Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

sabato 8 settembre 2012

NY Times per Shqiperine e vitit 1977




Imagjinata e analizës në NY Times, “se shqiptarët presin ndryshim” në vitin 1977.




Koment-Dossier


Besi Bekteshi


Normalisht që në verën e vitit 1977, në perëndim po kuptohej se parimet e Enver Hoxhës, ato parime staliniste të tijat, po e prishin edhe me Kinën, ose vëndin tashmë “revizionist” që kishte zëvëndësuar vëndin tjetër mik edhe ai revizionist. Në një nga shkrimet shumë të rralla, të testatës më të madhe amerikane New York Times të 28 korrikut 1977-të që bën fjalë për Shqipërinë dhe i shkruar nga “MALCOLM W. BROWNE” tregohet gjëndja katastrofike e vëndit të Enver Hoxhës. Tashmë stalinisti Enver Hoxha, me vëndin e vetëm ateist të shpallur në botë, dhe të një varfërie ekstreme, po prishej ideologjikisht edhe me Kinën e mbas vdekjes së Mao Ce Dunit e cila kishte filluar marrëdhëniet me SHBA-të. Artikulli është i shkruar në fakt nga Beogradi dhe natyrisht politika e asaj kohe në Beograd, ka ndikuar edhe në artikullin e New York Times. Në fillim të artikullit të rrallë, por tashmë të detyruar për Shqipërinë thuhet: Nëse ndarja rezulton serioze, siç vlerësohet nga zyrtarët jugosllavë, Enver Hoxha, udhëheqësi shqiptar, do të përballet me një vendim të rëndë. Për më tepër, Shqipëria do të duhet të hapë më shumë dyert për tregti dhe kontakte të tjera, gjë që gërryen në këtë mënyrë pushtetin e tij absolut, ose vendi do të përballet me varfëri dhe skamje. Pra politika e botës po kuptonte se “ose Shqipëria do të hapej dhe do të shkonte drejt fundit të diktaturës ekstreme që kishte, ose do të mbyllej dhe do të shkonte në pikërisht varfërinë më ekstreme në sëpaku Europën e qytetëruar. Kjo e dyta ndodhi dhe me sa duket shpresa si e politikës jashtë dhe ajo në Beograd për një “hapje”, ishte vetëm një ëndërr. Titulli në fakt i artikullit është “Albania, ideology-bound, may lose its ally” që pak a shumë duhet shqiptuar si “Shqipëria humbet aleatët për besnikëri ideologjike” dhe këtu sillet edhe tema e rëndësishme në përgjithësi. Perendimi, por dhe fqinjët e Shqipërisë e dinin se tashmë shqiptarët po të mos lëviznin drejt hapjes....do të hanin barë. Artikulli pastaj vazhdon për të sqaruar edhe modelin e Enver Hoxhës duke shkruar se: Që në fundin e Luftës së Dytë Botërore, zoti Hoxha, i cili tani është 68 vjeç, kishte marrë modelin e drejtimit të tij sipas Stalinit dhe më pas atë të Maos. Zoti Hoxha, ka refuzuar atë që quhej “revizionizmi” i Nikita Hrushovit në Bashkimin Sovjetik, apo të presidentit Tito në Jugosllavi, dhe tani të udhëheqësve të rinj në Kinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai nënshtroi komunistët rivalë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka spastruar Partinë Komuniste të Shqipërisë, shpesh duke ekzekutuar edhe kundërshtarët e tij. Kjo ishte edhe një dilemë tjetër nga ato jashtë në fakt...!! Ashpërsia e të tilla spastrimeve ishte kuptuar nga shumë analistë të huaj se Zoti Hoxha po përballet me një opozitë serioze. E në fakt, këtu ishin gabim, po gabim fare, sepse asnjëherë Enver Hoxha nuk ka pasur ndonjë opozitë serioze jo vetëm në partinë e tij, por dhe jashtë saj dhe eleminimet edhe të mendimit, ishin akoma më të mëdha në saj të popullsisë së vogël edhe se në Kinë dhe BRSS. Mbanin shpresë atëhere në perëndim se “zgjatja e pozitave të Hoxhës ishte e lidhur me Kinën” dhe ky është edhe gabimi tjetër i analistëve, të cilët nuk arrinin të merrnin me mënd ekstremin genocid kulturor dhe ushqimor, që Hoxha mbas prishjes me Kinën, do ti sajonte popullit të tij. Pastaj fobinë e izolimit të Hoxhës jo vetëm ndaj imperializmit amerikan dhe socialimperialistëve sovjetikë, por edhe fqinjëve e sqaron dhe me Kosovën dhe teritoret shqiptare jashtë trungut prej 28 mije km katror. Në artikull thuhet: Disa prej shkaqeve të izolimit të Shqipërisë, me një popullsi 2.5 milionë banorë, janë të bazuar te frika prej fqinjëve të saj. Rreth 1 milion banorë jetojnë në rajonin e Kosovës në Jugosllavi. Beogradi është i shqetësuar kohë pas kohe se shqiptarët mund të shqyrtojnë mundësinë të krijojë bashkimin mbarëshqiptar duke marrë Kosovën. Në anën tjetër, Tirana zyrtare shqetësohet se Jugosllavia mund të mund të shqyrtojnë mundësinë që të marrë Shqipërinë nën zotërimin e saj vetjak, duke aneksuar të gjithë shtetin shqiptar. Një tjetër irritim i Tiranës është për faktin e të qenit e informuar se shqiptarët në Jugosllavi janë të varfër, përgjithësisht të pa-arsimuar, dhe me një nivel lindjesh dhe vdekshmërie të lartë.
Sipas një zyrtari jugosllav, “të dallueshëm lehtësisht nga kësula e tyre konike dhe veshjet kombëtare plot ngjyra, shqiptarët në Jugosllavi janë trajtuar, siç trajtoheshin dikur zezakët në Shtetet e Bashkuara”. Pra artikulli që nga Beogradi kishte të qartë edhe politikat rajonale dhe të marrëdhënieve me Kosovën në përgjithësi. Në fakt është viti 1977-të dhe konsiderohen kosovarët të varfër dhe të pa arsimuar dhe ndoshta për të dytën mbase edhe ka të drejtë artikulli, por vafëria e shqiptarëve të Shqipërisë tashmë nuk kishte arritur të kuptohej, dhe sot ne dimë mirë se Kosova në ato vite kishte mbi 10-të herë nivel më të lartë, se sa ne, duke pasur edhe prona dhe liri lëvizjeje. Patjetër kjo ishte edhe një pikë habitje, sepse vëndi i Hoxhës ishte i plotësisht izoluar. Mbasi trajtohet ana e ateizmit, vjen problemi te refuzimi i ndihmave nga Hoxha edhe në një kohë kur Kina kishte ndaluar vaporët të vinin me patate dhe grurë në Shqipëri. Në artikull thuhet: Në kongresin e partisë të nëntorit të kaluar, zoti Hoxha ripërsëriti refuzimin e tij të pranojë ndihma nga çdo vend, Perëndimor apo blloku Sovjetik dhe në një adresim për vendet neutrale, ai denoncoi “sistemin vetadministrues të Titos si një armë e doktrinës borgjeze.
Ai thotë se Kushtetuta e vitit 1976 synon të “bllokojë rrugën e revizionizmit” dhe të mbrojë Shqipërinë nga eksperienca negative e disa vendeve në të cilat u braktisën parimet e diktaturës së proletariatit me formulimin magjik të revizionizmit, arma më e rrezikshme e kundër-revolucionit”.
Ndërkaq, rreth 50% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë është me Kinën dhe gjysma e tjetër me vendet të Europës Lindore. Shqipëria nuk ka marrëdhënie tregtare me Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Prapambetja e Shqipërisë shfaqet kudo. Tashmë habija është akoma më e madhe, por pretendimet e analistëve shkojnë drejt jo të pamundurës me një popull të tillë. Artikulli vazhdon me fundin e tij të një analize të përciptë, por që tregon se fati i Shqipërisë i është lënë vetë popullit të saj. Po, sepse Shqipëria për nga dogmatizmi, varfëria dhe izolimi ja kalonte çdo vëndi tjetër lindor dhe vetë Kinës. Pra ishte diçka e pa shpjegueshme qartë dhe mirë nga perendimorët, që nuk lejoheshin të hynin si reporterë në Shqipëri. Në artikull thuhetoxha nuk ka pasur nndonj:Një diplomat Perëndimor që e vizitoi rastësisht Tiranën thotë se “çështja është sesa gjatë shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë këtë jetë me varfëri në këtë regjim spartan dhe me një pastërti të tillë ideologjike. Asnjë nga turistët e paktë Perëndimorë që kanë mbërritur në Tiranë, - me përjashtim të atyre amerikanë, pasi nuk janë lejuar të vijnë në Shqipëri, - përfshirë edhe ne diplomatët, nuk janë lejuar të shikojë apo dëgjojë ndonjë gjë”. “Por, ne mund ta marrim me mend se atje duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të mirëpresin një ndryshim”. E para kishte një gabim të madh diplomati sepse krahasonte regjimin spartan me regjimin e Enver Hoxhës që është si të krahësosh parmëndën e tërhequr nga qetë, dhe atë të tërhequr nga njerzit...në vënd të qeve. E dyta, është fjalia e rëndë e cila i vendos perendimorët në pozita inferiore me regjimin stalinist të Tiranës ku thuhet se “por ne mund të marrim me mënd se atje janë shqiptarët që duan ndryshim”. Akoma më keq është kur thuhet edhe fraza “pastërti ideologjike” që të lë të kuptosh se “Hoxha” është një ideolog marksist leninist....kjo ishte fare pastaj. Një person që po ruante vetëm kolltukun e tij nëpërmjet stalinizmit perceptohet me “pastërti ideologjike...!!?


Normalisht si vëmëndja e artikujt edhe në një testatë kaq të madhe ishin të pakta për Shqipërinë, por ajo që kishte më rëndësi ishte se në momentet gjatë luftës së ftohtë, Shqipëria ishte vetëm një ishull i banuar nga qënie të cilat pothuaj nuk kishin lidhje me teritorin kontinental ku banonin.