Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 25 maggio 2012

Përpjekjet për figurën e nëpunësit përpara 90-te vitesh


Zyrtari “taksaxhi” përpara,  dhe pas  90-të vitesh .



Dossier
Besi Bekteshi

Në jetën e shkurtë të shtetit shqiptar, është padyshim interesante të dihet se si është sjellë nëpunësi, polici, zyrtari dhe sidomos njerzit e shtetit që duhet të mblidhnin taksa. Jemi në fakt përpara 90-të vitesh, e pikërisht në vitin 1922, kur disa qarkore vërtetojnë se nëpunësit silleshin me njerzit në mënyrë abuzive, të jashtëligjëshme dhe përfituese.
Ankesat e mëdha të njerzve mbi mënyrën e sjelljes, dhe të veprimit zyrtar të disa nëpunësve të shtetit,  e kanë shqetësuar shumë qeverinë e asaj kohe.  Reagimi më i ashpër është ai i Ministrit të Brëndëshëm Ahmed Zogu,  i cili me datën 7/51922 shpërndan një qarkore ku thuhet: Nga ankimet që po bëhen, merret vesh se xhandarë, ushtarë, tagrambledhës dhe nëpunës të tjerë janë “tue hangër në kurriz të popullit pa pague gjësendi”. Ai vërteton se nëpunësit e tillë, po sillen shumë keq me popullin.
Pastaj qarkorja vazhdon se “ shteti shqiptar fuqinë e tij e merr për së drejti prej popullit dhe më shumë te pjesa punuese, prandaj çdo veprim që do të damtoj katundarin moralisht dhe materialisht, shifet si një delikt i pamohueshëm”.
Është krejt e qartë se abuzimi sidomos me taksidarët të shoqëruar nga xhandarë, që po silleshin keq me njerzit në përgjithësi, por sidomos në fshat, kishte bërë bujë.  Pastaj jepet porosia-urdhër që Prefektët dhe Nënprefektët, komandaët e gjandërmëve, të veprojnë duke ruajtur sigurinë dhe nderin e njerzve. Të behen hetime, dhe aktet të dërgohen në gjykatë thuhet në qarkore. Por duhet lajmëruar edhe Ministria e Brëndëshme menjëherë sipas po kësaj qarkoreje. Biles ai shton se kur bëhet ankim, nuk ka nevojë të “bëhet shkresë” por të kalohet menjëherë në proçes-verbal, dhe të kalohet në gjykatë. Pra urdhëri hiqte edhe mënyrën e mbetjes së problemit në “kalenda” dhe vonesat burrokratike, për të mbrojtur nëpunësit dhe oficerët e shtetit. Urdhërohen vartësit që të mblidhen kryepleqtë për të pyetur në përballje me ankesat e njerzve, kudo që ndodhin. Gjithashtu në qarkoren e datës 6/4.1922, Kryeministri Xhafer Ypi, e thekson këtë problem dhe thotë: Një pjesë e nëpunësve janë tue u sjellë shumë ligsht  e ashpër me popullin. Kjo shkakton ftohtësinë e gjithsecillit ndaj qeverisë kombëtare. Jepet porosia për sjelljen njerzore ndaj popullit, dhe të ndëshkohen fajtorët, dhe kjo shkresë është përpara shkresës së Ministrit të Brëndëshëm.  Nga kjo kohë e deri në daljen e urdhërit të MB-së, nga A. Zogu janë vërtetuar sërish shkelje të mëdha sidomos të taksidarëve që po thyenin jo vetëm etikën, por po silleshin si “grabitës” dhe shkelës së ligjit në mënyrë të dukshme. Por edhe Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica, me shkresën e datës 31/5/1922 sqaron se janë vendosur edhe Inspektorët e Arsimit të kontrollojnë nëpunësit civilë në përkrahje të xhandarmëve dhe kontroll të tyre “ që të mos bëjnë shpërdorime tue mos marrë nëpër këmbë popullin e katundeve”. Për më tepër shtohet se “janë tue vjedhë, tue hangër rryshfet, tue u sjellë ashpërsisht, me nji fjalë qi punojnë kundra ligjeve dhe njerzisë”! Shihet e qartë gjithashtu se raporti ti dërgohet drejtpërsëdrejti Ministrisë së Brëndëshme.
Pra, ju kërkohet inspektorëve të arsimit të cilët me sa duket ishin njerzit më të shkolluar dhe më të rregullt me ligjin, të bënin dhe kontrollin e nëpunësit civil, sepse ishte parë qartë dhe mirë abuzimi në sjelljen dhe zbatimin e ligjit, përpara njerzve.
Kjo shkresë vjen mbas vëndimit të qeverisë dhe në zbatim të Ministrisë së Brëndëshme  që A. Zogu bën në shkresën e datës 23/5/1922, e që kërkon ndihmën e “Inspektorëve të Arsimit” të cilët mund të kontrollonin edhe oficerët dhe komandantët e gjendarmëve. Ato duhet të kontrolloheshin në se merrnin rryshfet, dhe silleshin ashpër me njerzit.
Problemi kishte shkuar keq, dhe tashmë qeveria po merrte masat për të vënë kontrollin mbi sidomos njerzit me pushtet, dhe biles edhe ato të forcës së armatosur policore ose xhandarëve.
Kjo ishte situata, dhe kjo situatë del nga fletoret dhe qarkoret e shtetit. Me të vërtetë që letrat janë jo shumë të “kopsituara” në shkrimin e tyre burrokratik, si bie fjala sot. Por ato janë shumë të sinqerta, shumë të drejtpërdrejta, dhe nuk ka dyshim që shikohet se parësore është “mbrojtja e shtetit dhe figurës së shtetarit” përballë njerzve.  Nuk ka asnjë mënyrë tjetër në atë kohë të vështirë, kur shteti nuk ishte as ligje të stabilizuara dhe kur trashëgimia ishte tepër “dallkauke” dhe orientale, sidomos në mënyrën për të qënë një “zot” i njerzve kur ke veshje shtetërore dhe të nëpunësisë së shtetit.

A ngjan me sot?
Normalisht nuk duhet të ngjajë, sepse ligjet dhe format sëpaku janë krejt ndryshe. Por mentaliteti është shumë i ngjashëm me atë kohë. Patjetër që transparenca është më e madhe, por edhe metodat janë më të stërholluara. Abuzimi nuk është vërtetësisht një provë force, por forca e abuzimit, ka mbetur pothuaj ajo.
Sidomos në ato sektorë ku vilen taskat, ku bëhet puna e financës dhe rregullit fiskal ligjor. Normalisht që edhe sot pikërisht këtu ka problem.
Qarkoret e vitit 1922, ose të përpara 90-të viteve, janë shumë të sinqerta, shumë të përkujdesura për raportin që duhet të kishte shteti me shtetasit e tij. Po, edhe me raportin që duhet të kishin nëpunësit dhe administrata, por sidomos taksidarët dhe oficerët apo policë – gjendarmët, me njerzit. Këto letra, tregojnë se serioziteti dhe preokupacioni ishin të lartë. Padyshim që 90-të vite janë pak. Janë pak, për ato që ecin shpejt në qytetërim, por janë shumë, për ato që thonë....kemi ecur shpejt në qytetërim.






martedì 1 maggio 2012

Vrasja e Gjeneral Tellinit nga greket ne vitin 1923


Vrasja nga grekët e gjeneral Tellinit, dhe vështirësitë në përcaktimin e  kufirit shqiptar në vitin 1923.
Gjenerali italian Tellini, dëshmor i kufirit shqiptar.



Gjeneral Tellini dhe ushtarakët italianë të vrarë 
nga grekët në 27 gusht të vitit 1923.
Koment-Dossier

Besi Bekteshi
Historian-Arkivi Muzeut Historik Shkoder. 

Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugor grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre edhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte “Komisioni Ndërkombëtar” i ngarkuar nga “Konferenca e Ambasadorëve në Paris” që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, jo vetëm janë 17-të hartat e “delimitacionit tokësor” të kufirit shqiptar të përfunduar në vitin 1925-së nga ky komision, por edhe një vendim i Prefektit të Shkodrës A. Nepravishta në 1 shtator të vitit 1923, me fillimin e shkollës për të përkujtuar Gjeneral Enrico Tellini i vrarë nga grekët me 27 gusht, midis Janinës dhe Kakavijës në mes të 50 gradë dhe 53 gradëve, në kufirin shqiptaro-grek, por në teritorin  e njohur atëhere krejtësisht si grek.
Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte “Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit” dhe ishte i ngarkuar jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët, dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirfilltë dhe profesionist. Tellini i vra sëbashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues, dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Kurfuzit, dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen. Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në teritor ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe në Europë, e para pse ishte prekur një vëndim i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të mëdha, por edhe pse Musolini, po shfrytëzonte rastin për të goditur Greqinë. Ishte një rast i madh për qeverinë e porsa krijuar të tij, për të treguar dhëmbët dhe forcën ndaj pikërisht shtetit grek. Por pavarësisht kësaj, akti ishte një shëmbull burracakësh, dhe me domethënie të madhe për botën e qytetëruar, duke u kuptuar qartë se përcaktimi i kufirit të përbashkët shqiptaro-grek do të kishte shumë probleme.  
Diplomacia filloi edhe një herë avancimin e saj, sepse Greqia nuk i plotësoi të gjitha detyrimet Italisë, dhe këtu fillon edhe një moment i madh i keqësimit të marrëdhënieve Italo-Greke, ku puna shkoi deri te pushtimi për pak kohë nga Italianët të ishullit të Korfuzit dhe dërgimit të disa anijeve të mëdha të luftës si “Cavour, “Giulio Cesare, “Andrea Doria e “Caio Duilio”, për tu tërhequr vetëm me 27 shtator. Problemi shkoi larg deri në Këshillin e Kombeve dhe me nota proteste të shumta, të cilat kanë vendosur edhe incidentin e rëndë midis Italisë dhe Greqisë i cili ishte edhe një nga arsyet e forta të marëdhënieve gjithmonë të ndera dhe të dobëta, midis këtyre vëndeve deri në sulmin që Italia fashiste i bëri shtetit grek në luftën e dytë botërore. Gjithsesi shteti grek nxorri nga arka e tij 50 milion lira (në atë kohë ishte një shifër e madhe) dhe ja kaloi Bankës Kombëtare Zvicerane, dhe vetëm mbas kësaj italianët u tërhoqën nga Korfuzi. Gjithsesi hetimi i vrasjes nga qeveria greke, nuk solli asnjë konkluzion se kush i kishte vrarë italianët e ngarkuar me detyrë ndërkombëtare, duke mbetur çdo gjë në inatet politike dhe kombëtare të qeverive përkatëse.
Por për Shqipërinë mbetej problemi i përcaktimit të kufirit të saj, dhe dashje pa dashje, ky kufi kishte edhe dëshmorët e parë të huaj. Në fund të fundit, oficerët e lartë italianë, ishin me një mandat të lartë për punën e tyre, e cila duhet thënë ishte shumë e lavdërueshme në kushtet e vështirësive të mëdha të kohës, dhe në rrethana politike tepër të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht. Për gjeneral Tellini-n, ka emra rrugësh në Itali, dhe shteti shqiptar atëhere e kujtoi këtë oficer të lartë, për punën dhe fundin e tij tragjik në shërbim të detyrës së ngarkuar.
Puna e këtij komisioni mbaroi në vitin 1925-së, ku për 17-të hartat e kufirit tokësor ishte tashmë një gjeneral tjetër italian si Gazzera, nga Franca kolonel Ordioni, nga Britania, nënkolonel Glouch, dhe hartat e prodhoi “Instituti Gjeografik i Firences”.
Historikisht shteti shqiptar sidomos nën diktaturë, nuk ka pëlqyer ta përmëndë këtë vrasje nga grekët të bërë kundër oficerëve ndërkombëtarë, të cilët po “delimitonin” kufirin shqiptaro-grek. Nuk e ka pëlqyer ta përmëndë, sepse çështja ishte e ngarkuar me qëndrimin e regjimit të Duçes, edhe pse ishte një vrasje tipike greke dhe e bërë me qëllim friksimin dhe shkurajimin e të huajve, por dhe për teoritë e tyre po fashiste dhe vorio-epiriote, që kishin për Shqipërinë e jugut.
Hartat e vitit 1925-së, janë pothuaj ato që kemi sot, dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek.
Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellinit, mbetet edhe ngjarja e cila megjithse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për tu përcaktuar në atë kohë.