Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 30 marzo 2012

1922- zyrtaret ne borxhe dhe administrata e tille.

Viti 1922, “kur një zyrtar nuk administron veten, si mund të administrojë shtetin”?


Koment-Dossier

Besi Bekteshi

Tentativat e shtetit të sapo formuar në vitin 1922, ishin që shtetarëve t’ju krijohej dijenia se çfarë do të thotë moralisht dhe ligjërisht, një “zyrtar i shtetit”. Nuk e dinin mirë, biles nuk e dinin aspak qartë, në atë kohë. E para, sepse kishin pasur një trashëgimi tepër korruptive  dhe jo efiçente nga fundi i administratës turke si model. E dyta, nuk kanë pasur shkollim perendimor në atë shumicë, i cili të përbënte pastaj edhe modelin. E treta, vitet e luftës së parë botërore dhe të rreth 10-të viteve përpjekje për adminitratë shqiptare, kanë qënë shumë konfliktuale, jo vetëm më të huajt fqinj, por edhe lëvizje trupash dhe ushtri nga më të ndryshmet.  Patjetër që zyrtarët ishin në një pjesë dërmuese, një shëmbëllim i një kulture retro, aspak perendimore, dhe tepër dallkauke në sjelljet e nëpunësisë së lartë.
Mungonte respekti për zyrën, dhe trajtohej ajo si një vënd pushimi për zyrtarin e lartë, apo një vënd që kishte “gjë në dorë” dhe pastaj dora nuk dinte se ku shkonte. E normalisht shkonte aty ku kërkohet fitimi, apo paraja në përgjithësi.
Të tilla cilësi zyrtare, dalin në qarkore dhe urdhëra, por edhe vendime të qeverisë dhe administratës së lartë të shtetit, e cila mundohej të “riparonte” veset dhe të dilte sa më shpejt nga gjëndja e mjeruar e zyrtarit, që vetëm përfiton dhe e trajton veten si një ardhacak, për të rregulluar vetëm veten....qoftë edhe me borxh!!
Ky ishte problemi, ose një prej problemeve të mëdha të administratës së mesme dhe deri te e larta. Zyrtarë të lartë dhe nëpunës së shtetit, që kishin përgjegjësi, po zhyteshin në borxhe, dhe zakonisht borxhet merreshin me shumicë në individë kryesisht, dhe vetë shteti tashmë rrezikohej nga ndërhyrja e “borxhdhënësve” në vendimet e tij, por dhe vulat e tij. Situata është e qartë, se një shumicë nëpunësish të lartë, jetonin mbi mundësitë e pagesës dhe rrogës së tyre, dhe kjo kuptohej, por ishin të zhytur në borxhe. Imagjinohet lehtë se çfarë ndodhte me zyrën dhe adminitratën, kur një pjesë e madhe e zyrtarëve ishte deri në “grykë” në borxhe!! Kishte ndodhur që edhe te kafexhiu...kishin borxh!!
Në këtë pikë, problemi bëhet akut në qeverinë e kohës, problemi del i qartë, dhe del edhe qarkorja ligj nr 90/III me 9/12/1922 mbi “Mirësjelljen e nëpunësve”. Mbi bazën e saj, ju shpërndahet të gjithë administratës së shtetit një qarkore e datës 24/12/1922 e firmosur nga Kryeministri Ahmet Zogu, e cila sqaronte më së mirë gjithshka, dhe jepte porositë të kthyera në ligj, për “borxhet” e zyrtarëve të shtetit.
Në qarkore thuhet: .....Nëpunës shpërdorojnë nderimin e besimin, qi i vjen prej barrës zyrtare, e tuj dashtë me jetuem me nji mënyrë qi nuk puqet me të ardhunat e tij, lidhet me pare borxh.....
Pra tashmë, ishte vërtetuar se jetohej mbi mundësitë, duke marrë borxh. Qarkorja vërteton se “në çdo rast kjo sjellje nuk i përgjigjet aspak sistemit, që ka me mbajtë nji zyrtar” dhe këtu trajtohet plotësisht dijenia se borxhet dhe jeta mbi mundësitë, është diçka që shkatërron zyrën e shtetit dhe shtetin vetë. Pastaj qarkorja thotë: ....kjo shkakton dame të mëdha nga shumë pikpamje....!! Në vazhdim, thuhet në qarkore se “nëpunësit qi nuk dijnë me u sjellë e me administru vehten, ma tepër nuk mund të dijnë me administru popullin e nuk meritojnë një barrë zyrtare”. E qartë dhe e prerë, në një dokumentacion të vitit 1922 kjo gjë,  kaq e rëndësishme mbi “zyrtarizmin” në Shqipëri. Pastaj urdhëri-qarkore kërkon të “shënjohen zyrtarët që jetojnë ne sistemin e ligsht të borxheve” dhe porositet populli të mos “pritojë në ankimet, kundra atyne zyrtarëve borxhlinj” e normalisht urdhërohet për masa konkrete. Kuptohet se nuk kishte akoma një mundësi të kontrollit finaciar dhe pasurisë, por dëmet ishin tepër të mëdha, në saj të jetës mbi mundësisë ekonomike të siguruara vetëm nga rroga e zyrtarit shqiptar.
Fillimi i korrupsionit ishte normalisht kjo mënyrë, dhe pas saj vinte seriozisht shkatërrimi i figurës së zyrtarit dhe të ndershmërisë së shtetit në përgjithësi.
 Dakort, por sëpaku atëhere bëhej fjalë për borxhe, dhe dalje mbi mundësitë...vetëm për kaq!!
Në anën tjetër, qeveria kishte kuptuar se “arsimtarët pagueshin pak” dhe vetë Kryeministri Zogu në një qarkore të vitit 1923 të datës 9/3/ e pranon “tue qenë se rrogat e mësuesve të katundeve nga ngushtica ekonomike janë caktue të vogla, sa qi nuk mund ti bajnë ballë plotësisht nevojave familjare”....të urdhërohen zyrat kompetente që me dëshirën dhe pëlqimin e popullit, tju sigurohet mësuesve nji vënd banimi falas....!! Ju kërkohet pushteteve vëndore të gjenin dhoma pa pagesë për mësuesit e fshatit, të cilët në atë kohë bënin një punë heroike, por pagat nuk mund të dilnin edhe për të paguar hotel dhe transport.
PO, dhe në qarkore thohet se “kjo është një praktikë e pranueshme edhe në vëndet e qytetëruara”.
Kemi pra dy qarkore si dy anët e një medaljeje për nëpunësit dhe mësuesit e viteve 1922-23. Ishte një shtet i varfër, por që donte të ruante dinjitetin e nëpunësit, ose sëpaku përpiqej të bënte këtë gjë si në qortim të zyrtarëve të lartë për të mos lejuar borxhin, dhe vendosjen e zyrtarit në borxh ekonomik e jetesën mbi aftësitë e rrogës, dhe nga ana tjetër mundohej që arsimtarët me pagë të vogël në fshatra “sëpaku të mos paguanin banesën”.
Ajo që del qartë, është se shteti po mundohej të krijonte administratën dhe zyrtarin. Po mundohej të kapte “ demin për brirësh” dhe jo nga bishti. Të përballej një herë me zyrtarizmin dhe të bënte të funksionte shteti nën rregulla dhe moral, dhe pastaj të fillonte ngritjen materiale të shtetit. Idea ishte e mirë, pavarësisht se sa e  si, apo sa e si, e lanë për tu  realizuar. Por e vërteta është edhe sot. Një zyrtar që jeton edhe sot mbi mundësitë e pagës së tij.....nuk mund të administrojë mirë dhe ndershëm zyrën e tij. Kjo është e pa mundur. Por në shumë raste është e vërtetë edhe pse sot ka shumë lehtësi. Gjithsesi jeta dhe pasuria.....në shumë pak raste e justifikojnë pagën e zyrtarit të lartë të sotëm..... në shumë pak.




lunedì 26 marzo 2012

Prezantimi i Muzeut Historik Shkoder.

Besi Bekteshi në një prezantim të shkurtër dhe të përgjithshëm të Muzeut Historik "OSO KUKA", Arkivit, Arkologjisë, Etnografisë, Bibliotekës dhe Pinakotekës. Prezantimi i shkurtë dhe i kryeveprës së Kol Idromenos " DY RRUGËT" e vitit 1894 në Arkivin e Muzeut të Shkodrës.
Video e dyte eshte prezantimi i shpejte me pamje nga Muzeu i Shkodres
Mars 2012

Shkodra 1913-te, dhe tre propozimet per Mbreter ne Shqiperi.

“Koinçidenca” e majit 1913-të në Shkodër, me fronin e Mbretërisë së Shqipërisë  ish presidentit Theodore Rusevelt!
Tre mbretër për Shqipërinë, mbas ndërhyrjes në Shkodër në 1913-tën.


Koment-dossier
Besi Bekteshi

Intervenimi i fuqive të mëdha në mbrojtje të qytetit të martirizuar të Shkodrës ne 9 maj të vitit 1913-të,  ishte edhe parafjala e luftës së parë botërore, por edhe përpjekja e parë për të shuar këtë luftë, dhe për të zgjidhur problemin e qeverisjes së shtetit të ri shqiptar.
Viti 1912-të zgjidhi me vullnet dhe letra pavarësinë e Shqipërisë nga vetë shqiptarët, por vëndi kishte probleme të mëdha qeverisëse, dhe pa dyshim dhe ishte një “tokë e lakmuar” kryesisht nga fqinjët e saj, dhe pas tyre interesat shpesh të kundërta të fuqive të mëdha. Pesha e madhe e austro-hungarisë kryesisht në bërjen e shtetit shqiptar, britanikët që kërkonin shpëtimin e vitit 1912-të dhe sllavët në përgjithësi në unitetin e tyre antishqiptar, po luanin dramën e vërtetë në qytetin më të madh të shqiptarëve që ishte Shkodra. Në qoftëse do të mbahej Shkodra nga malazezët dhe miqtë e tyre serbë dhe  rusë, do të thoshte një rrezik i madh edhe për pjesët e tjera të teritorit pa shumë qeverisje të shqiptarëve. Tashmë lakmia dhe përpjekjet për ta deformuar teritorin shqiptar, ishin në maksimum. Megjithatë, kjo është situata dhe me sa duket ishte aq e rëndë, sa në botë po luhej karta e gjetjes së një “Mbreti për Shqiptarët”. Kur thuhet Mbret, nënkuptohet froni dhe kurora e Shqipërisë. Pse dhe si, kjo është pjesë e rëndësishme e historisë tonë akoma e pa  sqaruar mirë, dhe diplomacisë së fuqive të mëdha, por ama, janë të rëndësishme editorialet e “The New York Times” në pikërisht muajin kur fuqitë e mëdha “zbarkojnë në Shkodër për të nxjerrë jashtë  malazezët, dhe për ti dhënë fund edhe zotërimit të turqve në këtë qytet”. Në këtë kohë, diplomacia dhe fuqitë e kohës, por edhe gazetaria po lëviznin fort për të gjetur një mbret për shqiptarët.

Koinçidenca e datave të stabilizimit të Shkodrës, nga rrethimi vrastar malazez është e jashtëzakonshme. Në “The New York Times” dhe pikërisht në datën 11 maj 1913-të (Shkodra sa po ishte pushtuar nga fuqitë e mëdha) ka një titull të tillë.... MAY BE KING OF ALBANIA Prince William of Sweden a Keen Sportsman Wife Very Beautiful.....!

Normalisht ishte marrë si burim nga Londra me datën 26 prill, dhe thuhet se “ka zhurmë se princi William, si djali i dytë i Mbretit të Suedisë, dhe gruaja e tij princesha Marie, janë zgjedhur nga tre fuqitë e Antantës si sundimtarët e Shqipërisë, dhe kjo do të bëhet mbasi të përfundojë paqa me Turqinë....!!

Pra propozimi i parë për “Mbret të Shqipërisë” në kohën kur po bëhej “bashkimi i fuqive” për të administruar Shkodrën, ka qënë princi William i Suedisë dhe Norvegjisë. Ai ishte një sportiv dhe gruaje tij me një origjinë ruse, mund të mbyllte gojën e kësaj fuqie, e cila kishte interesat e qarta të copëtimit të Shqipërisë dhe në rradhë të parë të kalimit të Shkodrës, nën Malin e Zi.

Një ditë më pas, “The New York Times” , pra me 12 maj të vitit 1913-të, kur në Shkodër kishin hyrë trupat e fuqive të mëdha dhe ishte vëndosur pothuaj përfundimisht rendi, malazezët ishin tërhequr pa bërë fjalë, del editoriali tjetër me titull: KING OF ALBANIA, dhe kësaj rradhe në artikull i propozuari për kurorën e Shqipërisë ishte ish Presidenti i Amerikës, çmimi nobël në vitin 1906-të, dhe njëri nga të katërt presidentë të gdhëndur në mal të SHBA-së Theodore Rossevelt. Coloneli Rossevelt, duket se ishte pranuar nga shumica e delegatëve shqiptarë dhe “ato ishin të lumtur” për pikërisht këtë figurë, por natyrisht duhej të shoqërohej edhe me fonde, pallat dhe kurorë. Patjetër që kishte probleme me një amerikan kaq të fuqishëm dhe kaq të madh, sidomos për fuqinë imperiale të Austro-Hungarisë, por propozimi ishte bërë, dhe qarkullonte në zyrat e larta edhe pse shikohej si një moment tepërt interesant, por edhe i frikshëm për ato që kishin akoma shpresa për një copëtim të Shqipërisë.

Po dhe nuk kalon shumë kohë dhe në momentin që Shkodra kishte guvernatorin Philips “The New York Times” në 26 gusht të vitit 1913-të, ka editorial me titullin “TO BE KING OF ALBANIA” por edhe “Powers Said to Have Chosen Prince of Wied Turks to Get Adrianople” dhe i referohet Bukureshtit me datën 25 gusht për lajmin që jepte.

Në testatën e madhe botërore, sqarohej se “thuhet se fuqitë kanë seleksionuar për fronin shqiptar princin William Frederick Hermann Otto Charles of Wied”, një familje princërore gjermane dhe nip të “Carmen Sylvia”, si Mbretëreshë e Rumanisë. Normalisht që “mbretërimi i tij do të fillonte mbas marrëveshjeve me turqit dhe mbajtjes së Stanbollit”.

Historia e ka tashmë të qartë se edhe princ Wied, e pati shumë të vështirë në Shqipëri, edhe pse u ngarkua dhe ju siguruan disa fonde për pikërisht mbretërimin në vëndin ku sërish grykësia e fqinjëve, dhe disa fuqive të mëdha, bënte akoma diferencën. Normalisht që mbas intervenimit në Shkodër, me anën e forcave ushtarake, e cila është eksperienca e parë e “paqeruajtësve” në Europën e fillim viteve në shekullin 20-të, u propozuan tre figura, dhe ka edhe propozime të tjera në rangje më të ulta, por ajo që të bën më shumë përshtypje, është dalja në editoriale dhe bisedat diplomatike të emrit të Theodore Rossevelt.

Amerikanët kishin një simpati të madhe për Presidentin e tyre, që ishte edhe nobelist. Ai biles ka arritur të krijojë partinë e tij, dhe të marrë më shumë se republikanët, duke ju lëshuar kështu rrugën demokratëve të Presidentit tjetër proshqiptar të madh që është Woodrow Wilson, i cili mbrojti Shqipërinë pikërisht nga “Traktati i Londrës në 1913-tën” dhe duhet thënë se ky traktat ishte i fshehtë. Është pikërisht viti 1913-të, dhe momenti i luftës së Shkodrës, por edhe intervenimi i fuqive të mëdha në këtë qytet, që po shtronin tashmë denjësisht edhe problemin e madh të qeverisjes së shqiptarëve. Normalisht që emri i Ted Rossevelt, është një moment amerikan i përgjigjes që kishte pyetja e copëtimit të Shqipërisë, dhe një copëtimi që duhet thënë se forcën kryesore të ndalimit si veprim e kishte te amerikanët dhe .....propozimi dilte pikërisht në këtë kohë. Ishte lakmia e pashoqe dhe e jashtëzakonshme e fqinjëve, që po fuste në luftë edhe botën e rëndësishme dhe po nxirrte në krah të tyre edhe fuqitë e mëdha, por kundra njëra tjetrës. Shkodra ishte eksperimenti i parë, në se do të ishte e mundur të mbahej një drejtpeshim dhe Shqipëria të kishte sëpaku unitet teritorial. U pa qartë, se lufta filloi një vit më pas, po .... filloi lufta e parë botërore.

E pikërisht në kohën e zgjidhjes së problemit Shkodër....ishin edhe propozimet për të pasur Shqipëria një Mbret, Kurorë Mbretërore, apo më mirë të themi një njeri sipër shtetit të ri shqiptar, që mund të pranohej nga të gjithë.

Amerikanët kanë shumë veprime proshqiptare në të gjitha kohët. Ambasadori i SHBA-së në vitet 1930-33, është investuar plotësisht për të ruajtur Mbretërinë Shqiptare të Zogut nga grykësitë e sërishme të Serbëve dhe Grekëve në kufirin shqiptar. Presidenti Truman, e futi edhe Shqipërinë në planin Marshall, por komunistët tashmë ishin jashtë gjeopolitikës perendimore. Presidenti Kenedi, në momente e vështira të prishjes së Shqipërisë me BRSS-në ka thënë se “Në se BRSS do të pushtojë Shqipërinë pasojat do të jenë shumë të rënda” dhe ka edhe fjalinë... “Soviet, do no touch Albania!”.... deklarata e panjohur shumë është bërë në 29 nëntor të vitit 1962. Pastaj janë të njohura interventet e presidentëve Bill Clinton në Kosovë, dhe George Bush, për futjen e Shqipërisë në NATO.

Dakort koha sot është ndryshe, por si do të kishte qënë, në qoftëse do të kishte shkuar puna për një Mbret Amerikan dhe sidomos për një “Luan” si Theodhore Rossevelt?

 

 

giovedì 22 marzo 2012

Dy "vagabonde ne Shkoder"


Qyteti ku  “dy vagabondët”,  kuptuan se nuk mund të sundohej kurrë.

Mali i Zi me Shkodrën, do të ishte si një “zbutës”, i vogël dhe i pa aftë,  me një luan tepër të madh....!!

Koment-dossier

Besi Bekteshi
Historian, Arkivi i Muzeut Shkoder

Kanë disa botime Jan dhe Cora Gordon, “dy vagabondët”,  me pikërisht këtë etiketim që i kanë bërë vetes. Kanë edhe një udhëtim të tyre në vitin 1927 të quajtur “Dy vagabondë në Shqipëri”, por po kështu, i kanë edhe për shumë vënde të tjera të botës me udhëtimet e tyre të shumta kudo.
Por në fakt, unë po i referohem një udhëtimi që fillon në një spital të Serbisë, në kohën e luftës me Austro-Hungarinë, kur normalisht lufta kishte edhe viktimat e shumta të saj. “Vagabondët Jan dhe Cora Gordon” kishin jo vetëm dëshirën për të vizituar dhe dokumentuar, por Cora, kishte edhe talentin për të vizatuar dhe fotografuar. Idetë e dy udhëtarëve ishin se po bëhej një luftë e padrejtë dhe popullit sllav, dhe në përgjithësi rajonit po i bëhej një padrejtësi, por përgjatë viteve 1914-15, duke shetitur dhe shkelur Malin e Zi dhe sidomos Shkodrën, binden se gjërat nuk janë aq të lehta dhe asnjëherë nuk mund të nxjerrësh konkluzione të qarta, pa prekur dhe shikuar realitetin nga afër.
Gjithsesi pjesa e vizitës në Shkodër, është një nga më të arrirat dhe të bukurat, të përshkruara nga Jan Gordon, dhe patjetër në shkrimet e më vonshme te “THE LUCK OF THIRTEEN” dalin edhe foto, natyrë, zakonet dhe jeta e qytetit më të madh shqiptar të asaj kohe. Normalisht, duke qënë se kishin lidhje më të shumta me pjesën e Malit të Zi, të dy “vagabondët” po mundoheshin të njihnin dhe qytetin, për të cilin kishin dëgjuar shumë, dhe që kishte një liqen madhështor dhe fortesën që sipas çiftit udhëtues nga më të njohurit në botë ishte....fortesë veneciane!! Por mua më ka leverdisur të marr disa pjesë të Jan Gordon në ditarin e tij për Shkodrën, që e quan si “qytetin e urrejtjes” dhe këtu ai fut pa ditur qartë raportet religjonare, por pastaj bindet edhe për raportet me fqinjin e vogël, të qytetit të madh Shkodër.... që është Mal i Zi.
Ishte përshkruar si qytet i bukur thonë “vagabondët” Jan dhe Cora për Shkodrën, por në pamjen e parë na u duk i çuditshëm, karakteristik dhe i madh. Po shikonim mijra e mijra mure me porta të mëdha....!! Nomalisht këtë po e përshkruanin mbasi kishin parë madhësinë dhe bukurinë e liqenit dhe maleve përreth. Përshkruhet qyteti i ndarë në pjesën muhamedane dhe atë katolike, por me të njëjtat mure, rezervatecë, dhe rrugë që në fund mbylleshin me një portë të lartë dhe derë të madhe.  Udhëtarët kuptuan se askush nuk fliste serbo-malazezen, dhe gratë ishin të mbuluara, por veshjet ishin të kushtueshme dhe të mrekullueshme, për nga paraqitja e tyre qytetare dhe tradicionale dhe pse orientale. Pastaj kanë vizituar pazarin e madhe të Shkodrës, ku Cora ka bërë “shoping” me ndihmën e zotit Suma, si konsull britanik, dhe normalisht nuk kanë munguar edhe fotot e rastit. Jan, thotë se “qyteti më i madh nuk ka sovranitet” dhe qyteti është shumë i çuditshëmm e kjo nuk është romantizëm por një përshkrim, vazhdon ai. Qyteti është i ndarë nga xhamitë në njërën anë të rrugës Internacional, dhe në anën tjetër katedralet, e qyteti duket sikur ka nostalgji për kohën pas, kur kishte forcat e paqes si britanikë, gjermanë, austriakë e francezë. Pazari i Shkodrës i ka habiur udhëtarët me kostumografinë e grave nga Kastrati, Shkreli, Shala dhe Mirdita. Shkodra është si “një grua e fortë në fytyrë, por me një zëmër bujare” thotë Jan. Në portikët gjigandë të Shkodrës, që Jan nuk i kishte parë në Mal të Zi dhe Serbi, kishte brënda kopshte të bukur të krijuara nga familje bujare, të cilat ishin mbas dritareve kurioze. Intervenimin e Malit të Zi, Jan e bën të kotë, dhe një guvernator një ditë i ka thënë: Jan....ligji është i vështirë, po të mos i njohësh kush janë....!!
Po, sipas Jan, në atë kohë Shkodra ishte për vete shumë pro Angleze....nga Guvernatori i fundit, koloneli Phillips, admirali Barney, Miss Durham dhe patjetër edhe George Paget, që kishte edhe ndërtimin e vetëm british në Shqipëri. Këto kishin mbetur të pa luajtëshëm në memoriet e Shkodrës. Pastaj Jan thotë se qyteti ka njerzit e tij “nobile” dhe po të hyje thellë, kuptoje se kishte shumë familje të tilla ngado.
Normalisht Jan i bën pytje vetes se “çfarë do të bëhet me Shkodrën”?  Ai pastaj shpjegon se gjatë luftës qyteti ishte marrë nga Mali i Zi....por duhet të marrim në konsideratë thotë Jan si mik i malazezëve se “Shkodra është qyteti më i populluar dhe më i pasur në ndryshim nga populli sllav i Malit të Zi”. Po të jepnin të drejta malazezët si muslimanëve dhe katolikëve...Shkodra do të kishte marrë Malin e Zi dhe jo e kundërta....!! Tashmë Jan dhe Cora Gordon, kishin marrë vesh në mënyrë të qartë se çfarë do të thoshte realisht që Shkodra të ishte nën Malin e Zi. Kjo edhe pse në fakt, ishin disi të “dashuruar” me serbët dhe malezezët. Ato kishin kuptuar se qyteti i madh,  nuk ishte aspak një diçka sllave, jo vetëm si religjon, por as si komb dhe histori. Biles Jan deklaron edhe dëshpërimin e malazezëve që i kishin thënë se: Pa Shkodrën, nuk ja vlen të mbajmë as Cetinjën!! Akoma më shumë, Jan si një udhëtar dhe njeri që kishte njohur serbët dhe sllavët thotë për Shkodrën se: Mali i Zi me Shkodrën do të ishte si një “zbutës”i vogël dhe i pa aftë,  me një luan tepër të madh....!!
Jan Gordon kishte zbuluar në atë kohë edhe “humbjen” e madhe të Malit të Zi që e konsideron një “Shkëmbim të disa kilometrave shkëmb me qytetin më të pasur të bregut jugor të adriatikut”. Po, dhe e mbyll me thënien për Car Nikollën që ishte betuar për të marrë Shkodrën duke thënë nga ana e tij vetë Jan Gordon se ....Çfarë e gëzon një njeri që fiton gjithë botën dhe humb shpirtin e tij....!!

Por çifti Gordon në qëndrimin e tyre në Shkodër, kanë marrë edhe mendimin e një prej qytetarëve të pasur dhe të devotshëm të Shkodrës që ju ka thënë: Jemi të qetë tani, sepse fuqitë e mëdha nuk kanë kohë për të humbur mbi ne dhe nuk kemi ndërmend të rebelohemi dhe të vritemi pa kapur armët, por në qoftëse gjërat mbas kësaj lufte nuk do të rregullohen, do të jetë revolucion çdo ditë të bekuar!!
  E Jan e beson këtë, sepse e sqaron në takim me banorët për krenarinë e tyre dhe forcën e shpirtit dhe të trupit. Ai qartësisht thotë për shkodranët dhe qytetarët, por edhe për malësorët në përgjithësi, që ishin me mustaqe se: Mund të jesh edhe një lypës në Shqipëri, por përderi sa mban mustaqe konsiderohesh një burrë! Pra Jan e kishte kuptuar të gjithën këtë gjë, duke përshkruar të gjithë qytetin, takimet me njerzit e sërës së lartë dhe të popullit në përgjithësi, duke u habitur me zakonet, me pasurinë shpesh herë që nuk shikohej, për veshjen, dhe sidomos për habinë e madhe të pa mundësisë të gjithkujt për ta pushtuar, sunduar dhe absorbuar. Akoma më shumë të krijohej ideja se “ Shkodra të merrte dhe të bënte të vetin si pa dashje”. Nga ky udhëtim, çifti i pa lodhur vjen edhe një herë për të bërë “Vagabondët në Shqipëri” dhe për tu njohur edhe me Tiranën, Elbasanin, Durrësin dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Këto të dy “vagabondë” në fakt,  mësuan duke filluar në Shkodër, qytetin ku nuk arritën të kuptonin qartë se nga ku vinte edhe madhështia e tij dhe sidomos qëndresa e jashtëzakonshme, se ai nuk sundohej. Cora ka bërë dhe disa piktura të mrekullueshme në Shqipëri, dhe nuk mungojnë edhe fotot në Shkodër, të cilat tashmë janë të njohura në perëndim.

venerdì 16 marzo 2012

Perpjekjet per te formuar zyrtarin e shtetit ne vitet 1920-21


Zyrat dhe nëpunësit e shtetit,  nën formimin zyrtar të viteve 1920-21.


Koment-dossier
Besi Bekteshi*

Kanë qënë përpjekje të mëdha, të jashtëzakonshme, në momentin e shtet formimit në vitet e vështira 1920-21 nga qeveria e asaj kohe. Si zyrat e shtetit, ashtu edhe zyrtarët e tyre, kishin si trashëgimitë lindore kryesisht të fundit të perandorisë turke dhe veset e saj, por edhe përdorimin e nëpunësisë si privilegj për “të mira dhe sundim e përdorim vetjak” pa u shqetësuar shumë për pikërisht staturën e shërbëtorit të shtetit. Shikohen përpjekje të jashtëzakonshme të qeverisë, për të përmbledhur nëpunësit, për ti bërë ato të punojnë në standarte të perëndimit. Janë dhjetra qarkore të Kryeministrave të kohës, të Ministrave të Brëndëshëm, të Ministrave të Drejtësisë, të arsimit, të cilët mundoheshin me anën e këtyre qarkoreve, të përmblidhnin në rrugën e ligjit, nëpunësit e mësuar të shkelnin çdo normë të zyrës së shtetit shqiptar. Mungonte etika, mungonte rregulli zyrtar, mungonte burrokracia e duhur, dhe sidomos ajo perendimore në Shqipëri.  Qarkoret janë diçka e mrekullueshme edhe për kohën e sotme, sepse shikohen qartë, se ne vazhdojmë akoma të trashëgojmë mënyrat alarmante dhe pa rendiment, të punës në zyrat e shtetit. Ka veprime të asaj kohe, që janë si dy pika uji me ato të sotmet mbas 91-91 vitesh shtet shqiptar, në rrugë drejt konsolidimit, dhe në rrugë të përkryerjes së nëpunësit shqiptar. Ligjet akoma nuk ishin të krijuara, dhe përdorimi i “Qarkoreve” të bazuara në urdhër organik qeveritar që merrte trajtën e ligjit, bënin edhe punën kryesore të qortimit dhe vendosjes së nëpunësit dhe zyrës së shtetit, në standart normal dhe të afërt me shtetet e zhvilluara të Europës.
Në një qarkore të 27/6/1920, nr 2953, Ministri i Brëndëshëm A. Zogolli sqaron se “letra e institucioneve janë tue u çel rrugës” dhe pastaj urdhëron se “asnji zyrë nuk ka  kopetencë me çilë letrën që nuk i asht drejtue asaj zyre”. Por në fund mbyllet se “kushdo që do të guxojë me çilë aktet zyrtare qi nuk i janë drejtue vehtes së tij, ka me u marrë në gjygj si shfaqësi i të fshehunave qeveritare”. Pikërisht kishte shumë të dhëna, se hapeshin letrat për të deniguar individët njëri tjetrin, për të dalë edhe informacionet jashtë, dhe për tu bërë diversion pikërisht me këtë dijeni të përmbajtjeve.  Pastaj sërish Ministri i Brëndëshëm me 25/6/20, jep urdhër që zyrtarët  të mos jenë qëndra e mitingjeve, dhe të mos merren me këtë punë. Por është e  bukur se thuhet edhe se: Edhe kur bahet nji demostracion para qeverisë, prefektët e nënprefektët, kanë me ju përgjegjë në nji mënyrë fort të matur dhe të shkurtë! Fillimi i një lloj demokracie në demostrim, por gjithmonë duke mos marrë zyrtarët rolin e individit që ka pushtet të vetin në saj të detyrës, dhe mund ta përdorë atë gjatë, dhe pa u matur se çfarë thotë.
Me datën 13/3/1920 Ministri i Brëndëshëm A. Zogolli, i bën të ditur Prefekturës së Shkodrës se “është ngritur nji komision i cili ka me kontrollu të gjitha zyrat qeveritare të Shkodrës”. Pastaj ai ju kërkonte “ që të gjithë ti nënshtrohen këtij kontrolli, tue diftue arkat, aktet, etj”  Biles vazhdonte se “ duheshin dhanë lehtsinat e nevojshme” dhe normalisht në këtë rast vihet re se shteti po fillonte të kontrollonte veten nga abuzimet. Në një dokument tjetër të vjetër të datës 20/3/1920, sërish Ministri i Brëndëshëm kërkon të “largohen kafexhinjtë nga zyrat e shtetit” dhe ka shumë dokumenta që vërtetojnë këtë problem në zyrat e shtetit shqiptar. Por në vitin 1921 dhe pikërisht në datën 13/3/1921, tashmë Ministri i Brëndëshëm Mehdi Frashëri, nxjerr një qarkore ku evideneton se “nëpunësit kërkojnë pagat avancë” dhe kjo është bërë një sëmundje e cila po dëmton arkën e shtetit. Për këtë arsye, jepen urdhëra që “avanca” të jepej në rast të arsyes së fortë dhe mirë detajuar, dhe jo pa arsye dhe kot fare. Kishte filluar të kërkoheshin pagat si pas qejfit, dhe zyrat po lejonin abuzimin mbi rrogën e shtetit, e në këtë mënyrë shteti po përpiqej të stabilizonte fenomenin e trashëguar nga e kaluara gati mesjetare. Sërish Ministri i Brëndëshëm. Mehdi Frashëri në një qarkore drejtuar prefektuarave  në datën 5/2/1921, bënte me dije se “nëpunësit  e shtetit kur bëjnë ndonjë udhëtim, refuzojnë kontrollin e çantave në doganë”. Në këtë mënyrë jepet urdhër dhe nxirret ligj, që pikërisht nëpunësit të tregojnë të parët çantat e tyre. Në datën 26/2/1921, Ministri i Brëndëshëm i saj kohe Mehdi Frashëri, ngre shqetësimin se “zyrat kthehen në kafene” dhe kjo mbasi është nxjerr urdhëresa për të pasur kafe jashtë zyrës, por kjo qarkore nuk po zbatohej. Në këtë mënyrë, urdhërohet ndalimi rreptësisht i pirjes së kafes në zyrë dhe shërbimit të saj në zyrat e shtetit, por vetëm në kafenetë përkatëse. Kishte filluar që të dëmtonte punën dhe imazhin e shtetit, zyra-kafe e zyrtarëve të shtetit, dhe në këtë mënyrë qarkoret ishin tepër të ashpra.
Ka një tjetër qarkore të Ministrit të Brëndëshëm A. Zogu, ku vërtetohet se “kontrolli ka vërtetuar se shumë nëpunësa nuk janë gjendur në vëndin e punës” në këtë mënyrë është bërë ligj, prerja e një të katërtës së pagës, dhe qarkorja është e  18/11/1920 . Por është kërkuar edhe relacion për oraret e punës dhe zbatimit të këtij orari nga nëpunësit.
Në Shkodër kishin bërë zakon mos zbatimin e orarit zyrtar, dhe sidomos në kohë të verës ku ishte e domosdoshme dalja edhe mbas dite. Në këtë rast, “Guvernatori i Shkodrës Ahmed Zogolli dhe Ministër i Brëndëshëm” detyron orarin e caktuar para dite dhe mbas dite,  dhe prerjen e rrogës të atyre që nuk e zbatojnë atë. Qarkorja është e datës 1/8/1921, dhe është fillimi i zbatimit të kohës së ndarë për nëpunësit shqiptar, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar.
Po ashtu është një urdhër i Kryemnistrit Iljaz Vrioni i datës 22/8/1921,  ku verehet se “korrespondencat zyrtare janë të gjata dhe të kota” prandaj kërkohet rëndësia e korrespondecës telegrafiken për të mos krijuar vonesa të kota sidomos të atyre me rëndësi.
Një nga qarkoret më të qarta për nga problematika është ajo e Kryeministrit Vrioni e datës 23/1/1921 ku tregohet se “veprimet zyrtare të rrjedhuna (dalje jashtë) nëpër zyra dhe vendimet e punët e pa kryeme, përpara se të marrin përfundimet e duhuna ndëgjohen përjashta”! Pothuaj si tani në Shqipëri....prandaj lajmërohen zyrtarët, vazhdon qarkorja, të mos kenë sjellje jashtë “nomit dhe rregullit zyrtar”. Me rastin e përsëritjes do të largohen nga puna dhe dënohen rreptësisht...përfundon urdhëri i Kryeministrit Vrioni.
Ka plot e plot qarkore të tjera, ku bëhet fjalë për përpjekjet e adminitratës së lartë, dhe njerzve të lartë të saj, për të krijuar bindjen e rolit të zyrtarit të shtetit,  dhe normalisht shikohet edhe vështirësia e madhe që kishin. Por shikohet edhe diçka tjetër, sepse kanë kaluar mbi 90-të vite dhe në shumë gjëra, aspekte dhe mentalitete,  jemi sot sërish në ato problematika dhe kjo do të tregojë diçka po kaq të rëndësishme që është “vështirësia e madhe e sjelljes në standarte së shqiptarëve, me zyrat e shtetit dhe ligjin në përgjithësi”.

*Përgjegjësi i Arkivit të Muzeut Historik Shkodër
besibekteshi-info.blogspot.com