Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 31 agosto 2012

Antikat dhe qarkorja e vitit 1922


Antikat, dhe modeli i parë i ruajtjes së vlerave kombëtare përpara 90-të viteve.



Opinion

Besi Bekteshi

Pydyshim që të huajt kanë punuar në mungesë të një shteti shqiptar edhe për mirë, por edhe për keq në tokën e shqiptarëve. Zbulimet janë të mëdha deri në vitet 1920-të, dhe për këtë duhen falenderuar si zbulues gjermanë, italianë dhe austriakë, por edhe francezë, por sidomos gjatë periudhës së pushtimeve të huaja mbas 1912-tës, i gjithë teritori i vëndit ju nënshtrua një gërmimi dhe gjetjeje masive të “antikave”, ose më mirë reperteve arkeologjikë, pikturave, skulpturave, gurëve të varreve të vjetër, nën tokë dhe mbi tokë. Oficerë të huaj dhe kryesisht italianë dhe austriakë, por edhe të tjerë përveç ideve për politikat ushtarake dhe luftuese, kanë pasur organizime të posaçme si të komandave dhe personale, për të gjetur dhe marrë reperte të jashtëzakonshme në saj të gërmimeve, gjetjeve, pyetjeve dhe sondazheve fshat më fshat, dhe vënd për vënd. Ekzistojnë disa raporte komandash të cilat bëjnë me dije këtë “marrje nën kujdes” të artefakteve të shumtë, dhe midis tyre ka edhe akuza për vjedhje të sigurta të bëra gjatë kësaj kohe. Nejse, ja vlen që të studiohet më qartë kjo grabitje që është bërë edhe në “emër të ruajtjes së vlerave” për që ka justifikuar vjedhjen e pasurisë kombëtare shqiptare. Dakort.....në fakt aspak dakort.... por në vitet e para të mbas 1920-tës, qeverisë krahas shumë të tjerave i është dashur të përballet me raporte të veçanta për pasurinë e “Antikave”, të cilat po vazhdonin të vidheshin, të shkonin në muzetë jashtë, por  sidomos koleksioneve personale të njerzve që kanë rilevuar dhe bredhur për këtë qëllim tokën shqiptare. Ose edhe atyre që dinin dhe blinin. Shitjet kolesionisëve të pasur ishin të mëdha, dhe dëmi po shtohej, por ndërgjegja kombëtare tashmë ishte më e ngritur në këtë drejtim. Nga të dhënat që kishte marrë Ministria e Brëndëshme në maj dhe qershor të vitit 1922, dilte se kishte akoma njerëz që pasuronin veten në saj të vjedhjes së antikave. Mungonin shumën të tilla dhe kishte denoncime në shumë qytete të mëdha, si dhe numri i ankesave ishte i madh. Flitej se nga këto denoncime, artefaktet që mungonin dhe kishin qënë të identifikuar kalonin shifrën e madhe 600. Ishte pra, një problem i madh. Zakonisht denoncimet vinin nga sistemi tashmë i sapo ngritur arsimor, dhe ishin mësuesit në mungesë të specialistëve dhe arkeologëve, që kishin vënë alarmin për këtë shkatërrim të vlerave kombëtare. Në këtë kushte, Ministria e Brëndëshme në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, nxjerrin një qarkore të shpërndarë prefekturave dhe degëve të drejtorive arsimore me qëllimin e qartë identifikimin dhe pastaj mbrojtjen e artefakteve, dhe patjetër synimin e krijimit të Muzeve në të gjithë vëndin.  Në fillim ishte një qarkore urdhër dhe ligj e Ministrit të Brëndëshëm A. Zogu që urdhëronte zbatimin e qarkores së Ministrit të Arsimit R. Mitrovica. Qarkorja në fjalë është e datës 22/6/1922 dhe kërkonte që kjo qarkore e rëndësishme ti “shpallej popullit sa më parë”. Në fakt çfarë thoshte qarkorja e Ministritt ë Arsimit.....!?  E duhet thënë se qarkorja e Mitrovicës ishte e datës 18/6/1922. Aty thuhej se “antikat kanë dalë në shesh dhe prej tyre del edhe historia, kanë dalë gjana që nuk i kena ditë”. Në qarkore përmënden se kush janë antikat dhe se çfarë vlere kanë ato. Aty thuhet qartë se përveç vlerës e dobisë shkencore, kanë edhe vlerë morale, sepse e nxjerrin shtetin tonë faqebardhë në sytë e botës së qytetnume.....!  Është detyrë e çdo arsimtari të kujdeset për të ruajtur këto vlera që të mos prishen, vidhen dhe të mos shiten...!  Përmëndet edhe fakti se  “mjerisht nji shumicë e madhe...kanë vojtun dam....tue u prishun, ose tue u shitun....tue u qitun jashtë Shqipnisë në kohë të pushtimeve të hueja”....!
Sot është koha që të pushojë diçka e tillë thotë qarkorja, pra grabitja, dhe duhet ngritur një Muzeum Kombëtar që mbas kësaj të demostrohen dhe mos rrënohem më. Për këtë, tani në fillim duhet kujdesur nga Ministria e Arsimit dhe arsimtarët, dhe prandaj urdhëri është ky: Çdo mësues katundi duhet të vëzhgojë katundin e vet dhe ato përreth dhe duhet të lajmërojë inspektorinë e Qarkut. Pastaj numëri dy: Ky urdhër ju jepet edhe mësuesve të qyteteve. Qarkorja vazhdon edhe me urdhërin që merr inspektoria e qarkut dhe nga inspektorët e saj duhen larjmëruar bashkitë e komunat që të marrin në dorëzim antikat ose ti kërkojnë ato.  Urdhëri ishte që çdo bashki duhet të kishte një vënd për të ruajtur antikat e mbledhura. Në fakt jepej urdhër për vëzhgim të kujdeshëm për antikat në rastet e gërmimeve në ndërtime dhe themele dhe ndërtime të rrugëve..etj etj.  Nuk mund të kishte njerëz më të kujdeshëm dhe më profesionale, apo dhe të ndjeshëm se sa arsimtarët që ishin më të shkolluarit në atë kohë paditurie, dhe mbas lufte në trojet shqiptare. Gjetja e tillë ishte shumë inteligjente.
Pra shteti më në fund po fillonte edhe pse në fillimet e tij, kujdesin dhe ligjet mbi “repertet dhe antikat” në Shqipëri.  Nga disa të dhëna u pa qartë se në disa rrethe të Shqipërisë si Shkodër, Berat dhe Gjirokastër, por edhe në Durrës dhe Korçë, u gjetën dhe u mblodhën mbi 400 artefakte të ndryshëm që kishin të bënin kryesisht me varre dhe statuja, apo edhe piktura dhe patjetër vënde kulti të vjetra.  Drejtoritë Arsimore, u bënë promotoret e zhvillimit të anës muzeale, edhe pse shteti nuk kishte akoma ligje të posaçme për këtë periudhë të fillimit të shtetit.  Puna ishte tepër e vështirë dhe tepër në injorancë të madhe të popullsisë, por gjithsesi momenti ishte tepër i rëndësishëm dhe në Tiranë, por edhe Shkodër apo Durrës, u vendosën edhe gjoba dhe u futën në burg trafikantë artefaktesh apo “Antikash”, që në atë kohë quheshin vlerat dhe repertet e qartë arkeologjikë dhe historikë në Shqipëri.  Në të vërtetë, ishte shumë e vështirë edhe për kushtet, por ajo që shihet qartë është se qeveria ishte koshiente mbi dëmin dhe masat që duheshin marrë, për të mos pasur më një shkatërrim të madh të vlerave muzeale dhe antike të vëndit. Kanë kaluar 90-të vite, dhe normalishte jemi në kohë tjetër, por fillimet e anës muzeale dhe ligjeve zyrtarisht për artefaktet datojnë historikisht në datën 18 qershor të vitit tashmë të largët 1922.

mercoledì 29 agosto 2012

Respekt per parimet e Rilindjes Kombetare


Kujdes në “liritë ideore sot”, për disa parime të Rilindjes Kombëtare.

Opinion
Besi Bekteshi

Historian Arkivi Shkoder
 
Një nga parimet e rilindjes kombëtare shqiptare është padyshim edhe thënia e  Pashko Vasës “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Normalisht është parim, sepse ka ndihmuar në atë kontekst, në ato kohë, dhe në atë zhvillim kombëtar dhe kulturor, të vendosë në plan të parë kombin. Sot patjetër që mund të ketë shumë kush vërejtje për shprehjen në fjalë, por rilindasi i madh shkodran, poet dhe shkrimtar, por edhe krijues i alfabetit, jetoi në atë kohë dhe ngriti parimet rilindase sidomos për atë kohë. Në disa prej debateve kryesisht mediatike dikush edhe religjonar thotë se ai “ me forcë thotë fenë e tij” dhe se shprehja e Pashko Vasës tashmë është një rudiment. Po.... mbase ka të drejtë, por një pyetje mund ti bëhet një religjonari të tillë, apo edhe të tjerëve religjonarë por që mendojnë si ai: Në qoftëse shkojnë në një vënd tjetër, qytet tjetër, shtet tjetër e kam fjalën, me çfarë prezantohen në fillim? Ë pra, duke thënë jam mysliman, katolik, ortodoks apo....çfarë feje janë?!  Kam idenë se në qoftëse nuk kanë turp të thonë “jam shqiptar” patjetër që do të prezantohen...Jam shqiptar...dhe ato që kanë turp mbase mund ti tregojnë religjonin në fillim, por shqiptarë që shqiptarë do të mbeten. E në fund të fundit po ju prezantove me religjon mund edhe të kenë respekt, por asgjë në fakt nuk kanë marrë vesh. E ky është edhe konteksti i Pashko Vasës. Me parimet e “Rilindjes Kombëtare” nuk duhet luaj, qoftë ky edhe një religjonar, në cilindo religjon që është, apo ai e përcakton veten. Ka edhe diçka. Religjonin njerzit mbase edhe mund ta ndryshojnë, vëndin e lindjes dhe përkatësinë etnike.....JO. Këtu e ka pasur fjalën edhe Pashko Vasa dhe vlen edhe për sot.  Po shtoj edhe diçka tjetër.  Sasia e shqiptarëve në botë, është e madhe vetëm e njehsuar me kombin, etnosin kombëtar dhe normalisht zvogëlohet kur ndahet pastaj në religjon....! E këtu e ka pasur fjalën dje Pashko Vasa, dhe po kështu qëndron edhe sot. Pra jam krenar se jam shqiptar, dhe jam krenar se jam shqiptar mysliman, orthodoks dhe katolik shqiptar. Në fakt ka ndodhur se komunizmi, doktrina e marrë e enverhoxhizmit shqiptar, e përdori edhe thënien e Pashko Vasës. Normalisht e përdori për ti shërbyer goditjes së religjoneve në Shqipëri. Pashko Vasa u intepretua si ateo i plotë i kohës dhe shprehja e tij si dëshmia e ateizmit të “Rilindjes Kombëtare”, dhe pastaj filloi shkatërrimi i institucioneve të kultit dhe vrasjes së klerikëve në Shqipëri. Po, u krijua absurdi më i madh në botë që ishte shteti i parë ateist i shpallur në planet....!  Konteskti i vargut “E mos shikjoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria” u bë edhe modeli për të shkatërruar pikërisht kishat dhe xhamiat.....!! E kjo ishte makabria e modeluar nga perversiteti enverhoxhain në Shqipëria. Identifikimi i rrezikshëm i shqiptarëve në kohën e rrezikut të humbjes së identitetit shqiptar  me religjonin, e kishin vendosur parësore kombin si bosht identiteti. Pra, atëhere identifikimi me religjon po humbiste bashkimin në komb të shqiptarëve, dhe pikërisht kjo te poezia madhështore e Pashko Vasës te O shqypni e mjera shqypni.....!! Një multi linguist si Pashko Vasa dhe një person që ka ngritur “Komitetin qëndror për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar” në Stamboll dhe autori i Momerandumit Britanik mbi “Autonominë efektive” të paraqitur nga ambasada britanike në Stamboll...dinte se si ishte halli në fakt. Ai ishte normalisht njeriu që njihte si lindjen dhe perendimin, dhe ishte edhe një pasha për më tepër kaolik në aristokracinë atomane, por edhe krijues me alfabet latin të gjuhës shqiptare. Kujdes të madh në gjykimin e sotëm në liri të të shprehurit me parimet e “Rilindjes Kombëtare” e cila padyshim është koha e njerzve absolutisht më të lartë të Shqipërisë, në të gjitha kohët. Njohja e italishtes, frengjishtes, turqishtes, greqishtes dhe pastaj si sekretar i konsullatës britanike në Shkodër mësimi i anglishtes dhe serbishtes, por edhe arabishtes, e bënë një poliglot të madh të historisë dhe natyrisht njohës shumë i mirë i politikës. Dy shqiptarë të lartë si Pashko Vasa dhe Ismail Qemali rreth viteve të Lidhjes së Prizrenit kanë punuar si administratorë në Ederne në vilajetin të madh dhe atëhere ka marrë edhe titullin Pasha. Vdiq duke qënë guvernaror i madh në Liban por veprat e tij janë të jashtëzakonshme dhe vlera e tij sidomos për Lidhjen është maksimale. Sëbashku me të mëdhenjtë e tjerë Hasan Tahsini, Koto Hoxhi, Jani Vreto e Sami Frashëri, ka bërë alfabetin shqip në fakt, ose bazën e gjuhës moderne shqipe, dhe kjo gjuhë unifikuese nuk do të ishte krijuar në qoftëse këto njerëz do të kishin parime të tjera jo bashkuese që mund të influencoheshin nga religjoni.
Kujdes me parimet e “Rilindjes Kombëtare”, sepse gabojmë qartë dhe shumë shpejt edhe sot po ti dashakeqësojmë për ti nxjerrë si atavizma kombëtarë. Duhet larguar “enverhoxhizmi” dhe përdorimim për anti-religjon i shprehjes së rilindasit të madh, por shqiptarët po të tundohen nga ana tjetër bëjnë sërish gabim. Pse?
Po sepse ka shenja se përpara se të thuhet jam shqiptar bie fjala si refugjat tani dhe dikur në Greqi...kryesorja ishte të ishe....orthodoks!! Po, edhe te shqiptarë diku në ...bie fjala Maqedoni...shqiptarë me “rroc e me koc” ju leverdis të klasifikohen si...mysliman!  E kjo nuk është aspak punë e mirë.  Në fakt duke vepruar kështu, shqiptarët kanë fituar disi identitet tjetër, por kanë humbur identitet shqiptar. Mbase ka ardhur koha..... dhe kanë humbur dhe gjuhën pastaj....!! Edhe veshjen, edhe kulturën dhe po ashtu edhe pasaportën dhe mënyrën e të folurit. E kjo nuk është aspak e mirë.  Kujdes me parimet e rilindjes, sepse është shumë pak një shekull, biles shumë pak edhe dy shekuj në kombformin dhe gjuhë kombëtare, por edhe shtet dhe komb shqiptar në vazhdim. Është shumë pak,  dhe vlejnë edhe për sot shprehje të tilla sa do që janë keqpërdorur nga komunizmi idiot dhe dogmaxhi shqiptar. Ky komunizëm donte të zhdukte religjonin në Shqipëri, jo se donte kombin, por se donte të vendoste një religjon tjetër...atë të Enver Hoxhës që  ishte “Stalinizmi shqiptar”. Kurse shprehja e rilindasit vazhdon të ketë vlerë në kohën kur vazhdojmë të jemi në kombformim. Ne vazhdojmë edhe sot e kësaj dite të kemi komshi, shtete që kanë brënda kombe që thonë...një atdhe, një popull, një tokë...dhe me të tilla shprehje i kanë lejuar vetes vrasjen dhe gjenocidin, kurse shqiptarët janë në fakt etnikisht të pastër, por multireligjonarë që i bën të jenë sa modern edhe të fortë. Duhet të mburremi me tolerencën tonë fetare që dikur në komunizëm e shpjegonin me “paganizmin tonë në origjinë”. Sot nuk duhet të bëjmë po të njëjtin gabim, duke retushuar parimet e rilindjes, për arsye të forcimit artificial të dijenisë apo qënies besimtar. Religjoni është një sistem i madh vlerash në Shqipëri, kur është multi është akoma më qartë dhe më mirë sot i dobishëm, kurse kombi dhe qënia shqiptar është një.   Multi religjoni është i dobishëm, sepse na afron me shtet e mëdha dhe perandori të mëdha, kurse kombi na bën krenar për origjinën tonë të fisme që më tepër sot duhet ta mbrojmë. Na respektojmë ato jashtë se jemi tolerantë në religjon. Bëjnë mirë...por....! Kurse unë them nuk jemi tolerantë, por jemi shqiptarë që jetojmë, punojmë, këndojmë, martohemi, festojmë, dhe vdesim si shqiptarë. Po të prishet kjo,  pastaj mbase vjen ajo që quhet...tolerancë. Por ne jemi shqiptarë.  Kjo është madhështore, dhe këtu  nuk ka asnjë gabim në shprehjen e të madhit Pashko Vasa.




venerdì 24 agosto 2012

Perkujtimore per forcat nderkombetare te vitit 1913


Një qëndër që kërkon respekt edhe për të huajt!



Opinion

Besi Bekteshi
Deri sa të vijmë në kohët kur shtatoret tona të jenë me njerzit kryesisht të artit dhe të sportit, besoj se do të kalojnë akoma shumë kohë, por deri atëhere....!!?
Deri në atë kohë të pritshme, por që me sa duket do shumë vite për të ardhur, kemi akoma disa raporte me shtatoret e luftës pa vendosur në vëndin e tyre. Normalisht nuk kam asnjë lloj replike me ato partizanë dhe pjesmarrës të luftës, që në atë kohë i është thënë nacional-çlirimtare, por besoj se shumë kush e kupton se vlerësimi i figurave dhe akteve në historinë tonë ka qënë i njëanshëm.
Një nga momentet akoma të pa respektuar në historinë e Shqipërisë, është edhe maji i vitit të jashtëzakonshëm 1913.  Është më se e vërtetë që burrat shqiptarë arritën që me 28 nëntor të 1912-tës, të shpallin pavarësinë, por qeveria e Vlorës ishte në vështirësitë e mëdha në shtet formimin e kërkuar, dhe ëndërruar nga shqiptarët. Jo vetëm që teritore shqiptare kishin mbetur dhe ishin jashtë kontrollit, por rrezikohej edhe pjesa e vetme e ish katër vilajeteve të dikurshëm, të kalonte në sundimin malazez në saj edhe të shtysave sërbe dhe akoma më në periferi ato ruse. Ishte qyteti më i madh i trojeve shqiptare në vitin 1913-të, që jo vetëm ishte rrethuar dhe lënduar ashpër nga malazezët, ishte martirizuar dhe rezistenca është e pashoqe, por po rrezikohej të dilte përfundimisht Shkodra si teritor shqiptar zyrtarisht dhe forcërisht.  Në fakt ishte një situatë absurde edhe në marrëdhëniet me perandorinë turke, ose sundimin ushtarak dhe disi më pak civil të Turqisë tashmë në Shkodër. Një administratë që “lejonte.....por dhe  mbronte ushtarakisht” nga malazezët.  E historianografia jonë është marrë më tepër me Esad Pashën, Princ Danillo, Hasan Riza Pashën, Krajl Nikollën, me flamujt që uleshin dhe ngriheshin dhe patjetër kanë dalë në plan të dytë si sakrificat e popullsisë së martirizuar dhe çlirimit të Shkodrës nga forcat ndërkombëtare. Biles duke e ngatërruar shumë momentin e vitit 1913 me luftën e parë botërore edhe ndërhyrjen e pesë fuqive të mëdha, historianografia dikur, por edhe tani e konsideron.....pushtim! Në fakt Shqipëria po njihej nëpërmjet Shkodrës në botë.   Kancelaritë e Europës dhe kryesisht në Britaninë e Madhe, Austro-Hungari, Itali, Francë, Gjermani, Rusi, por patjetër edhe Mali i Zi dhe miqtë e tyre serbë, ishin në trysni, lëvizje, dhe delagacione. Kurse Shkodra ishte vetëm një qytet nën sulm. Ai tashmë ishte qyteti ku seriozisht mund të fillonte lufta e parë botërore. Interesat e fuqive të mëdha ishin të ndryshme dhe patjetër ndërhyrja e malazezëve dhe rrethimi i Shkodrës ishin në plan të parë politik dhe gjeostrategjik. Nejse, për të mos bërë sërish histori, duhet thënë se me shumë përpjekje, u mor vendimi për të ndërhyrë me forca ushtarake në Shkodër. Ishte eksperimenti i parë ndërkombëtar serioz në vitet e para të shekullit, që kërkonte të shuante luftën e mundëshme midis fuqive të mëdha.  Flota detare bëri bllokadën në adriatik dhe afër Tivarit, dhe më në fund, me anën e disa anijeve lumore në Shkodër hynë trupat e para të marinsave britanikë, austriake, gjermanë, italianë dhe francezë...zbarkuan në pontilin e Shkodrës.  Po në këtë gazetë, kam botuar edhe kush ishin trupat, sa ishin, si erdhën, me çfarë erdhën, kush i komandonte dhe çfarë bënë menjëherë kur “pushtuan” ose më qartë çliruan Shkodrën në maj të vitit 1913.  Në qershor erdhën pastaj edhe trupat tokësore dhe nga “admiraliati”, komanda i kaloi forcave tokësore të kolonelit Philps. Dakort, por në fillim administrmin e largimit të malazezve me ultimatum dhe biles marrjen në dorëzim të qytetit nga një oficer i lartë turk, e ka bërë sir Cecil Burney, ose admirali britanik që komandonte forcat e marinës që liruan qytetin e Shkodrës. U ngritën pesë flamujt e fuqive paqeruajtëse  në Rozafat, dhe përfundimisht Shkodra përfundoi jo vetëm së qëni e pushtuar nga malazezët, por edhe nga administrimi turk. E kjo nuk është respektuar aspak, dhe sot është koha për ta vendosur në vënd ndërhyrjen paqeruajtëse të forcave të komanduara nga Admirali britanik sir Cecil Burney. Ky admiral pastaj ka takuar edhe qytetarët shkodranë, politikanë dhe njerëz të fuqishëm, por njëkohësisht edhe malësorë, dhe prijsa të malësive të Shkodrës.  Në fakt Shkodra u nda në pesë rajone administrimi, dhe britanikët morën qëndrën dhe ky rast u shfrytëzu më vonë edhe për Berlinin. Ndërhyrja e paqeruajtëve në 1913-të në Shkodër, mbylli përkohësisht luftën, por në fakt i ngjan edhe ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.  Normalisht janë fotot dhe dokumenta,  apo edhe shkrime nga autorë të lartë që flasin për këtë moment delikat, kur rrezikohej që Shkodra si qyteti më i madh dhe një popullsi prej 200.000 banorësh me rrethinat e saj...të dilnin përfundimisht nga trungu i Shqipërisë. Këto forca, dhe shpirti i madh i rezistencës shkodrane, nuk e lejuan këtë gjë.  Për këtë sir Cecil Burney dhe momenti, e meritojnë një shtatore, një pllakatë të madhe, ose në qëndër të Shkodrës ku më vonë kanë ardhur trupat ndërkombëtare, ose në pontilin e Shkodrës, për këtë 100 vjetor të pavarësisë. Po, dhe të shkruhen edhe emrat e oficerëve të lartë që e çliruan, dhe jo e pushtuan Shkodrën. E çliruan qytetin më të madh dhe historiko-kulturor të Shqipërisë, për të mos qënë pjesë e Malit të Zi,  në të cilin sigurisht nuk do të kishte qëndruar gjatë, sepse lufta nuk do të kishte pushuar kurrë deri në fitore të shkodranëve.
 Pastaj është edhe respekti për guvernatorin e parë internacional të forcave çliruese të Shkodrës, që është koloneli dhe më vonë Gjernerali Philips,...edhe ky britanik, dhe njeriu që e ka njohur mirë Shkodrën edhe në vitin 1913 dhe në 1918-të. Ai krijoi xhandërmarinë dhe gjykatat, apo edhe administratën në Shkodrën e masakruar. Në guvernatoriatin e tij u hapën shkollat dhe u vendos qetësia. Ai ishte që bënte 7-të orë biseda me shkodranë dhe malësorë, për të mësuar edhe idetë më të vogla, dhe për të parandaluar kriza dhe mosmarrëveshje. Ai që në atë kohë një nga hallet e tij të fortë kishte gjakmarrjen, dhe për këtë është edhe një libër i autores Agnes, që ka jetuar pak kohë në Shkodër.  Philips ishte edhe ky, një burrë që stabilizoi gjëndjen në Shkodër, dhe normalisht është modeli i parë i qeverisjes ndërkombëtare dhe patjetër në respekt të paqes.  Normalisht që lufta botërore do të prishte edhe këtë qetësi, por guvernatori britanik i Shkodrës në fakt, ka lënë një përshtypje shumë të mirë në Shkodër dhe sëbashku me miss Durham, admiral Burney dhe shumë oficerë britanikë të tjerë, kanë siguruar në Shkodër shumë respekt dhe ky respekt është edhe në dokumenta të ndryshëm.  Guvernatoriati i vitit 1913, është administrimi ndërkombëtar i Shkodrës me qëllim vendosjen e paqes në favor të Shkodrës, ky moment duhet respektuar sot në qëndër të qytetit ku po bëhet pedonalja e re përpara Bashkisë së Shkodrës. 
Momenti i tretë që akoma nuk është respektuar në Shkodër është 13 marsi i vitit 1920-të, kur Shkodra i kthehet përfundimisht Shqipërisë në mënyrë zyrtare.  Patjetër që Shkodra edhe mbas 1913-tës ka qënë në rrezik të madh, dhe ky rrezik ka mbaruar plotësisht kur nga Asambleja Kombëtare dhe qeveria kombëtare, u vendos që qyteti dhe rrethinat ti bashkoheshin Shqipërisë dhe pushtetit civil dhe ushtarak të saj. Firmat dhe vulat, fotot dhe elementët e historisë janë plotësisht të qarta dhe unë sërish në këtë gazetë kam botuar edhe dukumentat autentikë të kohës, që e vërtetojnë këtë gjë. Po, kam dokumentat e Ministrit të Brëndëshëm A.Zogolli dhe të Drejtësisë H.Kadri, që vërtetojnë plotësisht këtë gjë dhe historia vërteton edhe ushtrinë e asaj kohe prej afro 3000 ushtarëve dhe vullnetarëve që mbrojtën Shkodrën.  Pra me 13 mars të vitit 1920, Shqipëria bëhet edhe me pjesën e saj të lavdishme dhe të madhe që është Shkodra, dhe kjo në mënyrë zyrtare dhe politike. Përdryshe lufta do të vazhdonte, dhe revendikimet vazhduan, por pushkët tashmë ishin gati dhe shkodranët, malësorët, dhe vullnetarët po ashtu. Edhe kjo datë kërkon një përmendore në qëndër të qytetit dhe patjetër që vlen për këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë.
Sot në qëndër të Shkodrës ka nderim për disa ngjarje dhe fakte dhe ka nderim për Hasan Riza Pashën që mbrojti Shkodrën, apo edhe për Gjergj Fishtën si epizmin tonë patriotik letrar, por normalisht që ka vënd edhe për faktorë të tjerë të vitit të jashtëzakonshëm 1913. Normalisht që ka vënd edhe për të huajt që bënë atë veprim të madh për Shkodrën.




domenica 12 agosto 2012

Ndihma britanike komunisteve ne 1943-44, dhe "respekti" mbas 1945.


“Respekti” i komunistëve shqiptarë për ndihmën e britanikëve në luftën e dytë.



Koment-dossier
Besi Bekteshi

Tani mund të shkruajnë plot për ish dikur togerin David Smiley “në ndihmë të partizanëve” dhe mund edhe të shkruajnë se ishin anglezët që ishin me komunistët, por si gjithmonë historianografia e tyre, pra e komunistëve, është plot “përpunim dhe mashtrim”. Po, koloneli David Smiley që për merita në Shqipëri ka marrë medaljen e Mbretëreshës “Kryqin Ushtarak” dhe “Urdhërin e Skënderbeut” te ne, i ka ndihmuar partizanët. Ai sëbashku me organizmin SOE për të ndërtuar në vëndet e vogla rezistencën kundra fashistëve dhe nazistëve, kanë bërë punë të madhe me partizanët, dhe sidomos me hedhjen në erë të një gazerme italiane dhe një ure përpara se të vijnë gjermanët, kanë qënë të jashtëzakonshëm. Si agjentë të Britanisë së Madhe kishin qëllimin që të mblidhnin bashkë grupet e rezistencës në Shqipëri, por nuk arritën për arsye të njohura ta bëjnë këtë gjë. Janë shkrimet dhe kujtimet e shumta që e vërtetojnë këtë ide dhe nuk ka nevojë për shumë debate dhe polemika. Edhe Komanda e Lartë Gjermane  në Shqipëri, në volantinet e saj, ju thotë shqiptarëve se “anglezët duan të sjellin komunistët në Shqipëri, dhe mbas tyre bolshevikët.... dhe se ne nuk kemi punë me shqiptarët. por luftojmë anglezët dhe rusët”. Këto gjëra dihen dhe partizanët janë furnizuar me armë dhe mjete, veshje dhe ushqime por dhe ilaçe nga britanikët. Me specialistët e SOE të tyre britanikët kanë  bërë aksione sabotimi dhe Enver Hoxha ishte edhe pse nuk dinte anglisht, një person që i kishte britanikët në afërsi të shtabit të tij. Problemi ishte se shumë shpejt Enver Hoxha, kuptoi se me anglezët dhe më vonë amerikanët, nuk do ta kishte të gjatë dhe nuk kishte se si të bashkëpunonte as me Mbretërorët dhe as Ballistët dhe vetë Devid thotë se në Shqipëri ka pasur më tepër luftë civile se sa luftë kundra ...gjemanëve!! Perceptimi i britanikëve dhe sidomos David Smiley, Mclean dhe Julius Amery që kishin favorizuar komunistët dhe këto tashmë ju kishin kthyer shpinën, ose më mirë Enver Hoxha po lidhej fort me rusët, u qartësua kur mbas 1948-tën shqiptari dredharak Hoxha ju bëri “naftën” edhe jugosllavëve. Normalisht që Hoxha ju kishte “bërë respekt” britanikëve dhe amerikanëve që kur i nxorri jashtë....i bëri të ikin!!  Mbas 1946-tës SOE, pushoi definitivisht së funksionuari, por u shkri me SIS që është e sotmja MI6 e britanikëve, dhe koloneli i famshëm vazhdoi me SIS. Sidomos nga qëndra e veprimit mbas luftës së dytë në Itali, agjentët e SOE dhe SIS, nuk kishin shumë “dashuri” midis tyre. Komunistët i kthyen respektin kolonelit David me operacionin “Valuable” i cili mori fund në prill të vitit 1954 me Hamit Matjanin, ku si në Londër dhe Washington më në fund, u bindën se ky operacion që do të përmbyste Hoxhën nuk kishte më kuptim. E para, sepse ishin tradhëtuar nga agjenti i dyfishtë Kim Philby, pastaj nga shqiptarët që grindeshin me njëri tjetrin, dhe e treta se Bashkim i Sovjetik mbas bombës atomike, nuk do të toleronte më veprime me të tillë agjentë jo thjesht në Shqipëri, por sidomos në Ukrainë dhe në kufitë e tij, aksione që ishin në vazhdim nga anglo-amerikanët. Pra kishin hyrë në luftën e ftohtë të vërtetë.  Komunistët, “ndihmën e britanikëve” e kishin respektuar duke vrarë qindra nacionalistë, antikomunistë, besnikë të monarkisë,  ballistë, republikanë, liberal demokratë, të gatshëm të luftonin për vëndin e tyre. Kortezinë e shumë aksioneve akoma sekrete të përbashkëta midis SOE-së dhe partizanëve, shumë shpejt Enver Hoxha e pagoi me anën e bashkëpunimit me rusët. Në kohën e bashkëpunimit me britanikët, dhe shumë më pak me amerikanët gjatë 1943-44, në Shqipëri nuk kishte këmbë....sovjetiku!! Asnjë ndihmë përveç “radio Moskës”. Nejse, vijmë te kthimi i respektit nga komunistët  e Enverit britanikëve.  Operacioni “Valuable” tregoi...donte të tregonte të kishte profesionalizmin dhe eksperienca e SOE, sipërfaqësoren dhe një farë dilentantizmi të së sapoformuarës CIA, vullnetarizmin jo gjithmonë  reale e emigrantëve shqiptarë. Në fakt çfarë ndodhi? Një tradhëti dhe lojë e dyfishtë e Kim Philby-it agjent i SIS britanik dhe sidomos lidhje me "Office for Policy Cooordination" i krijuar për të organizuar “suversion” në vëndet armike me SHBA-të. Ne tashmë mbas vitit 1945-së,  ishim një vënd jo mik me pikërisht SHBA-të, megjithëse sot duan të thonë disa se “ishin me SHBA-të gjatë luftës së dytë!! Po ishim, por shpejt shkuam drejt BS-së, duke ja dredhur dhe Titos, të cilët në një farë mënyre e kontrollonin britanikët.  Në 3 tetor të vitit 1948-të, një varkë me vela ngjyrë portokall e lyer blu dhe ngjyrë të artë e quajtur “Stormie Seas” nga një burim, por e besueshme mund te jetë edhe “ Stormy Seas” lëshoi ankorën pothuaj 1 km larg nga gadishulli i Karaburunit. Dukej sikur ishte varkë udhëtimesh, por ishte varkë zbarkimi të  atyre që regjimi i quante “diversantë”, kurse koleneli David i konsideron patriotë dhe ishin 9-të. Nga një burim italian del se me to ka qënë dhe një toger italian i kampit të rekrutimit, i cili po nga ky burim del se është vrarë dhe akoma nuk është gjetur, sot e kësaj dite. Kurse në fakt, e qartë është se stërvitja është bërë në Maltë dhe ishin stërvitur nga David dhe shefat e SOE-së së dikurshme, që kishin luftuar kundra gjermanëve dikur.  Ato nuk dinin se në këtë kohë Kim Philby, ishte në udhëtim për në SHBA-të, në bord  të transoqeanikut “Caronia”, pinte shampanjë si zakonisht, dhe bënte biseda të ëmbla. Por shumë pak se të linte Londrën,  kishte pasur një takim me “kontrollorin e tij sovjetik” dhe e kishte vënë në dijeni për operacionin në fjalë. Ishte në dijeni për pikërisht detyrën e tij të re në Amerikë. Grupi u nis për rrugës në Tragjas, dhe kishin armë, para dhe radio. Katër burra me shef Bido Kuka u nisën për Kurvelesh dhe katër të tjerë për Vlorë. Kur Koka arriti në Gjorm, mori vesh se grupi tjetër kishte rënë në pritë dhe ishin vrarë vëllezërit Sheno, kurse i katërti ishte zhdukur. Një vajzë vogël e sqaron Kukën, se ushtria një ditë më përpara kishte vendosur nën kontroll gjithë bregun. Grupi tjetër i operacionit ishte me Sefer Musho një pjesë,dhe pjesa tjetër me Bardhyl Gerveshi dhe morën vesh shumë shpejt besimin e pakët që ishte, dhe rrethimet kudo nga ushtria dhe sigurimi. U kthyen në Greqi, dhe bënë një raport të detajuar.
Përpjekjet shkuan bosh dhe raprezaljet në popull u shtuan shumë. Nuk arriti të bëhej asnjë lloj kryengritje dhe stërkëmbëshat midis shqiptarëve dhe adestrimit shpesh herë që linte të dyshoje ishin një, por.....por sigurimi dinte në paradhënie pothuaj çdo gjë.
Tashmë Philby ishte stacionuar pothuaj në zemër të operacionit "Valuable" dhe kishte kaq shumë rrjedhje të informacionit sa që bie fjala në 14 shtator të vitit 1949 "New Chronichel" në Londër shkruante “ Vullkani shqiptar është në pikën e shpërthimit” dhe e kishte fjalën për kryegritjen që duhej....të ndodhte!! Kurse Cyrus L. Sulzberger korrespondet i "New York Times" në këtë kohë shkruante: Dobësimi dhe më pas rrëzimi i regjimit shqiptar, kanë qënë një objektiv bazë i perëndimit”. Fliste edhe për rekrutim të bandave të luftëtarëve dhe rezistencës komuniste.  Në fund pikërisht ky gazetar tregonte për dy grupet e agjentëve të zbarkuar në Shqipëri, me qëllimin lidhjen me lëvizjen antikomuniste. Ndërkohë Phylbi mbante kontakte, dhe ngrinte simpati, dhe duke u “dehur” tregonte e tregonte, operacione sekrete me rolin e madh të dopiolojës që me demek luante edhe midis dy shërbimeve mike, por që në fund të fundit lajmet ju shkonin rusëve dhe këta të fundit lajmëronin Hoxhën dhe sigurimin e tij, duke forcuar sidomos në vitin 1950-të miqësinë me Bashkimin Sovjetik. Philby kishte arritur të ndante edhe zyrën e  tij me James Mc Cargar, zyrë që analizonte operacionet në Shqipëri, dhe bëheshin “debriefing” kur misionet mbaronin. E jashtëzakonshme!! U vazhdua edhe mbas humbjeve dhe deri në vitet 1953 kur Philby ishte nën observim nga që dy njerzit e pijeve dhe dehjeve të tij si Guy Burgess e Donald Mac Lean ishin larguar për në Moskë. Tre grupe që u ngarkuan të parashutonin në Shqipëri nuk arritën as të preknin në tokë, edhe pse ju ishte thënë se do të shkonin në “zona të sigurta”. Sigurimi po i priste, e kush nuk u vra, u dënua ashpër. I fundit ishte Hamit Matjani, dhe të tijtë që ishte një aksion dizastër dhe nga kjo kohë doli dhe radio loja e famshme e sigurimit e administruar nga sovjetikët.
Në fakt janë dy libra të cilët hedhin dritë në akoma dokumentat e pa hapura qartë të "Valualble" dhe këto libra janë “Lufta ime sekrete” e Kim Philby, dhe është një variant i mirë në italisht i vitit 1968, dhe “Albanian assignment” e Devid Smiley e vitit 1985-së.
Dokumentat e kësaj kohe, por edhe të SOE-së dhe SIS, mbas luftës, nuk janë hapur dhe arkivat e tyre janë pothuaj të mbyllur. Për këto operacione dhe veprime di shumë mirë edhe Dr Philips Devis,  që njeh shumë qartë edhe veprimet e kolonelit David.
 Komunistët shqiptarë ndihmën e britanikëve në “Luftën e Dytë Botërore e respektuan” duke prishur marrëdhëniet që në fillim, duke vazhduar luftën kundra armiqve të tyre jo të huaj, por të brëndshëm si vazhdim i luftës civile të filluar që në kohë të ndihmës britanike. E kam fjalën si larje hesapesh me kundërshtarët e brëndshëm.  Pastaj me ndihmën  e rusëve, dhe me një inat dhe urrejtje që zgjati shumë, pothuaj pesë dekada, luftuan si britanikët dhe amerikanët, të cilat ishin përpjekur për të ndryshuar regjimin gjakatar të Hoxhës, por pa arritur asgjë, dhe duke u tradhëtuar nga një superagjent i shumëfishtë si Kim Philby.
Ky është edhe respekti i komunistëve për “aleatët dhe sidomos britanikët” i treguar mbas vitit 1945-së në Shqipëri.