Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

mercoledì 16 aprile 2014

Nga statutet e Shkodrës dhe Drishtit, në Kushtetutën e “zbuluar” sot!





Koment
Besi Bekteshi

Një shkrim të botuar nga Lucia Nadin “disa sqarime mbi “Privilegjin e Aleksandrit të Madh” që paraprin Statutet e Shkodrës më krijoi idenë e një ngjizjeje midis dy statuteve të rëndësishëm si ai i Shkodrës dhe Drishtit dhe Kushtetutës sot. Ishin dy qytetet e fundit që ranë nën sundimin e Osmanëve si Shkodra dhe Drishti, dhe ekzistenca e dy kodikëve tepër specialë, të bën të mendosh thellë mbi të sotmen dhe rëndësinë e “kodikut themelor tonin që është Kushtetuta Shqiptare”.  Në qoftëse kodikët e Drishtit kishin lidhje më të shumtë me religjonin dhe dioqezën në përgjithësi, statutet e Shkodrës ishin rregullat-kodikë ligjorë të mrekullueshëm, të një mesjete që nuk ishte “bosh” në trevat tashmë të qarta, dhe të ditura mirë si histori dhe sundim.  Gjykatat  dhe kultura juridike në këto treva, është dhe ajo që përbën të rëndësishmen e madhe që në fakt sot e kemi të vëshirë ta perceptojmë dhe realizojmë. E pra kodikë të tillë, kanë realizuar themelin e jetesës qytetare të Shkodrës ose qytetit më të madh nga vitet 1330 dhe deri në vitin 1479-të kur Shkodra ra nën sundimin Osman. Milan Shuflaj ka pasur jo të plotë një kodik të Drishtit dhe normalisht ka bërë interpretimin e tij nga 1920-ta dhe më qartë e kanë bërë të mirënjohurit M.Ahmeti dhe E. Lala, dhe në kodikët e Drishtit del qartë një “Republikë Dioqeziane” megjithëse ishte një Kushtetutë e vërtetë në ligje dhe pjesë juridike të momentit kishtar mesjetar. Shkodra pastaj dhe kodikët e saj, është emblema e pjesës juridike gati perfekte, kur anash kishte të drejtë zakonore.  Ishte asambleja e qytetarëve, dhe mund të quhen qytetarët e lirë, por dhe institucionet e tjera ligjore që sundonin. Po, zgjidheshin gjygjtarët dhe po themi këshilltarët, ishte i zgjedhshëm kancelari dhe policia komunare, dhe janë dhe marrëdhëniet me komunat e tjera biles, dhe të tjerat të sundimit vendikas dhe mbretërisë së Serbisë. Aty dalin mirë të gjitha të drejtat e qytetarëve dhe padyshim ligjet e bashkëjetesës qytetare, emigrantët dhe gratë e fëmijët. Forca e ligjit ishte e madhe dhe sundonte në tërësi jetën e banorëve të qytetit të madh dhe të rëndësishëm të Shkodrës.  Përpara këtij kodiku, kanë qënë e drejta zakonore e të gjithë interlandit, por më duhet të them se edhe sipas shumë studiuesve ishte dhe e drejta bizantine. Janë shekujt 12-13 që kanë një anë juridike të shprehur dhe në gjykata dhe përveç perandorëve bizantinë erdhi dhe ana ligjore e Karl I Anzhu i Siçilisë që përkon nga vitet 1271.
Problemi është në se zbatimi i kodikut, apo statutit dhe jetës qytetare në bazë të ligjit, funksiononte? A qëndronte ligji në lartësinmë e tij, dhe a ishte një Kushtetutë në konceptin e sotëm të termit dhe fjalës. Nuk ka rradhorë të gjetur dhe deklaruar për gjygjet dhe regjistrin e tyre. Ose askush nuk ka bërë një studim të tyre në këtë prizëm dhe dokumentacioni i tillë në dijeninë time, dhe pse kam dyshimin e sjelljes së këtij dokumentacioni në venedik kur qytetarët shkodranë u larguan për të liruar Rozafatin me 1979-të. Po, në ditën e shën Markut. Por mund të them se dënimi për fyerjen “tradhëtar” ishte më i madh dhjetë herë, se plagosja e cila ishte me 50 hyperberë. E shikojmë sot “fyerjen” se nuk bën asgjë, dhe nuk është gati gati “çështje” dhe për më tepër kishte 50 hyperberë gjobë falsifikimi i dokumentave dhe humbjen e çdo çështjeje për pikërisht falsifikatorin. Përdhunimi i një gruaje ishte 50 hyperperë, dhe me ligj gruaje kishte gjysmën e pasurirë. I kam shkruar dhe më përpara këto, por sistemi urban dhe ana e tillë në kodik është e famshme. Që nga kodiku i Shkodrës vjen “mos hapja e një dritareje-dere përballë fqinjit” dhe gjoba e hedhjes së plehrave nga dritarja ishte maksimale. Gjoba të mëdha kishte për agresionin gjatë ushtrimit të detyrës së gjygjtarëve dhe punonjësve të komunës, ligjet e kodikët e manexhimit të familjes ishin perfektë dhe për sot. Një kryefamiljar dhe familja vetë ishte diçka e rëndësishme. Neni nr 5-së detyronte qytetarët të njihnin kodikët të gjithë një për një. Kjo ishte shumë e rëndësishme dhe shumë morale, por dhe një aftësi e madhe e qytetërëve në anën juridike.  Trashëgimia dhe kujdesi për pleqët dhe fëmijët, janë madhështore në kodikun e madh të Shkodrës si statute-kushtetutë  vërtetë qytetare.
Sundimi i ligjit në Shkodër dhe Drisht (kanë pasur dhe domene të tjerë venedikas) në zbatim të kodikëve është i njohur,  dhe padyshim nuk bëhet fjalë të krahësosht atë rregullim ligjor në zbatim me kushtetutën sot.  Gati 150 vite të statuteve të Shkodrës dhe dekadat e statuteve të Drishtit, janë kohë më të gjata si zbatim të 102 viteve pavarësi dhe pa kushtetutë po kaq vite të Shqipërisë. Vetëm Kushtetuta Mbretërore dhe kushtetuta e 1974 e diktaturës, por dhe ajo e 1998 e kohës së demokracisë janë shumë pak, për zbatime të "“rrënjta” dhe të forta si të tilla. Në këtë rast sipas meje, nuk është vetëm aftësia jonë për mos zbatim Kushtetute, por dhe koha e shkurtër ligjore me një Kushtetutë të zbatuar në sundim, te psikika e shqiptarëve. Duke pasur shumë herë shtetin armik, tani sillemi me mos zbatim Kushtetute si “armiq të shtetit” pa përtim dhe orë e minut.  E gjithmonë themi në tavolina se “ hajd mor, se shqiptarë jemi nuk njohim ligj”. Po dhe mund të jetë e vërtetë, por problemi është se sa shqiptarë jemi kur nuk njohim ligj, a jemi të mirë apo të këqinj. A mund të funksionojë një shtet me qytetarët armiq të Kushtetutës, dhe me shtresa njerzish që nuk njohin kodikun themeltar? E kanë njohur pra, ato shqiptarët dikur. Kurse pastaj njohën sundimin e ligjit të pushtuesit.  I cili ju mësoi ( kështu thonë)  dhe urrejtjen ndaj ligjit të cilën thonë se kanë të lindur (nëpër tavolina sigurisht) prej kohësh.  Kanë pasur urbanizim dhe civilizim, kanë pasur Kushtetutë të zbatueshme dhe ligje të zbatueshme. Kanë qënë qytetarë të ligjit të zbatuar. Sot, duhet pyetur  dhe vërtetuar në se janë?! E vetëm zbatimi i ligjit cilido qoftë ai, na bën qytetarë. Po, vetëm zbatimi i ligjit, dhe jo Kushtetuta e lënë zbuluar sot.


lunedì 7 aprile 2014



Kisha e Vaut të Dejës, ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës.


Koment
Besi Bekteshi

Në daljen e tretë për rilevim të kishave të traditës romane, dhe padyshim të një modeli të jashtëzakonshëm si trashëgimi në DRKK-së në Shkodër, ishte dhe rrënoja e kishës së famshme të Vaut të Dejës. Mbas Mazrekut dhe Shirqit,  si dy modele që në kohën e benediktinëve, i erdhi rradha dhe rrënojave të kishës së Danjës, apo asaj të njohur si kisha e Lek Zaharisë. Jo lart në kala, por poshtë, buzë Drinit në fshat. Në qoftëse ajo e Shirqit ka problemet e rrënimit nga abandonimi dhe Buna, apo Mazreku nga abandonimi dhe vazhdimi në mos kujdesje, kjo e Vaut të Dejës, ka histori të trishtueshme nga dinamiti. Jo, nuk është koha e viteve mbas 1990-tës dhe sidomos sot, është koha e viteve 1967-70-të, kur ishte vendosur që “armiqësia më e madhe të ishte ndaj zotit dhe institucioneve të saj”. Një nga kishat më legjendare dhe me histori të jashtëzakonshme e cila është hedhur në erë me dinamitin e H/C të Vaut të Dejës, është momenti absurd i shkatërrimit jo vetëm të një objekti kulti, por një momumenti të shpallur të ruajtur nga shteti dhe vëndin ku është kryer riti celebrues i Kastriotit!  Sekretarët e partisë të asaj kohe,  japin urdhër, dhe kisha me anën e teknikëve dhe ingjinierëve hidhet në erë. U hap një akuzë  në prokurori e ngritur me guxim nga Gani Strazimiri ose drejtori i Momumenteve të Kulturës atëhere, por u mbyll. Po, u hodh në erë kisha e vjetër e “Shën Marisë” dhe që kishte dhe pllakën që e shpallte “Monument Kulture”. Atëhere thuhej se kishte themele të vjetra të shekullit të tretë, por kishin vërtetuar në atë kohë që ishte mbi gurë të vënë qartësisht në shekujt 6-7-të. Sot dihet qartë se edhe ajo është paleokristiane dhe normalisht ke “dhjetëmijëlekëshi i ri i joni është e stampuar pikërisht ajo”. Janë disa foto të vjetra të saj, dhe duke qënë si seli Ipeshvore ishte shumë e  dashur për të gjithë besimtarët dhe nga Barleti dimë qartë se aty Gjergj Kastrioti ka pranuar Sakramentin e Martesës. Nga disa shkrime dalin të dhëna të qarta dhe në njërin thuhet: Monumenti në fakt ishte shkatërruar rreth datës 30 maj 1969, sipas proces-verbalit të mbajtur pak ditë më vonë nga Miltjadh Papa, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor i arsimit dhe kulturës i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër. Në procesverbal shkruhej:“Rreth datës 30.05.1969 kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabela e monumenteve të kulturës, u hodh në erë me dinamit.
Përse u shkatrrue ky monument i vetëm në Shqipni! Por më 15.08.1969, Prokuroria e Shkodrës e mbyll çështjen.
Nuk është rasti i vetëm për sa i përket prishjeve dhe denoncimeve dhe unë mund të vazhdoj të citoj shkrimet që nxjerrin në dritë faktet dhe në njërin thuhet: Strazimiri rreshton edhe precedentët e tjerë në rrethin e Shkodrës e gjetkë, të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. “Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezisteni dhe hamami në breg të Bunës, dëmtuar monumenti i kulturës, pronë e Musa Dulja etj. Shkatërrimi i bezistenit dhe hamamit, u bënë me paramendim natën, me qëllim që të viheshin para faktit të kryer. Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan.

Po, në Shkodër, janë prishur në atë kohë disa monumente kulture me aprovimin e pikërisht instituciove përkatëse. Bexhisteni dhe i gjithë pazari i Shkodrës, është një nga humbjet kolosale kulturore dhe e fundit është Xhamia e Parrucës. Aleksandër Meksi, ose njeriu që ka qënë dhe ka përjetuar mirë situatën e viteve 1967-70-të thotë në një intervistë kështu: Duhet të ketë qenë viti 1971, kur Gani Strazimiri, drejtori, i prezantoi Enver Hoxhës rreth 100 diapozitivë të monumenteve të kulturës në gjithë Shqipërinë. Kur mbërriti te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, drejtori i tha se ajo tashmë ishte kthyer në gërmadha dhe duket përmendi edhe emrat e autorëve. Duhet të ketë përmendur emrat e autorëve, sepse këtë e nxjerr logjika, pasi përgjigja e Enver Hoxhës ishte: “Sa keq që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”. Pra Enveri e dinte se cilët e bënë dhe këtë do ja ketë thënë drejtori Strazimiri, që pas takimit ua rrëfeu të gjithëve. Pra kur vetë kreu absolut i shtetit mori në mbrojtje shkatërruesit, kjo do të thotë se vlera e trashëgimisë kulturore shqiptare ishte në një tjetër plan, vënë përballë luftës kundër fesë.
Gjithsesi mbetet që kjo kishë u hodh në erë dhe është shëmbulli më tipik i absurdit ekstrem të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. Kisha e shekullit XIII e përcaktuar mirë dhe e arkitekturës romano-gotike ka rrënojat e saj të vogla të cilat i fotografova dhe që kanë mbetur nga shkatërrimi, nga marrja për digën dhe ndoshta ndonjë banesë, dhe besohet se aty duhet të ketë qënë dhe varri i princit të Danjës Lek Zaharisë. Mbytet nga Drini herë herë, por alteri i vogël është aty.

Çfarë ndyshon sot?
Sot ka ndryshuar motivi i shkatërrimit. Në fund të fundit, pjesa e madhe e monumenteve të kulturës në diktaturë u ruajt. I mirëmbajtën dhe shkatërrimi i kishave ndër të cilat ajo e Lek Zaharisë, është ndoshta humbja më e madhe dhe vinte si pasojë e idiotizmit kriminal diktatorial kundra religjonit se sa kundra kulturës. Sot në fakt, është makabriteti “kapitalist”.  Sa e sa monumente kulture si shtëpi janë shëmbur për të ndërtuar monstra betoni. Vetëm në Shkodër janë mbi 10-të syresh dhe sa e sa në Shqipëri, janë lënë të degradojnë dhe pastaj të shëmben për të ndërtuar betone të lartë mbi 10-të kate! Sa zona të ruajtuara ose të ashtuqajtura të mbrojtura janë dëmtuar rëndë? Mbi rrënoja dhe site arkeologjike 2500 vjeçarë janë hedhur beton. Me shtesa absurde dhe leje të gabuara? Në qoftëse në diktaturë ishte një idiot që jepte urdhur për dinamit, deri sot ka pasur maskarenj që rrënonin dhe pastaj paguanin për të marrë leje të këqia. Sa vënde arkeologjike janë vënë nën betone jo vetëm në Shkodër dhe Durrës, por dhe Lezhë dhe kudo në Shqipëri?! Janë dhënë leje dhe ka qënë vetëm IMK-ja dikur, që ka transformuar statusin e Monumentit të Kulturës për shumë syresh, për të hapur rrugën e ndërtimeve absurde. Kanë bërë më tepër krime nga 90-të deri sot, shumë më tepër se sa në kohën e Enverit. Disa prej këtyre krimeve janë bërë dhe me letra të firmosura. Unë uroj që sot kjo gjë që ka ndryshuar të përfundojë dhe të fitojë liria e të qënit një shtet i qytetëruar. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë shumë ndryshe, por dhe me ide tepër të mira se sa dje.
Kisha e Vaut të Dejës është simboli i prishjes së një Monumeti Kulture. Ajo në fakt, do një projekt të mirë studiuar, dhe duhet bërë një simbol i tillë. Pikërisht ajo kishë, që është në dhjetëmijëlekësh, duhet të ketë ditën e saj, për të bërë dhe sensibilizimin, kurdo që një monument ose trashëgimi e tillë rrënohet, transformohet apo dëmtohet.
Ajo është simboli, dhe ky simbol duhet ngritur në një trajtë të mundëshme që lejon dhe ligji. Ka bazamentin e saj, ka artefakte të ruajtura të mureve të vjetër, dhe ka dhe mundësinë e sotme të dëshirës së mirë në Ministrinë e Kulturës. Do të ishte vërtetë një mrekulli, në qoftëse në këto bazamente ngrihet një tempull i cili tregon jo vetëm se kush ka qënë atje, por dhe si është historia, dhe për më tepër se është dhe “simboli i trajtimit të egër dhe pa shpirt të monumenteve të rralla të kulturës tonë kombëtare”. Një diçka e tillë sigurisht që duhet.