Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

mercoledì 29 febbraio 2012

Lavdet e te huajve per shqiptaret


Vlerësimi i lartë i kombit shqiptar nga perendimorët, një  motiv krenarie për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Opinon-koment
Besi Bekteshi

Në një foto të vjetër në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, duket Edith Durham në krye të disa luftëtarëve malësorë dhe shkodranë, të cilët janë në pozicione. Normalisht pastaj një dorë e kujdesëshme ka shkruar edhe disa vlerësime të saj për racën dhe kombin tonë. Por unë sot, po ndalem te një nga thëniet lapidare të saj në vitin 1905-së e cila po realizohet sot. Në librin e titullar “The burden of the balkans” shqiptaromadhja thotë: "I assure you they are Bismarcks — veritable Bismarcks. Some day they will demand, and Europe will have to give them what they ask!"- Unë ju siguroj se ato..shqiptarët...janë Bismarks-Bismarkët e vertetë. Një ditë, ato do të kërkojnë, dhe Europa do të duhet t’ju jap atë që kanë nevojë....! Por ajo vazhdon: Ato mbajnë fjalën e dhënë, dhe munden të jenë përgjithnjë të ndershëm...!! Në fakt, nuk është fjala në se janë gjermanët përpara nesh, se kjo është e ditur si pellazgë dhe ilirë që jemi, por se jemi popull perendimor dhe në natyrë për të qënë gjithmonë të tillë. Në të vërtetë  kemi treguar se kemi mbajtur fjalën në lidhje me perëndimin, dhe perëndimi e ka vërtetuar sot këtë gjë duke na dhënë atë ç’ka duhet të na jepnin. Sigurisht një Shqipëri në NATO dhe afër BE-së,  dhe pavarësia e Kosovës e vërtetojnë edhe profecinë emblematike të zonjës britanike dhe shqiptare njëkohësisht. Por David Herbert Croly, i cili ka qënë një lider intelektual, editorialist, filozof politikan dhe bashkëthemelues i revistës “The New Republic” thotë për shqiptarët në volumin nr 5 të vitit 1915-të  kështu: Shqiptarët janë populli më i vjetër i ballkanit, dhe kanë qënë në sundim të maleve të tyre prej kohësh së kujtuara. Ato rrjedhin nga pellazgët e vjetër dhe gjuha e tyre është çelësi, për emrat e zotave, dhe heronjve të Homerit. Asnjë racë tjetër nuk mund të ketë pretendim të vlejtëshëm për teritorin në zotërim të shqiptarëve....!! Më qartë dhe më thellë se sa kaq, nuk mund të vlerësohen raca dhe populli jonë në vitin 1915-të.
                       Në vitin 1919-të “ New York Times” shkruante: Është tashmë mirë e konsoliduar se shqiptarët janë direkt pasardhësit e të parëve arjanë, që ishin të prezantuar në epokën historike nga tributë ilire, maqedonase dhe epiriote. Saktësisht kjo në New York Times - current history: the European war, Volume 17-të, dhe tregon se si në atë kohë kjo testate e rëndësishme e botës bënte një politikë proshqiptare kur vëndi vuante, dhe ishte në formim shtetëror. Asnjë dyshim se testata donte që shqiptarët të vendoseshin në rradhën e popujve elitarë të botës.  Por testata tjetër e madhe “ The Indipendent” në vitin 1913-të, kur Shqipëria sidomos në Shkodër ishte në rrezik të madh shkruante:  Në periudhën antike, Albania-Shqipëria e veriut ishte e njohur si Iliria, kurse jugu si Epiri. Ja një eksperiment i rrallë për tu testuar – formimi i shteti i përbërë nga një popull që ka mbetur primitiv, me një antikitet të pa ndërprerë në zëmër të Europës për 3000-jë vite....! Kjo e botuar në “The Independent”, Volume 75 dhe si original në "University of Michigan". Normalisht që ishte e kuptueshme qartë se çfarë po kërkohej nga perëndimi për të bërë dhe kuptuar .... për shqiptarët. Akoma më shumë “North American Review” ka qënë revista e parë letrare në SHBA, e themeluar në Boston në vitin 1815-të nga gazetari Nathan Hale ku në vitin 1929-të shkruhej: Historianët kanë vërtetuar në përgjithësi se shqiptarët janë grupi racor më i vjetër i ballkanit, një grup banorësh përpara helenëve në gadishull....nga momenti që rrënjët e kësaj gjuhe – shqiptare, gjinden më përpara në antikitet,  mund të vlersohet nga fakti se janë prova që emrat e hyjnive greke dhe disa fjalë në greqisht, kanë ardhur nga gjuha shqip...!! E gjitha kjo në “The North American review”, Volumi 227 dhe autorë Jared Sparks, Edward Everett, James Russell Lowell, Henry Cabot Lodge të edituara nga “University of Northern Iowa”, 1929.  Patjetër që kishte edhe në këtë kohë një ngritje të madhe të vëmëndjes sidomos në SHBA, për shqiptarët dhe racën e tyre të vjetër, por dhe të një gjuhe të rëndësishme. Për të mos e lënë vetëm perëndimin në vlersime mund të theksoj se edhe Aristoteli thotë në antikitet se: Thonë se Ilirët, të quajtur Taulantë, bëjnë verë nga mjalti....dhe shpjegon se si kryhej ky veprim.
Njeriu i albanologjisë dhe fotografive të jashtëzakonshme për Shqipëtarët ose Maksimilian Lambertz shkruan se: Historia e vërtetë e njerzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët do të merrin pjesë...!! Kjo është në “Albanien erzählt: ein Einblick in die albanische Literatur. Übersetzt und herausgegeben. Literatur der Volksdemokratien, 7”  (Berlin: Volk und Welt 1956)
I njohuri Charles Woods thotë në librin e tij “Turqia dhe fqinjët e saj” kështu: Shqiptari është një burrë me devocion deri në vdekje. Kur është marrë në shërbim, ai jo vetëm që është një punëtor i sigurtë, por edhe një mik besnik dhe i sinqertë në të gjitha, por dhe mbrojtës i dobishëm në vështirësitë eventuale që dalin....! 
Në vitin 1888 Edgar. L.Wakeman mbas shumë kërkimeve thotë  këtë për gjuhën e shqiptarëve – Gjuha e shqiptarëve është gjuha e ilirëve antikë, por edhe shumicës së maqedonasve dhe ndoshta e grekëve shumë më tepër se sa kufijtë e sotëm....!! Këtë gjë e ka deklaruar në "The current", Issues 238-252 botuar në Journal, magazine : Chicago, lll. : Edgar L. Wakeman, 1883-1888.
Në “Les pays balkaniques (1915)” gjenerali Gustave Niox me editor Delagrave, Paris, i publikuar për herë të parë në vitin 1883 në “Géographie militaire” shkruan ndër të tjera se...shqiptarët thuhet se janë një nga racat më të bukra dhe kurajoze...!
Kurse Eugene Pittard thotë për kurrajon e shqiptarëve se...kjo është një nga virtutet parësore si për burrat dhe për gratë. Gratë suljote ishin shqiptare të vërteta. Do të mbeten në histori për shëmbullin e tyre dhe askush nuk mund të jetë si ato...!!
Në librin The Balkan Wars, 1912-1913 me autorin Jacob Gould Schurman, ky i fundit shkruan: Edhe pse fuqitë e mëdha ju kanë dhënë një gurvernant, princin gjerman Wilhelm Vid, aty nuk ka një shtet të organizuar. Shqiptarët janë një nga racat më antike të Europës në mos me antikja….por ato nuk kanë pasur kurrë një shtet të tyrin…!
 E sërish Eugene Pittard thekson se...shqiptarët janë pasuesit më autentikë të ilirëve antikë. Ato zënë një hapsirë ku para ardhësit e tyre, kanë ditur të mbrojnë me një heroizëm pa asnjë krahësim. Kujtohen vështirësitë ushtarake që janë detyruar të përballojnë romanët kur donin të pushtonin Ilirinë. Është e njohur që shqiptarët nuk kanë qënë kur të thyer në gadishullin ballkanik nga otomanët. Historia e Skënderbeut nuk është harruar..!!

Ka edhe shumë e shumë të tjerë që kanë ngritur koshiencën kombëtare tonën, i kanë dhënë të drejtë racës dhe gjuhës, apo historisë tonë, dhe kjo është për këtë 100 vjetor të pavarësisë një diçka që duhet etiketuar me një respekt të madh.
Gjithsesi të huajt e ndryshëm kanë dalluar se në historinë tragjike, por edhe fatlume të një populli i cili ka pasur vështirësi të mëdha,  bën pjesë kurrajoja, trimëria dhe trashëgimia e madhe kulturore dhe gjuhësore.
Kjo është edhe ndihma më e madhe që i kanë dhënë individë të tillë të spikatur, pikërisht shqiptarëve në kohën kur vendoseshin fatet e Shqipërisë, të krijimit të shtetit shqiptar. Të tillë të huaj duhet të nderohen absolutisht njësoj si rilindasit tonë, luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë.
Kjo është edhe ajo që mund të bëjmë ne, duke i vendosur edhe një sasi të madhe të njerzve të perëndimit, të historinëve dhe albanaologëve që njohën dhe vlerësusan lart historinë dhe shqiptarin, si racën me antike në Ballkan dhe Europë. Pikërisht asaj Europe të cilës sot, ne duam ti bashkohemi politikisht dhe ekonomikisht.

besibekteshi@gmail.com
Historian, pergjegjesi i Arkivit te Muzeut Shkoder




venerdì 24 febbraio 2012

Curruption & absurd

Robinson Vandeleur, me “Shqipërinë në Rrugën e Lirisë” si atëhere dhe tani!
Një shërbëtor i shtetit si i varfër në origjinë ka bërë një shtëpi të bukur, çmimi i saj mund të vijë në një mënyrë apo një tjetër nga fondet publike, nga tangentet-nën dorë.

Koment
Besi Bekteshi
Shkrimtari britanik Robinson Vandeleur, por edhe një figurë ushtarake si një bir koloneli, me studimet e kryera në Kembrixh, pikërisht në “Emmanuel College” ka qënë shumë aktiv në dikur “Lidhjen e Kombeve”. E kam fjalën përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Ai ka qënë “Organizator rajonal, për Europën Juglindore” dhe një njeri që njihte problematikën e rajonit dhe sidomos Shqipërinë. Mbasi ka kaluar vetë personalisht në Shqipëri, ai ka botuar edhe librin e tij “Rruga e Shqipërisë për liri” ose “drejt lirisë” i botuar në Londër, në vitin 1941. Për 100 vjetorin e shtetit Shqiptar, jo vetëm ja vlen të dëgjojmë “veten tonë” por normalisht  kanë pjesën e tyre edhe të huajt, që kanë shkruar sidomos për të vërtetuar përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre, duke ardhur nga një trashëgimi aspak normale e një perandorie Turke që vitet e fundit kishte lënë vetëm korrupsion, dhe mënyrë banale të trajtimit të zyrtarit dhe shtetit në përgjithësi. Padyshim të fundit në Ballkan të dalë nga një perandori në zgërlaqe dhe korrupsion, do të kishin edhe pasoja të mëdha.  Në një nga pjesët e botuara nga Robert Elsie të cilën e ka titulluar “Korrupsion në absurd”, Vandeleur, mundohet të trajtojë vështirësitë e Ahmet Zogut në krijimin e një administrate ndryshe nga trashëgimia. Por në shkrim, vërtetohen ngjashmëri si “dy pika uji” me të sotmen. Midis viteve të regjimit të Zogut, dhe ato të demokracisë sot, është brënda edhe regjimi diktatorial  i ashtuquajtur komunist, por me shumë brëndi turkoshake të një periferie otomane që i ka shtuar dozën e keqe të administrimti absurd, prandaj është e rëndësishme të shikojmë se si e ka njohur bota pikërisht “daljen në liri të Shqipërisë në kohën e Zogut”.
Duke krahësuar gjysëm demokracinë e Zogut, dhe përjashtuar diktaturën, mund të bëjnë paralele me sot, dhe kjo është e domosdoshme për nesër.
Robinson Vandeleur thotë qartë në shkrimin e tij se “ një vështirësi e Mbretit Zog ishte të gjente njerzit e përshtashëm, të cilët duhet ta ndihmonin të modernizonin vëndin e tij”. Por Robinson Vandeleur saktëson se “këto njerëz nuk duhet të dobësonin peshën e tij të pushtetit dhe autoritetit që ishte e domosdoshme”. Saktësimet e tij politike dhe historike, janë tashmë pothuaj legjendare, kur dihet se janë botuar në vitin 1941. Zogu thotë Vandeleur, kishte gjetur një vënd së fundmi të dalë nga dominimi turk, me të gjithë korrupsionin dhe anomalitë që pikërisht sistemi turk imponononte në atë kohë. Në vitet e shumta të përmbysjes së turqve, dhe ardhjes në fuqi të Zogut, vëndi ka kaluar disa pushtime nga fuqitë e huaja, shumë qeveri lokale ose të paqëna, dhe si përfundim jo legjitimitet. Disa nga njerzit e tij, ishin mësuar të qeverisnin, por sipas standartit turk, që edhe vetë turqit, e kishin abandonuar thotë Robinson Vandeleur. Biles diplomati britanik tregon se një herë në “Asamblenë e Kombeve” po diskutohej problemi i Palestinës, dhe njeriu që diskutoi atje ishte Mehdi Frashëri si delegat i Shqipërisë i cili kishte qeverisur në kohë të despotit Hamid-sulltan dhe tregonte se ky lloj dispotizmi është më afër nesh....!! Pra ky ishte edhe modeli që do të qeverisnin vëndin, dhe ky ishte edhe lloji i njerzve në dispozicion thotë sërish Robinson Vandeleur.  O nga ky lloj, do të përzgjidhej për të qënë ministra dhe prefektë, përfaqësues diplomatikë dhe administratorë, ose duhet të bije nën “administrimin sovjetik” sikundër ishin në modë në lindje. Pra duhej një ndërhyrje e britanikëve për të futur në Shqipëri standartet moderne të Shqipërisë së re.
Vandeleur vazhdon duke thënë se: Në kohën e turqve principi i avokaturës ishte “mos ja mbyll gojën kaut që shin”. Biles në anën adminitrative, Vandeleur thotë se “ishin fshatarët shqiptarë që u bënë musulmanë dhe ja dhuruan talentin në shërbim sulltanit” duke marrë edhe ofiqe nga më të ndryshmet për gjatë kohës. Po kështu edhe feudali Zog, bëri karierë si komandat forcash ushtarake, ministër i brëndëshëm dhe pastaj u ngjit në fuqi. Kështu pothuaj janë ngjitur të gjithë....por rroga ishte e vogël, për të bërë një ekonomi kombëtare...me fjalë të tjera për të lejuar Mbretin të vazhdonte në kohë, pa ndonjë kredi tjetër nga Italia në atë periudhë. E kështu dikujt i vonohej paga dhe se po tju shkonte në rregull...sërish ishte e vogël.
Kjo është çështja tjetër e problemit thelbësor në Shqipëri. Një vënd i varfër si Shqipëria dhe kopracët e sulltan Hamidit të Turqisë, nuk mund të afronin paga bujare nëpunësve të tyre publik, por lejonin efektet anësore për të shkuar përpara...!! Një diçka e trashëguar jashtëzakonisht qartë pikërisht nga ajo kohë. Një nga mënyrat e pasurimit thotë Vandeleur, është që të vegjlit e zyrave të merrnin një “dorë” nga një person që të mundësonin takimin me një funksionar të madh të cilin duhet të takonin...!! Trashëgimi e dukshme edhe sot apo...jo! Përpara se të takohet një prefekt, një gjygjtar, një ministër që ka fuqinë për të zgjidhur punët e bisnesit....ka edhe një “dhuratë” për zyrtarin që e bën të mundur. Në rast të kundër thotë Vandeleur, sekretari apo zyrtari poshtë të deklaron se “ ministri është i zënë” dhe ministri nuk e merr vesh kurrë kush e ka kërkuar normalisht.  E vogël për sot kjo gjë, por funksionante deri vonë...!! Vandeleur jep shëmbullin më lart në rastin e tenderave... bie fjala të blloqeve të çimentove në Durrës. Italia kishte dhënë përpara fondet dhe këtu fillonte edhe sistemi i “kapjes” së ndonjë dhurate për “shpenzim”. Vandeleur pyet...pandershmëri...por njëriu duhet të jetojë, sa për të jetuar kur kupton se 30 stërlina ka një ministër si rrogë. Mundet thotë Vandeleur që muajin tjetër Mbreti të ta largojë dhe nuk ka as pension...me se do të jetohet!? Pastaj kështu prosperon anëtari i qeverisë që ka edhe familje dhe miq e shokë, pensione, punë, kontrata dhe një zot e di  se sa! Duhesh thotë Vandeleur, që të kesh rroba të mira, cigare të shtrenjta, paraqitje, por të ardhur nga skamja dhe shtëpitë pa ndonjë gjë të paraqitesh përpara gazetarëve dhe të jetosh në mënyrë europiane...është e pamundur? Duhet ndërtuar një shtëpi dhe mundësisht në qëndër...bulevard ...me një kopësht dhe mure...vilë moderne..!! Po kështu edhe për zyrtarët e ndonjë province si prefektët. Kuptohet se “diga e panevojshme” që italianët e duan me patjetër, do të ketë një “dorë”....!
Janë dy preokupacione në mëndjen e një ministri thotë Vandeleur...e para “ajo dora” dhe e dyta aleancat e nevojshme. Ishin të mësuar që kur ishte koha e beut..pashait...dhe zyrtarit të dikurshëm. Ishte e vështirë për Zogun të krijonte koshiencën, eleminimin e tentacionit...veçse me koston për të mbushur arkën e shtetit bosh, me borxhet e Italisë për një kohë të gjatë. Për të njëjtin motiv, të gjithë sistemet e tij të mrekullushme për reformën agrare, bankat e agrikulturës, të arsimit dhe të tjera përmirësime, kanë qënë gjithmonë të vështira dhe zgjatën vite e vite, kur mund të bëheshin për pak kohë.  Vazhdonte edhe ngritja e gishtit nga të gjithë kundër të gjithëve për tangentet, dhe sidomos nga ato që nuk kishin mundësi të futeshin në administratë....pse sot çfarë...bëhet mund të pyes unë!? Sepse nuk kishin mundësi të bëheshin të pasur. Kishte shëmbuj të lartë të hyrjes së njerzve në pushtet nga një vafëri e madhe, që ju njihej nga të gjithë, dhe diheshin pasuritë nga babai dhe nëna e ky pastaj.... bëhej i pasur...!! Në britani, një i tillë mund tja kalonte qartë, në saj të trashëgimive apo luajtjeve në bursë, dhe me mënyrat e vëndeve të pasura qoftë edhe me shkrimin e një libri dhe artikujve në gazetë. Pra mund të bëhej i pasur pa ndonjë pandershmëri të madhe.....por këtu!!?
Nuk është kështu në Shqipëri thotë me qartësi Vandeleur. Një shërbëtor i shtetit si i varfër në origjinë ka bërë një shtëpi të bukur, çmimi i saj mund të vijë në një mënyrë apo një tjetër nga fondet publike, nga tangentet-nën dorë, qartëson Vandeleur. Kjo patjetër që nuk është diçka që nuk vepron fuqishëm edhe sot.
Gjithsesi Vandeleur thotë se në mënyrë të veçantë, në vitet e fundit,  kishte një numër në rritje të burrave vërtetë të ndershëm në shërbim të publikut.
Xhandarmaria, arsimi, qëndrim në universitetet perendimore, shkëlqimi thelbësor i personave të lindur në Shqipëri, po prodhonin një gjeneratë të iluminuar. Po të takoje njerëz të tillë dhe Sovrani e ka bërë... mund tju besohej. Por shqiptarët nuk besonin te një funksionar të ndershëm dhe ka ndodhur thotë Vandeleur,  që njëherë në një funeral të një personi të tillë funksionar që vdiq i varfër sikundër kishte fillur punën, një e treta në varrim thoshin....po shkon një tjetër budalla...!! Nuk është ndryshe edhe sot, mund të them unë.
Do të ishte një gabim i rëndi thotë Vandeleur të lejosh impresionin që i “gjithë koleksioni i politikës shqiptare” ishte plot me të korruptuar dhe të pa ndergjegjshëm. Vandeleur e mbyll kapitullin duke thënë se: Ky imazh që del nga ky shkrim, shërben për të pasur në dijeni se “me çfarë duhet të përballesh Mbreti Zog. I ndihmuar nga organizma të ndryshëm, dhe nga kalimi i kohës, ai arriti të bënte përmirësime të dukshme. Në qoftëse detyra e tij nuk u përfundua, kjo i detyrohet italianëve që kanë penguar punën e tij në të gjitha drejtimet, dhe në fund “ja prenë shkurt”.
Normalisht përfundimi i Vandeleur është i drejtë edhe për mua, dhe për shumë e shumë të tjerë në Shqipëri, duke menduar se pushtimi italian ishte një dredhim shumë për keq nga rruga e lirisë së Shqipërisë.
Por gjithsesi është për të menduar dhe pyetur. Si dolën në vitet 90-të?
Ka mundësi të kemi dalë akoma më të varfër, më të uritur, dhe më të pa zotët për të bërë shtet se në vitet 1928-të.
Ndoshta e kam edhe gabim, por nuk më duket se 50-të vitet e Enver Hoxhës, nuk ju kanë shërbyer për të larguar zakonet e dobëta, korrupsionin, dhe pasurimin pa mënd dhe pa kriter..... shqiptarëve.




 





mercoledì 22 febbraio 2012

Sa nder i kanë bërë të huajt Shqipërisë me fotografinë e tyre?!

Respekti i munguar për fotografët dhe albanologë të huaj, që kanë treguar historinë tonë realisht.

Sa nder i kanë bërë të huajt Shqipërisë me fotografinë e tyre?
Një kontribut i madh, që akoma nuk është vlerësuar si duhet në Shqipëri.


Koment-dossier.

Besi Bekteshi.

Shpesh herë, dikush në shtypin shqiptar është treguar aq i saktë sa të nxjerrë me një foto apo me një seri fotosh, edhe një kontribut të njerzve që janë marrë me historinë, kulturën, albanologjinë në përgjithësi, por kanë pasur edhe cilësinë për të fiksuar gjithshka në aparat. Por në shumë raste, nuk përmëndet kush dhe si, e akoma më shumë se kush është ai, që sot i ka mbledhur këto lavdi të dikurshme për ti paraqitur në faqe web-i dhe botime. Normalisht dhe qartësisht unë e kam fjalën për të njohurin albanolog Robert Elsie. Patjetër që në celuloid dhe pllaka, Shqipërinë e kanë nxjerrë njerzit e dinastisë Marubi dhe janë ato që kanë meritën kryesore me 150.000 foto, por edhe Shan Pici me 70.000 foto, Dedë Jakova me 50.000 dhe Rraboshta me afërsisht 30.000.  Por në Shqipëri pastaj janë   në Korçë Petro Dhimitri, Kristaq Sulidhi, Vani Burda, Kristaq Sotiri. Në Tiranë Ymer Bali, Mondi Koçi i Voskopojës, Jani Ristani në Gjirokastër, Misto Cici Pogradec Dhimitiku i Beratit dhe Robert Elsie na kujton se nuk duhet harruar edhe Gjon Mili në Amerikë.  Por unë e kam  fjalën sot te kontributi i të huajve për ne. Ato që njihen kryesisht në mënyrë të limituar vetëm nga historianë, studiues të profilizuar, po aspak ose shumë pak nga publiku, shkollat, dhe tekstet normalë të studimit. Një mangësi që tregon dhe mungesë respekti për kontributin e të huajve. Patjetër...sepse kur vjen puna për tju referuar e bëjmë, por që tju japin nderin që ju takon në çdo kontribut që kanë....këtë nuk e bëjmë të plotë.
Në këtë mënyrë po e filloj me Jozef Sekeli dhe super fotografitë e tij në ekspeditën e të madhit Johan Georg fon Han. Po, patjetër e kam fjalën për Han si babain e albanologjisë që kishte në ekspeditën e tij në vitin 1963 edhe të madhin tjetër të fotografisë doktor Jozef Sekeli (1838 – 1901) i lindur në Hungari, por Vienez me famë të madhe jo në kimi, por në fotografi. Një nga çmimet e  mëdha të tij në panairin botëror të Parisit lidhet me Shqipërinë. Ai ka bërë fotot e para të Shkodrës, foto fantastike që janë tetë, dhe sipas Elsie-it.  Pas kësaj, ekspedita u nis në dy anije në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën, Shurdhahun, Komanin (dy fotografi) dhe Dukagjinin. Lumi u bë gjithnjë e më i ngushtë dhe pranë Toplanës kalimi u bë i pamundur. Sekeli, i cili kishte sjellë pajisje të rënda fotografike me vete, u detyrua të kthehej në Shkodër me anije, kurse pjesa tjetër e ekspeditës vazhdoi rrugën me këmbë. Për herë të parë në fotot e tij, unë por edhe të tjerët marrin vesh se qyteti më i madh shqiptar ka qënë Prizreni në dallim me të gjithë të tjerët, sepse kishte 46.000 banorë. Por ai ka bërë foto në pothuaj të gjitha trevat shqiptare, dhe bota njihej me një vënd të pothuaj të pa ditur fare. Kontributi i albanologut të madh Han dhe Sekelit është madhështor, edhe në saj të fotos dhe realitetit në të, që ne nuk e kemi vlerësuar akoma në madhësi dhe tekstet tona shkollore dhe universitare. Nganjëherë botojmë foton dhe nuk themi se e kujt është...!! Johan Georg fon Han vlerësoi ndihmesën e madhe të Sekelit në ekspeditën e tij. Theksoi se fotografitë “mund të krahasohen lirisht me fotografitë më të mira të bëra ndonjëherë në këtë fushë.”
Patjetër që i madhi tjetër në koleksionin e fotografisë në lidhje më shqiptarët është baroni Franc Nopça (1877-1933). Pra albanologu, Paleontologu dhe Gjeologu austro-hungarez Franc Nopça, që udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe në jug të Ballkanit (Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Serbi) midis vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore. Sipas Elsie-it ai kishte një shtëpi në Shkodër, të cilën e përdori si bazë për udhëtimet e tij të shumta në malësinë e Shqipërisë së veriut. Gjatë rrugës, mori me vete jo vetëm pushkën, por edhe një "Kodak" dhe bëri fotografi të rralla dhe magjepse të rajonit. Origjinalët e fotografive prej xhami ndodhen në Muzeumin Ungarez të Historisë Natyrore (Magyar Természettudományi Múzeum) në Budapest. Por në tekstet tona, akoma një person i madh si ky, nuk vlerësohet si duhet, për realitetin e madh historik dhe kostumografi por dhe pamje që trajton. Një nga fotot më të jashtëzakonshme bie fjala për Shkodrën, është ura e Bunës akoma e pa përfunduar. Një kontribut i madh në fotografinë historike është edhe ai i oficerëve Holandezë në vitet 1913-14, për të themeluar gjendarmërinë shqiptare. Normalisht kontributi oficerit të lartë Thomson, ishte i jashtëzakonshëm në ngutjen e tij për vendosjen e mbretërimit të parë të princ Wiedi-t, por edhe të vendosjes së rendit deri sa dha edhe jetën, por sipas Elsie-t, kapitenët Wouter De Waal, Hugo Verhulst, Henri Kroon, Joan Snellen van Vollenhoven, Lucas Roelfsema dhe Johan Sluys; dhe togerët e klasit të parë Carel De Iongh, Jetze Doorman, Jan Fabius, Julius Sonne, Hendrik Reimers dhe Jan Sar, sërish kanë meritë. Para misionit në Shqipëri, secili prej tyre u pajis jo vetëm me uniformë dhe me armë, por edhe me një aparat fotografik. Historia e atyre viteve ka dalë nëpërmjet fotove të ushtarakëve hollandezë dhe Thomson-it vetë, që u vra si rezultat i pabesive dhe veprimeve si anadollake të shqiptarëve dhe interesve të atyre tu huajve që nuk donin qetësi. Deri varrimi i tij madhështor në 16 qershor 1914-të tregohet se është bërë me aparatin që kishte gjithmonë me vete. Në kontributin e oficerëve hollandezë kanë dalë dhjetra personazhe dhe ngjarje të Shqipërisë, në një kohë tepër të rrezikshme të saj. Nga më të pa shpjegueshmet në origjinë janë fotot e Isa Buletinit si vetëm, dhe me princin Wied që oficerët Holendezë dhe Thomson kanë bërë në atë kohë. Po, por ne nuk themi se kush i ka bërë!!
Kontribut të rëndësishëm ka edhe koleksioni i Maksimilian Lamberc si studiues i gjuhës shqipe, por dhe aparatit të tij fotografik si në Itali, ose më mirë në Kalabri te shqiptarët atje dhe në Shqipëri e fise shqiptare kudo. Në Itali  Lamberc ishte 1913-14 dhe Shqipëri në vitin 1916-të. Ai ka shetitur kryesisht në veri dhe Mirditë, por një foto e tij i veshur me tesha karakteristike të një qytetari shkodran, është më se sinjikative. Ai ka një studim të quajtur “Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri, nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916" dhe foto e foto të shumta tepër të bukura të kohës, njerzve dhe trevave. Ai është një studiues i dialekteve dhe zakoneve, por nuk ka harruar të dokumentojë edhe me foto, realitetin shqiptar, që ne akoma nuk e respektojmë duke i dhënë vëndin e duhur edhe në këtë drejtim. Ka foto madhështore të tij që botohen sot te ne dhe nuk thuhet se kush është autori, ose diku diku ju vihet një autorësi krejt gabim.
Për çfarë duhet bërë më shumë në këtë 100 vjetor edhe për fotografinë?
Duhet bërë më shumë, sepse një pjesë e realitetit që nuk interpretohet është fotografia. Qyteti i Shkodrës është i pari jo vetëm në Shqipëri, por edhe treva dhe më gjërë, sidomos për dokumentimin real të ngjarjeve dhe fakteve, njerzve dhe historisë në saj të fotografisë. Në këtë drejtim, edhe njerzit e shquar të huaj që kanë bërë të mundur dokumentimin e historisë dhe fakteve të saj me foto, duhen konsideruar një hap i madh përpara për largimin e subjektivizmit dhe historisë pa detaje të realizmit në foto. Një moment i tillë i pasurisë historike, i kapur edhe me aparatet e njerzve të shquar të huaj është akoma jo mirë i respektuar, por dhe i pavendosur në librat shkollorë, si dhe në dokumentimin historik në përgjithësi. Normalisht kjo duhet ndrequr në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.





giovedì 9 febbraio 2012

Kush ishin forcat shumbëkombëshe të pushtimit në Shkodër, të vitit 1913?
Të parët në Shkodër, kanë hyrë marinsat e forcave shumëkombëshe.


Dossier-koment
Besi Bekteshi*
Situata e pushtimit të Shkodrës dhe sulmet e Malit të Zi i ndihmuar nga Serbia, kishte bërë që diplomacia botërore të lëvizte fort në drejtim të lëshimit të qytetit të masakruar, që po rezistonte me shpirt në dhëmbë.  Normalisht që janë thënë shumë e shumë detaje, të arritjes deri në këtë pikë, janë treguar shumë e shumë veprime, si luftimi dhe diplomacie, dhe po ashtu dhe ndërthurrje interesash të fuqive të mëdha, por patjetër që është interesante të dihet se kush janë ushtarakisht dhe numerikisht, forcat shumëkombëshe që pushtuan Shkodrën, ose ato që e larguan fuqinë malazeze nga qyteti. Pikërisht ato forca të cilat morën në dorëzim qytetin edhe nga garnizoni i mbetur turk.
Futja e forcave ushtarake shumëkombëshe në Shkodër, është një “pushtim me marinsa”. Po, Shkodra është pushtuar, apo çliruar, si në rastin fatlum mund të konsiderohet, nga forca jo tokësore. Nëpërmjet teritorit të saj të lakmuar, të rrethuar nga tre anë më ujë, Shkodra është bërë një qytet kryesor i kohës së atëhershme, të një prove me pushtim teritorial nga fuqitë e mëdha, por edhe ato të interesuara, me anën e anijeve dhe forcave të marinës
Me 9 maj të vitit 1913, zbarkuan dhe u dislokuan për pak ditë në Shkodër, forcat navale dhe ato ishin 1000 marinsa që ndaheshin me britanikët 250 marinarë, austro-hungareze 300 marinarë, italianë 200 marinarë, francezë 150 marinarë dhe gjermanë 100 marinarë. Kurse president i Komisionit Ndërkombëtar për të qeverisur Shkodrën u vendos  nën Admirali Burney dhe anëtarët e tjerë ishin, austrohungarezi kundradmirali Njegovan, italiani Patris si admiral, po ashtu dhe francezi Commodore, kapiteni gjerman von Klitzing dhe komandanti i korvetës austriaku Welsersheim.
Futja e plotë e kësaj force përfundoi në 14 maj të 1913, dhe mbasi kanë hyrë rreth 750 forca, deri në fund kanë ardhur pra edhe 250 forca të tjera me anijet austriake “Scutari” dhe nga anijet italiane “Jolanda” dhe “Mafalda”, pikërisht në pontilin dhe doganën e Shkodrës. Në momentin e dytë, kur është bërë paraqitja e forcës së përbashkët dhe ngritja e flamurëve, nga komandati turk Bekir, forcat kanë marrë në dorëzim rregullisht qytetin, dhe kalanë, por edhe institucionet e tjera. Më vonë trupave rrethuese dhe pushtuese malazeze, ju është çuar vetëm mesazhi zyrtar nga forcat shumëkombëshe dhe në mënyrë të menjëhershme me të marrë këtë “mesazh”,  ato kanë lënë përfundimisht qytetin dhe rrethinat e afërta. Grupi austriak, ka zënë vënd ditën e parë në konventin e jezuitëve, por me to kanë qënë dhe “xhaketat blu” të gjermanëve. Por shumë pak ditë më pas, pothuaj të gjithë marinsat janë dislokuar te ish gazermat turke. Një nga veprimet e para ka qënë ngritja e menjëhershme,  e pesë flamujve të ushtrive të fuqive të mëdha. Veprimet e tjera të marinsave, sepse kështu duhet të quhen realisht ishin “lëshimi i një njoftimi banorëve të qytetit, duke ju krijuar bindjen e mbarimit të luftës, qëllimit të ardhjes së forcave të marinës dhe qeverisjes tashmë të qytetit nga ato”. Në po atë ditë, mbas orës 2 në pas ditë, është hequr edhe bllokimi detar internacional që fillonte në Tivar, dhe ishte patjetër deri në Shkodër. Që nga 15 maji qyteti i madh i Shqipërisë që numëronte në atë kohë rreth 34 mijë banorë sipas një dokumenti, por nga disa të dhëna të ushtrisë austriake jo më tepër se 26 mijë, po qeverisesh nga Admiraliati që kishte fuqinë legjistative dhe ekzekutive. Normalisht u instaluan entet arsimorë dhe financiarë, më mënyrë të rrufeshme. Qyteti i Shkodrës, u nda në pesë rajone dhe secili komandohej apo qeverisej, nga një komandant i pesë fuqive. U caktuan trupat ushtarake të policisë dhe rojeve, por edhe të zjarrfiksave dhe të gjitha këto u arritën vetëm brënda tre ditësh. Kapiteni gjerman von Klitzing u emërua në mënyrë kaluese si guvernator i qytetit.
Ky ishte “pushtimi” nga marinsat dhe forcat detare në Shkodër, por mbas tyre, erdhën pak nga pak, edhe forcat tokësore duke vendosur përfundimisht edhe komandën dhe qeverisjen e plotë të Shkodrës. Britanikët ishin më të shpejtët dhe erdhën me 8 qershor, me anën e kryqëzorit të madh HMS Black Prince me 339 ushtarakë në bord dhe kishin brënda edhe pjesë nga batalioni West-Yorkshire, regjiment të fanterisë, pjesë prej 42 ushtarakësh nga Malta me nën kolonelin e famshëm Phillips. Gjermanët sollën majorin Paul Shcneider nga Kiel dhe 115 njerëz . Kanë ardhur nme anën e “SMS Breslau” dhe po ashtu italianët me 25 qershor në bord të “Marghera” dy kompani te regjimentit 24 të fanterisë, por dhe një ploton i artilerisë, shtatë plotone të pushkatarëve që bënin 437 njerëz sëbashku, erdhën dhe 40 ushtarakë të tjerë të komanduar nga nënkolonel Vigliani. Austrio-Hungarezët erdhën me 509 njerëz, të cilët kishin kaskat e tyre origjinale dhe komandohesin nga koloneli Ottmar Kailer. Kurse francezët, erdhën me piroskafin “Le Balcan” me 204 forca të garnizonit “Hyeres” si regjimenti kolonial me në komandë kapitenin Coulas dhe më francezët i gjithë dislokimi ushtarak dhe modifikim i i tij me anën e forcave të reja që ishin kryesisht tokësore kishte mbaruar.
Mbas komandës së sir Cecil Burney si admiral, komanda ju kalua, dhe më vonë edhe si Guvernator i qytetit të Shkodrës, njeriut që e njihte më mirë dhe kishte edhe besimin e përgjithshëm të fuqive të mëdha, kolonel Phillips, i cili më vonë është bërë gjeneral brigate.
Nga dokumentat e shumta të trupave të pushtimit dhe kohës në vitet 1912-19 në Arkivin e Shkodrës, ka përveç të dhënave dhe foto të cilat tregojnë pikërisht forcën shumëkombëshe e cila është dislokuar në qytetin më të madh të Shqipërisë.

* Historian, Përgjegjësi i Arkivit të Muzeut Historik Shkodër
        besibekteshi-info.blogspot.com


giovedì 2 febbraio 2012

Njerzit e Ahengut shkodran dhe harresa e tij.


Ahengu shkodran, harresa e tij, dhe njerzit e melodise të parë qytetare!!



Koment-dossier

Besi Bekteshi

Duke u “rritur” në cilësitë tona muzikore në ditët e sotme, patjetër që vërejmë ato mënyra të mbështjelljes së këngës dhe orkestrimit në përgjithësi, që të bëjnë të mendohesh mirë se në çfarë trashëgimie po lundrojmë. Dikur, përpara viteve 90-të, të mësuar nga ideologjia për të shmangur “ndikimet e së kaluarës” i është dhënë goditje edhe “ahengut” sidomos atij shkodran, më i madhi, më i larmishmi në këngë dhe tekste të jashtëzakonshme. Por akoma më i madh, sepse ka nxjerrë edhe këngën qytetare shkodrane që “partia në fakt e lejonte, por nuk pranonte se ishte produkt ahengxhinjsh”. Në fakt ishte një notë pexhorative të të thuhej...ahengxhi në atë kohë. Nënkuptohej një njeri që ishte “i papunë, i qejfit i pijes dhe i dasmave por edhe i qyfyreve dhe batutave”,...e në fakt Shkodra pikërisht e tillë ka qënë (përveçse punonte më shumë se të gjithë) dhe është ahengu dhe ahengxhinjtë, që kanë bërë edhe melodinë e madhe qytetare shkodrane.  E gjitha kjo pa dallim religjoni në fakt. Biles një shumicë e ahengxhinjve ishin të besimit katolik në Shkodër. Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës,  janë disa punime të shkëlqyera të dekadave më parë për muzikën qytetare dhe po ashtu dhe të periferive të Shkodrës, por me një arsye të veçantë u ndala te një shkrim i Kol Gurashit, për arsyen e vetme, që edhe me studimin e disa shkrimeve të tjera të nxirrja emrat e lartë të ahengut shkodran që në fakt në Shkodër shqiptohet shpesh....Eheng!!
Sot edhe në saj të trashëgimisë së madhe, mund të quhet e dobët ngritja në kult e “Ahengut” dhe njezve të tij të parë dhe të përmëndur, për të mos harruar se nga ku rrjedh muzika qytetare shkodrane. Sot në fakt,  nuk organizohet në mënyrë të qartë, me aftësitë e sotme dhe me një krenari të veçantë një lloj aktiviteti që rilevon pikërisht këtë trashëgimi të jashtëzakonshme të Shkodrës. Nuk bëhet fjalë për 10-20 këngë, por me qindra, dhe vetëm dasma shkodran ka një numër ekzakt...që shumë kush e di për 320!! Më e bukura e delirantëve të dikurshëm dhe të sotëm është se ahengun e barazojnë me ekzekutimet e cingarelëve apo romëve në përgjithësi!! Janë po ato tipa që sot kultivojnë një bastardim muzikor turbofolk dhe shkatërrues trashëgime. Gjithsesi ahengu i Shkodrës është një trashëgimi i jashtëzakonshme që ka dalë nga zejtarët, dhe artizanët e Shkodrës dhe ka edhe figurën e tij në një nga kryeveprat e Idromenos pasqyrimin e një kritike shoqërore që ai i bën te “Dy Rrugët”.
Ahengu shkodran është një “zbulim” i kohës së Vezirit të Shkodrës ose Mustafa Pashës, dhe kjo kohë, e bën pikërisht ahengun të instrumentalizuar me virtuozitet, dhe patjetër i kryesuar nga njerëz që në vazhdim nuk ishin vetëm me “vesh”. Fillimet mbajnë si kujtesë sazexhiun Mehmet Agë Shllakun. Kurse organizimin e ahengut me këngë sipas të dhënave, është bërë në fillim nga Kasem Xhuri që kishte sjellë nga Izmiri disa, duke ja shqiptarizuar melodinë në trajtën e një valleje shkodrane. Kjo ka qënë koha e riformimit të ahengut në Shkodër. Kurse për ta ndarë melodinë nga tingëllimi i përbashkët me Shqipërinë e mesme është Marku i Krajanjës dhe gjithmonë në drejtim të kalimit në këngë të kërcyeshme shkodrane. Mbas tij vijnë si përpunues Cor Jakova, Seit Hoxha dhe Hila i Files...etj etj.
Ahengu shkodran ka shumë autorë tashmë të këngëve tipike të Shkodrës dhe unë po përmënd:  Molla Hysejn Dobraçi, me Lif –allah dhe këngë të vjetra, Nel Moha, me këngën e Oso Kukës dhe Miletit, Hila i Files me “Nji kellef me ar ta çova”, ose “Të due moj të due”, Palok Kurti me “Marshallah bukurisë sate” ose “Në kafaz të kan zaptue” dhe po ashtu edhe Gjon Jubani e Gjovalin Nastasi. Pastaj Nush Pali me “Prandvera me dalë ka fillue”, ose “Nuk ja din kërkush merakut” dhe bashkë me të edhe Selo Shkreli dhe Dash Kasemi, i cili ka bërë edhe përmirësimin e këgnëve më të vjetra. Janë Man Karakaçi dhe Januz Shiroka, kurse Gjon Kraja ka pas këngën si të tijën “Iptida du me fillue”, Myrto Lamja me “Moj trandofillja e vogël”, Gaspër Qurku me “Kajrafilat që ka Shkodra”, i madhi Filip Shiroka me “Dallandyshen” si melodi perendimore. Në shkrimin e Kol Gurashit, Ndre Mjeda përmëndet për “Bora po shkrihet, dimni po shkon” dhe kjo ishte një e “ditun e re” si fakt edhe për ato që kanë studiuar mirë historinë e ahengut shkodran, këngës, dhe tekstit të saj. Janë pastaj Meti i Mollasilos me “Vetullën hollë si hana sparit” dhe Kasem Taipi, Hafiz Halit Tophana i njohur me këngën e Vezirit. Mbas tyre vijnë Temo Dushi, Tish Pranushi, Molla Sait Pata, Loro Ashiku, Lluko Banushi, Zef Hil Gega, Lush Gurashi, Gjon Shahini, Osja i Faltores, Kol Saraçi, Nush Pali, Filip Koleka, Ndrek Topçija, Gaspër Leci, Tahir Zhabjaku, Nush Bushati, Xhevat Ulqinaku, Kol Gurashi, Adem Mani, Paulin Pali, Sadik Spahija, Zyber Draçini etj etj. Por ka pasur mjeshtra të lartë muzike, që më vonë kanë pasur orkestra dhe banda qytetare në Shkodër dhe janë Palok Kurti, Frano Ndoja, kurse violinistë i pari është Kralo ose violinisti i Vezirit nga Berati, Kola i Qorres, Shan Hila, Jak Kakarriqi, Filip Muzhani, Kol Vjerdha, Gjon Radoja, Kol Kodheli, Ndoc Filja, Engjell Ceka, Pjetër Boriçi, Kola i Mrikës Pjetër Krajës etj. Kanë qënë “sazexhinj apo  të zot të tambures në aheng” dhe më vonë në orkestra të ndryshme dhe janë: Mehmet Shllaku, Simoni i Mark Ketës, Ndrek Vogli, Mani i Zigos, Nush Pali, Shan Koleka, Balto Luka, Pjetër Tafili, Shuk Kovaçi, Gega i Mark Gegës, Sul Shllaku etj. Ka pas mjeshtra që i kanë rënë “Bracit” dhe “Mandolit” si: Paulin Pali, Ndoc Bedeni, Tahir Zhabjaku, Karlo Pali dhe Engjell Ceka. Normalisht që ecja në kohë kishte edhe mjeshtra të “klarinës dhe flautit” si: Gjok Saraçi, Gaspër Çurku, Filip Lorja, Xhevat Boriçi, Luigj Ceka, Ndrek Pjetri, Ndoc Kumrija, Adem Beqiri, Gjon Paci, Kol Tafili, Nush Geci, Gjon Cepi etj etj. Normalisht që në Shkodër i është rënë edhe “harmonikut” dhe njerzit e talentit janë: Ali Mehi, Ahmet Efendija, Gjokja i Kovit, Filip Goga, Gjok Pici, Kol Gurashi, Gjergj Stoja, Kola i Cuk Gjelalës etj. Daires i kanë rënë: Temo Daijra, Zef Spalastja, Simon Shpori, Temo Mani, Deli Camuku, Bej Cukja, Abdyl Kopliku etj. Kurse kërcimtarët e njohur në periudha të ndryshme janë: Alla Tania, Rabija, Zymja, Bejqukja, Pjetër Dangevanija dhe Loro Cuceku. Të gjithë këto emra janë në periudha të ndryshme që zgjasin rreth 100 vite edhe janë njerzit që jo vetëm kanë bërë këngën dhe ahengun, por edhe kanë kontribut në  muzikën qytetare shkodrane.
Ahengu i vjetër shkodran fillonte me “Dymdhjet mekamet që janë” ose me “Ça kanë syt e mi që kjajnë” dhe normalisht vazhdojnë me gjashtë këngë të kësaj teme. Pastaj ndërroheshin tonet dhe vazhdohej me afro 54 këngë të tjera. Vazhdohej me vonë me rregull i cili ishte tepër i rreptë dhe vetëm profesionistët e mbanin normalisht me diturinë e tyre të madhe. Në aheng, janë kënduar qindra këngë dhe shumë prej tyre sot janë perla të vërteta.
Ahengu shkodran edhe në saj të njerzve të shumtë të tij, ka sjellë edhe prodhimin e këngës tipike shkodrane, të asaj bukurie muzikore tradicionale që sot vazhdon të këndohet nga të gjithë. Por kjo bukuri ka një prejardhje dhe një vazhdimësi që ka dalë pikërisht nga këto njerëz dhe këto talente, që më vonë krijuan kryevepra të tjera më moderne dhe të kulturës më perendimore dhe tepër të dallueshme, për të cilën thonë...Kënga Qytetare Shkodrane...
Në këtë pikë, është në harresë kontributi i madh dhe i jashtëzakonshëm i ahengut shkodran, sidomos i njerzve të tij. Është një harresë historike dhe e trashëgimisë,  e si çdo harresë është diçka negative që duhet riparuar, duke krijuar një model i përsëritshëm skematikisht dhe në melodi e formë si model i muzikës qytetare dhe për më tepër shkodrane.   
Ajo që më shqetëson më tepër në fakt është se “në Shkodër këto emra nuk kujtohen për pikërisht këtë veti të madhe të qytetit të madh kulturor” dhe kjo nuk është e mirë, aspak e mirë.