Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 21 maggio 2013

100 vite Perlimtare e Shkodres



100 vite nga formimi i Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.

Koment
Besi Bekteshi
Dje është përkujtuar në Shkodër, 100 vjetori i vëndimit të Komisionit të Administrimit dhe Admiraliatit Ndërkombëtar të vitit 1913. Ka qënë një vit i jashtëzakonshëm viti 1913-të, i cili qytetin më të madh shqiptar, pikërisht qytetin e Shkodrës, e ka projektuar si të vetmin qytet me një pushtet vëndor të krijuar nga “Internacionali”. Gazeta SOT, është e vetmja në Shqipëri, e cila ka nderuar edhe këtë fakt madhor të vitit 1913-të, i cili formëzoi me anën e akteve historike dhe juridike, edhe teritorin shqiptar të sulmuar dhe kontestuar nga shumë fuqi fqinje, por dhe të huaja të mëdha. Mirëpo historia e Shkodrës, është një moment i papërsëritshëm në Shqipëri jo vetëm për rrethimin, luftën dhe të vdekurit, por edhe për marrëdhëniet e fuqive europiane për të formëzuar shtetin dhe teritorin shqiptar tashmë i larë me gjak më shumë se kudo në mënyrë të jashtëzakonshme pikërisht në Shkodër.
Me datën 14 maj “Internacionali”, ose pesë  fuqitë e mëdha ndërhynë me forca marinare dhe pastaj tokësore në Shkodër. Në datën 15 maj Admiraliati me sir Burney-n,  shpallën administrimin e tyre. Por me datën 20 maj në orën 12-të, Këshilli i Admiraliatit ose Komisionit Ndërkombëtar, vendosi të krijonte “Perlimtaren e Shkodrës” ose më qartë për sot, Bashkinë e Shkodrës dhe Këshillin Bashkiak të saj. Sir Burney si britanik, Petris si Italian, Njegovan, si austriak, Commodore si francez dhe Klitznig gjerman, vendosin ligjërisht aktin e krijimit të “Perlimtares” në Shkodër.
Shkodra edhe dikur kishte “Beledijen” më të madhe të trevave shqiptare. Kjo “Beledije”, ka qënë një pushtet i kontrolluar dhe zgjedhur nga otomanët, dhe ka funksionuar sidomos mbas viteve 1887-të në mënyrë të rregullt, por funksionet kryesore i kishte padyshim “Valiu i Shkodrës” dhe përfaqësuesit e Perandorisë. Asnjëherë nuk është shkruar shqip, dhe asnjëherë nuk është lejuar flamuri shqiptar. Me datën 20 maj të këtij viti të largët tashmë 100 vite, mori fund “Beledija” dhe përfqësimi tre javor malazez në qytetin prej 34 mijë banorësh të Shkodrës në atë kohë. Flasim për qytetin që kishte 10-të lagje dhe shtrihej në një madhësi të jashtëzakonshme nga Bërdica në Zogaj, nga Bardhanjolli në Zus dhe nga Kuçi në fushën e Shtojit.  Internacionali, organizoi dhe të parat “zgjedhje të këshillit bashkiak” të cilat nisën në 20 maj dhe përfunduan afër muajit gusht, por vendosën gjitashtu që kriteri të ishte 12 anëtarë të Këshillit Bashkiak, gjashtë mysliman, pesë katolik, dhe një ortodoks. Po, dhe kështu u bë. Me datën 1 gusht përfundoi gjithshka dhe me bekimin e sir Burney-t dhe të tjerëve, Perlimtarija e Shkodrës, filloi funksionin e saj. Por çfarë ka tjetër interesante në këtë gjë? Përveç se është marrë vëndimi unanim për formimin e Bashkisë me datën 20 maj, Internacionali, përgatiti që të nesërmen, kornizën ligjore të Bashkisë, sipas modelit perendimor tashmë, dhe kjo u pranua nga qytetaria shkodrane patriote dhe në bashkim me Internacionalin që  çliroi Shkodrën vetëm një javë përpara. Një pjesë e madhe të të dhënave për 20 majin dhe 1 gushtin janë në Arkivin e Vienës, në studimet e Tibor Ballës në Budapest si pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, në relacionet e ndryshme të konsujve në Shkodër dhe shumë e shumë punime të tjera. Kurse dy letrat e firmosura në Gusht janë pjesë e arkivit të shtetit dhe atij të Shkodrës.  Akoma më shumë, perlimtaria e Shkodrës i jep besimin e saj me lejen e Internacionalit, dhe Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit dhe ky akt i firmosur nga Kryetari Muharrem Beg Gjylbegu, është një nga momentet e famshme se si “Internacionali” lejon njohje “de fakto dhe de jure” të qeverisë provizore në Vlorë.  Asnjë bashki në Shqipëri, në trevat shqiptare, nuk kishte firma dhe vendime njohje nga ndërkombëtarët dhe pesë fuqitë e mëdha përveç asaj të Shkodrës, dhe ky është një moment tepër sinjikativ për qytetin e madh verior të Shqipërisë.
Asnjë vënd tjetër në Shqipëri nuk kishte mundësinë të kishte vula dhe firma të njohura ndërkombëtarisht dhe institucion që më vonë të kishte mundësinë të ngrinte po me lejen e ndërkombëtarëve dhe guvernatorit Philips,  flamurin shqiptar. Po për herë të parë me lejen e ndërkombëtarëve kjo gjë! E kjo është pika tjetër e rëndësishme e Bashkisë së parë moderne në Shqipëri.
Për këtë ditë unë sërish i bëj homazh njerzve që bënë perlimtaren e Shkodrës, dhe që janë: Muharrem Gjylbegu si Kryetar, Shan Deda nënkryetar, Sulço Begu, Hamz Juka, Riza Begu, Adem Boriçi, Elez Sokoli, Mikel Shkreli, Gjergj Mozali, Gjon Ashiku, Hil Topalli, Paolo Vuçiniq.
Këto ishin qytetarët e lartë shkodranë, që arritën edhe me ndihmën e Internacionalit ti bashkoheshin edhe institucionalisht organeve të pushtetit vëndor si në perëndim. Nxorrën vulat në shqip, dhe filluan për herë të parë edhe rregulloret në shqip, dhe po ashtu, edhe urdhërat e parë po në shqip. Për herë të parë bënë zgjedhje në lagje, dhe krijuan edhe besimin në qytetin e Shkodrës si administrim vëndor.  Në tetor, u ulën flamujt e Internacionalit, dhe u ngrit përfundimisht flamuri shqiptar i lirë në Shkodër, dhe me besimin e guvernatoriatit gjë që akoma ishte jo e lejuar në treva shqiptare në këtë mënyrë. Mbas kësaj, Perlimtarja e Shkodrës, në një manifestim të jashtëzakonshëm lartëson flamurin shqiptar me pjesmarrjen e shumë e shumë patriotëve nga gjithë vëndbanimet shqiptare, duke mbledhur mbi 20.000 njerëz.
Ishin ditë të mëdha në Shkodër, sa po kishin dalë nga një luftë me mijra të vdekur pas, dhe po jetonin ditët e “Internacionalit” në Shkodër. Këto ishin edhe ditët e Bashkisë së parë moderne dhe të njohur ndërkombëtarisht, që është Bashkia e Shkodrës.  

mercoledì 15 maggio 2013

100 vjetori i çlirimit të Shkodrës 14 maj 1913



100 vjetori i “Internacionalit” në Shkodër.
Shkodra  në 100 vjetorin e saj të çlirimit nga forcat ndërkombëtare dhe luftës për mbrojtjen e heroike të  qytetit.

Dossier
Besi Bekteshi
Data 14 maj e vitit 2013-të, është edhe dita e 100 vjetorit të ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare ose më qartë “Internacionali” në pontilin e Shkodrës, të cilat çliruan qytetin nga pushtimi malazez, dhe larguan zyrtarisht edhe sundimin pesëshekullor të administratës otomane.  Në luftën ballkanike, qyteti i Shkodrës, ka qënë edhe nyja nevralgjike e cila do të ishte elementi kryesor që ky konflikt nga ballkanik mund të kthehej në botëror. Por historia në të vërtetë, me pikërisht këtë ndërhyrje të forcave të para ndërkombëtare dhe paqeruajtëse në teritorin shqiptar e vonon këtë konflikt botëror më tepër se një vit. Synimet e luftës së parë ballkanike, ishin një raprezalje teritoriale, pa anë ligjore dhe pa asnjë respekt sidomos për teritoret e banuara nga shqiptarët në katër vilajetet e perandorisë tashmë të rrënuar turke. Kërcënimi jo vetëm ishte për teritoret në thellësi të trojeve shqiptare si në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe në Janinë dhe që nga Shkodra deri në Vlorë. Ishin sidomos shtete si Mali i Zi dhe Serbia, por edhe Greqia, që po kërcënonin në mënyrë të qartë daljen në Adriatik. Ky ishte edhe momenti që tashmë fuqitë si Austro-Hungaria dhe Italia, mbas një pakti të kahershëm midis tyre, megjithse me interesa të ndara të bashkoheshin për të “sponsorizuar” edhe teritorin shqiptar te fuqitë e mëdha europiane. Në këtë kohë në 8 tetor në Shkodër, fillon edhe  rrethimi i saj dhe veprimi i parë ishte marrja e Tuzit. Përballë njëra tjetrës, ishin forcat më të mëdha në teritorin e Shqipërisë së atëhershme. Ishin rreth 24.000 forca turke dhe vullnetare shqiptare, kurse malazezët tashmë kishin arritur të mbledhin mbi 26.000 forca  rreth e qark të përqëndruara, e më vonë në ndihmë të tyre vijnë edhe 15.000 forca serbe. Divizioni Zeta dhe kryesisht divizioni serb që kishte pushtuar më vonë Durrësin dhe Shengjinin sëbashku me malazezët, po tentonin seriozisht qytetin më të madh të Shqipëtarëve. Bombardimet dhe sulmet ndaj qytetit të Shkodrës,  kanë qënë të ashpra, por mbrojtja si e forcave të rregullta turke, dhe në transhetë e para të forcave vullnetare shqiptare, i kanë detyruar të tërhiqen dhe të mos arrijnë ndonjë fitore të qënësishme aleatëve serbo-malazezë. Qyteti i Shkodrës në atë kohë numëron rreth 32 .000 banorë dhe deri në marsin e 1913, nga periferitë e Shkodrës, janë futur mbi 28 .000 fshatarë dhe malësorë, duke dyfishuar praktikisht qytetin, i cili pësoi në shkurt,  rrethimin e plotë të tij në saj të futjes në lojë të forcave serbe nga jugu i Shkodrës, me pushtimin e Shëngjinit dhe Lezhës. Fortifikimi i Shkodrës është bërë në saj të një strategjie të jashtëzakonshme të komandatit të qytetit, kolonel Hasan Riza, më vonë pasha. Kurse një qëndresë e madhe ushtarake sidomos në datat 7-9 shkurt është realizuar nga komandanti Esad Pasha, ku brënda një kohe të shkurtë kanë vdekur rreth 3000 luftëtarë nga të dy palët. Kancaleritë perendimore tashmë janë shqetësuar shumë. Por që më përpara në datën 17 dhjetor në Londër, dhe pikërisht në st Palace, filloi edhe Konferenca e Londrës që drejtohej nga sir Eduard Grey, ministri i jashtë britanik. Shtysat më të mësha në këtë kohë ishin nga konti Berchtold, ose ministri i jashtë austriak, dhe patjetër edhe nga qeveria italiane, por gjëndja është shumë e rënduar. Gjithsesi në fund të  dhjetorit,  pothuaj fshehtas autriakët dhe rusët, “ishin marrë disi vesh” për teritore në Shqipëri dhe Kosovë, por që gjithsesi ky plan ishte bërë që në tavolinën e Eduard Grey-it të dilte në fund, për të pranuar më në fund edhe mbetjen e Shkodrës si teritor shqiptar. Ndërkohë që në Shkodër vriteshin njerëz, dhe bëhej lufta më e madhe në rrethim në ballkanin perendimor, ndërkohë që dorëzohet pa asnjë problem Janina, fuqitë e mëdha tashmë të dakortëzuara mbi teritorin shqiptar, arrijnë që me datën 22 mars 1913-të të largojnë nga zgjidhja si problem i Shkodrës, si Turqinë dhe Malin e Zi, por edhe Serbinë. Tashmë, vëndimi ishte marrë, që Shkodra do të ishte teritor shqiptar. Ndërkohë si Austria sidomos me interes Shkodrën,  dhe Italia që kishte interesin e Vlorës dhe përparimin e Greqisë rreth saj, shtynin shumë për intervencion në qoftëse Mali i Zi, nuk hiqte dorë. Në këtë rast, kërcënimi i Austrisë se do të pushtonte pjesë së Serbisë dhe Malin e Zi, bëri dhe diferencën e madhe sidomos në Londër, dhe ndikoi në vendimet e saj të më vonshme. Lufta e ashpër në rrethinat e  Shkodrës, në Tarabosh, në Bardhanjol dhe Bërdicë, por dhe në fushën e Shtojit, kishte faqet e para të gazetave të shumta të kohës. Rezistenca e madhe, dhe lufta e pozicioneve, po bënte lajmin e ditës në kryeqytetet e botës dhe vërtetësisht Shkodra ishte tashmë për disa muaj, fokusi i parë i lajmit në botë. Kërcënimi i Malit të Zi për Shkodrën, edhe mbas vendimit të 22 marsit, por dhe heshtja e Serbisë, ka acaruar situatën, deri në shpërthim të luftës botërore dhe këtu vjen edhe shprehja e famshme e ministrit të Britanisë së Madhe Grey, që thotë se “në qoftëse Austria do të pushtojë Malin e Zi, Rusia do ti shpallë luftë Austro-Hungarisë, pastaj Gjermania do ti shpallë luftë Rusisë, dhe pastaj Franca e më vonë Britania luftë njëra tjetrës dhe kështu bota do të hyjë në luftë. Ishte pra momenti më i rrezikshëm në historinë e popullit shqiptar, sepse po diskutohej zhdukja e përgjithshme e teritorit shqiptar, dhe asaj fitoreje të madhe që ishte shpallja e pavarësisë në Vlorë në datëln e madhe historike 28 nëntor.
Në këtë moment, vjen edhe vendimi i fundit të prillit, sidomos mbas të ashtuqajturit pushtim-dorëzim të Shkodrës, me 23 prill 1913. Një dorëzim i kalasë nga Esad Pasha, largim i tij me trupa ushtarake në Durrës, dhe hyrje e trupave malazeze në Shkodër pa e pushtuar dot me luftë pikërisht qytetin e madh, po bënte si lajm, xhiron e botës. Me 30 prill, merret vendimi i bllokadës navale me tendencë trëmbjen e Malit të Zi. Kurse serbët ishin larguar që me 8 prill nga rrethimi i Shkodrës, duke larguar edhe artilerinë e rëndë  të tyre. Me datën 5 maj, bëhet edhe ultimatumi i fundit Malit të Zi, dhe vjen data 14 maj, e cila sjell në pontilin e Shkodrës 750 forcat  e para marinare të Internacionalit,  të zbarkuara rreth orës 14-00, të cilat sollën edhe nënadmiral sir Burney, si njeriun e fortë të administrimit ushtarak të qytetit.  Ato bënë parakalimin e nderit, dhe u pritën nga konsujt e fuqive të mëdha, qytetarë të nderuar të qytetit, dhe kolonelin Bekir si komandat i qytetit i vëndosur në marëveshje si me turqit dhe malazezët.  Qyteti u dorëzua mbas dite, dhe po në këtë çast, u ngritën pesë flamujt e fuqive të mëdha në kalanë e Shkodrës.  Të nesëmen, filluan të vijnë  edhe 250 forca të tjera marinare të cilat plotësuan edhe numrin e forcave çliruese të Shkodrës.  Mbas tyre erdhën dhe forcat tokësore të cilat numëronin 2500. Ishin forca çliruese, sepse nga historianografia e regjimit komunist,  janë trajtuar si forca pushtuese. Janë trajtuar si të tilla nga kjo historianografi, sepse nuk donin për asnjë çast të pranonin se austriakët, italianët, gjermanët, britanikët dhe francezët, ishin më të mirë se sa malazezët. Po, edhe paqen e  sjellë në Shkodër nga pikërisht këtë fuqi të mëdha miket tona të sotmet, e kanë konsideruar një pushtim, duke shtrëmbëruar dhe falsifikuar historinë. Malazezët u çarmatosën dhe u lejuan rreth 1000 ushtarë të tyre, të marrin armët e rënda dhe të varrosin të rënët, kurse qyteti filloi edhe administrimin vëndor dhe të shuante urinë, por edhe duke bërë depistimin e lagjeve të qytetit. Malazezëve të armatosur ju është dhënë vetëm 2 orë kohë të largohen dhe teritori i Shkodrës nën administrimin e admirialiatit të ishte mbi 10 km rrethor ndaj qytetit më të madh në Shqipëri. Ky ishte edhe momenti edhe i përcaktimit të teritor shqiptar, duke lënë edhe Shkodrën brënda tij. Nga kjo forcë shumëkombëshe paqeruajtëse, është aprovuar dhe praktikuar edhe teritori i parë shqiptar i vitit 1913-të,  duke formuar realisht jo kaq juridikisht edhe pikërisht ato 28 mijë km katror që kemi sot. Mbas sir Burney-t, u vendos me propozim të tij, koloneli Philips si guvernatori i parë i Shkodrës, dhe u formua me vendim të admirialiatit edhe Bashkia e Shkodrës në datën 20 maj, por që që hyri në veprim në datën 1 gusht, duke i dhënë besnikëri edhe qeverisë së Ismail Qemalit.Qyteti më i madh shqiptar, u nda në pesë rajone administrimi dhe kjo shumë e shumë vite më përpara se eksperimentit me Berlinin.  Ky është edhe momenti kur ndërkombëtarët ose Internacionali,  lejon që të njihet praktikisht edhe Shqipëria me Shkodrën brënda, dhe me disa akte juridike si kundër ishte edhe vendimi i Perlimtares së Shkodrës (Bashkisë Moderne)  për njohje të qeverisë së Ismail Beut. Internacionali,  vuri rendin në qytet, lejoi flamurin shqiptar dhe ngriti autoritet vëndore. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, vitin e  kaluar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ka nderuar me “Qytetar Nderi” si admiral Burney-nin dhe Gjeneral Philips, i cili ka qënë guvernator edhe në vitin 1918-të në Shkodër. 
14 maji i viti 1913-të,  është dita më e rëndësishme në historinë e 100 viteve të fundit për Shkodrën, sepse e para, është bërë lufta më e madhe në trojet shqiptare, mbas dy rrethimeve të Shkodrës dhe dy rrethimeve të Krujës, për nga forcat luftuese dhe popullsia e ndërthur midis tyre. Në fakt, kanë qënë rreth 60.000 forca ndërluftuese, mbi 200 topa, prej të cilëve 90-të ishin të kalibrit të madh. Ka pasur mbi 8500 të rënë në luftime dhe një numër jo mirë i precizuar i popullsisë e cila ka vdekur si pasojë e luftës.   E dyta, 14 maji si datë, bëri që me veprimet diplomatike dhe ushtarake, të mbetet teritor shqiptar Shkodra, dhe një pjesë e madhe e vilajetit të Shkodrës, i vetmi që ka mbetur brënda 28.000 km katror. E treta, këtë veprim, e kanë bërë fuqitë Europiane si Austro-Hungaria, Italia, Britania, Gjermania dhe Franca, miket tonat sot të cilat mbas 9-të dekadash, arritën të formonin tashmë me NATO-n dhe SHBA-të, shtetin e ri të Kosovës për të riparuar disi gabimet e të kaluarës.  Në këtë kohë Shkodra ishte vërtetë pika më e rëndësishme e Shqipërisë dhe trevave mbarëshqiptare. Ajo me qëndresën e saj dhe interesin që paraqiste ndaj disa fuqive perendimore, krijoi edhe premisat për përcaktimin e teritorit shqiptar. 14 maji, është edhe dita e eksperimentit të parë të sukseshëm të forcave paqeruajtëse të Europës, e cila vetëm mbas një viti, u fut në luftën e parë botërore.

giovedì 9 maggio 2013

Femra e pare shkencetare, aspak e nderuar si duhet ne shoqerine tone maskiliste dhe te pa emancipuar


Mungesa e respektit ndaj grave të Shqipërisë dhe shkencëtarja e parë shqiptare

Mungesa e respektit ndaj grave të Shqipërisë dhe shkencëtarja e parë shqiptare
Nga Besi BEKTESHI 
Në kohën kur së paku në derën e ndërkombëtarëve bisedohet për pjesëmarrjen e femrës në jetën politike, në kohën kur duan në mënyrë banale të barazojnë rolin e burrave me gratë, në kohën kur alarmi politik i presionon shumë femrat në jetën e tyre të kujdesit familjar, një studioze e re si Daniela Vathi në Itali, bën një shkrim të pasionuar për shkencëtaren e parë shqiptare Sabiha Kasimati. Padyshim një shkrim të mirë dhe të plotë, por dhe të bukur ka bërë edhe Uran Asllani dhe unë duhet ti falenderoj të dy, por duke qenë se nën drejtimin e saj të lëndës së biologjisë në Institutin “Nëna Mbretëreshë” është edukuar edhe nëna ime, dua të bashkoj modelin aspak normal të sotëm për femrën në politikë, me shkencëtaren e parë shqiptare të pushkatuar nga regjimi i stalinistit Enver Hoxha. Fjalët e fundit të Kasimatit përpara sigurimit dhe gjyqeve të tij në kohën e “bombës së ambasadës sovjetike” kanë qenë këto: Kam qenë dhe jam kundër këtij pushteti, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë asnjëherë e mendimit që me akt revolucionar të merrej pushteti e të arrihej në socializëm. Unë jam biologe dhe si e tillë, unë jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë, nuk shkohet as në socializëm, as edhe në demokraci, me dhunën shkohet në shkatërrim. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë nës ndonjë mbledhje kur është marrë vendimi për akt terrorist”. Këto fjalë nuk i ka thënë kaq qartë dhe kaq hapur, pothuaj asnjë burrë i Shqipërisë, përpara kriminelit Enver Hoxha. Asnjë, me kaq forcë dhe kaq vërtetësi.
Kasimati kishte edukim shkencor fantastik në biologjinë e saj. Ajo, në rradhë të parë ishte shkencëtare e studiozja e re Vathi, e vendos atë në rradhë me Montalçinin, Agnesin, Montessorin, Hack, Curien, Meitenerins, por e lidh në mënyrë të shkëlqyer fatin e saj të trishtë shkencor, me Rosalind Franklin, të cilës ju mohua padrejtësisht edhe si grua gjetja e madhe e “dopio elikës se ADN-së” si çmim nobel. Ky fat thotë Vathi, ju rezervua Kasimatit. Për më tepër se ka qenë edhe kolege, shoqe klase e Enver Hoxhës në Liceun e Korçës. Po, dakord, por nuk i është bërë aspak nderi i duhur gruas së parë shkencëtare në Shqipëri dhe studimit të saj të madh “Peshqit e Shqipërisë”, i cili u pronësua nga rusët dhe dy shqiptarë mbas tij. Zoti Asllani, bën të qartë se puna e Kasimatit ka qenë voluminoze mbi dhjetëvjeçare, ka plotësuar mijra skeda, koleksione mostrash, duke parë liqenjtë e Shqipërisë që nga Butrinti dhe deri te Prespa, Lura, deti Adriatik dhe Jonian. Ka bërë mijra foto dhe përshkrime shkencëtarja e madhe, që prodhoi monografinë madhështore voluminoze pikërisht “Peshqit e Shqipërisë”. Klika e Enver Hoxhës, ose njeriut burrë, më mirë thjesht mashkull shqiptar, i pazoti të mbaronte një universitet, të bënte shkollim të lartë, por i zoti për të vrarë, mbasi e sakrifikon kot fare Kasimatin ose shoqen e klasës, e vjedh edhe shkencërisht. Mbasi e masakron në dru nga sigurimi, dhe e hedh në një gropë të përbashkët me burra, të vetmen femër të pushkatuar për ambasadën ruse, u fal rusëve edhe punën e saj voluminoze. Po, rusit Anatolij Poljakov. Këtë gjë, vetëm kriminelë, inatçorë pa limite mund ta bëjnë.
E këtu dua të ndalem. E pra, duhej respektuar një femër e tillë në mënyrë të posaçme. E dyta duhej rivendikuar vepra dhe dhënë merita Kasimatit nga demokracia shqiptare. E treta, duhej vendosur emri jo i vogël si profil, por në institucione shkence. E katërta, duhej lartësuar si emër dhe shtatore në kategorinë e njerëzve të lartë të kombit. E pesta, duhej imituar si ndërgjegje qytetare dhe grua perëndimore, e lirë dhe pa paragjykime, por edhe e fortë dhe me bindje të qarta në të thënën e saj. Ky është edhe momenti për shkrimin tim.
Për të tilla femra, kemi shumë nevojë në këtë vend. Femra që kanë parime, që nuk tërhiqen edhe përpara burrave, si kundër nuk u tërhoq përpara Enverit shkencëtarja Sabiha Kasimati. Një femër e tillë, duhej bërë një legjendë ose mit, edhe pse sot kanë tendencën e çmitizimeve. Dakord, por kemi nevojë për figura që arrihen në ndjekje nga ato që nuk mund të jenë sistem paragoni. Vërtetë, sepse ne kemi Nënë Terezën si shqiptaren më të madhe, por ajo është një model botëror tepër i madh që na rrëzon kapelën kur çojmë kokën për ta parë, kurse Kasimati është gruaja shkencëtare, studioze, e emancipuar dhe moderne, që ka vështirësi për të dalë mbi ujë sot. Ka vështirësi të ngrihet mbi mashkullitetin ideologjik dhe pronor sot për gjithçka në Shqipëri. Nuk është e vërtetë se duhet dalë në parimin e vetëm dhe aspak koherent të “femrës së butë dhe zemër dhimbsur”, kjo duhet nënkuptuar, por është e rëndësishme të dilet me femrën e emancipuar, që bën të lëvizë përpara edhe shoqëria shqiptare, jo e mirë afruar si mentalitet me Europën. E diçka dihet qartë, “sa më afër edukimit europian të jetë gruaja, aq më afër realisht europës jemi ne”. E kundërta është e kuptueshme. Ajo është baza e edukimit të fëmijëve akoma në Shqipëri. Ne kemi nevojë për femrën e lirë dhe të emancipuar si Kasimati. Atë e vrau Enveri, sepse nuk ja duronte dot lirinë ideore dhe shkencore, biles as bukurinë natyrore. Ne, pa e kuptuar vrasim sot shumë e shumë shpirtra femrash të emancipuara, të cilat mbeten pas në dukje, mbas të llastuarave dhe të bukur-veshurave, shpeshherë me të vetme dhunti për të llapazanëruar. Kjo nuk është gjë e mirë. Mbase brezat e sotëm do të kuptojnë se sa rol të madh ka femra e emancipuar dhe rrezatuese e qytetërimi në Shqipëri. Po, dhe unë mendoj se vetëm brezat e mëvonshëm, sidomos ato mbas brezit tim, do të arrijnë të jetojnë me këtë koncept.