Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

martedì 19 febbraio 2013

Peter Ustinov, dhe Shkodra ne vitin 1966

Ser Peter Ustinov, provokatori me këmishë të kuqe, dhe Shkodra e 1966-tës.

Koment
Besi Bekteshi

Në kinematografinë e madhe të botës, një nga njerzit e lartë të saj dhe që ka marrë dy “Oscar” si aktor jo protagonist është edhe ser Peter Ustinov, një britanik i madh me origjinë nga Gjermania dhe Rusia. I jati i tij ka qënë një agjent i M5-sës britanike dhe në fakt të gjithë e njohin njeriun e madhe të kinematografisë botërore me anën e rolit të jashtëzakonshëm të Neronit te “Quo Vadis”. Por nderimet e mëdha “Oscar” dhe një “Golden Glob” i ka me filmin "Spartacus" (1960) dhe nje tjeter ne filmin e titulluar "Topkapi" (1964).  Ustinov fliste lirisht anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe kishte njohuri te mira ne greqisht dhe turqisht.
Mirëpo në vitin 1966-të ai bën një udhëtim në ish Jugosllavi dhe futet edhe në Shkodër. Ironia për varfërinë e madhe dhe mizerjen në shkrimin e tij është e jashtëzakonshme, por ai kërkon falje për këtë, dhe në fakt demaskon atë nënshtrim dhe maskarallek që diktatuara tashmë e prishur me rusët dhe e rregulluar me kinezët, i kishte imponuar popullit të saj.
Mua në fakt më intereson shumë ardhja në Shkodër, dhe qëndrimi pothuaj gjysëm dite në qytetin e madhe të veriut, në pëshkrimin e një njeriu kaq të famshëm në atë kohë.
Ustiniov përshkrimin e tij e fillon që nga kufiri dhe për “mos ekzegjerimit” me pyetje për telin me gjëmba dhe korrent në kufi, sepse mund të pasonin si me një grup tjetër i cili kishte pyetur dhe shoqëruesi shqiptar i ishte përgjigjur se “shërbente për të mos lejuar bagëtitë të kalojnë në teritorin e huaj”. Po, dhe të gjithë kishin qeshur, por kishte marrë fund edhe udhëtimi normal, kështu këshilla ishte që të mos bënin pyetje të tilla dhe qeshjet ti mbanim për vete. Ustinov pastaj tregon se rruga ishte tepër e keqe dhe malet janë të thata. Na lejonin të bëjmë foto, por kufiri është objektiv ushtarak dhe ne mund të shpinim këmbët sipas shoqëruesit që fliste anglisht, por aparatet fotografikë duhet ti linim në autobuz.
Ser Ustinov pastaj, tregon parrullat nëpër malet dhe kodrat afër Shkodrës dhe liqenit. Po, parrulla të “Shokut Enver” dhe “Lavdi Marksizëm Leninizmit”, por tregon edhe kokëkuqin ose shoqëruesin e jashtëzakonshëm me medalje mbushur gjoksin plot. Ai tregon edhe arritjet duke thënë se: Ne vitin 1944, Shqiperia kishte vetëm 8 traktorë, ndersa tani ka 7500". Nga këta, per syrin tonë, asnje nuk ështe i dukshem në komplekset e veçanta te fermave kolektive, nga ku kalojme, por pamë dy makina shirëse që ishin disi të çmontuara. Pastaj Ustinov shikon qytetin e Shkodrës, zonën industriale, fabrikën e telave, të duhanit dhe banesat e ulta që në kohë të Turqisë. Lavditë e sistemit socialiste që tani ndërton shoqëruesi i tha pikërisht në rrugën më gropat më të mëdha dhe për këtë ju desh ti përsërisi dhe ne ju afruam sërish një “incidenti diplomatik” me shikimin tonë thotë Ustinov. Ironia në këtë vënd të mban, dhe me sa duket tashmë aktori i madh ka vendosur të përballet me këtë vënd në mënyrë të tillë. Në Shkodër ai shikon shumë pak makina dhe vetëm Popieda ruse, kurse “Fiat 1800” të rinj, kishin vetëm kinezët. Shkodra, ajo ishte me rrugë që kishin “gjurmë të largëta asfalti” dhe shtëpi të ulta të rrënuara, sipas tij.  Kudo ka pluhur thotë Ustinov dhe guralecë si orizi ne dasma. Po, kishte një teatër impozant i mbyllur në verë, por që mua nuk mu duk se kishte punë në dimër, thotë Ustinov, dhe këtu mua më duket se nuk ka pasur shumë të drejtë dhe sidomos për vitet që do të vinin. Ka kopshte vazhdon Ustinov dhe përqëndrohet tashmë te dreka në hotelin e dikurshëm në Shkodër. Po atëhere nuk ishte ndërtuar “Hotel Rozafa” në qytetin më të madh të veriut të Shqipërisë. Ustinov lavdëron verën në drekën e thjeshtë, por edhe rakinë e fortë. Deri letra higjenike, ishte e prodhimit kinez thotë me ironi Ustinov, kur tallet me “dragojt në letrat” që shtrohen në tavolina. Në dyqanet e dhuratave kishte më tepër foto të Maos dhe Enverit dhe sllogane se sa dhurata. Tashmë vjen pjesa më e bukur e tregimit të Peter Ustinovit. Ai tregon se në turizëm, gjatë drekës, erdhi një burrë i gjatë me këmishë të kuqe dhe kapele të çuditëshme në kokë. Ai u ul thotë Ustinov në një tavolinë afër dhe na përshëndeti. Normalisht që grupit i bëri pështypje guximi i këtij personi. Këmisha i kishte dalë nga njëra anë e mesit, dhe dukej si Raymond Massey, në interpretim të ndonjë roli vazhdon Ustinov. Ai kishte dhe një copë buke të mbështjellë. Dukej i dehur, po shante dhe ofendonte dhe e kishte me shoqëruesin jugosllav. Ne u sollën në fillim me një lloj admirimi të kontrolluar, por shoqëruesi shqiptar u bë tepër nevrik. Me ton racional dhe në dukje të qetë ai i foli në shqip, por kur erdhi fjala te “policia” ne nuk kishin si të mos e merrnim vesh, sepse ajo fjalë kuptohej vazhdon Ustinov.  Por burri u bë akoma më shumë agresiv dhe shoqëruesi me një shikim të ashpër u largua. Mbas kësaj pamë se u afruan nga kopshti dy policë, një i veshur me të bardha dhe tjetri me të arrëta dhe nga gëmushat panë njeriun dhe buzeqeshën...!! Po shikonim një skenë filmash me diktaturë dhe kështu na u duk. I piri, harroi se ishte i pirë, dhe ne e afruam të pinte vere thotë Ustinov.
Ai u fiksua mbas shoqëruesit jugosllav dhe duke bërë një xhest me duar i kërkoi atij që të pohonte në se kishte ardhur në Shqipëri, për të spiunuar, apo në se ishte në shërbim të UDB-së.
Por ne e pyetëm në italisht, pse ishte kaq shumë i interesuar, apo mos ishte pjesë e punës së tij dhe ai menjëherë u bë i pirë sqaron Ustinov. Na preku miqësisht në shpatulla dhe pastaj u drejtua dhe eci fare lirshëm tregon Ustinovi për “këmishë kuqin” që normalisht ishte një person i sigurimit që “lejohej” të bënte të tilla shfaqe, por që patjetër kishte koleg edhe shoqëruesin dhe përkthyesin nga ish jugosllavia që domosdoshmërisht edhe ai ishte një sigurims i vëndit të tij. Më pas Ustinov tregon se “I piri” po shetiste me biçikletë në qytet i pa shqetësuar nga policia. Një ngjarje interesante e treguar nga një person shumë interesant, si ser Peter Ustinov.
Ai tregon pastaj se ka vizituar kalanë e Shkodrës dhe për krenarinë e shprehur, por edhe për caktimin e vëndit ku mund të bëheshin foto.
Në Shirokë, Ustinov kishte parë varfërinë, me fëmijë lakuriq dhe fshatarë të varfër që shoqëruesi shqiptar i kishte lëvizur nga vëndi. Biles Ustinov thotë se në atë rast kishin mundur të fotografonin këtë çast. Njerzit në fakt në klub i kishin pritur mirë, dhe kishin thnë se “Tirana është si Parisi” dhe se kishte ndriçim edhe natën. Për Muzeumin e asaj kohe, Ustinov thoshte se kishte më shumë shënja heronjsh të luftës së fundit dhe bar të harlisur, dhe po ashtu pak varre turke dhe të vjetra. Shpjegimet patetike me “drurët tonë, bletet tona, mizat tona”  kombonin, dhe ne nuk i merrnin shumë seriozisht vazhdon Ustinov. Ai ironizon pikturat e frikshme të realizmit socialist, gomardaret e biçikletave dhe bustet e heronjve në Muze.
Ustinovi tregon s
ërisht se “si ishin mobilizuar edhe fëmijët për të kënduar afër muzeut këngë patriotike dhe partizane” dhe se si një vajzë e vogël ju kishte thënë, fashista!!
Na mbajtën larg qytetit deri në orën 4-tër të mbasdites, për punë të dyqaneve thotë Ustinov, dhe dukej qartë se “duhej pastruar vëndi kur banditët e huaj të ishin, për të mos parë se nuk kishte asgjë për të blerë”. Po, vetëm një dyqan u hap, pa ikur ne, dhe kishte paste dhembesh kineze, canta plastike per shoping kineze, krehera kineze, kozmetike kineze, maja pene kineze, blloqe shkrimesh kineze dhe boje shkrimi hungareze.
Por Ustinov shkruan se “kinezët” po silleshin si paternalistë dhe po ju mësonin vëndasve zakonet e tyre. Ato silleshin si emisarët e tyre në Afrikë, por tashmë në Europë.
Kinezët po merrnin hakun e trajtimit të të bardhëve në Kinë, me anën e sundimit të shqiptarëve thekson Ustinov. Mizerja dhe vëllazërimi, ishte edhe tema e ditës. Nuk mund të kritikohet mizerja, por kur mendon se Shqipëria është eksportuesi i gjashtë i kromit atëhere...!
Kurrë përvec Haitit, nuk kemi parë njerez kaq te perbuzur nga liderat e tyre. Shqiperia eshte Haiti, por me nje ndryshim... sepse ka sllogane. Po, dhe kështu sqaron “të mirat” e stalinizmit dhe komunizmit në Shqipëri, aktori i madh britanik. Ai ishte një reporter i rastit, apo edhe jo i rastit, por ishte.
Reportazhi i tij per Shkodrën eshte publikuar ne "The Atlantic Monthly" në nëntor te vitit 1966-të, dhe është një nga perlat e dala për Shqipërinë e asaj kohe. I shkurtë dhe ju kaq shumë me detaje, por normalisht i saktë në syrin e një britaniku, dhe përfaqësuesi të botës perendimore. Ishim jashtë botës, jetonim në varfërinë e madhe ideologjike dhe fizike. Ishim të abandonuar edhe nga rusët, dhe bota revizioniste sipas Enverit, dhe na kishte mbetur vetëm Kina e kohës me të keqe, asaj të revolucionit Kultural Proletar. Në Shkodër atëhere nuk jetohesh më keq se në vënde të tjera të Shqipërisë, përkundrazi. Duhet imagjinuar se çfarë do të ndothte po të shkohej vënd e për vënd në shkretëtirën që kishin ndërtuar njerzit e diktaturës në Shqipëri.
Po, por kush mund të ketë qënë vallë në Shkodër ai njeriu i gjatë me këmishë të kuqe, të dalur jashtë, dhe që në një moment ka bërë edhe provokatorin në drekën e Ustinovit, i cili babain e ka pasur një anëtar të M5 britanike? Askush, sepse tashmë nuk ka asnjë rëndësi.

sabato 16 febbraio 2013

Kongresi i Lushnjes i pa respektuar si krijuesi i shtetit modern shqiptar.



Shteti i vërtetë shqiptar ka lindur në Lushnje, por respektin, sot e percepton politika.
Çasti në foto, i pari dhe i fundit i këtij lloj parlamentarizmi idealist kombëtar.


Opinion
Besi Bekteshi
Parlamentarizmi shqiptar foton më të lavdishme ka atë të Marubit mbas Kongresit të Lushnjës. Aty janë absolutisht idealist të çështjes kombëtare. Janë patriotët e lartë, që pastaj regjimi komunist shumicën i denigroi. I denigroi, por ato janë aty si idealistë dhe që kanë bërë demokracinë e parë shqiptare.   Në qoftëse kujton dikush se si tregohet në filmin patjetër të bukur si intepretim   “Koncert në vitin 1936” problemi i Kongresit të Lushnjës, mund të kuptojë qartë se si akademizmi, kinematografia, ideologjia dhe partia, e trajtonin pikërisht Kongresin e Lushnjës. Aty, ato që kanë lindur mbas viteve të 1990-tës kur shfaqet filmi, marrin vesh se “Ahmed Zogu” ka qënë një kundërshtar i Kongresit.....!!  Nejse, kështu e kemi të “gatshme dhe të shpjegueshme” historinë në saj të Enver Hoxhës, por jo vetëm atij. Janë dhjetra e dhjetra historianë të Universiteteve që nga Tirana dhe Shkodra dikur në diktaturë, por edhe më vonë në çdo shkollë të mesme apo fillore, që çdo gjë të shtetit shqiptar e lejonin përpara Enverit dhe Kongresit të Përmetit, vetëm te Ismail Qemali dhe shumë pak figurat e tjera...por pastaj....!!   Nuk dua të shkoj më larg se sa kaq, por më duhet të them se “Kongresi i Lushnjës” ose bashkimi i vërtetë i Shqiptarëve, për të bërë shtetin e tyre dhe krijimi i Tiranës si Kryeqytet, kur Shkodra ishte akoma për faqe të zezë, administrim ndërkombëtar dhe nën sulm nga serbët, kur Vlora ishte domen italian, kur Durrësi ishte me qeverinë e Esadit dhe kërcënimi teritorial grek nuk kishte mbaruar qëndron shumë lart, tepër lart, dhe duhet të jetë krenaria jonë kombëtare.  Nuk është bërë një keqdashje për Kongresin e Lushnjës vetëm për shkak të Ahmed Zogut, apo njeriut më të rëndësishëm aty...jo!! Aty në fakt ishte edhe Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peci, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi që ishte në fakt dhe qeveria, por edhe shumë të tjerë. Cilin prej tyre nuk e denigroi Enver Hoxha dhe akademizmi i tij politik dhe ideologjik. Po pra, historianografia e trajtuar si e tillë në Shqipëri, dhe që ka sot e kësaj dite qindra tituj doktorë dhe profesorë  që kanë denigruar një nga ngjarjet më madhore të Shqipërisë moderne dhe shtetit të vërtetë shqiptar. Këto doktorë dhe profesorë kanë emrat e tyre në librat e historisë (pa Kongresin e  Lushnjes) dhe njëri prej tyre sot mban fjalime pro Kongresit...!!?  Me këtë gjë, Enver Hoxha dhe servilët e tij të poshtër, të historianografisë që ndonjëri edhe sot nxjerr “bajga nga goja” nuk kanë denigruar Kongresin e Lushnjës vetëm për Zogun...jo!! E kanë denigruar, sepse nuk donin që shtetit shqiptar të formohej në këtë kohë dhe këtë formë. E para,  jo në këtë kohë, por mbas vitit 1944-tër, dhe jo në këtë formë, sepse ishte një formë e qartë dhe e mirë demokracie, dhe përpara shumë vëndeve në ballkan. Po, ajo që nuk përmëndin as historianët levendë të komunizmit dhe ato levëndë të demokracisë së sotme, por që janë të indoktrinuar, është se forma kushtetuese e parimeve të Kongresit të Lushnjës, është akoma më moderne se sa ajo që kemi sot dhe nuk kishte në Ballkan më moderne se sa kaq.  Ajo që duhet thënë është edhe kjo: me datën 31 janar  u vendos Tirana  si Kryeqytet,  dhe padyshim qeveria e dalë nga ky vëndim është absolutisht më e përgjegjëshmja jo vetëm deri atëhere, por edhe sot. Enver Hoxha nuk donte kurrsesi një fillim demokracie të tillë, dhe për këtë vrau dhe denigroi pothuaj të gjithë pjesmarrësit në këtë qeveri, dhe në këtë asamble. Po absolutisht, dhe ky ishte një moment që duhet ti bënte politikanët shqiptarë të mbas vitit 1991,  që të bënin rehabilitimin dhe nderimin e Kongresit të Lushnjës që bëri edhe diçka tjetër, sepse i hoqi edhe mundësitë Esad Pashës, të vazhdonte ambicjet absurde të zotërimit të Shqipërisë nga individi i tij. Kongresi i Lushnjës pastaj nga të gjitha analet e fuqive të mëdha është respektuar....absolutisht po. U detyruan...!  Enveri.....jo!   Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit,  dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija.
Shqipëria ishte në kaos dhe sidomos në një shpërbërje politike dhe religjonare kishte turkoman dhe grekoman, por kishte italianofilë dhe serbofilë dhe kjo është më se e vërtetë, kishte përkrahës së Esadit dhe religjonet në ndasi kishin një handikap të madh. Korça ishte franceze, Shkodra e modelit austriak, por në sulm serb dhe jugu në dorë të italianëve si model dhe veprim. Administrata ishte një shërbëtore interesash të dobëta dhe aspak kombëtare. Nga frika qeveria e Durrësit (nga frika e Zogut) dorëzoi arkivat e saj në shkurt të 1920-tës dhe kështu modeli filloi të unifikohej. Dhe....me 6 mars ndodh ajo që unë vazhdoj të përsëris dhe që është ndihma e amerikanëve, pra me 6 mars 1920-të,  SHBA-të dhe qeveria e saj,  bën një notë proteste Fuqive të Mëdha,  që tashmë e dinin se fuqia më e madhe është Amerika me këtë përmbajtje: Presidenti amerikan Uillson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime toksore nga krahinat e Shqipërisë në Veri....!!
Ngjarja më e madhe e Qeverisë së Lushnjës mbas Kongresit ishte dhe përfundimi i administrimit ndëraleat i qytetit më të madh dhe të rëndësishëm të Shqipërisë që ishte Shkodra pikerisht me datën 11 mars, kur gjenerali de Fortue u tërhoq, dhe kur kancelaritë tashmë ishin bindur për teritoret e plota sëbashku me Shkodrën.... të Shqipërisë. Serbët në fakt, tentojnë Taraboshin, por Ahmed Zogu vjen dhe shpall se “shteti shqiptar ka shti në dorë qytetin e Shkodrës” por edhe administratën e saj në mesin e marsit, duke qënë vetë ai Prefekti i saj. Shkodranët armatosen, nxjerrin valutë dhe po ashtu krijojnë pushtetin e tyre në zyrën e Briotit, apo inxhinierit francez të urës së Bunës. Futja e Shkodrës në administrimin e qeverisë së Lushnjës, është edhe krijimi i vërtetë i shtetit teritorial shqiptar në të vërtetë.  Kurse 27 marsi është fillimi i jetës së vërtetë parlamentare në Shqipërinë moderne, dhe të një demokracie të vërtetë të aplikuar.  Në këtë rast, ka foto të shumta ku shihen  njerzit që më vonë kanë qënë kundërshtarë të fortë e që ishin bashkë dhe si shëmbull është Zogu sëbashku me shumë e shumë të tjerë.  Falenderohet populli nga asambleja, presidenti Willson, urohet që Italia të bëhet stimuluese për mirë e shtetit shqiptar, dhe tregohet ndjenjë  e qartë e vazhdimit të punës për krijimin e më vazhdueshëm të shtetit dhe demokracisë, shtetit në funksionin pluralist dhe me zgjedhje. Më vonë Esad Pasha, sërish tenton, por shtypet nga lëvizjet e Zogut dhe teritori fillon të kontrollohet nga qeveria e krijuar në Lushnje, por që tashmë ka Tiranën si Kryeqytet.  Shteti është i varfër dhe i vogël, por është i stimuluar dhe me qënësi dhe seriozitet të madh, bën punën e palodhur që duhej bërë.
Me datën 21 janar dhe si ditë e mërkurë në orën 10-të paradite, është e vërtetë që është hapur mbledhja, por në të nuk kanë marrë pjesë një pjesë e përfaqësuesve të Shqipërisë dhe jo vetëm ato të Shkodrës dhe Lezhës, sikundër thuhet. Por duhej bërë hapja, dhe u bë në shtëpinë e Kaso Fugës.U mblodh një komision i posaçëm prej 5-së vetash që u krijua prej Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Por u vendos që takimi të pushojë punët deri në ardhjen e delegatëve. E këtë gjë sot duhet të kenë parasysh ato që me të drejtë duan të respektojnë datën dhe orët e krijimit të shtetit të parë modern shqiptar. Po, në se është apo jo datë vendimarrëse apo jo!
U deshën 22 vite demokraci që Kongresi i Lushnjes dhe sidomos qeveria e dalë prej saj, që asambleja apo parlamenti i parë, që senati dhe format e qartë demokratike të ndara tashmë nga e kaluara orientale...të respektohet qartë dhe haptas. Është një fat i madh, por besoj se në Shqipëri kur vijnë në pushtet njerzit e ndryshëm, dhe që pak kanë kuptuar nga historia sëpaku e këtyre 100 viteve të fundit,  janë me mos repekt për Lushnjën dhe merren vetëm me Vlorën, pastaj kur kuptojnë respektojnë Vlorën, por kuptojnë se shteti i parë ka dalë në Lushnje, dhe patjetër ky është edhe veprimi që bota e njihte më qartë dhe më mirë, por edhe shqiptarët, arrinin të kuptonin më qartë. 
Tani për mua nuk ka shumë rëndësi në se duhet 21 janari të jetë festë kombëtare dhe që përkon me fillimin e takimit të delegatëve në Lushnje. Në fakt nuk i takon marrjes së vendime të rëndësishme, kjo datë. Po...por çfarë ka për të ndodhur?  Ka për të ndodhur se socialistët kur të dëgjojnë datën 21 janar, do të bëjnë “conection” me 21 janarin e kaluar, ku disa sulmuan ashpër kryeministrinë dhe disa u vranë përpara saj. E në saj të këtij dualiteti absurd, do të ulet edhe figura e “Kongresit të Lushnjës”, që është absolutisht nga veprat më të larta dhe të ndershme në historinë e shtetit dhe kombit shqiptar. Pa Kongresin e Lushnjës, nuk do të kishin as shtetin dhe as qeverinë, as pushtet më vonë dhe sidomos as teritoret e sotme. Po, as ato nuk do të kishim, prandaj respektin e duhur, duke larguar në periferi si politikanët që e kanë denigurar dikur, dhe po ashtu edhe historianët e politizuar, por edhe njerzit që duan ta përdorin për kontradikta elektorale.
Ajo që ka rëndësi është se: Kongresi i Lushnjës, krijoi Senatin, që u quajt më vonë Këshilli Kombëtar, dhe ishte organ legjistativ, por ai kishte vetëm 37 anëtarë. Afirmohen më forcë parimet e parlamentarizmit  si emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati dhe kontrolli parlamentar, ndaj pikërisht qeverisë. Ishte kohë e shkurtë që zgjati deri në zgjedhje, por akti më i rëndësishëm ishte aprovimi i Statutit të Lushnjës, që ishte edhe ligji kushtetues. Mjafton të shikosh foton e Marubit, që i ka bërë parlamentit të parë normal shqiptar mbas Kongresit të Lushnjës, dhe kupton që nga veshja dhe emrat, se sa serioz dhe i plotësuar ka qënë parlamenti atëhere me ato burra. Mjafton ta shikosh foton, dhe kupton se duhen respektuar dhe shumë biles. Sëpaku të fillojnë të respektojnë pa politikë brënda, kësaj rradhe.  Po, por nuk besoj!!
Megjithatë në foton e Marubit, janë bashkë, të majtë dhe të djathtë, të pasur dhe jo të pasur, myslimanë të krishterë dhe katolikë e bektashinj, veriorë dhe jugorë, të gjithë për parlamentarizmin e vërtetë. Po ishin....por që nga ajo ditë e deri tani,  kanë rrjedhur shumë e shumë ujra armiqësie dhe mosmarrëveshjes, gjaku dhe egërsie mes njëri tjetrit, dhe ky çast në foto ka mbetur i fundit kaq i lavdishëm. Po i pari dhe i fundit. Ajo foto është e lavdishme, sepse është e papërsëritshme jo si kohë dhe moment...thjesht, por si idealizëm kombëtar. Po,  është një çast i vetëm deri tani....i vetëm.