Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 29 marzo 2013

George Fred Williams, i pa dëgjuar akoma mirë në çiltërsinë e tij për shqiptarët.



Kur Europa vonon erën dhe veprimin e saj, menjëherë fryn era sundimtare e lindjes.
 George Fred Williams, i pa dëgjuar akoma mirë në çiltërsinë e tij për shqiptarët.


Opinion- Koment
Besi Bekteshi

Kur një vënd e lejon të jetë fushë betejë kulturore, kur akoma je në mëdyshje në se është pjesë e jotja apo jo, normalisht që dikush tjetër do të kërkojë të mbushë këtë mungesë të trysnisë historike dhe etnokulturore. Për më tepër se tenton ta mbushë dhe do copën e tij, një pushtues që normalisht me pushtimin e tij, ka ndalur zhvillimin dhe drejtimin kulturor të natyrshëm të këtij vëndi.
Sot lind sërish debati nga shtysat e neo-otomanizmit, mbi rregullimin e historisë së shkruar tonën, por ne raport me perandorinë osmane. E para, Turqit e sotëm që normalisht i kanë dhënë një goditje sekularizmit të tyre, përpiqen të kapin edhe një herë hapsirat kulturore dhe ekonomike të ish perandorisë. Ti kapin ekonomikisht, por të zbusin kulturalisht edhe pushtimin e dikurshëm. Ka një ngjizje të plotë të Turqisë së sotme me perandorinë e djeshme, dhe me sa duket kjo është detyra e tyre. Po detyra jonë kush është në një kohë partneritetesh? Detyra jonë është përballja kulturore dhe historike, duke pasur të qartë drejtimin për të cilin jemi nisur, dhe kemi qënë, por që perandoria e madhe e dikurshme e turqve të sotëm, ndali me dhunë dhe me sundim. Nuk ju pëlqen fjala dhe termi dhunë, dhe me sa duket, duan sot të largojnë nga fjalori jonë dalëngadalë edhe fjalën pushtim dhe më vonë edhe sundim. Normalisht që në diktaturë, historianografia edhe për hatër të ideologjisë ishte padrejtësisht me fakte të ashpra, por të vish sot dhe të thuash më “quaj pushtim elegant, të dashur dhe të mirë pritur” kjo pastaj, të bën që të jesh vërtetë i rreptë dhe i drejtpërdrejtë kundra kujdo pushtuesi, që ka lënë mbrapa kulturën dhe vedijen, pronën, dhe të gjitha në këtë vënd. Ishte ajo perandori, që trajtoi me investime dhe ndërtime gjithkund, por në Shqipëri jo, askund. Nejse, po i referohem një personi të njohur, një njeriu që pa tragjedi të madhe në vitet 1913-14, ose në 100 vjetorin e betejave të mëdha në Shqipëri, përpara fillimit të luftës së parë botërore. Ky njeri ishte ambasadori amerikan në Greqi dhe Mal të Zi ose George Fred Wiliams, i cili në një akt madhështor jep dorëheqen nga këto detyra të mëdha të dhëna nga shteti amerikan, për të mbajtur një qëndrim pro shqiptar, raportuar pro shqiptarëve, duke ju rënë ndesh politikës së ditës, dhe për të qënë jashtë ndikimit si person kur të raportonte. Ai shpjegon në librin e tij, gjëndjen dhe tragjedinë e popullit më të vjetër të Ballkanit, dhe pastaj futet në temën se çfarë duhet bërë.
Po e lidh tashmë një kapitull të tij me qëndrimin ambigue të Europës karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai shkruan si titull “Europa përkrah sundimit turk”!
Në fillim thuhet: Europa ka njohur karakterin e keq të sundimit turk. Për turp të kësaj diplomacie, i është thënë kjo e vërtetë në shesh, por gjithë këtyre protestave,  fuqitë e mëdha i janë përgjigjur : Shqiptarët janë një racë e egër!!
Sot një pjesë e madhe e guximit të Turqisë për të bërë sundim të ri edhe histori të re, vjen sërish nga ambiguideti i Europës me vonesat e saj. Me tolerimin e saj, në saj të idesë se “klasa politike” e vëndit është e egër!! Në saj të ambiguitetit, në se ti trajtojmë shqiptarët si “tonët apo tyret”, pra turqve, dhe për më tepër në ambiguitetin e tyre legjendar që vazhdojnë të dyshojnë në se bëjnë apo nuk bëjnë mirë që ti fusin në BE, sëbashku me të tjerët. Nuk mohoj aspak rolin dhe dashamirësinë e tyre, por akoma nuk janë bindur se shqiptarët janë ndryshe edhe pse duken “dreqër”. Po, edhe sot!!
Që në 1914-të, Williams thoshte se:Turqia gjatë shekujve e njohu pazotësinë e saj dhe pamundësinë për të shkelur malësorët. Asnjë ushtar turk nuk mundi të hyjë në brëndësinë e maleve. Por edhe Europa, në planet e saj, traktate, është munduar ta fshijë emrin e këtij populli nga rradha e popujve dhe Shqipëria nuk njohu traktatin e Berlinit dhe tani nuk do të njohë atë të Londrës! E këto i thotë një amerikan. Absolutisht nuk duhen mohuar europianët për rëndësinë e kombformimit tonë, por në përballje me Turqinë ju duhet thënë e drejta. Williams ka denoncuar “diplomacinë e fshehtë” dhe e denoncon atë si fajtore e cila mbajti në sundimin e ndyrë të Turqisë dhe këtë e thotë sërish një amerikan për Europën e 1880. Biles ai thotë për 1914-tën se: Europa pruri një princ, një komision ndërkombëtar dhe një organizatë të huaj xhandarmërie për të sunduar Shqipërinë, si duket pa e menduar aspak  që edhe ky popull duhet të ketë një zë në qeverinë e tij. Kjo qe haptazi një tirani absolute, dhe këtu diplomati demokrat amerikan, tejkalon edhe vetveten. Populli i Shteteve të Bashkuara, nuk e di faktin që unë po i shkruaj këto fletë vetëm për t’i parashtruar këtyre ndodhinë e dhimshme të Shqiptarëve trima, të cilët lypin lirinë e tyre, të fëmijve, dhe të nipërve të tyre, vazhdon Williams. Pastaj ai i referohet një francezi kur thotë se çfarë mund të bëjnë SHBA-të: Anton Arnu, një gazetar i shquar frëng, më 19-të Dhjetor të vitit të kaluar tha për Shqipërinë: “Me një popullsi më pak se një milion dhe me një sipërfaqe afro 34.299 km katror, Shqipëria është një vend i pazhvilluar dhe populli i pafat i saj është duke vdekur. Kjo rrjedh drejt përsëdrejti nga sundimi i keq dhe i padrejtë gjatë shekujve. (Pushtimi Osman shënim i imi) Praktikisht s’ka rrugë e ura, e asnjë udhë hekuri,s’ka të holla ose kredit dhe është e rrethuar nga të gjitha anët prej luftash përveç ballit të Greqisë, por edhe këndej është viktimë e intrigave. Përsëri ata meritojnë të jenë më mirë. Ata nuk vodhën Pjetrin për të paguar Palin; ata nuk kanë qenë fallco në punën e tyre. Shqiptarët janë një popull i mirë, por mjerisht pa agjentë shtypi”. “Pa agjenta shtypi!” E vërtetë! Si popull i panjohur,  ka nevojë për agjentë shtypi që historia e Shqiptarëve t’i bëhet e ditur popullit Amerikan, t’i bëhet e ditur edhe se Shqiptarët janë burra dhe gra simpatike, mëshironjës e liridashës, në mënyrë që Amerika t’i japi dorën këtij populli, për ta ngritur nga mjerimi në një jetë të rë e të lirë. Williams, është nga të parët amerikanë që duan afrimin e Shqipërisë me Amerikën tashmë vëndin e parë të botës, dhe demokracinë e parë të botës, dhe për më tepër tregon edhe km katror që i duheshin pikërisht Shqipërisë.
Gjithsesi për të bërë shtetin e tij veprues Williams thotë: Bamirësi apo drejtësi dhe vazhdon:  E kuptoj, se mendimi më i parë dhe e para gjë që populli i jonë (amerikan) do të thotë është se “Amerika nuk duhet të zhysi duart në punët e përgjakshme të Europës”. Por në anën tjetër, çdo rast për bamirësi prej nesh është i mirëpritur. Miliona dollarë po kalojnë oqeanin për t’u ardhë në ndihmë viktimave të luftës që vuajnë në Belgjikë, në Rusi, në Serbi dhe në Francë. Sigurisht, mëshira për të shpëtuar edhe popullin e përvuajtur Shqiptar, do të tërheqë patjetër zemrën e popullit Amerikan. Por nuk është punë e mirë, të nëpërkëmbësh  këtë popull, vetëm për të ngjallur viktima të reja për në frontin e tiranisë, padrejtësisë dhe të varfërisë. Mbi këtë popull ndihma për ta nxjerrë nga varfëria dhe ndihma për t’i siguruar lirinë, duhet të shkojnë doradorës. Që Shqipëria është përdorur shumë keq prej Europës s’ka dyshim. Për t’u dhënë fund gjithë padrejtësive mund të përdoret vetëm e drejta. E, kjo ishte koha, dhe Williams e thoshte, por dhe Europa po fillonte luftën e  saj botërore, duke treguar se edhe ato pak gjëra të mira që bëri për Shqipërinë, do të dyshoheshin.
Ai kërkon pavarësinë e plotë dhe thotë: Gjashtë fuqitë Europiane, krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët me formimn e një qeverie, e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia Shqiptare nuk mbeti e pa bërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit Shqiptar. Sër Eduard Grey mund t’i përsërisi fjalët e bukura të Gladstonit dhe të gjithë njerzit nën armë, duhet të presin më gëzim një qeveri të rregullt. Në qoftë se me gjithë ndihmat e dhëna, bashkimi Shqiptar nuk bëhet, atëhere faji bie mbi Shqiptarët vetë. Ata nuk mund të shpresojnë kurrë më për kushte më të favorshme se këto të sotmet, për të fituar lirinë dhe vetqeverimin e tyre.
E kjo ishte dhe është edhe kryevepra e Williams-it të madh. Kjo vlen edhe për sot.
Në këtë mes, duhet gjetur edhe për sot rruga jonë dhe jo diskutimi se çfarë do ti bëjmë historisë me Turqinë. Historia me shtetin aziatik, ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Ne jemi popuj miq pikërisht se jemi sot jashtë tyre, administrimit të tyre dhe historisë së tyre. Jemi  miq, por nuk jemi vëllezër. Nuk kemi vokacionin e tyre, dhe nuk kemi as të njëjtat male dhe as të njëjtin teritor, dhe tashmë as të njëjtën kulturë. Depërtimi i telenovelave dhe të traditës së tyre, është pjesë e largimit disi të Europës dhe krizës së saj të sotme. Punët me Turqinë janë ndarë, dhe këto i ka ndarë lufta dhe Rilindja Jonë Kombëtare njëherë e përgjithmonë, dhe ato jetojnë në zonën e tyre të Azisë dhe ne në Europën, në të cilën ky popull i vjetër ka gjuhën dhe zakonet e lashta, ADN-në dhe kulturën.
Pra vetëm një Europë jo e interesuar bën që interesimi i Turqisë të jetë për të shtrirë neo-otomanizmin e saj kulturor dhe ekonomik, që pastaj të thotë se kam edhe kulturën time aty. E identiteti kombëtar, është identiteti kulturor në rradhë të parë. Ky është qëllimi i Turqve, dhe këtë qëllim ato duan ta arrijnë kur Europa nuk e ka mëndjen te ne.