Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 22 luglio 2014

Delbnishti, historia religjonare dhe patriotike e një Arqipeshkëvie madhështore.



Opinion



Besi Bekteshi

Ka një hapësirë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, patriotike dhe padyshim sunduese piktoreske fshati Delbnisht në Kurbin.  Por shumë pak njerëz për fat të keq, dinë ekzistencën e një pallati apo ndërtimi dikur tre katësh të madh, i cili ka qënë dhe selia e Ipeshkvisë katolike të Durrësit. Në fakt, në këtë fshat, ka qënë një nga kishat më legjendë si ajo e Shën Teodorit e cila është rindërtuar në vitin 1851, dhe shpjegimet shumë të mira i jep dhe kreu i Shoqatës Kurbini studiuesi pasionant Gjon Lleshi i cili ka mbledhur shumë e shumë fakte të saktë dhe të mirë studiuar. Gjithsesi unë kam të dhënat e një modeli të jashtëzakonshëm udhëtimi si të madhit Johan Georg Von Hahn, të vitit 1863, dhe botim si libër “Udhëtim në viset e Drinit” pikërisht në vitin  1867. Por është dhe Theodor Ippen, ose konsulli i Shkodrës që e rilevon mirë trevën dhe shkruan për këtë ipeshkëvi dhe kishën e rindërtuar të Shën Teodorit.  Kanë superlativa albanologët e lartë, por aty ka kaluar dhe Miss Durhami, dhe ka ndenjur dy ditë në këtë seli madhështore për kohën, ose pallati më i madh “modern” që ekzistonte në këtë trevë të madhe, që nga Shkodra deri në Prevezë. Pastaj ka shkruar qartë dhe mirë dhe imzot Rafaele Ambrozio, dhe nga fundi ka shkruar duke qënë ipshkëvi i fundit imzot Frano Illia. Është kujdesur në shkrimet e tij at Marin Sirdani, dhe në dorëshkrimet e tij flitet dhe në disa dokumenta në arkivin e Muzeut të Shkodrës, por po ashtu flet dhe shkruan dhe dom Mark Dushi. Hahn, e ka vizituar dhe në vitin 1847-ta dhe më duhet të them se si kisha, dhe selia e madhe, janë mbyllur te fundit në vitet 1967, kur regjimi komunist nxorri me ligj, jashtë ligjit, besimin fetar. Kurse mbas viteve 1990-të, një rëndësi të veçantë kjo kishë dhe kjo ndërtesë e madhe ipeshkëvie ka sepse “shënjtorja shqiptare Nënë Tereza e ka vizituar dy herë” duke i dhënë një rëndësi të veçantë. Për këtë më flet më pasion dhe Nikoll Lleshi si kryetar i shoqatës me Italinë. Një rikonstruksion i është bërë nga Arqipeshkëvia Durrës Tiranë, dhe është kujdesur vetë imzot Rrok Mirdita për këtë vepër unikale për nga përmasat dhe rëndësia në Shqipëri.

Historia e kësaj ndërtese akoma jo Monument Kuluture është e gjatë dhe fillon kur Ambrozio nuk u lejua të ndërtonte në Durrës në vitet 1850-të, dhe kështu ky pallat trekatësh (sot është dy katësh dhe dikur është djegur nga bandat e Haxhi Qamilit) gjigand për kohën përfundoi në vitin 1859-të në Delbnisht duke kontrolluar 18 famulli.  Pas Ambrozios, arqipeshkëv vazhduan Pren Bardh Kamberi (Primo Bianco), Arqipeshkëv Nikoll Bardh Kamberi (Nikola Bianco) si dhe Imzot Dom Ded Bianco (Kamberi) të cilët ishin banorë autoktonë të Delbnishtit dhe nga e njëjta familje të cilët kanë mbështetur të gjitha kuvendet e burrave kundër turqve deri tek pavarsia. Një kontribut po aq të madh ka dhënë edhe Ndue Lleshi me djemtë e tij Pal Ndue Lleshi, Pjetër Ndue Lleshi si dhe Nikoll Gjok Çuni, pjestar të së njëjtës familje Lleshi &Çuni. Është një linjë patriotike e gjatë kjo e ipeshkëve të kësaj zone të madhe patriotike. Vërtetohet aktiviteti i tyre si në kryengritjet kundra turqve e serbëve, deri në shpalljen e pavarësisë, se ata janë me përmasa të mëdha kombëtare, duke i rreshtuar këta burra përkrah emrave të njohur të historisë së kombit siç janë Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri dhe At Shtjefen Gjeçovi.Nuk duhet lënë pa përmendur edhe kontributi i veçantë që ka dhënë Arqipeshkvi Pren Bardh Kamberi në hapjen e shkollave të parashqipe tek Famullitë e Milotit dhe Rrëshenit në Mirditë në vitin 1900. Përveç autoritetit fetar tek Kryedioqeza e Delbnishtit herë pas here janë mbajtur Kuvende të rëndësishme të burrave të mençur me në krye plakun e parë ndër 45 pleq të krahinës së Kurbinit Gjin Pjetër Mark Previzi i Skurajve.Me mjaft rëndësi janë 12 ligjet e bëra në Kuvendin afër pallatit të Kryeipeshkëvisë tek Gurra e Delbnishtit ( vetëm 20 metra afër)  me 5, 6 dhe 7 Gusht 1906 ku të pranishëm përveç Gjin Pjetrit ishin Imzot Dom Nikollë Kaçorri dheAt Shtjefen Gjeçovi. Këto 12 pika përbëjnë bazën e Kanunit të Skëndërbeut. Kuvende të rëndësishmejanë mbajtur në 1903, 1904 dhe1905  në Delbnisht duke kundërshtuar vendimin e qeverisë turke të vitit 1903, për të paguar taksat.Nga vendimet historike të Arqipeshkvit Pren Bardh Kamberi, ishte vendimi për të dërguar në ngritjen e famurit në Vlorë të sekretarit tëArqipeshkëvit në Delbnisht Dom Nikoll Kaçorrit si përpaqesues i Kurbinit dhe i gjithë tërritoreve që ishin nën vartësinë e Arqipeshkëvi-së së Durrësit, në shpalljen e Pavarësisë, si dhe vendimi për ngritjen e famurit në orën 10 me datën 28 Nentor 1912 në Milot. Por, vendimimë i rëndësishëm ishte për ngritjen e famurit në Durrës me 26 nëntor1912 nga Arqipeshkëvi Pren BardhKamberi, Kaçulini, Rama etj. Të gjitha këto i trajton në mënyrë historike të qartë Gjon Lleshi.



Ka shumë për të shkruajtur për këtë Arqipeshkëvi të madhe, dhe shumë të rëndësishme patriotike dhe të dëgjuar shumë, sidomos në gjysmën e shekullit 19-të dhe fillimin e shekullit 20-të, për kombëtaritetin e saj dhe veprimtarët e lartë jo thjesht religjonare, por dhe të gjuhës shqipe dhe sidomos të ndjenjës kombëtare shqiptare.



Ajo që i mungon sot është shpallje si Monument Kulture e godinës historike. Një godine të pa shoqe edhe në shumë vise të tjera të Shqipërisë, për nga rëndësia, madhësia dhe aktiviteti.  Sidomos për nga patriotizmi shqiptar që është transmetuar deri në brezat e sotëm të pas ardhësve të atyre njerve të lartë, që dikur bënë historinë e Delbnishtit.

Kushte kanë ardhur dhe për më tepër dhe vizita e Papa Françeskut është shumë inkurajuese për këtë lartësi tashmë në trashëgiminë tonë kulturore.