Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

giovedì 12 aprile 2012

Shkodra, pazari i saj i madh, si shembull i zhvillimit dhe demtimit ekonomik


Si ishte, dhe pse e prishën “hipermarketin” më të madh shqiptar.
Pse gjithmonë qytetin kanë dashur ta dëmtojnë, duke i prishur pazarin?

Koment-Dossier
Besi Bekteshi
Pazari i Madh i Shkodrës ka qënë qëndra tregtare më e madhe e trevave shqiptare, dhe në të katër vilajetet të cilat kishin shqiptarë brënda. Padyshim është një shfaqe e madhe e fuqisë së Shkodrës në pashallekun shqiptar, dhe deri në vitin 1944-tër dhe është dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme nga sulmues dhe pushtues të ndryshëm. Pazari nuk duhet ngatërruar me Bexhistenin, por sidoqoftë, Pazari i Madh i Shkodrës që shtrihej poshtë kalasë së qytetit të vjetër në breg të liqenit dhe ku del Buna,  nuk kishte banesa ose ndërtime ku banohej, por vetëm ndërtime që i shërbenin tregtisë. Ishte një diçka e stërmadhe si për kohën dhe po të ekzistonte sot e kësaj dite, sepse ishte në një gjatësi prej mbi 1.8 km. Ishte aftësia për lundrim e Shkodrës, dhe marrëdhëniet tregtare të saj me lindjen dhe perëndimin, që bënte të kishte magazina të mëdha, të kishte dogana të mëdha, banka dhe dyqane të pa përsëritshme sot e kësaj dite. Në afërsi të tij, ka ndodhur të qëndrojnë në ankorim apo në liqen të shpëndara por edhe në Bunë dhjetra anije nga të voglat dhe deri te avulloret e mëdha deri në 1000 tonelata. Kishte në atë kohë një “Pazar anijesh në Bunë dhe liqen, në garë me Pazarin e Madhe të Shkodrës”.  Në pazarin e Shkodrës, vlonte tregtia dhe madhësia e tij lejonte të punonin dhe blinin mbi 10.000 persona, por që kishte prezencë në ditët e mërkura dhe të diela më tepër se 30-40 mijë banorë.
Pazari kishte elementë të sigurtë dhe përbëhej nga “sokaqet” dhe po ashtu nga Bexhisteni.Padyshim ishte unikal në Ballkanin perendimor. Bexhisteni ishte ndërtuar në vitet 1807-1808 nga Ibrahim Pasha dhe e vazhdoi edhe Mustaf Pashë Bushatliu. Ai ishte një galeri e vërtetë edhe sot moderne, i rrethuar dhe kishte 40 dyqane, ishte i mbyllur dhe i ruajtur, sepse tregtohej ari dhe objektet antike të mirë vlerësuara të kohës. Por Pazari i Madh,  ishte shumë herë më i madh se Bexhisteni i cili ishte një model i mbyllur në atë që konsiderohej Shkodra e zhvilluar.
Pazari i Madh, ishte pa fjalë një qytet tregtar në afërsi të Shkodrës së vjetër dhe në distancë rreth 2 km me Shkodrën e re e cila kishte dalë deri në Parrucën e sotme dhe akoma më tepër më në lindje. Ishte “hipermarketi” më i madh në atë kohë në Ballkan, i pa konkurueshëm për nga madhësia, pasuria dhe kapaciteti më asnjë Pazar tjetër në fqinjët tanë.
Sokaqet ishin të ndara sipas zanateve, dhe patjetër që këto zanate,  kishin shumë zanatçinj dhe po ashtu edhe çirakë të shumtë që mësonin dhe punonin në mënyrë të përditshme.
Malazezët kur janë tërhequr nga Shkodra e kanë djegur dhe rrënuar në mënyrë të qëllimshme Pazarin e Madh të Shkodrës, dhe kuptohet edhe qëllimi në fjalë, por atë e kanë djegur dhe rrënuar edhe kolonët grekë. Po mbas 1944-tës qeveria e fillimit u hakmor me Pazarin e Madh të Shkodrës që kishte pasur mbi 20-të sokaqe, kur punoheshin edhe armë, dhe prodhoheshin pothuaj gjithshka artizanale e kohës dhe me cilësi të jashtëzakonshme. Ju la kolonëve dhe emigrantëve grekë ky Pazar, dhe në të vërtetë ato e kanë trajtuar keqas duke djegur dyer dhe dritare apo edhe duke rrënuar. Pastaj vetë sekretarët e partisë përpunuan idenë anti Pazar të Shkodrës, sepse normalisht ishte një qëndër tregtie dhe kapitalizmi, e cila nuk mund të qëndronte ashtu e ngritur me ideologjinë e kohës.
Pazari i Madh, ishte forma e fundit e kapitalizmit të fillimit dhe të vazhdimit të Shkodrës së madhe së inisiativës së lirë dhe prodhimit të madhe, por edhe tregtisë e cila e kishte nxjerë më fortën dhe të pasur se shumë qytete të tjerë në Ballkan. Pikërisht Shkodra, e cila prosperonte në saj të tregtisë dhe prodhimit artizanal dhe me fabrikat e para të saj afër pazarit. Komunizmi donte njësoj si malazezët dhe grekët, ta prishte dhe e prishi me dëshirën më të madhe dhe të egër. Përveç se u shkatërrua Pazari i Madh, u ndaluar dhe tregtia dhe lundrimi në Bunë dhe liqen, por edhe me anën e tyre në det. Shkodrës ju prishën marrëdhëniet e saja me botën, dhe zhvillimin. Mbas vitit 44-tër, u dëbuan mjeshtra dhe tregtarë, dhe më vonë u shkatërrua si Pazari dhe Bexhisteni edhe pse ishin vepra unikale jo vetëm në Shqipëri, por një krenari për të gjithë Ballkanin. Dolën nga veprimtaria mbi 3000 persona, dhe po ashtu ju ndalua tregtia një popullsie mbi 200.000 banorë të asaj kohe, që e kishin të lidhur me këtë Pazar jetën e tyre. Ky Pazar, ka shumë foto të vjetra dhe shumë piktura në litografi apo gravura nga autorë të lartë të huaj.
Sokaqet me emrat e vjetër ishin këto: Sokaku i Kryepazarit, Sokaku i Arkaxhijve, Sokaku i Dyfekçijve,  Sokaku i Krypëshitësve dhe opingarëve, Sokaku i Kasaphasë, Sokaku i Terzijve, Sokaku i Magazeve,  Sokaku i Pemnave, Sokaku i Tellallëve, Sokaku i Saraçëve,   Sokaku i Elbnave, Sokaku i Djathnave, Sokaku i Miellnave, Sokaku i Drithërave, Sokaku i Oriznave, Sokaku i Hamzagës, Sokaku i Zaganjorëve, Sokaku i Krajanëve, Sokaku i Këpucarëve, Sokaku i Kujxhijve ose argjendarëve, Sokaku i Sqelës ose i Portit të qytetit. Po, dhe 1500 dugaje ishin të gatshme për të nxjerrë Shkodrën në vënd të parë si për nga numri i popullsisë dhe për nga pasuria dhe tregtia e saj madhështore. 
Normalisht që gjithmonë ato që kanë dashur të “shëmbin” Shkodrën si tradicion dhe kulturë, por edhe ekonomi, nuk kanë bërë asnjë veprim të parë, por kanë prishur pazarin. Kjo ka qënë edhe idea dhe veprimi i pushtueseve fqinj dhe po ashtu edhe komunizmit shqiptar. Në këtë pikë, kanë qënë në unison të jashtëzakonshëm dhe padyshim që efekti është ndjerë menjëherë.
………….

lunedì 9 aprile 2012

Vizioni kulturor qe i sherben Shkodres


Kryeqëndra e veriut, në rrugën e vështirë të kthimit në shkëlqimin kulturor tradicional dhe europian.



Opinion

Besi Bekteshi

Shkodra është veçoria kulturore dhe historike e Shqipërisë. Në çfarë pike është kjo?
Qyteti i madh i veriut, është e vetmja qëndër urbane e madhe në Shqipëri, që nuk ka pothuaj asnjëherë mungese qytetërimi, asnjëherë dalje nga urbanizimi, dhe normalisht është e vetmja qëndër urbane, që ka ekzituar e madhe si në lashtësi, mesjetë të hershme, në mesjetën venedikase, dhe është kryeqëndra vilajetit më të madh shqiptar, i cili ka mbetur brënda teritorit të 28 mijë km katror. Normalisht, është qyteti multikulturor dhe multi religjonar i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku interesat e fqinjëve kanë qënë tepër të mëdha, është kryeqëndra urbane ku në vitin 1913-të, mund të fillonte përpara Sarajevos, lufta e parë botërore. Kanceleritë më të mëdha të botës, janë marrë dhe rimarrë me Shkodrën në kohët më të vështira të Shqipërisë dhe historisë së saj. Qyteti i madh i veriut si pikë referimi, është pjesë e qëndresës kombëtare, i mendimit qytetar politik dhe kulturor, dhe me njerzit më të shquar në rradhën e parë të kolegëve të tyre shqiptarë.
Rilindja e Shkodrës, është edhe rilindja shqiptare e madhe, e fortë, dhe me lëvizje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Shkodra është qyteti ku perëndimi, modelet e tij shkollore, të prodhimit dhe të artit, janë aplikuar për herë të parë në trevat shqiptare, dhe për pikërisht këtë, krenohet i gjithë vëndi dhe pse jo edhe teritoret shqiptare kudo ku janë. Tashmë këtë e dinë të gjithë. Edhe në komunizëm, Shkodra ishte qytet kulturor, sportiv dhe pjesë e inteligjencës në përgjithësi. Me dashje apo pa dashje, edhe pse në trysni të madhe, qyteti i është imponuar edhe regjimit me rebelimin si fizik dhe ideor. Në këtë qytet, janë bërë eksperimenet e mëdha të komunizmit, si për të vrarët dhe pushkatuarit, të internuarit dhe të burgosurit, por edhe të prishjes së kulteve të tij kulturore, të kapitalizmit, të religjonit dhe të artit. Janë deniguar figura të stërmëdha, dhe është masakruar struktura tregtare dhe kapitaliste, e zhvillimit dhe prodhimit. Por Shkodra ka mbijetuar. Ka mbijetuar edhe në vitet e para të demokracisë, si një qytet kokëfortë, i pa përkulur në drejtim të parimeve të tij.
Ku jemi sot?
Sot ka shumë për të kritikuar, por ka shumë edhe për të pranuar. Në marrinë kolektive nën tranzicion të shkatërrimit të vlerave, Shkodra është prekur, por më pak. Janë dëmtuar vlera, sepse ajo ka pasur më tepër se të tjerët, por konservatorizmi në sensin e ruajtjes ka bërë që “botkuptimi jo ruajtës vlerash” edhe të qytetarët, të mos shkojë deri në fund në krimin e tij kulturor. Shkodra sot është është me rrugë të reja, kanalizime të reja, me modele të reja që  janë për mirë, e janë disa nga ana urbane jo për mirë, por ka mundësi të mëdha infrastrukturore të pa jetuara më përpara. Administrata e Lorenc Lukës, ka mundur të nxjerrë buxhete të mëdha, dhe po ashtu ka mundur të marrë investime të mëdha, dhe sot qyteti është me infrastrukturën pa fjalë më të mirën në Shqipëri për frymë të popullsisë, dhe vazhdon ndërtimin e saj. Kjo si do që mund të ketë vërejtje, është një e mirë zhvilluese, dhe qyteti ka dalë përfundimisht nga rrethi i keq i infrastrukturës banale, që i ka qënë imponuar. Ai po shtrihet në afërsi të liqenit dhe të Shkodrës së dikurshme të lavdishme, e cila kishte jo vetëm pazarin më të madh në rajon, por edhe tregtinë më të madhe në saj të lundrimit të saj detar, lumor, dhe liqenor.
Tani ka ardhur dita të fillojë rritjen e saj kulturore, kryeqëndra e veriut të Shqipërisë. Atë krenari të rilindjes së saj qytetare të njerzve të lartë të saj, që fillon nga pashalleku i shkëlqyer, vazhdon nga mesi i shekullit të 19-të dhe shkon deri në vitin 1944. Me largimin e lundrimit në qytet nga komunizmi, Shkodrës i hoqën mundësinë e lidhjes më botën, por edhe të tregtisë së madhe rajonale, por me këtë, i goditën haptas edhe kulturën tradicionale, dhe drejtimin europian të filluar frullshëm dikur.
Megjithatë sot mund ta them haptas se Shkodra ka rritur shtatin e saj infrastrukturor, dhe nuk ka asnjë shans që vrulli të ndalet.
 Çfarë i kërkohet Shkodrës?
I kërkohet ti kthehet kulturës dhe dijes, të rivendosë balancën e saj të peshës së madhe kulturore. Sepse vëndi është “toka” më pjellore në këtë drejtim. Kohët e fundit në Shkodër, kanë ardhur me trumpeta dhe flamuj, të cilët fshihnin flamuj partiakë, njerëz që nuk e njohin, dhe nuk kanë asnjë lloj origjine të fisme për ti bërë vërejtje Shkodrës, për të krijuar “zhvillimin e saj”. Kjo është mënyra më jo diplomatike për të marrë Shkodrën politikisht, por dhe besimin e saj, dhe unë e kam të qartë se shumë shpejt do të marrin përgjigje në mos e kanë marrë, por unë nuk shqetësohen për këtë ndodhi. Shqetësimi është te shkodranët që kanë vendosur të qëndrojnë në Shkodër, dhe atyre që mund të jenë në Tiranë dhe jashtë vëndit.
Qyteti 2500 vjeçar, është si kulturalisht dhe historikisht, por edhe ekoturistikisht, një super gjigand shqiptar. Të gjitha do të rregullohen, por kultura kërkon vëmëndjen e shkodranëve të mirë. Qyteti kërkon një kthim me fytyrë ndaj historisë dhe kulturës, dhe prodhimit të saj në mënyrë të akseleruar ndaj këtij 100 vjetori pavarësie. Unë kam mundësinë të bisedoj me Kryetarin e Bashkisë, dhe vlerësoj shumë vizionin e tij, por dhe drejtues të tjerë të rrethit apo qarkut, kam mundësinë të bisedoj me shkodranë demokratë dhe socialistë, dhe në momentin kulturor, nuk mund, dhe nuk di ti ndaj ato, për nga cilësitë kulturore. Kjo është veçori e Shkodrës, dhe kjo mund të jetë forca e saj lëvizëse e madhe dhe e pa ndalshme.  Absolutisht të gjithë duan zhvillimin, dhe kthimin e saj në lartësitë e mëdha qytetare të dikurshme. E mendimi që duhet të paraprijë është se në këtë lartësi, qytetin mijëravjeçar e kthejnë shkodranët. E kthejnë shkodranët me komedinë dhe dramën e madhe të tyre, por duke rigjetur dhe krijuar autorë të rinj. E kthejnë aktorët e mëdhenj të sotëm dhe të djeshëm, por duke i hapur rrugën, dhe krijuar të rinj, të cilët nuk kanë nevojë “të falen” në ndonjë vënd tjetër për arsye pagese. E kthejnë njerzit vizionarë që e duan qytetin e tyre të gjithin, pa e ndarë atë as me lagje, as me religjon, dhe as ide politike, sikundër e kanë bërë këtë bashkim në 80-të, 100-t dhe 150-të vite më përpara. E kthejnë si të rinjtë dhe të vjetrit, njëra me vizion e sotëm, dhe tjetra me trashëgiminë e lavdishme. E kthejnë shkodranët që këmbëngulin në krenarinë e qytetit të tyre, por pa përdorur vetëm veprat e baballarëve dhe gjyshave, por kryesisht të vetat.
E kthejnë administratorët që nuk tentojnë vetëm katapultimin politik, por kryesisht forcën intelektuale dhe të gojës së lirë dhe të hapur, për të thënë atë që i shërben qytetit pa pasur frikë se mund të kundërshtohen. E kthejnë njerzit që i largohen oportunizmit vrastar dhe servil të trashëguar nga adminstratat e dikurshme si të turqisë, dhe të sekretarëve komunistë përpara disa dekadave. E kthejnë artistët dhe piktorët, këngëtarët, muzikantët, letrarët, historianët dhe pse jo gazetarët, që janë kategoria sot më e dobët, por sidomos administratorët që kompesojnë me vizion drejtimi, lirinë e shprehjes në art dhe kulturë. E lejojnë këtë kthim të lavdishëm politikanët, që nuk shikojnë vetëm dhe në mënyrë konservatore, politikat e ngurta të ditës. Politikanët që nuk ndahen në politika jo moderne, por bashkohen për Shkodrën.
E këto njerëz janë në Shkodër, por ju duhet shkundur pluhuri i imponuar jo shumë vite më përpara. Zhvillimin e Shkodrës nuk e lejojnë deprimentët, që e shajnë atë përditë në kafe të ndryshme, në ndonjë medium, që kanë shkuar në Tiranë dhe fillojnë e bëjnë “Tironsin e vjetër” duke harruar edhe gjuhën e tyre, dhe që lobojnë jashtë saj, për ta varfëruar. Por edhe për këto të fundit...zemra e Shkodrës është e madhe!! Kur vijnë ndonjëherë në qytet e kuptojnë sa pa kuptim janë...në këtë mënyrë.
Kryeqëndra e veriut është pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, dhe nuk mund të konsiderohet lokalizëm, as patriotizëm krahinor, avancimi i saj përballë Tiranës si kryeqëndër e Shqipërisë. Nuk mund të jenë zhvilluese dhe shqiptare, teori të nxjerrjes së Shkodrës në periferi të kulturës në saj, të marrjes së vlerave muzeale, artistike dhe kulturore të saj. Politikat e sotme Europiane të zhvillimit vendor, janë ato të zhvillimit të përgjithshëm dhe kudo, pikërisht aty ku ka art, vepra, dhe jetë kulturore. Politikat centralizuese të kulturës në një qytet “thelbësor dhe të vetëm”, varfërojnë në mënyrë të shpejtë Shqipërinë. Akoma më shumë se sot Shkodra është edhe nyje universitare e madhe në Shqipëri. Po, por stafet akademike, më tepër shikojnë zhvillim te modeli për vete, se sa për Shkodrën. Nuk ka një propozim të tyre për zhvillimin e përgjithshëm, nuk ka një seminar, një konferencë zhvilluese e organizuar me target zhvillimin e Shkodrës.Verejtje e madhe ju duhet bërë edhe shkodranëve mosbesues, dhe të dorëzuar përpara një realiteti të përkohshëm, sepse nuk bëjnë asgjë tjetër, por i nënshtrohen mungesës së zhvillimit të përgjithëshëm. Një artiste të madhe të Shkodrës e pashë përpara dy ditësh me lot në sy, sepse po shikonte se qyteti po rritej dhe infrastruktura po kalonte edhe idenë e saj të zhvillimit....po nxirrte lot gëzimi për qytetin e saj, duke qënë se ishte larg.
Shkodra është në rrugën e mirë të zhvillimit, por tashmë zhvillimi kulturor, është përparësia e saj. Kryeqëndra e veriut, është zvogëluar dhe rritur në shekuj, por diçka e ka mbajtur gjithmonë të madhe....kulturën dhe zhvillimin i saj i madh.
Prandaj ky është edhe kushti i vetëm për ta bërë gjithmonë të madhe atë. Ky është themeli qytetërues i saj. Asgjë tjetër nuk ka peshë më të madhe, përveç kulturës dhe zhvillimit të pa ndërprerë të saj.

 

mercoledì 4 aprile 2012

Tenderimi spektakolar i Bashkise se Shkodres ne 1938.

Adjudikate-Tenderat të vitit 1938, nga Ndoc Çoba në Bashkinë e Shkodrës!


Dossier-koment

Besi Bekteshi

Që nga viti 1931 dhe deri në  fillim vitin 1939-të Bashkia e Shkodrës, ishte mbas Tiranës, forca e parë ekonomike dhe investuese, por edhe mbledhëse e taksave në Shqipëri. Ka pasur një kohë përpara viteve 30-të, ku Shkodra ka qënë fuqia ekonomike më e madhe e Shqipërisë, për arsye të madhësisë së qytetit, ekonomisë së fuqishme, dhe tregtisë në krahësim më të gjithë vëndin. Në vitet e para të shtetërimit të pavarur shqiptar, ajo megjithse e varfër, kishte absolutisht buxhetin më të madh në saj, edhe të mbledhjes së taksave tregtare të dorëzuara në shtet, por edhe taksën e “sergjisë” më të madhe në Shqipëri. Mbas viteve 30-të, është edhe periudha kur filluan investimet më të mëdha infrastrukturore dhe kulmi vjen me Kryebashkiakët Zejnel Prodani dhe Ndoc Çoba. Në periudhat e tyre, Shkodra ka marrë formën e madhësisë së rrugëve të brëndëshme, bulevardit kryesor, lulishteve, ndriçimit, trotuareve të parë me standart të mirë, kanalizimeve të vërteta të bardha dhe të zeza, shkollave dhe mirëmbajtjes së tyre, urave dhe pastrimit në përgjithësi. Ishte një moment që edhe pse me vështirësi, pushteti vëndor bënte pjesën e mirë të punëve dhe administrimit. Shkodra në saj edhe të tregtisë dhe prodhimit të saj industrial, jepte në shtetin shqiptar mbi 40% të buxhetit të përgjithshëm nëpërmjet taksave të saj. Ky moment ishte edhe prova e parë e modelit si mund të tenderohej puna publike, dhe tentativat e para i bëri kryebashkiaku Prodani me Nënkryebashkiak zotin Çoba, por në vitin 1938-të është pikërisht ish Ministri i Financave Ndoc Çoba, që vendos përfundimisht standartin e tenderit apo daljen e “letër- Adjudikate” e cila nuk ishte asgjë tjetër, por rregullat e tenderimit, për punët publike të Bashkisë së Shkodrës. Më duhet të them se në Shqipëri, nuk para njihej një mënyrë e tillë veprimi, edhe pse ligjet ishin disi të formuara për transparencën e punëve publike. Shkodra ishte pionierja e vërtetë e futjes së këtij standarti në mënyrë të plotë dhe të përhershme edhe për materialet kancelerike, dhe jo më, për investime të tjera të mëdha.  Nuk pranohej më, që investimi ti jepej asnjë firme apo personi juridik, pa pranuar kushte “adjutikate”, pa bërë konkurs me të tjerë, pa u shpallur dhe hapur tenderi në hollin e Bashkisë së Shkodrës, në sy të administratës dhe qytetarëve dhe të të interesuareve.
Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës, janë disa dokumenta të mënyrës së tenderimit, dhënies së disa tenderave në Bashkinë e Shkodrës, dhe modeli që zoti Çoba ka ndjekur për të siguruar plotësisht drejtësinë dhe sidomos transparencën. Një nga gjërat që të bie në sy është “kopsitja e qartë e kushteve dhe hapjes së konkurimit që është në përballje të publikut”. Nuk lëvizej në atë kohë me çmimin bazë dhe për të dalë në 50% apo 60% të shifrës totale, biles ishin të kujdeshëm të mos binin pre e çmimit të ulur në dëm të cilësisë. Në një tender shifra që doli fituese ishte vetëm 6% me pak e totalit të caktuar, por ishin kontrolluar imtësisht cilësia dhe kushtet e tjera, që kishin të bënin pikërisht me këtë punë. Kishte garanci për pagesë dhe për cilësi materiale, dhe të zgjatjes në punë. Sekretimi i materialeve ishte i jashtëzakonshëm, dhe shpallja në qytet apo administratë, e detajuar tepër qartë. Komisioni ishte i përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe humbin tenderin “ato që nuk i janë nënshtruar skedës së fshehtë e cila ishte mënyra më e mirë e të bërit tender”. Tenderi qëndronte i hapur tre orë dhe mund ti bëhej sërish ofertë ligjore nga pjesmarrësit, brënda tre orërëve dhe kur mbyllej ankandi, çdo gjë kishte marrë fund. Mbas tre ditëve të lëshimit të adjutikatës-tender, sipërmarrësi ishte i detyruar të firmoste dhe lidhte kontratën dhe paguhej më përpara edhe “taksa e kasnecit”. Nuk mund të kishte oferta me telefona dhe telegrame që konsideroheshin të pa konceptueshme.  Në qoftëse sipermarrësi nuk lidhte kontratën menjëherë, ai konsiderohej si abstenues dhe rifillonte tenderi. Shpenzimit ishin të sipërmarrësit kur fitohej tenderi, dhe fondet kalonin që në atë moment....menjëherë, për të filluar punën. Nuk kishte tender pa qënë në bankë të bllokuara lekët dhe tenderistëve ju tregoheshin pikërisht këto fonde...ekzistuese!! Normalisht tenderat ishin juridikisht të kopsituara dhe me nene të posaçme, për kushtet e posaçme dhe në Arkiv, ka shëmbuj të ndryshëm të tyre. Asnjëherë nuk ka pasur ankimim të rëndësishëm për tenderin dhe puna publike ndiqej nga komisioni, por edhe nga persona juridikë që administronin cilësinë e punimit apo të materialeve. Kështu janë bërë tendera rrugësh, materialesh, dhe deri në mirëmbajtje të trumave dhe ujësjellësit të qytetit. Nga më të mëdha të deri te më të voglat probleme dhe punë publike, janë bërë duke pasur parësore vetëm cilësinë. Absolutisht me kopetencë të habitshme për vitet kur bëhet fjalë dhe modelin tenderuesh ishte diçka midis modelit britanik dhe atij austriak i adoptuar edhe në perëndim në atë kohë. E punët tregojnë se janë bërë të mira, dhe i kanë rezistuar kohës me dekada me rradhë në qytetin e Shkodrës. Ishte një administratë që vepronte kështu, dhe pikërisht Ndoc Çoba, një njeri i tillë tepër rigoroz dhe jo vetëm në shërbim të komunitetit dhe qytetarisë shkodrane, por edhe Mbretërisë Shqiptare, në mënyrë të sinqertë dhe të ndershme.
Ndoc Çoba është patjetër një përfaqësues i jashtëzakonshëm i qytetarisë shkodrane, të një familje të madhe, si tregtare, patriotike, dhe elite drejtuese jo vetëm në Shkodër. I studiuar jashtë për ekonomi, ka qënë drejtor i doganave shqiptare në vitet 1909-10, kryetar i klubit “Gjuha Shqipe” sëbashku me Fishtën, mbrojtës i kufijve politikë të vitit 1913, përfaqësues i madh i Kongresit të Lushnjes në 1920, Ministër i Finacave mbas Kongresit, botues i “Ora e Maleve”, Kryetar i Asamblesë së Bashkisë së Shkodrës dhe Kryetar i Bashkisë nga fundi i 1937-39. I papajtueshëm për pushtimin fashist të vitit 1939-të, i internuar nga fashistët në Ventotene, nacionalist i lëvizjes Legaliste dhe i vrarë barbarisht nga komunistët shqiptarë në hetuesi në moshë të thyer në mars të vitit 1945-së. Të tillë njerëz kanë drejtuar Shkodrën e shkëlqyer të viteve të Mbretërisë, dhe ndershmëria, pasioni dhe vizioni i tyre atdhetar e perendimor, bënë që bota ti njohë për modelin e drejtimit të pastër dhe të ndershëm të vëndit. Tenderat e kohës së tij, janë edhe cilësia dhe nderimi më i madh që i bëhet përdorimit të fondeve dhe taksave të qytetarëve shqiptarë dhe kryesisht shkodranë.


lunedì 2 aprile 2012

Fischer, dhe 4 dhjetori i largimit te gjermaneve nga Shqiperia


Faleminderit zoti Fischer, që na kujtuat Shqipërinë etno-natyrore!

Nga Ficsher në datën 4 dhjetor, te Elsie me në “fillim të dhjetorit”,  ka pak dallim për largimin e Vermahtit gjerman nga teritori i Shqipërisë së vitit 1944.



Koment-Dossier

Besi Bekteshi

Shumë interesante data e 4 dhjetorit, që doli në shtypin shqiptar në saj të librit, por edhe studimeve të Bernd Fischer, si një nga studiuesit më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe historisë së saj. Nga e gjithë biseda, por edhe dokumentacioni në fjalë i sjellë nga Fischer me shkronja të mëdha dhe të evidentuara kryesisht doli data 4 dhjetor, si data e largimit apo tërheqes së Vermahtit gjerman nga Shqipëria. Fischer-i ka dashur të rikthejë edhe një herë kujtesën me anën e “raportit final” të një oficeri të Wermahtit të shkruar nga shkurti i 1945-sës, përpara se Gjermania të kapitullonte. Fischer-i nuk i jep ndonjë rëndësi të madhe, ai mendon të nxjerrë dokumenta dhe jo deduksione, biles thotë se si raporti i gjermanit dhe ai i amerikanëve të cilat e kanë kapur këtë raport, kanë kufizimet e çastit dhe të ideve të kohës. Biles Fischer e bën optimist amerikanin dhe jo optimist gjermanin mbi vazhdimin perendimor të Shqipërisë së asaj kohe, por mbase duhet riparë kjo gjë mbas 60-të vitesh se “kush kishte të drejtë”.
Mirëpo në Shqipëri, kryesisht publiku i gjërë dhe politika nuk para merren me atë çfarë Fischer-i kërkon të sqarojë dhe të thotë, nëpërmjet dokumentave, por me datën....4 dhjetor... e cila është tashmë data e re e “Çlirimit të Shqipërisë” dhe natyrisht do të rihapë polemika. Polemika kryesisht ndër njerzit që akoma nuk kanë mbyllur problemin e vitit 1944-tës në Shqipëri....politikisht!!
Raportin e  “ Vermahtit” e ka të botuar në mënyrën  e tij, kohë më përpara se sa diskutimi i sotëm, studiuesi tjetër i madh dhe shqiptarofolësi fantastik Robert Elsie. Nuk është se nuk është ditur ky raport, por sot bën pështypje për datën 4 dhjetor të largimit të gjermanëve nga vëndi ynë. Ose më mirë të themi qartë, ritirim-tërheqa i Wermahtit gjerman nga Shqipëria...!!  Në punimin e Robert Elsie-t, thuhet në momentin e tillë kështu: Evacuation of Albania
In early December, the Administration Groups began their withdrawal with the troops on an exhausting evacuation through Montenegro and central Bosnia that lasted months and during which many men died. Pra, nuk ka një datë fikse dhe ndoshta Elsie është treguar jo i gatshëm ti hyjë polemikës për datën, por ai thotë.... early December....dhe këtë fillim të largimit të gjermanëve nga Shqipëria kemi vite që e dimë se është i shkruajtur nga një oficer jo shumë i rëndësishëm i Vermahtit gjerman. Nga shkrimi i Elsie-t del qartë përshkrimi i forcave, organizimi, komandat dhe patjetër edhe largimi i gjermanëve në Shqipëri. Del se ishte jo pushtim si në vënde të tjera dhe një administrim si regjencë duke qënë një vënd ndryshe në trajtim nga gjermanët. Ku është problemi?
Problemi është fillimi i dhjetorit si tërheqe e gjermanëve apo më qartë ushtrisë gjermane të pushtimit që sipas tyre “nuk ishte një pushtim” por një futje në tokë shqiptare pa e konsideruar pushtim të vërtetë. Elsie në fakt, shkruan qartë se: In October-November 1944, German forces withdrew from Albania and began their long march through the mountains of Bosnia back to Austria and Germany. The author of this fifty-page report was a member of the so-called Administration Group of the Wehrmacht that carried out various administrative and technical duties during the occupation. He describes the conditions in the country in 1943-1944 as he saw them and provides an overview of the political, administrative and economic situation. This unique report on German-occupied Albania by a Nazi official seems to have been drafted in February or March 1945, i.e. after the withdrawal from the Balkans and only a few weeks before Germany’s capitulation.
         Nga tetor-nëntori 1944-tër forcat gjermane tërhiqen nga Shqipëria dhe filluan marrshimin e tyre të gjatë përmes Bosnjës për të kthyer në Austri dhe Gjermani.....etj etj. Por thuhet edhe kur është bërë edhe drafti i anëtarit të Administration Group of the Wehrmacht, me përshkrimet e tij dhe me rreth 50-të faqe.
Tashmë zoti Fischer shkon më larg dhe nxjerr datën 4 dhjetor, pra nuk thotë “në fillim të dhjetorit, por pikërisht ma katër dhjetor...! E në Shqipëri, sërish fillon polemika në se data e çlirimit duhet tashmë 28-të nëntor, apo 29-të nëntor, apo 4 dhjetor kur shkruan oficeri i Vermahtit gjerman. Normalisht që nuk ka asnjë faj zoti Fischer. Faji është te ne.
Ai vetëm na kujton Shqipërinë etno-natyrore.
Pse?
PO, sepse gjermanët, Vermahti gjerman, këtë teritor shqiptar njohën, administruan, dhe prej tij u tërhoqën. E teritori i tillë është shumë më i madh se sa 28 mijë km katror të Shqipërisë të cilën njohën Enver Hoxha dhe të vetët, kur erdhën në pushtet. Enver Hoxha në Tiranën e çliruar, ku vërtetë është bërë luftë me Vermahtin gjerman, është “ngutur” dhe ka thënë datën “ 28 Nëntor” dhe mbasi atëhere e ka thënë se “ndoshta edhe i ka pëlqyer për ta bashkuar veten me Skënderbeun”, por më vonë, i ka interesuar të thotë 29 Nëntor edhe për hatër të Jugollavëve. Kanë pasur ditën e Repulikës.....Jugosllavët!! Fakti është se ai ka përmëndur si datë çlirimi “lajmin që vinte nga Shkodra se qyteti ishte i lirë”. Por për të gjitha rastet bëhet fjalë për 28 mijë km katror të Shqipërisë, kurse gjermanët dhe administrata prej tyre mbas hyrjes me datën 3 shtator 1943, kanë njohur Shqipërinë teritoriale të tyre, dhe jo atë me 28 mijë km katror.
 Pra gjermanët edhe pse ishin në Tuz të Malit të Zi....ato rregullisht me letra ishin në Shqipëri. Biles ka edhe disa shkrehje pushkësh në pikërisht këtë teritor në 2 dhjetor e deri me datën 3 dhjetor të 1944. Gjermanët dhe oficeri i Vermahtit edhe po të ishin në Prizren normalisht ishin në Shqipëri. Patjetër që tërheqa e tyre fillon në fillim të dhjetorit 1944 dhe nuk e luan topi, po çfarë lidhje ka kjo me “ditën e çlirimit të Shqipërisë” ?
Pra po e përsëris, asnjë historian me dy gram studim, nuk mund të bëjë “conection” me datën e dalë nga Fischer-i për të cilën disi më me kujdes flet qartë edhe Robert Elsie. Dallimi midis tyre është “4 December me In early December”  është praktikisht e njëjta gjë, dhe që është fillimi i tërheqes së Vermahtit nga Shqipëria që kishte njohur Gjermania dhe ai që sot (dje më shumë) historikisht dhe politikisht e konsiderojmë pushtimin gjerman, dhe që patjetër nuk ka qënë ashtu sikundër thotë Elsie ... There was no actual German military administration in Albania. Those officials of the military administration who were working in Albania had duties that were quite different from those in France, Belgium or Serbia. Pra i ndryshëm nga pushtimi-administrimi në Francë, Belgjikë ose edhe në Serbi. Këtë e kanë proklamuar gjermanët, dhe largimi po i tillë ka qënë.  Vermahti në atë kohë, bënte shumë proklamata dhe flet volante dhe në arkivin e Shkodrës ka disa prej tyre, por për të kuptuar mirë situatën dhe për të mos bërë gabime të rënda në histori, kryesisht si i kemi bërë përgjatë 50-të viteve, më duhet të citoj njërën prej tyre e cila është e Komandantit të Ushtrisë Gjermane.
Ajo i drejtohet shqiptarëve dhe unë po citoj, por për etikë jo gjithshka dhe aty thuhet....ushtritë gjermane kanë ardhë vetëm për të mbrojtur vëndin tuaj nga nji okupim inglez dhe ....mbi të ardhmen tuaj politike do të vendosni vetëm ju....por i vetmi rrezik që kërcënon është bolshevizmi...dëboni më parë komunistët....ju shkatërrojnë familjen....ju sjellin mjerimin e urisë....djelmënia shqiptare të mos luftojë për Moskën....mos trazoni ushtrinë gjermane.....Shqiptarë të vërtetë, mos rrini më gjatë në pa vendim?
Jemi miqtë tuaj më të mirë...mos na ngatërroni me italjanë....kujtoni se zmadhimin e Shqipërisë suaj me krahinat më pjellore e keni fituar në vitin 1941 me anën e armëve tona...ne nga Atdheu juaj do të largohemi kryekëput me të përfunduar lufta në favorin tonë.....!!  Pra teritorin e Shqipërisë ato kishin shumë më të madh se sa 28 mijë km katror, që në vitin 1941.
Në fakt, u larguan përpara, por ama deklaronin Shqipërinë e zmadhuar dhe atë Shqipëri që ato realisht njihnin. Kurse Enver Hoxha njihte tjetër kilometrazh dhe tjetër teritor shqiptar në të vërtetë.  Polemikat për datën e çlirimit janë ato politike në Shqipëri, por në fakt kanë  bazë ideologjike dhe atë  botkuptimore të ndryshme me historinë e plotë dhe të saktë. Në fakt, kemi të bëjmë me largimin e gjermanëve apo me ardhjen e partizanëve? Me largim apo me çlirim?
Patjetër që personalisht jam që Shqipëria qartësisht dhe historikisht është çliruar me Kryeqytetin e saj Tiranën. E para, aty është bërë luftë e vërtetë, me shumë të vrarë, me sulm partizan dhe rezistencë e tërheqe të gjermanëve apo Vermahtit. Me shumë forca ushtarake në përgjithësi dhe reparte të mirë organizuara. Pastaj një vënd mund të ketë shumë data çlirimi, sepse mund të ketë më tepër se një pushtim. Kur çlirohet kryeqyteti të ka rënë pushtimi dhe kjo, edhe pse ka trupa në tërheqe në teritor, dhe nuk do të kishte asnjë debat më. Por debati ndizet për teritorin shqiptar dhe Shkodrën...artificialisht... si qyteti i fundit. Po e pranoj se Shkodra është çliruar në 29 nëntor, sepse atëhere kanë hyrë forcat partizane në qytet, por me logjikën e teritorit kishte sërish gjermanë në Shqipërinë 28 mijë km katror, dhe sidomos në atë që ishte teritor shqiptar i administruar nga ajo administratë edhe me shqiptarë në vitin 1944. Ka foto të 29 nëntorit, ka edhe të thëna dhe të stërthëna, por data e çlirimit është vendosur politikisht dhe tani sërish polemizohet politikisht. Në të vërtetë do të thoja një “falemnderit të madhe zotit Fischer” që na kujtoi teritorin shqiptar, ose të banuar me shqiptarë. Patjetër që një pushtim është një pushtim, dhe është i papranueshëm nga do të që të vijë, por edhe teritori është teritor, dhe në vitin 2012-të, në saj edhe të modeleve të reja të gjeopolitikës kemi shumë më tepër teritor shqiptar, të banuar po me shqiptarë, por edhe të administruar politikisht me shqiptarë. Kjo pastaj është shumë më e rëndësishme se Data e Çlirimit të teritorit po themi të vetëm 28 mijë km katror.