteshi
Koha e vëshirë e okupacionit ndërkombëtar, por kryesisht atij austro-hungar në Shqipëri dhe posaçërisht në Shkodër, ka sjellë edhe një sistem të vendosjes së rregullit të shtetit. Kapaciteti shtet bërës i asaj kohe ishte shumë i dobët në teritoret ku austriakët kishin ndikimin me trupat e tyre, dhe në të vërtetë, ishte vënë re se administrata dhe nëpunësit e saj shqiptarë, ishin jashtë logjikës së punës në rregulla zyrtare. Në letërkëmbimet e Trollmanit i cili në fund të fundit përfaqësonte edhe Korpusin dhe Komandën e M,e R të XIX, dilnin në të qartë dhe opinioni mbi zyrtarët civilë, në atë kohë okupacioni nga trupat e huaja. Kishte vështirësi mbi sjelljen e zyrtarëve, në rekrutimin e tyre, por mbi të gjitha mbi burrokacinë e përgjithëshme në administrim të pushtetit. Nuk kishte as model turk të trashëguar, dhe nuk kishte model shqiptar të ngritur në fuqi. Kishte vetëm një kaos adminitrativ që Komanda e Austriakëve, nuk e duronte aspak. Firmat keqpëdoroheshin, ligjet ishin personale në saj të zyrtarëve jashtë principit zyrë e shtetit, rregullat nuk funksiononin, dhe administrata kishte mangësi jo vetëm profesionale, por edhe morale. Patjetër nuk kishte siguri në punë, dhe nuk kishte as koncepte në drejtimin e hierarqinë zyrtare. Me një fjalë, duhej një reformë administrative dhe ligjore, në administratën e re dhe austriakët e filluan me një “Parashkresë” mbi përmbajtjen e sjelljen në shërbim të zyrtarëve, nënzyrtarëve dhe shërbëtorëve shqiptarë. Terma të rëndë këto në ditët e sotme, për në vitin 1917-të, e pikërisht me 23 prill që ka dalë kjo rregullore që përcaktonte statusin e zyrtarit shqiptar, ishin krejtësisht moderne dhe tentonin ta fusnin administratën e zonës së pushtimit në formë dhe përmbajtje, me atë austriake. Normalisht në kishte dyshim që Austria tentonte zonën e saj tradicionale të influencës që ishte Shkodra, por ama rregullat e lojës rrezatonin edhe më përtej saj.
“Ligji” austriak për zyrtarët
Në fillim kishte 8-të nene për rregulla të përgjithshme sdhe në nenin numër 2 thotë se “ si zyrtarë mund të emërohen ato që “kanë shkue jetën me nderë dhe janë, a-mbi 18-të vjeç, b- vëndas shqiptarë, shtetas Austro-Hungarë dhe Bosnje-Hercegovinas.
Ligji ndalonte dhe ishte i reptë për ato zyrtarë që paraqisnin dokumenta të rrejshëm, dhe ndalonte në një zyrë farafisni në lidhje gjaku deri në brezin e tretë. Por ama kishte edhe rregullin se zyrtari emërohej nga një dekret, ku i tregohej edhe paga e tij, por edhe titulli. Regullorja ose statusi, tregonte se në qoftëse mbas emërimit, zgjatej më tepër se 10-të ditë fillimi i punës, atëhere binte edhe forca e dekretimit....!! Patjetër në qoftëse nuk tregohej plotësisht vonesa dhe arsyeja e saj. Patjetër zyrtari betohej për kryerjen e detyrës deh mbarimin e saktë të saj. Parashkresa e nëpunësisë së vitit 1917-të kishte edhe ndarjen ligjore të detyrimeve të zyrtarëve në adminitratën e asaj kohe. Në një nga nenet thuhet se “zyrtari asht i detyruem mos me i diftu kuj punët e fshehta të zyrës” dhe përcaktohej se kush ishte puna e fshehtë dhe dokumentacioni i tillë. Nejse, kishte diçka që edhe në atë kohë ruhej, duke mos qënë transparenca e viteve 2000-jë. Detyrë ishte të ruhej edhe nderi i shkallës së nëpunësisë dhe detyrohet me ligj që të gjitha dëshirat dhe kërkesat, të jenë të paraqitura me shkrim. Ndalohej të qëndrojë pa arsye më tepër se tre ditë pa dalë në punë, dhe detyroheshe që të kishe banimin afër punës. Mirëpo ndalohej si detyrim të “shikoje ndonjë punë tjetër”, pra të punoje edhe në adminitratë dhe punë tjetër të pagueshme. Ai, nëpunësi, nuk duhet të guxonte të mos ishte i përkushtuar tërësisht ndaj punës së tij. Punë që nuk pengonte jashtë zyrës dhe administratës, lejohej vetëm me lejën e Komandës. Nuk lejohej aspak “peshqeshi-dhunti” kur ishte për punën në zyrë. Pastaj “Parashkresa” kishte edhe kapitullin e të Drejtave. Zyrtari kishte të drejtë me marrë gjithmonë pagën në lidhje me titullin dhe gradën e zyrtarit, me të cilën ishte emëruar. Kur kishte devocion në punë, dhe lartësi cilësore të vlersuara, zyrtari kishte të drejtë të merrte pagën më të lartë të vëndit të punës. Zyrtari kishte të drejta udhëtimi dhe shpenzime të tjera, por kishte të drejtë pushimi në marrëveshje të plotë me superiorët dhe në qoftëse nuk e pengonte shërbimi i tij.
Pastaj në vendimin e rregullores së vitit 1917-të, kishte edhe lëvizjet e zyrtarëve dhe rregullat e posaçme. Nuk mund të kishte ndërrime vëndi pa dekret të posaçëm, kurse dorëheqa duhet të kishte pëlqimin e Komandës. Por edhe kur duhet të largohej nga puna, zyrtari lajmërohej tre javë përpara, duke rregulluar në favor të tij edhe pagesat.
Normalisht që kishte edhe kapitull ndëshkimesh, të cilat kishin në bazë punën kundra interesave të zyrës. Rradha e tyre ishte a- qortime me gojë e me shkrim, dhe gjoba nuk do ta kalojë 50 korona. Gjobat që merrte zyrtari brënda një viti, nuk do të kalonin pagën e një muaji. Por nuk lejohej të mbaheshin më tepër se 20 korona në muaj, dhe kjo bëhej duke pasur parasysh bilancet e familjes së tij. Ndëshkimet disiplinore, kanë qënë a- ulja e pagës dhe b-largimi nga puna. Ulja e rrogës, nuk mund të zgjaste më tepër se 3 vite dhe nuk mund të ishte më shumë se 25 % e pagës së muajit. Gjithashtu ishte përgatitur një kuadër ligjor, që mbronte edhe pse ishte kohë pushtimi ndërkombëtar, zyrtarët, dhe kishte gjygje dhe rrethana mbrojtëse të qarta. Ankesat duhet të bëheshin brënda 14-të ditëve, dhe normalisht rrethanat e ndëshkimeve studioheshin me shumë kujdes dhe apeloheshin po ashtu me shumë kujdes të veçantë ligjor. Patjetër që i gjithë statusi i zyrtarit shqiptar, ishte një përshtatje e ligjeve austriake të nëpunësisë, dhe nivelit shqiptar të punës në zyra.
Firmatari ishte vetë i Trollmann, dhe pavarësisht se ishte në forcë e huaj që po detyronte një ligj administrativ të vlejtëshëm për Shqipërinë , duhet thënë se ishte ligji i parë mbi statusin e zyrtarit, dhe rregullore e plotësuar e bazuar në ligj të posaçëm.
Kjo “Parashkresë” është një nga dokumentet më esenciale me të cilat forca pushtuese, por edhe administruese e asaj kohe në Shqipëri që ishte Austro-Hungaria, po tentonte të vendoste në administratën vëndase. Nga kjo rregullore, imituan më vonë edhe adminitratat pasardhëse, por pa mundur të kenë një zbatim esencial dhe ligj të tillë në Shqipëri. As në kohën e sotme nuk ka një marrëdhënie administrativo-ligjore në të gjithë administratën shqiptare me një saktësi të tillë detyruese dhe të drejta të qarta. Kjo është një nga mungesat e mëdha tonat që shkakton gjithmonë pasiguri dhe neglizhenca, por edhe cilësi të pakët në zyrat e shtetit. Nëpunësi i shtetit ishte në rregullore një shërbëtor i shtetit, por edhe një njeri i sigurtë në punën e tij të paguar mjaft mirë, dhe i qartë në detyrat të drejtat dhe detyrimet e tij. Për më tepër, ishin të mirë caktuara kopetencat dhe cilësitë e punës, që pastaj nuk ngatërronin nga njëri zyrtar të tjetri, marrëdhëniet në punë.
Kjo shkresë e rëndësishme e statusit dhe rregullores së nëpunësit nga austriakët, tregon edhe sot e kësaj dite, se sa i madh është “arti i administrimit” dhe nëpunësisë që ne akoma sot nuk e marrim parasysh. Në këtë akt rregullore, detyroheshe të ishte njeri i ligjit dhe nëpunës i vërtetë i shtetit. Patjetër që është përpiluar nga një komandë ushtarake, por është imituar statusi i nëpunësit austriak. Është e vërtetë që ishte në kohë pushtimi, por ama është e vërtetë që ishte një rregullore e sinqertë burrokratike që administrata të mos ishte një diçka jo cilësore, pa vlera morale dhe ligjore dhe pa rregulla loje në koncepte të punës pa përgjegjësi. Patjetër një monment pushtimi dhe rrethana të tilla ishin të vështira, por ama moralisht krijimi i nëpunësisë së shtetit me rregulla loje dhe statuse të përcaktuara ishte një fitore e madhe e cila pastaj ka lënë edhe fjalën e “kohës së Austrisë” e cila ishte pushtim por edhe kohë kur shqiptarët po merrenin vesh se si ishin rregullat dhe ligjet në Europë.
Letra e Komandës si dekret i përhapur në të gjitha institucionet, me firma e Trollmann-it janë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës në origjinal të asaj kohe, dhe tregojnë qartë përpjekjet e Austrisë për të pasur administratë të rregullt në shtetin e kohës.
Nessun commento:
Posta un commento