Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

mercoledì 28 settembre 2011

Paradoksi i Trumcakut


Paradoksi i Trumcakut, firmosur nga Migjeni.

Filozofia e fundit e trumcakut me firmën e Migjenit.

Dukumenti autentik i shkruar në fund të jetës nga Migjeni.


Padyshim është një fletë e zverdhur e një fletorje me viza, tipike e kohës në vitet 1938-të ajo ku Migjeni ka shkruar një nga momentet e rebelimit dhe filozofisë së një....trumcaku.
Në qytetin e lashtë dhe tradicional të veriut të Shqipërisë, natyrisht që nuk e përdorin emrin harabel, për zogun jo të bukur që qëndron afër shtëpive dhe pullazet e tyre. Në Shkodër i thonë...trumcak.  Por në fletën e verdhë të shkruar nga Migjeni në Sanatoriumin italian, është pikërisht trumcaku që filozofon sëtepërmi, që bën ciu-ciu, por që në momentet e sëmundjes së autorit të madh, kalon sipër vizave në gjëndjen e rënduar të tashmë fundit jetësor të poetit. Në arkivin e Muzeut të Shkodrës, ndoshta kjo fletë është edhe quintesenca jetësore në filozofinë e Migjenit. Ajo filozofi që ka brënda si rebelimin edhe me natyrën, por edhe me pavdeksinë e cila në fund të shkrimit është quajtur....eternitas.
Është 100 vjetori i lindjes së Millosh Gjergj Nikollës, dhe patjetër vepra e tij duhet riparë në shikimin e ri sidomos të qetë të mbas shumë dekadave. Duhet parë dhe vlersuar në supertalentin migjenian, por pa ngarkesa emocionale si të kohës së diktaturës, dhe asaj post-diktaturë.
Prandaj është më mirë që të shikohet ndryshe, edhe ndoshta shpërthimi filozofik i fundit i tij që është pikërisht ai shkrim pa titull, por që unë po e quaj “Paradoksi i Trumcakut”.
“I lodhun, dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndroj mbi degë”...kështu e fillon shkrimin Migjeni.  Shikohet qartë paradoksi që në fillim ku “trumcaku është i lodhun ma i pakënaqun, por me fat” dhe patjetër që mund të kuptohet se pse në prill të 1938-tës “trumcaku është i lodhun dhe ma i pakënaqun” por që ka fat. Në çfarë ka fat ky trumcak, si ka fat, në çkuptim ka fat ka trumcak dhe kjo është edhe fillim i i filozofisë te trumcaku. Migjeni këtu shpik, pakënaqësinë me fat.
Migjeni vazhdon: Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoj ma artistikisht. Me përbuzje vërente bylbylin. Tashma e kuptoj mirfilli se duhet të vuejë nga fataliteti i gjanave. Kështu tue mendue ndjen një lehtsi trumcaku. Në thellsin e ndergjegjes së tij, filloj të ndjehet fillozof. ( Kish të drejt! Se kush arrin ndër trutë e vet, të jenë i pakënaqun me fat, ai me të vërtetë filloi me bamë fillozofi – dhe një fillozofi ma të vërtetë se çdo tjetër fillozofi).  Trumcaku që ka zili bylbylin, pse nuk është artistikisht si ai, ndoshta pamja, apo kënga e tij në krahësim me bylbylin, apo të dyja bashkë, dhe pikërisht mbas kësaj fillon edhe filozofia. Mos qënia artistikisht në pamje si bylbyli e bën trumcakun të kuptonte fatalitetin e ... gjanave!!
Mirëpo Migjeni nuk do që trumcaku të jetë pa vlerat e tij dhe vazhdon mendimin: Çuditej trumcaku për madhështinë e ndjesive të tija dhe çuditej për fatalitetin e gjanavet. Pse asht trumcak, vetëm pse asht trumcak nuk mund t’a thotë kangën e bylbylit. Çuditje për padrejtsin e  natyrës dhe ish gati të bajë diçka; një kryengritje kundra natyrës!..... Por trumcaku fillozof e mundi trumcakun harbut. Me një indiferencë apathike fishklloj dhe flutroj nga dega, nën strehë të pullazit. Pastaj poeti vazhdon....dhe aty ia nisi: ciu ciu, ciu ciu, si një fillozof unik dhe faqezi. Ndoshta ky është momenti që Migjeni rebelohet pse nuk e kuptojnë ose lejojnë, apo edhe pse nuk e lejojnë duke qënë trumcak të këndojë si bylbyl. Mbase bylbyli ka fatin dhe mbase është ai që “e ka mirë me natyrën”...mbase ky është edhe mendimi paradoksal.   Patjetër që pranon natyrën e gjanave, por trumcaku që ka në shpirt dhe trup, gati gati rebelohet ndaj natyrës por.....por aty për aty, vendos të bëhet një fillozof e për më tepër “unik dhe faqezi”. Një interpretim i jashtëzakoshëm i paradoksit dhe dyzimit në fund të jetës së shkurtër, e cila tashmë po i mbaronte. Ishte fundi i historisë që kthente “trumcakun” rebel, ne një fillozof, sikundër thotë Migjeni. Por pjesa më e rëndësishme e cila ka një iks të madh me tjetër laps në shkrimin e Migjenit, ku filozofia dhe “eternia” në mendimin e tij do të cilësohej fort, është në fund të shkrimit, asnjëherë i respektuar si duhet, nga bota jashtë mendimit trill të pikërisht Migjenit.
Nuk jam i qartë, në se ka qënë dora e Migjenit që ka vendosur këtë “iks” prishës së deduksionit të poetit (unë nuk e besoj), por ama, idea tashmë është e qartë në mëndjen e trupit të sëmurë.
Paragrafi i fundit te “Trumcaku Filozof” thotë: Ky paradoks i trumcakut, mund të ngjajë (ndodhë) edhe një miljon vjet, kur truri i trumcakut të zhvillohet aq sa asht sot i zhvilluem truri i njeriut. E na njerzit e këtij skajit të dheut për nji miljon vjetë, mund t’arrijmë që mos t’ia kemi zili njerzve që na rrethojnë (si trumcaku që ia kish zili bylbylit).  Një miljon vjet – afat i bukur.....Si ju duket?  Jo, jo, nuk a shum. Ç’janë një miljon vjet para eternitas. E poshtë këtij paragrafi poeti ka firmosur....Migjeni.
Pikërisht këtë paragraf, nuk kanë dashur ta komentojnë apo marrin në konsideratë as në atë kohë, as në diktaturë në mënyrë të drejtpëdrejtë, apo pa e përdorur si e kanë pasur zakon....dhe as sot, kur normalisht, duhet që dikujt ti jetë pastruar shikimi dhe kristalizuar audio e dëgjimi në përgjithësi.
Nuk kanë dashur që të demostrojnë pikërisht “paradoksin”  që në fund të jetës, atëhere kur poeti kishte kuptuar se “pakënaqësia me fat” po i jepte shërbimin e fundit, po i mundonte shpirtin. Nuk arritën të sqarojnë “afatet” prej 1 miljon vjetësh, që i duhen trumcakut të bëhet me “tru sa të njeriut” apo edhe mundësinë e mos pasjes zili më... kur....!!   E thëna e zilisë të sotme, në krahësim me humbjen e saj mbas 1 miljon vitesh te njerzit, dhe krahësimi me trumcakun si ziliqar i bylbylit, është edhe momenti që nuk e kanë sqaruar te Migjeni, duke u marrë vazhdimisht me Migjenin revolucionar, i cili ka dashur të prodhojë një trumcak filozof në fund të jetës. Ai nuk habitet edhe me “evolucionin” të cilin e përcakton si zhvillim dhe në fund të fundit e justifikon si vonesë duke i vënë përballë “eternitas” apo përjetësisë, e cila patjetër nuk ka pasur lidhje me trupin e tij...por me diçka tjetër që natyrisht është sot. Gjithsesi “Paradoksi i Trumcakut” mbetet një nga momentet e jashtëzakohshme të poetit,

 i cili mbas shumë pak muajsh vdiq në “sanatoriumin” ku ka shkruar edhe pjesën më të çuditëshme filozofike të tijën, më të nguliturën në mënd për të gjithë ato që kur e lexojnë vazhdimisht pyesin....çfarë realisht ka dashur të thotë ky trumcak, bylbyl dhe njeri në paradoksin e jetës që po pritej në fillim të saj.


martedì 6 settembre 2011

Migjeni si mësues dhe marrëdhëniet me arsimin

Migjeni si mësues, dhe trajtimi i tij nga institucionet deri në fund të jetës!



Nga Besi Bekteshi
Arkivi Muzeut Historik Shkoder

Të mësuar me historitë e dikurshme të modelit propogandë në kohët e diktaturës, mbi trajtimin e Migjenit në arsim, dhe akoma më vonë në  shkuarjen e tij në Torino, është krijuar një ide disi jo e drejtë mbi figurën dhe të vërtetën normale. Padyshim koha e sotme, sidomos në prirjet e saj për tju larguar ideologjisë, por edhe pasionit të nxehtë mbi lartësitë e tilla letrare, janë edhe elementët që duhet të drejtojnë studimin e figurës së letrarit ndoshta më të talentuar të kohës së tij në Shqipëri. Pikërisht asaj figure të guximshme, e cila pastaj është bërë gati e pa imitueshme në konceptet e letërsisë, që zgjedh dhe trajton problematika të rëndësishme të kohës.

Normalisht që Arkivi i Muzeut të Shkodrës, ka edhe modelet autentikë të dokumentave të Migjenit sidomos të letrave mbi punën në arsim. Patjetër aty janë si dokumentat e punës në Vrakë, por edhe në Pukë. Si fillim është për tu sqaruar, se Millosh Gjergj Nikolla në Vrakë ka qënë si Zëv Kryemësues dhe kishte të drejtat e një “Nëndrejtori” po të themi në krahasim me sot. Në dokumentin origjinal që mban datën 13/5/1933, dhe i firmosur nga Kryeministri Pandeli Evangjeli, dhe i kundërfirmosur nga Ministri i Arsimit, Marash Ivanaj urdhërohet: Z. Millosh Nikolla, emnohet mësues në katundin Vrakë, të Shkodrës me rrogën mujore fr, ar 160. Pra Migjeni është emëruar mësues nga vetë Kryeministri i qeverisë së Zogut, dhe është paguar që në fillim  me një pagë rreth 20 franga më shumë se bie fjala Lin Çurçia edhe ai i emëruar po atë kohë në Mirditë. Shkresa në fjalë, mban numrin 874, dhe është zyrtarisht e vulosur dhe firmosur nga titullari arsimit në qeverinë e Ahmet Zogut.
Mirëpo përpara kësaj, është një shkresë e Inspektorisë së Arsimit të Shkodrës, që i drejtohet për miratim, dhe ka numrin (nr-59XXIII) ku Inspektori i Arsimit në Shkodër zoti Gjerga, kërkon të aprovohet edhe vendimi në fjalë. Por këtu për Migjenin kemi disa sqarime të rëndësishme. Në shkresë thuhet: Z. Millosh Nikolla asht emnue Zav. Kryemësues dhe datëfillim i tij asht me 27/4/1933. Ky ka kryer shkollën Teologjike dhe jo Normalen,, si gabimisht kemi lajmnue me telin e këtueshëm.....
Pra është e qartë se Migjeni nuk ka një shkollë të mirëfilltë mësuesie, por ka disa veçori të tjera, që e bëjnë të rëndësishëm sidomos për shkollën e Vrakës.
Në arkiv, është edhe letra ose dokumenti i rëndësishëm me numër 59/XV i emërimit zyrtar të vetë Milloshit, nga Inspektori i Arsimit Dhimitër Gjerga ku thuhet:  Z. e Juej emnoheni Zav.Kryemësues në shkollën mikste të Vrakës. Por më poshtë, ka edhe një urdhër për Kryemësuesin e Vrakës ku thuhet: Programi në veprim, do të jetë krejtë programi Shtetnuer, e mësimi i Serbishtes, lejohet për tash pesë orë në javë. Biles vërtetohet edhe urdhëri për Komunën e Vrakës që tju jap ndihmën e nevojshme.
Pra kemi emërimin si Zëv Kryemësues të Migjenit, dhe kjo është edhe arsyeja pse paga është më e lartë se zakonisht 130 -140 franga, që kishin mësuesit, dhe padyshim dhënia e Serbishtes si lëndë, gjuhë të cilën Migjeni e kishte qartësisht të shkruar dhe të folur, por edhe të studiuar në arsimimin e tij. Akoma më shumë, vërteton se qeveria e atëhershme lejonte gjuhën e minoritetit serbo-malazes në Vrakë.
Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, ka me dhjetra korrespondenca të Zëv Kryemësuesit Millosh Nikolla, për shumë kërkesa, emërime, relacione dhe të tjera që vërtetojnë qartësisht plotësimin e detyrës së ngarkuar me një skrupoluzitet të madh, por dhe respekt të jashtëzakonshëm të letrarit të madh edhe në rolin e mësuesit.
Më pas Migjeni ka pasur një kalim në Pukë, dhe pikërisht për këtë kohë, ka dokumenta rilevantë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës.
Në dokumentat në fjalë, ka qindra kërkesa të ndryshme të firmosura nga Migjeni, ka raporte të ndryshëm mbi gjëndjen e nxënësve dhe mësuesve, por edhe të organizimeve të ndryshme. Duke qënë se ai ishte në qëndrën e Pukës, pra në rolin e Kryemësuesit, merret vesh shumë nga korespondenca se ai ka informuar me një respekt të veçantë Shkodrën për nevojat e mëdha në drejtim të arsimit.
Në një prej shkresave të tij me numër 27/I, drejtuar Inspetorisë së Arsimit, Kryemësuesi Millosh Nikolla shkruan: Gjegje shkresës nr 114/2 dt. 31/3/37. Të nandët shkollat e këtij rrethi, kanë nevojë për flamur. Sa për “fëtyrën të Nalt Madhnisë”, janë të plotësueme.  Patjetër Migjeni ishte njeriu që merrej me organizimin e arsimit në Pukë, dhe e drejtonte në mënyrë të saktë, dhe pa asnjë lëshim pikërisht këtë detyrë.
Të gjitha shkresat e tij shumica me shkrim dore, por me vulë dhe firmë të qartë zyrtare, janë një dëshmi e marrëdhënieve të sakta dhe zyrtare me Inspektorinë e Shkodrës, dhe patjetër Migjeni ishte një nga zyrtarët e përkushtuar të arsimit në atë kohë.

Në Arkiv ndodhen edhe shkresat e fundit të punësimit të tij si Kryemësues në Pukë, që lidhen me shtrimin e tij në një spital të Torinos. Është një letër e Ministrisë së  Arsimit dhe pikërisht Sekretarit të Përgjithshëm e datës 9/3/1938 dhe me numër 984/5 që vërteton: Z. Millosh Nikolla, mësues në Pukë, e tash i shtruar në Senatoriumin G. Opera Pia të Torinos, i jepen 3 muej leje, tue fillue prej 15 mars e tue i mbarue në 15 qershuer të këtij viti, për arsye shëndetsore të justifikueme me raport mjeksuer. Poshtë vjen edhe urdhëri i Ministrit të Arsimit, por akoma më poshtë i jepet urdhëri “Llogarisë” që “rrogat ti lëshohen rregullisht”. E gjitha kjo, i dërgohet si urdhër Inspektorisë së Shkodrës, dhe kështu është vepruar edhe pse kjo Inspektori, ka qënë disi në errësirë të shtrimit të Migjenit në Torino. Ka edhe një shkresë tjetër të zgjatjes së lejes, duke qënë se Ministria Arsimit, merrte kontakte nga Konsullata e Mbretërisë në Torino, dhe numri i saj është 984/3 që shtyn lejen deri me 30/6/38, dhe biles i lutet Z, Konsull në Torino të pranojë nderimet e kësaj Ministrie. Nuk harrohet që në shkresë të përmëndet edhe vazhdimi i rrogës.
Shkresa e fundit e Ministrisë është lajmërimi që kjo Ministri i bën Inspektorisë së Shkodrës. Shkresa në fjalë, mban numrin 984/9 dhe thotë: Si mbas njoftimit që na jep Konsullata e Mbretnisë Shqiptare në Torino (Itali), Ju sillet ne dije se z. Millosh Nikolla, mësues në shkollën e Pukës, që ndodhej me leje jashtë shtetit, ka vdekun me datë 26 gusht 1938 në Komunën Tore Pellice. Me ketë datë  të priten marrëdhëniet finaciare me këtë Ministri. Në fund është firma dhe vula e Ministrit të kohës.
Ka pastaj edhe një dorëshkrim që kurrë nuk u përfundua me dorën e Migjenit. Ajo është një fletë tashmë e zverdhur e cila fillon me: Ministrisë s’Arsimit Tiranë dhe vazhdon “I nënshkruemi Millosh Nikolla, Kryemësues në Pukë, i lutem asaj P.T. Ministrie për sa vijon. Me që më 15-të muajt vazhdues mbaron leje që..... dhe letra nuk vazhdon më. Nuk dihet në se ka pasur fuqi të shkruaj më, apo në se nuk ka pasur nevojë që të përfundojë atë letër, e cila prosupozohet të jetë një kërkesë për tashmë sëmundjen  e gjatë të tij.
Është një nga letrat e cila sigurisht tregon tragjizmin e poetit të jashtëzakonshëm, të fillim shekullit 20-të në Shqipëri.  Gjithsesi normalisht që sot është e rëndësishme të shikohet më qartë në shkresat e origjinalit në arkiv për figurën e madhe të Migjenit edhe si studim, të cilat nuk kanë nevojë për kurrfarë interpretimi  letrar, as politik, dhe për më tepër ideologjik.