Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 15 agosto 2011

Turizmi dhe kerkesat ne vitin 1935

Si organizohej dhe shikohej turizmi, në vitin 1935?

Fillimi i momentit përkujdesës, mbi turizmin në shtetin monarkik shqiptar.

Njohja, dhe tentativa për të rregulluar boshllëkun qytetërues në turizmin shqiptar të viteve të para në shekullin 20-të.



Besi Bekteshi
Specialist “Arkivi i Muzeut Historik të Shkodrës”.

Në një kohë kur turizmi shqiptar, ka marrë përmasa të mëdha, dhe kur ndjesitë si shoqërore dhe shtetërore mbi këtë resurs të jashtëzakonshëm rriten në mënyrë eksponenciale, nuk dihet shumë qartë, se në çfarë raportesh kemi qënë në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit 20-të.
Turizmi i veçantë, dhe me bazë studiues apo edhe përfaqësues të diplomacive të huaja në vëndin tonë, ka që në fillimin e shekullit të 19-të, por përkujdesja dhe strategjitë mbi turizmin shqiptar, vijnë shumë më vonë dhe kryesisht në fundin e qeverimit të monarkisë së Ahmet Zogut në Shqipëri.
Një dokument tepër interesant në formën e një proçes-verbali në prill të 1935-sës, tregon edhe ngritjen e vërtetë të interesit të qeverisë shqiptare, dhe koshiencën e madhe që ishte mbi prapambtjen në këtë drejtim.  Në Shkodër, e cila konsiderohej një nga “depozitat” e mëdha turistike, dhe qytet e krahinë e rilevuar nga të huajt, vjen në zyrën e Prefektit ing Assim Abdurahman, i cili përfaqësonte “Klubin Turistik Automobilistik Mbretëror” si një agjensi e cila kishte përkujdesjen e qeverisë Mbretërore në Shqipëri, për pikërisht turizmin. Nuk ishte vetëm ky moment, sepse kishte edhe të tjera evenimente përparimtare si qe edhe dalja ne qarkullim e Kartes se Turizmit. Kjo i jepte turistit, si te mbrëndshëm ashtu dhe te jashtem  nje perkrahje dhe informacion shume të dobishem. Ishte e shkruar në frengjisht dhe shqip, pikërisht kjo kartë. U krijua edhe nje statistike për hyrje dhe dalje të turisteve. Bie fjala, per vitin 1936, numri i vizitoreve te huaj ishte 3742 veta, numri i diteve te kaluara ne Mbreteri 10559, diviza si kapital qe ka hyre ne Shqipëri nga këta ka qënë 125708 franga ari. U bënë lidhje me shoqata turistike nderkombetare si: Qëndrën Nderkombetare të Turizmit, Unionin Internacional, dhe Organin Zyrtar të Propogandës për Turizëm, Zyra Internacionale e Shkëmbimit, Aleancave Internacionale e Hoteleve dhe Aleanca Internacionale e Turizmit. U shkëmbyen përfaqesi turistike me Parisin, Vienën, Amsterdamin, Londrën, Athinën, Pireun dhe Dubrovnikun. U lidh një linjë e rregullt Shkodër – Dubrovnik. U lidhën marrëveshje me shoqërite e flotave për vizita me linjë detare në portet shqiptare e anasjelltas. U kryen 3 filma dokumentarë mbi vendin tonë. Filluan botime dhe afishe në gjuhe të huaja, e kjo në pothuaj çdo shesh, për të treguar se vendi  kishte hyrë në rrugën e botës së zhvilluar. Një nga të fundit ishte modeli mbi automobilizmin, e pikërisht në ato vite,  u krijua dhe Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbreteror.
Çfarë del në proçesverbalin e mbajtur në Shkodër në prillin e vitit 1935-së.
E para është se për pikërisht automobilat vërehej se “nuk ishin të pastër”, “nuk ishin të mbushur plot me benzinë deri në destinacion”, nuk kishin goma rezervë”, “nuk kishin orar udhëtimi” , “nuk kishte çmime bilete të rregullt dhe shoferët nuk tregonin respektin e  duhur”. Kështu që jepej udhëzim, që të merreshin masa të rrepta për të riparuar këto mangësi, dhe sidomos për klientelizmin e shoferëve, që bashkëpunonin me hotelxhinjtë për të devijuar destinacion.
Për hotelet,  detyrohesh ndarja në dy kategori, ajo e para, dhe kategoria tjetër jo kaq e këshillueshme për turistët.  Urdhërohej që wc-të të ishin “alla europiane” dhe pastërtia duhej të ishte primare. Pastaj urdhërohej ndërtimi i dusheve, dhe rezervimi i këtyre dusheve dhe wc-ve për turistët. Ishte një kohë kur akoma nuk kishte dalë orietalizmi ekstrem nga shoqëria shqiptare, dhe normalisht edhe hoteleria ishte pas në këtë drejtim.  Po ashtu lista e çmimeve duhej vulosur nga Bashkia e Shkodrës, dhe ky ishte një hap i madh cilësor, dhe sidomos fiskal i madh përpara, në drejtimin e turizmit. Për restorantet kishte shumë kritika, dhe kryesisht për pastërtinë, dhe po ashtu çmimet tashmë u vunë nën kontrollin fiskal, të detyrueshëm për tu demostruar, dhe kishte gjoba kur abuzohej me to.
U vunë rregulla mbi veshjen e personelit të hoteleve dhe restoranteve. U detyrua veshja e bardhë me krevatë të shkurtër, papion, i cili u trashëgua edhe deri në kohën e sotme.  U vendos me anën e urdhërit dhe proçesverbaleve “pastrimi i qytetit në mënyrë të posaçme në kohën e ardhjes së turistave të huaj. Ky moment eshte një pikë tepër e “kujdeshme” të straregjisë së turizmit, por kishte edhe një pikë që detyronte “izolimin e lypsave dhe të papunëve” në momentet e turistave në të gjithë qëndrat e vizitueshme dhe të qytetit.  Kontrolli i pasaportave kërkohej të ishte rigoroz, dhe i zbatueshëm kurdo dhe kudo.  Gjithsesi urdhërohej të përdorej “shumë takt dhe sjellje e mirë” me turistat dhe vizitorët.  Në fakt, një nga pikat e  rëndësishme të rregullores turistike ishte edhe momenti i “mos daljes së xhendarmëve  me pushkë të gjata” për të mos lënë përshtypjen se “vëndi është në gjëndje të jashtëzakonshme”.  Në pikën G, ishte edhe “Mbrojtja e turistave nga mashtruesit” dhe të gjitha masat për të mbrojtur nga ky fenomen. Urdhërohej që të mirëmbaheshin viset turistike, dhe futeshin kështjellat dhe hanet e vjetra, por edhe urat, kishat e xhamitë, në këtë buxhet të nxjerrë nga shteti. Jepej qartë dhe prerë, këshilla për të organizuar turistat në guida në viset turistike të Shqipërisë dhe në rastin konkret të Shkodrës, dhe kur turistët të ishin të shumtë, duheshin ndarë në grupe të vogla. Do të veprohej në rregullimin e rrugëve dhe urave ku turistët kishin më tepër lëvizje, dhe kudo që mbahej ky proçesverbal, kishte urdhër për riparime dhe mirëmbajtje të thellë dhe të plotë. 
Në fakt detyroheshin prefekturat dhe drejtoritë e arsimit të bashkëpunonin, dhe përfaqësuesit e turizmit duhej të lëshonin faturat e rastit. Patjetër edhe reklama ishte pjesë e marrëveshjeve dhe ajo që rekomandohej ishte parulla “Ti presim turistat si miq”.
Në përgjithësi u vu re në atë kohë, një interes më i madh në hapjen turitike dhe ishte kuptuar se turizmi ishte dhe pjesa kryesore e nxjerrjes së të ardhurave në buxhetin e Bashkive, dhe kryesisht të arkës së shtetit shqiptar. Shkodra ishte një nga pjesët kryesore turistike, dhe marrëveshjet midis pushtetit vëndor dhe agjensive po shtetërore, ishin vendosur mbi baza ligjore. Gjithsesi edhe në vitin 1935-36 dukeshin përpjekje të mëdha në krijimin e atmosferës, dhe kushteve më të mira për turizmin, këtë degë të rëndësishme të ekonomisë së vëndit. 

mercoledì 10 agosto 2011

Austriaket dhe censusi i pare i shqiptareve


Ja si austriakët donin të regjistronin popullsinë në vitin 1918-të

Censusi austriakët në kohën e pushtimit.


Nga Besi Bekteshi


Nuk ka asnjë dyshim, se ata pushtues apo sundues ushtarakisht në territorin shqiptar, që kanë dashur vërtetësisht të regjistrojnë popullsinë e Shqipërisë, kanë qenë austriakët dhe sidomos “Korpskomanda” e tyre ushtarake.
Ishin vitet e trazuara 1917-18-të, dhe të huajt në Shqipëri kishin edhe tentativat e përveçme të një administrimi shtetëror, por nuk është ky shkrimi që merret saktësisht me këtë problem. Ishte kohë ushtrish dhe lëvizjesh nga më të mëdhatë dhe shqiptarët ishin në vështirësi. Por po kthehem në të sotmen. Normalisht që ka pasur një periudhë të gjatë kohe, që nga dalja e vendimit të qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë, dhe pastaj edhe lënin e këtij regjistrimi mbas zgjedhjeve edhe si pasojë e lëvizjeve antiregjistrim për kombësinë, por edhe si një kujdes për të mos djegur oportunitete përpara zgjedhjeve. Gjithsesi në Muzeun Historik në Shkodër, është e ruajtur një qarkore urdhëresë e “Korpskomandës”, për të dhënë edhe detajet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1918-të. Në këtë qarkore urdhër, duket sheshit si austriakët e njihnin situatën, dhe po ashtu kërkonin vërtetësisht të regjistronin shqiptarët, dhe mbas këtij qëllimi ishte edhe zgjerimi i pushtetit politik, por edhe administrimi më i mirë, së paku i atyre territoreve që ishin nën atë kontroll ushtarak në atë kohë . Pra ishte një urdhër i “A.O.K. Gstbs nr 1496, i datës 17 korrik të 1917-tës, që kërkonte regjistrimin e popullsisë në rrethet e të gjitha Bezirkskomandat e Ekspositurave. Pra në të gjitha qarqet dhe donte të caktonte të gjitha llagapet apo mbiemrat e shqiptarëve. Numri një si neni fletushkës ishte “Organizmi i numërimit të popullit”. Urdhërohej vendosja e një “Komisari të Besirskut” dhe po ashtu referencat në organizim të nënprefekturave dhe deri në komisarëve të numërimit, për secilën bashki dhe komunë. Përcaktoheshin qartë detyrat e punonjësve të numërimit dhe regjistrimit, dhe rradhojtë e këtij numërimi të madh në Shqipëri. Kishte një urdhër plan numërimi dhe regjistrimi, por edhe “komisija” apo komisioni, që do të udhëtonte në çdo vend, dhe do të shikonte çdo veprim në regjistrimin e madh të popullsisë. Kishte të caktuar të shumtë edhe në qoftëse se “sekretari diftohej i pa zoti në shkrim, në këtë rast duhej të zëvendësohej nga vetë komisari”.
Pastaj fillonin nenet dhe i pari ishte ai që thoshte: Vendime zbatimi, dhe numri një ishte se “Njerëz, ushtarë, austroungarë, apo të ushtrive të beslidhura, si dhe rob lufte, nuk do të shtihen në numërim”.
Do të numëroheshin rradhorët, pra librat e regjistrimit, pastaj krerët e rradhorëve. Pastaj do të fillonte regjistrimi i ndërtesave, dhe këtu futeshin të gjitha përfshi dhe vëndet e kultit dhe gazermat. Regjistrimi vazhdonte me “pjesët e vendit”, pra lagjet apo mëhallat, me emrat përkatëse dhe kufijtë. Por në të gjitha rastet, numrat e shtëpive dhe në qoftëse kishte gabime, duheshin ndrequr. Mbas këtij veprimi, vinte “mbarështrimi i shtëpive” pra njerëzit apo banorët. Jepeshin edhe modalitetet për raste të ndryshme. Do të shënohej edhe “gjendja e mbarështruesit apo zotit të shtëpisë” dhe neni 10-të, kishte edhe pyetjen e të zotit të shtëpisë. Duhej patjetër që komisioni të pyeste për gjendjen dhe komshinjtë apo kushërinjtë, apo banuesit me qira etj., etj. Mbas kësaj vinin “ndëshkimet” në qoftëse “komisija” , apo komisioni, vinte re që ka “diftime të pa drejta”. Neni 12-të kishte përcaktimin e “gjinisë” dhe burrat detyroheshin të dilnin të gjithë përpara komisionit. Kurse për femrat thuhet në qarkore se “do të ishte e dëshirueshme për të ardhur, por nuk mundet të ketë shtrëngim për këtë gjë”. Neni 13-të ishte edhe përcaktimi i moshës, i cili është e caktuar si një proces i vështirë, por që kërkohej të kryhej me një mënyrë të caktuar. Caktohej qartë se duhej ruajtur nga mashtrimet dhe “diftimet e shtrembra”. Neni 14-të, ishte përcaktimi i vendit të lindjes dhe 15-ta shtetësia. Shtetësia ose “tabi-jeti” do të vërtetohej edhe për ato që “nuk kanë të ngulun në nji vënd”. Pra edhe njerëz të ardhur, por që janë ngulur si zota tokash apo si tregtarë prej shumë vitesh. Por edhe në qoftëse gjinden si të ardhur, do të kishte një klauzolë për tu shënuar edhe vëndi nga kanë ardhur. Neni 16-të, ishte “Besimi” dhe thuhej se “për punë besimi do të shënjohen damas, apo veç e veç, katolikët romakë e grekët e bashkuem, e po ashtu orthodhoksët orientalë, orthodhoksët grekë, serbë e bullgarë. “Degës mohamedane të Bektashinjve do ti jepet nji kujdes i veçantë”, thuhet në qarkoren. Normalisht duke qenë se shumica e popullit ishte e besimit islam, kjo nuk diskutohej si një sistem shënimi dhe përcaktimi. Por ajo që sot diskutohet dhe thuhet në problematikën e regjistrimit e që ka bërë polemika të mëdha dhe organizime të larta te ne, është në nenin pasardhës. Pika 17-të ishte “Kombësija e Popullit” dhe thuhej se “si kombësi do të njihet ajo që difton i pyetuni”. Pra ishte me dëshirë, por ama shtohej se ishte e vështirë dhe sepse në shumë raste “ nuk mund të ndajnë kombësinë nga besimi dhe “diftohen në shumë raste turq”, pra organet e numërimit do të vërtetojnë çfarë gjuhe flitet lirshëm në shtëpi. Kurse për vllehtë “vihet re” se shumë herë e thërrasin veten zinzar dhe Arumun.
Qarkorja sqaron se “Gabelit (arixhinjtë) të shënjohen përherë si Gabela ose Arixhinj, dhe në qoftëse gjuha e tyre është shqip. Këtu qarkorja kërkon të ndajë kombësinë e tyre nga ajo e shqiptarëve. Por ama qarkorja thotë edhe se: “Duhet të bëhet ndryshim ndërmjet të gabelëve të ngulur dhe atyre shtegtarë dhe kuptohet se statistika e këtij momenti, kërkon të jetë sa më e qartë. Neni 18-të kërkonte edhe përcaktimin e diturisë së shkrimit dhe kjo duhej bërë me provë. Pika 19-të kërkonte “gjendjen e familjes” dhe sqaronte se mohamedanët kanë të drejtë për më shumë se një grua, dhe jo më shumë se katër. Pastaj vinte edhe pika 20-të që ishte “dega bujqësore” , pra kush punonte tokat e tij, dhe kush me qira apo nuk kishte etj etj. Vazhdonin pikat për zanatet, për zanatin kryesor dhe duheshin të dhëna të imta në këto raste. Kërkohej të dihej kush ishte pa zanat dhe i pa punë dhe shumë e shumë sqarime të tjera mbi gjendjen vetjake dhe sociale. Në fakt, ishte një pyetësor rrënjësor dhe esencial për të pasur dijeni të plota mbi gjendje shoqërore të asaj kohe. Kurse nga pikat e fundit ishte ajo 25-së që detyronte që i gjithë pyetësori të mbushej si në shqip dhe gjermanisht duke ditur se ishte pikërisht gjuha e pushtetit të Austrisë, që po merrte këtë iniciativë kaq të madhe. Më vonë, ishin pikat e cilësimit të regjistrimit dhe verifikimit të pyetësorit i cili mbyllej me pikën 28-të që ishte “Të mbyllunit e numërimit të popullit e të caktuemit të emrave”. Koha e caktuar ishte deri me 31 maj të 1918-tës. Qarkorja kishte edhe një prapashtesë për sqarimet në rast se njerëzit nuk gjendeshin, por dhe kopjen e dytë të numërimit të popullit dhe dhënien e dëshmisë të qartë tashmë në çdo “Bezirk” prej zyrës së përgjithshme të statistikës. Gjithashtu në fund, ishte dhe një format i fletës së regjistrimit, në të cilën detyroheshin qartë edhe kërkesat dhe vendet e plotësimit korrekt.
E gjitha kjo iniciativë për regjistrim, ishte përpjekja e parë serioze e cila nuk është se ka pasur shumë sukses për arsye të kohës së turbullt dhe për arsye se ishte një iniciativë e njëanshme, por duhet sqaruar se pyetësori ishte shumë serioz dhe që merrte parasysh shumë situatën e asaj kohe në trevat shqiptare. Nuk është hera e parë që kërkesa për regjistrim, ka pasur edhe atë kërkesë për të cilën sot ka shumë dilema dhe shumë polemika. Gjithsesi kërkesa edhe atëhere ka qenë dhe saktësisht e vrojtuar si një fenomen problematik edhe për atë kohë, por kërkesa ishte e mirë përcaktuar si e tillë. Sot kemi një moment tjetër, krejt tjetër, por ama regjistrimi i shqiptarëve apo popullit, duhet bërë. Sepse edhe në krye të qarkores ligj thuhej edhe në atë kohë. Numërimi i popullit 1918-të.